Home » ANALISTE TE FTUAR » FADIL LEPAJA: “I DASHUR ARMIK”


FADIL LEPAJA: “I DASHUR ARMIK”


Boris Taqiç, bëri blasfemi, me të cilën i shokoi serbët e Kosovës. Së paku pjesën militante të tyre. Ai tha se Kosova nuk është zemra e Serbisë. E merreni me mend, se kjo deklaratë anatomiko/politike shkaktoi tërë atë pezm në kokat mesjetare të disa liderëve lokalë serb.

Cili është problemi? Problemi më i madh nuk duket të jetë kjo deklaratë, por problematik paraqitet fakti se Serbia ka mbetë pa zemër. Opinioni serb i cili është mësuar me përdorimin e anatomisë në politikë, tashmë nuk do të cuditej nëse në këtë relacion dashurie të njëanshme përpos zemrës dhe veshkëve të shumëpërfolura futej edhe ndonjë organ tjetër. Nëse përmenden rreth 40000 dhunime të kryera gjatë luftës në Kosovë, kjo tezë e luftës me organe, do të kompletohej mbase. 
Sidoqoftë politika e ruajtjes me çdo kusht të kolonive, po e sjell Serbinë në një situatë kur ajo nuk po mundet të meret me vetveten dhe me problemet e saja reale. Ka mbetë peng e historisë. Po i mban peng edhe fqinjët! Kështu po mban të mbyllur perspektivën e sajë euro-atlantike.

Por, në mënyrë paradoksale, peng jemi edhe ne. Duke u marrë me armikun historik nuk po arrijmë të merremi me armiqtë realë të së ardhmes tonë siç janë krimi i organizuar dhe varfëria e skajshme e pjesës më të madhe të qytetarëve. Ndërkohë klasa jonë politike mbahet në pushtet me anti serbizëm apo me gadishmërinë për me nënshkrue, e jo duke zgjidhur problemet reale të qytetarëve.

Pra, liderët lokal serbë u shokuan me deklaratën e ish-presidentit Tadiq, ndërkohë që ne jo. Armiqtë, për të cilët flasim dhe të cilët na mbajnë peng në një luftë mediale të cilës nuk i shihet fundi, na duhen veç për të arsyetuar çdo dështim tonin.

Nga ana e vet, prania ndërkombëtare, fatmirësisht po e pengon luftën reale, nga e cila përfituan më së shumti pikrisht liderët e barikaduar në dy anët e barrikadave.
 Në rrugën tonë europiane, armiqtë historik nuk janë të domosdoshëm. As këngët për Evropën plakë. Por qytetarët, megjithëse ende turbull, kanë filluar të shohin këtë grackë dhe nuk po pranojnë të jenë peng më. Nuk po pranojnë të merren me armiqtë e trashëguar.

Kur jemi te armiqtë e trashëguar, ja një ndodhi. Para pak ditësh në ekranin e kompjuterit tim titëroi një kërkesë për miqësi, prej dikujt emri i të cilit nuk më kujtonte një person konkret! Nga shënimet elementare e kuptova të ishte një serb nga Bosnja dhe Hercegovina. Duke qenë se pjesën më të madhe të burgut e kisha kaluar pikrisht në këtë vend të parahatuar, ma mori mendja të jetë ndonjë ish- i burgosur i cili do të ketë hasur emrin tim në rrjet. Rrugët virtule janë të cuditshme!
 Doli të ketë qenë një ish-gardian burgu. Në vitet e tetëdhjeta, ai ishte një djalë i ri, pak a shumë me moshën time, dhe mbante me krenari uniformën e shtetit të cilin unë e luftoja dhe për të cilat shkaqe edhe ndodhesha në burg. Gardiani i quajtur Branko, asokohe ishte edhe udhëheqës i partisë ( Lidhjes komuniste) për celulën e burgut dhe nuk arrinte të kuptonte se si dikush mund të ishte kundër vëllazërim-bashkimit të kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë. Lufta jonë për liri quhej luftë kundër vëllazërimit dhe bashkimit! Kështu e kishte bindur maqineria e propagandës. Asokohe, Bosnja jetonte në gënjeshtrën e quajtur vëllazërim-bashkim, më shumë se kushdo asokohe në Jugosllavi. Mbi një milion qytetarë jetonin në martesa të përziera dhe as që arrinin të imagjinonin atë që atje do të ndodhte tërë ajo kasaphëne vetëm pas disa vitesh. 
Ky, Branko, më vonë paska qenë pjesmarrës në luftë, kuptohet në anën serbe, duke thënë se këtë nuk e ka zgjedhë ai, por është imponuar qysh me fillimin e konfliktit. Kuptohej, ai ishte serb, të tjerët ishin armiqtë e tijë! Tash pas lufte, ai qenka shpërngulë në… internet. E paska hapur një linjë biznesi me reklamat në internet.

Folëm, derisa u “çmallëm”. Derisa po fliste për ngjarjet, në fakt bisedat e para 25 viteve nga të cilat ai kujtonte edhe detaje të cilat unë i kisha haruar krejt, se si m’u komponua me këtë ndiesi titulli i famshëm i filmit shqipëtar: “ I dashur armik”! Cka i bënë njerëzit armiq? Ai tani po fliste për shumë gjëra të cilat atëherë në bisedat e shkurtëra nuk ka guxuar të m’i thoshte. Si njeri, ai ishte kundër luftës. Asokohe ai cuditej se si mbi tavolinën time qëndronin njëra pranë tjetrës dy librat e shenjtë, Bilbla dhe Kurani, apo Marksi, Hegeli, Kardeli, Lao Ce, etj.! Cuditej se si i njihja aq mirë ideologët e tijë, dhe prap nuk besoja në ta.

Branko ishte një gardian i ri burgu, i cili besonte në mirësinë e sistemit, e rrjedhimisht edhe në drejtësinë e tij dhe ndihej i hutuar me bindjen time të patundur se shteti i tij, ishte kriminal dhe se si i tillë detyrimisht do të shkatërrohej! Sot, ai është i vetëdijshëm se edhe në vendin e tij dominojnë mafiozët, kryesisht në emër të patriotizmit.

Derisa po e bluaja në kokë fenomenin e armiqve të përjetshëm, po lexoja në media se ish zëvendës-ministri serb Gjorgjeviq ka pranuar krimet e bëra ndaj shqiptarëve në vitin 1999 para gjykatës ndërkombëtare për krimet e luftës, në Hagë ! Ai kishte pohuar se ndihej fajtorë dhe kërkonte falje publike për këto krime. Ai ndihej fajtorë sepse nuk kishte guxuar të kundërshtonte sistemin i cili po kryente krime të rënda ndaj popullatës civile.
”Pendohem që nuk iu kam kundërvënë ministrit. Për këtë ndjehem fajtor… kam pasur rol të caktuar në gjithë këtë dhe mendoj se duhet të dënohem”, ka thënë Gjorgjeviq.

Por kështu nuk mendojnë liderët lokalë serb, mjaft nga ata që, po ashtu, kishin një rol në krejt këtë që ndodhi! Madje as as liderët aktualë shtetërorë të Serbisë të cilët me çdo kusht po përpiqen të ruajnë pozicionet e dominimit në Kosovë dhe Bosnje. Edhe ata kishin një rol në krejt këtë luftë. Sidomos kryeministri aktual dhe presidenti i Serbisë! Por, nuk ndihen fajtorë! Mjafton se nënshkruajnë marrëveshje!

Kështu, derisa, miku im i ri virtual, dhe ish gardiani i cili dikur ruante derën time të burgut, ka dalë prej sistemit dhe ka ikur në internet, politika serbe nuk po arrinë të dalë prej mesjetës.
 Nuk është mision i politikës vetëm të marrë vendime, por edhe të krijojë një vizion qytetërues për popullin e vet. Derisa liderët politik serb dhe shqiptarë po bëjnë pazare larg syve të qytetarëve të dy vendeve, ata kanë dështuar të ofrojnë një vizion qytetrues për qytetarët e të dy vendeve. E kontinenti i vjetër po kërkon vetëm liderë që qesin nënshkrime në marrëveshje kabinetesh, për hirë të karierës së ndonjë zyrtari të lartë, marrëveshje këto të cilat shumë vështirë pranohen në jetën reale.

Kështu, situata është bërë tragjikomike me posterët ku lideret serbë, ne Beograd portretohen në postera me plisa. Në anën tjetër, kryeministri kosovarë portretohet me shajkaqë! Kjo e ka kuptimin se ata kanë tradhëtuar po pujt e tyre. Një komentues i zgjuar në profilin tim në facebook, pyetet jo pa të drejtë: “Nëse në Serbi liderët akuzohen se e kanë shitë Kosovën, e në Kosovë se e kanë shitë veriun”, a thua kush ka blerë këtu dhe çka? “
Kështu ndodhë kur qytetarët nxirren jashtë loje, dhe kur bëhen pazare me liderët e korruptuar dhe të dëgjueshëm! Pastaj, nëpër kafenetë tona politike në jug sërish kërcasin sharkiat dhe në veri “gusllat”, ku përplot emocione u këndohet atentatorëve që e vrasin tradhëtinë! Për vrasje thërrasin edhe klerikët serb në mitingje! Apo ndoshta krejt kjo ishte veq një dilemë filozofike!

Në fakt, ka shumë gjasë që krejt kjo për dikë është biznes. Një biznes në të cili armiqtë shekullorë përfitojnë reciprokisht!
 A mund të thuash se çka është në këtë punë patriotizëm e çka është tradhëti ?