E MIRA DHE E KEQJA NË POLITIKËN SHQIPTARE II –

E keqja në jetën publike

Nuk them ndonjë gjë të re po të përsëris se e keqja helmon dhe vret jetën shoqërore dhe e mira shëron dhe e lulëzon jetën shoqërore. Sepse e keqja mund të jetë në interes të një njeriu të vetëm por jo të të gjithë të tjerëve në një shoqëri. Edhe atij që, për pak kohë i bën mirë, e keqja e gjen mënyrën për me ia shkatërrue jetën, sepse një herë që zbulohesh, e nuk dilet lehtë nga lëkura, do të vazhdosh të sillesh ashtu si je në të vërtetë.

Prandaj ka grupe e kombe që mund të bëhen xhelatët e vullnetshëm të dikujt apo skllevër të një ideje absurde, dhe në emër të asaj ideje të bëjnë atë që nuk mund të merret me mend. Këtë e kam shpjeguar në një shkrim tjetër. Këto grupe sillën kështu me grupet e tjera, por përbrenda grupit edhe këta kanë rregulla e norma sjelljeje që i ruajnë dhe i mbrojnë pjestarët e grupit nga të tjerët.

Mirëpo edhe brenda këtyre grupeve e keqja e nxjerr kokën por është e dënueshme sepse e mira e grupit vjen përpara gjithckaje tjetër. E keqja, në cdo grup, sin ë familje ashtu edhe në komb, vjen kur njeriu punon vetëm për interesin e vet të ngushtë. E keqja vjen kur në rrugën e vet për të siguruar mbijetesën e pasurimin individi nuk njeh asnjë shtërngesë apo pengesë dhe për ma tepër e kthen këtë sjellje në thelb kanibaleske, sepse kështu po lufton kundër njerëzve tuaj, në virtyt. Në botën shtazore ka shumë shembuj të tillë kanibalizmi dhe më i qarti mbetet krokodili.  Krokodili kujdeset për vezët etj., por e han pjellën e vet sapo hidhet në ujë. Ama, kur rritet mjaftueshëm krokodilët nuk e prekin njëri tjetrin.

Në nivelin e shoqërive njerëzore, nga këndvështrimi i të dënuemit me u përpi, e keqja është gjendja kur njeriu në një shoqëri është i pashpresë, pa dinjitet, pa mundësi me jetue normalisht dhe me iu gëzue vetes dhe të tjerëve, i përdorur, i skllavënuar dhe me ndjenjën e të kënunit gjithherë i pamoralshëm dhe i ndytë.  Ajo që e bën të keqen të frikshme është normalizimi i saj, momenti kur gjithkush në një shoqëri e sheh të keqen si dicka normale, të natyrshme, si të vetmen gjendje e mënyrë sjelljeje të moralshme, që bëhet e moralshme sepse kështu sillet gjithkush. Me një fjalë, ashtu si në Rrethin e Ferrit e keqja triumfon kur gjithkush që ka zbritë me sjelljet e veta në Rrethin e Ferrit transformohet në gjarpër dhe nisë të hajë të sapozbriturit në Ferr.

Popujt dhe kombet e tjera e kanë gjetë mënyrën me analizue të keqen duke iu kthye shembujve të historisë së tyre, duke e parë si kategori filozofike, apo duke e ritualizue e normalizue ideologjikisht për me i shërbye interesave të një grupi të vogël sundues. Por, ne, shqiptarët, kemi një natyrë specifike, histori e gjendje të vecanta që kërkojnë reflektim të thellë sepse vijmë nga rrugë paralele, me përvoja të ndryshme, pa një shtet-komb të mirëfilltë, dhe mbi të gjitha, me sundues që kanë ardhur njëri pas-tjetrit dhe që interesin e kombit nuk e kanë pasur gjithnjë parësor. Kjo që ndodhi mbas rënies së sistemit parti-shtet, është shumë ilustruese në lidhje me sjelljen e parisë.

Prandaj ia vlen që me e cek pak se si shfaqen e mira dhe e keqja në jetën publike e politike tonën. Por më parë ia vlen që duke e shkëputur idenë e mendësinë e të keqes nga feja të shohim se nga vjen e se si manifestohet ajo në jetën shoqërore

Nga Vjen e Keqja?

Njeriu është një gjallesë që kërkon me mbijetue dhe në procesin e mbijetesës morali dhe vlerat që ka janë të kushtëzuara nga rrethanat, nga zgjidhjet që gjen dhe nga vlerat kulturore të grupit të cilit i përket. Mirëpo e keqja nuk ekziston pa të mirën, sepse terri i natës kuptohet kur ka dritë. Si njerëz e si qënie shoqërore, edhe ky dyzim na shtyn me reflektue mbi sjelljen tonë. Si grupe, ky dyzim përcakton rrugën që marrim, moralin e kohës në të cilën jetojmë dhe vlerat sunduese në një shoqëri. Përtej përrallave të zakonshme, ne shqiptarët kemi harxhue disa qindra vjet të ekzistencës tonë si komb në mesjetë duke mbrotjur një pikëpamje të tillë. Në fakt, edhe origjinat si komb i kemi pikërisht tek këto luftëra që kemi zhvillue duke mbrojtur pikërisht këtë pikëpamje filozofike. Ajo përkrenare e trashëguar në familjen e Skënderbeut, i ka rrënjët thellë në histori dhe është një objekt që flet shumë për ne si komb se sa legjendat e krijuara nga historianët e poetët tanë.

Thelbi i besimit tonë të hershëm është se e keqja është e pashmangshme, aspak banale, por pjesë e natyrës njerëzore dhe e gjithësisë të cilën duhet me e kontrollue e me njohë, por që nuk mundesh me e shmangë. Varet se si e përdoron edhe këtë anë të keqe tënden. Sepse prandaj edhe kemi vullnetin si qënie njerëzore, me ba zgjidhjet e duhura, me dallue të mirën nga e keqja. Kemi mundësi me ndryshue, me e minimizue, shmangë, kontrollue por jo me e zhdukë. Sepse edhe më i miri ndër ne, bahet më i keqi kur detyrohet nga rrethanat.

E keqja vjen nga jashtë dhe nga brenda grupit. E keqja vjen në formën e katastrofës së natyrës që nuk ke c’i bën sepse vjen nga nuk e pret. Mirëpo, dicka mund të bëhet. Shtatë vjetë thatësirë në Egjypt u përballuan sepse njerëz të mencur ruajtën ushqimet shtatë vjet më pare në kohët e mira kur kishte prodhim. Pra, udhëheqja e mirë i del përpara të keqes.  E keqja tjetër nga jashtë grupit, që shpesh është e pashmangshme edhe nga ata që sundojnë vjen nga pushtimi i huaj. Kështu, 150000 ilirë u kthyen në skllëver dhe u nisën për në Romë nga Luc Emil Pauli, ku përfunduan si skllevër. Ndoshta ajo lidhja e fortë që së fundi deklarohet se e kemi gjenetike me Europën vjen nga këta skllevër e nga valë të tjera skllevërish ilirë dhe që më vonë me emra të tjerë si arbanë, arbëreshë, shqiptarë, epirotë, etj. u degdisën rrugëve të botës. Prandaj duhet shteti dhe udhëheqja që i del përpara të keqes.

E keqja tjetër vjen nga brenda grupit e shpesh shkaktohet nga natyra specifike e rrethanave dhe nga kultura e grupit. Kjo vjen nga sëmundjet, nga epidemitë, nga ndryshimet e panjohura dhe nga degjenerimi. Popuj të tërë shuhen nga faqja e dheut kur bien në kontakt me sëmundje e me prodhime që janë të panjohura, të dëmshme e pa ndonjë ilac e zgjidhje për ta.

Mirëpo, ka një të keqe që e ka origjinën, jo tek të huajt, jo në përbërjen e predispozicionin gjenetik, jo tek natyra speficike dhe kultura e grupit, por është në origjinë një e keqe politike dhe shoqërore.  Kjo e keqe lidhet me sundimin e një grupi apo shtrese që e sheh të gjithë shoqërinë si masë për t’u përdoruar, sshfrytëzuar e sunduar. Kjo shtresë që është paria, paria, lufton me të gjithë mënyrat që të mbjellë një mendësi që e legjitimon dhe e justifkon sundimin e saj. E keqja bëhet dhe duket e pashmangshme. Jeta në Rrethin e Ferrit është normaliteti, dhe e gjithë bota jeton në Ferr.

E keqja shoqërore e këtij lloji, pra, është e një natyre tjetër. Kjo e keqe vjen nga degjenerimi moral dhe humbja e vlerave dhe e besimit që e mban një shoqëri bashkë. Kështu Sodoma e Gomorra u dhanë mbas qejfeve dhe u zhdukën nga faqja e dheut. Spartanët u dhanë mbas qejfeve, verës, intrigës dhe hordhëkut, dhe e humbën shtetin e tyre në një brezni. E keqja vjen kur dobësia njerëzore përcakton marrëdhëniet njerëzore. Atëherë shoqëria fillon e degradon. Njerëzit e mirë duan të ikin e të shkëputen, si një plagë, shoqëria fillon e mbledh qelbin derisa gangrenizohet ose shërohet. Sepse nuk mund të ketë shoqëri njerëzore pa virtyt, dhe nuk mund të ketë virtyt pa të mirën, të paktën në mes të një shtrese që e drejton atë.

Në këtë pikë, rasti ynë shërben si ilustrim. Sepse ne jemi një popull i shfytyruar në ekstrem, dhe e keqja më e madhe është e keqja që del nga vetë shpirti i popullit të shfytyruar në ekstrem. E keqja shoqërore tashmë nuk është si qeliza e shëndoshë që kthehet në vrasësen e trupit. E keqja e një populli të tillë është si kanceri që e ha të gjallë njeriun.  Kjo e keqe lufton kundër shoqërisë, e helmatis dhe e vret trupin sepse me kohë ajo e ka ndryshuar mendësinë e popullit. Cdo njeri lufton për vete, dhe paria, udhëheqja, politike e morale e shoqërisë, lufton kundër trupit të vet, kundër kombit të vet. Sepse idetë dhe mendësia lindin e kultivohen, bëhen të pranueshme, e legjitimohen nga paria e jo thjesht nga njerëzit e mencur e të izoluar e jashtë shoqërisë. Kur paria është qeliza e tillë vdekjeprurëse e kancerit, një popull është në krizë të thellë, pa besim në zgjidhjen e mundshme, e shpesh pa zgjidhje. Një popull që nuk sheh asgjë të përbashkët me tjetrin është një popull që është i destinuar të bëhet komb skllevërish për të tjerët. Ka skllevër që paguhen më mirë se të tjerët, por në Rrethin e Ferrit askush nuk mundet me shpëtue  pa u ba gjarpën në fund.

Ku jemi ne? 

Ku jemi ne? Ne jemi në një pikë kur na ka kaplluar e keqja më e thellë shoqërore. Qeliza kanceroze që po na han si kanceri është grushti i njerëzve që na sundojnë e që na shohin si pronë të tyre. Duke e ditur se si funksionon organizmi shoqëror, pra shoqëria, këta bëjnë cdo gjë për interesat e tyre dhe e bëjnë këtë duke na futur në kokë mendësitë e gabuara. Pasoja? Shoqëria e jonë po vdes. Por këta hanë e pinë e ne po shuhemi. Po shuhemi e po deformohemi në Shqiperi. Po shuhemi e po asimilohemi në mërgim. Deri këtu duket sikur paria e Tiranës ia ka dalë. Këta janë kanceri, dhe e keqja që nuk do të ndalet deri në fund. E megjithatë, shqiptarët, që i shohin si njerëzit e tyre  nuk po e kuptojnë natyrën e problemit me të cilin përballemi. Edhe qelizat e shendosha nuk e njohin qelizen kanceroze derisa ajo behet e fuqishme dhe fillon dhe i vret apo transformon ashtu si don ajo.  Tani ka ardhur koha që të fillojmë të ndryshojmë rrugën dhe të drejtohemi nga e mira. Kushdo që ka një fije dëshire mos me I pa fëmijët e vet të transformuar në skllevër duhet të mendohet edhe një herë para se të japë veten e lirinë e vet dhe tia lejë në duart e parisë së Tiranës. Dy gjërat që dihen janë këto. Njëra që të gjithë do të përfundojnë si gjarpërinj në këtë Rreth Ferri. Dhe e dyta, se nëse duhet mbijetuar si njerëz e si shoqëri normale, të gjithë duhet t’i kundërvihen të keqes dhe parisë. Po ashtu, ka dy gjëra që nuk dihen. Njëra është se nuk dihet se cka duan të bëjnë njerëzit e mirë. Dhe e dyta gjë që dihet, është se rruga është e vështirë dhe nuk i dihet fundi. Por kush punon për të mirën do të shpërblehet me të mirë dhe kush punon për të keqen, do të shpërblehet me të keqen.

(vijon)

Advertisements

MURAT ALIAJ: SHQIPЁRIA PЁRBALLЁ VETVETES

Ne shqiptarëve për 45 vjet rresht na mungoi bota dhe jetuam të rrethuar brenda telave me gjemba. Për nje jetë të tërë na ka munguar e do na mungojë atdheu. Në kërkim të tij po rropatemi prej kaq vitesh, duke e kërkuar atje ku lind e perëndon dielli. Dhe s’duam të bindemi se ai është këtu, nën këmbët tona. Ky i këtushmi ka kohë që na duket i dyshimtë. Është dhe s’është atdheu ynë. Këtu s’ka vënd për të gjithë. Këtu flitet një gjuhë që vret më shumë se plumbat e kriminelëve. Një gjuhë që s’na e siguron marrveshjen. Është kohë fushate dhe i gjithë fondi i fjalorit është vënë në përdorim si kurrë më parë. Vetëm në kohë të tilla mund të vëresh pasurinë e apo varfërinë e një gjuhe.

Problemet që po evidenton fushata zgjedhore e që po merr përsipër për të zgjidhur qeverria e ardhëshme, duket se janë të mprehta. Këtu e kanë vënë theksin partite. Le të përpiqemi të rrjeshtojmë disa prej tyre:

Kryetarët e dy partive që synojnë pushtetin, e që ngjajnë sikur i ka pjellë një nënë, në vënd të merren me problemet e rënda sociale që vet ata i hapën këtij vendi, hedhin e presin akuza rrugeçësh. Pozita mburret se me përkushtim arritën të riabilitojnë me sukses të plotë shumë të sëmurë rëndë psiqikë, madje duke siguruar prej tyre edhe ministra e kryeministra. Por nuk mungon të bëjë autokritikë për faktin se këtë gjë nuk e arriti në të gjithë rastet. Kryetarit të opozitës, për shkak të arrogancës së tij, ju rëndua edhe më tepër sëmundja.

Kryetari i opozitës i cili është kandidat për të fituar zgjedhjet, na qënka psikopat i cili duhet vizituar sa më parë, që të mos u kthehet në rrezik për të nesërmen e atdheut. Ka të dhëna të besueshme se vite më parë, në fëmijerinë e tij të hershme, ai paska guxuar të dale nudo në plazh e të pshurrë në rërë, duke ndotur mjedisin. Sot që ai është i rritur, ka mundësi të dhjesë të gjithë vëndin, po t’i mbetet në dorë.

Nuk duket më ndryshe kryetari i pozitës i cili jo vetëm që është psikopat i deklaruar, por është edhe kriminel e sadist, njesoj si të jetë bir i Neronit. Por që ta ketë të atin apo të ëmën nga Roma, e kundërshton fakti që ai është lindur me kostum tradicional malësor dhe me kërrbaç në dorë. Veç të tjerave, këtë fakt e vërteton edhe një paragraf i ciklit të kreshnikëve, i cili është i vjetër sa bota.

Stërgjyshja e kryetarit të opozitës, na paska patur një lidhje dashurore me një emigrant grek, të mbetur në trojet tona qysh pas luftes së parë botërore dhe si rrjedhim i saj vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite, armiqësia ndaj dy vëndeve fqinje. U kapën në flagrancë duke bërë seks dhe me që kjo mbeti shtatzanë me paraardhësit e Edit, nisi një luftë e përgjakshëme e cila i kalonte tmerret e Luftes së Trojës. Veç të tjerave, kjo gjë na bind se kryetari i opozitës nuk është me gjak të paster shqiptar gjë që duhet parë serjozisht për të mos na rrezikuar nesër.

Në të tilla kushte është e pritshëme që ai t’i falë grekut jo vetëm territore detare, por edhe tokësore. Sa për tjetërsimin e kufirit detar në jug, shqiptarët që do vijnë do e kuptojnë edhe më mirë zgjuarsinë e këtij veprimi. Uji gjithnjë merr formën e enës ku vendosdet. Do s’do greku, në enën tonë do e mbajë detin. Rrjedhimisht ai prapë mbetet uji ynë dhe jo i grekut. Nga ana tjetër ky veprim e ka djellëzinë brenda. Nesër pasardhësit tanë kanë të drejtë që këtë gjë ta përdorin si karrem për të rrëmbyer territoret çame.

Ç’nuk po na dëgjojnë veshët gjatë kësaj fushate? E vetmja gjë që s’po e dëgjojmë akoma është: si do shpëtojë vëndi nga borxhi publik i cili ka arritur shifrën katastrofike prej 63 %, borxh i cili e ka bërë vendin që të qëndrojë i varur në buzë të humnerës. Kush do ta bëjë këtë gjë, kur të dy kandidatët për kryeministra akuzojnë njeri tjetrin si skizofrenë?

Aktualisht vëndi nuk qeveriset nga kushtetuta e cila është formuluar e tillë që mund ta tërheqish si llastik për të përligjur çdo paudhësi, por nga kanuni mesjetar i cili është duke marrë mijra jetë njerëzish e ka ngujuar mijra të tjerë. Krimi i përditshëm e ka bërë të pasigurt jetën e qytetarit. Vrasin banditët që duan të rrëmbejnë fitimet e njeri tjetrit, por vret edhe shteti që ka të drejtën mbi çdo fitim. Sa për drejtësi as që bëhet fjalë. Drejtësia është shteti, kanuni, lahuta. Në cilin vënd të botës shtetasit mund të ikin nga kjo botë, të përcjellë me këngë?

Tam tamet për sukseset marramëndëse nuk kanë të mbaruar. Rrugë, rrugë dhe vetëm rrugë. Ky vënd e ky popull ka nevojë të ngutshëme… vetëm për rrugë. Të thyej qafën në to e të mos na bëhet ferrë nëpër këmbë, se kot nuk i bëmë këto rrugë. Prandaj po i heqim edhe vizat nga Amerika e deri në Tokën e Zjarrte të Magelanit që ky popull të mos gjejë derman. Se këto rrugë në vënd të na bashkonin atdheun, na e ndanë edhe më keq. Ndërsa në veri bëhen autostrada e superstrada, në jug nuk ndërtohet dot një copë rrugë dhe krahina të tëra mbeten të izoluara nga atdheu i cili qeverriset  prej tribuve të mesjetës. Kur vallë shqiptari ka qënë kaq i lirë për të thyer qafën e tij?

Puna e votës i ka ngatërruar pak situatat, por nuk është pa zgjidhje sepse Muli nuk është kot në krye të banditëve. Masat i kemi marrë të tëra. Shkollat dhe nxënësit do votojnë për ne. Të punësuarit sigurisht, se më kot ne nuk i paguam ata me therrimet e xhepave tona. Por jo vetëm ata. Derisa me këto rroga therrime që ju japim mbajnë frymën gjallë deri 15 veta, të 15 duhet ta japin votën për ne. Opozita le të çirret sa të dojë. Këtë metodë e shpiku vet ajo. A nuk ishte Lirka i Metkës që pak muaj para se të bënte divorcin, lëshoi traktet e të punësuarve të tij duke ju kërkuar nga 40 vota çdo të punësuari? Ne nuk jemi kaq hiperbolik. Na mjaftojnë vetëm 15 vota nga çdo i punësuar.

Do s’do qytetari, do votojë për ne. Edhe po s’e pati ai këtë mëndje, do e gjejmë ne mënyrën që ajo votë të vijë për ne, sepse në KQZ janë mercenarët që nuk i paguajmë kot. Ky mandat qeverisës për ne, ndan shapin nga sheqeri dhe e kthen vëndin plotësisht në vënd banditësh e kriminelësh, ashtu siç ka qënë dhe do mbetet përjetësisht. Ata që do i shpëtojnë plumbit këtu, le të thyejnë qafën udhëve të botës. Vizat për në Amerikë do i heqim, do a s’do Rama. Shqiptarët nuk janë krahtharë, por për të bërë prokopi duhet të ikin prej këtij vëndi i cili ka zot. Po s’ju pëlqeu Amerika mund të shkojnë edhe në Hënë a në Mars. Sot janë duke u hapur biznese edhe andej. Këtu ata janë të vonuar dhe s’ka asnjë shpresë për ta ndryshuar fatin e tyre.

Kjo është arsyeja që këtu nuk flitet për ekonomi e për krim. Dy plagët kanceroze që po e mbajnë të mbërthyer vendin. Kjo është qeverria më largpamëse që pati ky vënd. Ekonomia është në nivelet më të larta të globit, ku çdo qeverritar ka të mbyllura në llogari bankare, miljona e disa deri edhe miljarda. Ata që s’kanë mundur të vënë të tilla, janë të paaftë, ndaj duhet ta shikojnë vazhdimin e qënies së tyre këtu, sepse na zbehin shkëlqimin e krijojnë përshtypjen se vëndin po e ha varfëria. Edhe po s’deshën ta bëjnë këtë, neve na mbetën në dorë me bollek plumba nga të Enverit. Mos kujtoni se shpërthyen të gjitha në Gërdec. Atje vetëm sa u dha sinjali i cili nuk u kuptua në kohën e duhur. Akoma nuk duan ta kuptojnë, sepse ky popull është kokngjeshur. Shqipëria do kthehet e tëra në Gërdec që kushdo ta njohë forcën tonë dhe të didhen prej saj.

Shqipëria jonë! Asnjëherë s’ke qënë kaq e kërcënuar prej vetvetes, kaq e poshtëruar prej vetvetes. Kaq e pafuqishme dhe e lodhur. Kaq e verbuar dhe e shurdhuar. Jepi dërmën kësaj pjese të keqe të vetvetes, sa pa ta marrë frymën përfundimisht.

AFRIM KRASNIQI: PARTITE E FAMILJEVE

Dinasti apo klan familjar? Projekt politik apo projekt ekonomik? Ndarje për shkak të bindjeve apo nevojës për përfaqësim familjar? Konkurrencë elektorale apo balancim familjar? Demokraci apo oligarki? Në SHBA dihet: Bush senior ishte Presidenti, Xhorxh W. u bë President, një i tretë Bush mund të jetë kandidat për President. Por të gjithë Bush-ët i përkasin republikanëve, janë produkt votimi konkurrues brenda partisë dhe produkt i votës direkte qytetare. E njëjta gjë vlen për dinastinë Kenedi tek demokratët. Në Britani dy vëllezërit Miliband ishin politikanë, laburistë, produkt vote madje në konkurrim me njëri tjetrin.

Në Shqipëri praktika të tilla janë ende të panjohura. Nuk ka dinasti politike që burojnë nga ideologjie, vota dhe konkurrimi demokratik. Në vitet ’40 patëm kryeministër djalin e Aqif Bicakciu-t apo Mit’hat Frashëri ishte djali i Abdyl Frashërit, por bëhet fjalë për një periudhë kur ende kishte elita dhe sistemi i vlerësimit ishte mbështetja publike, merita dhe prestigji. Me sistemin komunist elitat u emëruan, ndaj edhe të gjithë emrat familjarë ishin produkt emërimi, – pa kriter aftësie e konkurrimi. Ndaj nuk është cudi kur themi se ciftet Hoxha (Enver-Nexhmije), Shehu (Mehmet-Fiqret), Kapo (Hysni-Vito), etj nuk përfaqësojnë dinasti demokratike, por klane familjare në përpjekje për identifikimin e tyre me shtetin dhe pushtetin, – kriter themelor në strukturën emërtuese të diktaturës.

Në demokraci procesi nisi ndryshe që më 1990: në listën themeluese të PD atë vit gjejmë të paktën 7-8 mbiemra (Pashko, Ruka, Shuteriqi, Dedja, etj), ku dy persona të një familjeje bëjnë pjesë në dy kampet politike kryesore rivale, PDSH dhe PPSH. Në parlamentet e tranzicionit gjenden të paktën pesë raste kur dy vëllezër, dy anëtarë të një familjeje, etj, gjenden deputetë në krahë të kundërt, në PD dhe në PS. Kemi një rast të vetëm kur dy deputetë janë bashkëshortë, apo të paktën dy raste kur mandati i deputetit i kalon vëllait apo në pesë raste kur i kalon djalit/vajzës. Secili për motive të ndryshme, më rastin e parë produkt votimi direkt, dhe në dy rastet e fundit, secili si produkt votimi formal (lista proporcionale). Kemi të paktën 10 raste kur deputetë janë “zgjedhur” direkt ose indirekt pinjollë të ish politikanëve gjatë periudhës komuniste, por për shkak të parët janë politikanë dhe të dytët nuk kanë qenë politikanë (në diktaturë kishte funksionarë të emëruar, jo politikanë të zgjedhur) kjo është parë si trashëgimi e pritshme e një vendi ish komunist, siç ka ndodhur edhe në Bullgari apo Rumani. Aktualisht kemi të paktën katër deputetë që hyjnë në lista të sigurta duke qenë njëherësh edhe pinjollë të prindërve të tyre, ish deputetë në parlamente të ndryshme të tranzicionit, por zgjedhja e tyre ka qenë kryesisht jo për shkak të meritës specifike personale, sa për shkak të dobësisë dhe miqësisë personale së liderit emërues me prindërit e tyre.

Shumë më ndryshe nga këto praktika vjen eksperienca e këtyre zgjedhjeve (2013), kur për herë të parë publiku ndeshet me një fenomen të ri: kandidimin masiv të anëtarëve të së njëjtës familje për parti të ndryshme politike, madje për parti të kundërta politike. Rastet Mediu-Celibashi, Duka-Koka, etj janë vetëm dy nga të paktën 11 raste kur dy anëtarë të një familjeje janë vendosur në listat proporcionale në vende me shanse 100% deri në 50% për zgjedhje, pra me mandat të sigurt ose pothuajse të sigurt. Mandate të tilla përfshijnë qarkun Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Shkodër, Lezhë, Kukës, Berat, Gjirokastër dhe Elbasan, pra pothuajse të gjithë vendin. Kemi gjithashtu të paktën 15 raste kur liderit politikë kryesorë kanë emëruar në listat preferenciale elektorale kandidatë për deputetë me lidhje të forta familjare, me lidhje personale, etj, pa asnjë lidhje e argument të arsyeshëm politik. Ndonjë prej tyre vjen për shkak të kredive politike gjatë tranzicionit, shumica për shkak të rrethanave specifike elektorale dhe financimit informal të palëve emërtuese. Në tërësi, asnjë prej tyre nuk është produkt konkurrimi të brendshëm apo sistem merite të verifikuar, nuk janë figura me identitet të qartë politik për forcat që përfaqësojnë dhe si të tilla, janë produkte direkt të vullnetit personal të kryetarëve të partive që i kanë emëruar. Pra sistemi piramidal partiak ka vendosur me ndërgjegje të plotë ti japë mbështetje projektit të ndarjes dhe balancimit familjar mazhorancë – opozitë.

Shqetësimi më i madh nuk lidhet me këtë dukuri të klientelizmit dhe oligarkisë familjare në politikë, por me faktin se shumica e tyre përfaqësojnë botën e biznesit, nuk janë aktorë politikë dhe nuk kanë ndonjë identitet apo projekt politik. Ata vijnë nga biznesi politik dhe duan ta zgjerojnë atë përmes politikës, pra përmes sistemit të klientelës: – një dukuri dëmtuese për vlerat e demokracisë funksionale dhe përfaqësuese. Për më tepër ato janë sinjale negative për nevojën e politikës shqiptare për reformim, demokratizim, përcaktim programor dhe ideologjik, për një sistem të ri merite, konkurrence, vlerash dhe parimesh politike. Ato paralajmërojnë se partitë përkatëse do të mbeten edhe më tej peng i logjikës së familjes, vendimmarrjes personale, oborrit personal, dhe kështu, që parlamenti e jeta politike e katër viteve të ardhshme më shumë ngjasojnë me modelin rus të politikës sesa me modelet perëndimore, për të cilat ne realisht kemi nevojë!

Për t’iu përgjigjur pyetjes në fillim: ekzistojnë argumente dhe fakte të mjaftueshme për të konstatuar se dukuria e re elektorale shqiptare nuk ka të bëjë me dinastitë politike por me klanet familjare në politikë, nuk lidhet me projekte politike por imponohen si projekte ekonomike, nuk vijnë si ndarje për shkak të bindjes politike por nevojës për përfaqësim familjar dhe imunitet personal, nuk vjen si konkurrencë elektorale por si emërim nga lart për balancim familjar midis opozitës dhe mazhorancës së sotme dhe të nesërme, – dhe mbi të gjitha, nuk janë tregues të një demokracie funksionale por të një oligarkie të rrezikshme për cilësinë e demokracisë dhe shtetin e së drejtës!

VALBONA KARANXHA: PRESIONI NDAJ ADMINISTRATAVE: SHKELJE E PARIMEVE DEMOKRATIKE

Stresi i qeverisë së Berishës dhe mediakëve të tij ka dalë jashtë kontrollit. Toleranca politike ka rënë në nivele të ulëta. Realiteti po godet kabinetin e Berishës dhe zgjatimet mediake të tij. Meqënëse rezultati i zgjedhjeve është i paparashikueshëm deri tani, stresi rritet në koorelacion pozitiv me pasigurinë. Ndeshja virtuale është intensifikuar,  po kështu edhe përplasje fizike janë raportuar nëpër rrethe. Partia në pushtet, e përballur me lëshimin e administratave ndaj një force tjetër politike, e cila do mund të kontrollojë atë që PD nuk do ketë më nën kontroll, ka filluar presionet tek punonjësit e saj. Presionet janë në formën sugjerimeve për të aplikuar një farë modeli të skemave piramidale për sigurimin e votave të duhura me moton “Rekruto njëzet veta ose njëzet vota” dhe benefitet do jenë lukrative.

Në botën e multi-level marketing, ku një pakicë përfiton nga skemat piramidale falë aftësive të marketingut, shumica falimentojnë sepse nuk arrijnë të rekrutojnë të tjerë; por në të vertëtë nuk humbasin ndonjë shumë substanciale financiare. Ndërsa në Shqipëri, administratat nuk kanë mundësi tjetër, përveçse të gjejnë njëzet vota, ndryshe do humbasin vëndin e punës dhe të ardhurat.

Për të gjithë ne që jetojmë me rrogë javore, apo mujore, një lajm i tillë është shumë shqetësues, dhe kushdo do vihet në levizje të gjej votat e kërkuara nga shefi i madh, por a do arrijnë të sigurojnë numrin e votave punonjësit e administratave, apo do paketojnë gjerat personale nëpër zyrat e tyre, dhe të dalin për dere e përjashta duke i lëshuar zyrat socialisteve të cilët kontribuan për fushatën e PS në qoftëse ajo vjen në fuqi.

Ky konfuzion vjen si pasojë e politizimit të administratave nga qeveritë e tranzicionit, nga politika klanore dhe nga motoja “një dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën.”

Nga do gjehen njëzet vota për çdo punonjës administrate? Dikujt do t’i mohoet kjo e drejtë demokratike në zgjedhjet e njëzet e tre qershorit. Në rastin e skenarit që njëzet vota punonjësit s’kanë ku t’i mbledhin, pyetja qendron : A do ndihen këta punonjës të detyruar të gjejnë rrugë të tjera të padrejta për të siguruar njëzet vota? Këto metoda presioni në administratë janë shprehje të qarta të lidërshipit të detyrimit dhe të dhunës coercive leadership. Ky lloj manipulimi qeveritar është jo vetëm anti demokratik por edhe diktatorial dhe i le vendin mashtrimit elektoral.

Në parim, mashtrimi elektoral është manipulim i zgjedhjeve për të rritur numrin e votave të një kandidati dhe për të ulur ndjeshëm atë të kandidatit tjetër. Këto lloj skenarësh janë shumë të zakonshëm në Shqipëri. Nën trysninë e ODIHR dhe OSBE, qeveria e Berishës sheh më pak mundësi për manipulime drejt për së drejti në votë, prandaj legjitimitetin Berisha e kërkon me detyrimin e administratave të cilët duhet të  sjellin njëzet vota të tjera në ditën e votimeve.

Kjo lloj sjellje është tipike për lidërshipet e pasuksesshme, pasi ato rrinë me forcë në pushtet. Por dëmi që ky lloj lidërshipi i bën popullit është me pasoja, sepse populli humbet krejtësisht besimin ndaj politikanëve, dhe duke i vënë bllok çdo lidërshipi, i pret rrugën forcave  përparimtare politike. E thënë thjesht, populli s’do t’ja dij më se kush vjen apo ikën në pushtet, sepse vota manipulohet dhe zëri i tij nuk dëgjohet.

Suksesi i mashtrimit elektoral dhe shtrirja e tij i lë vend demokracisë së korruptuar dhe ul konfidencën që votuesit kanë në demokracinë e pastër dhe proçeset e saj. Por në të vërtetë, tek një popull si shqiptarët të cilët janë shume aktiv në jetën politike të vendit, një pjesë dërmuese e kanë humbur komplet besimin tek demokracia dhe vërtetsia e pushteteve shqiptare gjatë tranzicionit.

Viktimizimi i adminstratave me ndërrimin e pushteteve është vetëm një nga pasojat që ka politizimi i saj. Kjo lloj politike prek punonjësit në një plan ekonomik, social, psikologjik moral dhe emocional etj; nënvleftëson konceptin e demokracise,  i le vend korrupsionit  dhe pasurimit të një pakice e cila shtiret sikur siguron të ardhurat dhe jetësën e popullit gjë e cila nuk është favor por është e drejta legjitime e tij.

E vetmja rrugë për të parandaluar hedhjen në rrugë të punonjësve  administrativ mbas 23 qershorit (në qoftëse PS vjen në pushtet)  është ndalimi i kësaj politike. Në rastin se PS vjen në fuqi, ajo  nuk duhet të ndërmarrë absolutisht asnjë reprezalje ndaj punonjësve të administratës, madje, institucione për ndalimin e kësaj praktike duhet të ngrihen në mënyrë imediate. Në këtë mënyrë, rritet besimi i popullit në lidërship dhe shtohet konfidenca e tij në demokraci.

Meqënëse Shqipëria është vend që mbahet kryesisht me shërbimet publike, pasi bujqësia dhe industria jane vetëm rreth 2/5 e GDP ose prodhimit të brëndëshëm bruto, një fitim i mundëshëm i PS e ve atë nën presion të jashtëzakonshëm të mbaj administratën aktuale në punë dhe të inkurajoj zhvillimin e sektorëve të cilët do mundësojnë punësimin e të papunëve. Politizimi i ri administratave do të çoj në përplasje të paevitueshme dhe do të ul numrin e ditëve të saj në pushtet dhe eventualisht, do falimentojë si qeveri.

Për një vend që ka praktikuar politizim administratash si mjet për të siguruar një mburojë  të fortë ndaj sulmit të opozitave prej njëzet e tre vjetësh, fenomeni është bërë mëse i parashikueshëm. Kjo politikë është përçarëse. Nuk ka asnjë teori që mbron tezën se një adminsitratë e majtë përformon më mirë se një e djathtë dhe vice and versa kur flasim për punë të zakonshme administrative. Administratorët janë thjeshtë zyrtarë civil dhe si të tillë bëjnë punën për të cilën paguhen pa u implikuar me bindjet dhe partitë politike. Mosprekshmëria e sektorik publik, përbën supremacinë e neutralitetit politik (Paul Flynn, 2013).  Administratat në Shqipëri tradicionalisht politizohen si shkak i politikës klanore, por ato nuk duhet të jenë të aspak të prekshme; performanca e tyre duhet të matet me sisteme vlersimi  realiste. Pra nuk ka asnjë arsye të ligjshme që punonjësit të flaken në rrugë sa herë që një force politike humbet dhe tjetra fiton.

Për më tepër, punonjësit shteteror dhe administrativ nuk duhet të manipulohen në mënyrë që të prodhojnë vota dhe rezultate ne votime, sepse në këtë mënyrë ata ndihen të detyruar të shtrëmbërojnë vullnetarisht apo kundër vullnetit të tyre konceptin e demokracisë në Shqipëri i cili ka vite qe mbahet ne një fije peri shume të hollë.

Referenca:

http://www.huffingtonpost.co.uk/paul-flynn/politicising-the-civil-service_b_3110213.html