Home » ANALISTE TE FTUAR » VALBONA KARANXHA: “KAPËRCIMI POLITIK” MUNGESË E THEKSUAR E ETIKËS POLITIKE

VALBONA KARANXHA: “KAPËRCIMI POLITIK” MUNGESË E THEKSUAR E ETIKËS POLITIKE

Kapërcimi politik shfaqet në shumë mënyra, disa nga këto mënyra janë braktisja e një partie politike për një parti tjetër; lidhja e aleancave me parti të kunderta në rrymë; faksionet partiake,  dhe gjithashtu dalja e deputetev të pavarur. Ky koncept nuk është i ri. Më poshtë do përpiqem të ilustroj me shëmbuj disa nga “party-swapping” d.m.th kapercimet partiake në Shqipëri gjatë 22 viteve të fundit.

Kur një politikan ndërron parti, ose grup politik të përcaktur ka disa arsye të forta të cilat e “detyrojnë” atë të marr vendim të tillë. Këto faktorë kanë të bëjnë me politikat e ndjekura nga liderët, drejtimi ose kursi i ri politik që ka marrë ose po ndërmerr partia dhe së fundi ndryshimi në qëndrimin e elektoratit ndaj partisë dhe politikanit.

Etika politike dhe obligimi ndaj elektoratit është një nga arsyet e kapërcimit  politik i cili  ndodh kur një politikan është i detyruar të ndërroj parti pasi partia aktuale nuk përfaqson me ideologjine e tij. Kjo është më se normale. Gjithashtu, politikani ndërron parti për të fituar vend ose post me influencë si për shëmbull; të behet kryetar i një komiteti ose organizate të caktuar etj. Poste të kësaj natyre  ky kandidat do mund t’i realizoj vetëm në partinë apo grupin e ri politik. Kandidatë të pakënaqur me politikën e partisë së tyre gjithashtu mund të divergjojnë nga rradhet dhe të krijojnë parti të re. Raste të tillë ka me duzina në Shqipëri dhe është bërë normative me instalimin e pluralizmit. Dhe e fundit, vlen për tu përmendur që  kapërcimi politik bëhet thjesht për të siguruar fitore elektorale pasi në dukshmëri elektorati prezent nuk i siguron kandidatit këtë fitore. Ne shumë raste  ky instabilitet ideo-politik i ka rrënjët të mungesën e një ideologjie të qartë.

Në jetën politike shqiptare kapercimi politik është kthyer në trend. Të gjitha  pikat që shtrova më lart  janë gjithashtu arsyet kryesore që shtyjnë dhe motivojnë  politikanët shqiptar të kapërcejnë nga njëra parti në tjetrën. Pavarësisht se keto lëvizje “hop këtu dhe hop atje” kanë ndodhur dhe më përpara, hedhja e cila filloi mbas 1 prillit duket se do të vazhdojë deri sa zgjedhjet të mbarojnë për të rifilluar të paktën mbas  katër vjeteve të ardhshme.

Le të shohim disa nga klasikët e kapercimit në politikën shqiptare dhe cili është motivimi i tyre. Vet fakti që Shqipëria ka të rregjistruara rreth 130 parti tregon se shqiptarët janë të pakënaqur dhe nuk bashkohen me politiken e dy partive kryesore të cilat kanë pasur pushtetin në 22 vitet e fundit. Disa nga këto parti janë faksione të krijuara nga gjiri i partive mëma, disa janë ideologji unike të formuara bazuar në një platformë të caktuar në përputhje me botkuptimin e lidërshipit. Faksionet në vetvete janë raste klasike të përleshjes se  ideve  dhe mosrenia dakord me lidërshipin aktual

Megjithatë, lufta në planin personal është më predominuese  dhe tipike në gjirin e partive në Shqipëri. Si rrjedhim, është më e përshtatshme për këta individë të krijojnë një rrymë te re se sa të pajtohem me politikën e ndjekur ne partitë mëmë. Kështu, FRD u shkëpt nga PD vitin e shkuar për mos pajtim me politikën e Berishës dhe Berishën vet si lidër. Kurse LSI u nda me PS për arsye të mospajtimit me Fatos Nanon në 2004.

Duke shtuar në vazhdim, krijimi i aleancave nëpërmjet  partive me pikpamje të ndryshme në spektrin politik behet për qëllime interesash. Kur një parti politike bën koalicion përpara zgjedhjeve, qëllimi i saj është të siguroj votat të kaloj pragun e lejueshëm për të fituar. Ndërsa aleanca mbas zgjedhjeve bëhet thjesht për te siguruar vënde në qeveri dhe për të forcuar poziten/opozitën me qëllim miratimi ose kundërshtimi ligjesh dhe  politikash publike. Konkretisht, LSI në 2009 bëri aleancë me PD për të siguruar  poste në qeveri. Gjithashtu pesë deputetët e LSI ishin vendimtar në miratim ligjishmërie apo politikash publike të cilat u interesonin atyre si parti.

Sot në 2013, LSI nënshkroi koalicionin me PS për të siguruar përsëri numrin e votave elektorale pasi PD eshte shkundur nga themelet, nga skandalet, nga  korrupsioni i përbashkët dhe mund të humbas zgjedhjet e ardhshme. Duke lënë PD për PS, Meta i cili nuk ka asnjë lloj etike si politikan apo si përfaqsues i popullit, kërkon me çdo kusht të siguroj vazhdimsinë e vet në politikë

“ Etika politike” ka të bëjë me gjykimin, ideologjinë e politikanit dhe detyrën që ka ai ndaj elektoralit të tij dhe rrjedhimisht ndaj popullit. Në rastin e Gjovalin Kadelit kemi jo vetëm përpjasje personale por edhe përplasje morale, gjykimi dhe etike. Kadeli u largua nga PS me arsyen se Partia Socialiste nuk mbështet më atë si deputet, ideologjinë dhe praktikat e tij. Kjo erdhi  si pasojë e mosmarrveshjeve ndërmjet tij dhe  Edi Ramës. Por këtu nuk mund të përjashtohet fakti  që Kadeli ishte venë i pesti në listën e deputetve, vënd i cili për Kadelin është humbje e sigurt dhe fyese për dikë qe ka kontribuar për PS. Në këto raste thyerja është e pashmangëshme.  Padyshim ka faktorë të tjerë të cilat kanë të bejnë me integritetin politik të PS dhe çështje të mospajtimit moral.  Midis të tjerave Kadeli  shprehu pakënaqsinë ndaj koalicionin me LSI. Kjo është mospërputhje me rrugën e PS për te siguruar fitore dhe shkelje e etikës politike në gjykimin e Kadelit.

Një rast klasik i kapërcimit politik është Agron Duka. Duka, sipas shtypit shqiptar është politikan/biznesmen. Pasi ka humbur garën elektorale në 2005, Duka në 2013 ka kapërcyer nga kandidat për deputet në rradhët e PS në rradhët e PR (Partia Republikane) për arsye se Fatmir Mediu i siguron vëndin e parë në listat e deputetëve të Durrësit. Pa asnjë lloj introduksioni, ky kapërcim është thjesht interes votash dhe aspak ndryshim ideologjie pasi një kapërcim i tillë është ndryshim i thellë ideologjik dhe botkuptim i cili nuk kultivohet brënda disa javësh kur mesohet se deputeti nuk është në pozicion të përshtatshëm për fitim. Pra, është më e qartë se dita që Agron Duka motivohet nga fitimi dhe jo ideologjia republikane.

Ne përfundim, politikat i njohin ndryshimet dhe kapërcimet partiake. Po ashtu dhe “bagazhin” që vjen me to. Duke konkluduar, nga rastet e sipërpërmendura politikanët shqiptar vijnë në pushtet për arsye fitimi. Deputet që ndërrojnë parti në Shqipëri janë të motivuar nga egoja për pushtet lavdi dhe para. Mirqënia e popullit nuk është as motivim por edhe as preokupim. Politikanët në Shqipëri janë të “pa-edukuar” përsa i përket etikës politike, dmth, nuk e kuptojnë detyrën dhe obligimin që kanë ndaj elektoratit dhe popullit. Pak rëndësi kanë masat për ta, detyra e politikanit në pushtet në Shqiperi limitohet thjesht në interesin e tij personal, interesin e klanit të tij, familjes imediate, familjes të zgjatuar dhe pjesmarrja në parti është instrumenti i cili do mundësoj këtë përfitim. “De-limitet” ose jashtë limitit të veprimit të poitikanëve shqiptar sidomos ata qe bejne kapercimet janë mirqënia e popullit, instalimi i kuturës demokratike, zbatimi në praktikë i ideologjisë që ata përqafsojnë, krijimi i shërbimeve sociale për popullin dhe elektoratin e tyre. Ajo që i dallon liderët autentikë nga ata të vetquajturit lidër politik është shtrirja e limiteve për t’i ardhur në shërbim popullit dhe jo ngushtimi i tyre për arsye personale.