Home » ANALIZA » E MIRA DHE E KEQJA NË POLITIKËN SHQIPTARE II –

E MIRA DHE E KEQJA NË POLITIKËN SHQIPTARE II –

E keqja në jetën publike

Nuk them ndonjë gjë të re po të përsëris se e keqja helmon dhe vret jetën shoqërore dhe e mira shëron dhe e lulëzon jetën shoqërore. Sepse e keqja mund të jetë në interes të një njeriu të vetëm por jo të të gjithë të tjerëve në një shoqëri. Edhe atij që, për pak kohë i bën mirë, e keqja e gjen mënyrën për me ia shkatërrue jetën, sepse një herë që zbulohesh, e nuk dilet lehtë nga lëkura, do të vazhdosh të sillesh ashtu si je në të vërtetë.

Prandaj ka grupe e kombe që mund të bëhen xhelatët e vullnetshëm të dikujt apo skllevër të një ideje absurde, dhe në emër të asaj ideje të bëjnë atë që nuk mund të merret me mend. Këtë e kam shpjeguar në një shkrim tjetër. Këto grupe sillën kështu me grupet e tjera, por përbrenda grupit edhe këta kanë rregulla e norma sjelljeje që i ruajnë dhe i mbrojnë pjestarët e grupit nga të tjerët.

Mirëpo edhe brenda këtyre grupeve e keqja e nxjerr kokën por është e dënueshme sepse e mira e grupit vjen përpara gjithckaje tjetër. E keqja, në cdo grup, sin ë familje ashtu edhe në komb, vjen kur njeriu punon vetëm për interesin e vet të ngushtë. E keqja vjen kur në rrugën e vet për të siguruar mbijetesën e pasurimin individi nuk njeh asnjë shtërngesë apo pengesë dhe për ma tepër e kthen këtë sjellje në thelb kanibaleske, sepse kështu po lufton kundër njerëzve tuaj, në virtyt. Në botën shtazore ka shumë shembuj të tillë kanibalizmi dhe më i qarti mbetet krokodili.  Krokodili kujdeset për vezët etj., por e han pjellën e vet sapo hidhet në ujë. Ama, kur rritet mjaftueshëm krokodilët nuk e prekin njëri tjetrin.

Në nivelin e shoqërive njerëzore, nga këndvështrimi i të dënuemit me u përpi, e keqja është gjendja kur njeriu në një shoqëri është i pashpresë, pa dinjitet, pa mundësi me jetue normalisht dhe me iu gëzue vetes dhe të tjerëve, i përdorur, i skllavënuar dhe me ndjenjën e të kënunit gjithherë i pamoralshëm dhe i ndytë.  Ajo që e bën të keqen të frikshme është normalizimi i saj, momenti kur gjithkush në një shoqëri e sheh të keqen si dicka normale, të natyrshme, si të vetmen gjendje e mënyrë sjelljeje të moralshme, që bëhet e moralshme sepse kështu sillet gjithkush. Me një fjalë, ashtu si në Rrethin e Ferrit e keqja triumfon kur gjithkush që ka zbritë me sjelljet e veta në Rrethin e Ferrit transformohet në gjarpër dhe nisë të hajë të sapozbriturit në Ferr.

Popujt dhe kombet e tjera e kanë gjetë mënyrën me analizue të keqen duke iu kthye shembujve të historisë së tyre, duke e parë si kategori filozofike, apo duke e ritualizue e normalizue ideologjikisht për me i shërbye interesave të një grupi të vogël sundues. Por, ne, shqiptarët, kemi një natyrë specifike, histori e gjendje të vecanta që kërkojnë reflektim të thellë sepse vijmë nga rrugë paralele, me përvoja të ndryshme, pa një shtet-komb të mirëfilltë, dhe mbi të gjitha, me sundues që kanë ardhur njëri pas-tjetrit dhe që interesin e kombit nuk e kanë pasur gjithnjë parësor. Kjo që ndodhi mbas rënies së sistemit parti-shtet, është shumë ilustruese në lidhje me sjelljen e parisë.

Prandaj ia vlen që me e cek pak se si shfaqen e mira dhe e keqja në jetën publike e politike tonën. Por më parë ia vlen që duke e shkëputur idenë e mendësinë e të keqes nga feja të shohim se nga vjen e se si manifestohet ajo në jetën shoqërore

Nga Vjen e Keqja?

Njeriu është një gjallesë që kërkon me mbijetue dhe në procesin e mbijetesës morali dhe vlerat që ka janë të kushtëzuara nga rrethanat, nga zgjidhjet që gjen dhe nga vlerat kulturore të grupit të cilit i përket. Mirëpo e keqja nuk ekziston pa të mirën, sepse terri i natës kuptohet kur ka dritë. Si njerëz e si qënie shoqërore, edhe ky dyzim na shtyn me reflektue mbi sjelljen tonë. Si grupe, ky dyzim përcakton rrugën që marrim, moralin e kohës në të cilën jetojmë dhe vlerat sunduese në një shoqëri. Përtej përrallave të zakonshme, ne shqiptarët kemi harxhue disa qindra vjet të ekzistencës tonë si komb në mesjetë duke mbrotjur një pikëpamje të tillë. Në fakt, edhe origjinat si komb i kemi pikërisht tek këto luftëra që kemi zhvillue duke mbrojtur pikërisht këtë pikëpamje filozofike. Ajo përkrenare e trashëguar në familjen e Skënderbeut, i ka rrënjët thellë në histori dhe është një objekt që flet shumë për ne si komb se sa legjendat e krijuara nga historianët e poetët tanë.

Thelbi i besimit tonë të hershëm është se e keqja është e pashmangshme, aspak banale, por pjesë e natyrës njerëzore dhe e gjithësisë të cilën duhet me e kontrollue e me njohë, por që nuk mundesh me e shmangë. Varet se si e përdoron edhe këtë anë të keqe tënden. Sepse prandaj edhe kemi vullnetin si qënie njerëzore, me ba zgjidhjet e duhura, me dallue të mirën nga e keqja. Kemi mundësi me ndryshue, me e minimizue, shmangë, kontrollue por jo me e zhdukë. Sepse edhe më i miri ndër ne, bahet më i keqi kur detyrohet nga rrethanat.

E keqja vjen nga jashtë dhe nga brenda grupit. E keqja vjen në formën e katastrofës së natyrës që nuk ke c’i bën sepse vjen nga nuk e pret. Mirëpo, dicka mund të bëhet. Shtatë vjetë thatësirë në Egjypt u përballuan sepse njerëz të mencur ruajtën ushqimet shtatë vjet më pare në kohët e mira kur kishte prodhim. Pra, udhëheqja e mirë i del përpara të keqes.  E keqja tjetër nga jashtë grupit, që shpesh është e pashmangshme edhe nga ata që sundojnë vjen nga pushtimi i huaj. Kështu, 150000 ilirë u kthyen në skllëver dhe u nisën për në Romë nga Luc Emil Pauli, ku përfunduan si skllevër. Ndoshta ajo lidhja e fortë që së fundi deklarohet se e kemi gjenetike me Europën vjen nga këta skllevër e nga valë të tjera skllevërish ilirë dhe që më vonë me emra të tjerë si arbanë, arbëreshë, shqiptarë, epirotë, etj. u degdisën rrugëve të botës. Prandaj duhet shteti dhe udhëheqja që i del përpara të keqes.

E keqja tjetër vjen nga brenda grupit e shpesh shkaktohet nga natyra specifike e rrethanave dhe nga kultura e grupit. Kjo vjen nga sëmundjet, nga epidemitë, nga ndryshimet e panjohura dhe nga degjenerimi. Popuj të tërë shuhen nga faqja e dheut kur bien në kontakt me sëmundje e me prodhime që janë të panjohura, të dëmshme e pa ndonjë ilac e zgjidhje për ta.

Mirëpo, ka një të keqe që e ka origjinën, jo tek të huajt, jo në përbërjen e predispozicionin gjenetik, jo tek natyra speficike dhe kultura e grupit, por është në origjinë një e keqe politike dhe shoqërore.  Kjo e keqe lidhet me sundimin e një grupi apo shtrese që e sheh të gjithë shoqërinë si masë për t’u përdoruar, sshfrytëzuar e sunduar. Kjo shtresë që është paria, paria, lufton me të gjithë mënyrat që të mbjellë një mendësi që e legjitimon dhe e justifkon sundimin e saj. E keqja bëhet dhe duket e pashmangshme. Jeta në Rrethin e Ferrit është normaliteti, dhe e gjithë bota jeton në Ferr.

E keqja shoqërore e këtij lloji, pra, është e një natyre tjetër. Kjo e keqe vjen nga degjenerimi moral dhe humbja e vlerave dhe e besimit që e mban një shoqëri bashkë. Kështu Sodoma e Gomorra u dhanë mbas qejfeve dhe u zhdukën nga faqja e dheut. Spartanët u dhanë mbas qejfeve, verës, intrigës dhe hordhëkut, dhe e humbën shtetin e tyre në një brezni. E keqja vjen kur dobësia njerëzore përcakton marrëdhëniet njerëzore. Atëherë shoqëria fillon e degradon. Njerëzit e mirë duan të ikin e të shkëputen, si një plagë, shoqëria fillon e mbledh qelbin derisa gangrenizohet ose shërohet. Sepse nuk mund të ketë shoqëri njerëzore pa virtyt, dhe nuk mund të ketë virtyt pa të mirën, të paktën në mes të një shtrese që e drejton atë.

Në këtë pikë, rasti ynë shërben si ilustrim. Sepse ne jemi një popull i shfytyruar në ekstrem, dhe e keqja më e madhe është e keqja që del nga vetë shpirti i popullit të shfytyruar në ekstrem. E keqja shoqërore tashmë nuk është si qeliza e shëndoshë që kthehet në vrasësen e trupit. E keqja e një populli të tillë është si kanceri që e ha të gjallë njeriun.  Kjo e keqe lufton kundër shoqërisë, e helmatis dhe e vret trupin sepse me kohë ajo e ka ndryshuar mendësinë e popullit. Cdo njeri lufton për vete, dhe paria, udhëheqja, politike e morale e shoqërisë, lufton kundër trupit të vet, kundër kombit të vet. Sepse idetë dhe mendësia lindin e kultivohen, bëhen të pranueshme, e legjitimohen nga paria e jo thjesht nga njerëzit e mencur e të izoluar e jashtë shoqërisë. Kur paria është qeliza e tillë vdekjeprurëse e kancerit, një popull është në krizë të thellë, pa besim në zgjidhjen e mundshme, e shpesh pa zgjidhje. Një popull që nuk sheh asgjë të përbashkët me tjetrin është një popull që është i destinuar të bëhet komb skllevërish për të tjerët. Ka skllevër që paguhen më mirë se të tjerët, por në Rrethin e Ferrit askush nuk mundet me shpëtue  pa u ba gjarpën në fund.

Ku jemi ne? 

Ku jemi ne? Ne jemi në një pikë kur na ka kaplluar e keqja më e thellë shoqërore. Qeliza kanceroze që po na han si kanceri është grushti i njerëzve që na sundojnë e që na shohin si pronë të tyre. Duke e ditur se si funksionon organizmi shoqëror, pra shoqëria, këta bëjnë cdo gjë për interesat e tyre dhe e bëjnë këtë duke na futur në kokë mendësitë e gabuara. Pasoja? Shoqëria e jonë po vdes. Por këta hanë e pinë e ne po shuhemi. Po shuhemi e po deformohemi në Shqiperi. Po shuhemi e po asimilohemi në mërgim. Deri këtu duket sikur paria e Tiranës ia ka dalë. Këta janë kanceri, dhe e keqja që nuk do të ndalet deri në fund. E megjithatë, shqiptarët, që i shohin si njerëzit e tyre  nuk po e kuptojnë natyrën e problemit me të cilin përballemi. Edhe qelizat e shendosha nuk e njohin qelizen kanceroze derisa ajo behet e fuqishme dhe fillon dhe i vret apo transformon ashtu si don ajo.  Tani ka ardhur koha që të fillojmë të ndryshojmë rrugën dhe të drejtohemi nga e mira. Kushdo që ka një fije dëshire mos me I pa fëmijët e vet të transformuar në skllevër duhet të mendohet edhe një herë para se të japë veten e lirinë e vet dhe tia lejë në duart e parisë së Tiranës. Dy gjërat që dihen janë këto. Njëra që të gjithë do të përfundojnë si gjarpërinj në këtë Rreth Ferri. Dhe e dyta, se nëse duhet mbijetuar si njerëz e si shoqëri normale, të gjithë duhet t’i kundërvihen të keqes dhe parisë. Po ashtu, ka dy gjëra që nuk dihen. Njëra është se nuk dihet se cka duan të bëjnë njerëzit e mirë. Dhe e dyta gjë që dihet, është se rruga është e vështirë dhe nuk i dihet fundi. Por kush punon për të mirën do të shpërblehet me të mirë dhe kush punon për të keqen, do të shpërblehet me të keqen.

(vijon)