GRID RROJI: AMERIKA DHE ZGJEDHJET

Vizita e fundit e Drejtorit për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit z. Xhonatan Mur dhe konferenca e tij me disa gazetarë të përzgjedhur është ngjarja që ka kapluar publikun shqiptar në këto të nxehta fushate zgjedhore.

Takimi me median ishte i menduar mirë, gjë që u vu re edhe nga përzgjedhja e kujdesshme e gazetarëve dhe opinionistëve në takim por edhe nga përzgjedhja e atyre që nuk ishin. Po ashtu, z. Mur ka një mënyrë të shprehuri shumë të kujdesshme dhe brenda kornizave diplomatike, e cila është e perfeksionuar me siguri gjatë një periudhe të gjatë shërbimi në diplomaci.

Siç pritej reagimet mbi deklaratat e tij ishin në varësi të pozicionimit politik të palëve. Edhe pse aty ishin thirrur gazetarë dhe jo politikanë, të gjithë ishin të qartë se po i flitej tjerakujt.

Ndër kalemxhinjtë e Berishës vihej re një eufori e përmbajtur e tipit “eh ç’ja futi Marshalli edhe këtë herë Ed Shalëgjatit”. Ata ju gëzuan shumë faktit që problemi i KQZ-së është tashmë “problem i të dyja palëve” dhe se zgjedhjet “garantohen edhe nga Kolegjit Zgjedhor”. Duke ju gëzuar asaj që ata e interpretuan si “fundosje” të Ambasadorit Arvizu në lidhje me vlerësimin e situatës në KQZ ata u përpoqën që t’a milnin sa më tepër bashkëbisedimin. Më kakareçi* ndër ta ishte aq i entuziazmuar sa bëri një pyetje që jo që se kuptoi as vetë, por do i kishte nxjerrë problem të kuptuari edhe dijetarit të madh kinez Lao Cë.

Ndër kalemxhinjtë e Ramës, vihej re qartazi një tis zhgënjimi me gjuhën diplomatike e sidomos me fajësimin e të gjitha palëve politike për situatën e ngërçit politik në përgjithësi, dhe atij në KQZ në veçanti. Më kakareçi ndër ta u shpreh pas takimit se kot e paskësh humbur kohën e tij të vlefshme. Sigurisht që herën tjetër ambasada do bënte mirë të mos e ftonte sepse kësisoj ja kursejnë kohën, edhe pse besoj se në fund të fundit një shërbim i është bërë publikut shqiptar duke mos i lënë kohë atij të shkruaj atë ditë.

Ajo që duhet të na bëjë më shumë përshtypje është fakti se megjithëse ka njëzet vjet që politikanët tanë japin e marrin me ambasadorë, zv. Ambasadorë të fuqishëm, sekretarë politikë, zyrtarë të Departamentit të Shtetit të të gjitha niveleve, si dhe megjithëse një numër i konsiderueshëm shqiptarësh diplomohen çdo vit në katedrat e Amerikës, ende nuk e kanë mësuar abc-në e një diplomacie serioze si ajo amerikania. Si shqiptaro-amerikan dhe si studiues i fushës dëshiroj të ve në dukje disa nga mesazhet e qarta që vijnë nga Amerika për Shqipërinë bazuar në deklaratat publike të zyrtarëve amerikanë dhe Ambasadorit Arvizu.

Së pari, mesazhet diplomatike nuk mund të dalin nga kornizat profesionale të diplomacisë, siç do dëshironin disa, sepse ky është përkufizimi i profesionalizmit në diplomaci. Z. Mur nuk e ka për herë të parë një detyrë të tillë ( në shtete serioze e sidomos në SHBA nuk bëhesh drejtor duke paguar tek selia e partisë përkatëse) dhe as nuk mund t’a ulë nivelin e diskutimit në llumnajën që i kërkon niveli politik shqiptar. Insinuatat se politikën e jashtme amerikane mund t’a bëjnë lobistë sado të fuqishëm si Grupi Podesta tradhtojnë në rastin më të mirë naivitet, e në rastin më fatkeq padije të thellë. Madje pikërisht këtë lloj naiviteti të publikut dhe padije të medias shfrytëzojnë më së miri këto grupe për të mjelë paratë nga grupet mafjoze përkatëse në Shqipëri. Nuk duhet të harrojmë se lobimi është aktivitet ligjor në SHBA brenda disa parametrave të caktuar. Gjithashtu, nuk duhet harruar edhe se diktatorë si Gadafi dhe Mubaraku paguanin shumë herë më tepër se sa mund të paguajnë bandat politike shqiptare por kjo nuk jua zbuti dënimin e merituar që ju dhanë popujt përkatës. Madje, disa muaj para rrëzimit të qeverisë së tij Gadafi i tregonte paturpësisht shtypit ndërkombëtar “dobësinë” që kishte krijuar për ish Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs i bindur tek paprekshmëria e vet. Mirëpo, qeveria amerikane është serioze, flet me gjuhë institucionale dhe interesat e SHBA-ve nuk i përcaktojnë lobistët.  Ndaj, Z.Mur flet me gjuhë diplomatike por duke shprehur parametra të qartë e të pakundërshtueshëm.

Së dyti, z. Mur dhe disa të tjerë që merren me çështjen e Shqipërisë janë fort të informuar mbi shkallën e pocaqillëkut që karakterizon skenën politike shqiptare, si dhe me flamurmbajtësit e palëve.  Ata e dinë se politika shqiptare sundohet nga banda mafjoze, ata e dinë se tashmë bandat jo vetëm nuk ruhen më nga sytë e publikut por banditët pretendojnë vende në parlament për t’u siguruar se nuk preken.  Ata e dinë po ashtu se retorika politike në Shqipëri është një fasadë e keqe e një parie sunduese e cila e urren popullin e vet. Ata janë të ndërgjegjshëm se zgjedhjet e ardhshme janë tejet të rëndësishme për popullin shqiptar, por edhe se bandat mafioze të politikës kanë interesa jetike në to. Po ashtu, ata e kuptojnë se këtyre bandave ju intereson më mirë t’a marrin peng proçesin se sa t’i nënshtrohen vullnetit të popullit.

Nuk është detyrë e tyre të gjykojnë e as të japin vlerësime publike mbi takimet që kanë me të ashtuquajturit udhëheqës shqiptarë të bandave mafioze të politikës. Detyra e tyre si përfaqësues të një shteti mik dhe aleat të Shqipërisë është t’u tregojnë të ashtuquajturve udhëheqës se cilat do ishin zgjidhjet më të mira, si dhe t’u tregojnë atyre ku e kanë kufirin në raport me interesat e SHBA-ve. Nuk është absolutisht detyra e tyre të përzgjedhin se me cilët të ashtuquajtur udhëheqës  do të bashkëbisedojnë. Kjo është detyra jonë dhe i përket vetëm shqiptarëve t’a bëjnë.

Së treti, Shqipëria është një vend mik dhe aleat i SHBA-ve( siç e ripërsëriti së fundmi në Uashington Ndihmës Zëvendës Sekretari Fillip Riker) dhe për këtë arsye Amerika do të jetë në të ardhmen e parashikueshme një pikë unike mbështetjeje jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë shqiptarët. Një pjesë të rëndësishme të kësaj mbështetjeje e ka komuniteti shqiptaro amerikan.Megjithëse më i pakët në numër në krahasim me diasporën në Greqi dhe Itali, kjo bashkësi është nga më vibrantet dhe më të arrirat edhe për shkak të mundësive dhe lirive që ofron demokracia amerikane. Kësisoj, ata që kërkojnë të përfitojnë nga një “përkeqësim” i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane për interesat meskine të bandës mafioze që përfaqësojnë janë të destinuar të zhgënjehen në pritshmëritë e tyre në afatin e shkurtër dhe të gjatë. Ata mund t’a kenë ndarë pushtetin sot me anë të pakteve të ngjalave, por nuk duhet t’i gënjejë mendja se i kanë vënë në gjumë shqiptarët apo miqtë e tyre.

Zgjedhjet që po afrojnë nuk janë të bandave mafjoze të politikës shqiptare të cilat luftojnë për mbijetesë. Zgjedhjet janë të të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, atyre që votojnë dhe atyre që nuk votojnë, atyre që u përdoret emri dhe atyre që u paguhet bileta për të votuar, por edhe i emigrantëve të cilët financojnë shtetin shqiptar i cili sakaq ua mohon të drejtën e votës. Ndaj, dhe SHBA-të theksojnë se ata që kërkojnë t’i përdorin zgjedhjet si mjet politik për t’i përçarë shqiptarët në vend që t’i bashkojnë, për t’a rrënuar stabilitetin në vend që t’a forcojnë, për ta minuar demokracinë në vend që t’a zhvillojnë do t’a vendosin veten në rrugë përplasjeje me SHBA-të.

Së katërti, dua t’i rikthehem rolit të medias në informimin e publikut. Gazetarët e përzgjedhur për të marrë pjesë në takimin me z. Mur ishin- me përjashtim të kakareçëve të cilët duheshin për garniturë- më profesionalët në vend. Është e habitshme që në një vend me një treg gazetarie kaq të vogël sa ky i joni të kemi një numër të konsiderueshëm profesionistësh me ekperiencë të cilët dinë t’a kryejnë profesionin. E megjithatë, media shqiptare ka kohë që është dorëzuar për t’u bërë edhe ajo një pjesë e parisë së Tiranës. E ndarë në klane përkatëse, me përjashtime të vogla, ajo jo vetëm që nuk informon por as që merr mundimin të dalë nga strofulla e ngrohtë dhe e rehatshme e TIranës për të matur pulsin e shqiptarëve.  Ndoshta një mesazh i tërthortë i bashkëbisedimit me median i z. Mur ishte pikërisht dërgimi i një sinjali medias të fillojë të luajë rolin e vet të domosdoshëm si përçuese e së vërtetës, në interesin e vetëm të publikut shqiptar.  Unë kam besim se media shqiptare i ka kapacitetet e nevojshme.

Në vend të mbylljes, zgjidhjet nuk duhet t’i presim të na vijnë me parashutë nga Amerika, ato duhet ti gjejmë ne shqiptarët. Në këto zgjedhje ka ardhur koha që t’i tregojmë bandave kriminale të parisë së Tiranës se ne nuk pajtohemi më me gjendjen llumnajën që ato kanë krijuar për të na sunduar. Për të mundësuar një fillim të ri duhet së pari t’u japim sinjalin se gjendja aktuale është e papranueshme. Për disa kjo do të përkthehet në votimin e forcave të treta, për të tjerë duke ju përgjigjur nismave për t’a zhvlerësuar votën me kryq apo sido tjetër. Ajo që ka rëndësi është t’i tregojmë parisë se ne nuk pajtohemi me gjendjen.

Advertisements

BOJKOTIMI I ZGJEDHJEVE: HAPI I PARE DREJT DEMOKRACISË SË VËRTETË

Në shtetin shqiptar do të ketë zgjedhje por nuk ka zgjidhje. Të gjithë këta janë pjesë organike e parisë së Tiranës. Ata përfaqësojnë interesat e një grushti oligarkësh ekonomikë e politikë të klaneve kriminale të drejtuara nga Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta dhe të tjerët. Ja disa nga arsyet pse duhen bojkotuar zgjedhjet:

Unë them se të gjithë këta nuk kanë pikë dashurie për popullin shqiptar, nuk kanë pikë dhëmbshurie për të varfërin, nuk kanë mirëkuptim për të pamundurin, nuk kanë mëshirë për të mjerin, nuk kanë vetëdije shoqërore e mendësi shtetari. Ti mund të shkosh të votosh për cilin të duesh nga këta por asgjë nuk do të ndërrojë. Prapë do të jesh pjesë e një populli që këta e quajnë “këta pisa.” Prandaj duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve.

Unë them se këta nuk punojnë për ta vënë shtetin në shërbim të të gjithë shqiptarëve por vetëm për ta vjedhur e grabitur për veten e tyre. A nuk të mjafton ajo që sheh e përjeton përditë? A nuk i sheh se si i vodhën të mirat që u prodhuan me aq mund e gjak e që u përkisnin të gjithëve, i ropën shqiptarët nga e mira publike e kolektive, i shitën pasuritë e vlerat, i shfrytëzuan si deshën vetë burimet e shtetit? A nuk e sheh se si na kanë zhytur në borxh publik, na kanë mashtruar, rrejtur, dhe grabitur? Në se ua jep votën këtyre, cilitdo prej tyre, do të bëhesh pjesë e krimit të pashembullt që u luajt kundër shqiptarëve. Prapë do të jesh pjesë e një populli që këta e urrejnë, e neverisin dhe e përbuzin. Por do të jesh si ai që e lë pasurinë në dorën e hajnave. Prandaj duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve.

Unë them se këta do të bëjnë gjithcka që munden që të vazhdojnë degjenerimin e zvetënimin e shoqërisë shqiptare. Këta që nuk e lëvizën as gishtin kur kriminelët e banditët më të fëlliqtë trafikuan cdo gjë të shenjtë që ne kishim, kur shoqëria shqiptare jetonte nën terrorin e bandave që punojnë për ta nuk kanë ndryshuar. Këta që nuk kanë pasur mëshirë për asgjë, nuk do të kenë mëshirë për ty nesër. Këta që kanë trafikuar fëmijë, vajza, armë, drogë, e gjithcka tjetër nuk do të kenë mëshirë për ty e për familjen tënde nesër. Prandaj duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve.

Unë them se këta kanë vetëm një Zot që është paraja. Për para këta kanë shitur shpirtin e tyre, për para këta do të bëjnë gjithcka që u thotë shpirti i tyre i uritur e meskin, sepse skllevërit e zvetënuar e të ndërgjegjshëm të një sistemi nuk bëhen dot bukëdhënës e frymëzues për brezat e ardhshëm. Këta duan të pasurohen me cdo kusht. Tani që nuk kanë ku marrin, ku të vjedhin, ku të privatizojnë, ku të korruptohen, do të drejtohen të të hanë ty me gjithë kocka, me gjtihë atë pak mall që ke, gurë e tulla që i quan pasuri, me atë apartament ku fut kokën, me atë grusht parash që i ke ruajtur për ditën e zezë. Sepse këta nuk njohin gjë tjetër vec erës së parasë. Prandaj, duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve.

Unë them se këta duan të na skllavërojnë e të na bëjnë që të punojmë për bukën e gojës. Këta e kanë sjellë punën që për bukën e gojës njerëzit shesin nderin. Ata që sot shesin nderin, nesër do të shesin jetën e fëmijët e tyre. Sepse këta e dinë shtegun se si të skllavërojnë njeriun. Sot të bëjnë të dalësh në miting, të kërcënojnë me vendin e punës, të mbajnë varur, të korruptojnë, të degjenerojnë si duan ata vetë. E mendon se do të ndryshojnë nesër? Duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve.

Unë them se duke mos ua dhënë votën këtyre je duke treguar karakter dhe virtyt qytetar. Këta duan të të kthejnë në kafshë me të drejtë vote. Këta duan të të kthejnë në injorant me diplomë. Këta duan të të kthejnë në pronar në tokën e paligjshme por nën kontrollin e tyre. Këta duan të të kthejnë në njeri që shet nderin për paranë. Këta duan të të kthejnë në njeri që për jetën e vet shet fëmijët e vet. Këta duan të të kthejnë në njeri që kurvninë e konsideron virtyt, që poshtërsinë e konsideron zgjuarësi, që maskarallëkun e sheh si sjelljen burrënore. Këta duan të të kthejnë në qorrshurdhmemec politik që pranon vjedhjen massive e krimin që kanë bërë këta vetem për të siguruar mbijetesën e ditës e bukën e gojës. Duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve.

Une them se duke mos ua dhënë votën këtyre horrave e maskarenjve ti po tregon se ende ka shpresë për shqiptarët. Sepse bojkoti nuk është qëllim në vetvete. Bojkoti është hapi i parë në rrugën e vështirë të ndryshimit, të fillimit të ri, të një rruge që do të bëjë një shoqëri normale. Bojkoti i këtyre zgjedhjeve ua heq lustrën shfaqjeve publike që kushtojnë miliona euro e që nuk bëjnë asgjë për ty. Bojkoti është hapi i parë me pa rrotull e me kuptue se ka të tjerë që nuk e duan këtë gjendje. Bojkoti është hapi i parë me u nda me të keqen. Bojkoti është momenti kur ti shkëputesh nga kontrolli i ujkut që të ka kapur për fyti. Sepse ti mund të bësh c’të duash, këta duan vetëm të pinë gjak. Po ta kuptosh se vota është plumb, atëherë nuk do të bësh vetëvrasje duke ua dhënë votën këtyre por do ta drejtosh votën-plumb aty ku duhet.

Unë them se kombi shqiptar ka shumë shembuj që duhen ndjekur, ka djem e vajza që duan të japin gjithcka. Kërkoji në rrugën tënde. Aty janë. Ata janë ti, motra, vëllai, djali e vajza, mbesa e nipi, shoku e shoqja, ata që ty nuk ta merr mendja, sepse janë edhe në kalimtarët e rrugës dhe në ata që ti nuk I njeh sepse nuk të lë llapaqenëria mediatike. Ata që nuk ta mbushin mendjen por që duan të punojnë për të mirën e shqiptarëve, për një shtet-komb normal, për një ekonomi kombëtare, për një shoqëri që e mbron nderin e dinjitetin e qytetarëve të vet, për një system shoqëror që mbron të pamundurin, të varfërin, fëmijët, gruan shqiptare janë aty me ty.  Ata njerëz janë e nesërmja jote. Duke mos ua dhënë votën këtyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të rrjepin e të të shfrytëzojnë nuk bëhesh me vetëdije pjesë e krimit që po luhet e që do të luhet edhe më me dhimbje mbi ty e mbi familjen tënde mbas këtyre zgjedhjeve por bëhesh pjesë e zgjidhjes që fillon me dështimin e me cjerrjen e maskës së kësaj parie kriminale.

Unë them se edhe po nuk pate besim se dick aka me ndodhë, mos u bëj pjesë e të keqes. bojkoti eshte qe te mos shkosh fare te votosh. ama, nese shkon e voton, voto ndërgjegjen tënde. Vëru një vizë të gjithëve. Kur të dalësh nga salla do të shohësh ata komisionerët e shitur që rrinë aty gati për të vjedhur të ardhmen tënde por do të jesh i ndërgjegjshëm se ata do të vjedhin votën, por nuk mund të vjedhin nderin e ndërgjegjen. Mos voto për sot, mendo për nesër. Sepse vota e jote vendos të ardhmen tënde dhe të fëmijëve tuaj. Sepse vota që hedh është plumb dhe moa ia drejto atë plumb fëmijëve tuaj. Drejtoja atyre që të urrejnë e të përbuzin, që duan të të shfrytëzojnë, e të të grabisin, të të rrjepin e të skllavërojnë. Sepse jemi një hap në buzë të greminës dhe cdo votë kundër parisë, cdo votë për bojkot, e mbush të ardhmen me shpresë. Vuri një vizë të shkuarës. Duhet një fillim i ri, dhe cdo fillim i ri fillon me ndarjen nga e shkuara, sidomos kur ajo është kaq e zezë dhe e vuajtur sa e shkuara e ne shqiptarëve.