GRID RROJI: PARIA DHE LOJA MANIPULUESE ME NDERIN

Në traditën shqiptare fytyra apo nderi kanë zënë historikisht një vend të veçantë. Ndryshe nga shumë popuj të tjerë të cilët i janë përgjigjur kërkesave të urbanizimit me konceptin më evolutiv të reputacionit, shqiptarët kanë ruajtur një perceptim përgjithësisht rural për nderin si pikë qendrore e identitetit të tyre. Çdo shqiptar është fort i ndërgjegjshëm se në sytë e komunitetit nderi është një monedhë e patjetërsueshme e cila ka vlerë përtej të mirave materiale. Siç thotë shprehja popullore “njeriu mund të ketë shumë pasuri, shtëpia e prona po ka veç një fytyrë”. Pra, ruajtja e nderit -personal, familjar apo edhe më gjerë si shqiptar- është një karakteristikë shumë e lakmuar në mjedisin shoqëror shqiptar.

Në këtë kuptim, paria e Tiranës ka arritur t’a manipulojë dëshirën e shqiptarëve për të ruajtur nderin, fytyrën e namuzin duke ju ofruar atyre jo vetëm shtrembërime të konceptit por edhe duke jua shitur sapunin për djathë. Në këtë shkrim do të trajtoj disa nga mënyrat manipuluese të palëve të parisë për të ruajtur sundimin e tyre mbi qytetarin me anë të përdorimit manipulativ të nderit si pjesë përbërëse e identitetit të shqiptarëve.

Paria e Tiranës e dalë nga paria e vjetër komuniste dhe shtresat e intelektualëve që ju bashkëngjitën asaj pas 90ës e ka njohur mirë mendësinë e shqiptarëve. Shumëkujt do t’i kujtohet shprehja “për tri gjëra të vret shqiptari: për komb, për pronë dhe për nder”. Ndaj dhe propaganda e ngritur nga palët e parisë është e ndërtuar për t’a përdorur këtë traditë në favor të sundimit të parisë.

Njëra nga mënyrat e përdorura nga paria është përfaqësimi i imorales si morale apo shtrembërimi i nderit si koncept. Së pari, paria e Tiranës sillet në mënyrë kriminale dhe mundohet t’a reflektojë këtë lloj sjelljeje tek populli. Pra reflekton një mendësi kriminale tipike të karteleve mafioze dhe klanore. Ndaj, për të ruajtur kontrollin mbi shtetin dhe shqiptarët paria synon t’ja imponojë shqiptarëve moralin e zvetënuar dhe t’jua shesë atë në kontekstin e nderit. Në gjuhën popullore, paria i thotë “derrit dajë”.Për shembull, megjithëse kanë shitur interesat kombëtare, kanë dështuar tash njëzet e tre vjet në ndërtimin e shtetit, dhe kanë përvetësuar pothuaj gjithshka kanë mundur nga pasuria e përbashkët, palët e parisë vazhdojnë t’a përdorin retorikën e nderit. Ish deputetëve të PD-së të larguar nga lista ashtu siç kishin ardhur pa asnjë arsye  u thuhet që nderi e do që të mos reagojnë, paçka se u përdorën si lecka pa personalitet. Nga ana e vet, kryeopozitari Rama i quan tradhtarë ish deputetët socialistë që kandidojnë për PD-në ndërkohë që ka disa të tillë ndër kandidatët e vet (Paulin Sterkaj ka kandiduar me PD-në në 2009ën dhe kaloi tek PS-ja më vonë, pa përmendur aleancën e ngjalave të 1 Prillit).   Pra, paria kërkon të na e shesë mungesën e saj të vlerave si vlerë.

Një tjetër formë e përdorimit të konceptit të nderit është vendosja në kontekstin që i shërben parisë. Në këtë kuptim nderi nuk është më një veti etike e pandryshueshme por shndërrohet në një mekanizëm të farkëtueshëm për interesa të veçanta.  I pandershëm nuk është më ai që kryen një veprim të dënueshëm por ai që kapet. Për shembull, të gjithë qeveritarët e të gjitha ngjyrave akuzojnë njëri tjetrin për vjedhje dhe shpërdorim detyre të përmasave gjigande. “Lufta” mes palëve bëhet për t’i mbushur mendjen publikut cila palë ka vjedhur më shumë apo me më pak takt. Nëpër debatet televizive të fushatës ndërmjet mishmashit dhe bërtitjeve përftohen akuza dhe kundërakuza, por edhe insinuata të cilat shpeshherë i kuptojnë vetëm palët në politikë. Ndërkohë, kur vjen puna për retorikë (në gjuhën popullore llogje boshe) ata citojnë moralin, etikën dhe nderin e madje u kërkojnë shqiptarëve votën në emër të tij. Mesazhi që duan të na ngulisin në mendje prijatarët e parisë është “bëj si them unë, por jo si bëj unë”. Kësisoj, paria ka krijuar një pritshmëri mbi politikën e cila varet nga aftësia e njërit apo tjetrit për t’ja hedhur kundërshtarit me fjalë. Për t’a thënë me gjuhë popullore kjo lloj forme e përdorimit të nderit mund të përkufizohet “atij që di me ja fut kundërshtarit bravo i qoftë”.

Një tjetër formë e përdorimit të nderit si armë politike kundër popullit është deformimi i konservatorizmit Bërkian të prejardhjes politike. Duke qenë se asnjëra nga palët nuk ka ideologji, si dhe duke qenë se dalin nga e njëjta farkë e ish Partisë së Punës, palët e parisë mundohen të krijojnë ndasi artificiale duke evokuar prejardhjen. Për shembull, të djathtë quhen ish të përndjekurit politikë, pavarësisht se i ndjeri Pjetër Arbnori ishte dënuar nga regjimi enverist për bindje social demokrate.  Nga ana tjetër të majtë quhen biznesmenë super milionerë të cilët rrjedhin nga nomenklatura komuniste. Kësisoj, shqiptarëve u jepen dy zgjedhje false midis “tanëve” dhe “të tjerëve” nga e cila nuk mund të dalë askush. Me anë të kësaj dasie paria arrin të kontrollojë shtresa të ndryshme të popullit duke kultivuar urrejtjen për tjetrin e jo duke kërkuar rrënjët që na bashkojnë si komb. Mirëpo kur vjen puna për të ndarë pushtetin këta bashkëpunojnë me njëri tjetrin për bukuri dhe sharjet vulgare i etiketojnë “limonata elektorale”. Dhe e gjitha bëhet në emër të ruajtjes së nderit!

Në fund por jo për nga rëndësia është teknika e thyerjes së njerëzve për t’ua vrarë njerëzillëkun, me qëllim që të bëhen lehtësisht më të kontrollueshëm. Në shumë rrethe studiuesish kjo njihet si hienizimi i shoqërisë, ndarja e saj në fraksione në luftë për jetë a vdekje dhe përdorimi i devizës “përça e sundo”. Në një shkrim të mëparshëm e kam shtjelluar gjatë fenomenin e anomisë shoqërore bazuar tek Durkhajmi. Për të dhënë një shembull, dy partitë e mëdha e gjejnë veten në vështirësi jo vetëm me aleatët e vegjël por edhe me kandidatë të veçantë të cilët kërkojnë haraç postesh në këto zgjedhje. Megjithëse të dala nga gjiri i partive mëmë, këto formacione të vogla dhe individë me peshë lokale politike nuk arrijnë të gjejnë më asnjë lloj gjuhe ideologjike me parinë, dhe si pasojë marrëdhënia e tyre është thjesht “më jep të jap”. Ndaj dhe në këto zgjedhje tepër të rëndësishmë për të ardhmen e shqiptarëve, prijatarët e parisë kanë përzgjedhur në lista individë të cilët i kanë thyer moralisht më parë. Ndër ta ka shokë, miq, bashkëpunëtorë e bashkëfajtorë, të lidhur me fisin dhe me fëmijët. Me gjuhën popullore “ ata e kanë ngrënë lugën e çorbës së prishur”. Mirëpo, ky model sjelljeje nuk lejon në asnjë mënyrë që përfaqësuesit e popullit në parlament të reflektojnë dëshirën e qytetarëve për të qenë të përfaqësuar me nder. Ndaj, megjithë përpjekjet manipuluese ndjehet një hendek shumë i madh midis popullit dhe parisë.

Si përfundim, paria e Tiranës nuk ndalet përpara përdorimit të nderit, fytyrës e namuzit të shqiptarëve për të garantuar pushtetin dhe sundimin e saj mbi popullin. Palët bëjnë teatër politik por nuk lejojnë askënd të hyjë në lojë duke ruajtur nderin, fytyrën dhe pastërtinë. Politika shqiptare është lojë pocaqi e luajtur nga një pari e zvetënuar deri në rrënim. Asaj i duhen ushtarë të bindur e po aq të pandershëm sa është ajo vetë me popullin shqiptar. Ndaj dhe vota e shqiptarëve nuk duhet të shkojë  për asnjërën prej palëve. Duhet një fillim i ri!

Advertisements

FADIL LEPAJA: “I DASHUR ARMIK”


Boris Taqiç, bëri blasfemi, me të cilën i shokoi serbët e Kosovës. Së paku pjesën militante të tyre. Ai tha se Kosova nuk është zemra e Serbisë. E merreni me mend, se kjo deklaratë anatomiko/politike shkaktoi tërë atë pezm në kokat mesjetare të disa liderëve lokalë serb.

Cili është problemi? Problemi më i madh nuk duket të jetë kjo deklaratë, por problematik paraqitet fakti se Serbia ka mbetë pa zemër. Opinioni serb i cili është mësuar me përdorimin e anatomisë në politikë, tashmë nuk do të cuditej nëse në këtë relacion dashurie të njëanshme përpos zemrës dhe veshkëve të shumëpërfolura futej edhe ndonjë organ tjetër. Nëse përmenden rreth 40000 dhunime të kryera gjatë luftës në Kosovë, kjo tezë e luftës me organe, do të kompletohej mbase. 
Sidoqoftë politika e ruajtjes me çdo kusht të kolonive, po e sjell Serbinë në një situatë kur ajo nuk po mundet të meret me vetveten dhe me problemet e saja reale. Ka mbetë peng e historisë. Po i mban peng edhe fqinjët! Kështu po mban të mbyllur perspektivën e sajë euro-atlantike.

Por, në mënyrë paradoksale, peng jemi edhe ne. Duke u marrë me armikun historik nuk po arrijmë të merremi me armiqtë realë të së ardhmes tonë siç janë krimi i organizuar dhe varfëria e skajshme e pjesës më të madhe të qytetarëve. Ndërkohë klasa jonë politike mbahet në pushtet me anti serbizëm apo me gadishmërinë për me nënshkrue, e jo duke zgjidhur problemet reale të qytetarëve.

Pra, liderët lokal serbë u shokuan me deklaratën e ish-presidentit Tadiq, ndërkohë që ne jo. Armiqtë, për të cilët flasim dhe të cilët na mbajnë peng në një luftë mediale të cilës nuk i shihet fundi, na duhen veç për të arsyetuar çdo dështim tonin.

Nga ana e vet, prania ndërkombëtare, fatmirësisht po e pengon luftën reale, nga e cila përfituan më së shumti pikrisht liderët e barikaduar në dy anët e barrikadave.
 Në rrugën tonë europiane, armiqtë historik nuk janë të domosdoshëm. As këngët për Evropën plakë. Por qytetarët, megjithëse ende turbull, kanë filluar të shohin këtë grackë dhe nuk po pranojnë të jenë peng më. Nuk po pranojnë të merren me armiqtë e trashëguar.

Kur jemi te armiqtë e trashëguar, ja një ndodhi. Para pak ditësh në ekranin e kompjuterit tim titëroi një kërkesë për miqësi, prej dikujt emri i të cilit nuk më kujtonte një person konkret! Nga shënimet elementare e kuptova të ishte një serb nga Bosnja dhe Hercegovina. Duke qenë se pjesën më të madhe të burgut e kisha kaluar pikrisht në këtë vend të parahatuar, ma mori mendja të jetë ndonjë ish- i burgosur i cili do të ketë hasur emrin tim në rrjet. Rrugët virtule janë të cuditshme!
 Doli të ketë qenë një ish-gardian burgu. Në vitet e tetëdhjeta, ai ishte një djalë i ri, pak a shumë me moshën time, dhe mbante me krenari uniformën e shtetit të cilin unë e luftoja dhe për të cilat shkaqe edhe ndodhesha në burg. Gardiani i quajtur Branko, asokohe ishte edhe udhëheqës i partisë ( Lidhjes komuniste) për celulën e burgut dhe nuk arrinte të kuptonte se si dikush mund të ishte kundër vëllazërim-bashkimit të kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë. Lufta jonë për liri quhej luftë kundër vëllazërimit dhe bashkimit! Kështu e kishte bindur maqineria e propagandës. Asokohe, Bosnja jetonte në gënjeshtrën e quajtur vëllazërim-bashkim, më shumë se kushdo asokohe në Jugosllavi. Mbi një milion qytetarë jetonin në martesa të përziera dhe as që arrinin të imagjinonin atë që atje do të ndodhte tërë ajo kasaphëne vetëm pas disa vitesh. 
Ky, Branko, më vonë paska qenë pjesmarrës në luftë, kuptohet në anën serbe, duke thënë se këtë nuk e ka zgjedhë ai, por është imponuar qysh me fillimin e konfliktit. Kuptohej, ai ishte serb, të tjerët ishin armiqtë e tijë! Tash pas lufte, ai qenka shpërngulë në… internet. E paska hapur një linjë biznesi me reklamat në internet.

Folëm, derisa u “çmallëm”. Derisa po fliste për ngjarjet, në fakt bisedat e para 25 viteve nga të cilat ai kujtonte edhe detaje të cilat unë i kisha haruar krejt, se si m’u komponua me këtë ndiesi titulli i famshëm i filmit shqipëtar: “ I dashur armik”! Cka i bënë njerëzit armiq? Ai tani po fliste për shumë gjëra të cilat atëherë në bisedat e shkurtëra nuk ka guxuar të m’i thoshte. Si njeri, ai ishte kundër luftës. Asokohe ai cuditej se si mbi tavolinën time qëndronin njëra pranë tjetrës dy librat e shenjtë, Bilbla dhe Kurani, apo Marksi, Hegeli, Kardeli, Lao Ce, etj.! Cuditej se si i njihja aq mirë ideologët e tijë, dhe prap nuk besoja në ta.

Branko ishte një gardian i ri burgu, i cili besonte në mirësinë e sistemit, e rrjedhimisht edhe në drejtësinë e tij dhe ndihej i hutuar me bindjen time të patundur se shteti i tij, ishte kriminal dhe se si i tillë detyrimisht do të shkatërrohej! Sot, ai është i vetëdijshëm se edhe në vendin e tij dominojnë mafiozët, kryesisht në emër të patriotizmit.

Derisa po e bluaja në kokë fenomenin e armiqve të përjetshëm, po lexoja në media se ish zëvendës-ministri serb Gjorgjeviq ka pranuar krimet e bëra ndaj shqiptarëve në vitin 1999 para gjykatës ndërkombëtare për krimet e luftës, në Hagë ! Ai kishte pohuar se ndihej fajtorë dhe kërkonte falje publike për këto krime. Ai ndihej fajtorë sepse nuk kishte guxuar të kundërshtonte sistemin i cili po kryente krime të rënda ndaj popullatës civile.
”Pendohem që nuk iu kam kundërvënë ministrit. Për këtë ndjehem fajtor… kam pasur rol të caktuar në gjithë këtë dhe mendoj se duhet të dënohem”, ka thënë Gjorgjeviq.

Por kështu nuk mendojnë liderët lokalë serb, mjaft nga ata që, po ashtu, kishin një rol në krejt këtë që ndodhi! Madje as as liderët aktualë shtetërorë të Serbisë të cilët me çdo kusht po përpiqen të ruajnë pozicionet e dominimit në Kosovë dhe Bosnje. Edhe ata kishin një rol në krejt këtë luftë. Sidomos kryeministri aktual dhe presidenti i Serbisë! Por, nuk ndihen fajtorë! Mjafton se nënshkruajnë marrëveshje!

Kështu, derisa, miku im i ri virtual, dhe ish gardiani i cili dikur ruante derën time të burgut, ka dalë prej sistemit dhe ka ikur në internet, politika serbe nuk po arrinë të dalë prej mesjetës.
 Nuk është mision i politikës vetëm të marrë vendime, por edhe të krijojë një vizion qytetërues për popullin e vet. Derisa liderët politik serb dhe shqiptarë po bëjnë pazare larg syve të qytetarëve të dy vendeve, ata kanë dështuar të ofrojnë një vizion qytetrues për qytetarët e të dy vendeve. E kontinenti i vjetër po kërkon vetëm liderë që qesin nënshkrime në marrëveshje kabinetesh, për hirë të karierës së ndonjë zyrtari të lartë, marrëveshje këto të cilat shumë vështirë pranohen në jetën reale.

Kështu, situata është bërë tragjikomike me posterët ku lideret serbë, ne Beograd portretohen në postera me plisa. Në anën tjetër, kryeministri kosovarë portretohet me shajkaqë! Kjo e ka kuptimin se ata kanë tradhëtuar po pujt e tyre. Një komentues i zgjuar në profilin tim në facebook, pyetet jo pa të drejtë: “Nëse në Serbi liderët akuzohen se e kanë shitë Kosovën, e në Kosovë se e kanë shitë veriun”, a thua kush ka blerë këtu dhe çka? “
Kështu ndodhë kur qytetarët nxirren jashtë loje, dhe kur bëhen pazare me liderët e korruptuar dhe të dëgjueshëm! Pastaj, nëpër kafenetë tona politike në jug sërish kërcasin sharkiat dhe në veri “gusllat”, ku përplot emocione u këndohet atentatorëve që e vrasin tradhëtinë! Për vrasje thërrasin edhe klerikët serb në mitingje! Apo ndoshta krejt kjo ishte veq një dilemë filozofike!

Në fakt, ka shumë gjasë që krejt kjo për dikë është biznes. Një biznes në të cili armiqtë shekullorë përfitojnë reciprokisht!
 A mund të thuash se çka është në këtë punë patriotizëm e çka është tradhëti ?

MURAT ALIAJ: PЁRPARA MERCENARЁT E MI TЁ LAVDISHЁM

Njeriu që e kalon gjithë jetën me kafshet, është e pamundur t’ju shpëtojë mjaft huqeve kafsherore. Kafshet, sipas llojit të vet kanë huqe të ndryshme. Të mira e të kqija, sipas llojit të kafshës. Varet se cilat do preferojë njeriu prej tyre. Më e zakonta kafshë tek ne, është qëni i cili vërtet që ka të mirë besnikërinë, por ka të padurueshme lehjen. Që të dyja janë të nevojshëme për një politikan. Madje e dyta përbën domosdoshmëri.

Puna është se është hapur një hendek moskuptimi mes nesh që qeverisim dhe popullit i cili në vënd të ankohet për pazotësinë e tij, rri e shan neve që jemi lokomotiva e shoqërisë. Derisa nuk përbënte rrezik lehja e tij, e lamë, por tani jemi në prag të zgjedhjeve dhe radhën për të lehur e kemi ne. Populli i paduruar duhet të paguaj mëkatet e veta dhe mirë t’i bëhet, por nga ana tjetër ai duhet bërë zap, për të mos na rrezikuar votën. Ai duhet të jetë besnik dhe të mos lehë kundër drejtuesve të vet. Sepse kjo botë ka ca rregulla që e mbajnë ekujlibrin. Ky popull harbut e injorant duhet mësuar të drejtohet, e jo të na japë mend si ta drejtojmë.

Për të keqen e tij populli ka ca huqe jo të mira. Ai i merr serjozisht ca gjera që ne drejtuesit i themi, kur na e do puna për t’i krehur leshtë. Vërtet që ne e quajtëm SOVRAN, dhe ai që i tillë s’ka qënë kurrë, nuk mund ta kuptojë këtë nder që i bëjmë ne. Ai nanuriset dhe përgjerohet për ne gojëartët, duke goditur ata, gojëhaletë që s’lënë gjë pa thënë kundër nesh. Populli është vërtet sovran, por ama, pas nesh që e drejtojmë. Tani le t’i marrim me radhë punët, kush jemi ne, dhe kush është ky popull, që guxon e na jep mësime.

Deshi rrugë? Rrugë i bëmë. Jo pak, por plot 10.000 km, që është e njejtë si të shtrosh distancën Tiranë –Tokio. Populli i sheh dhe ju gëzohet këtyre rrugëve, por s’do t’ja dijë se pikërisht për to u desh të shisnim gjithë ç’kishte mbi toka e nën toka jonë. Madje as ato nuk mjaftuan, pasi u desh që të fusnim edhe vëndin në borxhin më marramëndës që s’e kishte menduar kurrë.

Deshi kanunin si rregullues të marrdhenieve shoqërore. Është plotësisht i lirë që ta nderojë dhe zbatojë atë sipas qejfit. Por ama të mos ankohet se ja paskemi fajin ne që mijra të rinj e kalokan jetën të ngujuar nëpër kulla. A s’janë ata trashëgimtarët më besnikë të së shkuarës sonë?

Deshi shkolla? Gjithandej vumë mësues trapërit tanë, që s’u lodhën duke ju folur fëmijve, për meritat tona. Kusarët i bëmë drejtorë shkollash, kurse kriminelët mësues anatomie. Biznesmenët e morën vet përsipër dhenien e lëndës së matematikës. Kaq të hapura s’kanë qënë kurrë dijet tona të çdo fushe. Mësuesit tanë janë njerëz praktik. Aty ku është e domosdoshme teoria, ne gjetëm ndonjë të përndjekur që na beson akoma duke u zvarritur pas nesh. Askush nuk mund ta japë më mirë lëndën e historisë dhe letërsisë, se sa ata. Fëmijët tanë duhet t’i dinë të gjitha gjërat që i kanë punuar diktatorët këtij vëndi e këtij populli, ndryshe s’ka si t’ja dinë vlerën demonkracisë. Sepse nuk ishte budalla Enveri që neve drejtuesve të sotëm të shtetit, na vinte në rresht si bagëtitë dhe na nxirrte tribunave që të brohorisnim e çirreshim për të. Tani është radha jonë, që brezi i ri të na e kthejë këtë borxh. Ndaj këta fakirë duan s’duan do dalin në sheshe e të çirren për ne. Sepse ne jemi ndryshe nga Enveri. Ne jemi demonkratë që fëmijën qysh pa dalë nga barku i nënës, e fusim në rresht ta hedhë votën për ne. Të tjerët, ata që kanë ca vite që e kanë parë dritën e diellit as i diskutojmë fare. Le të vijnë të votojnë edhe gjashtëmbëdhjetvjeçarët, edhe dhjetvjeçarët. Pse jo edhe ata me bibelino bythëve?.

Ne e bëmë njeriun e të pavdekshëm. Shihini listat tona të votuesve, sa emra do gjeni nga njerëzit që i kanë mbyllë sytë prej vitesh. Se, ata vërtet kanë mbyllë sytë, por jo zemrën e cila rrahu deri në sekondën e fundit, për ne.

Dikush do i quaj lehje qensh sukseset tona. Le t’i quaj si të dojë, pas 23 qershorit ne nuk do lehim më dhe ai do ketë rastin të ndjejë kafshimet e dhëmbëve tanë.

Akoma kemi për të bërë mrekullira, pasi këtë vënd e gjetëm shkretëtirë, pa asnjë uzinë, pa asnjë hidroçentral, pa asnjë minierë. Kemi vetëm ca kështjella ilirësh që na kanë mbetur tek tuk e që do ja u shesim manjakëve të arkelogjisë. Edhe kështjellën e Krujës do e shesim, po të na dalë ndonjë blerës miljarder. Do e shesim jo se kemi nevojë për para, por thjesht për të çuar në vënd amanetin e Skënderbeut që lavdinë e këtij vëndi ta shpërndajmë nëpër gjithë botën.

Të gjitha këto janë punë të mëdha e nuk bëhen me të tundur të gishtit. Ndaj kërkojmë mandatin tjetër të qeverrisjes që ta plotësojmë ëndërrën tonë, duke shitur gjith ç’ka mbetur akoma në këtë vënd. Po do ketë njerëz që prej varfërisë do vazhdojnë të hanë kokat e njeri tjetrit. Mirë t’ju bëhet. Le të vijnë me ne që të pasurohen e të bejnë jetën e njeriut të perëndisë. S’duan. Le të hanë kokat derisa nuk e shohin ku është e mira e tyre.

Ne as ju kemi ndonjë faj dhe as ju kërkojmë ndonjë gjë, veç atë votën, duan s’duan do e hedhin në anën tonë, sepse na e kanë borxh, pasi vetëm ne mendojmë për ta. Do përmbysim malet dhe hapim 250.000 vende pune që të punojnë e të hanë të gjithë të pangopurit, sa t’ju dalë nga hundët. Po do thoni ju ku do hapen këto vende pune? Në hotelet e Argites, Shkëlzenit dhe Lulit. Njerëzit puntorë ngrenë pallate e hotele luksoze në bregdet e në zonat e tjera turistike, e s’merren me fjalë kafenesh siç bën ky popull krahëtharë. Ne ju themi hajdeni të punojmë bashkë: ne si bosa e ju si zvarranikë. S’doni? Punë juaja. Ne do vazhdojmë t’i ngulim kthetrat tona në të gjithë Shqipërinë. Por ama asnjë të drejtë s’keni kur ankoheni se në Shqipëri nuk paska më vënd për shqiptarët, pasi atë e paskan zaptuar lehaqënët dhe banditët. Ne ndjejmë detyrë t’ju vërtetojmë se nuk dimë vetëm të lehim, por edhe… të kafshojmë.

Ndokush edhe do çuditet se ku u gjetën kaq shumë të papunë në këtë vënd, kur shifrat e INSTAT raportojnë vetëm 120.000 të papunë? Mos u ngatëroni me shifra se ato janë për të huajt që patjetër duan ca shifra. Mirëqënia s’matet me shifra por me buzëqeshje dhe me vota.

Vërtet ka njerëz që e kuptojnë gabimin e tyre fatal të kundërvënies dhe nxitojnë t’i lajnë hesapet me këtë jetë, duke u vërvitur nga katet e katert dhe të pestë të pallateve. Njerëz që nuk i kanë bërë mirë llogaritë, pasi pallatet 4–5 katshe të Enverit janë të ulët dhe shumë nga njerëzit e dëshpëruar, ndodh që të mos vdesin pas fluturimit nga sipër. Ne ndaj i ngritëm pallat 10–15 katësh. Hedhja prej tyre e garanton vdekjen.

Ja kështu janë gjërat. Doni s’doni, do votoni për ne. Popull kot. Popull dembel dhe i pazoti që do kishe vdekur me kohë, po të mos ishim ne. Ç’të duhen ty shifrat o legen popull? Ato i duhen Bodes i cili si gomar që është, ka vënë ulurimën se sirtarit të shtetit i mungoka shuma prej 309 miljard lekë. Kujt i ankohet gomari dhe pikërisht këtë kohë gjeti për t’u ankuar? Sikur nuk e di se fushata pa shpenzime nuk bëhet.

Kohë fushate është dhe gjerat kanë marrë dallgë. Ujrat janë turbulluar, por akoma më mirë do bëhet, pas kullimit. Muli ka marrë urdhër që tropojanëve dhe kuksianëve, t’ju bëjë një eskursion në të gjitha qendrat e votimit të Shqipërisë. Por kemi edhe mercenarët e tjerë që s’na i kanë harruar sherbimet, brenda dhe jashtë vëndit. Për kur i duam po s’na u gjëndën tani?

Edhe në na lënçin në baltë ata, turpin ta kenë për vete, pasi ne i kemi marrë masat që të dalim prap fitimtarë. Për të mirën e kombit këmbëngulim e jo tonën.

Qelitë e burgjeve i kemi plot me kriminelë dhe hajdutë. Ata janë penduar për paudhësitë e tyre dhe janë gati të kontribuojnë për demonkracinë. I dhashë urdhër Halimit dhe Mulit që ta shikojnë ndryshe këtë punë. Derisa ne po mobilizojmë për fushatë gjithë të vdekurit, si mund të lëmë pas dore të gjallët! Ne nuk e kemi të keqen nga të burgosurit hajdut e kriminelë, por nga njerëzit e lirë që e kanë zgjatur llapën shumë e guxojnë të përgojojnë neve për grabitje. Duhet bërë patjetër ndryshimi. Të nxjerrim nga burgjet kriminelët e hajdutët dhe të kthejmë Shqipërinë në një burg të egër për gojëçthururit.

Që të jesh kriminel e hajdut duhet patjetër të jesh njeri me zëmër të fortë. Këta njerëz na duhen neve e jo ata që ju është mërzitur jeta dhe fluturojnë nga katet e sipërm, si të jenë qeska plehrash. Vetëm këta mund ta bëjnë zap këtë popull që ka nisur të cicërijë kundër nesh, se gjoja vodhëm e shkretuam gjithë atdheun. Ta shohim kush e shkretoi atdheun. Ne që sakrifikuam emrin tonë fisnik, duke hedhur mbi vete, të gjithë pasurinë kombëtare, apo këta duartharë që kanë 23 vjet që s’njohin shijen e djersës. Rrinë vetëm kafeneve dhe shajnë shpëtimtarin e tyre.

Fatmirësisht edhe me Greqinë e cila ka pjesën më të madhe të shqiptarëve të denuar, ramë dakort që t’i kthejmë në atdhe. Se, ne nuk jemi hakmarrës. Ata kthehen në atdhe me një thesar të pasur eksperience. Se ç’bënë ata në Greqi, neve s’ka ç’na duhet. Ata janë njerëz që kanë treguar me prova, se ju zien gjaku dhe mezi presin të futen në ndeshjen e madhe. Ne do ju ofrojmë edhe poste e shpërlime për sherbimet e tyre, sepse në ekonominë e tregut, asgjë nuk bëhet vullnetarisht. Ndaj nuk duhet çuditur po u pa ndonjë emër emër prej tyre, në listat e deputetëve.

Ka edhe një problem tjetër tek i cili nuk i ka shkuar mëndja asnjërit. Votimet nuk u lanë rastësisht në 23 qershor. Në pisk të vapës është edhe rreziku i përhapjes së mikrobit të tërbimit, i cili ka kohë që ka hyrë në gjakun në këtij populli. Ai është aleat yni dhe ne do e fusim në punë. Me këtë rast do i lajmë hesapet me të gjithë kundërshtarët tanë që na hapën kaq telashe këto muaj me ndërkombëtarët. 23 qershori do jetë një pastrim gjeneral i popullatës dhe për ta frenuar përhapjen e mikrobit të tërbimit edhe në radhët tona, do fillojmë dizifektimin total me solucjonin çudibërës: democraticus berishoviq.

Ndaj u lëshua direktiva, që të gjithë të burgosurit me akuza nga më të rëndat, të fitojnë lirinë. Ata nuk janë më të rrezikshëm nga ky popull pa dinjitet. Ndeshjen do e bëjmë që të habitet edhe djaalli vet. Ne jemi në krahun e guximtarëve. Dhe të shohim se kush do e fitojë. Sigurisht që një ditë edhe ne do ikim si të shumtit, por ka ikje dhe ikje. Ne do ikim si fitimtarë, kur të na dojë qejfi neve e jo kur t’i shkrepet këtij populli pa dinjitet, që ne e bëmë t’i dëgjohet emri në botë.

Me ne është gjithë bota përparimtare që nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Me ne është kryepapa dhe kryehoxha. Me ne janë të dymbëdhjetë perënditë e Olimpit, ndaj nuk na bëhet vonë pse s’do të na kuptojë populli ynë i cili akoma s’njeh veten e jo të na njohë neve. Atij do i japim një mësim që të mos e harrojë, derisa ne të jemi gjallë. Të mos guxojë të llapë pa le të ngrihet e të bëjë ndonjë protestë.

Përpara mercenarët e mi të lavdishëm, për të arritur fitoren tonë më historike!