Home » ANALISTE TE FTUAR » LEDJAN PRIFTI: MATRAPAZËT E POLITIKËS VIRTUALE DHE TOTALITARIZMI KLIENTOKRATIK

LEDJAN PRIFTI: MATRAPAZËT E POLITIKËS VIRTUALE DHE TOTALITARIZMI KLIENTOKRATIK

Fushata zgjedhore është koha e premtimeve, gjatë së cilës partitë politike ndërtojne deri në imtësi marrëdhëniet e përgjegjësisë, detyrimeve e të drejtave  me votuesit për 4 vjeçarin e ardhshëm. Kjo fushatë zgjedhore, relativisht ndryshe nga të tjerat, po jep shenjat e kthimit të plotë të mallit politik në mall virtual. Tashmë tregu zgjedhor (merkatoja elektorale si e quajnë rëndom) në ndryshim nga herët e tjera, nuk ofron më asnjë mall politik real, i gjithë tregu është mbytur nga malli virtual.

Malli politik real tashmë shitet vetëm në tregun e zi, ku shiten premtime konkrete për vende pune në këmbim të votave apo edhe lekë e thasë mielli. Në të vërtetë tregu politik ka vetëm një mall real, vendin e punës (ose perfitimin personal), gjithë mallrat e tjerë që shiten në fushatë janë krejtësisht virtuale. Askush që ka dy pare mend, nuk beson më se midis partive ka ndonjë dallim real në politikat programore, por kush mundet hyn nëtregun e zi dhe ofron vota në këmbim të vendit të punës, lekëve, premtimeve për evazion të nesërm fiskal, tendera etj.

Sala premton 700 dollarë rrogë për mësuesit, por mësuesit kanë hallin tjetër, më egzistencial, si të ruajnë vendin e punës për 4 vjetët e ardhshme, mundësisht pa paguar ndonjë ‘gjobë’ tjetër disa milionëshe. Rama i ka nxjerrë ujët e zi Rilindjes, po gjithë socialistët e papunë kanë hall si të rilindin ekonomikisht nëpërmjet gjetjes së ndonjë pune. Meta i bie gozhdes së ndryshkur të integrimit europian, po votuesit e tij kanë hall si tëintegrohen në ndonjë punë apo ata që ikën këto muajt e fundit, si të reintegrohen në punet që kishin.

Praktikisht të gjitha palët po shesin nëpër televizione, kinema e sheshe, mallra politike virtuale, të cilat nuk i do më askush, sepse s’besoj se ka ngelur ndokush që beson sinqerisht në çfarë dëgjon prej tyre. Sondazhi i fundit në Oranews, vërtetoi që kjo fushatë është tepër e mërzitshme për shumicën e popullsisë dhe se të interesuarit e vërtetë nuk mund të jenë veçse ata që kanë bërë pazare në tregun e zi dhe ndjekin gjithçka për t’i mbushur mendjen vetes se kanë bërë pazarin me partinë e duhur ( natyrisht tek të interesuarit përfshihen edhe ata që s’kanë ça bëjnë dhe e mbajnë televizorin tek lajmet gjithë ditën).

Të shumtë e kanë pikasur që kjo është fushatë e batutave dhe mesazheve publicitare. Partitë e kandidatët i kanë mbushur stafet me njerëz që vrasin mendjen çdo ditë, se cila batute e cili mesazh publicitar ngjall mëshumë interes në publik. I vetmi ndryshim nga reklamimi i mallrave të konsumit është se këto të fundit janë reale, një mesazh i duhur mund të bëjë të mundur edhe shitjen e sapunit për djathë, por ama blerësi një copësapuni e merr, ndërsa bleresi i mallit politik virtual nuk merr asgjë, madje nesër nqs do të jetë aq i marrë sa të kërkojë mallin si përgjigje do t’i japin një perçmim ironik.

Në bazë të kësaj klientokracie të plotë, madje aq tërësore, totale, sa totalitariste, ai që duket se do të ketë përfitimet më të medha në vota do të jetë Meta. Jo pse sondazhi i fundit e pa në ngritje nga 5.5 në 6.5%, por sepse klientokracia totalitariste bazohet vetëm në kuotat e qeverisjes dhe 30% i Metës i jep partisë së tij mundesinë që të rrisë vazhdimisht deri ne 30% të kuotave, brenda koalicionit të ngjalave. Faktorë të tjerë si pasiguria e përqindjes së pazarit, mungesa e një besueshmërie të tipit historiko-politik, mund t’ia ulin potencialin në këto votime , por klientokracia totalitariste i garanton si potencial votash në vitet e ardhshme, aq shumësa Meta as i ka ëndërruar ndonjëherë (rreth 15%). Paradoksi i kësaj fushate është se ndërsa para 1 Prillit  pritej që PS-ja ta gllabëronte LSI-në, e cila nga socialistët e thjeshtë quhej parti e vdekur, tashmë LSI-ja ka për të gllabëruar vota socialistësh, të cilët nuk gjejnë dot pazare me PS-në në tregun e zi. Me kuotën prej 20% të pushtetit,  LSI-ja ka një potencial (tavan) prej 9-10%, i cili duket se është synimi i Metës në këtë fushatë.

Natyra totalitariste që po merr klientokracia shqiptare shfaqet në:

1- kontrollin e plotë mediatik
2- imponimin e oportunizmit ekonomik si ideologji sunduese (mendësia e të ngjalëmenduarit),
3- përqendrimi i pushtetit në duar oligarkësh të palëvizshëm në Tiranë e rrethe
4- zhdukjen e kufijve mes shtetit  e shoqërisë

I vetmi dallim domethënës nga llojet historike të totalitarizmit, është mungesa e kontrollit të rreptë policor, arsye për të cilen ky i riu mund të quhet ‘totalitarizëm i butë’

Ndërsa tre fenomenet e para janë lehtësisht të shqueshëm  për të gjithë, janë evidente, fenomeni i katërt ka nevojë për një shpjegim.

Në radhë të parë, zhdukja e kufijve mes shtetit e shoqërisë mund të shihet tek mungesa e kufjve realë mes shoqërisë politike dhe shoqërisë civile në Shqipëri, pra gjithë aktorët e politikës dhe shoqërisë civile janë tëlidhur me aq shumë fije me njëri-tjetrin saqë nuk kuptohet ku mbaron politika e ku fillon shoqëria civile. Aq shumë janë të mpleksur me njëri-tjetrin saqë është e pamundur të mendosh se një nismë e shoqërisë civileështë gjenuine, e papërzier me nevojat politike të ndonjë partie. Ata që dalin si përfaqësues të shoqërisë civile i sheh si analistë ”të pavarur” në gazetat e mediat e varura prej njerit krah apo tjetër të politikës.

Në radhë të dyte, ekonomia private është nën kontroll të plotë të politikës, ata që quhen biznesmenë privatë janë gjithnjë të lidhur me një krah të politikës, janë biznesmenë të PS-së, të PD-së apo LSI-së. Ajo pak autonomi që krijon privati nëpërmjet nevojave të biznesit për njerëz të aftë e specialistë, shpesh mbytet nëpërmjet pazarëve fitimprurese që krijojnë tenderat( në këmbim hapin vende pune në privat për anëtarët e x,y parti) ose nëpërmjet shtrëngimit të specialisteve për të qenë sa më afër partisë së biznesmenëve për të cilët punojnë, shtrëngim që e mundëson oportunizmi ekonomik si ideologji sunduese (pika 2). Kështu ekonomia private nuk është gjë tjetër veçse një zgjatim i ekonomisë shtetërore, ku rregullat politike të klientokracisë janë baza e aktivitetit. Biznesin e vogël e kontrollojnë nëpërmjet joshjes me evazion fiskal apo ndaj rezistuesve nëpërmjet kthimit të sistemit të taksimit në sistem gjobitjesh.

Në radhë të tretë, gjithë vlerat e institucionet sociale që mbajnë në këmbë shoqërine tashmë o janë shthurur sipas modelit politiko-shtetëror ose janë në rrugën e shthurjes. Reagimi i shoqerisë ndaj kësaj shthurjeje ështëi papërfillshëm dhe shoqëria shqiptare është kthyer në një shumësi individësh që jetojnë bashkë vetëm për hir të shtetit e relacionohen gjithnjë e më tepër në bazë të partive me të cilat kanë marrëdhënie klientelizmi. Pra klientelizmi tashmë është kthyer në ngjizësin e miqësive të reja dhe grupimeve të reja sociale, sikundër deri dje bënte komunizmi.

Si përfundim, 20 vjet pas rënies së totalitarizmit komunist, në vend të demokracisë liberale, shqiptarët ndërtuan një totalitarizëm të ri, atë klientokratik, i cili ndërhyn në çdo sferë të jetës politike, ekonomike, sociale e kulturore, baza e vetme të cilit ështe marrëdhënia klienteliste. Të gjithë mund të shesin diçka ( të paktën votën e kanë të gjithë) e të blejnë diçka.
Në këto kushte, oferta e mallit politik në fushatën elektorale nuk ka si t’i shpëtojë totalitarizmit të ri, ka vetem një mall politik, vendi i punës, e vetem një çmim, vota.
Ofertat e tjera që lidhen me natyrën e vërtetë politike të politikës, natyrës publike apo të polis-it (nga vjen emri politikë), janë të gjitha oferta virtuale, të cilat sipas marrëveshjes së kamuflimit duhen bërë. Sipas kësaj marrëveshjeje të heshtur kamuflimi, politikanët bëjnë sikur premtojnë mall real dhe votuesit bëjnë sikur i besojnë mallit virtual që shitet për real, ndërkaq pazaret bëhen në tregun e zi të politikës.