Home » ANALIZA » ËSHTË CËSHTJE KOHE: KOMBËTARIZMI SI FAKTOR I PASHMANGSHËM NË POLITIKËN SHQIPTARE

ËSHTË CËSHTJE KOHE: KOMBËTARIZMI SI FAKTOR I PASHMANGSHËM NË POLITIKËN SHQIPTARE

Në një shkrim të një miku dhe kolegu që doli dje në blogun Rrethi i Ferrit vura re shumë nota trishtimi dhe pesimizmi lidhur me rrugën që po merret nga shqiptarët dhe lidhje me fatin e nacionalizmit në politikën shqiptare. Për të, si dhe për shumë të tjerë, mënjanimi i shpejtë politik, shkrirja e strukturave të AKZ, është një moment krize të thellë morale, identiteti dhe vlerash. Dukshëm, AKZ dhe nacionalizmi politik shqiptar ndodhet nën një sulm të fortë nga ana e parisë së Tiranës. Braktisja sistematike dhe e organizuar e strukturës nga njerëzit dhe drejtues qëndrorë e lokalë synonte thyerjen e plotë të kauzës kombëtariste.

Duhet thënë se pragmatizmi dhe përdorimi afatshkurtër i një ideologjie që ofron vetëm zgjidhje të mundimshme dhe afatgjata nga ana e vetë drejtuesve të AKZ përbën një problem të madh politik. Kësaj nuk i ka ndihmuar karikaturizimi i ideologjisë, dhe i strukturave në media. Ashtu si nuk i ka ndihmuar populizmi dhe përqafimi i sjelljeve që në politikë sjellin vetëm shqetësime që nuk i shërbejnë askujt. Kombëtarizmi është një ideologji serioze dhe duhet marrë seriozisht.

Për kolegun në fjalë, në mos tjetër, kjo që ndodhi me AKZ është edhe rënia e nacionalizmit politik shqiptar. Mendoj se një pozicion i tillë është i gabuar. Për ta thënë në mënyrë figurative, paria e Tiranës ia arriti të shmangte efektet e nacionalizmit politik ashtu si ai që ka ndërtuar një kështjellë rëre shtrihet midis detit e asaj dhe e shpëton. Mirëpo, edhe në se e shpëton gjithë ditën kur të vijë zbatica, nuk e mbron dot krijesën e vet. Pra,  kjo shmangje e nacionalizmit politik, që gjithsesi përbën një sukse të madh për parinë, është e përkohëshme. Krijimi i një gjendjeje të re, do ta rrezikojë e do ta prishë kështjellën e rërës. Në këtë pikë, thirrja e kolegut për të vazhduar punën është e lavdërueshme, logjike, dhe zgjidhja më e drejtë.

Nuk është koha me analizue sjelljen politike të individëve dhe të strukturave që janë bartës formalë të cështjes së nacionalizmit politik në politikën shqiptare dhe në këto zgjedhje. Mendoj se gabimi themelor që bën kolegu është se e lidh fatin e të ardhmen e ideologjisë kombëtariste me një parti politike dhe me individët që janë në krye të strukturave. Mirëpo, rënia e individëve dhe e strukturave të tilla nuk përkthehet në rënie apo dështim të ideologjisë dhe të zgjidhjeve që ajo ofron, sepse në realitet janë beteja në nje luftë që vazhdon e që nuk ka mbaruar. Individët vijnë e shkojnë por interesat, vlerat dhe identiteti mbeten.

Ideologjitë politike janë shumë më të mëdha se individët që i bartin ato në politikë. Ka pasur shumë parti nacionaliste, politikanë që kanë qënë e janë nacionalistë edhe në Tiranë. Mirëpo fati i tyre politik, ka qënë i hidhur. Ose janë thyer nga paria, ose janë sulmuar deri në fund e janë diskredituar, ose janë detyruar të mërgojnë. Ka nga ata që nuk janë pranuar nga shqiptarët për arsye të ndryshme, ndër të cilat edhe paraqitja e nacionalizmit politik si një aventurë apo si një mjet politik i përdorur nga horrat, të cilët ne i kemi me shumicë. Por, shpesh, arsyeja më kryesore ka qënë paqartësia e duhur ideologjike, aftësia për me ofrue zgjidhje realiste në interes të grupit dhe të individëve, në kushtet ku jemi gjendur. Edhe këtë herë, problemi  problemi ka qënë pak a shumë i ngjashëm. Mirëpo ajo që ka ndryshuar është gjendja, dhe mbi të gjitha, mendësia e brezit të ri.

Duke e parë me sy të ftohtë atë që ka ndodhur e që ndodh në lidhje me AKZ mund të thuhet me qetësi se nuk u ndërtuan struktura politike, që funksiononin në bazë të një ideologjie të qartë. Një strukturë politike është e suksesshme, edhe kur ndjek një individ karizmatik, por qe nuk ka asnjë ideologji përvec interesit personal dhe të klaneve që përfaqëson, si në PD. Së dyti, një strukturë është e suksesshme në politikë kur njerëzit iu janë besnikë strukturave, sic ndodh me PS. Nuk ka rëndësi kush është në krye të PS-së, sepse njerëzit do të votojnë strukturën. Mirëpo një parti ideologjike nuk mund të identifikohet me individë të vecantë sepse ideologjia nuk i përket një njeriu. Prandaj gabimi kryesor që ndodhi është se duke ndjekur metodën e”rrotës së qerres” një individ nuk mund të jetë boshti ku mbahet struktura. Ideologjia duhet të jetë boshti. Rënia dhe ngritja e një njeriu, mund ta influencojë, por nuk mund ta ndrrojë themelin ideologjik të strukturës.

Ideologjia kombëtariste buron në mënyrë të pashmangshme nga katër ekzigjenca të cdo shoqërie normale e të cdo shteti normal. Këto faktorë, jo vetëm e stimulojnë lindjen e kombëtarizmit, ato e bëjnë atë të pashmangshëm, të nevojshëm, dhe shumë të dobishëm për jetën shoqërore. Nevoja e parë është nevoja e jetesës në një shoqëri të moralshme. Njerëzit dhe shoqëritë duan të jetojnë në një shoqëri që mbron të mirën e që lufton të keqen. Nevoja e dytë është nevoja e pashmangshme e individit që të ketë identitet të qartë, të jetë vetvetja. Një identitet i tillë fitohet vetëm në një grup që edhe të shtërngon edhe të mundëson jetesën me dinjitet, me siguri dhe si i barabartë me të gjithë pjestarët e grupit. Nevoja e tretë vjen nga shteti. Shteti ka nevojë për besnikërinë e pakushte të qytetarëve ndaj tij. Për të arritur këtë, duhet që jo vetëm shteti por edhe qytetarët ta shohin kombin si formën e natyrshme të organizimit shoqëror, pra, shteti e sheh kombin si formën më të mirë shoqërore, dhe kombi e sheh shtet-kombin si strukturën me efikase politike për të arritur të mirën shoqërore. Së katërti, nevoja e kombetarizmit lind nga politika e madhe që i sheh njerëzit dhe shoqëritë të organizuara në grupe. Sa më të forta e sa më kohezive të jenë grupet, aq më e mundshme është mbijetesa e tyre dhe mundësia për të pasur siguri, mirëqënie, begatim, paqe shoqërore, dhe shmangje të luftës e të përplasjes midis individëve brenda grupit, por edhe me grupet e tjera ne nivelin e marredhenieve nderkombetare.

Në vend të përfundimit duhet thënë se pavarësisht dallimeve, pajtohem me bindjen e tij se kjo masë e madhe e të rinjve që tashmë janë ndarë me sistemin e parisë, që duan një shtet-komb normal e modern, nuk duhet të zhgënjehet, nuk duhet të braktiset, dhe nuk duhet lënë që të manipulohet nga segmentet e parisë. Nacionalizmi shqiptar do të mbijetojë krizën e AKZ dhe të strukturave të saj, nuk ka asnjë dyshim. Sepse thënë figurativisht, edhe anija, edhe trapi bëhen me dru. Mirëpo mënyra se si ndërtohen, e për cka shërbejnë, përcakton edhe mundësitë që kanë, si dhe sa larg munden me shkue.  Prandaj, ndryshe nga kolegu, mendoj se është vetëm ceshtje kohe para se kombëtarizmi të rikthehet fuqishëm në politikën shqiptare si zgjidhja e vetme dhe logjike e daljes nga kriza ku na mban paria e Tiranës.