Home » KUJTESE » ARBEN BLLACI: BUSTI I SABRI GODOS SI SHKAS REFLEKTIMI

ARBEN BLLACI: BUSTI I SABRI GODOS SI SHKAS REFLEKTIMI

Ka qenë diku rreth vitit 1993 ose 1994, kur kam intervistuar Sabri Godon, tani i ndjerë, atëherë kryetar i Partisë Republikane. Për t’i dhënë pyetjet paraprakisht, në zyrë i shkova me Lutfiun, që bënte gazetën “Republika”. Në të dalë, Luti, si “djall me brirë” që është, i thotë me shaka:

– Kujdes me intervistën z. Sabri, se mik e kam, po ky është për të rrahur!

Secili sipas zakonit të vet; unë qesha me të madhe, Lutfiu uli sytë, siç bën sa herë këput mufka, z. Godo vuri në lëvizje vetëm cepat e buzëve…

Kjo ndodhi, e mbuluar me pluhur kush e di në ç’rrëzë të trurit, erdhi e m’u kujtua befas, kur u gjenda i revoltuar tek dëgjova që Bashkia kishte vendosur të ngrinte një bust të z. Godo në “Pedonalen” e Tiranës. S’kanë për të bërë gjë, mendova pastaj, janë vetëm dërckla elektorale. Po në fakt busti u bë, bile në Itali e ndaj ka edhe një hije romane; bile me urgjencën që rrallë është bërë ndonjë bust; bile u vu në një ndër vendet më të zgjedhura të Tiranës.

Përse, për ç’meritë, nga ato për të cilat njerëzit përjetësohen në metal?

Sepse ishte partizan? Po ai nuk u vra në luftë, vdiq në shtrat, i rrethuar nga dashuria e njerëzve të tij. Edhe po të qe, kushedi nga do ishte degëdisur si heronjtë e Shkodrës e ngado varret e dëshmorëve.

Sepse ishte kundërshtar i shpallur i regjimit feudo – komunist? Ai vetë nuk e ka thënë kurrë këtë gjë, as me gojë, as me librat e tij. Po edhe sikur të qe, e kini parë ku e ka një gjojabust, Osman Kazazi, legjenda e burgjeve politikë në Shqipëri?

Sepse ishte shkrimtar nobelist, qoftë edhe kandidat, apo novator i njohur botërisht? Ishte një Kadare, apo një Lasgush? Askush nuk është aq i palexuar, sa të pohojë këtë.

Ishte një Valesë shqiptar në vitet ‘90? Eshtë emblematike thirrja e tij për të votuar Ramiz Alinë, duke qenë vetë një kryetar partie të djathtë.

Sepse ishte shef i një partie me fuqi përcaktuese për fatet e ecurisë së vendit në demokraci? Partia e tij kurrë nuk u ngrit mbi pesën e përqindshit të votuar nga shqiptarët.

Sepse bëri kushtetutën e Shqipërisë? Nuk qe i vetëm, nuk qe as Xhorxh Medison, as një nga 55 burrat që bënë Kushtetutën Amerikane. Thjesht kontribuoi të bëhej një dokument që u quajt paçavure, u përndoq e u mallkua si ajo, nga ata që sot ngritën bustin.

Sepse dha dorëheqjen nga partia, si shembull unik në pluralizmin shqiptar? Papa ishte Papë, i caktuar për të vdekur në fron dhe me dorëheqjen, sikur tha se pleqëria ka hije më shumë në një manastir, sesa në një fron.

Mund të bëhen njëqind pse-ra dhe sepse-rat të jenë të gjitha kundërshtuese. Po arsyen e vetme se pse z. Godo do na shohë mot e jetë nga busti, (mot e jetë, sepse vetëm bustet e diktatorëve rrëzohen dhe ai nuk e pati fatin të vihej në këtë provë).

Arsyen e vërtetë pra, të bustëzimit, e thonë vetë protagonistët. Godoja, që paskej thënë në ambient familjar, se Bashkia në duart e Bashës qenkej në duart e duhura; e bija, ish-ministre shëndetësie, që konsideratën e babait e tha publikisht në rastin e përurimit të bustit dhe vetë z. Basha, që pohoi me plot gojën, se Godoja ishte miku i tij shumë i çmuar. Prandaj e meritonte një… bust (!)

 

Me një rregull treshi të shpejtë, (nga ajo dhe ajo del kjo) i bie që miqtë e z. Basha, minimalisht z. Ristani që e shpalli kryetar dhe z. Agolli që e uroi publikisht për detyrën, t’i kenë bustet, diku në krah të z. Godo, mbase që me gjallje, se mandati i kryetarit e theu mesin dhe, mos o zot, që dy të lartpërmendurit të kenë ymër kaq të shkurtër!

Kemi dëgjuar e thënë mbase dhe vetë, “e mo, mirë bëri, do bëjë njeriu për shokë e miq, se shqiptarë jemi”, kur një kryetar bashkie hap diku një vend pune, ndërhyn për të mos prishur ndonjë mur që pengon rrugën, devijon pak autostradën par ta shpurë në supermakatin e mikut te tij, shtron rrugën ku do shkelë vetë kur inauguron ndonjë çerdhe a kopësht, jep një leje ndërtimi, një legalizim jashtë radhe etj., etj., të ngjashme! Po që t’i ngrerë bust mirënjohjeje mikut të tij, për meritën e vetme se ia ka konstatuar duart si të përshtatshme për çelësin e një bashkie, kjo është një pikë e zezë!

Jam i ndërgjegjshëm për natyrën delikate të çështjes që po trajtoj. Desha t’i largohesha në fakt, po m’u bë gjemb në tru dreqi dhe më shpoi keq, tek kaloja në “Pedonale”. Por kuptomëni, ju lutem! Busti i z. Godo është vetëm një shkas flagrant, për të këputur litarin e këmbanës, duke i rënë, gjersa të kuptojmë sesa lumë e përrua po shkojnë gjërat në këtë të shkretë vënd. Sesi po i ngrihet monument kuturisjes për të kryer papërgjegjshmëri të kësaj shkalle, pa pikën e turpit, m’u në mes të kryeqytetit dhe m’u në mes të ditës. Ai bust, mirëfilli është një monument i ngritur si simbolikë e si provë e metaltë, për të dëshmuar sesa gjithanëshmërisht mund të abuzohet me pushtetin. Përballë këtij lloj abuzimi, të papeshë në dukje se demek një bust s’i prish punë asnjë të gjalli, abuzimi ekonomik, është një tufë me lule të freskëta…

Askujt nuk i dhimbset një grusht metali, ky vend ka sa te duash minerale që lidhen në bronx e secili nga ne, mund të bëjë nga një bust për qejf të vet. Por është mesazhi, që të plevitos kockën. Mesazhi asgjësues se një mik a një tutor, mund të të shndërrojë nga një hiç, në një gjithçka; nga një i vdekshëm i zakonshëm, në një monument. Paçka se mbi vete nuk ndjen të kesh as gramin e shkëlqimit të ndonjë vlere monumentale. Dhe kjo të mos jetë një rast, por një sjellje që po shndërrohet në traditë. Dhe kryet e punëve urgjente që duhen bërë në këtë vend, mbeten në dorë të qypave dhe pufteve që gëlojnë kudo. Dhe a mund të mos trembesh nga gjithë kjo?!

Edhe mund ta shfrytëzoja këtë fabul për të tjerrë shumë e shumë problematika të tjera. Po nuk dua ta bëj, nuk dua të cënoj inteligjencën e njerëzve, që sytë i kanë në ballë e mendjen në kokë, për të parë e kuptuar atë që ndodh. Por që nuk e di pse heshtin. Pse heshti, fjala vjen, edhe Këshilli Bashkiak, kur iu vu në tavolinë propozimi? Mbase sepse të përgojosh të vdekurin, është një tabu? Dakort. Ama kur derdhet në brox, i vdekuri nuk është më i vdekur, por një subjekt social e politik, që mbart e përhap mesazhe!

Sidoqoftë, unë për vete, e bëra ç’kisha për të bërë.

– “E kërreve derametin, t’u bëfsha kurban!”, – do thoshte nëna ime e shkretë.

– E nxorra nëno, e nxorra, po më duket se Lutfiu kishte të drejtë, kur tha atëherë që duhem rrahur vëndçe…