Home » ANALISTE TE FTUAR » VALBONA KARANXHA: PRESIONI NDAJ ADMINISTRATAVE: SHKELJE E PARIMEVE DEMOKRATIKE

VALBONA KARANXHA: PRESIONI NDAJ ADMINISTRATAVE: SHKELJE E PARIMEVE DEMOKRATIKE

Stresi i qeverisë së Berishës dhe mediakëve të tij ka dalë jashtë kontrollit. Toleranca politike ka rënë në nivele të ulëta. Realiteti po godet kabinetin e Berishës dhe zgjatimet mediake të tij. Meqënëse rezultati i zgjedhjeve është i paparashikueshëm deri tani, stresi rritet në koorelacion pozitiv me pasigurinë. Ndeshja virtuale është intensifikuar,  po kështu edhe përplasje fizike janë raportuar nëpër rrethe. Partia në pushtet, e përballur me lëshimin e administratave ndaj një force tjetër politike, e cila do mund të kontrollojë atë që PD nuk do ketë më nën kontroll, ka filluar presionet tek punonjësit e saj. Presionet janë në formën sugjerimeve për të aplikuar një farë modeli të skemave piramidale për sigurimin e votave të duhura me moton “Rekruto njëzet veta ose njëzet vota” dhe benefitet do jenë lukrative.

Në botën e multi-level marketing, ku një pakicë përfiton nga skemat piramidale falë aftësive të marketingut, shumica falimentojnë sepse nuk arrijnë të rekrutojnë të tjerë; por në të vertëtë nuk humbasin ndonjë shumë substanciale financiare. Ndërsa në Shqipëri, administratat nuk kanë mundësi tjetër, përveçse të gjejnë njëzet vota, ndryshe do humbasin vëndin e punës dhe të ardhurat.

Për të gjithë ne që jetojmë me rrogë javore, apo mujore, një lajm i tillë është shumë shqetësues, dhe kushdo do vihet në levizje të gjej votat e kërkuara nga shefi i madh, por a do arrijnë të sigurojnë numrin e votave punonjësit e administratave, apo do paketojnë gjerat personale nëpër zyrat e tyre, dhe të dalin për dere e përjashta duke i lëshuar zyrat socialisteve të cilët kontribuan për fushatën e PS në qoftëse ajo vjen në fuqi.

Ky konfuzion vjen si pasojë e politizimit të administratave nga qeveritë e tranzicionit, nga politika klanore dhe nga motoja “një dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën.”

Nga do gjehen njëzet vota për çdo punonjës administrate? Dikujt do t’i mohoet kjo e drejtë demokratike në zgjedhjet e njëzet e tre qershorit. Në rastin e skenarit që njëzet vota punonjësit s’kanë ku t’i mbledhin, pyetja qendron : A do ndihen këta punonjës të detyruar të gjejnë rrugë të tjera të padrejta për të siguruar njëzet vota? Këto metoda presioni në administratë janë shprehje të qarta të lidërshipit të detyrimit dhe të dhunës coercive leadership. Ky lloj manipulimi qeveritar është jo vetëm anti demokratik por edhe diktatorial dhe i le vendin mashtrimit elektoral.

Në parim, mashtrimi elektoral është manipulim i zgjedhjeve për të rritur numrin e votave të një kandidati dhe për të ulur ndjeshëm atë të kandidatit tjetër. Këto lloj skenarësh janë shumë të zakonshëm në Shqipëri. Nën trysninë e ODIHR dhe OSBE, qeveria e Berishës sheh më pak mundësi për manipulime drejt për së drejti në votë, prandaj legjitimitetin Berisha e kërkon me detyrimin e administratave të cilët duhet të  sjellin njëzet vota të tjera në ditën e votimeve.

Kjo lloj sjellje është tipike për lidërshipet e pasuksesshme, pasi ato rrinë me forcë në pushtet. Por dëmi që ky lloj lidërshipi i bën popullit është me pasoja, sepse populli humbet krejtësisht besimin ndaj politikanëve, dhe duke i vënë bllok çdo lidërshipi, i pret rrugën forcave  përparimtare politike. E thënë thjesht, populli s’do t’ja dij më se kush vjen apo ikën në pushtet, sepse vota manipulohet dhe zëri i tij nuk dëgjohet.

Suksesi i mashtrimit elektoral dhe shtrirja e tij i lë vend demokracisë së korruptuar dhe ul konfidencën që votuesit kanë në demokracinë e pastër dhe proçeset e saj. Por në të vërtetë, tek një popull si shqiptarët të cilët janë shume aktiv në jetën politike të vendit, një pjesë dërmuese e kanë humbur komplet besimin tek demokracia dhe vërtetsia e pushteteve shqiptare gjatë tranzicionit.

Viktimizimi i adminstratave me ndërrimin e pushteteve është vetëm një nga pasojat që ka politizimi i saj. Kjo lloj politike prek punonjësit në një plan ekonomik, social, psikologjik moral dhe emocional etj; nënvleftëson konceptin e demokracise,  i le vend korrupsionit  dhe pasurimit të një pakice e cila shtiret sikur siguron të ardhurat dhe jetësën e popullit gjë e cila nuk është favor por është e drejta legjitime e tij.

E vetmja rrugë për të parandaluar hedhjen në rrugë të punonjësve  administrativ mbas 23 qershorit (në qoftëse PS vjen në pushtet)  është ndalimi i kësaj politike. Në rastin se PS vjen në fuqi, ajo  nuk duhet të ndërmarrë absolutisht asnjë reprezalje ndaj punonjësve të administratës, madje, institucione për ndalimin e kësaj praktike duhet të ngrihen në mënyrë imediate. Në këtë mënyrë, rritet besimi i popullit në lidërship dhe shtohet konfidenca e tij në demokraci.

Meqënëse Shqipëria është vend që mbahet kryesisht me shërbimet publike, pasi bujqësia dhe industria jane vetëm rreth 2/5 e GDP ose prodhimit të brëndëshëm bruto, një fitim i mundëshëm i PS e ve atë nën presion të jashtëzakonshëm të mbaj administratën aktuale në punë dhe të inkurajoj zhvillimin e sektorëve të cilët do mundësojnë punësimin e të papunëve. Politizimi i ri administratave do të çoj në përplasje të paevitueshme dhe do të ul numrin e ditëve të saj në pushtet dhe eventualisht, do falimentojë si qeveri.

Për një vend që ka praktikuar politizim administratash si mjet për të siguruar një mburojë  të fortë ndaj sulmit të opozitave prej njëzet e tre vjetësh, fenomeni është bërë mëse i parashikueshëm. Kjo politikë është përçarëse. Nuk ka asnjë teori që mbron tezën se një adminsitratë e majtë përformon më mirë se një e djathtë dhe vice and versa kur flasim për punë të zakonshme administrative. Administratorët janë thjeshtë zyrtarë civil dhe si të tillë bëjnë punën për të cilën paguhen pa u implikuar me bindjet dhe partitë politike. Mosprekshmëria e sektorik publik, përbën supremacinë e neutralitetit politik (Paul Flynn, 2013).  Administratat në Shqipëri tradicionalisht politizohen si shkak i politikës klanore, por ato nuk duhet të jenë të aspak të prekshme; performanca e tyre duhet të matet me sisteme vlersimi  realiste. Pra nuk ka asnjë arsye të ligjshme që punonjësit të flaken në rrugë sa herë që një force politike humbet dhe tjetra fiton.

Për më tepër, punonjësit shteteror dhe administrativ nuk duhet të manipulohen në mënyrë që të prodhojnë vota dhe rezultate ne votime, sepse në këtë mënyrë ata ndihen të detyruar të shtrëmbërojnë vullnetarisht apo kundër vullnetit të tyre konceptin e demokracisë në Shqipëri i cili ka vite qe mbahet ne një fije peri shume të hollë.

Referenca:

http://www.huffingtonpost.co.uk/paul-flynn/politicising-the-civil-service_b_3110213.html