GRID RROJI: SISTEMI ZGJEDHOR, GRIMCIMI SHOQËROR DHE KOMBËTARIZMI

Një nga dukuritë e konstatuara gjatë kësaj zgjedhor është roli i madh që kanë paritë lokale, grupe kriminale rajonale të cilat kontrollojnë copëza të vogla të Shqipërisë. Këto grupe janë tashmë qartësisht të kristalizuara në mënyrë autonome, dhe kanë krijuar pole pushteti lokal të cilat nuk mund të lihen në hije nga paria e Tiranës. Në gjykimin tim, faktorizimi i mëtejshëm i parive lokale ka ardhur edhe si funksion i sistemit zgjedhor i cili krijon 12 palë zgjedhje në nivel qarku. Pra në çdo qark ka një palë zgjedhje dhe lëvizjet e palëve janë qartësisht të kushtëzuara nga ky realitet. Por a i shërbën ky sistem shqiptarëve dhe aspiratave të tyre kombëtare? Në gjykimin tim jo.

Siç e shpjegon shumë qartë Ledjan Prifti, grimcimi shoqëror është një plagë historike e Shqipërisë nga e cila është e domosdoshme të ndahemi në qoftë se duam të arrijmë një Shqipëri të zhvilluar. Rruga e vetme drejt një Shqipërie moderne është rruga e shtetit komb.

Mirëpo, paria e Tiranës e ka frikë më shumë se çdo gjë tjetër kombëtarizmin sepse ndërtimi i shtetit komb presupozon vendosjen në plan të parë të interesave kombëtare. Duke qenë se interesat kombëtare nuk përkojnë me interesat e ngushta të pasurimit dhe shfrytëzimit të popullit nga paria, kjo e fundit gjatë këtyre 23 vjetëve ka bërë ç’është e mundur për t’a thelluar grimcimin e  shoqërisë me anë të ndasive politike (komunist-i përndjekur), krahinore(gegë-toskë, malokë-fushorë), fetare (mysliman-katolik, katolik-ortodoks,mysliman-ortodoks) por edhe në nivele më të ngushta (mikro) si fisi, familja, qyteti apo rrethi (tropojanë-lebër, korçarë-shkodranë, skraparllinj-bregas etj.). Shenjat e këtij fenomeni gjinden në çdo cep të jetës publike por sidomos në politikën shqiptare. Grimcimi ekstrem u ka shërbyer palëve për të garantuar besnikërinë brenda llojit, për të zaptuar shtetin me anë të klaneve përkatëse por edhe për të mbajtur larg frymën kombëtariste e cila bie ndesh kryekëput me këtë mendësi feudale.

Një faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në forcimin e parive lokale kohët e fundit është forcimi ekonomik i këtyre klaneve  me anë të vjedhjes së pasurisë publike dhe shfrytëzimit të burimeve lokale për pasurim të familjes, klanit dhe grupit kriminal. Kjo i ka bërë jo vetëm më të pavarur ekonomikisht nga paritë qendrore por edhe ka ravijëzuar qartë se ku janë kufijtë e besnikërisë. Favoret ekonomike, bizneset e përbashkëta dhe “kontrolli i vathës së vet” janë objektivat primare të parive lokale. Pra, lidhjet midis parisë lokale dhe asaj qëndrore nuk janë më ideologjike, por varen nga raporte më të ngushta interesi. Kësisoj, paria lokale nuk ndjen më detyrimin e varësisë ndaj parisë së Tiranës, por e quan veten bashkëpazarxhie e saj në nivel lokal.

Çdo e mirë publike duhet të ndahet tashmë duke patur parasysh interesat e këtyre klaneve të cilat ndonëse jo të shpërndarë në shkallë kombëtare u krijojnë probleme të mëdha palëve në nivel lokal.  Paradoksalisht, paria e Tiranës e gjen veten në kontroll të një aparati partiak në rang vendi i cili është vetëm nominal. Pushteti i saj mbi paritë është zvogëluar ndjeshëm dhe roli i parive lokale është tashmë vendimtar.

Ndaj kryetarë të bashkive, komunave, apo përfaqësues të tjerë të klaneve lokale kanë zënë vend të konsiderueshëm në listat e partive. Madje, kur nuk u janë plotësuar të gjitha kërkesat ata nuk kanë ngurruar të bëjnë kapërcime pindarike duke kandiduar për parti të krahut të kundërt.

Për shembull, kalimi i “tre tradhëtarëve të Ramës” në listat e PD-së, kapërcimi në momentet e fundit i Agron Dukës tek PR-ja, por edhe pakënaqësitë e brendshme të cilat rezultuan në kandidmin e Arben Malajt si i pavarur apo poshtërimin publik të Jozefina Topallit janë tipike të kësaj dukurie. Pra, duke u përpjekur të grimcojë shoqërinë shqiptare, paria përfundon duke grimcuar edhe vetveten.

Po cili është ndikimi i sistemit zgjedhor në grimcimin e shoqërisë? Ky sistem u krijua nga dyshja e bajlozëve Berisha-Rama për të shfaktorizuar apo pakësuar ndikimin e të gjitha grupeve të vogla por edhe për të parandaluar daljen në lojë të forcave të reja sidomos atyre me profil kombëtarist. Mirëpo, të bindur tek pushteti i tyre absolut i brendshëm ata nuk i bënë mirë llogaritë. Pas eksperiencës së parë më 2009ën kur kontrolli i bajlozëve dukej tërësor, paritë lokale e kuptuan se sistemi ishte për ta një mundësi e madhe për të përfituar. Kësisoj, me afrimin e këtyre zgjedhjeve grupet lokale tashmë të forcuara së tepërmi ekonomikisht dhe të sigurtë në feudin e tyre lokal kërkuan haraç. Paria e Tiranës u detyrua të bindet. Në secilin qark paritë lokale kanë vendet e tyre të sigurta dhe janë tashmë të mirëpërfaqësuara.

Dëshiroj të evidentoj dy shembuj, Shkodrën dhe Beratin. Në Berat, një qark tradicionalisht i majtë PD-ja kandidon Astrit Veliajn, bosin kuçovar të universitetit UFO ( si edhe xhaxhai i Erion Velisë) por edhe Lefter Maliqin, ish kryebashkiakun mafjoz LSI-st të komunës Otllak, i cili ka qenë këto  katër vjet deputet i PD-së. Në Shkodër PS-ja ka një listë ku spikatin në vende të sigurtë bosë lokalë të krimit si Tomë Doshi, Paulin Sterkaj ( i cili në 2009 kandidonte për PD-në pasi kish kandiduar për PS-në e Nanos në 2005-ën),  dhe ndërtuesin Sait Fishta, ndërsa  LSI-ja kandidon ish bodigardin e Nanos Agron Çela.

Në të dyja qarqet e sipërcituara ndikimi i parive lokale do të jetë i dallueshëm dhe nuk duhet të çuditemi nëse Maliqi( i treti i PD-së në Berat), Çela (i pari i LSI-së në Shkodër) apo edhe Fishta (i pesti i PS-së në Shkodër), të cilët radhiten në pozicione teorikisht të vështira për fitore të hyjnë në parlament.  Por fitorja e tyre nuk do t’i detyrohet ideologjisë apo partisë që i kandidon por ndikimit që ata kanë dhe do ushtrojnë në zonën e tyre. Pra ata do të mbrojnë interesat lokale që u mundësojnë zgjedhjen dhe jo linjën qëndrore të partisë së tyre.

Si përfundim, sistemi zgjedhor i tanishëm është i dëmshëm në dy aspekte. Së pari, ky lloj sistemi që favorizon grimcimin dhe përçarjen e shqiptarëve në grupe, klane, familje dhe kartele të cilat veprojnë kryekëput në kundërshtim me ndërtimin e shtetit komb. Një shtet komb i konsoliduar do t’ua hiqte atyre mundësinë për të sunduar dhe do krijonte kohezion gjithëkombëtar.

Ndaj edhe në këto zgjedhje populli nuk do ketë zgjedhje mes kandidatësh por mes anëtarësh të karteleve kriminale të qendrës apo të periferisë, objektivi i të cilëve nuk është interesit kombëtar apo ndërtimi i shtetit komb. Sistemi zgjedhor i ndërtuar me kujdes nga paria e Tiranës i shërben më së miri interesave të saj jo kombëtare. Edhe pse e kushtëzuar nga klanet lokale paria bën kujdes të mos lejojë ideologji alternative dhe t’ja mbyllë shtigjet kombëtarizmit. Mirëpo, rruga drejt kombëtarizmit është e pandalshme dhe e paevitueshme.

Palët e parisë ndoshta ja kanë arritur t’a zvogëlojnë ndikimin e kombëtarizmit edhe gjatë këtyre zgjedhjeve me mënyra të ndryshme, përfshi grimcimin e shoqërisë dhe një sistem zgjedhor që nuk lejon forcat e reja. Mirëpo, ato i kanë bërë llogaritë gabim. Dështimet eventuale të ndonjë  drejtuesi të AK-së nuk e zhbëjnë dot suksesin e saj ideologjik. Tashmë është e qartë se përtej individëve të përfshirë ka një frymë të gjerë rinore kombëtariste e cila është mbrujtur në struktura organizative.  Struktura kombëtariste e frikëson parinë dhe larot e saj kozmopolitë për shkak se është e lidhur ideologjikisht dhe është kësisoj e pakooptueshme dhe e pakorruptueshme. Dalja në lojë e këtij brezi të ri kombëtarist megjithë sistemin zgjedhor që penalizon forcat e reja është këmbanë alarmi për parinë dhe rreze shprese për popullin. Tentativat e parisë për t’a grimcuar shoqërinë shqiptare duket se do të dështojnë në afatin e gjatë. Ndryshe nga sa mund të duket sot asgjë nuk ka përfunduar. Kombëtarizmi është frymë e pandalshme dhe rrugë e paevitueshme.

Advertisements

ËSHTË CËSHTJE KOHE: KOMBËTARIZMI SI FAKTOR I PASHMANGSHËM NË POLITIKËN SHQIPTARE

Në një shkrim të një miku dhe kolegu që doli dje në blogun Rrethi i Ferrit vura re shumë nota trishtimi dhe pesimizmi lidhur me rrugën që po merret nga shqiptarët dhe lidhje me fatin e nacionalizmit në politikën shqiptare. Për të, si dhe për shumë të tjerë, mënjanimi i shpejtë politik, shkrirja e strukturave të AKZ, është një moment krize të thellë morale, identiteti dhe vlerash. Dukshëm, AKZ dhe nacionalizmi politik shqiptar ndodhet nën një sulm të fortë nga ana e parisë së Tiranës. Braktisja sistematike dhe e organizuar e strukturës nga njerëzit dhe drejtues qëndrorë e lokalë synonte thyerjen e plotë të kauzës kombëtariste.

Duhet thënë se pragmatizmi dhe përdorimi afatshkurtër i një ideologjie që ofron vetëm zgjidhje të mundimshme dhe afatgjata nga ana e vetë drejtuesve të AKZ përbën një problem të madh politik. Kësaj nuk i ka ndihmuar karikaturizimi i ideologjisë, dhe i strukturave në media. Ashtu si nuk i ka ndihmuar populizmi dhe përqafimi i sjelljeve që në politikë sjellin vetëm shqetësime që nuk i shërbejnë askujt. Kombëtarizmi është një ideologji serioze dhe duhet marrë seriozisht.

Për kolegun në fjalë, në mos tjetër, kjo që ndodhi me AKZ është edhe rënia e nacionalizmit politik shqiptar. Mendoj se një pozicion i tillë është i gabuar. Për ta thënë në mënyrë figurative, paria e Tiranës ia arriti të shmangte efektet e nacionalizmit politik ashtu si ai që ka ndërtuar një kështjellë rëre shtrihet midis detit e asaj dhe e shpëton. Mirëpo, edhe në se e shpëton gjithë ditën kur të vijë zbatica, nuk e mbron dot krijesën e vet. Pra,  kjo shmangje e nacionalizmit politik, që gjithsesi përbën një sukse të madh për parinë, është e përkohëshme. Krijimi i një gjendjeje të re, do ta rrezikojë e do ta prishë kështjellën e rërës. Në këtë pikë, thirrja e kolegut për të vazhduar punën është e lavdërueshme, logjike, dhe zgjidhja më e drejtë.

Nuk është koha me analizue sjelljen politike të individëve dhe të strukturave që janë bartës formalë të cështjes së nacionalizmit politik në politikën shqiptare dhe në këto zgjedhje. Mendoj se gabimi themelor që bën kolegu është se e lidh fatin e të ardhmen e ideologjisë kombëtariste me një parti politike dhe me individët që janë në krye të strukturave. Mirëpo, rënia e individëve dhe e strukturave të tilla nuk përkthehet në rënie apo dështim të ideologjisë dhe të zgjidhjeve që ajo ofron, sepse në realitet janë beteja në nje luftë që vazhdon e që nuk ka mbaruar. Individët vijnë e shkojnë por interesat, vlerat dhe identiteti mbeten.

Ideologjitë politike janë shumë më të mëdha se individët që i bartin ato në politikë. Ka pasur shumë parti nacionaliste, politikanë që kanë qënë e janë nacionalistë edhe në Tiranë. Mirëpo fati i tyre politik, ka qënë i hidhur. Ose janë thyer nga paria, ose janë sulmuar deri në fund e janë diskredituar, ose janë detyruar të mërgojnë. Ka nga ata që nuk janë pranuar nga shqiptarët për arsye të ndryshme, ndër të cilat edhe paraqitja e nacionalizmit politik si një aventurë apo si një mjet politik i përdorur nga horrat, të cilët ne i kemi me shumicë. Por, shpesh, arsyeja më kryesore ka qënë paqartësia e duhur ideologjike, aftësia për me ofrue zgjidhje realiste në interes të grupit dhe të individëve, në kushtet ku jemi gjendur. Edhe këtë herë, problemi  problemi ka qënë pak a shumë i ngjashëm. Mirëpo ajo që ka ndryshuar është gjendja, dhe mbi të gjitha, mendësia e brezit të ri.

Duke e parë me sy të ftohtë atë që ka ndodhur e që ndodh në lidhje me AKZ mund të thuhet me qetësi se nuk u ndërtuan struktura politike, që funksiononin në bazë të një ideologjie të qartë. Një strukturë politike është e suksesshme, edhe kur ndjek një individ karizmatik, por qe nuk ka asnjë ideologji përvec interesit personal dhe të klaneve që përfaqëson, si në PD. Së dyti, një strukturë është e suksesshme në politikë kur njerëzit iu janë besnikë strukturave, sic ndodh me PS. Nuk ka rëndësi kush është në krye të PS-së, sepse njerëzit do të votojnë strukturën. Mirëpo një parti ideologjike nuk mund të identifikohet me individë të vecantë sepse ideologjia nuk i përket një njeriu. Prandaj gabimi kryesor që ndodhi është se duke ndjekur metodën e”rrotës së qerres” një individ nuk mund të jetë boshti ku mbahet struktura. Ideologjia duhet të jetë boshti. Rënia dhe ngritja e një njeriu, mund ta influencojë, por nuk mund ta ndrrojë themelin ideologjik të strukturës.

Ideologjia kombëtariste buron në mënyrë të pashmangshme nga katër ekzigjenca të cdo shoqërie normale e të cdo shteti normal. Këto faktorë, jo vetëm e stimulojnë lindjen e kombëtarizmit, ato e bëjnë atë të pashmangshëm, të nevojshëm, dhe shumë të dobishëm për jetën shoqërore. Nevoja e parë është nevoja e jetesës në një shoqëri të moralshme. Njerëzit dhe shoqëritë duan të jetojnë në një shoqëri që mbron të mirën e që lufton të keqen. Nevoja e dytë është nevoja e pashmangshme e individit që të ketë identitet të qartë, të jetë vetvetja. Një identitet i tillë fitohet vetëm në një grup që edhe të shtërngon edhe të mundëson jetesën me dinjitet, me siguri dhe si i barabartë me të gjithë pjestarët e grupit. Nevoja e tretë vjen nga shteti. Shteti ka nevojë për besnikërinë e pakushte të qytetarëve ndaj tij. Për të arritur këtë, duhet që jo vetëm shteti por edhe qytetarët ta shohin kombin si formën e natyrshme të organizimit shoqëror, pra, shteti e sheh kombin si formën më të mirë shoqërore, dhe kombi e sheh shtet-kombin si strukturën me efikase politike për të arritur të mirën shoqërore. Së katërti, nevoja e kombetarizmit lind nga politika e madhe që i sheh njerëzit dhe shoqëritë të organizuara në grupe. Sa më të forta e sa më kohezive të jenë grupet, aq më e mundshme është mbijetesa e tyre dhe mundësia për të pasur siguri, mirëqënie, begatim, paqe shoqërore, dhe shmangje të luftës e të përplasjes midis individëve brenda grupit, por edhe me grupet e tjera ne nivelin e marredhenieve nderkombetare.

Në vend të përfundimit duhet thënë se pavarësisht dallimeve, pajtohem me bindjen e tij se kjo masë e madhe e të rinjve që tashmë janë ndarë me sistemin e parisë, që duan një shtet-komb normal e modern, nuk duhet të zhgënjehet, nuk duhet të braktiset, dhe nuk duhet lënë që të manipulohet nga segmentet e parisë. Nacionalizmi shqiptar do të mbijetojë krizën e AKZ dhe të strukturave të saj, nuk ka asnjë dyshim. Sepse thënë figurativisht, edhe anija, edhe trapi bëhen me dru. Mirëpo mënyra se si ndërtohen, e për cka shërbejnë, përcakton edhe mundësitë që kanë, si dhe sa larg munden me shkue.  Prandaj, ndryshe nga kolegu, mendoj se është vetëm ceshtje kohe para se kombëtarizmi të rikthehet fuqishëm në politikën shqiptare si zgjidhja e vetme dhe logjike e daljes nga kriza ku na mban paria e Tiranës.

LEDJAN PRIFTI: BAJRAKTARIZMI POLITIK VS. UNITETI KOMBËTAR

Pas 100 vjetëve shtet jemi ende të detyruar të flasim për politikë antikombëtare, për politikanë që vjedhin sy për sy, vrasin e mashtrojnë ditën për diell vetëm për një qëllim, ate më banalin pushtetin personal e klanor. Politika nuk është antikombëtare vetëm kur shet Shen Naumin apo Detin, apo kur i hap dyert italianëve, jugosllavëve, grekëve, rusëve apo kujtdo që ka pasë apo ka qëllime agresive ndaj Shqipërisë, por edhe kur paria politike shtyp e nënshtron popullin e vet, kur e mban të përçarë, kur vepron kundër unitetit të kombit, nëpërmjet nxitjes së ndasive  krahinore, fisnore apo fetare.
Uniteti i kombit është një koncept që po e mbaj të ndarë nga ‘bashkimi kombëtar’, sepse ky i fundit pavarësisht se është i njëjtë me unitetin kombëtar(unitet=bashkim), nënkupton vetëm bashkimin e trojeve shqiptare. Praktikisht edhe Kushtetuta përdor konceptin ”uniteti i kombit” kur cilëson Presidentin e Republikës si simbol të unitetit kombëtar, ndryshe nga ‘aspirata shekullore për bashkim’ që përdor në një nga nenet, pikërisht  për bashkimin kombëtar.
Me unitet kombëtar nënkuptohet, si në Kushtetutë, tërësia e pandashme, mbikrahinore, mbifisnore, mbifetare, mbidialektore, mbipartiake e shtetasve të Shqipërisë. Kjo tërësi e pandashme buron prej epërsisë që Kushtetuta i njeh identitetit kombëtar ndaj identiteteve nënkombëtare (krahinore, fisnore,fetare, partiake etj).
Për shkak të peshës jetike që ka, bashkimi i trojeve në njëfarë mënyre ka eklipsuar bashkimin tjetër kombëtar, atë të brendshëm ose unitetin kombëtar. Nga kjo përparësi e natyrshme kanë përfituar edhe paritë politike që jo vetëm të mos i kushtojnë rëndësi unitetit kombëtar, por t’i mbivendosen ndasive e përçarjeve dhe t’i përdorin ato për të marrë dhe mbajtur pushtetin. Politika shqiptare vazhdimisht ka qenë përfaqësuese e identiteteve nënkombëtare, duke u bazuar gjithnjë tek besnikeritë krahinore e fetare në dëm të unitetit kombëtar. Në krye të shtetit nuk kemi pasur shqiptarë, por bajraktarë e kumandarë të krahinave shqiptare, që zbrisnin në Tiranë të shoqëruar me soj e sorrollop, që kishin vetëm një meritë; ishin besnikë nga krahinat e origjinave.
Lëvizjet drejt Tiranës na e dëshmojnë më së miri këtë dukuri; në kohën e Zogut, zbrisnin më shumë matjanë e dibranë, në të Hoxhës, gjirokastritë e lebër, në të Salës tropojanë e kuksianë, në të Metës u boshatis Skraprari nga skrapallinjtë që dinin shkrim e këndim. Shteti shqiptar në vend që të udhëhiqej nga uniteti kombëtar dhe nga figura kombëtare, vazhdimisht është udhëhequr nga bajraktarë veriorë e jugorë, që tek besnikeritë krahinore bazonin konceptimin e qeverisjes së shtetit.
Uniteti kombëtar si dukuri moderne e perëndimore, ka zëvendësuar pikërisht besnikëritë e vjetra feudale e fetare të Europës, të cilat ishin themeli i shtetit deri në shek 19. Ndërsa absolutizmi monarkik nisi proçesin e shthurjes së besnikërive lokaliste, ishte triumfi i shtet-kombit ai që i dha dërrmën përfundimtare. Uniteti kombëtar supozon një shtet të përqendruar, por këtë e synonte edhe monarkia absolute, të cilin në shumë shtete e arriti.
Kushdo që do e quante realizim të unitetit kombëtar, shtetin e përqendruar të Hoxhës (të cilin Zogu s’e arriti dot, pasi mbi Mat ishte i rivalizuar) në fakt po i jep merita që Hoxha nuk i kishte, sepse tipologjia e unitetit që u arrit në kohën e tij, ishte identike me unitetin që arrihet nën sundimin e një monarku absolutist. Ai nuk është unitet kombëtar, por unitet i hurit dhe litarit. Në fakt, pikërisht pse ishte i hurit dhe i litarit, zona të ndryshme të Veriut reaguan në formë revanshi ndaj shtetit, sapo pushteti komunist u përmbys.
Revanshi ndaj shtetit, ndaj ligjeve, administratës e intitucioneve të tij është edhe kryefjala e ndryshimeve të pushtetit në Shqipëri; iken njëri me të vetët, vjen tjetri me të vetët e ky zëvendësim revanshist vetëm sa ka thelluar përçarjen e shqiptarëve dhe dobësuar në minimum respektin ndaj institucioneve të shtetit dhe ligjeve të tij.
Ka të paktën që me Zogun që kjo është mënyra e bërit politikë dhe e të qeverisurit të shtetit. Mbështetësit e tij duan ta quajnë konsoliduesin e shtetit, por në të vërtetë nëse konsolidoi ndonjë gjë, ajo është pikërisht politika e bajraktarizmit, besnikërive krahinore, zëvendësimin revanshist e një sërë dukurish të tjera antikombëtare, që mbajnë larg çdo formë të mirëfilltë të unitetit kombëtar. Shteti shqiptar nuk ka arritur ende të çlirohet prej asaj politike të konsoliduar, sepse paritë zëvendësuese e panë si tepër efikase.Sot, në shek 21 ndërsa bota shkon drejt globalizmit, Shqipëria ruan fort besnikëritë lokale të shekujve të kaluar. Listat e deputetëve ku gjithnjë e më tepër shohim biznesmenë që kanë fuqi në krahinat e tyre, fuqi sipas modelit shqiptar të krahinarizmit e jo sipas modelit perëndimor të përgjegjësive qytetare, dëshmojnë për një fazë të mëtejshme atomizimi thuajsefeudal. Vendin e ‘patriotëve’ krahinorë të kryetarit të partisë dalëngadalë po e zë mizëria e sejmenëve të bejlerëve të rinj. Nuk duket të ketë me fise të mëdha shqiptare besnike të Liderit, por një kontroll  të pushtetit nëpërmjet besnikërisë së banditëve krahinorë nga i gjithë vendi, te cilet i gjejme nën petkun e hijshëm e modern të biznesmenit.

Këta feudalë të vegjël anembanë vendit, krijojnë hierarkinë e re feudale, nëpërmjet piramidës së vasalitetit, që në krye sheh Berishën, Ramën e Metën. Duket se interesin më të madh në këtë thellim të mendësisë feudale e ka Rama, pasi si Berisha e si Meta, kanë shumë njerez prej krahinave ‘të tyre’ nga prapa, të cilët vazhdojnë t’i vendosin në çdo qelizë të shtetit, polici, ushtri e Shish përfshirë. Emblematike e këtij interesi të madh është mbështetja politike që Edi Rama i dha kryetarit të bashkisë së Kavajës.

Reagimi qytetar ndaj kësaj zhytje në feudalizëm të thellë të konceptimit të politikës, shtetit e pushtetit, deri tani eshte thuajse zero. Ky regres në politikë nuk duket t’i shqetësojë shumë qytetarët shqiptare, ata të shtresës së mesme, të cilët përsa kohë që kanë dyqanin e tyre e lidhjet e duhura me politikën që i garantojnë punën, nuk e vënë uji në zjarr për të ardhmen e vendit. Kjo është trishtuese deri në dëshpërim, sepse as demokracia e as progresi nuk mund të konceptohen dot pa një shtresë të mesme aktive dhe përgjegjëse. As uniteti kombëtar nuk mund të kuptohet pa veprën unifikuese të kësaj shtrese.
Historia e thërret, a do të përgjigjet vallë ?