Home » ANALIZA » E MIRA DHE E KEQJA NË POLITIKËN SHQIPTARE – III – ZGJEDHJA MIDIS TË MIRËS E TË KEQES

E MIRA DHE E KEQJA NË POLITIKËN SHQIPTARE – III – ZGJEDHJA MIDIS TË MIRËS E TË KEQES

Të gjithë popujt në historitë e tyre kalojnë nga sundimi i të mirës tek sundimi i të keqes dhe anasjelltas. E mira dhe e keqja mbizotërojnë për disa kohë dhe mandej lavjerrësi kalon nga ana e kundërt. Lufta e përplasja midis të mirës e të keqes nuk mbaron asnjëherë në asnjë shoqëri. Thjesht e keqja triumfon për pak kohë dhe njerëzit e kuptojnë se nuk jetohet ashtu. E mira nga ana e vet bëhet tepër e rëndë sepse e shtërngon anën njerëzore e pasionet ma shumë se duhet, dhe njerëzit që bien në fund në shoqërisë, nuk kanë respekt për moralin e vlerat. Morali i tyre, morali i të shtypurve e skllevërve bëhet morali i kohës që vjen. E kështu me radhë.

E pra, lufta e të gjithë popujve është që e keqja të mos dalë përsipër e të mos mbizotërojë për shumë kohë. E mira duhet të mbizotërojë sepse ndryshe njerëzit nuk do të ishin këta që janë. Ka popuj si gjermanët që kaluan nga nazizmi tek shtet-kombi modern, e hoqën të keqen që kishin, dhe ja ku janë sot, një nga kombet më të forta e më të begata të botës. Ka kombe që ishin të kontrolluar për shekuj si sllovenët e ka të tjerë që ishin të shtypur e të getoizuar si izraelitët që ditën të bëjnë më të mirën për veten e tyre dhe ja ku janë.

Po ne? Ne jemi të mbuluar nga e keqja. Dhe e keqja ka nisur të hyjë thellë në vlerat tona, në mendësinë dhe në sjelljet, në kulturën dhe në përparësitë që kemi si komb. Një kohë bukur të gjatë kemi qënë të coroditur, të indoktrinuar e pa vetëdijen e duhur politike. E ka një kohë bukur të gjatë që kemi nisur të kultivojmë qëllimisht të keqen brenda vetes. Kjo nuk është normale, sepse edhe ato popuj që e njohin të keqen e tyre dhe që e dinë se është e pashmangshme, apo që përkohësisht i ndihmon me jetue, e gjejnë mënyrën që ta kontrollojnë e ta përdorin në të mirë të tyre. Historia është e mbushur me raste popujsh që kanë qënë në anë të shoqërive normale, dhe të diskriminuar që e kanë përdorur të keqen, kanë zhvilluar mekanizmat moralë e justifikimet ideologjike për ta neutralizuar efektin e saj mbi veten e tyre. E megjithatë, brenda grupit të tyre, brenda kombit të tyre nuk kanë lejuar të mbizotërojë e keqja. Ka pasur njerëz që kanë qënë hedhur jashtë kombeve normale dhe janë bërë grabitës e piratë. Edhe këta kanë krijuar bashkësi, struktura, shtete e republika ku kishte drejtësi brenda llojit si në Tortuga. Por këto nuk mund të ishin afatgjata sepse e keqja vazhdimisht e nxirrte kokën dhe e shkatërronte fabrikën e brishtë shoqërore të tyre. Kombet e vërteta janë ato që nuk e lejojnë të keqen të bëhet e pranueshme dhe sunduese në sjelljen publike.

Edhe kur e dinë se njerëzit janë të këqinj, edhe kur e dinë se nuk kanë mundësi t’I ikin të keqes, prapë në jetën publike këta kultivojnë të mirën. I ngrejnë tempuj, luten, sillen si duhet, ruajnë parametrat e një qytetarie normale, respektojnë norma e rregulla shoqërore dhe kanë mekanizma shoqërorë që e mbajnë të gjithë shoqërinë bashkë. Mirëpo, edhe pse bëjnë keq, dhe e dinë që bëjnë keq, këta nuk lejojnë të keqen që të bëhet sunduese në shoqëri e në marrëdhëniet që mbahen si të moralshme.

Pse ndodh që popujt e tjerë nuk e lejojnë të keqen të mbisundojë? Ndodh sepse të gjithë këta grupe e popuj, kombe e etni e dinë mirë se ato popuj e grupe që e lënë të keqen të mbizotërojë brenda vetes, që nuk kanë mekanizma për vendosjen e drejtësisë ligjore, të mbrojtjes parësore të jetës e të nderit të pjestarëve të grupit, të pasurisë e të kohezionit shoqëror, do të shuhen. Njerëzit e mirë nuk mund të pranojnë që të jetojnë për shumë kohë nën sundimin e të keqes. Ata do të gjejnë mënyrën që të ikin. Të mencurit e të edukuarit kanë mendjen e tyre si strehën e fundit, të ndershmit kanë fytyrën e traditën në të cilën janë rritur dhe mbahen mbas vlerave tradicionale, ata më të zotët kanë profesionin. Askush nuk don me jetue nën sundimin e të keqes. E kështu shoqëria bëhet si sita, ku mielli i bluar me imet, ai me i miri dhe i dobishmi, pse i përpunuar, ikën e bie në fund dhe në maje mbesin krundet. Në atë pikë, shoqëria nuk ka më shpresë dhe të shpërbëhet e do të hidhet në koshin e plehrave të historisë së bashku me parinë që e sjell popullin e vet në atë gjendje.

Prandaj shoqëritë e ndajnë të mirën, atë që është në shërbim të tyre, dhe e vlerësojnë e kultivojnë. Prandaj edhe shoqëritë e drejtuara nga njerëz të mencur e përdorin politikën për të zgjidhur problemet e brendshme, me drejtësi, vëmendjen e duhur, dhe me sa më shumë paanësi. Sepse themeli i dinjitetit është drejtësia, ligji, dhe mbi këtë themel ndërtohen shoqëritë e shëndosha. Në vecanti, shoqëritë vendosin kontrolle të forta mbi paritë të cilat janë gjithnjë të gatshme të tkurren në rrethin e tyre dhe të fillojnë e ta shohin vetë shoqërinë që i ka bërë të lulëzojnë si prenë e tyre. Ky është edhe funksioni shtërngues i shtetit dhe i kombit, i ligjit dhe i vendosjes së rendit, i vendosjes së shtërngesave mbi parinë, dhe i dallimit midis grupit dhe të tjerëve. Paritë që punojnë për popujt e tyre mbijetojnë dhe e gjejnë vendin e vet. Por edhe më shumë se kaq, historia e popujve është e mbushur me pari që janë zhdukur e shuar sepse në një pikë a në një tjetër nisën të hanin popullin e vet.

Po në rastin tonë? Në rastin tonë, si edhe e kam thënë më përpara, këta që na sundojnë, janë shkaku i të keqes. Njerëzit tanë më të mencur kanë ikur, ata më të zotët punojnë në botën e huaj, ata që duan të shërbejnë nuk gjejnë vend, dhe në krye kanë dalë krundet e shoqërisë shqiptare. Këta janë si gjarpërinjtë që janë zgjuar nga gjumi, të uritur, të zvetënuar barkthatë e të pangopshëm dhe që hanë llojin e vet. Diku rrugës së historisë, këta njerëz janë përcudnuar kaq keq e në mënyrë të pandreqshme. Ata që na shesin, na trafikojnë, na vjedhin, na përdhunojnë, na mundojnë, na skllavërojnë, na përbuzin, na zvetënojnë, na shtyfyrojnë e na cnjerëzojnë. Ne i ndihmojmë dhe jemi kthyer në bashkëfajtorë në krim sepse deri aty mund të shohim e të kuptojmë. Dhe kështu ka ardhur puna që nuk kemi më as identitet, as vlera, as moral të pranueshëm publik, as shtërngesa normale ligjore, dhe na sundojnë të huajt e ka triumfuar e keqja.

Ky është Rrethi i Ferrit, sepse në Rrethin e Ferrit, të gjithë mendojnë si gjarpërinjtë, vetëm e vetëm që të shpëtojnë jetën e vet. Ky është Rrethi i Ferrit, sepse nga kjo darë e kontrollit të kësaj mase gjarpërinjsh që është paria sunduese duket sikur nuk ka shpëtim. Ky është Rrethi i Ferrit, sepse shpëtimi i vetëm që ke është të bëhesh si gjarpërinjtë dhe t’ua hedhësh edhe fëmijët tuaj gjarpërinjve. Sepse këta gjarpërinjtë janë të parët tanë, udhëheqësit, paria sunduese, sepse në Ferr ku nuk rritet gjë, ka vetëm një rregull. Do të mbijetosh duke ngrënë llojin tënd, njerëzit tuaj e brez mbas brezi. Prandaj pyetja kryesore e kohës sonë për ne shqiptarët është: ku është e mira e jonë? Ku janë njerëzit e mirë? A ka zgjidhje?

E mira e jonë

Në parim, e mira e jonë si popull qëndron të ndërtimin e kujdësshëm e në kultivimin e asaj që na lidh sa më ngushtë që të jetë e mundur. Ajo që na lidh bashkë ne si shqiptarë është vetëdija e natyrshme dhe individuale se jemi të tillë. Nuk ka rëndësi nga ka ardhur dikush pesë qind vjet më parë. Të gjithë popujt kanë njohur flukse të tilla. Ajo që ka rëndësi është kjo. Në këtë pikë kur i ke të gjitha mundësitë me i thanë vetes cka të duesh, me zgjedhë kombin që don ti, fenë që të pëlqen, veshjen që të duket më e përshtatshme, ushqimet që ti ka ande, gjuhët e letërsinë që don me lexue, a i thue vetes shqiptar? A mundesh me i ikë vetëdijes se je shqiptar?  Në fund të fundit, kjo ka rëndësi. Po e more një pasqyrë mendore dhe e vune para ndërgjegjes tënde dhe e pyet veten se cka je, e po të erdhi ndërmend se je shqiptar, se mund të jesh dicka tjetër por ti e din dhe don me kenë shqiptar, atëherë ke ti shpresë, por ka shpresë edhe për ne të tjerët. Sepse në se deri tani nuk je thyer e nuk je ba kombmohues, bukëshkelës, e braktisës i varreve të të parëve, atëherë ka shpresë për ty, ka edhe për ne të tjerët.

Guri i themelit të një kombi, shtylla e jetesës dhe e mbijetesës, fuqia e shtetit, dhe vlera më e madhe e një shoqërie është një qytetar që nuk mundet me kenë tjetër. Sepse ata që nuk munden me kenë tjetër do të kërkojnë të njëjtët, do të kërkojnë të tjerë si veten. Kështu, si hardhuca që e rrit shtatin e vet, shpirti i një kombi lind e rilind vetveten.  Sepse ata që nuk dinë me kenë tjetër përpos shqiptarë kanë me dashtë me kenë jo kombmohues por afër shqiptarëve të tjerë, me shqiptarët e tjerë dhe me punue për kombin e për shtetin e tyre. Ata që kanë ikë, ata që luftojnë me iu bashkëngjitë kombeve të tjera, qytetërimeve e popujve të tjerë janë shpirtna të humbur për shqiptarët. Shumë kanë me u kthye kur të ikë e keqja, e do të ejnë të mirëseardhur, por luftën do ta bëjnë ata që nuk dinë me kenë tjetër, që nuk duna me kenë tjetër dhe që dëshërojnë me kenë shqiptarë.

E mira e jonë, pra, është në vetëdijësimin e njerëzve dhe në mbështetjen pa kushte të këtij grupi që e sheh ndërtimin e shtetit dhe rilindjen e vërtetë të kombit si detyrën e vetme, kardinale, dhe të jashtëzakonshme të tyre. Ne e dimë se cka është e mira dhe cka është e keqja, dhe nuk duhet të dëgjojmë më sirenat që na thërrasin në rrugët e mbrapshtisë, të krimit, të llumit, të zvetënimit e të degjenerimit. Ne duhet të fillojmë të punojmë për vete e për shtetin tonë.  Në themel të shoqërisë ne duhet të vëmë atë lidhje të shenjtë të gjakut, që sado e brishtë që mund të jetë në raste të caktuara, prapë është aty dhe mund të gjallërohet. Duke mos pasur një shtet të fortë, ne duhet ta nisim duke e bërë kombin e fortë. Sepse edhe nën kushtet e një trysnie kaq të fuqishme sic ishte tranzicioni, nën sundimin e një parie kaq perverte e kriminale, me një masë kaq të madhe njerëzish të zvetënuar e të degjeneruar, ndjenja kombëtare është e fortë dhe lulëzon.

Shumica e shqiptarëve e numërojnë veten si shqiptarë. Shumica e shqiptarëve duan të jetojnë me nder. Psikoza e krijuar nga sundimi i burgaxhinjve e banditëve me shkollë që duhej të ishin në burg është bërë një gangrenë dhe njerëzit kanë filluar të kuptojnë se kanë qënë nën një narkozë të qëllimtë ideologjike e krimi nga ana e parisë sunduese.

Por, ne nuk duam as më shumë e as më pak se atë që duan kombet e tjera. Shkurt shqiptarët duan të jetojnë me nder. Shqiptarët duan mbrojtje. Shqiptarët duan shërbime, edukim, vlerësim. Ka ardhur një kohë që e kemikuptuarse mund të jemi të varfër por do të jemi të qetë në vendin tonë. Ka ardhur koha që ai që ka ndërmend me jetue me nder duhet të triumfojë. Duhet të triumfojë e mira e jo e keqja. Sepse në jetën tonë tashmë sundon e keqja publike. Ka ardhë koha që lavjerrësi të shkojë nga ana tjetër. Sepse, njerëzit që dikur nuk e ngopnin barkun me bukë kanë hangër sa po plasin.  Tani kanë filluar të mësojnë se duhet të jetojnë edhe me vlera. E kur shohin rreth e rrotull nuk shohin asgjë sepse ka triumfuar e keqja. Mirëpo, e keqja triumfon vetëm përkohësisht sepse njerëzit e mirë, të zotë, e të përkushtuar, që ne i kemi të shumtë por të shpërndarë, do të fillojnë të shtyjnë lavjerrësin nga ana tjetër. kjo është përpjekja e mundimshme politike e kohës sonë për ne shqiptarët sepse ka ardhur koha që e mira të triumfojë. Edhe në mos qoftë plotësisht e realziueshme, të paktën duhet të përpiqemi të gjithë ata që e numërojnë veten shqiptarë sepse  nuk ka shpëtim tjetër për ne përvecse që të kapemi mbas idesë së kombit, mbas idesë së shtet-kombit, dhe mbas vetëdijes se nuk mundemi me kenë tjetër. Nga ky pus ku kemi rënë, do të mund të dalim vetëm duke hipur mbi shpatullat e njëri tjetrit dhe mandej duke e hedhur litarin për të nxjerrë të tjerët. Forcën do ta gjejmë në vetvete, dhe litari që na nxjerr nga pusi i historisë do të jetë që të punojmë për shtet-kombin, për njëri-tjetrin, dhe për atë vetëdije që nuk mund të tjetërsohet, se jemi shqiptarë e nuk bëhemi dot dicka tjetër, popull tjetër e njerëz të tjerë. kjo eshte edhe rruga e te mires sone.