RAMIZ GJINI: HISTORIA E NJE DEPUTETI

                             – Tregim

Kur shoku Xhabir, erdhi sërish në Biboll si kandidat për deputet e nisi të mbante ato fjalimet në popull, ca e pritën mirë, por ca të tjerë, thartuan turinjtë e thanë: “Prapë na u qep si rrodhe ky kopil-kopili?! “Ishte prag zgjedhjesh të reja dhe ç’prej katër ditësh, kisha një dhimbje në ije, që ç’t’iu them! U gardhnova brenda dhe as që do të kisha dalë nga shtëpia sikur të mos ia kish behur tek unë kryetari Brahim Çadërbashi. Erdhi bashkë me të birin e Lal Pogës. U përshëndetëm e u pyetëm, pastaj kryetari Brahim, ndërsa më zgjati qesen e duhanit, tha:

– Ti, o baca Maliq, e di që nesër fillon fushata elektorale?

– E di, – thashë unë, ndonëse si ta dija si të mos e dija, për mua njëlloj qe.
 Mbajti frymën një cop herë e si një babaxhan shtoi:

– Ne, o baca Maliq, kemi menduar të të vëmë në krye të një pune fort me rëndësi.

– Për hajër na daltë, – thashë unë, – Urdhëroni e flisni zotnia juaj!

Po vrisja kaplloqen për të gjetur ku donte të dilte.

– Do të drejtosh sektorin e pompimit gjatë fushatës, – tha ai. Dhe u krekos një copë herë si t’i kish rënë nishanit. Pastaj, medemek, shpjegoi se dëshironin të drejtoja një grup të rinjsh të paisur me pompa nga ato që përdoren për të fryrë gomat!

Të them të drejtën, u zura ngushtë. Cigaren e thura për të thurur, por, ngase më dridheshin duart e në mendje shestoja tjetër gjë, e bëra për hagaret të zotit: të shtrembër e të përdredhur mu si ajo gjethja e mollës ku fshihet natën cirgatori. 
Nuk mora vesh asgjë nga ato që tha ai, ndaj pa të keq pyeta:

– Nuk më thoni, zotnia juaj, ç’do të bëjmë me ato pompa?

– Do të fryni shokun Xhabir, – tha seriozisht zavalli dhe më nguli sytë e zgurdulluar nga pija.

Siç e thashë, unë jam plak i moshuar tashmë. Shumë gjëra në jetë më kalojnë pa i vënë re, e sidomos, nuk marr vesh hiç nga teknologjia e re e mjeteve të propogandës. Ngela si hutaq dhe nuk e kuptoja se si e pse kërkonin ta frynin shokun Xhabir, (zoti e ruajtë!). Por kjo punë u qartësua kur ndërhyri i biri i Lal Pogës e mi shpjegoi qartë të gjitha.

Mua më pëlqen ai djalë. Si mësues që është, hedh dritë në fjalët që thotë, u jep një lloj qartësie, ka durim të madh dhe t’i fut në kokë gjërat ngadalë e shtruar. Vetëm atëherë e kuptova se si qëndronte puna. Fjala qe, se ata të partisë në qendër, na paskeshin ujdisur tek një mjeshtër një Xhabir prej llastiku. Kishin menduar, medemek, ta vendosnin kandidatin e tyre diku pranë kryqëzimit ku ndahet rruga, që çan mespërmes Luginës së dragojve për të mbërritur, pastaj, në qytezën e largët të Dodonës. T’ia lidhnin këmbët për disa ganxhave të ngulura në tokë dhe ta frynin me pompë, që të ngrihej drejt në këmbë, dhe, duke mbajtur një fletë votimi në dorën e majtë, me të djathtën të bënte me gisht drejt perëndimit të largët, medemek, për t’i treguar miletit tonë udhën nga duhet të shkojë! 
Edhe sot e asaj dite, më vjen për t’u çuditur me ato shejtanët e Partisë së Qendrës së Majtë se si u pat vajtur mendja për një marifet të tillë!

Kryetari Brahim, se nga nxori një tufë me pesëmijëshe, mi rrasi në dorë e tha:
- Këto i ke për xhepin e vogël. Kur të ketë sosur kjo punë, o tatëlosh, do të marrësh pjesën e xhepit të madh.

Nuk bëra dot as cik, as mik, sepse ju e dini se si ta lidh gojën ajo e mallkuar parā. Ama, teksa ndaheshim, u zura ngushtë. Duke pranuar shpërblim pa nisur ende puna, po u bija pak më qafë atyre të Partisë së Qendrës së Majtë. Zoti më faltë, jarabi!
Kërceva e thashë:

– Po sikur ta fryjmë njëherë shokun Xhabir, pastaj mendojmë për pagesën?

– Këto punë i di unë, or baca im – ma pat zavalli. Dhe më rrahu shpatullat, athua se unë isha një djalosh në pik të moshës, kurse ai,     – plak në vendin tim.

Të shtunën në mëngjes, nisi fushata elektorale, me artopolantë shëtitës, parulla, tamtame daullesh e grupe militantësh, që bënin propogandë. U bë një llazurë e madhe, që hajt morè, athua se luanin qentë e kallajxhiut.
 I biri i Lal Pogës, na çoi me kamjon drejt e në vendin e caktuar, ku ndahet rruga që të shpie në Dodonë.    Morëm me vete Ernest Misurin si edhe dy pompat (njëra do të qe rezervë) bashkë me atë Xhabirin prej llastiku. E kishin palosur në katërsh, të shkretin. Lëvizte si pelte sa herë djemtë e shkelnin me këmbë. Këto të rinjtë e sotëm janë bërë më shejtanë se ato të Partisë së Qendrës së Majtë: e tërhoqën zhakthi dhe e plandosën mu në mes të sheshit!

– Ngadalë more djema, – u thashë, – kapeni si njerëz e mos e   zhakamysni kësisoj!

Më dëgjuan do të thoni ju? As që deshën t’ia dinin çfarë thashë unë! E tërhoqën osh harbutçe, në fillim nëpër pluhur, pastaj i ranë mespërmes një pellgu me ujë, e shkërryen në baltë, dhe tek e mbramja, kur e shpalosën që ta shikonte pak kohë dielli,(i vinte një erë e keqe), gjetën aty brenda, – me nder jush, – një mi të ngordhur! 
Qysh asaj kohe mu fiksua keq një ndijim torturues: sa herë shikoj ndonjë xhabir, më përzihet, më duket se bie erë mi i ngordhur. Madje kjo më ndodh me gjithë deputetët e parlamentit tonë. Zoti më faltë për këtë, sepse, – me ç’më kanë thënë, – janë nga burrat më të mirë, më të zgjedhurit: natë e ditë, veç për kombin mendojnë! Por, ne vegjëlia, nuk i meritojmë ata, sak mā nuk i meritojmë, sepse po t’i meritonim…

Djemtë e flakën miun në një kanal e nisën të hidhnin romuze. Qeshnin, kukuriseshin dhe talleshin, kopilat. E unë që jamë plak, e nuk kam moshë për t’u hazdisur e hakarizur asisoj, u fola apet me të keq, e i këshillova ta merrnin punën seriozisht, pasi në fund të fundit, pa marrë parasysh të mirat, që do t’i sillte Bibollit zgjedhja deputet e shokut Xhabir, ata për atë punë do të paguheshin.

– Durim, o baca Maliq, ti veç mos na u mërzit – tha i biri i Lal Pogës, – sepse po ia futëm pipin tek vrima këtij qafiri, e fryjmë për dy minuta.

Hajde t’i marrësh vesh këta të rinjtë e sotëm! Edhe kandidat për deputet edhe qafir, nuk kisha parë e dëgjuar ndonjëherë!

Ernest Misuri kërceu e tha:

– Kështu si është katandisur ky, nuk ka adap që ia gjen vrimën. 
E kishte fjalën, për ventilin.
Kërko e kërko, dhe kur ia gjetën ventilin, u shkrinë gazit. Ai mjeshtri anonim, paskësh qenë më shejtan se ato të Partisë së Qendrës së Majtë: ia kish pas ujdisur ventilin mu në prapanicë.
 Dhe filluan sërish djemtë të qisnin bishta, hidh e prit romuze, qesh e ngjesh; kurse mua më merrnin me të mirë, përpiqeshin të më largonin kacabujt, ndërsa i kthenin palët shokut Xhabir. E unë atëbotë, nisa të kuptoja se më kish gjetur belaja.

– T’ia ngulim kunjat, – tha Ernest Misuri dhe vajti të merrte ganxhat.

I ngulën ganxhat në tokë rreth e rreth me një tokmak dhe e lidhën me konop për këmbësh shokun Xhabir. E bënë këtë punë me shpërfillje e tallje, që fali o zot! E mua, ato çaste, nuk di pse m’u shtua ajo dhimbja në ije. Athua se po lidhnin për këmbësh një hajvan të plakur samari, një kalë bajmak, një gërdallë të zgjebosur, e jo shëmbëllesën e një kandidati për deputet. Pastaj, gjithnjë duke qeshur, morën njërën nga pompat, i filetuan tubin në prapanicë dhe nisën ta frynin shpejt e shpejt duke u ndërruar, njëherë njëri, pastaj tjetri. 
E shikoja syprinën e asaj sendegjaje të madhe llastiku si nisi të ngrihej ngadalë e të merrte formën e një qenie me dy këmbë. Fryma është jetë, – thashë me vete, – është akumulim, forcë e sukses, sidomos në politikë, sepse pashë, që nën pushtetin e saj, dalëngadalë, nisën të merrnin trajtë të gjitha pjesët e trupit.

Minutë pas minuti, ajo masë llastiku, që më parë ndodhej fare pranë hiçit, teksa formësohej, rrekej t’i shëmbëllente të gjallit Xhabir, kandidatit tonë të nderuar.(Zoti e ruajtë)

Duke i dhënë varda pompës papushim një kohë bajagi të gjatë, shoku Xhabir mundi të ngrihej ndenjur, por ende nuk kish brenda aq ajër të ngjeshur sa duhej për t’u ngritur në këmbë.
 Pashë që djemtë po djersinin dhe më erdhi keq për ta. U thashë të bënin një pushim të shkurtër dhe ata e lan pompimin; ndërsa vetë, bëra ca hapa prapa për ta këqyrur në distancë atë shëmbëllesë: nuk ngjante hiç me shokun Xhabir. Kish marrë formën e përçudshme të një picërraku të madh të ngritur në bisht, që ka ngrirë i squllët në një pozicion të çuditshëm. Këmbët i kishte të vëngërta e të çapëluara, memzi e mbante me ta drejtëpeshimin. Hunda i rrinte e varur, me majën e kthyer si sqep hutini. Dora e djathtë, nuk qe tendosur në masën e duhur për të bërë me gisht andej nga perëndimi, (ku thonë se është parajsë për së gjalli), por tregonte andej nga stallat e Nesimit, ku ndodhej një grumbull i madh plehu me një taborr mizash që zhuzhisnin përsipër. „Zoti e shpëtoftë miletin tonë nga ky keqkuptim, për aq kohë sa nuk e kemi fryrë tamam shokun Xhabir,“ thashë me vete, sepse rruga e Dodonës qe gufosur nga trafiku, dhe njerëzia, padyshim, i kish ngulur sytë gapërr nga ne. Me ato luhatjet e lehta që i jepte zefiri, me gishtin drejtuar nga grumbulli i plehut, shoku Xhabir, kishte diçka të ngucakeqëshme në vete, athua se e kish zënë krruti. Dukej si një i sëmurë psiqik, që përpiqet të largojë nga vetja një ndjenjë neverie.

I biri i Lal Pogës hoqi këmishën, u shtri mbi bar në shpinë, dhe, ndërsa rreshkej në diell, përtypte një fije bari me dhëmbë e hidhte ndonjë fjalë kuturu rreth politikës. Pastaj bëri shumë pyetje ngase deshi të dinte, se si kanë qenë bërë zgjedhjet në motet e shkuara, e sidomos, ai deshi të dinte, nëse fryheshin kandidatët edhe atëherë kështu si sot. 
Mua nuk po më shqitej ajo dhimbja në ije, ndaj i nxirrja përgjigjet si me grep. I thashë, që aso kohe, kandidatët për deputet, me sa mbaj mend unë, o bir, qenë burra zahmani, të merrnin gjak në vetull. Po të përpiqeshe t’u jepje ndonjë pompë për t’i fryrë, s’e kishe mirë me ta. Ne fakt kjo nuk qe hic e vertete, por hajt ma…

Dalngadalë, ai nisi t’i rrallonte pyetjet, dhe tek e mbramja kuptova, që e kish kapluar gjumi ngase nisi të gërhiste. Kur hodha sytë andej nga shoku Xhabir, për çudinë time, m’u duk më i vogël. Për aq muhabet sa bëra unë me të birin e Lal Pogës, shoku Xhabir qe trusur kërbunjas, i ishte thyer qafa, koka i qe rrëzuar si një kungullac e i pat hapur një golle në kraharor; kurse krahët i vareshin, (ndjezot!), si lavjerrës të fishkur gjer në tokë. Memzi qëndronte në këmbë, qyqari.
Më gjeti, si i thonë, belaja e së shtunës!

E zgjova shpejt të birin e Lal Pogës, thirra dhe Ernestin dhe u thashë t’i jepnin pompës, sepse ora po çastiste afër dhjetës, kurse ne, ende nuk e kishim ngritur në këmbë si duhej belaziun. Në fakt, desha të sigurohesha, nëse shoku Xhabir rridhte me të vërtetë. Kurse ata të dy, na paskeshin qenë dembelë të mëdhenj, e unë nuk i paskam njohur për të tillë! Filluan t’i vinin rrotull me lëvizje të plogështa, silleshin qerthull dhe asnjëri, as tjetri, nuk e merrte mundimin ta rrokte pompën i pari. 
Andej nga e vona, i biri i Lal Pogës kërceu e tha:

– Mos e diskuto: ky karabush, rrjedh diku, o baca Maliq. Nuk ka mundësi….

Dhe nisën të kontrollonin shokun Xhabir për t’i gjetur ndonjë vrimë. 
U ktheva shpinën i zemruar e gjithë rrebe në kokë. Ç’të bëja me ta?! 
Por ja që Ernest Misuri, ma zbrazi inatin:

– Kot zemrohesh me ne, o baca Maliq, sepse ky kandidati ynë rrjedh. Hajde të shikosh, ia gjetëm vrimën allçakut.

U afrova e pashë që djemtë kishin të drejtë: shoku Xhabir rridhte e   cërcërriste mu në tepe të kresë. Pastaj i biri i Lal Pogës i gjeti edhe një vrimë tjetër të vogël në parmë të qafës, i futi në vrimë një fije bari për të mos e humbur, ndërsa nisi të kërkonte andej nga fundi i kurrizit për vrima të tjera. 
Saora, nisa Ernest Misurin në Biboll të bënte me dije kryetarin Brahim Çadërbashi.

Kur u kthye, ma bëri qejfin: kish sjellë një kompresor ajri me benzinë si dhe nja dy-tre pulla të holla, të gatshme, që ngjisnin kollaj, mjafton t’u hiqje një cipë të hollë plastmasi. Por nuk kishte pasur aq mend sa të merrte edhe një valvë shkarkimi për t’ia montuar shokut Xhabir. Dhe kur nuk ka mend djali, s’ka ç’i bën dhaskali.

E pullosën Xhabirin prej llastiku, ia mbyllën vrimat mirë, dhe kur ia futën tubin në prapanicë, ndezën kompresorin.
 Atëherë, vetëm ta shikonit se me ç’madhështi u ngrit në këmbë shoku Xhabir. Më vrafshin shtatë teqe në ju gënjej. Kurrë nuk do ta harroj atë pamje, atë monument njeriu gjigant. Ngjante me nje kreshnik mali nga ato të moteve, që tashmë janë harruar. 
Ajo sajesë llastiku, që më parë të ngjallte neveri me kotësinë e saj, ku edhe minjtë ngordhnin po të hynin aty, nisi të madhohet. Me t’u fryrë, mori në sytë tanë një pamje krejt madhështore! Kishe qejf ta shikoje: dhjetë metra i lartë, me dorën e djathtë të shtrirë nga perëndimi, ballin lart e vështrimin drejt horizontesh të reja…

Kaq shumë u ngazëlleva dhe kaq shumë mu dhimbs humbja e atij ngazëllimi, sa kur u dëgjua krisma, u përdata e gati vdiqa nga tronditja e thellë. 
Ajo shëmbëllesë e gënjeshtërt, plasi e u shfry sa çel e mbyll sytë. Nga gjithë ajo madhështi, ngelën në tokë vetëm disa lepra të vogla llastiku, gjithçka tjetër u zhbi e u zhbā. Por, besoni bacën Maliq: e keqja për mua ende s’ka mbaruar. Sepse, qysh atëherë, jam bërë si i thonë, njeri me hije. Shoku Xhabir i fitoi zgjedhjet dhe vajti deputet në kuvend. Dhe për këtë kam edhe unë meritën time, apo jo? Pastaj u bë edhe ministër dhe kjo nuk është pak. Të gjithë ne, që u rropatëm të fitonte, natyrisht që u gëzuam.
Tani e shikoj përnatë në televizor, sepse nuk para vjen më këtej nga Bibolli. 
Për çdo herë, që e shikoj, më duket më i shëndoshë, më i fryrë e më i rrumbullakosur. Kurse unë, dita ditës cokatem, tretem e hollohem nga një llurbë dyshimi: kam frikë se herëdokurë, – larg qoftë, – mund të plasë edhe e vërteta ashtu si shëmbëllesa e saj e rreme.

Advertisements

ARBEN BLLACI: QENTË E VALARESË!

Valareja është një fshat i vogël, vendosur në luginën e lumit Drino, që ndan qytetin e Gjirokastrës me Lunxhërinë. U bë mukajeti i këtyre radhëve, tek meditoja si të gjithë, rreth zullumit të listave me kandidatë për zogorinë që kotare ka sallën e Parlamentit të Shqipërisë. Vanareja nuk ka ndonjë histori heroizmi që të bëjë “muuuu”, siç është gjithë atdheu ynë heroik, po është, megjithatë, një emër shumë i njohur, nga fjala e famshme “Harro mushkë Valarenë, se Ali Pashanë e prenë!”. Dhe një tjetër, më pak e famshme, “Si qentë e Valaresë”. Ja t’jua tregoj shpejt e shpejt e pa koment ngjarjet e sintetizuara në dy fjalët që, me kohë, kanë marrë statusin “të urta”!

Harro mushkë Valarenë…

Valareja, gjeografikisht, që herët, ka qenë fqinje edhe me Tepelenën e Ali Pashës. Kur tepelenasi u bë ai që u bë e që dihet nga të gjithë, merret lehtë me mend që s’guxonte frymë robi t’i thoshte “plaç” me gojë, atij jo se jo, po as sendeve, gurëve a drurëve, gjësë së gjallë e gjësë së vdekur që ishin nën hijen dhe kujdesin e tij.

Këtë azatëri a, liri të paasnjë kusht e kufizim, e ushtronte sidomos një mushkë, pikërisht ajo që mbeti në fjalën e urtë, për fat të keq, pa emër. Mushka e famshme gëzonte mbrojtjen e plotë nga Hankua, nëna dhe Shanishaja, motra e Pashait të Janinës, që thonë se përdorte sytë në vend të jataganit. Ato vetë jetonin në Beçishtin e tyre, gjithashtu lavdimbuluar, si çdo pëllëmbë e tokës sonë. Zonja mushkë, duke qenë se s’guxonte njeri as t’i zinte rrugën, niste “ekskursionet” e saj fshat më fshat, gardh më gardh e kopsht më kopsht, gjersa arrinte në Valare, ku kishte lezetin më të madh. Nuk linte arë e mullar pa kthyer përmbys, duke marrë në qafë fshatarët e shkretë, që shihnin si u kthehej përmbys para syve gjithë mundi i vitit.

Mirëpo vetëm kaq, se kush nuk e di që koka dhimbset më shumë se mullari. Drinua rridh e koha rridh, gjersa erdhi ora që Aliut koka i shkoi në Stamboll e trupi i mbeti në Janinë. Ashtu e gjeti edhe kënga që, më vonë, u bë valle e kënduar me plot gazmend, mu në pikun e dasmave, Jug e Veri (!) (“Koka në Stambollë moreee/ E trupi në Janininëëë…”. Shumë kanibaleske më duket kjo këngë e kjo valle, thoshte gjithnjë, një mikesha ime). Nejse.

Këtë gjëmë që gjeti Beçishtin, Tepelenën dhe Shqipërinë mbarë, s’kishte nga ta dinte mushka, se mushkë hesapi. Ajo vazhdoi edhe ca kohë avazin e saj, gjersa arriti prapë në Valare dhe nisi “dasmën”. Mirëpo nusërimi kishte marrë fund bashkë me Pashanë. – Harroje Valarenë, se Alinë e prenë, o bishtprerë zullumqare! Dhe valarjotët zbrazën mbi kafshën e gjorë gjithë vrerin e mbledhur nëpër vite, vrer që për qejf do ta zbraznin më mirë mbi kurriz të Pashait!

Qente e Valarese…

Me siguri, rastësisht, Valareja është thuajse simetrikisht e baraslarguar me disa kilometra nga dy fshatra të tjera, mbështetur përkatësisht nw dy male. Erindi në Malin e Lunxhërisë dhe Mashkullora në Malin e Gjerë. Duke qenë pjesë të atdheut tone, mbuluar pëllëmbë e lavdi, s’ka arsye që edhe këto dy fshatra të mos kenë historinë e vet, lavdi tej e ndanë!

Erindi është vendlindja e heronjve të njohur Misto Mame dhe Mihal Duri. Mashkullora po dihet, kishte, se tani nuk e ka më, rrapin e këngës së mirënjohur, që nuk arrin të saktësojë dot nëse ishte bojë apo gjak ajo që Çerçiz Topulli derdhi mbi asqerët turq, njëqind e mos më vjet më parë.

Përveç këtyre atributeve, dy fshatrat, duke qenë të banuara edhe me lebër, që s’mund të mendohen pa kope bagëtish, kishin edhe sallahanet (thertoret) e tyre, të cilat viheshin në punë me radhë, çdo muaj nga secili fshat. Duke qenë një vend më i vobektë dhe e banuar nga fusharakë më modestë në cilësinë e jetesës, në Valare nuk kishte sallahane, po kishte zogori të mëdha qensh, që mblidheshin aty nga fshatrat rrotull, shumicën e kohës të uritur.

Duhma e mishrave që thereshin në Erind, e tërbonte zogorinë e uritur e të mësuar keq me kërmë. Ajo shkulej në tufë dhe udhëtonte për në fshatin e bollëkut, mbuluar nga jargët e urisë, duke shpërndarë ngado angullima e duhma të qelbura zogorish. Rrethonin sallahanen e vallëzonin rreth zorrëve, plëndësave, thundrave, gabzherrëve e turlilloj mbetjeje mishi bagëtish, që kasapët u vërvitnin ngado, gjersa zogoria e tërbuar qetësohej e shndërrohej në një tufë të urtë e të bindur ndaj çdo fishkëllime kasapi mirëbërës. Pastaj kokulur dhe e shndërruar në një masë e lumtur, merrte rrugën për në Valare.

Për t’u shndërruar sërish në zogori të tërbuar, pak ditë më vonë, gjersa hapej sallahani i Mashkullorës, në drejtimin e kundërt të Erindit. Procesioni niste nga fillimi; zogoria po ajo, uria po ajo, tërbimi po ai, zorrët e gabzherrët shumë të ngjashme, vetëm kasapët ndryshonin. Dhe kështu vazhdonte jeta e zogorisë në itinerarin Valare – Erind dhe Valare – Mashkullorë, një odise e denjë kjo për çdo zogori, po edhe për zagarë të veçuar…

Ne Vend te Mbylljes

Dashtë Zoti të mos i kini dëgjuar më parë historitë nga burojnë dy fjalët e urta e të mos ndiheni si në rastet kur na duhet të dëgjojmë një barcaletë që e dimë, e jo vetëm kaq, po edhe të qeshim kot fare, në respekt të atij që e tregon… se u bë Valareja mukajeti i këtyre radhëve, tek meditoja si të gjithë, rreth zullumit të listave me kandidatë për zogorinë që kotare ka sallën e Parlamentit të Shqipërisë.

VALBONA KARANXHA: NDRYSHIMI, REZISTENCA DHE APATIA E POPULLIT SHQIPTAR

Nivelet e ndryshimeve brënda një organizate janë diverse nga natyra, forma dhe magnituda. Literatura sugjeron se ato ndodhin në plan individual, plan grupesh ose sistemesh të mëdha. Ajo çka është e rëndësishme është se ndryshimet janë të domosdoshme kur sistemi dhe strukturat e vet organizatës janë të kalbura, nuk gjenerojnë “output”, produkt apo frut, dhe nuk i binden më principeve më të përgjithshme të organizatave.

Strukturat e mëdha perbëhen nga shtresa, janë mjaft të organizuara dhe funksinojnë në  bazë të një sistemi të detuajar, të konsoliduar, me rregulla të përcaktuara me përpara dhe me sjellje të cilat priten të respektohen si normativa e principeve dhe kultures së vet organizatës. Kur strukturat janë të lodhura, të shtrëmbëruara lind nevoja për ristrukturim. Kjo nevojë për ndryshim nuk lind brënda ditës, muajit apo vitit; kjo domosdoshmëri për ndryshim lind si pasojë e korruptimit brënda përbrënda strukturave për një periudhë relativisht të gjate. Ndërsa në plan individual, ndryshimi ndodh kur individi e sheh të arsyeshme në nje kohe te caktuar.

Ndryshimi është një nga procest më komplekse që  një organizate i nënshtrohet gjatë jetës së saj. Ky kompleksitet vjen nga rezistenca ndaj ndryshimit si koncept. Pjestarët e nje organizate siç janë njerzit rezistojnë kur ndryshimi nuk i përshtatet dhe kjo është normale sepse me ndryshimin vjen, pasiguria, humbja,  levizja nga steriotipi dhe realiteti, nga e zakonshmja, si dhe adaptimi ndaj një sistemi të ri dhe strukturave te reja. Shteti në vetvete është organizatë, dhe si e tille i nenshtrohet principeve të saj për reformin, ristrukturim ose ndryshim total (sistemik). Pikërisht këto janë disa nga faktorët që do ndalem në këtë analizë.

Ndryshimi dhe rezistencat në Shqipërinë e tranzicionit

Aktualisht, Shqipëria ndodhet në një udhëkryq. Klasa politike e përbërë nga dy partitë kryesore të cilat ndërmorën përsipër kalimin nga sistemi monopartiak në ate shumëpartiak dhe rrejdhimisht përfundimin e periudhës së tranzicionit ka dështuar të bëj diçka të tillë. Përgjegjsia më e madhe mbi politikanët bie nga viti 1991-2013. Përmënd këtu  edhe vitet e shtrëngatës së 1997 për arsye të daljes jashtë kontrollit dhe mos-mundjes se manaxhimit të vendit në periudhë krize ekonomike e cila u politizua pa mëshirë. Me pak fjalë, kriza e 1997 ishte shkallëzim i një situate te vështirë e cila u përdor nga klani socialist për marrje pushteti. Por pa u ndalur shumë në histori, kjo lëvizje nuk kishte natyrë politike, por mund të karakterizohej si levizje anarkiste dhe zemerim popullor ndaj nje fenomeni ekonomik të panjohur për vendin siç ishin “Ponzi Scheme” ose “Piramidat”.

Në fillimin dhe gjysmen e viteve 2000 kur PS morri në dorë pushtetin filloi të ligjerohej korrupsioni në nivelet politike; korrupsion i cili u krijua në përdorimin e mjeteve dhe mënyrave ilegale për të vëne pasuri në formë kapitali, asetesh, pasuri të patundëshme, etj. Pushtetarët krijuan një sistem ku paraja kalonte në rrugë të ndryshme për të arritur në destinacion.  Në 2005 motoja e PD për të ardhur në pushtet ishte “Të luftojmë korrupsionin e PS në struktura”. Pra korrupsioni ishte afirmuar si plagë socio-politike. Me ardhjen e PD në pushtet,  politizimi filloi në masë dhe shumë punonjës administratash humbën punën dhe mjetet e jetesës. Por qëllimi i PD ishte vetëm të merrte në dorë politikën dhe ekonominë e vendit dhe jo të luftonte korrupsionin. Mbas tetë vjetësh korrupsioni ka arritur në shkallat më të larta. Sot në Shqipëri, sipas statistikave të OKB,  kemi korrupsion politik, administrativ, shtetëror etj. Baza e ekonomisë dhe politikës së vëndit është e kalbur. Kështu që këto janë faktorë që e bëjnë të domosdoshëm ndryshimin sistemik. Ndryshim sistemik është ndryshim tërësor, dhe jo mbyllja e problemeve me inisiativa, sepse sado e rendësishme të jëtë inisiativa, nuk mund të jetë e sukseshme në qoftëse klasa politike nuk largohet dhe t’i lerë vendin instalimit të kulturës, dhe praktikave demokratike.

Për arsyet që përmënda më lartë, rotacioni nuk është ndryshimi që i duhet Shqipërisë në këto momente. Shteti është organizatë në vetvetë dhe si e tillë kur arrin një pikë e cila quhet “Tipping point” “Kulmi”, fillon tatëpjeta (Burke, 2008). Pikërisht ky është momenti kur ndryshimi është i paevitueshem. Duke u nisur nga statistikat; 60% borxh publik, 40% papunësi, vëndi i 113 në listën e transparencës, panorama është e qartë. Vendi po “qan” për të ndryshuar. Por ndryshimi është mjaft kompleks si koncept sepse sistemet politike si Shqipëria janë jo-lineare, dmth janë sisteme të reja, të paparashikuara dhe në të shumtën e raste kaotike. Duke i shtuar natyrës

jo-lineare edhe konceptin e rezistencës, problemi i ndryshimit ndërlikohet më shumë.

Kush janë ata që rezistojnë ndaj ndryshimit?

Rezistenca Politike: Ky koncept funksionon ndryshe në një shoqëri demokratike nga një shoqëri jo-demokratike siç është vendi ynë. Kjo ndodh për disa arsye. E para, në qoftëse rezistenca politike në një vënd demokratik sheshohet nëpërmjet dialogut dhe negociatave ku njëra forcë humbet diçka për të fituar një diçka tjetër,  në një vend si Shqipëria, pa tolerancë politike, këto negociata janë pa frute, sepse klasa politike (paria) e përbërë nga të ashtuquajtur socialist dhe demokratë të cilët alternojnë pushtetin çdo tetë vjet nuk është e predispozuar t’i lëshojë pushtetin asnjë rryme ose force të re politike (Burke, 2008).

Pra, kjo klasë politike nuk do të ndryshojë  gjëndjen, por ruan status quo-në. Është po kjo klase që tregon rezistencën më të të fortë ndaj ndryshimit. Disa nga arsyet e rezistencës janë humbja e  çdo gjëje; humbja e pushtetit, fitimeve, vlerës, dhe të gjithë aseteve ekonomike të cilat i ka vëne në 20 vjetët e fundit. Ndryshimet me konsensus as nuk behen fjalë të ndodhin në nivelin e kësaj klase politike, përkundrazi, kjo klasë (paria) do të tregoj një rezistence të jashtëzakonshme për të mbjatur pushtetin në qoftëse i kërcënohet.

Por, në rastin kur ndryshimi behet brënda për brënda kësaj klase politike  (parisë), siç është “rotacioni”, atëherë, ajo i nënshtrohet  ketyre principeve të rezistences; dmth negociatave dhe dialogut. Rasti i fundi tregon  traktati i 1 prillit ishte marrëveshje e pastër për të kaluar pushtetin nga një klan në klanin tjetër.

Rezistenca e pandergjegjshme: Është ajo lloj rezistence që karakterizon  skeptikët dhe ata që nuk kanë besim në asnjë klasë shoqërore që mund te bëj ose të jetë e aftë të bëj ndryshimin. Kjo shtresë, nuk punon për askend por thjesht e ka të vështirë të konceptoj ndryshimin si proces. Këta lloj rezistentësh i ndeshim kudo në shoqërinë e sotme fizike apo virtuale. Këta individe jane pak a shumë të pavendosur dhe nuk kanë një ideologji bindëse. Gjithashtu, rallë ndodh që këta individë të mund të jenë të organizuar dhe rezistenca e tyre është me tepër nje arsye “patologjike”, dmth arsye të brëndëshme se sa bindje politike apo ideologjike.

Rezistenca ideologjike: Mund të kualifikohet si më e “ndershmja” e rezistencave ndaj një ndryshimi të mundëshëm. Kjo ndodh për arsye se ata individë që rezistojnë kanë bindje të forta të cilat janë të kundërta me ndryshimin në fjalë. Kështu, dikush që ka bindje të djathta dhe nuk pajtohet me ideologjinë e majtë, do t’i rezistojë një ndryshimi i cili do sjell një grup politik të majtë në fuqi dhe vice versa. Rezistenca ideologjike nuk është negative “Per se”, por mund të sheshohet me bindje (Burke, 2008). Në Shqipërinë e sotme, rezistenca ideologjike është e fortë, por meqënëse vendi është politizuar nga dy ideologjitë mbizotëruese të përfaqsuara nga dy partitë politike kryesore, kjo rezistencë është kthyer në papajtueshmëri politike. Rezistenca ideologjike në Shqipëri i ka gjithashtu rrenjët në kohën e komunizmit, ndarjes së vëndit nëpërmjet luftës së klasave dhe papajtueshmërinë midis këtyre klasave; koncept i cili përcillet dhe në ditët e sotme.

Fenomeni i rezistencës është i studiuar në fushën e psikologjisë. Elisabeth Kubler Ross, e ka krahasuar fenomenin e rezistencës me atë të semundjes së pasherueshme, dhe fazat që njeriu i nënshtrohet kur mëson lajmin. 1. Faza e shokut dhe e mohimit. 2. Faza e zemerimit. 3. Perpjekje per të shtyrë afatin e fundit. 4. Depresioni. 5. Pranimi. Jo të gjithë i nënshtrohen dhe e pranojnë ndryshimin. Disa madje e luftojnë deri në momentin e fundit (Burke, 2008). Kjo shpjegon më së qarti që rezistenca politike është aq e fortë sa që ka krijuar një mur të pathyeshëm dhe të padepërtueshëm .

Ku ndodhet populli shqiptar sot? A është populli gati për ndryshim?

Populli shqiptar ndodhet në një periudhe shumë kritike ku  rrënimi i  jetëts ekonomike, politike, sociale ka arritur “tipping point” pra kulmin. Por populli vet nuk është gati për ndryshim  në këto momente, prandaj dhe rezistenca politike e parisë është e madhe.  Kjo rezistencë kontrollon popullin dhe lëvizjet e tij. Për shumë arsye të cilat shpjegohen në mënyra të ndryshme, sociologjke, psikologjike, politike apo ekonomike; populli shqiptar nuk duket se lëviz më të njëjtin rritëm sa edhe korruptimi i strukturave. Populli lëviz shumë herë më ngadalë seç mund të pritej nga një gjëndje e tille. Disa nga faktorët  që tregojnë se populli nuk është gati për ndryshim janë:

Së pari, një forcë e re politike, e konsoliduar nuk ka dalë akoma në skenë që mund të ndërmarrë këtë sfidë në dorë. Lëvizje politike fillojnë, por mbyten per arsye mos organizimi, mungesa e nje ideologjie të qartë, identiteti dhe ekuilibri politik,  dhe se fundi mungesa e një lidërshipi të fortë.

Së dyti, vëndi është i ndarë në klasa të papajtueshme, dhe kjo mëndësi e trashguar nga sistemi komunist është thelluar akoma dhe më shumë me politizimin e administratave. Kur interesat shkelen, e kaluara komuniste apo antikomuniste del në skenë si mjet i shprehjes se revoltës. Kjo ushqehet nga vet klasa politike dhe behet me qëllim përçarje që populli të mos krijoj asnjëherë unitet dhe të bashkohet ndaj një kauze të përbashkët. Prandaj, populli nuk synon heqjen e të gjithë klasës politike, por vetëm  atë që nuk mbështet ideologjinë dhe interesat e ngushta financiare.

Së treti, populli nuk është gati për ndryshim sepse është i shpërqëndruar dhe i  ç’fokusuar nga problemi aktual. Në luftën politike midis partive kryesore, populli nuk e kupton se problemi është dhe vjen nga klasa politike përgjegjese. Populli është i shpërqëndruar nga realiteti falë punës dhe influencës së militantëve, gjithashtu edhe atyre të interesuarve për të mbajtur pushtetin.

Së katërti, media e politizuar ka lozur dhe luan një rol manipulues për ndarjen e popullit dhe për thellimin e luftës dypartiake. Mediat janë kontrollues të vetdijshëm dhe venë tonin e çdo ngjarje apo incident politik duke ndryshuar i ndryshuar ato me qëllim që t’i vijnë në ndihmë grupeve politike. Ky qëndrim e paralizon popullin dhe i jep përshtypjen se problemi nuk është korruptmi dhe degjenerimi i strukturave por njëra apo tjetra klasë politike përgjegjse për “vuajtjet”.

Së pesti, populli nuk është gati për ndryshim sepse ekonomia mbahet në një mënyrë apo tjetrën me anë të remitancave të imigranteve dhe trafikut ilegal apo pastrimit të parave etj. Mjerimi ekonomik zakonosht përfshin atë klasë të popullsisë e cila nuk është në gjendje të luftojë për drejtësi siç janë pensionistët apo shtresa a margjinalizuar. Pra, populli ka gjetur rrugë të tjera mbijetese të cilat qeveria jo vëtëm që nuk i ndalon por edhe i anashkalon.

Së gjashti, populli është i pa-informuar ose i keq-informuar për krizën politike/ekonomike të vendit. Kultura demokratike mungon dhe bashkë me të mungojnë konceptet e demokracisë përfaqsuese dhe pjesmarrëse. Populli është lënë jashtë ketyre koncepteve sepse këto cënojnë klasën politike në qoftëse instalohen dhe përqafohen në masë.

Në përfundim, që ndryshimi të ndodh, populli duhet të jetë gati, por që populli te jetë gati, ai duhet të mendojë me mëndjen e vet dhe jo me atë të partive. Aktualisht, populli i ndarë në klasa mbahet peng nga përkatsitë politike të cilat kanë ndarë zonat e dominacionit. Egzistojnë në Shqipëri apo jashtë saj një shtresë e cila e sheh ndryshimin si të domosdoshëm, por brënda vendit vetëm një pakicë arrin ta kuptoj domosdoshmërinë e zëvendësimit të klasës së korruptuar më një klasë te re të pakorruptuar. Shtresat e tjera mbështetin partitë përkatëse dhe kerkojnë që ndryshimi të ngelet vetëm ne kufinjtë e rotacionit.

Ky lloj ndryshimi i cunguar nuk përfshin ndryshim sistemik dhe struktural, për arsye se socialistët që presin të marrin frenat e vendit në qershor janë po aq të korruptuar sa demokratët dhe kërkojnë thjesht kapjen e pikave kyçe të ekonomisë, dhe  se dyti, kultura negative e vjedhjes dhe korrupsionit nuk pritet të ndryshojnë. Populli jo vetëm që e shikon si të pamundur ndryshimin tani për tani, por ai  thjesht e nënvleftëson fuqinë e vet si forca me vitale e vendit.

Referencat

W.Warner Burke. (2008). Organizational Change: Theory and Practice. Sage Publication. Los Angeles, California.

 

PARIA E TIRANES: PROBLEMI THEMELOR I DESHTIMIT TE TRANZICIONIT

(Botuar se pari ne vitin 2009 dhe nw librin Perrallat e Tranzicionit Shqiptar, Tirane, Princi, 2012. Po e nxjerr keshtu sepse ne thelb, ne Tirane, nuk ka ndryshuar asgje – keta jane ata qe kane qene, nuk behen ndryshe dhe keshtu do te fshihen nga historia e shqiptareve)

Në shkrimin e mëparshëm, u mundova të argumentoj se paria e Tiranës është problemi më i madh dhe më i rrezikshëm me të cilin përballen e do të përballen shqiptarët në rrugën e tyre në gjetjen e një jetë më të mirë në të ardhmen. Mirëpo, me e ditë se me kë duhet të merremi e si duhet të merremi në këto analiza, duhen sqaruar pak më mirë tre gjëra. E para, kush është paria? E dyta përse kjo shtresë është problem kaq i rëndësishëm dhe i frikshëm për shqiptarët? Dhe e treta, çfarë duhet bërë me problemin e me shtresën vetë? Në këtë shkrim, do të mundohem që të sqaroj pak këtë problem, që do të trajtohet më shumë e më në thellësi në përrallat e ardhshme.

Kush është paria e Tiranës?

Paria e Tiranës përbëhet nga të gjithë ata individë që, për shkak të influencës së tyre mbi politikën, ekonominë, kulturën e vlerat e popullit në shtetin shqiptar, luajnë një rol kryesor në drejtimin që merr shoqëria shqiptare dhe pakicat që jetojnë me ta në shtetin shqiptar.[i] Pjesë integrale e parisë së Tiranës janë tre grupime individësh. Së pari, janë prijatarët e partive politike, që mbrojnë interesat e shtresës së tyre nga shteti e nga shoqëria përmes kontrollit e influencës së tyre mbi vetë shtetin e strukturat institucionale si familja e Enver Hoxhës dhe klanet e vjetra të dala nga sistemi i mëparshëm, duke mos përjashtuar këtu klanet Kapo, Shehu, apo të tjerë të identifikuar në bazë të krahinës apo besimit. Prandaj duhen veçuar individë të spikatur, që dalin në krye të tyre, ose që formojnë struktura të reja brenda parisë si Ramiz Alia, Xhelil Gjoni, Sali Berisha, Sabri Godo, Fatos Nano, Genc Ruli, Rexhep Mejdani, Paskal Milo, Arben Imami, Servet Pëllumbi, Jozefina Topalli, Bamir Topi, Fatmir Mediu, Genc Pollo, Kurt Kola, Edi Rama, Neritan Ceka, Aleksandër Meksi, Skënder Gjinushi, Ilir Meta, Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Ridvan Bode, Besnik Mustafaj, Lufter Xhuveli, Erion Braçe, Ilir Rusmajli, Dashamir Shehu, Arta Dade, Kastriot Islami, Ben Blushi, apo Paskal Milo. Këta e të tjerë që kanë qënë figura me rëndësi politike, sot mund të jenë në hije, apo në dritë-hije, por ata vazhdojnë që të luajnë një rol në politikën e Tiranës.

Së dyti, janë pronarët e monopoleve dhe të ndërmarrjeve ekonomike që e mbajnë gjallë dhe spikasin ekonomikisht në të gjithë shtresën e parisë si Bashkim Ulaj, Rezart Taçi, Koço Kokëdhima, Anastas Angjeli, Dritan Hoxha, Artan Dulaku, Stefan Pinguli, Lefter Koka, Tom Doshi, Sadri Abazi, Fidel Ylli, Sami Gjergji, Arben Duka, Shyqyri Duraku, Ramë Geci, Zamir Mane, e të tjerë afaristë, tregtarë e investitorë me peshë të madhe në ekonomi.

Së treti, janë krijuesit e vlerave apo, më mirë, të antivlerave e të mendësive që i interesojnë parisë e të cilët, përmes lumit të botimeve, propagandës e të emisioneve televizive, ia paketojnë e ia shesin interesat e kësaj shtrese si vlera të mirëfillta letrare, kulturore, apo ideologjike popullit shqiptar. Këtu hyjnë Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Visar Zhiti, Nikollë Lesi, Blendi Fevziu, Agron Tufa, Arjan Çani, Filip Çakuli, Ylli Pango, Rudina Xhunga, Fatmir Toçi, Kiço Blushi, Skënder Minxhozi, Fatos Lubonja, Ilva Tare, Aleksandër Frangaj, Mero Baze, Mustafa Nano, Sokol Balla, Andrea Stefani, Artan Lame, Armand Shkullaku, e të tjerë. Këtu hyjnë edhe shumë të tjerë, që nuk dinë se çfarë flasin si Ndriçim Kulla, Hamit Take, Miranda Haxhia, apo, edhe i ndjeri, mjeku popullor, Arqile Boti, individë që shkruajnë por që në shkrimet e tyre dallohet se kanë obsesione profesionale si Edmond Tupja, mitomanë dhe prototipë të dikujt që vuan kompleksin e madhështisë si Edison Ypi, apo pisqolla mediatike të dala nga romanet e Balzakut si Fahri Balliu apo Frrok Çupi.

Më në fund, si askund tjetër, pari legjitime në shtetin shqiptar janë edhe figurat e botës së nëndheshme, si Miri i Xhikes, Rrahmoni, Lul Berisha, Aldo Bare, Zan Çaushi, Kakami, Gjenerali i Babrrusë, Gzimi i Kashtës, Qorri, e shumë të tjerë, që nga paria njihen me emra të tillë përkëdhelës, si Tan Lepri. Shumë më të rëndësishëm janë ata që nuk iu përmendet emri, as në shtyp dhe as në media, por që arrijnë të kërcënojnë edhe kryeministrin me një SMS. Këta janë ish-truproja dhe ish-shoferë, ish-oficerë apo zyrtarë, që punojnë në strukturat dritëhije të parisë dhe që janë pasuruar në mënyrë marramendëse. Disa kanë qënë pjesë e rëndësishme e parisë sunduese, si bie fjala, “nipi i kryeministrit”, trafikanti i drogës, kolonel avokat Sokol Koçiu.

Si edhe shihet lehtë, ky përkufizim i parisë, është i ndryshëm nga përcaktimet tradicionale të elitave tek Pareto sepse është shumë më i ngushtuar dhe selektiv, por më i zgjeruar se sa tek Mosca, sepse paria nuk është thjesht klasa sunduese politike. Arsyeja është se gjithkund tjetër, elitat apo klasa sunduese kanë një bazë shumë më të gjërë tradicionale legjitimiteti, fetare, ushtarake, kulturore apo historike. Këta që sundojnë në shtetin shqiptar nuk kanë pasur asnjë mundësi që të krijojnë legjitimitetin e duhur apo të imponohen në disa breza. Prandaj, ndër shqiptarët, paria janë ata që sundojnë e që duan të sundojnë me forcë politike, dhe duke kontrolluar politikën e krimin për t’u pasuruar ata vetë dhe klanet e tyre. Politika është në plan të parë. Krimi është rruga për të ruajtur interesat kur nuk mbetet zgjidhje tjetër. Pasurimi është objektivi i pandryshuar i parisë.

Po ashtu, nga përkufizimi shihet se kam përjashtuar figurat kulturore dhe fetare bashkëkohore. Strukturat fetare janë ende të brishta e don kohë që të fuqizohen, megjithëse Anastas Janullatos, Rrok Mirdita, Selim Stafa, e një kohë, Reshat Bardhi, Hafiz Sabri Koçi, apo janë bërë pjesë integrale e elitës së Tiranës. Figurat e sekteve që po fuqizohen dita më ditë, përfshirë këtu edhe kultin e ‘Shenjtores Eleonorë,’ do të fillojnë të kenë peshë, me kohë. Strukturat e mirëfillta kulturore janë tejet të dobta e pa influence të mjaftueshme në shoqërinë shqiptare.

Më në fund, nga paria e Tiranës janë të përjashtuara edhe figurat ushtarake. Shteti shqiptar nuk ka më as ushtri, as oficerë që të imponohen si figura me ndikim kombëtar. Një general ushtrie shqiptar apo një gjeneral i policisë, për nga influenca, është i barabartë me drejtorin e postës në një shtet tjetër. Paria e re sunduese shqiptare, edhe kur vjen nga profesorati apo nga shtresa intelektuale është pastërtisht politike, kriminale dhe ekonomike dhe me një frikë të justifikuar nga instrumentet e dhunës së shtetit si ushtria, policia, dhe shërbimet e ndryshme. Edhe ky përqëndrim kaq i ngushtë interesash tradhëton interesat dhe identitetin e vërtetë të shtresës.

Po të shikohet e të qëmtohet me qetësi, kjo shtresë e ngushtë bëhen a nuk bëhen më shumë se tre mijë vetë. Të gjithë janë të vendosur në Tiranë ose në rrethinat e saj ku i kanë vilat dhe apartamentet luksoze. Të gjithë kanë lidhje me parinë sunduese të mëparshme. Paria e mëparshme ishte thelbësisht politike, dhe këta janë thjesht një rikrijim i zgjeruar i parisë së mëparshme. Kësaj rradhe, zgjerimi ndodhi me intelektualët që u bënë politikanë, dhe me pasanikët e rinj që po seleksionohen me shumë shpejtësi. Ata që po mbesin të fortë ekonomikisht janë pjesë integrale e shtresës, të tjerët po zhyten e do të zhyten në fund, me ngadalë, e me kohë, por nuk mund të jenë pari. Në thelb, ajo që të bën pari, është lidhja me pushtetin politik, mendësia e shtresës, dhe përkatësia e pranimi në shtresën vetë. Dhe shtresa përzgjedh vetveten, pikë së pari, përmes besnikërisë së individëve ndaj interesave të saj si shtresë dhe identifikimit të tyre me vlerat e shtresës.

Kur janë në rrethet e tjera, edhe elementët e parisë dytësore, janë tejet të lidhur me Tiranën me një mijë fije. Thuajse të gjithë vijnë nga shtresa e zyrtarëve dhe e inteligjencës së lidhur me sistemin e mëparshëm. Edhe këta janë të lidhur me njëri-tjetrin, e me parinë, me interesa, me martesa, me akraballëk, me klane, me miqësira e me armiqësira të vjetra e të reja, vijnë nga të njëjtat zona e katunde, kanë kaluar në të njëjtat përvoja educative dhe të gjithë e shohin aktivitetin e tyre si aktivitet të familjes përkatëse e të klanit respektiv. Çuditërisht, edhe si pasojë e feudalizmit në rritje të strukturave të parisë, paria dytësore po zhvillon një autonomi të theksuar nga qendra dhe po ndërton bazën e saj në nivel lokal.

Në këtë shtresë të parisë së Tiranës ka edhe familje e individë që janë në politikë, por nuk kanë as fuqi ekonomike e as influencë në botën e ideve. Po ashtu ka edhe familje e individë që kanë influencë relative në botën e ideve e të mendësisë por nuk kanë as fuqi ekonomike e as politike. Pavarësisht pozave impresionuese që marrin, këta individë të margjinalizuar, për shkak të varësisë ekonomike, janë kthyer e po kthehen në mercenarët e klaneve të parisë së Tiranës. Paria ka ndërtuar struktura politike, ekonomike, dhe ideologjike që dukshëm përcaktojnë perceptimet për gjendjen ekonomike, objektivat e shoqërisë, dhe mendësinë e pjestarëve të vet, por edhe të gjithë të tjerëve. Përmes këtyre mekanizmave e strukturave kontrolluese, ata e kanë kushtëzuar ndjeshëm të ardhmen e të gjithë shqiptarëve.

Në zemër të parisë janë disa klane të tilla familjare që spikasin mbi të tjerët. Këto dallohen jo vetëm sepse kanë qënë në lojë për një kohë të gjatë, por edhe sepse janë të stërvitur si hiena politike, d.m.th., e njohin mirë politikën dhe e konsiderojnë popullin si pre të tyre. Por, thuajse të gjitha klanet e parisë, si të rinjtë ashtu edhe të vjetrit, në masë dërmuese, vijnë nga hiçi. Shumica mezi shkojnë dy breza e menjëherë dalin origjinat e tyre katundare, të përmirësuara me një bursë studimi në Moskë dhe me titujt si zyrtarë të kohës së Enver Hoxhës. Thuajse të gjithë, stërgjyshët më të largët që njohin, i kanë pasur çobanë e jeniçerë ose, edhe kur rrjedhin nga shtresa qytetare, vijnë nga familje “të rëna me kohë nga dynjallëku”. Prandaj, ose nga origjinat, ose prej imitimit të formës më të suksesshme të organizimit klanor, klanet e parisë kanë evoluar si struktura të bazuara në mendësinë katundare.

Më e keqja është se këta klane dhe prijatarët e tyre, edhe kur në krye të tyre ishin Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, kanë sjellë mendësinë e katundit edhe në drejtimin e shtetit. Nga kjo shtresa e re e forcuar gjatë tranzicionit, modele të familjes së parisë së Tiranës me një fuqi të tillë të madhe janë, bie fjala, klanet e drejtuara nga Sali Berisha e Gramoz Ruçi. Të ngritur vonë nga hiçi, po tamam nga hiçi, njëri nga Salaria e Tepelenës dhe tjetri nga Viçidoli i Tropojës, këta të dy janë përfaqësues tipikë të kësaj shtrese. Të dy janë ish-konviktorë, shërbyes të bindur të sistemit të mëparshëm e të partisë në pushtet, njëri sekretar partie rrethi e ministër i brendshëm i sistemit, dhe tjetri, sekretar partie i spitalit e kandidat për kandidat i KQ të PPSH-së, por i pa emëruar në KQ, për shkak se gruaja kishte pjesë të familjes jashtë vendit. Sot, që të dy janë në krye të klaneve të fuqishme politike, ekonomike e mediatike të familjeve respektive dhe figura kryesore të parisë. Si ilustrim, po përmend Sali Berishën, thjesht sepse Mero Baze, me gazetën TemA, ka bërë një shërbim të madh publik, duke nxjerrë në dritë mjaft fakte të dhimbshme për këtë klan kriminal. Këto të vërteta nuk janë kundërshtuar nga Sali Berisha vetë. Edhe për këtë arsye, derisa të dëgjojmë të kundërtën, e derisa Sali Berisha ta hedhë Bazen në gjyq, argumentet e Bazes duhet të merren si të vërteta.

Simbas Mero Bazes, që për shumë kohë ka qënë instrument mediatik e propagandistik i Berishës, në rastin e Sali Berishës, ai vetë mbron interesat e familjes në politikë. Duke mos pasur ideologji e vlera konsistente, Sali Berisha po përdor Partinë Demokratike, militantët e PD-së, partitë e koalicionit qeveritar, si dhe të ashtuquajturit liderë të këtyre partive, por edhe shtetin, ashtu si intereson atij. Nga ana e tyre, po simbas Mero Bazes, i biri i Sali Berishës, e bija, dhëndri, kunati, kunata, nipat, si dhe aleatët afatgjatë, si Lulzim Basha, punojnë in tandem dhe për fuqizimin e klanit të tyre. Po kështu edhe mercenarët e tyre të tjerë të të gjithë markave e të gjitha kombësive, jo vetëm ballkanike, si Damir Fazlliç, pronarë lokalesh të Bllokut të Tiranës, por edhe më gjerë, afaristë si Bashkim Ulaj, i mbrojnë dhe i zgjerojnë interesat e klanit Berisha në ekonomi në kurriz të interesave të të gjithë shqiptarëve.

Kjo strukturë klanore-mafioze shtresëzohet në formën e rrathëve të influencës nga Sali Berisha që është në qendër të klanit, tek figurat politike që pa mbështetjen e tij nuk kanë asnjë vlerë në politikë, për të mos thënë se janë zero politike si bie fjala, Astrit Patozi, Bujar Nishani, apo Myqerem Tafaj, për t’u ulur tek deputetët, zyrtarët e emëruar, që nga prefektët si Keltis Kruja tek ministrat si Aldo Bumçi, deri tek ata që kanë punuar për të gjithë, si Arben Imami, apo Neritan Ceka. Në këtë mënyrë, Sali Berisha ka krijuar një shtet paralel që i shërben klanit të tij. Këta pjestarë e shërbyes të klanit, pjestarë të parisë, kalojnë ligje, japin tendera, ndajnë fitime, bëjnë buxhete shtetërore, lëshojnë koncesione e me rradhë, duke mbajtur parasysh, gjithnjë e mbi gjithçka tjetër, interesat e klanit Berisha.

Në rastin e influencës së ideve, simbas Mero Bazes, që e njeh mirë, Sali Berisha ka marrë me qera një pisqollë mediatike të stërpërdorur të tipit Fahri Balliu dhe disa të tjerë të të njëjtit nivel. Këta vegla të të gjithë regjimeve, Sali Berisha i përdor në televizionet që kontrollon, në RD dhe në gazetat e tjera që i shërbejnë me zell, e që pavarësisht nga emri që kanë, në një moment të caktuar, Gazeta 55, Koha Jonë, apo Bulevard kryejnë të njëjtin funksion. Përmes tyre sulmohen individët kundërshtarë të Sali Berishës dhe mbrohen pikëpamjet që i shërbejnë klanit.

E gjithë përpjekja titanike e Sali Berishës për të influencuar politikën shqiptare e për të mbetur në qendër të saj bëhet me synimin e mbrojtjes së interesave ekonomike e të sigurisë personale të klanit të tij e ne veçanti, të familjes së ngushtë. Politika e Sali Berishës, që mobilizon të ashtuquajturit militantë, simbas Mero Bazes, mbron sjelljen kriminale të të birit, të bijës e të familjes. Familja e Sali Berishës ka interesa që nga Jala, te Gjiri i Lalzit, tek Gërdeci, por edhe shumë më tepër se aq. Por të gjitha këto janë bërë të mundura përmes kontrollit të shtetit nga ana e tij. Pra, interesat ekonomike të familjes mbrohen përmes kontrollit të shtetit e përfitimet vijnë prej kontrollit mbi shtetin. Fahri Balliu e shërbëtorët e tjerë si Aleksandër Frangaj, dhe gazetat RD, 55, apo Koha Jonë dhe e mbrojnë në nivelin mediatik. Partia Demokratike i jep Sali Berishës mburojën politike që i duhet.

Ky është prototipi i klanit sundues të parisë së Tiranës. Tek të gjithë klanet e tjera ndërrojnë emrat që lakohen në shtyp, por jo struktura dhe përmbajtja, që janë të njëjta, edhe sepse të gjithë imitojnë suksesin e palës më të suksesshme. Askush nuk mund të mos kujtojë mbledhjen e famshme të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste gjatë zhvillimit të së cilës Fatos Nano ua kujtoi figurave të PS-së, të gjithëve pa përjashtim, se kë përfaqësonin në politikë, cilave interesa iu shërbenin, e cilat monopole kontrollonin. Asnjë prej atyre ‘figurave’ nuk e hodhi Fatos Nanon në gjyq. Po ashtu edhe sulmet e njëkohëshme të Sali Berishës kundër parisë së Tiranës, kur ishte krejtësisht i vetmuar e në opozitë, kanë nxjerrë në dritë shumë të vërteta jo të këndshme, që nuk duhen harruar kaq lehtë.

Problemi që paraqet shtresa sunduese e parisë së Tiranës

Me e thënë përmbledhtas, paria e Tiranës, dhe klanet sunduese në gji të saj, janë kanceri vdekjeprurës i shoqërisë shqiptare. Ata kurrë nuk duan e nuk mund të lejojnë që shqiptarët të kenë një të ardhme normale si popull. Një e ardhme e mirë për të gjithë shqiptarët do të thotë që monopolet e tyre politike, ekonomike e kulturore duhet të thyhen e të shprishen. Për këtë arsye, ata do të luftojnë që, me çdo kusht e me çdo mënyrë që kanë në dispozicion, të mund ta mbajnë shtetin shqiptar peng të tyre. Shteti duhet të jetë i dobët e i pafuqishëm. Shteti shqiptar duhet të funksionojë vetëm e vetëm si instrument për të zhdukur hajdutët e xhepave, dhe konkurrentët e tyre që shpesh vijnë nga radhët e parisë, por që nuk i respektojnë rregullat e lojës së saj kriminale.

Prandaj e gjithë shoqëria duhet të jetë e kalbur moralisht fund e krye. Partitë politike duhet të jenë kartele kriminale mafioze e të feudalizuara, struktura, në të cilat, numri i votave që siguron dikush, i jep të drejtën atij që të shklyejë një thelë nga taksat e nga thesari i shtetit. Ekonomia duhet të jetë një strukturë mafioze informale pa rregulla, ku ata janë e do të jenë në krye të monopoleve. Shteti duhet të jetë i paralizuar, dhe një strukturë e përdorueshme deri në atë nivel sa që, shoferët e bodigardët e tyre, të mund të thyejnë e të sakatojnë bizneset e ndershme fill sa mbarojnë zgjedhjet e pak përpara tyre pa iu hyrë gjemb në këmbë.

Shteti i kontrolluar prej tyre është shpata që iu mbahet varur mbi kokë reshperëve e ndërmarrësve të ndershëm që mandej bien në gjunjë para tyre e shtypen sistematikisht. Çdo njeri që punon me nder duhet të zvetënohet. Çdo zyrtar që ka ndjenjën e shërbimit publik ose duhet të përjashtohet nga puna, ose duhet të korruptohet e të degjenerohet. Në fushën e vlerave e të ideve, paria kërkon t’i bindë njerëzit që kështu, në këtë gjendje që është shteti shqiptar, është e gjithë bota. Gjithkund, simbas argumentit të saj, sundon mafia dhe krimi, ndërron vetëm niveli i kamuflimit. Motivimi i tyre për këtë sjellje është se atyre iu intereson që t’i bindin njerëzit që të mos kërkojnë rrugë tjetër. Argumenti i tyre, refreni i tyre i preferuar është: “kështu si ne janë të gjithë.”

Për të arritur këtë objektiv të bindjes së njerëzve, ata nuk lënë gazetë pa shtypur e botim pa nxjerrë, natyrisht, duke i paguar mirë të gjithë sharlatanët e mundshëm që gjinden me shumicë. Mediat vazhdojnë që të organizojnë rubrika e emisione televizive nga më të ndyrat, të krijojnë antivlera e mendësi të njerëzve pa dinjitet e pa rrënjë, vetëm për të degjeneruar shqiptarët. Synimi i tyre? Synimi është për t’i bindur se kjo shoqëri është më e mira ku ata mund të jetojnë. Objektivi është i qartë: shqiptarët duhet t’ua dinë atyre për nder që ata e klanet e tyre ua mundësojnë jetesën në shtetin shqiptar. Modeli që iu shitet shqiptarëve, është modeli i degjenerimit e zvetënimit moral që i ka rrënjët tek etja e untia e jashtëzakonshme e parisë për gjëra materiale.

Rrënjët e kësaj sjelljeje duhen kërkuar në sistemin e mëparshëm. Kanë ndrruar format, por përmbajtja është e njëjtë. Sistemi i mëparshëm luftonte me thye gjithkënd, me e zhveshë gjithkënd që do të bëhej pjesë e strukturës së shtetit nga çdo gjë njerëzore. Përndryshe, sistemi i mëparshëm nuk mund t’i përdorte njerëzit edhe kundër familjeve të veta, nuk mund të përçudnonte shoqërinë deri në ekstremin e mundshëm pa pasë pasur shërbëtorë të tillë. E të gjithë këta që janë në krye të klaneve sunduese të parisë kanë kaluar në rrugën e në kalvarin e deformimit të sistemit të mëparshëm.

Këta janë, në thelb, konviktorë të untë, të rritur me një gotë çaji pa sheqer e me shtatë lekë marmalatë molle apo fiku, konvikteve, aksioneve e zboreve të Enver Hoxhës. Këta nuk kanë pasur në sistemin e mëparshëm e nuk kanë as në këtë sistem mëshirë për askënd e për asgjë. Gjithçka bëhet nuk i ngop dot shpirtnat e tyre të uritur e të ndrydhur qysh në moshë të re. Këta nuk kanë as ndjenja kombëtare, as besnikëri, as luajalitet, e as vlera njerëzore. Këta vijnë nga soji më i keq i jeniçerëve të përgatitur me i shërbye një krimineli si Enver Hoxha e një shteti të fortë por krejtësisht të shkëputur nga populli prej nga vinin. Tashti, të përgatitur si vegla të krimit, ata po sillen si krimineli vetë. E vetmja besnikëri që kanë është ndaj kohortës me të cilën janë rritur e me të cilën kanë ndarë mjerimet e rinisë.

Çka është me keq, kjo sindromë e pashëruar e jeniçerëve dhe e konviktorëve të shkëputur nga populli i tyre, që janë vetëm në shërbim të untisë së tyre, tashmë është përhapur edhe në vetë familjet e parisë. Jetët e tyre private janë të shkatërruara. Shumë nga fëmijët po iu vdesin nga drogat, sëmundjet, e nga përvojat jo të këndshme që kanë pasur në botën e huaj. Fëmijët e tyre po dalin në jetë të thyer dhe po bëhen vegla të krimit të familjeve të veta kriminale. Por, as paratë, as pozitat zyrtare të prindërve, as rojet personale e as llogaritë rrjedhëse në bankat e botës nuk e mbulojnë dot llumin moral prej kah po vijnë. Megjithatë, ka shumë prej tyre që po mundohen të shkëputen nga trashëgimnia kriminale dhe po kërkojnë rrugë të tjera që ta ndjejnë veten njerëz me dinjitet, çka edhe, gradualisht, po i shtyn që të pozicionohen edhe kundër prindërve e familjes së tyre.

Mbi të gjitha, problemi më i madh është se paria është ngjitur si ushujza në trurin e popullit. Ata po e shfrytëzojnë deri në maksimumin e mundshëm frikën e lindur dhe eksperiencën negative të frikshme që shqiptarët, dhe pakicat, patën me shtetin terrorist gjatë kohës së diktaturës së parisë. Duke pasë qënë vegla të rëndësishme të saj, duke qënë të rrahur me vaj e me uthull në mbledhjet e burokratëve, të zyrtarëve si dhe të organizatës bazë të partisë, këta janë të gjithë mjeshtër të manipulimit. Këta e kanë perfeksionuar artin e sundimit dhe sillen si dhelpra e hiena të vjetra që e dinë se si mund të manipulohen, si të blihen, e si të shiten njerëzit. Këta e dinë mirë se si të hedhin gurin e të fshehin dorën. Këta e njohin strukturën e shtetit me rrënjë. Prandaj, kur iu krijohet mundësia, luftojnë që ta manipulojnë atë si duan vetë.

Një shtet i fortë, me zyrtarë të ndershëm, me struktura të shëndosha e në shërbim të popullit është armiku i tyre për vdekje dhe ata nuk mund të lejojnë këtë. Mirëpo, shteti është aq i fortë sa është besnikëria e njerëzve karshi tij. Prandaj, lufta e tyre është drejtuar kah shkatërrimi i shtetit dhe i shoqërisë mbi të cilën mbahet shteti dhe që e mbështet atë shtet. Armiku më i madh për ta është një shoqëri normale e ndershme e cila e quan dhe e trajton sjelljen e tyre si kriminale, dhe që i identifikon individë të tillë e klanet e lumpenit shoqëror, që u shkojnë mbrapa, si zgjebe kombëtare. Jo më kot, lufta e tyre drejtohet pa ndërprerje nga armiku i tyre më i madh: mendësia e një populli që do të jetojë me nder, në vendin e vet, dhe që nuk i toleron poshtërsitë e krimit të klaneve që duan të bëhen pashallarët e vezirët e kohës moderne.

Gjithkush që flet kundër tyre e i quan ata me emrin e vërtetë nuk ka e nuk mund të ketë vend në shtetin shqiptar. Siç shihet edhe nga transkriptet e zbardhjet e bisedave të ndryshme, shoqëria duhet të jetë një top gëlbaze morale ku askush të mos mundë t’iu kundërvihet atyre. Por, gjithkush, gjithnjë, duhet që të druhet e të ketë frikë për jetën e vet e të familjes së vet. Atëherë, kur të vendoset një gjendje e tillë, paria mendon se do të triumfojë dhe shteti shqiptar do të bëhet një sistem modern skllavopronar ku ata do të jenë bejlerët e të tjerët do të jenë rajatë e tyre. Ose për ta thënë më qartë, ata duan të ndërtojnë një sistem, ku ata të jenë si Byroja Politike, me mendime të ndryshme por, gjithsesi, të gjithë bashkë. Kështu ata do të jenë me prona e me parti të vetat dhe, të gjithë shqiptarët e tjerë, të jetojnë si bujkrobër në pronat e tyre, me lejen e tyre, nën hyqmin e tyre e nën frikën e pushtetit të tyre. Ky është sistemi ideal i parisë.

Si duhet trajtuar kjo pari e çfarë duhet bërë me të?

Paria e vërtetë e një populli është ajo pari që e shkrin jetën, pasurinë, dijen e vlerat për popullin e vet. Këta janë elita e vërtetë, të zgjedhurit, ata që  e meritojnë , sepse punojnë për popullin e tyre, si për shembull, njerëz si Adem Demaçi në Kosovë. Kombi shqiptar ka pasur shumë heroj të tillë. Ka shumë e shumë familje e individë që e kanë shkrirë pasurinë, jetën, familjen, e dhanë gjithçka që kishin për kombin e tyre. Shumë prej njerëzve ju mjafton të kthehen e të shohin rrugën e prindërve e të parëve të tyre, për të kuptuar se këtë herë diçka nuk funksionon si duhet. Rruga ku po ecet sot është një rrugë që të çon në skllavërim dhe sundim të parisë.

Ka shumë mënyra për të rezistuar, por ka vetëm një rrugë që, po u ndoq me konsistencë, e thyen këtë pari dhe sistemin e ndërtuar prej saj. Ajo rrugë kërkon që shoqëria të shkëputet nga ‘helmi që paria kërkon t’ia hedhë në bukën e përditshme,’ në nderin e familjes e në respektin për vete. Ka një hap të parë që edhe pse shumë i mundimshëm duhet hedhur se s’bën. Lufta e rezistenca kundër kësaj parie fillon si rezistencë morale. Ajo fillon e vazhdohet duke iu shmangur pa mëdyshje sjelljeve degjeneruese e çnjerëzore të cilat i promovon paria. Ajo luftë e rezistencë ndaj së keqes, vazhdon e intensifikohet duke luftuar për t’u lidhur me njeri-tjetrin si njerëz e si shqiptarë, duke iu shmangur strukturave të krimit e mendësisë kriminale, duke respektuar e njohur njerëz e bij e bija të popullit që mund e duan të bëjnë mirë për kombin. Atëherë e vetëm atëherë parisë do t’i dridhet toka nën këmbë dhe krimi i saj do të dalë sheshit sepse do të kuptohet qartë që paria e Tiranës nuk i ka rrënjët aq të thella sa duket në sipërfaqe. Figurativisht, dheu i mban rrënjët bashkë, por janë edhe rrënjët që e mbajnë dheun bashkë gjithashtu.

Çka e mban gjallë e të fortë parinë, nuk janë paratë e pronat që ka, fuqia politike apo mjetet propagandistike që ajo ka në dispozicion. Në shtetin shqiptar askush nuk e ka pasur as pronën as kokën të sigurtë ndonjëherë. Ajo që e mban gjallë parinë është mendësia e gabuar e popullit. Po filloi populli shqiptar që të ndrrojë mendje e t’i shohë partitë politike ekzistuese si kartele kriminale të parisë, do të jetë hedhur një hap shumë i rëndësishëm përpara. Po t’i shohë populli politikanët si gjarpërinj që duan vetëm të hedhin helm në jetën e tyre, do të mundohet që të mbrohet prej tyre. Po t’i shohë bizneset e klaneve të Tiranës si rrjetën e merimangës monopoliste që po ia merr frymën të ardhmes së tyre ekonomike do të motivohet për të kërkuar zgjidhje të tjera. Po t’i konsiderojë populli komentatorët, fjalamanët e grafomanët e kënetës së Tiranës si gjuhë e zgjatur e klaneve të parisë kriminale, atëherë çdo gjë që thuhet prej tyre do të shihet me dyshim. Atëherë, me identifikimin e së keqes, do të bëhet një hap i madh përpara drejt shërimit të sëmundjes morale, materiale, politike, e të mungesës së vlerave që i ka kaplluar shqiptarët.


[i]