Home » ANALISTE TE FTUAR » MURAT ALIAJ: PSIKOLOGJIA E ZVARRITJES

MURAT ALIAJ: PSIKOLOGJIA E ZVARRITJES

Pas viteve ‘90 shqiptari e zgjodhi me vullnet të lirë rrugën e vet, një rrugë që duke patur shumë labirinthe, u ngatërrua qysh në hapat e parë. Aherë ishim të gjithë ëndërrimtarë, por duket se akoma nuk na doli gjumi edhe pas vitit skandaloz 1997 i cili ishte vepër e politikanëve të betuar për kolltuk e jo për atdhe.

E me që këtij populli i pëlqen gjumi dhe ndien se nuk ka asnjë problem për të zgjidhur lidhur me të ardhmen e tij, le të flerë. Atdheu ishte i sigurt në dorën e Berishës, i cili nën përvojën e paraardhësve të tij të afërt e të largët, Enverit dhe Ali Pashës, luajti në mënyrën më spektakolare me ëndrrën shqiptare. Kaq e paskrupullt u bë kjo lojë, kaq agresive dhe arrogante, sa ky pinjoll bastard historik që i përket këtij kombi, u ndje pasha dhe menjëherë vuri veton mbi vullnetin e popullit, duke e tjetërsuar atë në kutitë e votimit.

Si për t’i kujtuar popullit se në këtë vënd do bëhej ç’thoshte ai, rrugaçërisht reabilitoi të gjitha figurat më kriminale të kombit. Me Esat Pashe Toptanin dhe Ahmet Zogun. Të gjitha pasuritë kombëtare të krijuara me djersën dhe mundin shumë vjeçar të shqiptarëve, ai i vuri në sherbim të pasurimit të familjes dhe të mercenarëve të tjerë pushtetarë. Nuk besoj se do ketë në historinë tonë raste më të shemtuara nga përvoja politike e Sali Berishës. Ajo që mbetet e rëndësishme për tu theksuar është se të gjithë këtë djallëzi kombetare e realizloi me një zhargon demokratik që nuk e pranon as shekulli i 18-te i Evropës, por ama këtu mund të bënte vënd. Sepse ky vënd gjithnjë është qeverrisur me fjalë të bukura e me gur në trastë. Shqiperia vetëm këto modele njeh dhe ai i aplikoi harbuterisht në politikën e tij.

Që t’i vihen të gjitha fajet Berishës, për këtë paudhësi të madhe kombëtare, unë mendoj se është gabim. Ai shfrytëzoi në mënyrë të shkelqyer meskinitetin tradicional të shqiptarit, që menjëherë kthehet në mercenar të rrezikshëm, po ti japish ca para dhe (po t’u ndodh edhe ndonjë dekoratë sado e ndryshkur që të jetë). Sot atdheu jonë, ju përket pikërisht këtyre mercenarëve që të bëjnë të gjëmën. Kriminelë më të mëdhenj s’ka pasur as mafia e viteve më aktive. Ata kryejnë porosinë e shefit të tyre dhe me vizë shpërblehen me pushime nëpër zona moderne turizmi, për tu kthyer prap në atdhe, si kandidat për deputetë.

Këto skenare të shplarë kanë një autor të cilit ne vënd që ti ishte treguar vendi prej kohësh, njerëzit rrinë dhe i numurojnë ditët deri në votimet e ardhëshme.

Ç’ka menduar të bëjë ky popull për të ardhmen e tij?

Shikojmë një entusiazëm varfanjak zvarranikësh me të cilin lehtësohen disi shpirtërat e poshtëruar. Numurojnë edhe sa ditë i kanë mbetur Berishës në pushtet. Thua se magjija do bëhet në ditën e votimeve. Rrallë kush shqetësohet për faktin se çdo ditë ka nga një viktimë ekonomike vetvrasëse, e cila është rrjedhim direkt i kësaj politike familjare, grabitëse. Askush nuk do t’ja dijë se e nesërmja mund të jetë ditë e tij për t’i vënë vetes litarin në fyt. Dhe në vënd të numurojë orët e tij, numuron ditët e Berishës.

Ai as nuk shqetësohet për shkatërrimin e KQZ e cila është hapi më i rëndë në deformimin e rezultatit zgjedhor. Këtë punë të keqe, populli e pret me qetsi dhe me motivin:E po ç’ti bëjmë? Saliu nga këto gjëra di të bëjë! As do t’ja dijë fare se kur Saliu di të bëjë nga këto gjera, duhet të mësohet edhe ai si popull të bëjë disa gjëra të tjera si ato që nisi më 21 Janar dhe që për turpin e tij, i la në mes të rrugës. Sepse këtë popull mund ta trembë edhe një pordhë e Berishës e jo më katër të vrarë nga xhandarët e tij.

Si të mos mjaftojë kjo mpirje dhe apati, të gjithë e kanë të lehtë ti vërsulen palës amerikane dhe evropjane që e shohin ç’po ndodh këtu dhe nuk ndërhyjnë. Sepse të rritur e të jetuar vazhdimisht me psikologjinë e zvarranikut, ne presim që lirinë tonë të zgjedhjes, ta mbrojnë të tjerët e jo neve që na përket direkt. Ne nuk kemi ç’bëjmë se Saliu është kriminel dhe na vret. Saliu është autokrat dhe i ndërton organizmat e shtetit, si gjyshi i tij në Viçidol dhe ne prapë s’kemi ç’i bëjmë. E derisa të mos kemi ç’ti bejmë ne, di ai se ç’na duhet bërë neve. Le të flemë të sigurt se do na mbrojë Amerika me Evropën.

Më skandalozja nga të gjitha është pozicioni mashtrues që marrin teoricienët dhe militantet e majtë, lidhur me zgjedhjen e të keqes më të vogël, në vënd që të guxojnë e të çirren për të mirën më të madhe. Por cila është e keqja më i vogël, sepse ajo që është e vogël për ty, është hata për mua e për atë njeriun e zakonshëm i cili ka një shtet mbi vete?

Kjo turrmë kalemxhinjsh dhe militantesh partiakë, është kthyer në lukuni zvarranikësh që s’mund të bëjë dot zgjedhje tjetër, sepse ndryshe humbet atë ç’i është premtuar nga partitë. Ata nuk e kanë guximin t’ju kthejnë shpinën partive dhe të çirren për atë më të domosdoshmen: të mirën më të madhe. Duke vënë synim të mirën më të madhe, edhe po s’e fitoi dot ashtu siç e dëshiron, do e fitojë të mirën e mesme, ose të vogël. Gjithsesi do fitojë një të mirë pavarsisht përmasave të saj. Por jo. Ai nuk ka asnjë punë me të mirën. Nuk e lidh asgjë me të. Ai ka punë me të keqen që e ka pllakosur e që e konsideron si pjesë të pandarë të fatit të tij. Duke mos ndier kurajë të ngrihet kundër saj, ai zgjedh të keqen më të vogël, pa u shqetesuar se kjo zgjedhje mund t’i pllakos mjerimi më i madh, litari në grykë i i cili këtë radhë është zgjedhur me vullnet të plotë.

Mjerimi në zgjedhjen që ai bën, qëndron në faktin se zgjedhja e së mirës duhet të shoqërohet edhe me ca sakrifica të tjera të cilat atij nuk ja mban t’i bëjë, sepse zvarranikët janë të predispozuar të ngordhin nën shkeljen e thundrës së të parit kalimtar, kurse shqiponja ka rrezikun që mund të përplaset shkëmbenjve. Derisa vdekjes nuk i shpëtokemi dot, të paktën të ngordhim në tokë, qoftë nën thundren harbute që na shkeli gjithë jetën, qoftë nën ndonjë bajgë që na lëshon lopa, në kalim e sipër.

Prandaj ne nuk zgjedhim të mirën edhe pse e dimë që ajo diku ekziston, por ne nuk e meritojmë këtë të mirë, sepse jemi të pazotë të bëjmë përmbysjen e madhe të shporrjes së këtyre bandave politike që na mbajtën rob të së keqes, e që do vazhdojnë të na mbajnë përderisa ne si komb të udhëhiqemi nga parimi i të keqes më të vogël.