Home » NE NA NGORDHUR GOMARI ME KOHE... » DALJA E BOJËS DHE FUNDI I LOJËS

DALJA E BOJËS DHE FUNDI I LOJËS

Me mbylljen e listave të kandidatë për deputetë, të cilat do të paraqiten nesër, po shihet qartë niveli i pafytyrësisë dhe i poshtërsisë së parisë së Tiranës. Me një shprehje popullore parisë së Tiranës “i ka dalë boja.” Tashmë paria e Tiranës nuk ka pretendimin më të vogël për ti shitur sherret falso si ndarje ideologjike. Paria e Tiranës nuk ka fytyrën për ti mobilizuar njerëzit as në bazë të ndarjeve të vjetra e të stërpërdorura si komunistë/antikomunistë. Parie tiranës ka treguar se ka vetëm interesa materiale. Klanet e tyre përplasen vetëm për të fituar kontrollin e shtetit dhe për ta vënë në shërbim të tyre.

Ata që e kanë kuptuar këtë sjellje kanë gjetur vërtetimi e asaj që kanë ditur. Ata që nuk e kanë pasë pranuar, nuk kanë më justifikime. Vetëm të poshtërit dhe budallenjtë nuk duan ta pranojnë këtë të vërtetë të pamohueshme. Këta janë banda katundarësh që duan të vjedhin shtetin dhe që nuk lodhen për ta fshehur fare, bile ta shesin si arritje, këtë sjellje të tyre. Një shprehje popullore thotë “iu plasi cipa” mirëpo cipa të plas kur ke fytyrë. Shprehja më e saktë është këtyre “iu ka dalë boja,” d.m.th. ajo shtresa e bojës është leskëruar dhe këta e kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë dhe kanë shkuar në origjinë. Huri i gardhit mbet hu gardhi, edhe po ta pikturojë Vangjush Mio apo Kole Idromeno.

Dalja e Bojës dhe Vazhdimi i Lojës

Dalja e bojës është një fenomen i rrezikshëm për vetë parinë. Edhe pse praktika e ndjekur nga paria e Tiranës për të mobilizuar njerëzit dhe për tu zhvilluar atë që quhet politikë simbolike duket sikur po funksionon mirë edhe në këto zgjedhje. E megjithatë, poshtë lustrës së vetësigurisë dhe të përpjekjes së bashkërenduar për të shitur rezultatin, cilido që të jetë, për të zhdukur alternativat dhe për të vazhduar me teknikën e dezinformimit e të c’orientimit të votuesve shihet dicka tjetër.

Dalja e bojës po e bën të tendosur shumë vazhdimin e lojës së sherrit fals e artificial ndërmjet palëve. Nga një anë paria i ka llogaritur mirë e bukur votat. Ata i kanë numëruar njerëzit si delet dhe e dinë se kush do të votojë për kë me një qartësi të madhe. Kjo punë është bërë shtëpi më shtëpi, derë më derë, me sekserë, me lista të punësuarish, me shantazhe të hapurë e të fshehta, me terror politik, me terror mendor, me terror hafijesh që janë shtuar në kufinjtë e shtetit policor dhe me propagandën e frikshme të kafeneve katudnare që janë emisionet si Opinioni, Top Shoë, apo ai gjirizi mediatik, që është emisioni i Arian Canos. Përpjekja e tyre për vazhdimin e lojës po duket shumë e suksesshme dhe luftohet ditë për ditë. Nga këndvështrimi i tyre loja po vazhdohet, po pranohet nga populli, edhe po fitohet ditë për ditë.

Mirëpo, nga ana tjetër, paria është tërësisht e pasigurtë se cka mund të ndodhë më popullin e se si do të sillen shqiptarët me 23 qershor por edhe mbrapa.

Sepse loja kishte kuptim sa kohë që ata ishin të organizuar në dy skuadra kundërshatre për vdekje. Tani po del se ata janë një skuadër që po bën praktikë dhe atë e shet si ndeshje.

Vazhdimi i lojës dhe pranimi i saj rrezikohet edhe sepse, në këtë pikë e mbas, paria i mban njerëzit haptazi të lidhur vetëm e vetëm për interesa materiale. Mirëpo edhe qeni më besnik don të hajë tre herë në ditë. Dhe kështu paria është në krizë dhe vazhdimi i lojës bëhet problematik. Paria përballet me shterrjen e burimeve materiale të shtetit, me mbylljen e rubinetës së punësimit, me mbrritjen e tavanit të marrjes së borxheve dhe të pagimit të tyre, me pamundësinë e dhënies së favoreve që nga doganat tek licenca, me shtimin e daljën jashtë kontrollit të strukturave kriminale, me fuqizimin e vetëdijes në shtresa të caktuara se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më tej, me kthimin e emigranteve, me humbjen e qartë të legjitimitetit e të besnikërisë të masave dhe me përballjen e mundësisë së dështimit të marrëveshjes midis palëve në nivele poshtë prijatarëve në nivelin lokal. Këto janë disa nga aspektet e procesit që paria nuk i kontrollon dot më. Shqiptarët e pranuan lojën sepse vidhte paria, vidhnin dhe ata. Zinte toka paria, zinin toka edhe ata. E rripte shtetin shtetin paria, dromca dhe thërmija mblidhnin dhe ata. Paria bënte pakte me krimin, shqiptarëy shisnin droga, bënin trafiqe e pisllëqe edhe ata. Me një fjalë, ndërtonte Plazhin e Gjirit të Lalzit paria, dhe të gjithë katundarët u bënë me vila në Golem, Dhërmi e Divjakë.  Edi Rama dhe Saliu bënin pallate, njerëzit shtonin kate. Paria vidhte ne shtet, njerezit merrnin rrushfet. E kështu me radhë.

Dalja e bojës dhe fundi i lojës?

Kjo është edhe pika ku vazhdimi i lojës rrezikohet. Oligarkia funksionon sa kohë që njerëzit përfitojnë. Sepse në momentin që njerëzit, që janë mësuar me këtë kalkulimin e ftohtë e racional të tramit të votës për favoret që shkojnë nga thesi i miellit e gjeli i detit tek tenderi shumëmilionësh, nuk presin gjë, atëherë ndryshon loja. Njerëzit kthehen kundër parisë oligarkike dhe fillojnë t’i kundërvihen.

Është e qartë se, me mendjen e vet, paria e ka mbyllur rrethin edhe në këto zgjedhje. Diskreditimi i saj dhe frika se po vjen edhe fundi i lojës, e se mund të fillojë një lojë e re, shihen qartë tek listat e deputetëve. Cka nuk gjen! Trusti i Gështenjave, Orta e Jenicerëve, Klani i Zemunit, Ceta e Lavatriceve, hajde vërja emrin se ka dalë llumi mbi ujë e po bëhen deputetë. I gjithë pisllëku kombëtar është duke u kandiduar për deputetë. Këta janë paria. Si do që të shkojnë zgjedhjet, le të fitojë kush të dojë, Kuvendit do ja ndrrojmë emrin e do ja bëjmë Kupola. Sepse të gjithë këta janë banditë.

Por, edhe pse paria e Tiranës i ka fituar zgjedhjet, sepse kushdo që të fitojë do të bëjë të pamundurën që të respektojë marrëveshjen, ka shumë të panjohura në këtë lojë. Arsyeja është se ka shumë palë në këtë lojë dhe gjithkush po luan për vete.

Sindikatat e krimit funksionojnë sa kohë që ka për të gjithë mirëpo edhe paria vetë e din se nuk ka më për të gjithë. Se do të hyjë miu në thesarin e shtetit e do të thyejë turinjtë.

Edi Rama nuk do ta prekë Sali Berishën dhe Ilir Metën, për arsye të kuptueshme. Njërin e ka në koalicion e tjetrin nuk don ta bëjë ‘Martir  të Demokracisë.” Prandaj thotë “Saliu duhet të ikë me nder.” Po cfarë nderi ka ky??? Mirëpo edhe mafia e ka kodin e vet të ‘nderit’ që në Tiranë pak a shumë përkthehet kështu, “vodhe sa vodhe ti me të tutë, tani e kam radhën unë me të mitë.” Ik me të mirë se ndryshe do të bëjmë sherr dhe nga sherri humbim që të dy. Ik me nder o Sali, se nuk të bëj martir! Si nuk e bëre to Fatos Nanon, si nuktëbënë Fatos nano dhe Ilir Meta ty. Sepse shahemi nga nëna e nga motra, por jemi tanët, bre. Ti nuk me preke, unë nuk të prek. Më rrove të rrova brisku i berberit. Mirëpo, këtu janë në lojë shumë vetë me kobure plastike, me mushka droge, me trafiqe armësh, prostitucioni, e organesh. Se ne jemi parajsa e krimit dhe e llumit dhe nëse Saliu, Edi, Ilir, apo edhe dreqi dhe i biri mendojnë se këta iu janë besnikë atyre e kanë shumë gabim. Këta që nuk kanë lënë gjë pa bërë në faqe të dheut nuk iu besojnë as kanatjeres që veshin e jo më këtyre shefave që janë treguar të pabesë gjithë kohën.

Vazhdimi i Lojës?

Ajo që është shqetësuese edhe për parinë, është pikërisht ajo cka do të ndodhë mbas 23 Qershorit kur dalja e bojës të bëhet e qartë edhe për budallenjtë. Sepse po shihet qartë se Sali Berisha e ka një shans për të qënë pjesë e qeverisjes. Se miq jemi, por kuleta kuletë e numrat numra. Po qe se Saliu i mbledh edhe ca vetë rrugës si Agron Duka, edhe pot ë dojë t’ia lërë Edit, nuk ka c’u bën shefave të mafiave locale, deputetëve me kobure plastike apo Lefterit që ia futi me lezet dhe e mori vendin e deputetit me një katundarllëk të paparë! I mblodhi kushërinjtë dhe farefisin, e vuri Kozmain të këndonte: “o Sali t’u bëfsha ferrë!” hajde gjetje Lefteriane, sepse PD I mblodhi të gjithë ferrat e PS-së por, funksionoi, nuk dinte ku ti conte syte Saliu…  e siguroi vendin në listë Lefteri. E sa ka PD e PS si Lefteri, por nejse, do ta shohim se kush është ferrë e kush është trëndafil.

Për shkak të shefave të mafiave lokale, të gjithë policë e doganierë, shikas e trafikantë, ka ndryshuar ekuacioni në të dy anët. Se ikja e Asllanit nuk e ndryshon lojën në Kukës por e ndryshon në Bathore, ashtu si ikja e Kastriot Islamit sjell ca vetë që do të bëjnë ndryshimin për para në Tiranë. Por këto janë shenja se parisë i ka dalë boja dhe është … krejt e pasigurtë për atë që vjen mbrapa.

Në vend të Përfundimit

Shkurt, parisë i ka dalë boja, tashmë ka ndrruar edhe loja. Marrëveshja do të ruhet, por torta do të ndahet pak më ndryshe. Sepse Saliu po sheh se ka më shumë shanse që të ketë një copë të pushtetit. Edhe pse torta do të jetë e zvogëluar, këta që janë mësuar të hanë tortën me legenë, dhe të hanë tortën nga legenët e shtetit, do të ndjekin taktikën e njohur katundare të vjedhjes së votave si me vjedhjen e ujit nga vada natën. Tek vada e ujit hiqet lesa e këtu mbushet kutia. Mënyra të ndryshme por mendësi e njëjtë.

Prandaj edhe paria nuk është e sigurtë, nuk mundet me kenë e sigurtë se a është kjo dalje e bojës thjesht një dicka kalimtare apo është fundi i lojës dhe fillimi i një loje të re. Këtë do ta marrim vesh kur të formohet qeveria në Shtator. Deri atëherë, edhe pse nuk e kemi krejt për herë të parë, dhe jemi mësuar, na duhet me durue edhe marrëzitë, edhe poshtërsitë, edhe pafytyrësitë e parisë së Tiranës. Se ne na ka ngordhur gomari ke kohë, dhe nuk na prish punë se vjen Edi dhe i shkul veshët, vjen Sala bën Komision për veshët, vjen dreqi dhe i biri e merren me veshët e jo me gomarin tonë që ka ngordhur e nuk ngjallet me këto shkuljet e veshit.

 

3 thoughts on “DALJA E BOJËS DHE FUNDI I LOJËS

  1. Analize e mire e situates parazgjedhore,por si gjithmone e merr Shqiperine si nje ishull te shkeputur nga bota rrethuese dhe ndikimi i saj ne kete ishull,

  2. e sakte. do te gjejne menyren te bien ne ujdi dhe do te bejne nje qeveri te perbashket… ne rastin me te keq me nje opozite ‘luajale’

  3. hahaha, mos u merzit Shenasi se te dyja palet do bejne koalicion mbas shtatorit, skane me çfare te paguajne as rrogat as borxhet, keshtu qe ska rendesi se si shkojne zgjedhjet. Puna eshte te kishim ndonje alternative tjeter si puna e Bepe Grillos po qe te pakten nese duhet te luftonim tja vlente barra qirane.

Comments are closed.