GRID RROJI: ZGJIDHJA VJEN NGA E VËRTETA

GRID RROJI: ZGJIDHJA VJEN NGA E VËRTETA

Fushata zgjedhore që po përjetojmë megjithë milionat e eurove që po shpenzohen për të na bindur se Shqipëria është fushë me lule (dhe me rrugë!), ose se do të Rilindë sapo të vijnë në pushtet aleanca e ngjalave është një ushtrim në mjegullimin e të vërtetës. Vëmendja e mediave-garniturë e parisë është përqëndruar tek listat, kapërcimet e njërit apo tjetrit kandidat apo grup militantësh nga njëra palë tek tjetra, e kështu me radhë.

Mirëpo, ajo që mungon tërësisht si në mjedisin politik ashtu edhe nëpër mediat është referimi ndaj së vërtetës.  Në këtë shkrim dëshiroj të ndalem tek rëndësia themelore që ka kuptimi i realitetit aktual, si pikënisje e domosdoshme për të ndërtuar një shtet me bazë kombëtare, si dhe për të ngjizur një mendësi ndryshe. Siç u shpreha në një takim me akademikë dhe profesionistë shqiptaro amerikanë të organizuar në Universitetin e Kolumbias para disa ditësh, roli i atyre që e konsiderojnë veten intelektualë është studimi, shqyrtimi dhe deklarimi pa rezerva i të vërtetës. Paria e Tiranës I ka deklaruar luftë të vërtetës dhe ndryshimi real do të vijë vetëm atëherë kur elitat shqiptare synojnë zbulimin e së vërtetës dhe të guxojnë t’a shprehin atë.

Në mendësinë që n’a ka imponuar paria e Tiranës studimi i të vërtetës është naivitet, vështirësi e kapërcyeshme por perceptohet edhe si simptomë e të qenit jashtë realitetit. “Çfarë të vërtete kërkon ti mor vëlla, ne na’ duhet të jetojmë e të rropatemi me këtë realitet që kemi”-është kritika më e shpeshtë ndaj qasjeve ndryshe. Një kritikë tjetër e hasur shumë shpesh është që “kështu e kanë nisur të gjithë, edhe Amerika nga kriminelë është bërë”.  Asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës se këto justifikime kinse pragmatike të së keqes.

Në kuptimin që dua të shtjelloj në këtë shkrim, e vërteta nuk është thjesht një koncept intelektual, filozofik apo politik por një realitet I prekshëm nga të gjithë shqiptarët, përditë  e pa pushim. E vërteta me të cilën shqiptarët përballen përditë sot është një sistem politik oligarkik dhe hajnor, një ekonomi e kontrolluar nga klanet e parisë, një mjedis shoqëror të kriminalizuar dhe një propagandë e shfrenuar e parisë për t’a bindur popullin se kjo është e vetmja rrugë.

Kjo është një e vërtetë e pamohueshme dhe të gjithë shqiptarët që nuk janë verbuar nga propaganda, që nuk janë zvetënuar nën trysninë e pandalshme të klaneve kriminale të parisë, apo qe nuk I kanë lidhur interesat me llumin kriminal të Tiranës, e përjetojnë çdo ditë.

Sistemi politik është I mbyllur. Marrëveshjet e ngjalave janë bërë normë dhe jo përjashtim, të gjitha palët e parisë shqyhen ditën për diell, por pas terrnajës merren besh për bukuri për të ruajtur sundimin e tyre criminal mbi shtetin. Shteti u duhet për t’a mjelë e jo për të ndërtuar institucione për popullin. Për parinë shteti është mjeti I vetëm për t’u pasuruar dhe për të mbajtur të kënaqur klanet kriminale që I mbështesin. Pa shtetin nuk ka burime sepse paria nuk di e nuk do të krijojë një ekonomi funksionale, të mbështetur në interesa kombëtare të shqiptarëve e cila t’I japë mundësi shqiptarëve të jetojnë me dinjitet në shtetin e tyre. Kjo është e vërteta me të cilën përballen përditë shqiptarët.

Shteti që ka ndërtuar paria është I drobitur, pa kapacitete profesionale të zhvilluara dhe pa bosht kombëtar. Funksionarët e administratës jetojnë  ose “nga rroga në rrogë” të terrorizuar nga pala që është në pushtet, ose bëhen pjesë e llumnajës kriminalo hajnore duke u bërë kësisoj lehtësisht të manovrueshëm. Paritë lokale përbëhen nga grupe më të vogla kriminale të cilat jo vetëm dyfishojnë shfrytëzimin e popullit nga paria, por duke konkurruar paritë qendrore i ngrenë çmimin shtetbërjes. Paria ndahet në hajna të mëdhenj dhe hajnë të vegjël. Kjo është e vërteta me të cilën përballen përditë shqiptarët.

Partitë politike nuk kanë bosht ideologjik por bazohen në dasi të krijuara dhe ushqyera artificialisht m qëllim që populli të ketë shkak të zihet mes vedi. Siç n’a mëson Makjaveli urrejtja është motiv shumë më lehtësisht i manipulueshëm për qëllime politike se sa dashuria. Ato nuk parashtrojnë asnjë ide, asnjë alternativë reale por vetëm luajnë teatrin absurd të rotacionit. Në vend që t’I printe popullit në një rrugë pajtimtare, të njihte krimet e të kaluarës që nga 1912-a e këtej dhe të vendoste parime të ndërtimit të shtetit komb siç kërkuan mbarë shqiptarët në 1990ën, paria zgjodhi rrugën e hajnave, dobiçave, kriminelëve dhe të gjithë atyre që “dinë t’ja fusin tjetrit paq”. Për më tepër kanë paturpësinë dhe e quajnë “rruga e vetme drejt kapitalizmit”. Kjo është e vërteta me të cilën përballen përditë shqiptarët.

Udhëheqësit politikë shqiptarë të të gjitha palëve janë kriminelë të veshur me costume të cilët kush më shumë e kush më pak nuk ngurrojnë t’I lyejnë duart me gjakun e shqiptarëve për të mbërritur objektivat e tyre. Tashmë ata kanë braktisur çdo dukshmëri morali sepse thika është në kockë, ekonomia është e rrënuar dhe në falimentim, nuk ka më burime shtetërore për të vjedhur dhe shpresa e vetme që u ka mbetur është ideja banale “ shteti ka gjithmonë burime”. Ndaj edhe lëvizjet e shumta andej këtej, marrëveshjet, sharjet prej banditësh ordinerë janë vetëm hi syve për të shmangur vullnetin e popullit edhe në këto zgjedhje. Kjo është e vërteta në të cilën jetojnë përditë shqiptarët.

Po cilat janë pasojat e këtyre veprimeve të parisë me të cilat përballen përditë shqiptarët? Së pari, një sistem politik I cili na përçan artificialisht, një pari politike të korruptuar e kriminalizuar, një ekonomi me bazë kriminale dhe në rrënim ciklik dhe një shoqëri të drobitur e cila po humb vlerat njerëzore dhe I shëmbëllen më shumë se kurrë një xhungle egërsirash.

Ndonëse shqiptarët i përjetojnë këto fenomene përditë po jap disa shembuj për t’a ilustruar argumentin. Sistemi politik është jo përfaqësues. Zgjedhjet kontrollohen nga partitë e mëdha dhe ato kanë krijuar një sistem ku sundojnë kryetarët dhe çdo forcë e re ka shumë pak shanse. Rasti më I fundit I AK-së dhe FRD-së të cilat u vendosën përpara zgjedhjes “o me parinë, o j armik”.

Emërtimet “ I djathtë” dhe “ I majtë” janë formale. E djathta shqiptare është me formim leninist ndërsa “ e majta” përbëhet nga milionerët e rinj. Paria politike nuk ka sovranitet, çdo zgjidhje konsensuale duhet të vijë nga mbikqyrësit e huaj të cilët tashmë janë lodhur me lojrat mesjetare të prijatarëve shqiptarë. Ekonomia shqiptare është zhvilluar për shkak të remitancave dhe trafiqeve ilegale. Megjithëse palët e parisë kanë krijuar përshtypjen se arritjet janë bëmë e tyre, po t’a krahasosh me vende të tjera si tigrat aziatikë zhvillimi ekonomik  është strukturalisht I paqëndrueshëm. Sipas Nismës për Stabilitet në Europë, një organizatë hulumtuese e BE-së papunësia reale në Shqipëri është 40 %1. Shoqëria shqiptare lëngon nën zgjedhën e banalitetit, shijeve të zvetënuara, dhe çdo vlerë shqiptare jo vetëm që nuk është nxitur por përbuzet si e tejkaluar. Nuk lëmohen më vlerat folklorike, qytetare, dhe bashkërendimi kombëtar por synohet “integrimi europian” si një vlerë përgjithësuese. Mirëpo integrimi është një vegim dhe çdo insinuatë për integrim të shpejtë është rrenë e pastër. Më tej, nga pikëpamja e vlerave ne nuk përkojmë kërrkund me Europën dhe vendet e BE-së e dinë këtë fort mirë. Të gjitha këto janë të vërteta me të cilat përballemi përditë, mirëpo parisë I intereson të na I fshehë.

Ndaj, edhe roli I medias është kyç për projektin e parisë së Tiranës. Media kontrollohet prej klaneve përkatëse dhe roli I saj është të krijojë imazhe vezëlluese të një realiteti që nuk ekziston përtej mureve të kështjellës së qendrës së Tiranës. Më tej, media përdoret edhe për të krijuar imazhin e konkurrencës ndërpartiake. Paria ka krijuar modelin e medias shërbëtore, ku gazetarët e thjeshtë përdoren si skllevëre njëpërdorimsh për t’u zëvendësuar në rastin më të parë nga rishtarë të dalë nga bankat e shkollave. Edhe ndër mediat është krijuar sistemi oligarkik I kontrollit nëpërmjet kryeredaktorëve dhe drejtorëve të mirëpaguar të cilët kanë shitur çdo integritet profesional për mirëqenien e tyre personale.

Për t’a përfunduar, kjo fushatë është ushtrimi I radhës I palëve të parisë për të mjegulluar realitetin me të cilin shqiptarët përballen përditë. Forca e propagandës së pandalshme është e konsiderueshme, dhe ka shumë shqiptarë që kanë rënë pre e saj. Mirëpo, duam t’a shohim apo jo realiteti shqiptar është ai që mediat shpatullrrahëse të parisë mundohen t’a fshehin.

Shumë qytetarë pyesin a kemi zgjidhje? Këto zgjedhje janë jetike për parinë e Tiranës dhe ajo është munduar t’I mbyllë të gjitha shtigjet. Pakti I ngjalave për të kryer rotacionin dhe nxjerrë Sali Berishën butësisht në opozitë duket se I ka mbyllur llogaritë. Mirëpo pari është sërish e shqetësuar. Partitë e reja janë burim shqetësimi edhe pse ajo e kontrollon sistemin zgjedhor. Po ashtu, megjithëse kanë bërë pakt, grupet kriminale nuk I besojnë njëri tjetrit dhe do vazhdojnë rrengjet deri në fund. Por më e rëndësishmja, ajo që I shqetëson klanet e parisë është rizgjimi I vetëdijes kombëtare të shqiptarëve që pasqyrohet në shumë aspekte. Ata që mendojnë se një dështim eventual I Kreshnik Spahiut apo ndonjë drejtuesi tjetër të AK-së do të thotë dështim I ideologjisë që ajo ka përfaqësuar janë viktima të propagandës së vet. Kombëtarizmi modern shqiptar nuk është çiflik I askujt dhe ekziston përtej aktorëve që e përqafojnë.Krijimi I strukturave politike me bazë ideologjinë kombëtariste tregon se megjithë përpjekjet e parisë për të manipuluar udhëheqësinë kombëtarizmi shqiptar ka ende një bazë shumë të fuqishme mbështetëse në popull.

Çdo fillim I ri, çdo përpjekje për një reformë të vërtetë socio-politike do të bazohet në ndërtimin e një shteti komb dhe do të ketë si bazë politike masën e madhe të shqiptarëve që e sheh shpresën e vetme tek vlerat shqiptare. Megjithë përpjekjet për të mjegulluar të vërtetën, për të mbyllur shtigjet apo për të manipuluar aktorët një sistem demokratik nuk mund të mos respektojë vullnetin e popullit. Ndaj, në këtë pikë frika e parisë është e justifikuar.

Advertisements

VALBONA KARANXHA: LISTAT E SHUMËPRITURA: ZHGËNJIM POPULLOR

Saga e zgjedhjeve ka arritur në një nga pikat më interesante  “Shpallja e listave të kandidatëve.” Midis të kënaqurve, të pakënaqurve, te gënjyerve, të zhgënjyerve janë edhe votuesit e thjeshtë të cilët as nuk janë përfillur fare. Berisha dihet se si i bën llogarite, prandaj nuk ja vlen të ndalemi se Saliu është si teto Ollga, i numeron kandidatët  “au clair de la lune”. Por e papritur ishte farsa e PS së cilës i plasi tullumbacja në dorë sapo listat dolën sepse thirrjet për bojkotim janë shtuar në network-et sociale.

Në botën konfuze të Ramës, pavarësisht nga pakënaqësia popullore, rëndësi kishte që listat të  përpiloheshin me fitimin në mëndje. Por meqënëse mbas daljes së listave u kuptua që emëruesi “popull” ishte  lënë përjashta, detyra e publikut është që në këtë situatë të kërkojë llogari.

PS e vërtetoi dhe njëherë që në drejtimin e Ramës është “top-down leadership”. Koncepti i demos-kratos (pushteti dhe vullneti i popullit) as nuk eshte marrë parasysh sepse në fund të fundit deputetët nuk zgjidhen për kryetarin, por për popullin që do përfaqsojnë, elektoratin për të cilin do përgjigjen dhe janë përgjegjës.

Ky faktor as nuk egziston tek Edi Rama. Dikush qe harton dhe përpilon listat e deputeteve pa marrë parasysh vullnetin e popullit predispozohet te kthehet ne diktues. Nuk them dot diktator sepse është akuzë e rëndë për dikë që nuk është  provuar si lidër. Por një diçka e them me bindje. Rama është lider prej letre.

E gjitha kjo farsë më kujton një tregim të Gabriel García Marquez “Death Constant Beyond Love”. Fushata elektorale e Senator Onessimo Sanchez, diku ne Kolumbi,  shoqërohej me shfaqje cirku, aeroplanë letre, karroca, vagonë të mbushur me indianë, dhe sa herë që fliste Senator Onessimo Sanchez, ndihmësat e tij hidhnin në ajër zoq prej letre të cilët vinin në jetë teksa fluturonin. Po Garcia Marquez është  gjeniu “Realizmit Magjik” më mirë i shqipëruar realizmi i shtrëmbëruar, dhe fantazia e tij nuk ka kufi.

E përdora këtë alegori të ilustroj fushatën elektorale të PS dhe lidërshipin e saj prej letre i cili si gjithmonë gënjen, mashtron elektoratin e vet pa qënë fare apologjetik për premtimet e letrave siç është edhe Rilindja. Kështu që,  sa herë që Rama flet apo vepron, militantët dhe mediakët e vet mbushin vëndin më cicërima, zoq e sorra prej letre. Aty këtu, po pati nderin e madh ndonjë nga populli i afron edhe veshin t’ja shkul sepse është humoristike.

Çfarë i ka ngelur Ramës të premtoj më që elektorati i vet duhet ta besoj. A mund të flitet për vënien në zbatim të “Rilindjes Lejla” sot? As nuk bëhet fjalë, që kur Ilir Meta ju bashkangjit PS, (sepse Rama kujton se Iliri ka rendesi strategjike) Rilindja si zog prej letre fluturoi dhe mori ferra uratën. Por ashtu si senator Onessimo Sanchez edhe Edi Rama jeton në botën e realizmit magjik. Sa mund ta udheheq vëndin një lider prej letre? Letrën perjashta e merr era, zjarri e djeg, uji e shplan; letra ska peshë. Letra s’ka shume rendësi (vetëm në qoftëse ka fjalë brënda dhe është e lidhur në një libër).  Por edhe atëhere, fjalët duhet të jenë më vend ndryshe libri quhet surrogato.

Në shumë artikuj e kam analizuar Ramën si lider i cili nuk  kalon provat e vështira. Shumë kam shkruar për reformimin e partisë së tij. Por sot lexova që Rama me listën e vet po ben reform të thelle partiake. Vetëm ka një problem të vogël. Kjo reformë partiake nuk është gjë tjetër vetëm hi syve atyre që nuk ia kanë idenë se si bëhet reforma.  Edhe i pari nga ata që nuk ja kanë idene është vet Edi Rama.

Këtu qëndron edhe  farsa tjetër. Rama jo vetëm nuk e kupton reforminimin si koncept por as nuk do edhe të mësoj sepse krenaria dhe fodullëku i ka prerë udhen. Të heqesh disa deputet dhe t’i zevendësosh më bisnesmenë të cilët do të zgjidhin qesen për zgjedhje, nuk është reform por lëvizje e deshpëruar për të fituar. Rama pothuajse është verbuar si krijesat nokturne dhe nuk shikon fare ku e hedh hapin. Kushdo që e tërheq për dore i tregon vetëm rrugën e gabuar andej nga s’duhet të kaloj dhe ku rreziku është më i lartë të humbas. Rama është i brishtë në këto momente nga pasiguria,  dhe  ka kaluar nga caqet e pasigurisë në gjëndje ankthi/makthi  të vazhdueshëm për fitim.

Le të marrim si shëmbull traktain e 1 prillit. Fjala doli sikur eurosocialistët  e sugjeruan të bëj aleancë me personin më të korruptuar në mënyrë që të heq Berishën nga pushteti. Eurosocialistët nuk kontribuojnë drejtpersedrejti për popullin as vendin kështu që nuk i takon të japin këshilla qoftë edhe miqësore për politikën e vendit aq më tepër të inkurajojnë lidhje kontratash dhe aleancash brënda një shteti sovran. Është thjesht ndërhyrje e panevojshme, dhe e tepërt në emër të një lëvizje “internacionale” që populli nuk e blen më. Rama ka besim tek këta dështakë, paçka se i treguan një “lëvizje” te gabuar.

Në vazhdim, etika dhe obligimi  politik tek Rama është në nivelet zero. Përpara kolltukut nuk kanë vlerë as morali, as populli, as katundi dhe as qyteti. Sot, Edi Rama përsëri do vazhdoj “legacinë” e Berishës, të çoj vendin më në kaos. Megjithëse e kam thënë disa herë që çdo gabim i Ramës është përfitim për Berishën, egziston mundësia që Rama të bëhet kryeministër. Por në planin psikologjik Rama nuk i reziston dot as tensionit, as presionit; në plan lideri/lidershipi  Rama nuk ka prirje për të “ndarë” pushtetin pasi i do të gjitha për vete. Në plan strategjik, Rama nuk nuhat dhe përballon dot sfidat  pasi është edukuar në praktikën mësimore të Sali Berishës dhe politikës banditeske ku  i bihet me spat kujdo që të del përpara. Ndërsa në planin e zgjidhjes së problemeve, Rama kujton se paraja e bisnesmenëve do zgjidh gjërat si me magji. Paraja mund të blej shumë gjëra por nuk blen dot aftësinë për të drejtuar. Si përfundim Rama po dështon si udhëheqës përpara se të bëhët i tillë.