Home » ANALISTE TE FTUAR » GRID RROJI: PARIA, BANDAT DHE FRIKA NGA REAGIMI POPULLOR

GRID RROJI: PARIA, BANDAT DHE FRIKA NGA REAGIMI POPULLOR

Përcaktimi i listave për deputet ishte një nga hapat kryesorë të këtyre zgjedhjeve. Mund të thuhet pa frikë se me mbylljen e listave janë përcaktuar jo vetëm kampet por janë caktuar pak a shumë edhe rezultatet në qarqe. GJithashtu, ndryshimet e mëdha në lista, lënia jashtë e disa eksponentëve politikë dhe përfshirja e disa figurave të krimit, por edhe ping pongu i deputetëve sa një njëra palë në tjetrën, është dëshmi e pandashmërisë së interesave të parisë me bandat kriminale.Mirëpo listat na treguan jo vetëm se paria është tërësisht e kapur mbas interesave të bandave kriminale por edhe që ajo nuk i kontrollon dot ato.

Në këtë shkrim do të trajtoj kriminalizimin e palëve të parisë dhe kontrollin që klanet kriminale ushtruan mbi listat dhe mbi pushtetin e ardhshëm, si dhe pasojat që ka ky proçes për popullin. Kriminalizimi tërësor i politikës, varësia që kanë klanet e parisë nga bandat kriminale dhe simbioza ekonomiko politike që është krijuar mes tyre janë një nga pasojat e sistemit oligarkiko hajnor që ka instaluar paria. Më tej, për shkak të lidhjeve të pazgjidhshme me krimin, paria sillet njësoj si kriminelët dhe kërkon që këtë lloj sjelljeje ta normalizojë në shoqëri. Për të justifikuar sjelljen kriminale dhe ndarjen në kartele mafioze të palëve këto ditë të pas listave u angazhuan seria e mëditësve të shtypit të cilët kanë për detyrë të trumbetojnë propagandën e parisë. Në fund, të gjithë u morrën me palën tjetër dhe u munduan të heqin vëmendjen nga fenomeni.

Ndikimi i krimit të organizuar në politikë dhe kapja e të gjitha hallkave të pushtetit prej karteleve mafjoze u vërtetua në proçesin e listave në disa mënyra. Së pari, proçesi si gjithmonë ishte sekret, i pa konsultuar përveçse me grupe të ngushta shërbëtore të kryetarëve përkatës. Berisha dhe Rama i vunë kryesitë përkatëse përpara faktit të kryer, dhe kushdo që kundërtshtoi u la jashtë liste. Diskutimi ndodhi vetëm në PS ku konsolidimi I klaneve të brendshme ka qenë historikisht më i madh dhe individë përfaqësues të klanit të përjashtuar kanë mbështetje në bazë.  Ndërsa në PD askush nuk guxoi të ngrinte zërin kundër “mbretit” të partisë. Madje, disa deputetë aktualë u bënë edhe qesharakë në pranimin e një verdikti pa asnjë shpjegim me deklarata të tipit “mirë ka vepruar mbreti-kryetar që n’a hoqi se duhet rinovuar lista”. Në rastin e PD-së, kontrolli i KQZ-së solli edhe një shkelje tjetër të ligjit, ndrydhimin e listave pasi ishin dorëzuar. Askush nuk e ka kritikuar këtë shkelje të hapur të ligjit sepse paria vepron sipas parimit ex lex legis “ne s’na kap ligji”.  Kështu sillen vetëm kartelet kriminale e mafjoze të cilat nuk kanë objektiv përparimin e shoqërisë por vetëm plaçkën.

Së dyti, palët e parisë shpërfillën hapur ligjin duke injoruar kuotën e grave nëpër lista. Një shpërfillje kaq e hapur e një ligji që është bërë më marrëveshje nga palët vetë është karakteristike për kartelet mafjoze. Paria e kishte bërë llogari që edhe vëzhguesit europianë të kënaqeshin me një ligj formal, por edhe të mos prishnin pazaret e tyre “për ca femra më tepër”. Rezultati është krijimi i një kulture politike ku ligji është opsion dhe jo rregull shoqëror i pashkelshëm. Ndonëse ka patur disa zëra të vetmuar që e kanë ngritur këtë problem kryesisht nga pikëpamja e barazisë gjinore, askujt nuk i rreh shumë për shpërfilljen e ligjit si metodë pune. Kjo mënyrë sjelljeje është tipike e karteleve mafioze të cilat ligjin e shohin si armik.

Së treti, listat u mbushën me elementë besnikë të palëve por edhe me funksionarë të karteleve lokale. Prania e disa kryetarëve të bashkisë, kryetarëve të komunave, si dhe sekserëve të rinj e të vjetër lokalë të mbledhjes së votave nëpër lista dëshmon jo vetëm që paria e ndjen se këtë përballja do të jetë jetike por edhe kontrollin që kanë klanet lokale mbi kupolën mafioze të Tiranës. Megjithëse deri mësot klanet lokale janë mbajtur nën fre me anë të dasive ideologjike dhe premtimit për ryshfet, sot palëve u ka dalë boja dhe klanet lokale kërkojnë haraç për të dhënë votën. Tashmë të gjithë mendojnë me parimin “jeta është aritmetikë, Olimbi”. Paria kërkon të n’a imponojë kësisoj një shoqëri pa vlera ku njerëzit të sillen si hiena. Kjo është etika e cila tipikisht karakterizon kartelet kriminale mafjoze ku lufta është e paprinciptë.

Së katërti, mënyra se si u veprua me listat tregon frikën që kanë palët nga populli dhe demokracia. Berisha largoi çdo element që kish guxuar të merrte frymë ndryshe nga direktivat e tij duke konfirmuar që PD-ja nuk është parti por një çetë që ndjek besnikërisht kapedanin. Po ashtu, Berisha theu përfundimisht çdo iluzion për pole brenda PD-së duke eliminuar çdokënd që mund të kish pirë ndonjëherë kafe me Ridvan Boden dhe Jozefina Topallin pa lejen e tij. Si zëvendësues solli miq dhe mikesha të fëmijëve të vet të cilët i ka provuar duke i thyer gjatë këtyre viteve në pushtet. Nga ana e vet, Rama bëri të njejtën gjë duke eliminuar elementin intelektual në PS dhe elementë të klaneve në minorancë brenda partisë. Nën mbulojën e Gramoz Ruçit, apo siç është quajtur njëherë e një kohë “shpatulla e partisë”, Rama theu elementë me reputacion brenda partisë duke u ndërruar qarqet (spikat rasti Brace) dhe eliminoi ata që nuk pranuan diktatin e vet. Më anë tjetër, ai riktheu disa të tjerë si Musa Ulqini, të cilët tashmë e kanë me atë marrëveshjen dhe mendon se mund t’i kontrollojë. Edhe Rama si homologu i vet, zëvendësuesit i zgjodhi nga besnikët e thyer moralisht dhe politikisht në bashkinë e Tiranës. Këto lloj spastrimesh brenda partive me qëllim ruajtjen e pushtetit absolut të kryetarit janë një tjetër karakteristikë tipike e karteleve kriminale ku lufta për pushtet është për jetë a vdekje.

Së pesti, parisë i ka dalë jo vetëm boja morale por edhe ajo ideologjike. Kapërcimet e ylberit nga njëra dhe tjetra palë janë tashmë të gjithëpranuara madje konsiderohen “aftësi politike”.  Ndërsa deri nga 1997-2005 kapërcimet ishin më të shpeshta në kampin e Berishës, sot ato janë bërë praktikë edhe në një formacion politik teorikisht të disiplinuar si PS-ja. Të gjitha palët i quajnë kapërcyesit tradhtarë por nga ana tjetër mundohen të kapin njerëz të anës tjetër. Për shembull, ndërsa Berisha arriti të bëjë pazar me treshen socialiste Kaç-Asllan-Gjosho, Rama ka disa muaj që bën fushatë në television duke prezantuar  “anëtarë themelues të PD-së që do votojnë për PS-në”. Amoraliteti i këtyre lojrave të pista jo vetëm që pranohet por quhet pjesë përbërëse e politikës. “T’ja fusësh palës tjetër” konsiderohet jo si truk i padenjë po cilësi që të mban në pushtet, dhe pushteti është e vetmja vlerë e parisë së Tiranës dhe klaneve kriminale që ajo përfaqëson. Në këtë lloj mënyre sillen vetëm kartelet kriminale të cilave nuk ju intereson shoqëria dhe kanë frikë popullin.

Si përfundim, dalja e listave për deputet ishte një ngjarje themelore e këtyre zgjedhjeve sepse n’a ndihmon për të kuptuar mendësinë që ka paria dhe frikën e saj nga populli dhe vlerat demokratike. Paria e Tiranës është e kriminalizuar, e kapur nga klanet e krimit që ka favorizuar dhe e paaftë për të dalë nga qerthulli mafjoz ku është futur. Përkundrazi ajo synon t’i fusë të gjithë shqiptarët në këtë hulli kriminale sepse ajo mund të sundojë e qetë vetëm në një shoqëri tërësisht të kriminalizuar. Parisë i ka dalë tashmë boja politike, ekonomike dhe ideologjike. Palët e saj në këto zgjedhje janë zgjatime të karteleve përkatëse dhe as nuk kanë synim e as nuk munden t’a bëjnë Shqipërinë. Paria e ka frikë popullin sepse me ndërgjegjësimin e tij përfundon dasma e saj kriminale.

Ndaj, ka ardhur koha për një fillim të ri, të pastër e me synime të qarta. Këto zgjedhje janë momenti për të bërë ndarjen përfundimtare nga kjo pari e padenjë, e kriminalizuar, e përdalë dhe hajdute e cila kërkon jo vetëm të pijë gjakun e shqiptarëve por të n’a tjetërsojë në ADN. Tashmë nuk mund të ketë më iluzione për askënd. Paria e ka frikë popullin dhe demokracinë sepse i sheh si sfida ndaj sundimit të saj. Zgjidhjet nuk do të vijnë nga paria por nga populli. Zgjedhja është e jona.