Home » ANALIZA » SHABAN MURATI: MARRËVESHJA E PARTNERITETIT STRATEGJIK SERBI-RUSI

SHABAN MURATI: MARRËVESHJA E PARTNERITETIT STRATEGJIK SERBI-RUSI

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç nënshkruan në 24 maj, në Soçi të Rusisë, marrëveshjen dypalëshe të partneritetit strategjik. E cilësuar formalisht “deklaratë”, ajo është faktikisht një marrëveshje në nivelin, përmbajtjen dhe forcën e një Traktati të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit mes dy shteteve, e cila siç theksoi presidenti rus, i fut marrëdhëniet në një erë të re, kurse presidenti serb deklaroi se: “Ne i vumë vulën zyrtare vëllazërisë dhe miqësisë sonë të lashtë me Rusinë. Kjo është një ditë e madhe për Serbinë”.

Serbia është shteti i parë ballkanik, që nënshkruan një marrëveshje të partneritetit strategjik me Rusinë. Është e drejtë e çdo shteti të nënshkruajë marrëveshje e traktate me cilindo shtet tjetër, siç është e drejtë e çdo shteti të tretë të ketë dhe të shprehë vlerësimin e tij për këtë traktat apo marrëveshje strategjike, e cila shkon përtej kuadrit dypalësh të shteteve nënshkruese dhe ka efekte e pasoja edhe në shtetet e treta, edhe në rajonin ku ndodhet njëra prej shteteve nënshkruese. Në këtë kuptim, marrëveshje e re e partneritetit strategjik mes Serbisë dhe Rusisë është e një karakteri të tillë, e cila ka dhe do të ketë disa pasoja jopozitive në marrëdhëniet ndërkombëtare të rajonit dhe në pozitën e rolin e rajonit në sistemin ndërkombëtar të sigurisë.
Dy gjëra, është e qartë se vulos marrëveshja e re e partneritetit strategjik mes Serbisë dhe Rusisë. E para, është marrja fund zyrtarisht e të ashtuquajturit neutralitet, që Serbia pretendon se ndjek në raport me aleancat dhe blloqet ushtarake e politike dhe sanksionimi i strategjisë së udhëheqjes serbe për të zgjedhur Rusinë në vend të Europës. E dyta, është shkalla e re e interesit dhe e ndërhyrjes së Rusisë në punët dhe në marrëdhëniet e sigurisë të rajonit tonë.
Neni 1 i marrëveshjes shpall vendosjen nga Rusia dhe Serbia të marrëdhënieve të partneritetit strategjik, të cilat kapin të gjitha sferat e reciprocitetit, politikën, tregtinë, ekonominë, kulturën, shkencën, teknikën dhe arsimin. Neni 2 i saj thekson se partneriteti strategjik përfshin koordinimin politik në çështjet e marrëdhënieve dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes ministrive të Mbrojtjes dhe forcave të armatosura të të dyja vendeve. Nga përmbajtja dhe efektet juridike e diplomatike të këtyre neneve dhe të gjithë marrëveshjes strategjike, kuptohet se procesi i integrimit të Serbisë në BE dhe marrëveshjet që Serbia ka nënshkruar e do të nënshkruajë me BE në kuadër të procesit integrues, marrin një karakter të pasigurt. Sepse Serbia është e lidhur dhe e detyruar nga fryma dhe klauzolat e marrëveshjes strategjike me Rusinë të koordinojë dhe të përshtatë me Moskën të gjitha strukturat dhe institucionet e saj, si dhe platformat e veprimit dhe të bashkëpunimit të saj ndërkombëtar.
Nuk është e pavend të krahasohet euforia dhe lehtësia, me të cilën delegacioni serb i nivelit të lartë në Soçi, zhvilloi bisedimet për partneritetin strategjik me presidentin rus Vladimir Putin, me pengesat apo me djersën diplomatike që Serbia po i nxjerr Ketrin Eshtonit dhe Bashkimit Europian për marrëveshjet e normalizimit të marrëdhënieve dhe për marrëveshjet e zbatimit të marrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës. Parimisht është i kuptueshëm qëllimi i Brukselit për të shtruar rrugën e dhënies Serbisë të një date të hapjes së bisedimeve të pranimit në BE, por kur krahas kësaj dhe në sfidë ndaj kësaj, Beogradi nënshkruan një marrëveshje detyruese aleance strategjike me Rusinë, kuptohet se disa rivlerësime bëhen të nevojshme për politikën europiane ndaj të Serbisë. Sepse, ndërsa në Bruksel qeveria serbe premtoi se do të zbatojë marrëveshjet e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën që të hapë rrugën e integrimit në BE, të nesërmen në Soçi, presidenti i Serbisë parashtroi bashkë me presidentin e Rusisë platformën e vjetër ruso-serbe të sabotimit të pajtimit Serbi-Kosovë dhe të ngritjes së tensioneve në Kosovë dhe për Kosovën.
Me marrëveshjen e re strategjike Serbia e lidh veten zyrtarisht me angazhimin që të funksionojë si plasdarm i një ndërhyrjeje më të madhe të Rusisë në punët e brendshme të rajonit tonë. Në nenin 4 formulohet detyra e të dy shteteve për forcimin e stabilitetit në Europën Juglindore dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh mes shteteve të rajonit. Marrëveshja përmban gjithashtu detyrën për krijimin e kushteve të përshtatshme për funksionimin e bazës ruso-serbe në qytetin e Nishit në Serbi, “e destinuar për zgjidhjen e kompleksit të detyrave të reagimit të jashtëzakonshëm humanitar për katastrofat dhe krizat në rajon”. E drejta e ndërhyrjes në “krizat në rajon” del si një detyrë gardiani rajonal me efekte të paparashikuara, që marrin përsipër Rusia dhe Serbia.
Në rajonin tonë, ku shumica e shteteve janë anëtare të Aleancës Atlantike dhe të gjitha shtetet janë të lidhura me BE, si anëtare ose në rrugën e anëtarësimit, janë NATO dhe BE organizatat me të cilat rajoni i përballon krizat dhe nuk ka nevojë për instalimin e njësive speciale ruse në bazën e Nishit në Serbi.
Për rëndësinë dhe misionin special të kësaj baze flet edhe fakti se baza ruso-serbe e Nishit përfshihet në nenet e marrëveshjes së partneritetit strategjik, duke u konsideruar kështu element i bashkëveprimit strategjik ruso-serb në Ballkan. Presidenti rus edhe në deklaratën që mbajti pas bisedimeve, theksoi se baza “luan një rol unik”. Jo rastësisht ajo ishte një ndër temat kryesore të bisedimeve në Moskë në 23 maj mes ministrit rus të Mbrojtjes dhe ministrit serb të Mbrojtjes. Interesi i veçantë i Rusisë për nxitjen e rolit të Serbisë si instrumenti kryesor i interesave ruse në Ballkan shpjegon gjenerozitetin e madh të presidentit rus, i cili shpalli në Soçi se Rusia do të financojë gjithë koston prej afro 2 miliardë eurosh të ndërtimit të seksionit serb të gazsjellësit “South Stream” dhe se Gazpromi do të investojë 1,5 miliardë euro në Serbi, përveç atyre 1,5 miliardë euro që ka investuar nga viti 2009.
Bashkëpunimi ushtarak dhe forcimi i dispozitivit ushtarak serb shfaqet si një nga detyrat dhe programet e mëdha të marrëveshjes së partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit dypalësh mes të dy vendeve, si dhe të strategjisë ruse në Ballkan. Në uebsajtin zyrtar të qeverisë së Serbisë njoftohet në 23 maj, pas bisedimeve mes dy ministrave të Mbrojtjes se, së shpejti do të realizohet furnizimi i forcave të armatosura serbe me avionë ushtarakë dhe me sisteme radarësh rusë. Avionët do të jenë të tipit “Mig 29 M2” dhe marrëveshja konkrete dypalëshe ushtarake do të nënshkruhet gjatë vizitës së ministrit rus të Mbrojtjes në Beograd në muajin tetor. Ministri serb i Mbrojtjes, sipas këtij uebsajti, deklaroi se avionët dhe sistemet e raketave ruse do të blihen me mjetet e huave që do të akordojë Rusia. Gazeta serbe “Kurir” njoftonte në 23 maj se, si një zgjidhje e mundshme e modernizimit të mbrojtjes ajrore serbe, është përmendur edhe blerja e raketave ruse S-300, nga ato që Moska po i shet regjimit të Sirisë.
Nuk mund të mos lindë vetiu pyetja se përse kjo armatosje e ethshme e Serbisë dhe nëse ky forcim i makinës ushtarake serbe ka lidhje me detyrat rajonale, që përmban Traktati i Partneritetit Strategjik mes Rusisë dhe Serbisë. Kjo provon se i ashtuquajturi neutralitet është shkelur me të dyja këmbët dhe Serbia, e cila qëllimisht adoptoi doktrinën e neutralitetit për t’u larguar nga integrimi në NATO, tani ka vendosur që të konkretizojë juridikisht aleancën e saj ushtarake me Rusinë.
Marrëveshja e re e partneritetit strategjik mes Serbisë dhe Rusisë krijon një situatë dhe një rrethanë të re politike, diplomatike, strategjike dhe të sigurisë në rajonin e Europës Juglindore. Është një situatë, e cila duhet të shqetësojë gjithë
shtetet e rajonit dhe sidomos fqinjët e saj, sepse armatosja e Serbisë me raketa S-300 dhe me sisteme radarësh dhe avionësh modernë rusë nuk bëhet për dekoret e filmave të Emir Kusturicës. Ajo është një prishje ekuilibrash ushtarakë dhe një kundërvënie ndaj sistemeve të mbrojtjes dhe të sigurisë, që NATO ka ndërtuar në rajonin tonë. Është një situatë, e cila duhet të shqetësojë edhe NATO-n, sepse ardhja e raketave ruse S-300 në territorin e Ballkanit përbën një shkallëzim të rrezikshëm të potencialit ushtarak dhe të pranisë ruse në rajon. Është një situatë që duhet të shqetësojë edhe Bashkimin Europian, i cili nuk duhet të jetë më kaq i apasionuar pas diplomacisë ekuilibriste dhe titiste të lejimit të Beogradit që të luajë me dy porta në planin strategjik.
Marrëveshja e re e partneritetit strategjik duhet të sjellë shqetësimin dhe reagimin e qeverisë së Shqipërisë, e cila mjaft ka bërë mumjen ndaj qëndrimeve dhe akteve jo miqësore të Serbisë dhe të Rusisë ndaj Shqipërisë dhe ndaj Kosovës. Marrëveshja e re ruso-serbe ka si një ganxhë të qafës së Serbisë tek Rusia pikërisht Kosovën. Ajo godet hapur interesat jetike dhe ekzistenciale të Kosovës, çka don të thotë se godet hapur interesat shtetërore, jetike dhe kombëtare të shtetit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Armiqësia gjenetike e Rusisë dhe e Serbisë ndaj çështjes shqiptare dhe ndaj kombit shqiptar duhet të gjejë reagimet prej shteti dinjitoz nga ana e qeverisë së Shqipërisë. Sepse ato raketa S-300, që parashikohet të vendosen në Serbi, me siguri që drejtimin e parë do ta kenë drejt qyteteve shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri. Nuk e di nëse në qeverinë e Shqipërisë ka ende zyrtarë të çmendur, që mendojnë të realizojnë Traktatin e dyshimtë të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit mes Rusisë dhe Shqipërisë, i cili është sigluar në vitin 2004 nga ministrat e Jashtëm Sergej Lavrov dhe Kastriot Islami dhe i cili ndodhet në frigoriferin e diplomacisë shqiptare, me rrezikun për t’u servirur, kur kushtet do t’ua mundësojnë. (shkrimi eshte marre nga Gazeta Shqiptare, 27.05.2013)