Home » MORALI I KOHES SONE » MURAT ALIAJ: PЁRPARA MERCENARЁT E MI TЁ LAVDISHЁM

MURAT ALIAJ: PЁRPARA MERCENARЁT E MI TЁ LAVDISHЁM

Njeriu që e kalon gjithë jetën me kafshet, është e pamundur t’ju shpëtojë mjaft huqeve kafsherore. Kafshet, sipas llojit të vet kanë huqe të ndryshme. Të mira e të kqija, sipas llojit të kafshës. Varet se cilat do preferojë njeriu prej tyre. Më e zakonta kafshë tek ne, është qëni i cili vërtet që ka të mirë besnikërinë, por ka të padurueshme lehjen. Që të dyja janë të nevojshëme për një politikan. Madje e dyta përbën domosdoshmëri.

Puna është se është hapur një hendek moskuptimi mes nesh që qeverisim dhe popullit i cili në vënd të ankohet për pazotësinë e tij, rri e shan neve që jemi lokomotiva e shoqërisë. Derisa nuk përbënte rrezik lehja e tij, e lamë, por tani jemi në prag të zgjedhjeve dhe radhën për të lehur e kemi ne. Populli i paduruar duhet të paguaj mëkatet e veta dhe mirë t’i bëhet, por nga ana tjetër ai duhet bërë zap, për të mos na rrezikuar votën. Ai duhet të jetë besnik dhe të mos lehë kundër drejtuesve të vet. Sepse kjo botë ka ca rregulla që e mbajnë ekujlibrin. Ky popull harbut e injorant duhet mësuar të drejtohet, e jo të na japë mend si ta drejtojmë.

Për të keqen e tij populli ka ca huqe jo të mira. Ai i merr serjozisht ca gjera që ne drejtuesit i themi, kur na e do puna për t’i krehur leshtë. Vërtet që ne e quajtëm SOVRAN, dhe ai që i tillë s’ka qënë kurrë, nuk mund ta kuptojë këtë nder që i bëjmë ne. Ai nanuriset dhe përgjerohet për ne gojëartët, duke goditur ata, gojëhaletë që s’lënë gjë pa thënë kundër nesh. Populli është vërtet sovran, por ama, pas nesh që e drejtojmë. Tani le t’i marrim me radhë punët, kush jemi ne, dhe kush është ky popull, që guxon e na jep mësime.

Deshi rrugë? Rrugë i bëmë. Jo pak, por plot 10.000 km, që është e njejtë si të shtrosh distancën Tiranë –Tokio. Populli i sheh dhe ju gëzohet këtyre rrugëve, por s’do t’ja dijë se pikërisht për to u desh të shisnim gjithë ç’kishte mbi toka e nën toka jonë. Madje as ato nuk mjaftuan, pasi u desh që të fusnim edhe vëndin në borxhin më marramëndës që s’e kishte menduar kurrë.

Deshi kanunin si rregullues të marrdhenieve shoqërore. Është plotësisht i lirë që ta nderojë dhe zbatojë atë sipas qejfit. Por ama të mos ankohet se ja paskemi fajin ne që mijra të rinj e kalokan jetën të ngujuar nëpër kulla. A s’janë ata trashëgimtarët më besnikë të së shkuarës sonë?

Deshi shkolla? Gjithandej vumë mësues trapërit tanë, që s’u lodhën duke ju folur fëmijve, për meritat tona. Kusarët i bëmë drejtorë shkollash, kurse kriminelët mësues anatomie. Biznesmenët e morën vet përsipër dhenien e lëndës së matematikës. Kaq të hapura s’kanë qënë kurrë dijet tona të çdo fushe. Mësuesit tanë janë njerëz praktik. Aty ku është e domosdoshme teoria, ne gjetëm ndonjë të përndjekur që na beson akoma duke u zvarritur pas nesh. Askush nuk mund ta japë më mirë lëndën e historisë dhe letërsisë, se sa ata. Fëmijët tanë duhet t’i dinë të gjitha gjërat që i kanë punuar diktatorët këtij vëndi e këtij populli, ndryshe s’ka si t’ja dinë vlerën demonkracisë. Sepse nuk ishte budalla Enveri që neve drejtuesve të sotëm të shtetit, na vinte në rresht si bagëtitë dhe na nxirrte tribunave që të brohorisnim e çirreshim për të. Tani është radha jonë, që brezi i ri të na e kthejë këtë borxh. Ndaj këta fakirë duan s’duan do dalin në sheshe e të çirren për ne. Sepse ne jemi ndryshe nga Enveri. Ne jemi demonkratë që fëmijën qysh pa dalë nga barku i nënës, e fusim në rresht ta hedhë votën për ne. Të tjerët, ata që kanë ca vite që e kanë parë dritën e diellit as i diskutojmë fare. Le të vijnë të votojnë edhe gjashtëmbëdhjetvjeçarët, edhe dhjetvjeçarët. Pse jo edhe ata me bibelino bythëve?.

Ne e bëmë njeriun e të pavdekshëm. Shihini listat tona të votuesve, sa emra do gjeni nga njerëzit që i kanë mbyllë sytë prej vitesh. Se, ata vërtet kanë mbyllë sytë, por jo zemrën e cila rrahu deri në sekondën e fundit, për ne.

Dikush do i quaj lehje qensh sukseset tona. Le t’i quaj si të dojë, pas 23 qershorit ne nuk do lehim më dhe ai do ketë rastin të ndjejë kafshimet e dhëmbëve tanë.

Akoma kemi për të bërë mrekullira, pasi këtë vënd e gjetëm shkretëtirë, pa asnjë uzinë, pa asnjë hidroçentral, pa asnjë minierë. Kemi vetëm ca kështjella ilirësh që na kanë mbetur tek tuk e që do ja u shesim manjakëve të arkelogjisë. Edhe kështjellën e Krujës do e shesim, po të na dalë ndonjë blerës miljarder. Do e shesim jo se kemi nevojë për para, por thjesht për të çuar në vënd amanetin e Skënderbeut që lavdinë e këtij vëndi ta shpërndajmë nëpër gjithë botën.

Të gjitha këto janë punë të mëdha e nuk bëhen me të tundur të gishtit. Ndaj kërkojmë mandatin tjetër të qeverrisjes që ta plotësojmë ëndërrën tonë, duke shitur gjith ç’ka mbetur akoma në këtë vënd. Po do ketë njerëz që prej varfërisë do vazhdojnë të hanë kokat e njeri tjetrit. Mirë t’ju bëhet. Le të vijnë me ne që të pasurohen e të bejnë jetën e njeriut të perëndisë. S’duan. Le të hanë kokat derisa nuk e shohin ku është e mira e tyre.

Ne as ju kemi ndonjë faj dhe as ju kërkojmë ndonjë gjë, veç atë votën, duan s’duan do e hedhin në anën tonë, sepse na e kanë borxh, pasi vetëm ne mendojmë për ta. Do përmbysim malet dhe hapim 250.000 vende pune që të punojnë e të hanë të gjithë të pangopurit, sa t’ju dalë nga hundët. Po do thoni ju ku do hapen këto vende pune? Në hotelet e Argites, Shkëlzenit dhe Lulit. Njerëzit puntorë ngrenë pallate e hotele luksoze në bregdet e në zonat e tjera turistike, e s’merren me fjalë kafenesh siç bën ky popull krahëtharë. Ne ju themi hajdeni të punojmë bashkë: ne si bosa e ju si zvarranikë. S’doni? Punë juaja. Ne do vazhdojmë t’i ngulim kthetrat tona në të gjithë Shqipërinë. Por ama asnjë të drejtë s’keni kur ankoheni se në Shqipëri nuk paska më vënd për shqiptarët, pasi atë e paskan zaptuar lehaqënët dhe banditët. Ne ndjejmë detyrë t’ju vërtetojmë se nuk dimë vetëm të lehim, por edhe… të kafshojmë.

Ndokush edhe do çuditet se ku u gjetën kaq shumë të papunë në këtë vënd, kur shifrat e INSTAT raportojnë vetëm 120.000 të papunë? Mos u ngatëroni me shifra se ato janë për të huajt që patjetër duan ca shifra. Mirëqënia s’matet me shifra por me buzëqeshje dhe me vota.

Vërtet ka njerëz që e kuptojnë gabimin e tyre fatal të kundërvënies dhe nxitojnë t’i lajnë hesapet me këtë jetë, duke u vërvitur nga katet e katert dhe të pestë të pallateve. Njerëz që nuk i kanë bërë mirë llogaritë, pasi pallatet 4–5 katshe të Enverit janë të ulët dhe shumë nga njerëzit e dëshpëruar, ndodh që të mos vdesin pas fluturimit nga sipër. Ne ndaj i ngritëm pallat 10–15 katësh. Hedhja prej tyre e garanton vdekjen.

Ja kështu janë gjërat. Doni s’doni, do votoni për ne. Popull kot. Popull dembel dhe i pazoti që do kishe vdekur me kohë, po të mos ishim ne. Ç’të duhen ty shifrat o legen popull? Ato i duhen Bodes i cili si gomar që është, ka vënë ulurimën se sirtarit të shtetit i mungoka shuma prej 309 miljard lekë. Kujt i ankohet gomari dhe pikërisht këtë kohë gjeti për t’u ankuar? Sikur nuk e di se fushata pa shpenzime nuk bëhet.

Kohë fushate është dhe gjerat kanë marrë dallgë. Ujrat janë turbulluar, por akoma më mirë do bëhet, pas kullimit. Muli ka marrë urdhër që tropojanëve dhe kuksianëve, t’ju bëjë një eskursion në të gjitha qendrat e votimit të Shqipërisë. Por kemi edhe mercenarët e tjerë që s’na i kanë harruar sherbimet, brenda dhe jashtë vëndit. Për kur i duam po s’na u gjëndën tani?

Edhe në na lënçin në baltë ata, turpin ta kenë për vete, pasi ne i kemi marrë masat që të dalim prap fitimtarë. Për të mirën e kombit këmbëngulim e jo tonën.

Qelitë e burgjeve i kemi plot me kriminelë dhe hajdutë. Ata janë penduar për paudhësitë e tyre dhe janë gati të kontribuojnë për demonkracinë. I dhashë urdhër Halimit dhe Mulit që ta shikojnë ndryshe këtë punë. Derisa ne po mobilizojmë për fushatë gjithë të vdekurit, si mund të lëmë pas dore të gjallët! Ne nuk e kemi të keqen nga të burgosurit hajdut e kriminelë, por nga njerëzit e lirë që e kanë zgjatur llapën shumë e guxojnë të përgojojnë neve për grabitje. Duhet bërë patjetër ndryshimi. Të nxjerrim nga burgjet kriminelët e hajdutët dhe të kthejmë Shqipërinë në një burg të egër për gojëçthururit.

Që të jesh kriminel e hajdut duhet patjetër të jesh njeri me zëmër të fortë. Këta njerëz na duhen neve e jo ata që ju është mërzitur jeta dhe fluturojnë nga katet e sipërm, si të jenë qeska plehrash. Vetëm këta mund ta bëjnë zap këtë popull që ka nisur të cicërijë kundër nesh, se gjoja vodhëm e shkretuam gjithë atdheun. Ta shohim kush e shkretoi atdheun. Ne që sakrifikuam emrin tonë fisnik, duke hedhur mbi vete, të gjithë pasurinë kombëtare, apo këta duartharë që kanë 23 vjet që s’njohin shijen e djersës. Rrinë vetëm kafeneve dhe shajnë shpëtimtarin e tyre.

Fatmirësisht edhe me Greqinë e cila ka pjesën më të madhe të shqiptarëve të denuar, ramë dakort që t’i kthejmë në atdhe. Se, ne nuk jemi hakmarrës. Ata kthehen në atdhe me një thesar të pasur eksperience. Se ç’bënë ata në Greqi, neve s’ka ç’na duhet. Ata janë njerëz që kanë treguar me prova, se ju zien gjaku dhe mezi presin të futen në ndeshjen e madhe. Ne do ju ofrojmë edhe poste e shpërlime për sherbimet e tyre, sepse në ekonominë e tregut, asgjë nuk bëhet vullnetarisht. Ndaj nuk duhet çuditur po u pa ndonjë emër emër prej tyre, në listat e deputetëve.

Ka edhe një problem tjetër tek i cili nuk i ka shkuar mëndja asnjërit. Votimet nuk u lanë rastësisht në 23 qershor. Në pisk të vapës është edhe rreziku i përhapjes së mikrobit të tërbimit, i cili ka kohë që ka hyrë në gjakun në këtij populli. Ai është aleat yni dhe ne do e fusim në punë. Me këtë rast do i lajmë hesapet me të gjithë kundërshtarët tanë që na hapën kaq telashe këto muaj me ndërkombëtarët. 23 qershori do jetë një pastrim gjeneral i popullatës dhe për ta frenuar përhapjen e mikrobit të tërbimit edhe në radhët tona, do fillojmë dizifektimin total me solucjonin çudibërës: democraticus berishoviq.

Ndaj u lëshua direktiva, që të gjithë të burgosurit me akuza nga më të rëndat, të fitojnë lirinë. Ata nuk janë më të rrezikshëm nga ky popull pa dinjitet. Ndeshjen do e bëjmë që të habitet edhe djaalli vet. Ne jemi në krahun e guximtarëve. Dhe të shohim se kush do e fitojë. Sigurisht që një ditë edhe ne do ikim si të shumtit, por ka ikje dhe ikje. Ne do ikim si fitimtarë, kur të na dojë qejfi neve e jo kur t’i shkrepet këtij populli pa dinjitet, që ne e bëmë t’i dëgjohet emri në botë.

Me ne është gjithë bota përparimtare që nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Me ne është kryepapa dhe kryehoxha. Me ne janë të dymbëdhjetë perënditë e Olimpit, ndaj nuk na bëhet vonë pse s’do të na kuptojë populli ynë i cili akoma s’njeh veten e jo të na njohë neve. Atij do i japim një mësim që të mos e harrojë, derisa ne të jemi gjallë. Të mos guxojë të llapë pa le të ngrihet e të bëjë ndonjë protestë.

Përpara mercenarët e mi të lavdishëm, për të arritur fitoren tonë më historike!

Advertisements

2 thoughts on “MURAT ALIAJ: PЁRPARA MERCENARЁT E MI TЁ LAVDISHЁM

  1. ”Përpara mercenarët e mi të lavdishëm, për të arritur fitoren tonë më historike!…” …Të dy grupet e zjarrit, rreth udhëheqësit legjendar do të vazhdojnë të ulërijnë…po këtë sllogan legjendar… Një gjetje e bukur kjo, Murat…!Një shigjetë e mprehtë për rregjimin…Ndoshta,janë grahmat e fundit të tij…!

  2. Bukur artistikisht ky shkrim por se sakazma dhe ironia ne keto momente historike miku im eshte nje top llastiku qe perplasim ne mure dhe na kethehet ne fytyre e na e skuq lekuren…

Comments are closed.