KOMENTATORË DHE ZHURMUES: BRIGADA E PLEHUT NË INTERNET

Rreziku më i madh me të cilin përballet një njeri që don të ofrojë ndonjë ndihmesë në debatin publik, ose thjesht të thotë mendimet e veta në një blog, sic bëj unë tek Rrethi I Ferrit, është ndeshja me lukuninë e njerëzve anonimë që e kanë lirinë e pakufizuar të thonë cka duan, si duan, dhe pa e vrarë mendjen dy herë.

Mirëpo tashmë, këta që komentojnë pa ndërprerje në faqet shqiptare në internet nuk janë as njerëz, as anonimë, dhe as të lirë. Si gjithherë, gjëja më e lehtë për t’u mësuar janë mbrapshtitë. Dhe në shtetin shqiptar, së bashku me Call Center që hapi ai italiani që ia dogjën BMË-në tek Blloku, ky është profesion që të paguan mirë. Kjo është një ndër mbrapshtitë moderne të komunikimit që e kemi mësuar shpejt e shpejt, aq sa jemi bërë mjeshtra.

Natyrisht, nuk e kemi shpikur ne këtë profesion të komentatorit profesionist. Por paria e Tiranës ka nevojë të jashtëzakonshme që mesazhi lidhur me të vërtetën, që thuhet kryesisht në internet, të cilin ajo nuk e kontrollon, të mos mbrrijë kund. Edhe po mbrriti, ai duhet të zhvlerësohet. Nëse nuk zhvlerësohet mesazhi, atëherë duhet të zhvlerësohet njeriu. Në fund, njerezit që jetojnë në shtetin shqiptar duhet të jenë e të mbesin tërësisht të coroditur, sepse të vërtetat nuk bien nga qielli. Të vërtetat do t’i thonë njerëzit dhe puna e këtyre është që ti bëjnë të papranueshme. Dhe po e mbytëm një gjarpër tek burimi i ujit, askush nuk do të pijë më aty. Po e diskredituam njeriun, atëherë mesazhi i tij nuk ka vlerë. Kjo është detyra e Brigadës së Plehut në Internet.

Në Tiranë kemi një zogori llapaqenërie mediatike që përmes televizoneve, gazetave, radiove, revistave, dhe të gjithë mënyrave të tjera të komunikimit kryen misionin e përdredhjes të së vërtetës. Mirëpo internetin nuk e kontrollojnë dot. Dhe njerëzit shkojnë në internet, e atje u ngatërrohet mendja dhe e gjejnë të vërtetën që paria lodhet kaq shumë t’ua fshehë.   Sepse ja, shihi gazetat. Në kioska shesin 200 copë dhe këto i blejnë institucionet, por në internet lexohen nga dhjetramijra vetë në ditë.

Paria e di rrezikun e internetit në nxjerrjen e së vërtetës. Se mua e disave si unë, nuk na mbyllet goja dhe do të themi të vërtetën sa të kemi forcë të flasim.

Pikërisht për të përmbushur këtë mision të ngatërrimit të mendjes, të fshehjes të së vërtetës paria e Tiranës ka marrë në punë Brigadën e Plehut të Internetit. Këta janë një tufë rrogëtarësh që rrinë në zyra e në kafene dhe hamullisin pa ndërprerje në cdo shkrim që iu bie ndesh palëve respektive të parisë. Mund të jesh tek një lokal simpatik dhe ai djali që sheh me laptop e që qesh gjithë kohën, që nuk punon e pi kafe e lexon në kompjuter nuk është student. Ai është pjestar i Brigadës së Plehut të Internetit.  Edhe ky konsulli që e vë emrin në komentet e tija, është pjestar i Brigadës së Plehut në Internet. Edhe ky Ambasadori i lodhur, ky analisti i roitur, profesori me mani seksuale, ky Vërjaemrin që vetëquhet aristokrat, ky drejtuesi i emisionit që llap e llap dhe vetë nuk e di cka thotë, edhe këta që shkojnë në punë në katin e tretë të PD-së dhe që drejtohen nga Disidenti I Djathit, apo ata të tjerët në zyrën në qoshe të PS-së janë është pikërisht të punësuarit në Brigadën e Plehut në Internet.  Miratojnë, kundërshtojnë, shahen me njëri-tjetrin, dhe krijojnë konfuzionin për të cilin edhe paguhen.

Ka mjaft fakira që nuk dinë cka thonë, apo njerëz të edukuar që thonë gjëra të sakta në internet por këta janë profesionistë dhe të zanatit. Këta dinë se si funksionon mendja e njerëzve dhe i gjen gjithkund, në gazeta, blogje, Facebook, forume. Këta janë Brigada e Plehut të Internetit. Aty ku ka një të vërtetë, këta i hedhin pak pleh përsipër. Aty ku nuk ka shumë pleh, këta i hedhin më shumë.

Profesioni i ri i zhurmuesit

Dikur kishte një njeri që e kishte detyrë të kthente antenën këndej e andej dhe ndizte e fikte me urdhër zhurmuesin. Tash këta pjestarët e parisë së Tiranës e kanë kuptuar se zhurmuesi i vërtetë është mendjen e njerëzve. Sepse po ua bërë të bardhën të zezë, dhe të zezën të bardhë, e ke zgjidhur problemin. Këta janë pjestarë të brigadës së plehut në internet. Detyra e këtyre është që të merrene me gjithkënd e me cdo argument. Dhe po panë se ke një mendim që nuk iu shërben kryetarëve të partisë, të hedhin një dorë pleh. Po panë se ke hedhur mjaft pleh, sic ndodh rëndom me komentatorë që janë në shërbim të palëve të parisë si pjestarë të brigadës mediatike të plehut, këta ta shtojnë pak dozën dhe i fusin një të sharë të shkretit kundërshtar. Objektivi është i njëjti: të dobësohet apo të përforcohet mesazhi, simbas interesit të shefit të brigadës së plehut.

A funksionon Brigada e Plehut?

Brigada e Plehut funksionon dhe funksionon mirë. Ne jemi një popull që vdesim për thashetheme, që nuk i besojmë të vërtetës edhe kur e kemi para syve. Sepse duhet medoemos që të ketë dicka të fshehur dhe këtë e marrim vesh vetëm tek mulliri pa kokrra që është kafeneja ku diskutohen pikëpamjet dhe vizioni për botën I burrave shqiptarë nga mengjezi e deri në darkë. Ai Kryemerhumi e quante gazeta arabe, unë e kam quajtur gazeta katundare, po nuk ka ndonjë dallim të madh se edhe arabët katundarë kanë qënë kur i kemi njohur ne. nejse.

Thashethemet shpërndahen nga brigada e plehut pa kurrfarë kursimi apo dhimbje dhe funksionojnë. Ja të sjell ca shembuj nga rasti im personal. Njëri më pyeste: “po të kujtoj kush ka qënë babai i jot!” Cka me i thanë??? Me i thanë se unë jam ndër të paktët që e di të sigurtë se kush ka qënë im’atë… shko more vëlla e gjej se kush është babai i jot, sepse kështu si kanë ardhur punët, është mbushë bota me njerëz që nuk e dinë? Po ky tjetri që një e dy nuk ka lanë rrugicë të Gjuhadolit pa më përmendë.  “A e din se kur ke kalue te kjo rrugica…” kah kam pasë me shkue? Te ajo rrugica asht dashtë me kalue! Asht njëri që duket e ka detyrë me thanë se kam qënë kapterr… një e dy e “Shenazia ka kënë kapterr”!!! Më e bukura është akuza që më bën njëri që një e dy më thotë se kam qënë spiun i Sigurimit. Unë nuk kam kene kurrgja hic, as spiun as oficer por, me thanë të vërtetën, ba me më pasë ba oficer të Sigurimit isha sjellë ndryshe… Por këta, sa më shumë që kam shkruar aq më shumë më kanë rritur gradën. Njëri bile me bëri DS Nasi, shefi i Sigurimit të Qytetit Studenti!!! Një tjetër me shkruante: “A e din kur spiunoje ata që takoheshin fshehtas me të huajt??” More vëlla, fshehtas e hapur jam takue unë me shumë të huaj bile, ka dalë një revistë jashtë shtetit në Qershor të vitit 1990, që thotë se takuam një Shenasi Rama në Shkodër që na tregoi se ku i kishin hedhur eshtrat e Fishtës…. Me sa duket këta kanë marrë dosjen time dhe po e kthejnë cdo gjë mbrapsht…. Lexoje more dosjen, apo ia keni lanë në kujdestari një kopje Gjergj Lezhjes e një kopje Fahr-el-din Balliut, të Bekuarit të vetëm Apostolik?

Shkurt, si rregull, unë i lexoj komentet që bëhen në shkrimet e mia. I lexoj në Facebook, i lexoj këtu në blogun tim Rrethi i Ferrit dhe në komentet e gazetave që nxjerrin shkrimet e mia. E ndjej detyrë me dëgjue njerëzit dhe me i kuptue si duhet. Shpesh marr mendime të vyeshme, ide për shkrimet dhe argumente që vërtetojnë atë që mendoj e që di unë. I respektoj shumë miqtë e mi që harxhojnë kohën e komentojnë, më korigjojnë, me vënë në dukje gabime e të tjera. E ndjej shumë përgjegjësinë për atë që them, sepse nuk dua të them mendime të gabuara dhe t’i zhgënjej. Dhe nuk përtoj të komunikoj me njerëz që i njoh, me njerëz që nuk i njoh, me pseudonime, me njerëz që kanë personalitete të shumëfishta, dhe me ata që janë krejtësisht të turbullt. Është detyra e ime. Përderisa shkruaj, e përderisa më lexojnë, duhet të përgjigjem. Nuk do të shkoj deri në atë nivel që shkoi Mustafa Nanaj që hapi një rubrikë “ju pyesni, Muci përgjigjet” por ama lexuesin e respektoj dhe do ti pergjigjem.Ja nje shembull:

“O miq mua me duket se ky i shkreti nuk eshte mire nga mehalla e siperme.Jeton ne nje bote virtuale qe e ka krijuar brenda nje nate dhe i duket vetja perendi. Fut ne nje epruvete terma, fjale,ngjarje,insinuata, hamendesime,keshilla,sentenca e pasazhe teorike dhe pasi i tund fort na i hedh ne si BAR CUDIBERES. E kam thene edhe nje here tjeter ky Shinasiu punon ne avance qe pas zgjedhjeve te vije ne Shqiperi, te krijoje nje parti te tijen me synimin qe te dale me shpate si shpetimtar kunder asaj qe ai e quan “paria e shqiperise.Mua me duket nje eklektik klasik qe merr poza profeti, sepse kujton se ka te beje me budallenj e me katundare sic shprehet shume shpesh.Don Kishot tipik i koheve moderne.”

cka t’i pergjigjem ketij njeriu? Mirëpo edhe kur nuk di cka me iu pergjigje, këta të Brigadës së Plehut në Internet I lexoj ma me andje se gjithcka tjetër. Këta më argëtojnë! Tashti po sjell një koment nga këta të Brigadës së Plehut që më ka shkri gazit:

“Sa per dijeni ky Shemja ka si idol Zholefinen, Dizenjatoren e Pallavrave te Leshit te pa tjerrun.
Kshtu osht dhe kjo puna e ktij intelektualit prej Hamerike,..tjerr e tjerrr,… e bone golfin gati me e vesh ne dimen o Naçoooo.”

Ama… këtij nuk i përgjigjem! Se ky shihet nga katër ‘o-të’ që ka marrë sëmundjen e shefit të vet! Por ndoshta kushedi se për cilin e ka se unë nuk e njoh veten këtu. Hajt ma, duhet me pasë mëshirë edhe për këta sepse edhe këta duhet me fitue rrogën. Dikur vinte një makinë që pastronte gjirizin. Tash kemi laptopin dhe Brigadën e Plehut në Internet që qelb të gjithë dynjanë. Por duhet me vazhdu e me thanë të vërtetën. Sepse ne na ka ngordhur gomari me kohe, por vetëm e vërteta ka me na shpëtue, një nga e një e të gjithë bashkë.

Advertisements