Home » ANALISTE TE FTUAR » LEDJAN PRIFTI: PROSCRIPTIONES – LISTAT E VDEKJES DHE RILINDJA E TIRANISË

LEDJAN PRIFTI: PROSCRIPTIONES – LISTAT E VDEKJES DHE RILINDJA E TIRANISË

Listat u mbyllen, kutia e Pandorës u hap. Gjithë të këqijat që menduam se i lamë pas, prej të cilave besuam se u pastruam në këto 23 vite, u ringjallën. Të këqijat që rilindën, bash si Rilindja e Ramës, po përhapen gjithandej e po kundërmojnë erë të keqe, si të kishin shpërthyer gjithë pusetat e ujërave të zeza në Shqipëri.

Gjatë shekullit 1 p.l.k, në Romën e lashtë u bë zakon hapja e mbyllja e ”listave”. Ishte kohë e veshtirë diktatorësh e triumvirësh, që vrisnin njeri-tjetrin dhe mbështetësit e vërtetë e të hamendësuar të armiqve politikë. Ishte shekulli i shkatërrimit të Republikës Romake dhe i kthimit në autokraci. Këto lista në latinisht quheshin ‘proscriptiones’, vareshin në publik dhe kush e gjente veten në ato lista ishte njeri i vdekur. Me anë të atyre listave të vdekjes, diktatorët dhe triumvirët hiqnin qafe armiqtë politike dhe u konfiskonin pronat.

”Proscriptiones” më të famshme, ku gjetën vdekjen me mijëra vetë ishin ato të Sulës (lat. Sullae) në vitin 82 p.l.k dhe të triumvirëve Mark Antonio, Oktaviani dhe Lepidi ne vitin 43 p.l.k. Ngjashmëria mes Sulës dhe Salës, nuk mbaron  në rrafshin fonetik, të dy i takojnë të njëjtës race kafshësh, asaj më të rrezikshmes, racës së tiranëve.

Ndërkaq triumvirëve të vitit 43 p.l.k u ngjason jo pak triumvirati i sotëm Berisha-Rama-Meta, ku ashtu sikundër triumvirët romakë kishin secili listën e vet të vdekjes, edhe triumvirët shqiptarë kanë secili listën e partisë së vet.

Sikundër të gjithë e kanë marrë vesh, në listat e tanëve ( edhe këtu ka probleme, a mund t’i quajmë shqiptarë, shtazë të tilla, pa na u skuqur faqja për shqiptarinë tonë ?) lexojmë që kanë vrarë politikisht gjithë armiqtë e tyre, kush ka gjetur 25 armiq e kush ka gjetur 35. Kanë arritur kulmin e paranojës, as Enveri nuk ka gjetur kaq shumë armiq brenda partise brenda ndonjë katërvjeçari normal, madje edhe Enveri lejonte brenda partise, klane të tjera, si Klani Shehu e Klani Kapo.

Sepse këta, nuk është se kanë lënë jashtë të paaftët, të cilët e meritojnë në çdo çast vdekjen politike, as nuk kanë lënë përkohësisht jashtë njerëz që kanë probleme familjare, por kanë lënë jashtë gjithë kundërshtarët e tyre, realë e të imagjinuar, mjaftonte një fije dyshimi që të ishe i eliminuar. Të spastruarit janë vërtet politikisht të vdekur, sepse si Sala si Berisha, kanë bërë spastrime në funksion të së ardhmes afatgjatë, Sala për t’i lënë partinë Bashës e Argitës, ndërsa Rama për ta zaptuar partinë deri kur ta thërrasë Djalli në ferr. Proscipritiones nuk mund të ishte dot më gjithëpërfshirëse se kaq.

Por, problemi më madhor, nuk lidhet aspak me emrat e spastruar apo emrat e rinj, sepse në fund të fundit, ikën ca hajdiutë e batakçinj hynë ca të tjerë, por me kontrollin absolut që ushtrojnë kryetarët në parti, i domosdoshëm për të mundësuar edhe kontrollin absolut të pushtetit. Kjo është në linjë me ndryshimet famëkeqe kushtetutese, me zaptimin e të gjitha pushteteve nga ana e Salës gjatë vitit të fundit, zaptim që ëndërron ta arrijë Rama pas fitores së mundshme në 23 qershor.

Pra, problemi madhor  lidhet me faktin që ‘proscriptiones’ janë shenjë e qartë së Republikës sonë ashtu si dikur Republikës romake, po i vjen fundi. Për 23 vjet menduam se gradualisht po pastroheshim prej së keqes së madhe të tiranisë, por ja që paskëshim qenë plotësisht të gabuar, farën e tiranisë nuk e paskemi zhdukur, por ushqyer e tani prej saj po del kercelli, të cilit po ia shohim të gjithë paraqitjen e frikshme.

Për mua, befasia nuk ka qenë Berisha, por deri diku Rama, sepse ky hyri ne politikë si progresist, mori pushtetin në parti falë demokracisë së brendshme që lejoi Fatos Nano, propogandoi Politikën e re, prandaj sado që prirjet autokratike nxirrnin kokën herë pas here, m’u krijua një iluzion se Rama nuk do të ishte një autokrat kaq banal.

Rama, me sa duket, ka bërë paktin e ngjalave sidomos në funksion të kontrollit të plotë të partisë, sepse nëpërmjet votave të LSI-së, ai kompeson votat klienteliste të kundërshtarëve të tij brenda partisë, kompeson votat e Islamit, Kadelit, Dukës, Malajt,etj, të cilat normalisht nuk do të shkojnë më tek kazani i Ramës.

Pra, nëpërmjet koalicionit të ngjalave, Rama krijoi atë epërsi votash ndaj Berishës, që i lejonte të bënte spastrimin e gjithë socialisteve që kishte kundër, pa u dëmtuar prej votes së tyre klienteliste. A i ka bërë llogaritë mirë Rama ? Këtë do ta mësojmë në 23 qershor, por sot mund të themi me siguri se pa paktin e ngjalave, Rama s’do të kish mundur kurrë të shkatërronte atë pak demokraci të brendshme, me të cilën na ka mësuar PS-ja prej 20 vjetësh. Ajo demokraci e brendshme  mund edhe të quhej luftë mes oligarkësh partiakë për pushtet, por çfarëdo emri t’i vëmë asaj dukurie, me siguri ishte shumë më e preferueshme sesa tirania e tashme partiake e Ramës.

Fantazma e tiranisë po fluturon mbi kokat e shqiptarëve, diktatura e pashpallur po shkallmon dyert e institucioneve, diktatura ”de facto” po na shërbehet si shpresa e vetme e së ardhmes.

Përpara drejt tiranisë, bërtet Berisha, Rilindja e tiranisë, ulëret Rama. Jemi mes Shilës dhe Karibdit, u kemi dorëzuar fatet tona, të ardhmen tonë, përbindeshave që e kanë vendin në mitologji ose më mirë në gjirizet e Historisë dhe jo ne krye të Qeverisë.