Home » GRID RROJI » GRID RROJI: EDHE NJËHERË PËR PËRPLASJEN

GRID RROJI: EDHE NJËHERË PËR PËRPLASJEN

Një analizë mbi pashmangshmërinë e një përplasjeje mes parisë dhe qytetarëve që pata shkruar pak kohë më parë, e botuar  këtë të hënë tek Panorama, u bë shkas i disa reagimeve  edhe  nga Tirana. Sipas njërit syresh “gjatë fushatës paraelektorale ka pasur shpeshherë opinione të hedhura nga kënde të ndryshme, jo nga njerëzit e medias, për dyshim të procesit zgjedhor, rrezik të përplasjes shoqërore dhe sociale të aktorëve të ndryshëm ditën e zgjedhjeve apo para dhe pas”.

Në gjykimin tim, reagimi që ka shkaktuar shkrimi nuk është i justifikuar; arsyeja është se në ato përfundime del çdo profesionist që shqyrton me kujdes të dhënat dhe kahjen e situatës. Reagimi i shumëanshëm tregon se paria jo vetëm që është e ndërgjegjshme për rrezikun që i kanoset sistemit të saj sundues, por edhe i trembet fort daljes në shesh të së vërtetës. Një shprehje popullore thotë  “qeni leh për të të trembur”. Mirëpo, jo të gjithë i kanë frikë qentë. Dhe e vërteta nuk ka ikur kund.

Për shkak të interesit të ngjallur dëshiroj që t’i rikthehem dhe ta shtjelloj më tej argumentin dhe bindjen time se në pikën kritike ku i ka çuar punët paria e Tiranës po përvijohet një përplasje midis saj dhe qytetarëve e cila duket thuajse e pamënjanueshme.

Duke qenë se kriza ekonomike, politike dhe shoqërore është thelluar së tepërmi, procesi zgjedhor është i kontrolluar nga palët, por duke marrë parasysh edhe se parisë i kanë mbaruar truket me të cilat është mbajtur derimëtani, përplasja mes saj dhe qytetarëve është përfundim logjik. Dhe kjo nuk do ishte hera e parë që sistemi oligarkiko-hajnor i krijuar nga bandat kriminale të parisë së Tiranës e çon vendin drejt përplasjes.

Ka disa arsye që më shtyjnë të arrij në këtë përfundim të cilat do t’i radhis më poshtë.

Gjendja e Shqipërisë është kritike, ekonomia është në rënie të lirë, arka e shtetit është bosh, shteti është në rastin më të mirë i dobët, politika është kriminale dhe e korruptuar deri në palcë, dhe qytetarët nuk shohin shpresë nga asnjëra nga forcat që marrin pjesë në këto zgjedhje. Më tej, mjafton të thuhet se sundimi i ligjit është një eufemizëm, dhe ligji nuk mbron qytetarin por parinë. Qytetarët e kërkojnë mbrojtjen jashtë kontureve të ligjit.

Sa më sipër nuk janë opinione personale por gjykime të bazuara në të dhënat e fundit zyrtare dhe nga burime të tjera brenda dhe jashtë vendit. Për shembull, Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit tremujor pohon se “në kushtet aktuale nuk disponon instrumenta financiarë efektivë për të ndikuar pozitivisht në ekonomi”. Me pak fjalë, kushdo që do qeverisë do përballet me një ekonomi të rrënuar dhe nuk do ketë ndihmë permes politikave fiskale nga BSH-ja. Gjendjen e rënduar e pohoi në një shkrim këto ditë edhe ekonomisti dhe deputeti i shumicës Selami Xhepa.

Gjithashtu, mediat raportojnë nga të dhënat e qeverisë se hyrjet në buxhetin e shtetit janë pakësuar ndjeshëm tremujorin e parë të 2013ës jo vetëm në raport me vitet e katërvjeçarit të parë por edhe duke i krahasuar me vitin 2012 i cili ishte vit krize.

Më tej, qeveria raporton se rritja ekonomike është rreth 4%, ndërkohë që CIA gjykon se rritja reale është 0.7%. Kjo nuk është e mjaftueshme për të garantuar daljen e ekonomisë nga kriza. Investimet publike janë  tërësisht të  financuara me anë të  borxhit publik, raporti i të  cilit me PBB-në  është  duke shkuar mbi 65 %. Si FMN ashtu edhe BB janë shprehur qartë se ky nivel është i papërballueshëm. Vetë qeveria kishte si tavan 60% dhe në objektivat e deklaruar në strategjitë e saj financiare shquhet qartë synimi për uljen e borxhit nën këtë tavan.

Qeveria po riciklon veprat publike që ka premtuar që nga viti 2007 për të bërë fushatë megjithëse e di se shumica e tyre nuk kanë  gjasë  të përfundojnë. Tuneli i Kërrabës do hapet po gjasat janë që shqiptarët t’i paguajnë kostot e tij për vite me radhë. Arka e shtetit është bosh dhe nuk mund të  merret më  borxh. Thënë  thjesht, shteti po falimenton.

Nga ana e vet, opozita është po aq e kriminalizuar dhe nuk ka shpalosur asnjë vizion alternativ.Ajo jo vetëm që nuk ka asnjë plan për të dalë nga situata e rënduar por bën premtime të rreme për ulje taksash dhe hapje vendesh pune. Ata nuk mund të bëjnë fushatë reale kundër qeverisë sepse kanë kooptuar një pjesë të saj.

Më tej, në vend që të ofrojnë zgjidhje reale “Rilindasit” lejla e kanë mendjen tek bërja e premtimeve më të mëdha se qeveria, dhe tjerrja e informacionit dhe ana estetike. Ndoshta koordinimi i ngjyrave dhe funksionimi i autobuzave luksozë janë  vërtet shqetësimi më i madh i Rilindasve ngjalistë të Ramës, por populli ka halle të tjera. Dhe këto halle nuk do të zgjidhen nga Alister Kempbëlli apo Toni Bleri.

Situata në KQZ është një tjetër shembull i papërgjegjshmërisë së palëve. Qeveria e shpërfilli hapur ligjin që kish miratuar vetë me justifikimin qesharak “deshën me na e fut”, duke përligjur parimin e forcës.  Opozita u përpoq të ndryshojë balancat në KQZ me anë të një manovre finoke dhe megjithë thirrjet e partnerëve ndërkombëtarë nuk i plotëson anëtarët e saj. Kjo lloj sjelljeje është tipike e klaneve kriminale të cilave nuk u bëhet vonë për pasojat që veprimet e tyre kanë për shoqërinë. Mirëpo kur të mbarojnë zelli i fushatës dhe procesi zgjedhor qytetarët do kërkojnë llogari sepse nuk mbahet familja me rrenat e politikës. Në mungesë të zgjidhjeve, nuk mund të mos ketë përplasje midis qytetarëve dhe parisë sunduese, cilado palë qoftë  në  pushtet.

Nga pikëpamja politike, paria ka praktikuar parimin “përça e sundo” me shumë efikasitet. Të gjithë shqiptarëve u është imponuar të jenë “me ne” apo me “ata”, “komunistë” apo “antikomunistë”, “të djathtë” apo “të majtë”. Sigurisht që duke kontrolluar mjetet e informimit paria ka nën kontroll edhe përcaktimin e këtyre koncepteve, duke e vendosur qytetarin midis Shillës dhe Karibdës. Mirëpo, çdo e keqe vjen me një të mirë-thotë populli. Grimcimi shoqëror dhe politik që ka prodhuar kjo mënyrë politikëbërjeje ja ka ulur në maksimum legjitimitetin dhe ja ka hequr parisë kontrollin e plotë mbi sferën politike.

Sondazhet ka vite që tregojnë një besueshmëri në ulje të vazhdueshme të politikës, ndaj askush nuk ka më dyshime se palët e parisë së Tiranës janë thjesht banda kriminale. Pakti i ngjalave vetëm jua përforcoi qytetarëve gjykimin për parinë. Në kushte të tilla, qytetarit nuk i mbeten më  zgjedhje përveçse parimit të së keqes më të vogël. Mirëpo, një shprehje amerikane thotë “budallallëku më i madh është kur bën gjithmonë të njëjtin veprim dhe pret rezultate të ndryshme”. Shqiptarët besojnë tek demokracia por ata nuk hanë bar. Ndaj edhe përplasja midis qytetarëve dhe bandave mafioze të politikës është përfundim logjik.

Më anë tjetër, megjithëse palët e parisë kontrollojnë ekonominë qendrore, burimet e shtetit dhe aparatin qendror mediatik, forcimi i klaneve lokale përbën një problem tashmë të pakapërcyeshëm për ta. Listat e deputetëve janë  shembulli më  kuptimplotë i kësaj dukurie. Në  asnjë  qark të  vendit nuk mungojnë  pasunarët e rinj të tranzicionit, bosët e mafiave lokale dhe “të  besuarit për kokë ” të kryetarëve. Në  diskutimin publik është  tashmë  e qartë  se konkurrimi politik në  PD varet nga orekset dhe simpatitë  vendore të  familjarëve të  kryeministrit, ndërsa në  PS sundon klani i biznesmenëve të  cilët e kishin provuar besnikërinë  ndaj Ramës gjatë  drejtimit të  bashkisë.

Po ashtu, kapërcimet nga një  klan tek tjetri bëhen në  funksion të  fuqisë  lokale që  mund të  kenë  kandidatët dhe jo përkatësia e tyre ideologjike. Kjo lloj sjelljeje është tipike e klaneve kriminale mafioze. Tanimë  paria jo vetëm është  përfaqësuese e klaneve kriminale, ajo është  e kapur prej tyre plotësisht. Thënë popullorshe, në  parlamentin e ardhshëm të  gjithë  do të  jenë  një  stof.

Një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë pa fund.Edmund Bërk shprehej kësisoj kur analizonte keqqeverisjen e mbretërisë britanike në kolonitë amerikane më 1769: “çështja nuk është a ka qeveria të drejtë t’a bëjë popullin e vet të palumtur, por a është në interesin e saj t’u plotësojë qytetarëve të vet aspiratat”. Historia e revolucionit amerikan na tregon se si përfundon një pari politike e cila abuzon pa fre me popullin e vet.

Mirëpo, pyetja që  shtrohet është  si mendon paria të  dalë  nga kjo situatë? Paria i dëgjon  paralajmërimet me gjuhë diplomatike të miqve e partnerëve edhe pse mundohet t’i interpretojë në favor të vet sa për sy e faqe. Ajo do të përdorë  të  gjitha mjetet që  ka në  dispozicion për të ruajtur pushtetin e vet oligarkik, kërcënimet, frikësimet, mbylljen e shtigjeve të medias e deri edhe eliminimin fizik të kundërshtarëve të vet në  raste të  veçanta. Jo më kot një numër jo i vogël kandidatësh në listat e palëve janë të kërkuar nga interpoli.

Por këtë herë edhe ata vetë kanë frikë se situata është e pakapërcyeshme. Ndaj edhe reagimet ndaj cilitdo gjykim jashtë kornizave të pranuara nga paria janë të pritshme. Paria e ka treguar se kur i cënohet interesi është e gatshme të mos ndalet përpara asgjëje. Frika i bën qentë të lehin e kafshojnë. Falë zotit, unë nuk i kam frikë qentë. Qeni leh po unë mbaj gati shkopin.