Home » ANALISTE TE FTUAR » AFRIM KRASNIQI: PARTITE E FAMILJEVE

AFRIM KRASNIQI: PARTITE E FAMILJEVE

Dinasti apo klan familjar? Projekt politik apo projekt ekonomik? Ndarje për shkak të bindjeve apo nevojës për përfaqësim familjar? Konkurrencë elektorale apo balancim familjar? Demokraci apo oligarki? Në SHBA dihet: Bush senior ishte Presidenti, Xhorxh W. u bë President, një i tretë Bush mund të jetë kandidat për President. Por të gjithë Bush-ët i përkasin republikanëve, janë produkt votimi konkurrues brenda partisë dhe produkt i votës direkte qytetare. E njëjta gjë vlen për dinastinë Kenedi tek demokratët. Në Britani dy vëllezërit Miliband ishin politikanë, laburistë, produkt vote madje në konkurrim me njëri tjetrin.

Në Shqipëri praktika të tilla janë ende të panjohura. Nuk ka dinasti politike që burojnë nga ideologjie, vota dhe konkurrimi demokratik. Në vitet ’40 patëm kryeministër djalin e Aqif Bicakciu-t apo Mit’hat Frashëri ishte djali i Abdyl Frashërit, por bëhet fjalë për një periudhë kur ende kishte elita dhe sistemi i vlerësimit ishte mbështetja publike, merita dhe prestigji. Me sistemin komunist elitat u emëruan, ndaj edhe të gjithë emrat familjarë ishin produkt emërimi, – pa kriter aftësie e konkurrimi. Ndaj nuk është cudi kur themi se ciftet Hoxha (Enver-Nexhmije), Shehu (Mehmet-Fiqret), Kapo (Hysni-Vito), etj nuk përfaqësojnë dinasti demokratike, por klane familjare në përpjekje për identifikimin e tyre me shtetin dhe pushtetin, – kriter themelor në strukturën emërtuese të diktaturës.

Në demokraci procesi nisi ndryshe që më 1990: në listën themeluese të PD atë vit gjejmë të paktën 7-8 mbiemra (Pashko, Ruka, Shuteriqi, Dedja, etj), ku dy persona të një familjeje bëjnë pjesë në dy kampet politike kryesore rivale, PDSH dhe PPSH. Në parlamentet e tranzicionit gjenden të paktën pesë raste kur dy vëllezër, dy anëtarë të një familjeje, etj, gjenden deputetë në krahë të kundërt, në PD dhe në PS. Kemi një rast të vetëm kur dy deputetë janë bashkëshortë, apo të paktën dy raste kur mandati i deputetit i kalon vëllait apo në pesë raste kur i kalon djalit/vajzës. Secili për motive të ndryshme, më rastin e parë produkt votimi direkt, dhe në dy rastet e fundit, secili si produkt votimi formal (lista proporcionale). Kemi të paktën 10 raste kur deputetë janë “zgjedhur” direkt ose indirekt pinjollë të ish politikanëve gjatë periudhës komuniste, por për shkak të parët janë politikanë dhe të dytët nuk kanë qenë politikanë (në diktaturë kishte funksionarë të emëruar, jo politikanë të zgjedhur) kjo është parë si trashëgimi e pritshme e një vendi ish komunist, siç ka ndodhur edhe në Bullgari apo Rumani. Aktualisht kemi të paktën katër deputetë që hyjnë në lista të sigurta duke qenë njëherësh edhe pinjollë të prindërve të tyre, ish deputetë në parlamente të ndryshme të tranzicionit, por zgjedhja e tyre ka qenë kryesisht jo për shkak të meritës specifike personale, sa për shkak të dobësisë dhe miqësisë personale së liderit emërues me prindërit e tyre.

Shumë më ndryshe nga këto praktika vjen eksperienca e këtyre zgjedhjeve (2013), kur për herë të parë publiku ndeshet me një fenomen të ri: kandidimin masiv të anëtarëve të së njëjtës familje për parti të ndryshme politike, madje për parti të kundërta politike. Rastet Mediu-Celibashi, Duka-Koka, etj janë vetëm dy nga të paktën 11 raste kur dy anëtarë të një familjeje janë vendosur në listat proporcionale në vende me shanse 100% deri në 50% për zgjedhje, pra me mandat të sigurt ose pothuajse të sigurt. Mandate të tilla përfshijnë qarkun Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Shkodër, Lezhë, Kukës, Berat, Gjirokastër dhe Elbasan, pra pothuajse të gjithë vendin. Kemi gjithashtu të paktën 15 raste kur liderit politikë kryesorë kanë emëruar në listat preferenciale elektorale kandidatë për deputetë me lidhje të forta familjare, me lidhje personale, etj, pa asnjë lidhje e argument të arsyeshëm politik. Ndonjë prej tyre vjen për shkak të kredive politike gjatë tranzicionit, shumica për shkak të rrethanave specifike elektorale dhe financimit informal të palëve emërtuese. Në tërësi, asnjë prej tyre nuk është produkt konkurrimi të brendshëm apo sistem merite të verifikuar, nuk janë figura me identitet të qartë politik për forcat që përfaqësojnë dhe si të tilla, janë produkte direkt të vullnetit personal të kryetarëve të partive që i kanë emëruar. Pra sistemi piramidal partiak ka vendosur me ndërgjegje të plotë ti japë mbështetje projektit të ndarjes dhe balancimit familjar mazhorancë – opozitë.

Shqetësimi më i madh nuk lidhet me këtë dukuri të klientelizmit dhe oligarkisë familjare në politikë, por me faktin se shumica e tyre përfaqësojnë botën e biznesit, nuk janë aktorë politikë dhe nuk kanë ndonjë identitet apo projekt politik. Ata vijnë nga biznesi politik dhe duan ta zgjerojnë atë përmes politikës, pra përmes sistemit të klientelës: – një dukuri dëmtuese për vlerat e demokracisë funksionale dhe përfaqësuese. Për më tepër ato janë sinjale negative për nevojën e politikës shqiptare për reformim, demokratizim, përcaktim programor dhe ideologjik, për një sistem të ri merite, konkurrence, vlerash dhe parimesh politike. Ato paralajmërojnë se partitë përkatëse do të mbeten edhe më tej peng i logjikës së familjes, vendimmarrjes personale, oborrit personal, dhe kështu, që parlamenti e jeta politike e katër viteve të ardhshme më shumë ngjasojnë me modelin rus të politikës sesa me modelet perëndimore, për të cilat ne realisht kemi nevojë!

Për t’iu përgjigjur pyetjes në fillim: ekzistojnë argumente dhe fakte të mjaftueshme për të konstatuar se dukuria e re elektorale shqiptare nuk ka të bëjë me dinastitë politike por me klanet familjare në politikë, nuk lidhet me projekte politike por imponohen si projekte ekonomike, nuk vijnë si ndarje për shkak të bindjes politike por nevojës për përfaqësim familjar dhe imunitet personal, nuk vjen si konkurrencë elektorale por si emërim nga lart për balancim familjar midis opozitës dhe mazhorancës së sotme dhe të nesërme, – dhe mbi të gjitha, nuk janë tregues të një demokracie funksionale por të një oligarkie të rrezikshme për cilësinë e demokracisë dhe shtetin e së drejtës!