NEXHMEDIN SPAHIU: KOSOVA MË KEQ SE BOSNJA

Kur vite me radhë paralajmëroja se Kosova rrezikon të copëtohet si Bosnja, paskam qenë optimist e jo realist. Me ratifikimin e marrëveshjes Kosova u bë më keq se Bosnja. Plani i Ahtisaarit ishte më i mirë se marrëveshja e Dejtonit e më i keq se marrëveshja e Ohrit. Tani marrëveshja Kosovë – Serbi, si një mbindërtim i planit të Ahtisaarit, tejkalon shumëfish Dejtonin.

E di që shumë lexues sapo të lexojnë një koncept që më duhet ta përdorë në vijim do ta hedhin tekstin mënjanë dhe nuk do ta lexojnë argumentimin e mëtutjeshëm. Do të thonë çfarë po na duhet kjo tani kur ne kemi këtë e atë problem. Prandaj e kam të vështirë të shpjegoj rrënjët dhe rrugëzgjidhjet e shumë problemeve në Kosovë edhe pse ato janë të qarta si kristal.

Ligjet e matematikës funksionojnë pavarësisht asaj sa e njohim matematikën.

Unë e kuptoj se ka njerëz që e kuptojnë vështirë matematikën apo nuk e kuptojnë fare, por nuk i kuptoj ata që duke mos e ditur matematikën, e duke mos u përpjekur për ta kuptuar mendojnë se matematika është e parëndësishme. E deshëm apo jo matematikën, ligjet e saj funksionojnë në jetën tonë.

Kështu është edhe me teorinë për kombet. Neve mund të mos na interesojë se ç’është kombi dhe si funksionon ai. Ne mund ta konsiderojmë se është e mjaftueshme që bashkësinë tonë etnike ta quajmë komb dhe të kënaqemi me kaq. Por, kombet funksionojnë sipas ligjeve të caktuara, dhe ne nuk zgjidhim punë nëse i injorojmë këto.

Ata që i thonë vetes intelektualë duhet të jenë të pajisur me durim dhe të mos jenë të ngarkuar me paragjykime. Vetëm të tillëve mund t’u shpjegojë se çfarë po ngjet në relacionin Prishtinë – Beograd.

Çfarë po ngjet në relacionin Prishtinë – Beograd?

Një ditë, një i panjohur në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë me provokoi se cilit komb takojnë serbët e Kosovës pas marrëveshjes Thaçi-Daçiq.

I thashë që i takojnë të njëjtit komb të cilit i kanë takuar pas miratimit të Pakos së Ahtisaarit! E cilit komb pra i takuakan serbët e Kosovës në bazë të paketës së Ahtisaarit? Iu përgjigja se me paketën e Ahtisaarit serbët mbesin pjesë integrale e kombit serb, ata mund t’i shfrytëzojnë të drejtat e komunitetit pakicë në Kosovë, por ata mbesin pjesë integrale e kombit serb. Kjo është arsyeja pse shteti i Kosovës konsiderohet “sui generis”.

Pako e Ahtisaarit: serbët e Kosovës shtetas të Serbisë e nëse duan edhe minoritet në Kosovë

Sipas Pakos së Ahtisaarit të inplantuar në Kushtetutën e Kosovës, serbët e Kosovës mund ta mbajnë shtetësinë e Serbisë. D.m.th ata janë shtetas të Serbisë me banim të përhershëm në Kosovë, për dallim prej turqve, boshnjakëve etj., që janë vetëm komunitete minoritare në Kosovë. Serbët mund t’i shfrytëzojnë edhe të drejtat e tyre si komunitet minoritar në Kosovë.

Përderisa shkollat shqipe në Kosovë janë shkolla kosovare në gjuhën shqipe e jo shkolla të Shqipërisë në territorin e Kosovës, përderisa shkollat boshnjake në Kosovë janë shkolla kosovare në gjuhën boshnjake e jo shkolla të Bosnjës në territorin e Kosovës, përderisa shkollat turke në Kosovë janë shkolla kosovare në gjuhën turke e jo shkolla të Turqisë në territorin e Kosovës, shkollat serbe në Kosovë nuk janë shkolla kosovare në gjuhën serbe, por janë shkolla të Serbisë në territorin e Kosovës. Këto shkolla paguhen me para të taksapaguesve të Kosovës por plan-programet dhe përgjegjësinë akademike ia japin Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë.

Kështu derisa hoxhallarët dhe priftërinjtë katolikë e kanë të ndaluar me ligj të ligjërojnë në shkollat publike në Kosovë, priftërinjtë serbë paguhen nga buxheti i Kosovës për të ligjëruar në shkollat e Serbisë në Kosovë.

Po ashtu me pako të Ahtisaarit, kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë mbesin prona të Kishës serbe dhe jo prona të qytetarëve ortodoksë të Kosovës.

Pse është kjo kështu?

Sa është e drejtë etj., le të gjykojë secili, por kjo është Pako e Ahtisaarit, kjo është Kushtetuta e Kosovës e votuar nga të gjithë deputetët e Kosovës në përjashtim të Numan Baliqit.

Pse atëherë ne shqiptarët e Kosovës u dashka të jemi komb kosovar dhe jo komb shqiptar më pyeti provokatori i panjohur në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë? I thashë pse nuk e ke pyetur Ahtisaarin po po më pyet mua. S’kam ditur atëherë ta pyes se i kam besuar Hashim Thaçit, po prej kur e kam pa që Daçiqi po e cakton datën e zgjedhjeve në Kosovë më nuk i besoj.

I tregova se përderisa serbi i Kosovës e ka pasaportën e Serbisë e ti nuk e ke pasaportën e Shqipërisë, ai është pjesëtar i kombit serb, ndërsa t’i nuk je pjesëtar i kombit shqiptar. Shyqyr që Kosova është shtet dhe ti si shqiptar etnik i takon kombit kosovar, përndryshe nuk do të ishe pjesëtar i asnjë kombi.

Këtu gjithnjë jemi të Ahtisaari. Por çfarë po ndodhë me marrëveshjen e Prillit mes Prishtinës dhe Beogradit.

Marrëveshja Thaçi – Daçiq, mbindërtim i Pakos së Ahtisaarit

Me marrëveshjen Thaçi – Daçiq të miratuar nga Parlamenti i Kosovës, tani Serbia në Kosovë jo vetëm që ka qytetarë të saj me banim të përhershëm në Kosovë, jo vetëm që ka shkolla, fakultete e spitale të saja në Kosovë, jo vetëm që ka kisha e manastire të saja në Kosovë, por ka edhe institucione shtetërore në Kosovë. Në fakt, ato i kishte edhe deri më tani, por tani me marrëveshje po legalizohen.

Tani në ligjin kushtetues të Serbisë që do të ndryshojë si rezultat i marrëveshjes do të futet Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë si kategori e saj kushtetuese.

Lidhja siameze mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë

Komuna e Graçanicës do të jetë njëkohësisht komunë e Republikës së Kosovës dhe e Republikës së Serbisë. Përgjegjësitë e saj do të jenë të dyfishta. Kryetari i Graçanicës do të zgjidhet me ligjin zgjedhor të Kosovës, por votuesit përveç se qytetarë të Kosovës do të mund të jenë edhe qytetarë të Serbisë pa qenë fare qytetarë të Kosovës, sepse lista e zgjedhësve do të miratohet me marrëveshje ku nuk do të kërkohet letërnjoftimi i Kosovës.

Me një fjalë, Bashkësia e Komunave serbe do të jetë pjesë integrale e Republikës së Serbisë po edhe pjesë integrale e Republikës së Kosovës. Kështu, shteti Kosovës dhe ai i Serbisë lidhen mes vete në mënyrë organike si vëllezërit siamezë në ndërkohë që Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, por edhe nëse dikur e njeh kjo lidhje siameze nuk e humb rrolin e vet.

Kështu për dallim nga Bosnja që sovranitetin e vet nuk e realizon për shkak të ndarjes nga brenda, Kosova edhe kur të bëhet anëtare e OKB, sovranitetin e vet do ta ketë të kufizuar edhe nga jashtë në bazë të marrëveshjes së ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës.

Vetëm ajo çfarë ngjau me deputetë e “Vetëvendosjes”, jep një fije shprese se një ditë, kur Kosovën do ta udhëheqin mendje më të ndritura e më patriotike, Gjykata Kushtetuese e Kosovës apo GJND në Hagë do të gjejnë ndonjë vrimë procedurale a lëndore që ta anulojnë ratifikimin në fjalë, por edhe kjo do të jetë gati e pamundur pasi që ratifikimi i marrëveshjes do të krijojë realitete të reja në terren.

__________

P.S. Lidhje siameze d.m.th. kur dy fëmijë binjakë lindin të ngjitur njëri me tjetrin me ndonjë pjesë të trupit të përbashkët.

VALBONA KARANXHA: U MORËN TË GJITHA MASAT PARAPRAKE: FENOMENI LSI

Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 i tejkaluan te gjitha parashikimet, madje shumë nga rezulatet e zgjedhjeve hynë në një zonë surprizash të ëmbla dhe të tharta në të njëjtën kohë. Por ajo që ka rëndësi është fakti që oligarkia plutokratike e hodhi lumin edhe kësaj rradhe, dhe pritet të filloj punën e qetë duke parashtruar rradhën e detyrave për treqind ditët e para të pushtetit.

Mirëpo disa gjëra nuk kalohen dhe nuk do të mund të kalohen aq lehtë. Tani për tani ASHE është në muajin e mjaltit dhe po vë në zbatim paktin e një prillit. Populli është tejet i lodhur dhe i rraskapitur dhe nuk e ka goditur realiteti ende. Por do ta fshikullij herët a vonë, pavarësisht se socialistët të kryesuar nga Rama dhe Meta po ndjekin taktikën “Hec levizim shpejt e shpejt pa u zgjuar mirë këta”. “Bad boys move in silence and violence”, thotë një “rapper” i njohur, dhe Ilir Meta nuk është i huaj ndaj këtyre levizjeve të qeta paçka se herën e fundit e spiunoi i besuari Dritan Prifti.

Nga bilanci i 23 qershorit lind një pyetje legjitime “Kush i fitoi zgjedhjet në të vërtetë dhe si?”

Disa nga analistët shqiptarë të cilët e përdredhin dhe stërpërdredhin situatën duke nxjerrë ide boshe dhe pa substance fokusohen në të panevojshmen. Përse humbi PD, kur pyetja qëndron pse dhe si fitoi LSI?. Humbja e PD do ishte pyetje retorike në këto momente dhe nuk ja vlen të harxhojmë kohe dhe energji. Trendi në zgjedhje ishte rënie e votave të PD, gjendje statike e PS dhe shpërthim i pazakontë i zgjedhesit LSI-st.

Por papritur, në pikun e diskutimeve dhe analizave mbi zgjedhjet, Berisha, si “Rock Star” që është i cili do të jetë në spotlight njëqind për qind të hapësirës televizive, ja vodhi edhe kësaj rradhe Ramës me lajmin bombastik që lëshoi. Kështu që Berisha e largoi krejt vëmëndjen nga rezulatet e verteta te zgjedhjeve tek dorëheqja e tij si kreu i PD, dhe gazetarët, opinionistët ranë përsëri në grackë duke rendur mbas një diçkaje që mbase nuk ka gjasa të ndodh derisa Berisha të mos jetë më në gjendje fizike apo mendore, por kurrësesi nga humbja e zgjedhjeve.

Por konkretisht të rikthehemi natës se 23 qershorit. Ishte nata e gjatë e verës kur harta e Shqipërisë u ngjyros lejla nga producentët e stacioneve televizive që me hapjen e kutive të para. Fjala që PS ka fituar morri dhenë. Por le të shohim bilancin nga afër. Zgjedhjet ishin një farsë e pre-planifikuar.

Nga rezultatet ne terren, qarku i Beratit, i shumëfoluri dhe i shumëprituri elektorat socialist ku konkurruan midis te tjerëve dhe Fidel Ylli i dha të njëjtin numër votash PS, pra ajo fitoi të njëjtin numër mandatesh si në 2009, 8 deputet ndërsa PD humbi një mandat dhe LSI fitoi një mandat me 12,000 vota rritje.

Te kalojmë në qarkun e Fierit, PS nuk ka asnjë shtesë mandatesh. Ajo fitoi 9 gjithsej aq sa morri ne vitin 2009, ndërsa LSI morri 2, pra 1 mandat me shumë se në 2009. Kalojmë më lartë në zonën e Shkodrës ku PD mori 4 mandate, PS mori 3 dhe LSI mori 1. Megjithatë Shkodra u ngjyros me lejla që orët e para mbas zgjedhjeve dhe lajmi që PS fitoi në Shkodër befasoi shumë njerëz.

Por le t’i kthehemi statistikave zyrtare me sy më analitik.

Shqipëria është vëndi i 137 në botë për frymë të popullsisë. Sias CIA popullsia shqiptare për vitin 2013 rreh në 3,011,405 banorë duke përfshirë të gjitha grupmoshat. Mosha 0-14 vjeç (të cilët nuk votojnë) përbën rreth 19% të popullsisë. Po ashtu edhe mosha 15-24 vjeç përbën reth 19%, por, meqënëse brënda këtij sub-grupi fillon mosha e votimit dhe nuk ka statistika të përcaktuara, për hir të argumentit unë po e konsideroj si votuese.

Pra, duke i hequr 19% shifrës 3,011,405, e cila është popullsia totale shqiptare sipas CIA-s, po i lejoj 2,409,124 shqiptarë nga 15 vjeç e larte. Por po të shohim listat e KQZ, shqiptarët e rregjistruar për votim janë 3.271.885, pra 862,761 më shumë shqiptare seç janë statistikat e CIA-s. Por ky numer mund të jetë edhe më i madh për shkak të mosndarjes së popullsisë 15-24 vjeç. Pra gati 1 milion emra janë të rregjistruar në listat e KQZ por ata nuk rezultojnë si pjesë e popullates shqiptare.

Konkretisht, ka një diferencë prej 862,761 frymë shqiptarë të cilët nuk dihet se ku janë. Mbase janë nëpër botë, mbase janë të gjallë, të vdekur, të shumfishuar, të paksuar; kjo nuk dihet. Rëndësi ka që emri i tyre figuron në lista dhe përdoret për nevoja të shpejta. Këto lista shërbejnë për të mbushur numrin e votave për mandatet e blera. Ky mund të jetë një interpretim i femomenit “Ruzhdije”.

Por le të shohim sa është bilanci i bojkotit?

Duke u nisur nga numri i listes se KQZ në votime morrën pjesë 1,742,041 votues. Pra bojkoti është 47% i popullsisë, pra statistikisht 1,420,668 votues nuk janë paraqitur në votime. Këtij numri hiqi 862, 761 presupoohet që janë imigrantët dhe kemi 557,907 të cilët janë brënda territorit të Shqipërise dhe nuk kanë votuar. Kjo është mjaft shqetësuese.

Rritja fiktive e votuesit LSI-st

I parë më nga afër, Lezha me 57% pjesmarrje ku konkurroi Monika Kryemadhi pati rritje rreth 6000 vota kundrejt vitit 2009 dhe konfirmoi mandatin e saj të parë, të cilin LSI nuk e kishte arritur dot në 2009 as si Aleancë Soclialiste për Integrim. Berati pati një rritje prej 12,000 votash në favor të LSI, Fieri pati një rritje rreth 8900 votash në favor të LSI i cili i dha një mandat më shumë. Gjithashtu është për tu përmendur fakti që LSI morri 9959 vota më shumë në Shkodër se në vitin 2009, fakt i cili i dhuroi një mandat LSI.

Pra siç jemi në gjendje të analizojmë, rritja e pjesmarrjes në zgjedhje këtë vit ka shkuar në përfitim të LSI. E çiftëzuar kjo me incidentet e rrahjes, keqtrajtimit dhe vrasjes së seksereve te LSI tregon se kjo parti është angazhuar në aktivitet të paligjshëm për të siguruar 12 mandate me shume. Kështu që kemi një rritje fiktive të deputetëve të LSI-së në parlament dhe jo zbatimin e vullnetit të popullit.

Të gjendur përpara këtij problemi të një bojkoti masiv, politikanët i ranë lapsit dhe luajtën me këto shifra. Pra në lingon e zgjedhjeve ky quhet fenomeni Ruzhdije i cili nuk është gjë tjetër përvëçse mbushja e kutive të votimit me fleta në favor të një partie ose koalicioni, te rënë në ujdi që më përpara.

Ajo që bie në sy në këto zgjedhje është egërsia, acarimi fizik të cilat janë pasojë e luftës partiake. Nga burime jo zyrtare LSI është munduar t’i blej mandatet edhe në 2009 por nuk ka arritur. Atë që LSI nuk e bëri dot në 2009 sepse Berisha nuk do t’ja lejonte kurrë, e bëri në 2013. Kjo vjen për shkak të paktit të një prillit dhe qëndrimit “laissez-faire” të Berishës në zgjedhjet e 23 qershorit. Mbajtja e përgjegjsisë për humbjen nga ana e Berishës është gjithashtu pjesë e paktit dhe strategji e tij për t’u “vetsakrifikuar” me qellim te ketë mundësi të bëj një tranzicion sa më të lehtë dhe pa incidente për veten dhe për familjen. Pra paria kishte tre muaj kohë të paraprinte rezulatet e një bojkoti masiv, të siguronte aq sa i duheshin dhe e kreu detyrën “me nder.”

Faqja zyrtare e KQZ

http://result.cec.org.al/Results.aspx?UnitID=1&IsPS=0&Turnout=4&LangID=1

Diary of Tirana

http://diaryoftirana.blogspot.com/2013/06/kush-i-fitoi-zgjedhjet-qarku-fier.html?utm_source=feedburner&utm_medium=feed&utm_campaign=Feed%3A+DiaryOfTirana+%28Diary+of+Tirana%29

https://ëëë.cia.gov/library/publications/the-ëorld-factbook/geos/al.html

KUSH DO TA BËJË OPOZITEN?

Problemi themelor me te cilin përballen shqiptarët nuk është aq qeverisja Rameta, por mungesa e një opozite politike serioze, ideologjike, programatike, dhe me synim marrjen e qeverisjes ne zgjedhjet e ardhshme politike. Në këtë pikë, një opozitë e tillë nuk ekziston në shtetin shqiptar dhe po u vazhdua kështu nuk ka gjasa që të ndodhë. Paradoksi është se në politikën shqiptare mungon konvergimi i katër elementëve që e bëjnë të mundshme daljen e një alternative të tillë serioze: ideologjia, udhëheqësia, struktura partiake dhe mobilizuese, dhe mendësia e popullit.

Katër Elementët e Një Opozite të Shëndoshë

Ideologjia e duhur për të bërë opozitën sot e mot, por edhe për të drejtuar shtetin është kombëtarizmi. Këta që do të qeverisin nuk janë kombëtaristë. KËta që qeverisën deri dje nuk janë kombëtaristë. Këta që morën flamurin e kombëtarizmit dolën kakarecë e sharlatanë dhe janë krejtësisht të diskredituar. Mirëpo diskreditimi i tyre nuk duhet e nuk mund të jetë diskreditimi i ideologjisë dhe i vlerave të pazëvendësueshme që ajo ideologji përcon.

Udhëheqësia e duhur për të bërë opozitën sot e mot por edhe për të drejtuar shtetin nesër duhet të përbëhet nga politikanë që nuk janë të korruptuar, që nuk janë të blerë e të shitur, që nuk janë të njollosur nga qeverisja kriminale e tranzicionit. Këta që do të qeverisin janë ata që qeveresnin deri dje. Këta që qeverisën deri dje janë llumi i botës, hajna, cuba, gangstere, mashtrues, klani i Zemunit, Trusti I Gështenjave të Tropojës,  Orta e Jenicerëve, Ceta e Lavatriceve dhe strukturat e tjera oligarkike, kriminale e mafioze. Udhëheqësia e opozitës duhet të bëhet nga njerëz që janë të përkushtuar ndaj popullit e ndaj shtetit të tyre e jo nga politikanë me dosje, me dosje krimi, që kanë mbushur dosjet kundër shqiptarëve, apo që duan të luajnë lojën politike me dosjet kundër shqiptarëve.

Struktura partiake dhe mobilizuese e duhur për të bërë opozitën duhet të jetë një strukturë e mbështetur në ideologjinë dhe bindjen se besnikërinë e parë e të pandryshueshme anëtari apo simpatizanti i partisë nuk e ka ndaj kryetarit të partisë apo kryetares por ndaj shtetit. Politika bëhet për ta bërë shtetin e gjendjen më të mirë, për të gjetur rrugën e duhur e jo për të përdorur njerëzit në rrugë si mitingashë  për qëllimet e një individi. Struktura partiake, pra, duhet të jetë dytësore e në hije të jetës personale të individëve që mund të jenë mësues, profesionistë, punëtorë bujq, e në profesione të tjera, por që bashkëpunojnë për të bërë më të mirën për të gjithë shqiptarët. Koha e sistemit parti-shtet ka kaluar, por tek ne koha e shtet-kombit ende nuk ka filluar.

Mendësia e popullit do të jetë vendimtare në përcaktimin e të ardhmes së opozitës. Këta që qeverisin ishin në qeverisje. Këta që qeverisën nuk kanë lënë gjë pa bërë për ta zvetënuar, korruptuar, katandisur që të mendojë vetëm për bukën e gojës dhe të jetë tërësisht i varur prej tyre. Zgjedhjet e fundit kur votat u shitën, u blenë, u vodhën, apo u dhunuan treguan se kemi zbritur një a dy shkallë më poshtë nivelit ku kemi qënë. Shenjat e degradimit që po përjetohen janë të frikshme dhe duhet bërë një përpjekje titanike për të ndrruar rrugë. Opozita e vërtetë do të jetë ajo që do t’u kthejë njerëzve dinjitetin e respektin për veten duke punuar në radhë të parë për të ndrruar mendësinë e tyre.  Zgjidhja e vërtetë është në ndricimin e mendjes së popullit dhe në krijimin e bindjes se ka zgjidhje, se ka shpresë dhe se ka mundësi që të bëhet më e mira për shqiptarët. Opozita e vërtetë do të tregojë se strukturat partiake, ideologjia dhe udhëheqësia e opozitës janë në funksion e në shërbim të arritjes së objektivave të ndërtimit të një shoqërie moderne e normale, e cila të krijojë siguri të jetës e të nderit, mundësi për zhvillim, e begatim, me sisteme të edukimit, të mbrojtjes shëndetësore, të kujdesit për fëmijët e të moshuarit.

A Mund të bëjnë Opozitën partitë ekzistuese?

Në këtë pikë, ideologjia e duhur është kombëtarizmi. AKZ është partia që e ka përqafuar atë ideologji, mirëpo trajtimi që i ka bërë ka qënë jorealist, populist, i ngarkuar me nota sharlatanizmi të theksuar dhe pa profesionalizmin që pritej. Dështimi i një politikani nuk është dështimi i ideologjisë. Por do të ishte e pafalshme që të lejohet një individ që të mbajë peng opozitën e ideologjinë e saj. Njerëzit i bashkëngjiten një ideologjie dhe nuk e kanë pronë të tyre. Ideologjia ka jetën e vet dhe në rastin tonë, kombëtarizmi është ideologjia e natyrshme, e nevojshme, e dbishme dhe e pashmangshme.

NË drejtim të udheheqësisë dhe të strukturës, nga ana e vet, Sali Berisha mban peng të Trustit të Gështenjave masën e madhe të njerëzve që e dinë se kush janë këta që do të qeverisin dhe që duhej të ishin opozita e vërtetë. Qeverisja e degjeneruar dhe e stërkorruptuar e tij dhe e strukturave dhe e individëve që nuk lanë gjë pa bërë për të mbushur thesin me para për 100 vjet duhet të gjykohet e jo të durohet e anashkalohet. Mirëpo Edi Ramës dhe Ilir Metës iu duhet një Sali Berishë e një PD e dobët që do ti mbajë në pushtet për nja 16 apo më shumë vjet. Kështu kanë punuar deri tani e kështu duan të punojnë. Por kjo nuk duhet lejuar që të ndodhë sepse kjo është thjesht zgjatja e agonisë kombëtare.

Përpjekja e ethshme e Berishës për të imponuar një njeri të familjes në krye të PD-së dhe për të mbajtur shqiptarët peng duke thënë se do të bëjë opozitën do të intensifikohet në ditët e ardhshme. Sali Berishës nuk i duhet një opozitë për shqiptarët, atij i duhet një mbrojtje për familjen e për Trustin dhe kjo mbrojtje vjen nga prania në politikë dhe nga kontrolli mbi popullin. Marrëveshja që ai ka bërë me Metën e Ramën do të respektohet dhe as atij e as familjes nuk do ti hyjë gjemb në këmbë. Sepse këta janë paria e Tiranës dhe ia ruajnë shpinën njeri tjetrit. Prandaj Berisha e PD nuk mund të bëjnë opozitën e vërtetë, atë që duhet, atë që iu shërben shqiptarëe dhe të ardhmes së tyre. Sali Berisha dhe të gjtihë të tjerët në PD janë të kapur, të degjeneruar, të zvetënuar, hajna e cuba të kategorisë më të fundit. Nuk ka det që i lan krimet e tyre dhe nuk mund të vihet ujku të ruajë delet e të bëjë opozitën për të mbrojtur shqiptarët. Sepse si Sali Berisha, ashtu edhe Lulzim Basha, dhe të gjithë të tjerët janë vegla të Trustit të Gështenjave. Ata janë aty për të mbrojtur interesat e familjes e jo të shqiptarëve. Nuk duhen lejuar që ta bëjnë këtë sepse ky do të ishte një krim që nuk do të na e falin brezat e ardhshëm.

Mendësia e popullit që duhet për të bërë një opozite të shëndoshë e jo një opozitë mitingjesh, si kjo që po nis të përvijohet, është mendësia e qytetarit me bindje të qarta civile, patriot e atdhetar, e që i njeh të drejtat dhe detyrat e veta dhe i kupton shtërngesat që vë ligji. Mendësia që na duhet është mendësia e qytetarit që nuk bie pre e manipulimit për interesa personale të individëve të caktuar, që i shmanget parullave populiste, që kërkon substancën e jo vetëm formën, që nuk voton për numrat e për ngjyra e parti, e që nuk bën tifozllëk.  Mendësia që na duhet për të bërë opozitën është mendësia e katundarit fisnik  shqiptar, ai që vë nderin mbi gjithcka, ai që e kupton se të keqes duhet me i thanë ndal, që nderon e respekton rregullin e ligjin, që kërkon zbatimin e ligjit që duhet të jetë mbi gjithkënd e gjithkund.

Kush duhet ta bëjë opozitën?

Opozitën duhet ta bëjë një masë shqiptarësh që përqafon ideologjinë kombëtariste. Kjo masë e fragmentarizuar shqiptarësh sot mbështet parti interesash, nuk sheh zgjidhje, dhe e ka mbyllur gojën, edhe pse e dinë mirë se cfarë krimi po luhet mbi kurrizin e shqiptarëve. Kjo masë e shpërndarë në të gjithë shtresat e shoqërisë jo vetëm e kupton se ky realitet është absurd, por edhe se ky realitet është kriminal, i qëllimtë dhe i stisur në atë mënyrë që të mos lejojë që të rebelohet kush. Por këta nuk e hapin gojën sepse kanë frikë. Niveli i terrorizimit të shoqërisë shqiptare ka arritur në nivele të tilla sa që njerëzit nuk guxojnë as të mendojnë e jo më të flasin dhe frika është me e prekshme në këtë këtë grup se sa në cilindo grup tjetër.

Mirëpo, për këdo që hyn në politikë, ky është grupi i elitave të vërteta dhe i individëve me influencë lokale, e nesër edhe kombëtare, që do të bëjnë ndryshimin. Zhgënjimi i pritshëm nga qeverisja Rameta do t’i bindë të bëhen më aktivë. Këta janë celësi i organizimit të opozitës sepse këta ndërmjet parisë sunduese dhe popullit. Këta e përcojnë ideologjinë, sjelljet, normat dhe vlerat e parisë në popull por këta mund të bëjën influencimin e popullit në mënyrë që të përvijohet ndarja me të shkuarën. E në të njëjtën kohë, këta janë grupi më i madh dhe më i ndjeshëm, grupi që mund të bëjë ndryshimin. Problemi kryesor është se si me ia nxjerrë frikën këtyre njerëzve, që pavarësisht se ku jetojnë, në fshat apo në qytet, kanë edukimin, ndjeshmërinë, dhe receptivitetin për të kërkuar ndryshimin. Këta janë zyrtarët e niveleve të ulta në atë e në këtë system, njerëzit që vijnë nga familje me tradita, tregtarët e reshperët që duan të jetojnë me nder, mësuesit dhe mjekët e ndershëm, oficerët dhe policët e edukuar, njerëzit me bindje morale të qëndrueshme e që i praktikojnë në jetën e tyre, atdhetarët dhe patriotet, pasardhësit e familjeve patriotike e të dëshmorëve të kombit.

Në vend të përfundimit

Opozitën nuk mund ta bëjnë ata që kanë dështuar apo ata që janë të kriminalizuar. Opozita e vërtetë duhet të fillojë e duhet të jetë e mbështetur tek kombëtarizmi si ideologji. Opozita e vërtetë duhet të jetë e mbështetur tek shqiptarët patriote e shembujt si figura e ndritshme e Myslym Pashajt. Opozita e vërtetë do të vijë mbas një periudhe të gjatë pune e reflektimi nga ana e intelektualëve dhe mbi të gjitha e të rinjve. Opozita e vërtetë duhet të shkëputet nga trashëgimnia e sharlatanëve dhe e banditëve politikë si Sali Berisha dhe të punojë për të kthyer dinjitetin e nderin shqiptarëve fisnikë. Sepse në fund të fundit këta që na qeverisën e që do të qeverisin janë këtu me një projekt afatgjatë. Nuk ka zgjidhje të lehta, rruga është e mundimshme, por opozita duhet me kenë morale, kombëtariste, e përkushtuar, në shërbim të popullit dhe mbikqyrëse e qeverisjes së parisë së Tiranës por në interes të kombit. Koha ka ardhur për të pyetur kush do ta bëjë e në cilën anë do të jetë secili, edhe ti që e lexon këtë shënim.

VALBONA KARANXHA: LIDERSHIPI I FORCËS DHE I DHUNËS

 Koncepte te lidërshipt të forcës dhe të dhunës

Ashtu si çdo shkencë  shoqërore që synon të studioj fenomene, koncepte, ide, sjelljet në shoqëri, edhe lidershipi nuk ka ngelur jashtë epistemologjisë; shkencës së diturisë. Lidërshipi, nuk është tipar, as pozitë sociale; lidërshipi është mënyra se si njerzit që janë në fuqi ose pushtet sillen me popullin që udhëheqin. Duke ju kthyer rastit te lidërshipit shqiptar keto 70 vitet e fundit, mund të thuhet pa druajtje se  udhëheqjet prezente dhe të mëparshme në Shqipëri hyjnë në teoritë që studiojnë lidërshipin e detyrimit me dhunë, (coercive leadership).

Me një fjalë, idea e lidërshipit të detyrimit dhe të dhunës është manipulimi i popullit me qëllim që ai  të veproj jashtë vullnetit të tij. Si pasojë, ky lloj lidërshipi krijon dy lloj mardhëniesh me grupet e njerzëve që udhëheq: E para, shpërblen bashkëpuntorët, ata që kontibuojnë për mbajtjen e lidershipit të detyrimit dhe te dhunës. Dhe e dyta ndëshkon me mënyra të ndryshme ata që shprehen dhe veprojnë kundër. Lidërshipe të tillë  historia ka njohur me duzina. Vlen të permëndet rasti i Adolf Hitlerit, Jim Jones (Guayana), David Konesh etj (Northouse, 2010). Por gjithashtu vlen të përmenden, lidërshipet diktatoriale në Amerikën Latine, Afrikë, dhë ato ish-komuniste në vendet e Europës Lindore apo Azinë e Largët.

Po në këtë kategori lidërshipi hynë edhe figura si Enver Hoxha apo Sali Berisha të cilët kanë qenë kreyqeveritarë të pushtetit në Shqipëri gjatë  70 vjetët e fundit. Ky model lidërshipi nuk e merr për bazë  synimin e mirqënies së popullit por egsiston vetëm për të realizuar qëllimet personale nëpërmjet, detyrimit, manipulimit dhe dhunës. Ky lloj lidërshipi jo vetëm është kundër mirqënies se popullit, por e mban atë në një gjëndje apatie dhe mosreagimi ndaj fenomeneve socio-politike.

Hoxha dhe skizofrenia e tij politike

Le ti rikthehemi rastit të liderit komunist  Enver Hoxha. Hoxha, kishte krijuar një sistem të padepërtueshem i cili punonte në funksion të tij dhe kastës së Partisë së Punës së Shqipërisë. Ky sistem  kishte shtresat e tij të cilat quhen struktura. Këto struktura ishim mjaft te organizuara dhe të konsoliduara. Strukturat funksionoin dhe mbaheshin sepse punonjësit ishin te detyruar me dhunë psikologjike të zbatonin programet e ardhura nga lart. Në aparencë, sistemi dukej sikur funksiononte në mënyre ideale, por i parë nga afër sistemi kishte të çara ose hendekë sepse nuk ishte i ngritur në një vision të përbashkët, por në visionin e një njeriu ose një grup njerzish.

Sistemi i Hoxhës kishte programe imediate dhe të largëta. Disa nga këto programe ishin shpërndarja dhe absorbimi total i propagandës komuniste nga populli. Programi i largët ishte që gjithë populli shqiptar të blente ideologjinë komuniste dhe ta adoptonte si pjesë të jetës. Pra, ideologjia komuniste mbi gjithcka. Strukturat shtetërore apo partiake të Hoxhës paraqiteshin në formë rreth(esh)  të përbëra nga punonjës të sistemit në të cilën hynte pjesa me e madhe e popullsisë në moshën e punës. Sa më shumë të afrohesh pranë qëndrës, pra  afër strukturave qeveritare të udhehequr nga lideret komunist,  përbërja e këtyre strukturave forcohej gradualisht për të krijuar një rreth të ngushtë të padepërtueshem  i cili ishte rrethi i bashkëpunëtoreve dhe të afërmve të Hoxhës, ose byroja politike.

Teknikisht, sa më afër qëndrës aq më shumë Hoxha kishte besim në individin. Kjo përbente një farë shpërblimi për bashkëpuntorët dhe përkrahësit e ideologjisë, ndërsa ajo pjesë e popullsisë që Hoxha nuk i shihte si bashkëpuntorë të ngushtë ose si pjesë e parisë së tij sunduese, izolohej që në fillesë sepse ishte jashtë rrethit dhe mirbësimit të tij, dhe nuk i shërbente politikës së tij me rigorozitet.

Me shëmbuj mjaft ordiner, sistemi komunist i kryesuar nga Hoxha shpërblente besnikët duke i mbajtur afër vetes (po jo shumë afer), me bursa jashtë shtetit, me pozita  pune në kryeministritë, komitetet qëndrore dhe të rretheve. Rrjedhimisht, standardi i jetesës së këtyre të besuarve ishte disi më i lartë gjithmonë duke e krahasuar me pjesën tjetër të popullit.

Ndërsa pjesa e popullsisë në të cilën Hoxha nuk kishte interes imediat punonte dhe jetonte larg qëndrës së qytetëruar të Tiranës me punë që ishin në funksion të mbajtjes së sistemit komunist. Shumë intelektualë lëviznin nëpër rrethe si lëvizje kuadri. Një pjesë e këtyre intelektualëve ishin mjaft të shkolluar. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për byronë  politike të Hoxhës ku një pjesë e madhe nuk kishin arsimin e duhur për të kryesuar ose udhëhequr,  dhe strategjikisht,  ishte gjithmonë e stacionuar në bllokun e udhëheqjes. Fjala bllok në vetvete i qëndron kuptimit të parë të saj e cila është “strukture e padëpertueshme”. Pra,  Hoxha ishte aq drejt përsëdrejti sa dhe metaforik.

Arsimi i lidërve dhe atyre që punojnë afër tyre është pivotal por jo gjithcka. Faktor të tjerë që ndikojnë në drejtimin me sukses janë  pjekuria politike, maturia, inteligjenca dhe aftësia për të marrë vendime në të mirën e popullit. Fakti qëndron se, ish bashkëpuntorët dhe anëtaret e byrose nuk kishin asnjë nga këto tipare; ata ishin thjesht një numër karrige në byro dhe zbatonin politikën e Hoxhës në vazhdimësi. Kjo mënyre sjellje ishte politikë manipuluese. Me këtë  levizje, Hoxha i mbante intelektualët e arsimuar larg shqetësimeve të tij, dhe shpërblente të paaftët pranë tij për të lehtësuar sundimin.

Hoxha nuk kishte tolerancë për ata që nuk besonin në ideologinë e tij dhe i kunderviheshin hapur me vepra ose me fjalë. Për këtë arsye Hoxha kishte ngritur insitucionet e ndëshkimit politik që ishin burgjet dhe qëndrat e persekutimit. Dhuna e Hoxhës ra fortë jo vetë mbi ata që e kundershtuan hapur por edhe mbi familjet dhe fëmijet e tyre të cilët ndanë përgjegjësinë dhe dënimin në të njëjtat institucione.

Kalorësi i demokracisë shqiptare

Pesëdhjetë vjet mbas sundimit të Hoxhës dhe pasardhesit të tij Ramiz Alia, Berisha, lideri i shumpritur dhe i shumfolur i demokracisë shqiptare, doli si emergjencë e nevojës për të përmbysur sistemin komunist. Teorikisht Berisha përqafon demokracinë por në praktikë  Berisha shkel parimet bazëte saj. Udhehëqja e tij është një variant tjeter i lidërshipit të dhunës dhe detyrimit. Berisha mbron faktin se ishte një nga themeluesit e Partise Demokratike në Shqipëri, por rruga e Berishës dhe peripecitë e tij si  lidër, tregojne se Berisha nuk mundi të hyjë  asnjeherë në atë teori që studiojnë lidërshipet autentike të cilet ndryshuan jo vetëm sistemet, por  synuan të mbajnë ndryshimin e sistemit duke venë mirqenien e popullit para së gjithash. Ky është pak a shumë koncepti i demokracisë. Praktika tregon se Berisha e ka të vështire ta kuptojë këtë koncept dhe duke qënë se Berisha nuk është i qartë në teorinë e tij kjo e bën të pamundur aplikimin e  konceptit të demokracisë në praktikë gjatë pushtetit të tij.

Të dy këta lidër, si Hoxha dhe Berisha  kane ngjajshmeri sepse bien në të njëjtën kategori lidërshipi. Domethënë, sjellja e tyre ndaj poullit është e ngjajshme por jo e njejte. Ndersa Enver Hoxha kishte ngritur dhe mirëmbante në mënyre fanatike strukturat e modelit komunist, Sali Berisha, funksionon në një shtet i cili është në kaos, strukturat e të cilit janë frakturuara. Berisha ka  krijuar sisteme brenda shtetit qe ti shërbejne atij dhe kastes së vet partiake. Por meqënëse Berisha kryeson në një kohë kur nuk i shpëton dot syrit të institucioneve ndërkombetare, ai  nuk përdor drejt përsëdrejti dhunën. Berisha përdor mjete më të sofistikuara për të siguruar  pushtetin, dhe për të mbajtur afër të besuarit e tij. Për shembull, për të ndëshkuar ata që nuk besojnë në programin e tij, si ashtu dhe kundërshtaret e hapur politik, Berisha  aplikon metodën jo domokratike, atë të politizimit të institucioneve dhe  punëve shtetërore.

Hoxha dhe Berisha,  shembëlltyrat e njeri tjetrit

Ashtu si Hoxha, Berisha ka mbledhur rreth vetes një rreth të ngushtë bashkpuntorësh të cilët mundësojne qëndrimin e Berishës në pushtet dhe realizimin e qellimeve të tij i cili është interesi personal imediat. Ashtu si Hoxha i cili  shpërblente bashkëpuntoret e vet, po ashtu dhe  Berisha shpërblen bashkpuntoret e vet  duke i emëruar me poste në ministritë apo qeveritare. Për më tepër Berisha, ashtu si Hoxha,  i cili mbajti pushtetin me dhunë për 50 vjet, mundëson me të gjitha menyrat fitimin e zgjedhjeve me qellim qe te zgjas jeten e tij dhe  bashkepunetoreve te tij ne pushtet.

Por ndryshe nga Hoxha, Berisha nuk i dërgon të gjithë kundershtaret e vet në institucione persekutimi të hapur, por i heq mundësine për tu punësuar dhe jetuar në sistemin e tij. Shumë kundërshtarë që nuk besuan në politikën e Berishes, janë drejtuar jashtë atdheut të tyre në kërkim të një jete të re, pasi në Shqipëri mjetet dhe burimet ekonomike janë prerë.

Si konkluzion, liderat që sundojnë me dhunë dhe detyrim kujdo partie që i përkasin do kenë ngjajshmeri sepse kanë shumë tipare që i bashkojnë. Qëllimet imediate si pasurimi personal; sjellja në varësi të ambientit dhe ndaj  pjestareve te shoqerise, aplikimi me dhunë dhe detyrim i ligjeve, praktikat e krijimit te sistmeve dhe strukturave te korrupsionit, praktikat  anti-demokratike të politizimit të institucioneve, tregojne qartë se Berisha dhe Hoxha nuk do të jenë asnjëhere pjesë e asaj udhëheqje që  ka një vizion të përshkët me popullin.

Berisha dhe Hoxha janë shëmbëlltyra të njëri tjetrit sepse të dy riprodhuan të njëjtën ideologji dhe sistem; atë të sundimit me forcë dhe dhunë.  Berisha, megjithë demagogjinë dhe trumpetën e çlirimtarit, nuk do mund të shkëputet nga kompulsiviteti pr te mbajtur kontroll mbi  institucionet dhe vetë popullin. Berisha vjen nga shkolla  ideologjike e Hoxhës të cilët nuk krijuan kurrë vlera patriotike sepse nuk dalin dot nga strukturat e tyre partiake dhe babëzia për të sunduar. Patriotizmi ve interesin e popullit mbi atë vetjak, gjatë gjithë jetës se tyre në politik si Berisha dhe Hoxha perdorën praktikën përça dhe sundo për të mbajtur pushtetin. Populli shqiptar është tejet i ndarë në klasa ashtu si në kohën e diktatures komuniste. Berisha ndjek te njejtat praktika komuniste të presionit psikologjik me pjesën e popullsisë që nuk ndan të njëjtën ideologji dhe bindje poilitike.

 

THIRRJA PËR BOJKOTIMIN E ZGJEDHJEVE: RIVLERËSIMI I NJË NISME QYTETARE – II

Baza Teorike e Thirrjes për Bojkot

Baza teorike e Thirrjes për Bojkot është shtjelluar në librin tim Përrallat e Tranzicionit Shqiptar. Argumenti që parashtrohet në libër është i thjeshtë dhe buron nga teoria e formuluar aty, por mbështetet edhe në teorinë elitariste të Harold Lassëell dhe në punimin e Murray Edelman, Përdorimet Simbolike të Politikës. Ky është themeli teorik dhe jo romani i Jose Saramago, sic spekulluan kalemxhinjte e llapaqenerisë mediatike të Tiranës.

Cili është argumenti? Argumenti është se ka dy lloje realitetesh në të cilat ekziston shoqëria shqiptare. Këto dy realitete janë të papajtueshme mirëpo bashkëjetojnë si uji i kripur me të emblin në një estuar. Cilat janë dhe si bashkëjetojnë këto realitete? Argumenti është se bashkëjetesa mundësohet nga shteti dhe nga procesi politik. Ajo që e bën të mundshme pranimin e kësaj gjendjeje si realitet është politika dhe procesi zgjedhor. Përmes procesit zgjedhor, njerëzit identifikohen me parinë, e pranojnë realitetin që iu imponohet nga shteti dhe paria si të pashmangshëm dhe vazhdojnë të jetojnë në një system që i skllavëron pa ndërprerje e pa shpresë.

Njëri realitet është realiteti i parisë. Ky realitet që paria e ka krijuar dhe i cili i shërben asaj e sheh botën dhe shoqërinë shqiptare duke përdorur metodologjinë marksiste dhe si të vendosur/gjendur në strukturën e kapitalizmit më të egër englesian. Në këtë realitet, paria e sheh veten si borgjezia dhe të tjerët janë proletariati dhe skllevërit e saj. Justifikimi ideologjik shkon një hap më larg. Këta janë thjesht shqiptarët ‘pisa’, një popull ‘pis’ që duhet shfrytëzuar, degjeneruar, zvetënuar, skllavëruar, përdhunuar e marrë nëpër këmbë sepse kështu vendoset e ndërtohet ‘kapitalizmi.’ Mirëpo kjo nuk thuhet sepse i bie ndesh realitetit në të cilin është shtërngue me jetue pjesa tjetër e shoqërisë.

Realiteti tjetër është realiteti i njerëzve që nuk kanë më as shpirt me jetue. Ky është realiteti i shumicës, i popullit ‘pis’ shqiptar, i atyre që kapen mbas pronës së vogël, me gur e llac, me tulla e me një dyqan, me një copë tokë, me një apartament, e me një ndërtesë, që hanë bukë e djathë, që dalin në klub e shkojnë në plazh dhe që shesin fëmijët e tyre jashtë shtetit për këtë jetë mjerane. Ky është realiteti i atyre emigrantëve që nuk kanë asgjë me tregue për vitet e pafund të poshtërimit, të vuejtjeve e të mundimit, ndoshta një shtëpi, një grusht me euro dhe plagët në shpirt që nuk ua fshin askush. Ky është realiteti në të cilin paria kërkon që ata me jetue. Dhe procesi i varfërimit moral, material, dhe mendor është intensifikuar me shpejtësi.

Po si mund të binden njerëzit që të jenë skllevër? Sepse shqiptarët nuk janë thjesht krah pune, ata janë edhe njerëz e, mbi të gjitha, shtetas. Njerëzit mbahen nën kontroll me dhunë e me kafshatën e gojës, e mbi të gjitha me mendësinë e tyre katundare, ndërsa shtetasit si votues është e vështirë të kontrollohen sepse ata votojnë dhe vota është burimi kryesor i legjitimitetit të parisë. Pa votën e popullit, fytyra e parisë del ajo që është në të vërtetë. Një bandë kriminale, mafioze, vrastare oligarkike që ka kryer krimin më të përbindshëm mbi shqiptarët, ua ka humbur shansin historik dhe që i ka skllavëruar ata përjetë duke i grabitur pasuritë e shtetit, të tyren dhe duke I vënë të punojnë për një copë bukë.

Mirëpo parisë i duhet vota e shqiptarëve. Politika dhe procesi zgjedhor e bën këtë të mundshme.  Dhe kjo bëhet përmes procesit të marrëzisë kolektive. Retorika politika ofron një realitet që nuk është, që nuk mundet me kenë, që nuk ekziston kurrkund. E megjithatë njerëzit janë të dëshëruar me gjetë kuptimin e jetës së tyre. Politika dhe lidhja me politikën ua jep atë kuptim të jetës.

Politika dhe politikanët i ndihmojnë me e interpretue në mënyrë logjike realitetin alogjik. Një fetar nuk del natën pa dritë sepse ka frikë se shkel xhindet. Dikush tjetër sheh në endërr djallin. Dikush kthehet nga rruga sepse ditën e martë ia pret rrugën një mace e zezë dhe pret të keqen. Mirëpo në mendjen e tyre kjo është logjike. Sepse atë mendësi ia përforcon bashkësia, autoritetet që njeh. E në rastin e politikës, për të arritur nivelin e mbështetjes që kërkon, paria

përdor simbolet që lidhen ose me gjendjen ose me emocionet. Prandaj nga jashtë, gjendja në shtetin shqiptar është një marrëzi kolektive. Njerëzit duan me besue dhe politikanët hedhin simbole referenciale apo të ngarkuara me kuptim. Prandaj në realiettin e marrëzisë kolektive shqiptare gjen xhevahire të rralla të budallallëkut politik. Politikanët flasin për rrugët, për gjatësinë e tyre nga Tropoja në Tokio. Të tjerët flasin për Rilindje por flamuri eshte lejla. Merren me monumentin e dy Gishtave, të Enver Hoxhës, të Ahmet Zogut, e me radhë. Të gjithë flasin për të ardhmen europiane, hyrjen e Shqipërisë në Europë kur Europa nuk na don e nuk përmbushim asnjë kusht. Flasim për Tunelin e Elbasanit, për përurime, shkohet me autobu në majë të një mali ku gjendet një minierë e rrënuar. Të gjithë flasin për të ardhmen e lumtur, begatinë, shkollat e reja, uljen e taksave, rritjen e rrogave, katundarët quhen fermerë, punësimin, kthimin e tokave të gjithëve, të pronave të gjithëve, mundësitë për emigrantët e kështu me radhë. Njerëzit presin nga politikanët që t’iu tregojnë të vërtetën. Duke e besuar, apo duke u shfaqur se e besojnë, ata bëhen pjesë e një realiteti që iu imponohet por nuk ka asnjë bazë në të vërtetën.

Kështu politika dhe përmes politikës paria e Tiranës iu mbush mendjen njerëzve se cfarë duan, si ta duan e cfarë të kërkojnë e të presin prej tyre. Sepse në nivelin material, ata i kanë marrë pasuritë, i kanë bërë llogaritë, janë milionerë dhe i kanë partitë e tyre të milionerëve. Politika është simbolike, për simbolet, dhe shërben për krijimin e realitetit ku duhet të funksionojnë në mënyrë logjike skllevërit e parisë. Në këtë marrëzi kolektive, dhe është kolektive sepse as paria nuk i shpëton mendësisë e sistemit ideologjik të cmendur që ka krijuar, nuk ka vend për objektivitet e arsyetim. Mitet bazë mbi të cilat mbështetet shoqëria, objektivat që i vë vetes, qëllimet e mënyra se si t’i arrijë këto qëllime janë të organizuara në mënyrë logjike, anipse themeli i argumenteve është një cmenduri totale.

Mirepo zgjedhjet shërbejnë kryesisht me i ba njerëzit e vegjëlisë me u dukë të plotëfuqishëm. Krijimi i bindjes se janë ata që vendosin është një process që mbështetet pikërisht në mitet, në simbolet dhe në zgjedhjet. Mirëpo zgjedhjet dhe politika janë të lidhura me shtetin dhe shteti është në qëndër të intërësave të cdo individi, ose si fuqi positive ose si kërcënim.  Në këtë mënyrë, duke I kthyer njerëzit, në dukje e në sipërfaqe, sikur janë ata që vendosin për shtetin, zgjedhjet bëhen me shumë se zgjedhje. Politika atëherë, simbolizon atë që njerëzit duan me besue për shtetin, mirëpo nuk ka të vërtetë këtu. Vegjëlia beson atë që don paria që ata duhet me besue. Prandaj për një muaj e gjysëm nuk patëm programe por numra. Thirrja e pafund ishte voto numrin 29, 44 apo edhe numrin magjik, 69. Tragjedia është se pikërisht në momentin kur duket se ata po bëjnë veprimin më racional të jetës së tyre, po zgjedhin ata që do të vendosin se kush do të jetë në krye të shtetit, vegjëlia vepron në mënyrën më irracionale, sepse i gjithë sistemi është i ndërtuar që të mbrojë interesat e parisë së Tiranës. Politika bahet tifozllëk, bahet një seri pamjesh, numrash, dy gishtash, fytyrash, flamujsh. Por ajo nuk ka substancë, nuk është reale. Nuk është as jeta që njerëzit jetojnë, as jeta që duhet me jetue. Politikanët bëhen qëndra e jetës së tyre dhe njerëzit identifikohen me ta. As Edi Rama, as Sali Berisha e as Ilir Meta nuk munden me kenë gabim për mbështetësit e tyre. Edhe kur ua fusin sa krahu, edhe kur sjellin Kac Islamin, apo vënë llumin e botës si deputetë, kur kapen duke vjedhur apo me kurva nuk janë gabim. Heronjët nuk munden me kenë gabim, sepse “lëre se ashtu ishte një punë.’

Gjithcka cka bajnë këta politikanë është e padiskutueshme, e drejtë dhe e duhur. Ky është niveli më i lartë i marrëzisë kolektive. Njerëzit nuk kanë më asnjë element të pavarur apo ideologjik me gjykue një sjellje të tillë. Të gjithë dështimet e tyre ia kalojnë palës tjetër, shteti bëhet objekt që duhet arritur me cdo kusht dhe njerëzit e arrijnë këtë përmes politikanëve që adhurojnë. Ky është edhe objektivi i mbajtjes në fushatë, pa ndërprerje, i shoqërisë shqiptare.

Ndërkohë realiteti i njerëzve nuk ka ndrrue aspak. Ata janë e do të jenë të papunë, ma të vërfër, ma të mjerë, ma të pambrojtur, ma të shfrytëzuar, ma të skllavënuem, ma të ndarë, ma të manipuluem. Por nuk ka rëndësi. Ashtu si dikush e jeton jetën si tifoz i Bajernit apo i Milanit, duke e ndjekur skuadrën e zemrës dy herë në javë me një satelit ashtu edhe dikush e jeton politikën. Mirëpo në të dy rastet, politika e vërtetë është në para. Pronari i satelitit, që ta blen votën 40 euro ti merr paratë ditë për ditë. Politikani që ta blen votën 40 euro, vjedh shtetin, e përmes shtetit ty, sepse shteti është I yti, dhe borxhi I shtetit është borxhi i jot, me thasë.

Kjo është edhe logjika pse duhej bojkotuar sistemi. Në shtetin shqiptar duhej të dilte dikush që të thonte se ky realitet është kriminal. Se ju jeni banda. Se nuk e pranojmë sundimin tuaj. Se ju mendoni për vete e jo për popullin. Se doni të na shfrytëzoni e se na urreni, na përbuzni, na trajtoni si kafshë, na përdhunoni e na shisni. Ju mund ta bëni këtë se unë nuk kam se cka iu bëj, por ama votën timë nuk ua jap ju. Sepse ju jeni llumi i botës, llumi i shoqërisë shqiptare, gjarpërinj ë e hyena, fatkeqësia kombëtare që na ka ra e nuk po dimë se si me iu heqë qafe. Por skllav me dëshirë nuk bëhem. Ky ishte edhe synimi i fushatës për bojkot.  Dikush duhet me e dhanë një shembull dhe është meritë që, edhe pse vijnë nga rrugë të ndryshme, këta të rinj e të reja e dhanë këtë shembull. Realiteti që ata shohin, edhe pse ende nuk duket se e interpretojnë si duhet, është realiteti me të cilin duhet të përballemi e gjejmë rrugën e zgjidhjes. Bojkotimi i zgjedhjeve ishte i domosdoshëm sepse zgjedhjet nuk ishin zgjidhja.  Prandaj edhe ata që i dolën kundër bojkotit ishin vegla të parisë, njerëz pa ndërgjëgje shoqërore, të përdorur e të shitur, e njerëz të mjerë që  nuk janë për tu mëshiruar sepse me ndergjegje e pamedyshje e shtyjne popullin shqiptar ne rrugen e skllaverimit.  (vijon)

THIRRJA PËR BOJKOTIMIN E ZGJEDHJEVE: RIVLERËSIMI I NJË NISME QYTETARE – I

Ndryshe nga zgjedhjet kuvendore të viteve të mëparshme, në zgjedhjet kuvendore të vitit 2013, thirrja për bojkotimin e zgjedhjeve fitoi një masivizim të dukshëm e disi të papritur. Kësaj here, në mbështetje të thirrjes për bojkot, dhe të përpjekjes për delegjitimimin dhe mospranimin e sistemit doli një grup shumë cilësor e me emër të njohur analistësh, profesionistësh, dhe aktivistësh të shoqërisë civile. Duke filluar me inisiativën e tyre, në mënyrë sporadike, dhe duke qënë e pranishme në media, si në internet ashtu edhe në shtypin e përditshëm dhe në emisionet e ndryshme në radio apo në televizion, kjo nismë e njohur me shumë emra të ndryshëm si  “Vota e Bardhë”, “Anti” “Futi Vizë Votës,” Vëri Kryqin Votës” apo “Grise Votën” u bë njëra nga cështjet kryesore të fushatës.

Sic u evidentua nga deklarimet tejet të ashpra e shumë të shqetësuara të politikanëve kryesorë, që nga thirrjet e hapura të Sali Berishës, Edvin Ramës dhe Ilir Metës kundër bojkotimit, ky ishte një shqetësim jo i vogël për ta. Si edhe u pa nga përpjekjet intensive të aktivistëve politikë në terren, por edhe nga debatet e nxehta në shtyp dhe nga qëndrimet e marruna nga qytetarë me influence të një spektri të gjerë, inisiativa për bojkotimin e zgjedhjeve përbënte njërin nga shqetësimet më kryesore të politikës por edhe të politikanëve të Tiranës.

Me mbarimin e zgjedhjeve dhe me fitoren e koalicionit të drejtuar nga Edvin Rama dhe Ilir Meta, thirrja për bojkot u trajtua ex post facto si një thirrje absurde. Njerëz nga të gjitha shtresat dhe nivelet filluan të sulmojnë e të godasin thirrjen për bojkot dhe ata që e mbështetën si njerëz që nuk kuptojnë se cka ndodh në shtetin shqiptar.  Sepse u tha, “ju nuk dini se cka ndodh,” “nuk ja keni idenë gjendjes”, “shihni mbështetjen popullore”, “këta jemi ne,” “me ju jemi, por kësaj here le të heqim Berishën”, “ju flisni kot e më kot,” “po imitoni librat e trillanit Saramago”, “rrotacioni, rrotacioni”, “Kush nuk voton, nuk ka të drejtë të flaës”, “po nuk votove nuk ke të drejtë të kërkosh llogari”,   “le të marrin njerëzit thesin e miellit e mandej të bëjnë c’të duan”, “Unë dua Edi Ramën”, “unë do votoj Sali Berishën”, “hajde bëni politikë apo nuk ua mban e nuk jeni të zotët”, “nuk funksionon kjo tek ne”,  dhe me radhë. Edhe pse titujt, gradat shkencore dhe emri i atyre që flisnin ishin dhe janë me shumë peshë në Tiranë, argumente të tjera të këtij lloji e të këtij niveli, janë të përshtatshme për mësuesit e punës me dru e të letërsisë në zonat e thella. Aq e fortë ishte përpjekja kundër thirrjes për bojkot sa në kontekstin e politikës së Tiranës u duk dhe u paraqit se ishte krejtësisht e paarsyeshme, një marri politike, aventurë mediatike dhe nevojë e dikujt për tu dukur ndryshe apo që shfrynte mllefet e vjetra si ai që ka inate me vjehrrën e prandaj thyen pjatat e shtëpisë, cka i ndodh të paktën një herë në muaj njërit nga ata që e kundërshtuan thirrjen për bojkot.

Përtej aspektit të trajtimit naiv e thjesht utilitar të rezervuar nga paria e Tiranës, këtu shtrohen pesë pyetje që duan përgjigje. Së pari, kush ishin dhe nga vijnë njerëzit që bënë thirrje për bojkot? Së dyti, a ka një bazë teorike që e justifikon një qëndrim të tillë politik? Së treti, pse bojkoti ishte një problem kaq i madh për parinë e Tiranës? Së katërti, a ishte efektive kjo nismë qytetare? Së pesti, cka duhet bërë tani që mbaruan zgjedhjet? Në këtë shkrim do të mundohem që t’u jap përgjigje këtyre pyetjeve. Natyrsiht në këtë shkrim do të mundohem të flas kryesisht për vete dhe qëndrimin e kolegëve të mi të Blogut Rrethi i Ferrit. Mirëpo kjo temë ka një rëndësi të madhe për të ardhmen tonë dhe prandaj meriton vëmendje e një vazhdim të debatit edhe në të ardhmen.

Thirrja për Bojkot: Evoluimi I Një Nisme Qytetare

Në shtetin shqiptar ka paradokse politike dhe sjellje të shoqërisë civile që shpjegohen me manipulimin e kontrollin e individëve dhe të formacioneve të caktuara nga paria, nga segmente të interesuara të huaja, e nga struktura që kanë agjenda ideologjike e të tjera. Shembujt nuk mungonin edhe në këtë fushatë. Një ndër shembujt e spikatur ishte protesta e organizuar kundër Erdogan në Tiranë. Njerëz që nuk protestojnë se pijnë ujë të përzjerë me mbeturinat e gjirizeve, protestojnë pro e kundër kryeministrit të Turqisë.

Prandaj, Thirrja për Bojkot, kjo inisiativë qytetare që ishte krejtësisht e menduar, e filluar, e mbështetur dhe e organizuar nga shqiptarët në shtetin shqiptar e në mërgatën politike shqiptare në vende të ndryshme meriton vëmendje e rivlerësim të thelluar. Ia vlen të ndalem pak mbi bojkotin, dhe të flasi për individët e që e mbështetën si dhe për motivet e tyre e sistemet e bindjeve ideologjike.

Thirrja për bojkotim të zgjedhjeve është një nga format e protestës qytetare që mbështetet në refuzimin e shtetasit për të legjitimuar drejtuesit e shtetit duke i njohur si të tillë. Bojkoti përdoret më së shumti kur votuesit besojnë se sistemi zgjedhor nuk është demokratik dhe i drejtë, se votat nuk do të respektohen por do të vidhen, dhe se zgjedhjet janë farsa që organizohen dhe përdoren thjesht për të legjitimuar parinë sunduese. Atëherë votuesit e bojkotojnë sistemin dhe shprehin mospajtimin e tyre me gjendjen. Në shtetet ku votimi është i detyrueshëm, bojkotimi dënohet me gjobë e me burg.  Ka edhe një formë tjetër më të butë të thirrjes për bojkot që njihet si Vota e Bardhë. Njerëzit votojnë, por e bëjnë votën e tyre të pavlefshme sepse nuk gjejnë alternativa të pranueshme politike. Në rrugë e sipër ata shprehin edhe bindjet e tyre duke përdorur fletën e votimit si një letër në të cilën shkruajnë mendimet që kanë. Shpesh bëjnë edhe vizatime, karikatura, etj. Mesazhi është ai i mospajtimit me sistemin dhe me parinë sunduese.

Në parantezë, duhet thënë se gjatë periudhës së tranzicionit ka pasur bojkotim të ndjeshëm të zgjedhjeve. Mirëpo ky bojkotim ka ardhur si pasojë e sjelljes individuale. Në disa zgjedhje ka pasur bojkotim të organizuar të zgjedhjeve dhe rasti më i spikatur është tërheqja nga zgjedhjet e PS në vitin 1996. Mirëpo në nivelin e shoqërisë qytetare, bojkotimi i zgjedhjeve dhe kërkesa për mospranimin e sistemit apo të hedhjes poshtë të alternativave ka qënë më shumë një thirrje e hedhur në shkrime se sa një nismë që ka ngjitur në publikun e gjerë.

Mirëpo, në rastin e zgjedhjeve kuvendore të vitit 2013, gjendja ndryshoi cilësisht sepse pati disa inisiativa të tilla që erdhën në mënyrë të njëkohëshme dhe me prurje argumentative të dallueshme. Grupi i aktivistëve që fillimisht i mbështeti këto inisiativa ishte shumë heterogjen, jo i organizuar mirë, pa mbështetjen e duhur në organizatat e shoqërisë qytetare dhe me individë që kishin programe e bindje të ndryshme politike. Ajo që i bënte bashkë ishte kërkesa për t’u ndarë me sistemin politik ekzistues.

Ndër inisiatorët kryesorë të Thirrjes për bojkot e që kanë qënë tejet aktivë në blogun Rrethi i Ferrit, Grid Rroji e Valbona Karanxha janë respektivisht kryetar e nënkryetare të Forumit Shqiptaro-Amerikan për Demokraci, një organizatë që në këto vitet e fundit e ka lënë gjurmën e vet në jetën politike të bashkësisë shqiptaro-amerikane. Faqja e tyre është këtu: http://ëëë.fshad.com. Por, duhet thënë se të dy janë edhe doktorantë në politikë e në udhëheqësi. Ndër kontribuesit kryesorë e cilësorë në Rrethi i Ferrit, Ledjan Prifti ka mbaruar studimet në La Sapienza për shkenca politike dhe blogu i tij eshte ketu: http://hyllin.blogspot.com dhe Edlira Gushta, e cila është profesore e letërsisë dhe specialiste e medias shqiptare.

Në Tiranë inisiativa për Votën e Bardhë u hodh dhe u materializua nga një grup të rejash e të rinjsh të edukuar mirë, me interesa e me vetëdije qytetare. Ndër ta spikatën gazetari i njohur i fushës së ekonomisë i Shqip, Gjergj Erebara, Alida Karakushi, Alban Nelaj, Eljan Tanini, Armend Shanku, Adela Halo, Ervin Kaciu, e të tjerë që kërkoj ndjesë që nuk po ua përmend emrat. Por mjafton të shihen faqet e mëposhtme si http://bardhe.com apo http://albanianëorldcitizen.blogspot.com për të parë se këta aktivistë duken të bindur në qëndrimet e tyre.

Spikati këtu qëndrimi i vendosur i Sokol Shametit, gazetar dhe opinionist i njohur që megjithëse i informuar nga bindje marksiste, përmes blogut Demokracia Direkte dhe opinioneve në shtyp e ngriti fort kete ceshtje. Blogu dhe shkrimet gjenden ketu: http://ëëë.demokracidirekte.org.

Inisiativa mori shumë vëmendje në Tiranë kur asaj iu bashkëngjit edhe z. Fatos Lubonja. Lubonja është opinionist në një gazetë të përditshme si Panorama, komentator në emisionin më të neveritshëm politik, Opinion dhe botues i një reviste me pretenca intelektuale, Përpjekja. Blogu i Lubonjës është këtu:  http://perpjekja.blogspot.com. Duke qënë se Lubonja është aktiv në jetën politike dhe shoqërore në Tiranë, dhe gëzon një autoritet moral në rrethe të caktuara, vëmendja e parisë u përqëndrua tek shkrimi dhe tek argumenti i tij. Mirëpo, thirrja për bojkot u mbështet nga të rinj që deri vonë ishin aktivë edhe në radhët e partive politike. Ndër ta bëri shumë përshtypje shkrimi tejet professional i Arnold Grabockës tek Tirana Observer. Arnold Grabocka ka qënë në strukturat e FRESSH dhe ka dhënë dorëheqjen për bindjet e veta me 2 prill 2013.

Protesta që u organizua nga këta aktivistë me 21 Qershor 2013 në Parkun Rinia ishte simbolike por shumë domethënëse. NË një farë mënyre, ajo proteste tregoi se këta nuk pajtohen me sistemin, në mos që janë ndarë përfundimisht me parinë, por këtë do ta tregojë koha. Gjithsesi, të gjithë këta i ndajnë bindjet politike por i bashkon bindja se demokracia është forma e vetme që duhet të përdoret për të zgjidhur problemet që kemi. Semokracia ka rregulla, rregullat e ligji duhen respektuar, dhe po nuk pate alternative, njera nga alternativat është që të mos pajtohesh me sistemin dhe të mos ia japësh votën të keqes më të vogël. Mjafton te thuhet se faqja https://ëëë.facebook.com/votoaskend ka 27,294 pëlqime (like) dhe 967 kanë folur apo kanë diskutuar për këtë temë. Një faqe tjetër është https://ëëë.facebook.com/votobardhe. Një kërkim i shpejtë në Google me Vota e bardhë te nxjerr rreth 250,000 lidhje ne internet. Natyrisht që shumë prej tyre janë të lidhura me raste të tjera apo janë përsëritje, por nuk ka dyshim se tashmë kjo është një nismë e njohur dhe, më së pakti, edhe e diskutuar në rrethet e mirëinformuara dhe të interesuara shqiptare.

Këta janë të rinj me kurajë qytetare, dhe që e marrin seriozisht detyrën e qytetarit, si dhe të drejtat që kanë. Është e qartë se pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, rrugëve që kanë marrë në jetë, e të tjera, të gjithë kanë dëshirë që në shtetin shqiptar të funksionojë sistemi demokratik. Duke qënë fillimtarët e një nisme të tillë, rruga e tyre ishte shumë e vështirë.

Nga ana e vet, paria e Tiranës ua bëri edhe më të vështirë dhe synimi i të gjithë palëve ishte që të mos lejonte rritjen e kësaj kundërvënie. Natyrisht që paria ka arsye të forta pse sillet kështu. Argumentimi teorik për bojkotin dhe arsyet për kundërvënien e rreptë të parisë së Tiranës janë analizuar në pjesët e ardhshme. (Vijon)

GRID RROJI: BANDAT QË IKIN DHE BANDAT QË VIJNË

Tashmë është e qartë se këto zgjedhje, ashtu si edhe të gjitha zgjedhjet e tranzicionit nuk përballën ide të ndryshme në funksion të objektivave kombëtarë të shqiptarëve por qenë një ndeshje bandash rezultati i të cilës ishte në pjesën më të madhe i paravendosur me marrëveshjen e 1 Prillit. Kësisoj, fitorja e thellë e koalicionit Rama-Meta duhet analizuar në kontekstin e përplasjes kriminale të bandave që përbëjnë parinë e Tiranës.

Arsyet për “shpërbërjen” zgjedhore të Sali Berishës dhe bandave të tij janë disa, por më i dukshmi është bojëdalja e plotë e të gjitha mekanizmave klanorë dhe anti-kombëtarë që ka përdorur Sali Berisha me qëllimin e vetëm për të ndenjur në pushtet. Konceptimi i pushtetit si një mjet për të kontrolluar të gjitha hallkat e shoqërisë dhe krijimi i një sistemi zvetënues i cili i shfrytëzonte dobësitë e njerëzve, i poshtëronte ata dhe në fund u ofronte një kockë si shpëtim materialist është një nga karakteristikat më të errëta të figurës së tij në politikë.

Shumëkush nga “kozmopolitët” e ndriçuar të opozitës është përqëndruar tek atavizmi dhe përdorimi i një gjuhe të egër, por thelbi i veprimit politik të Berishës është përdorimi i llumit të shoqërisë, përzjerja e tij me pak elementë me legjitimitet në popull, thyerja e këtyre ose politicizimi i tyre ekstrem me anë të krijimit të ndasive dhe sundimi i të gjithëve me anë të konfliktit. Më tej, sidomos gjatë katërvjeçarit 2009-13, tallja e hapur me qytetarët shqiptarë, arroganca e pushtetit me anë të emërimeve qesharake, aleanca hajdutërore me Ilir Metën, degradimi i çdo vetëpërmbajtjeje për shkak të zullumeve të pambulueshme më të familjes së tij biologjike, sollën një urrejtje gjithëpopullore e cila e bëri këtë votim plebishitar kundër tij shumë më të thjeshtë.

Mirëpo, gogoli Berisha nuk mjafton për një analizë të kthjellët të zgjedhjeve, sidomos po të marrim parasysh se sipas të dhënave fitorja e thellë e Ramës i detyrohet trefishimit të votave dhe katërfishimit të mandateve të Ilir Metës. Nga pikëpamja etike, një votë plebishitare proteste kundër Sali Berishës duhet të kishte prodhuar një lumë votash për PS-në për arsyen e thjeshtë se ajo ishte e vetmja forcë realisht opozitare në këto zgjedhje. Por faktet dolën ndryshe. PS-ja është rritur jo më shumë se 0.5% dhe në rang vendi ka të njejtat mandate si në 2009ën. Pra, protesta morale kundër Sali Berishës nuk mundet t’a shpjegojë rezultatin.

Një tjetër shpjegim që jepet është se PS-ja ka udhëzuar votuesit e saj të votojnë LSI-në sepse kësisoj maksimizohej rezultati në sistemin zgjedhor aktual. Mirëpo, edhe pse ka gjasa të ketë një përqindje zhvendosje votash brenda koalicionit,  duket jo e besueshme që PS-ja të ketë zhvendosur aq vota sa të gati trefishojë rezultatin me vota të LSI-së dhe katërfishojë mandatet e saj.  Ndaj edhe ky faktor nuk duket të ketë qenë përcaktues.

Nga ana tjetër, ka një përputhje midis votave të humbura nga PD-ja dhe atyre që ka fituar LSI-ja e cila ka ndikuar edhe në mandatet. Nga burime të ndryshme informacioni ka të dhëna se ka patur një fushatë të madhe blerjeje votash nga elementë të LSI-së në gjithë vendin. Duke parë përqindjen e lartë të elementëve me precedentë penalë në të gjitha listat fituese të palëve, si dhe duke marrë parasysh të kaluarën e zgjedhjeve në Shqipëri, ky shpjegim merr besueshmëri më të madhe. Vrasja e një sekseri të LSI-së dhe plagosja e një kandidati për deputet të PD-së në Laç pikërisht për shkak të tentativës për blerje votash nga të dyja palët është një tjetër fakt që e përforcon këtë përfundim. Duhet theksuar se votëblerja me thes me para nuk është eksluzive dhe as u shpik nga LSI-ja. Të gjitha bandat e parisë së Tiranës nuk kanë kurrfarë respekti për votën e lirë dhe e praktikojnë pa teklif këtë mënyrë pune. Një shembull i bashkë punimit trepalë sh ishte komuna Dropull i Epërm në qarkun e Gjirokastrës ku jo vetëm që votuan 320 % të rezidentëve të evidentuar nga censusi i 2011ës, por edhe ndarja ishte sipas proporcionit “të duhur” PS-LSI-PD. Duket se marrëveshja e 1 Prillit si dhe përdorimi masiv i teknikës së blerjes së votës e bënë LSI-në fituese këtë herë.

Një tjetër shembull tipik ishte fitorja “historike” e koalicionit të majtë në qarkun e Shkodrës. Rezultati në favor të opozitës ishte një kombinim i qartë i faktorëve të sipërcituar. Nga njëra anë urrejtja e përftuar nga arroganca dhe mungesa e ndjeshmërisë së Jozefina Topallit e cila e trajtonte Shkodrën si çiflikun e vet personal. Nga ana tjetër ujdia midis grupeve kriminale të lidhura me opozitën si grupi Doshi në Nën Shkodër, grupi Sterkaj në Malësinë e Madhe dhe grupi Çela i LSI-së në qytet, e balancuan avantazhin kriminal që gëzonte PD-ja në qark. Rezultati reflekton pra edhe protestën ndaj Berishës dhe kanakrëve të  tij, por edhe ndryshimin e sinergjive kriminale brenda parisë lokale.

Nga kjo analizë e rezultatit dalin disa përfundime.

Së pari, zgjedhjet e 2013ës do të konsiderohen si më të mira se herën tjetër nga ndërkombëtarët të cilët duan pikësëpari stabilitet sepse nuk kanë besim se meritojmë më tepër. Mirëpo, këto zgjedhje nuk ishin më të mira për shqiptarët. Mungesa e përplasjeve të mëdha i dedikohet marrëveshjeve mes bandave e jo cilësisë së zgjedhjeve. Këto zgjedhje do të kujtohen si triumfi i parive lokale ashtu si e kishim parashikuar më herët tek Rrethi i Ferrit.

Së dyti, megjithë ikjen me gjasë të Berishës nga politika, berishizmi është instaluar edhe më thellë me këto zgjedhje. Pa dashur t’u prish festën socialistëve të ndershëm, sepse siç tha një nga analistët ruralë “nuk shahet dhëndrri në dasëm”, nuk mund të mohohet që qeverisja që po vjen do të ketë baza të forta kriminale si dhe do ketë opozitën më të kriminalizuar e më të pamoralshme të mundshme. Fitorja nuk do të sjellë përfitimet e pritura për popullin por do jetë hambar për ato që Shenasi Rama i quan “ortat e jeniçerëve dhe martallozëve” si dhe për oligarkët e mëdhenj të lidhur më PS-në.

Së treti, e ashtuquajtura Rilindje nuk sjell me vete një frymë ndryshe. Për të ndryshuar realisht Shqipërinë duhet reformuar sistemi politik. Mirëpo edhe në e pastë një vullnet të tillë z. Rama, gjë për të cilën unë dyshoj fort, kjo frymë nuk mund të ndodhë në pushtetin e ortave jeniçero-martalloze, të cilat kanë pritur tetë vjet në opozitë për të thither kockat që do lerë Saliu. Për sa i përket aleatit kryesor Ilir Metës, ai është “i ndershëm” me shqiptarët, ata që e votojnë marrin si shpërblim të mira materiale. Nga ana tjetër, me forcën e madhe që ka fituar nga këto zgjedhje nuk është e qartë se kush drejton brenda koalicionit.

Së katërti, interesat ekonomike të parisë janë të lidhura në atë lloj mënyre sa shumë shpejt një pjesë e mirë e biznesmenëve që ishin më pranë Berishës do të bëjnë kapërcimin tek pala tjetër. Këtë na meson e kaluara e afërt dhe na e konfirmon fjalimi i Ramës sot.  Në mos i afroftë Rama, Meta mirëpret bashkëpunim me gjithkënd “për hir të integrimit”. Paria si grup e ka të nevojshëm bashkëpunimin ekonomik sepse mbi sundimin e rrafshit ekonomik bazohet kontrolli mbi hapësirën politike.

Në një situatë të frikshme ekonomike ku arka e shtetit është bosh, borxhi është në nivele falimentimi, të ardhurat fiskale në rënie të lirë e shumë parametra të tjerë me projeksion shumë negativ do të duhej një reformë e thellë e sistemit ekonomik. Mirëpo e ashtuquajtura Rilindje jo vetëm që nuk e kishte në program një gjë të tillë por një reformim i tillë do t’u binte ndesh interesave të pothuaj të gjithë deputetëve të sapozgjedhur. Ndaj shanset që reforma e vërtetë të ngjasë janë afër zeros.

Së pesti, por më e rëndësishmja, shqiptarët nuk patën dot një alternativë të pastër në këto zgjedhje. Përzgjedhja ishte midis tre figurave me njolla të pashlyeshme në të kaluarën e tyre politike. Nga njëra anë kishim një kryeministër autokrat, tashmë tërësisht të diskredituar, i cili nuk u ndal as përpara tradhtisë kombëtare për hir të pushtetit të vet. Më anë tjetër, patëm një pretendent tashmë kryeministër në pritje,  ish kryebashkiak i Tiranës me lidhje me elementë kriminalë e oligarkë të fuqishëm, i cili nga eksperienca e vet politike “mësoi” se duhet të kopjojë rivalin.  Në fakt, fitorja erdhi pasi ai adoptoi pothuaj tërësisht metodat politike të Berishës. Por, brenda koalicionit opozitar kemi edhe një pretendent kryeminister, ish qeveritar me përqindje të përcaktuara hajdutërie, i cili luftën e ka më tepër brenda llojit për kontrollin e PS-së dhe të kryeministrisë në një të ardhme sa më të aftërt.

Po t’i shtojmë kësaj marrëveshjen e ngjalave të 1 prillit e cila nuk mund të ishte konsumuar pa bekimin e Berishës, del se trekëndëshi Berisha-Rama-Meta është i përbërë nga tre forma të ndryshme të të njëjtit brumë. Berisha u mundua deri në fund t’u dali kontureve të marrëveshjes  e të  ruajë  pushtetin- koncepti i nderit nuk ekziston mes hajnave- por në vija të përgjithshme ata kishin rënë dakord për parametrat e qeverisjes së ardhshme.

Për t’a përfunduar, populli shqiptar nuk pati zgjidhje të vërteta në këto zgjedhje. Ndonëse numrat përfundimtare të pjesëmarrjes në zgjedhje ende nuk janë deklaruar nga KQZ-ja (53%shi i deklaruar i referohet sipas sitit të KQZ-së 72% të të dhënave) duket se qytetarët zgjodhën të gjenin shpresë tek rrotacioni mes bandave. Mirëpo euforia e tanishme është e destinuar të jetë e shkurtër sepse bandat që po vijnë nuk do të mund të bëjnë ndryshimet rrënjësore për të cilat kemi nevojë. Ato do të kujdesen të ruajnë njëri tjetrin dhe të shtojnë pasurinë e tyre por jo të ndërtojnë shtetin komb dhe të bashkojnë shqiptarët. Shpresoj që pasojat e zhgënjimit të shqiptarëve me kastën që po vjen të mos jenë aq të dhimbshme sa ç’ është e parashikueshme.

MBRRITJE DHE DËSHTIME: PËRSIATJE MBI GJENDJEN DHE JUSTIFIKIMET E PARISË

(Botuar se pari ne Dhjetor 2011)

Në kapërcyell të viteve 1970-të, një nga konceptet më të kontestuara dhe të debatuara ka qenë koncepti i relative deprivation, d.m.th. përjetimi i ndjesisë se njeriu nuk ka atë që i duhet për të qenë i përmbushur në jetë. Shkaku i revolucioneve dhe lëvizjeve shoqërore, është pikërisht kjo ndjesi e mangësisë të të mirave materiale që shkërbehen në gjendje shoqërore. Në vitin 1990 shteti shqiptar ishte në krizë, mirëpo kishte shumë njerëz që kishin një jetë normale. Kur kontrastohej me pamjen e sheqerosur të jetës që ofronte televizioni italian, edhe jeta e njeriut në gjendjen më të mirë ekonomike në Tiranë, në vitin 1990 dukej e mjerë. Po ashtu, për një masë të konsiderueshme njerëzish, të zhgënjyer nga tranzicioni, ka filluar procesi i idealizimit të jetës së tyre nën sistemin e mëparshëm.

Çdo gjykim për gjendjen e tanishme në shtetin shqiptar është relativ dhe i kushtëzuar shumë nga përvojat, këndvështrimi dhe pritjet e njerëzve e të grupeve të cilave iu përkasin. Ka shumë njerëz në shtetin shqiptar, që janë krejt të bindur se jeta e tyre ka ndrruar për mirë. Këta persona, të cilët e masin çdo gjë me gjendjen ku kanë kenë në vitin 1990 ose në vitin 1997, shohin se në zona të caktuara, ku ata jetojnë si grup, është vendosur rregull e qetësi publike. Po ashtu, mjaft rrugë janë shtruar, ka një normalizim të dukshëm të jetës për një masë të ndjeshme të popullatës, si dhe drita e ujë me rregullsi. Mbi të gjitha, për një masë të konsiderueshme njerëzish, ka një pajtim të dukshëm me gjendjen aktuale që, në dukje, ua garanton ekzistencën dhe një jetë normale.

Kjo paraqitet si arritja e parisë dhe mbyllja e tranzicionit. Individët që janë pjesë e këtij grupi, pjestarët e parisë, rrethi i klientëve me influencë, të punësuarit në shtet, pronarët e bizneseve fitimprurëse, segmenti kompakt i të punësuarve në organizata e struktura të huaja, profesionistët, (mjekët, dentistët, inxhinjerët, profesorët, avokatët) të tregojnë me bindje të thellë sukseset e tyre në jetë. Shumë prej këtyre vijnë nga koha kur e kishin apo nuk e kishin një dhomë e kuzhinë, rrinin në radhë për qumësht, gëzoheshin kur merrnin një frigorifer apo lavatriçe dhe duhej të punonin për një rrogë thuajse sa të vartësve apo të punëtorëve të tyre dhe iu duhej të dëgjonin urdhëra, që vinin nga njerëz të përbuzur prej tyre, injorantë e të parespektuar por besnikë politikë, politrukë të sistemit. Shpesh ata komandoheshin nga njerëz që s’u peshonte fjala dhe me moral të dyshimtë. Por, sot, këta janë të shkëputur nga këto shtresa shoqërore. Ata kanë apartmente të një cilësie të lartë, makina të modelit të fundit, pajisje shtëpiake dhe elektronike të modelit të fundit, shërbyese, shtëpi në plazh, fëmijë në shkolla të huaja, qenër race, janë zhvilluar në shije dhe konsumojnë me cilësi, si dhe udhëtojnë shpesh jashtë shtetit. Oazet e tilla ku jetojnë shtresa e ngushtë e miliarderëve të mëdhenj të parisë, por edhe shtresa e pasanikëve të rinj, të barazvlershëm me shtresën e mesme të lartë në disa vende të tjera, janë të dallueshme, si në Tiranë ashtu edhe në rrethet e tjera. Këta janë paria me nënshtresat e saj. Katër përqind e shqiptarëve kanë gjysmën e pasurive të ruajtura në banka. Ky është vetëm një tregues, sepse pasuria e tyre e vërtetë duhet shumëfishuar. Këta janë edhe pronarët e bizneseve, të tokave, pjestarë në shumë veprimtari ekonomike e me radhë.

Për këta individë, që nuk janë të paktë si numër, ky ishte edhe qëllimi i tranzicionit. Sipas tyre, “dikush do të bëhej i pasur, dikush do të varfërohej”, por “do të triumfonte më i zoti”. Tashmë, shumë prej tyre nuk ngurrrojnë që të shprehen se tranzicioni është mbyllur, apo se nuk mund të ketë kthim e ndryshim të këtij sistemi. Argumentet, që paraqiten prej tyre për të justifikuar gjendjen, janë të shumta, por shumica janë të mbështetura në mite të pastra, të kultivuara me kujdes dhe objektivin e qartë, që të shtyjnë njerëzit të pajtohen me gjendjen dhe ta shohin atë si të pashmangshme.

Ana tjetër e tranzicionit

Mirëpo, përtej fasadës modernizuese të oazeve, si Priska, Petrela apo Golemi, ku jetojnë pasanikët, gjendja është kritike. Ekuilibri shoqëror i trumbetuar, është shumë i paqëndrueshëm, por edhe i padëshirueshëm për shumë njerëz. Këto shtresa të gjera, që nuk kanë më asnjë zgjidhje tjetër në jetën e tyre, përpos përballjes së përditshme me rrënimin ekonomik, varfërinë e me krizën morale, janë pa shpresë. Prej perspektivës së shumicës së qytetasve, ai vend të duket një vend i marrur peng prej djallëzisë e zvetënimit të parisë, injorancës së shtresave të vuajtura dhe prej krimit të organizuar.

Kur e sheh vendin me syrin e një njeriu që shpreson e lufton për një shtet demokratik të së drejtës e në shërbim të qytetarëve, një shoqëri me moral të shëndoshë e me vlera njerëzore e kombëtare, një ekonomi që krijon mirëqënie për të gjithë qytetarët, si dhe për konsolidimin e sistemeve të shërbimeve shoqërore, të gjitha të vëna në funksion të një të ardhmeje më të mirë, më të bukur, e më të sigurtë për të gjithë shqiptarët, sigurisht që nuk ndjehesh aspak mirë. Niveli i mjerimit shoqëror është i frikshëm. Me një papunësi që deklarohet nga opozita se i kalon 40%, me një ndër pesë fëmijë që jeton me ndihmë nga shteti, me 14% të popullsisë që jeton vetëm me ndihmat që merr nga jashtë, me 107,000 familje (një në gjashtë) që marrin ndihmë sociale, gjendja nuk mund të jetë e mirë.

Shkurt, me të gjithë të mirat që ka sjellë për pasanikët e e rinj, dhe me të këqiat që ka krijuar për shqiptarët e tjerë, tranzicioni është një dështim. Me të gjithë arritjet që ka pasur, sado të vogla të jenë ato e me mangësitë, sado të dallueshme që janë ato, shteti shqiptar në një gjendje kritike. Edhe pse në sipërfaqe duket sikur ka normalitet, siguri ekonomike dhe qetësi publike, si të gërmosh pak më thellë, e sheh se vendi është ende i ndalur në udhëkryq.

Problemi themelor është se nuk u bë ajo që duhej. Burimet e shumta e të jashtëzakonshme materiale e njerëzore janë shpërdoruar, shanset historike janë humbur, kriminalizimi i shoqërisë ka shkuar deri në palcë, sistemi politik ka përfunduar në oligarki të pastër, vlerat kombëtare e njerëzore ia kanë lënë vendin një materializmi tipik për fundërrinat e shoqërive, paria sunduese është e zvetënuar dhe tërësisht e korruptuar. Mbi të gjitha, nuk ka shpresë, as te udhëkryqi i përjetshëm i tranzicionit ku është ndalur vendi, por as te paria sunduese. Në nivelin ideologjik, nuk ka një vizion të ndryshëm e bindës për të ardhmen. Nuk ka asnjë plan për të dalë nga qorrsokaku i gangsterizmit ku jemi ngujuar, por mbizotëron një gjendje rezinjate e pajtimi me gjendjen. Kjo gjendje ushqehet me një numër mitesh që kultivohen pa ndërprerje. Më poshtë do të trajtoj disa mite të tilla, që janë në thelb të justifikimeve të parisë.

Si duhet të vlerësohen arritjet e prekshme në jetën e njerëzve?

Gjatë tranzicionit ka pasur edhe arritje. Aq më shumë që mbas vitit 1997, hynë shumë para nga mërgimtarët tashmë të fuqizuar, por edhe nga kontrabanda, nga trafiqet njerëzore, nga marrja e borxheve prej shtetit, e me radhë. Por kanë kaluar dy dekada dhe nuk kemi bazë ekonomike. Shtetet e tjera vepruan ndryshe. 20 vjet mbas shembjes së regjimit hitlerian, Gjermania përjetonte mrekullinë ekonomike dhe filloi një program masiv për të sjellë në Gjermani mërgimtarë që të punonin në industrinë gjermane. E njëjta gjë ndodhi me çekët apo polakët. Por, 20 më vonë, arritjet që tregohen në shtetin shqiptar janë vetëm ndërtime e luks. Banjot janë me mermer, rubinetat janë të lara me ar, njerëzit kanë celularët e modelit të fundit, kane Benz-Mercedesë, e shumë shqiptarë shkojnë me pushime, të paktën një herë në vit, në vende të shtrenjta si në Bali, Aruba, Sharm Al-Shaykh, apo në ishujt Mauritius. Vlera e pasurisë së patundshme është rritur shumëfish dhe, mesatarisht, pasuria familjare duket e shtuar po ashtu shumëfish. Ka mjaft njerëz që nuk kanë asnjë arsye të mendojnë se tranzicioni ka qenë një dështim. Pra, arritje ka në përmirësimin e jetesës për një masë të përfillshme dhe këto janë evidente. Por, arritjet janë thuajse tragjikomike dhe një shpërdorim i pafalshëm i mundësive të krijuara. Pa hapjen e vendeve të punës, pa industri e prodhim kombëtar, arritjet që tregohen janë më shumë se të dyshimta. Në terma të zhvillimit kombëtar, kjo është njëlloj sikur të ndërtosh një kala me rërë në mes të verës e të mos mendosh se do të bjerë shi një ditë, apo se do ta marrë batica natën.

Mirëpo, gjendja është edhe më keq se kaq. Në vend që të ishte ndërtuar një parajsë për mërgimtarët e për të huajt, ku, të paktën, njerëzit të mund të jetonin me shërbime, ndërtimet e objektet janë të ndërtuara pa kriter, pa sistem, pa një plan afatgjatë, pa infrastrukturë dhe pa vizionin e nevojshëm. Kështu, në Durrës, pallati grataçielë në bregdet, është ndërtuar në rërë, pa hipotekë, pa ujë të pijshëm, pa vend parkimi, e pa kanalizime. Më e keqja, është se kushton më shumë se sa një apartament në Miami, Tampa, apo në Boca Raton. Në Tiranë, pallati është ndërtuar në një vend ku uji i pijshëm i shkon me ujërat e zeza dhe në oborrin e një pallati të ndërtuar, me sistem modern në vitet 1960-të. Në hyrje të Shkodrës e sheh pallatin që është mënjanuar si Kulla e Pizës. Mungon industria e mirëfilltë. Njerëzit nuk e punojnë më tokën. Biznesi më i përhapur janë restorantet e motelet një orëshe. Shqiptarët punojnë pesë orë në ditë dhe fitimi del kryesisht nga shitblerja. E gjithë kjo ngrehinë allishverishesh e matrapazllëku, (sepse s’mund të quhet ekonomi prodhuese), është një strukturë marrëdhëniesh, që prodhon pak e aspak. Si shteti, edhe ekonomia mbahet me mërgimtarët, me paratë e krimit dhe me borxhet e palara.

Pyetja, atëherë, është se a janë shfrytëzuar si duhet mundësitë që janë krijuar, burimet materiale e njerëzore, që u vunë në dispozicion dhe kushtet specifike në të cilat e ka gjetur veten vendi? A është vepruar si duhet? Nuk duhet parë gjithçka zi. Por, duhet thënë se, figurativisht, në vend që të ndërtohej një pallat ku të jetonin mirë të gjithë, është ndërtuar vetëm një vilë ku rrin paria.

Për gjithkënd që don me e pa të vërtetën, ai vend është qartësisht fole e krimit të organizuar. Krimi i organizuar është i drejtuar prej parisë sunduese e në shërbim të saj. Sundimi i parisë mbahet në këmbë përmes një sistemi të konsoliduar oligarkik. Populli është i çoroditur dhe i cytur nga paria, hedh valle në buzë të greminës morale, duke pritur te hyjë në BE, me argumentin e vetëm se “nuk munden me na lënë jashtë.” Edhe në rastin më të mirë, ai shtet do të jetë plevica e BE-së, vendi ku rriten prostitutat, drogaxhinjtë, pushtat, mafiozët dhe hajnat, dmth, ose Haiti ose Napoli i Evropës.

Sa për ilustrim të kësaj gjendjeje kritike, them se ndër gjërat që bien më shumë në sy janë betonizimi i jashtëligjshëm dhe i pandalshëm i vendit. Vetëm në 10 vitet e fundit janë shtuar 300,000 objekte, edhe kur popullsia ka rënë formalisht, me 300,000 vetë. Në lidhje me administratën vihet re korrupsioni i papërshkrueshëm në të gjitha nivelet. Një studim i fundit tregoi se 498 firma, ndër 500 të intervistuara, janë të detyruara që të jenë të korruptuara. Bie në sy shtresëzimi i theksuar shoqëror, me një pakicë që kanë e jetojnë mirë, dhe me një shumicë që marrin bukën me lista. Sipas disa vëzhgimeve, numri i njerëzve që marrin bukën me lista është shtuar disafish. Të bie në sy, dështimi i ndërtimit të një ekonomie të institucionalizuar të tregut, materializmi i zhveshur dhe i paskrupullt që sundon mendësinë e të gjithë shtresave shoqërore, humbja e identitetit dhe mungesa e vlerave që e mbajnë një shoqëri bashkë. Por, ndër fenomenet më të frikshme janë piramidat e injorancës arsimore, mafiat me bluza të bardha, me diploma profesoriale apo me kallashnikovë. Qindra milionë euro kalojnë në arkat e 58 universiteteve private, që prodhojnë diploma e të shkolluar në profesione që janë të garantuar të jenë pa punë, gjithë jetën. Po ashtu, nuk mund të mos vihet re shkatërrimi i sistemeve të shërbimeve publike. Të vret sytë konsolidimi i sundimit të oligarkisë së Tiranës, i manifestuar në besnikërinë e zyrtarëve e nëpunësve ndaj klaneve e individëve me pushtet. Natyrisht, shkaku kryesor për këtë gjendje të frikshme e kritike është, papërgjegjësia politike e pakrahasueshme e parisë së Tiranës, që mendon veç për veten e vet.

Paradokset shqiptare janë tragjikomike dhe krejtësisht të dukshme, edhe në jetën e përditshme. Shqipëria është një vend ku as ato që e shfrytëzojnë nuk duan me jetue. Ata që kanë pronat, nuk duan me i investue paratë, që shpesh ia kanë shtrydhë me gjakun popullit, në shtetin shqiptar. Të gjithë pjestarët e parisë nuk duan t’i rrisin dhe edukojnë, t’i shkollojnë fëmijët e tyre në shtetin shqiptar. E vërteta është që ata që e sundojnë, nuk duan as të kalojnë pushimet në shtetin shqiptar. Tani që shkruaj, për Vitin e Ri 2011, thuhet se ka 7,500 mërgimtarë që janë kthyer nga Greqia në një ditë, por edhe 3,500 makina që kanë dalë jashtë vendit, afërmendësh, për pushime. Në shtetin shqiptar ka më shumë karrike në baret e klubet e panumërta se sa ka banorë i gjithë shteti. Profesioni ma i përhapur është ai i kamerierit dhe… studentit. Në Shqipëri ka më shumë studentë universitarë se sa është rritja vjetore e popullsisë. Sivjet janë regjistruar 52,000 në universitetet e ndryshme. Thuhet se 23,000 e ca studentë janë regjistruar në universitetet shtetërore, 28,000 e ca të tjerë në universitetet private, pa llogaritur këtu rreth 2,500 të tjerë që kanë shkuar në Itali. Por, rritja vjetore e popullsisë, sipas INSTAT, është vetëm 36,000 në vitin 2008.

Luksi është i paparë. Lypsat në Tiranë të kërkojnë para borxh me iPhone e me SMS, “Ma mbush kartën, të lutem”. Lajmi i ditës është se kryeministri theu rekordin personal të notit si Mao Ce Duni në lumin Jance, kur shteti nuk është i zoti të marrë para borxh. Flitet për legalizim të ndërtimeve pa leje. Në pesë vjet të qeverisjes janë ndërtuar me dhjetramijra ndërtime të tjera pa leje. Shteti ngjit shkallët e transparencës në një tabelë OJQ-je, por korrupsioni i administratës është në nivele të papara.

Por, edukimi privat e universitar është seria e ‘flluskave’ të biznesit, që inkurajohen qëllimisht nga qeveria dhe shteti. Më e keqja është se në shtetin shqiptar të plas krimi para syve, e të gjithë e qepin gojën. Këtu ndodhi 1996-1997-ta, u shkatërrua vendi, u vranë 2000 vetë dhe mbetën sakatë 10,000 të tjerë, e disa nga kriminelët përgjegjës për atë tragjedi kombëtare, ndër të tjerë, kryeministri Sali Berisha, zgjedhin të merren me masakrën e Tivarit. Këtu flitet për mbi 100,000 prostituta me origjinë nga shteti shqiptar dhe me 4,700 fëmijë në moshë të njomë të trafikuar në Greqi e Itali në vitin 2007-2008, ndërsa kryeministri i shtetit dhe e shoqja merren me jetimoren apo shoqatën e të paaftëve. Këtu deklarohet serbes se rritja e eksporteve në vitin 2011 është 70 përqind, kur vendi importon edhe sanë, barin e thatë, nga Maqedonia e nuk ke një impiant industrial si provë treguese se prej kah ka ardhur kjo rritje, përveç ujit të Drinit e mineraleve. Në shtetin shqiptar njerëzit nuk kanë punë e dasmat i bëjnë princërore me limuzina të marra me qera 400 euro ora. Të tërë banditët i sheh në klube, me çanta të vogla profesoriale, por që peshojnë se janë me Zastava brenda, gati me ia marrë jetën dikujt për një mijë euro. Këtu flitet për rritjen ekonomike më të lartë në Evropë, kur buxheti i shtetit pritet me 25 përqind. Vendi deklarohet se është më përpara vendeve të Europës në edukim, por studiues me master kërkojnë punë si pastrues hotelesh e nuk gjejnë. Paradokset shqiptare janë të pafundme.

Mërgimtarët, që e mbajnë atë vend me bukë, përbuzen e trajtohen si qënie ekzotike. Për shumë studjues, është e habitshme se pse ata mërgimtarë vazhdojnë që të çojnë para e të kthehen në atë vend, që i abuzon në atë mënyrë. Flitet për zhvillimin e turizmit, e në të gjitha plazhet e vendit notohet në shtupa, jashtëqitje, boçe misri, mbeturina gjirizesh e me rradhë. Të gjithë mërgimtarët kthehen në vend gjatë verës, por të gjithë qeveritarët, bile edhe pronarët e hoteleve, ia mbathin me pushime në Kroaci, Greqi, Turqi e në Mal të Zi. Në një plazh ku shkojnë 150 mijë vetë çdo dy javë, ku është ndërtuar një qytet i tërë me vila, rrugë e restaurante, vetëm një pallat me 28 hyrje është tërësisht i legalizuar, çdo ndërtim tjetër është veç me një leje përdorimi.

Ky është i vetmi vend në botë, ku paria sunduese vendos të ndalojë sherrin për dy muajt e pushimeve verore. Qeverisja e sherri në Tiranë mbaron në qershor e fillon në shtator. Mbi të gjitha, simptomë e paradoksit shqiptar, është media dhe propaganda e saj çoroditëse. Media, që jep filma me tema ekstreme ditë e natë, merret me gjokse silikoni, me dietën e këngëtareve që reklamojnë birrë, me ura e me rrugë që nuk janë ndërtuar, me ujësjellësa që nuk funksionojnë, sepse edhe në Tiranë, të vjen uji i pijshëm me ujërat e zeza, me vende që përmbyten e të shiten si objekte turizmi. Ky është vendi ku njerëzit vdesin përditë nga lëndët kimike prej banesave të ndërtuara në zonat industriale e mbi trojet e fabrikave kimike, por darkën e kalojnë në cocobongo me DJ të importuar e me tallava politike. Paria nuk merret me këto fenomene. Tranzicioni, për parinë, ka përfunduar. Humbja e miliona jetëve është çmimi që paria thotë se duhej paguar prej shqiptarëve. Shkurt, për dikënd, që nuk bie pre e lustrës dhe e propagandës mediatike, por sheh me vëmendje problemet e rënduara, kjo është një gjendje marrëzie kolektive. Si thotë edhe Macchiavelli, “perché un principe che può fare quello che vuole è un pazzo; un popolo che può fare ciò che vuole non è savio.”

Ky është një delusion kolektiv, sepse mendohet që në një shoqëri normale mund të jetohet pa prodhuar, pa përpunuar, pa krijuar, përditë e pa ndërprerje të mira materiale. Edhe pse e veshur me luks, kjo që po përjetohet, është në koncept, njëlloj si jeta e të burgosurve, për të cilët realiteti fillon e mbaron tek kampi e tek jeta e burgut. Shumë prej tyre, mbasi kanë ndenjur për shumë kohë në burg, nuk duan të ikin më prej andej. Ata i heq nga burgu, por nuk e heq dot burgun prej tyre. Shoqëria shqiptare është mësuar keq me jetën e lehtë, me paranë e lehtë e pa punë dhe është e vështirë të ndërrojë. Shansi historik me ndërtuar një shoqëri normale, që na u dha në vitin 1990, është humbur. Problemet nuk janë zgjidhur, tranzicioni i menduar dhe i drejtuar nga paria na çoi në një qorrsokak moral, humbje të dy brezave e shkatërrim ekonomik dhe shteti mbijeton duke shitur veprat e ndërtuara në kohën e Enver Hoxhës. Prandaj duhen krijuar kushtet për një shans tjetër historik. Duhet që të ndryshojnë strukturat politike e marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të përfitojnë dhe kjo duhet bërë duke përdorur me mend shtetin dhe burimet materiale e njerëzore.

Kështu si janë ndërtuar sistemet ekonomike dhe politike, është e qartë se fiton vetëm paria e Tiranës. Vendin e kanë nxjerrë në shitje. Ekonomia është një piramidë, flluskë e gjallë sapuni. Por, vetë paria ka shumë burime. Nuk ka rëndësi se si hyn paraja në shtetin shqiptar, rëndësi ka që kushdo që sjell para, ia sjell parisë dhe gjithçka kalon në mullirin e saj. Për më tepër, droga, kontrabanda, trafiku e krimi janë burime të ardhurash, që nuk e lënë shtetin shqiptar me ra në krizë të thellë. Megjithatë, BE e ka shumë të lehtë të mbyllë edhe rubinetin e parave të pista, por sot për sot, nuk e ka bërë atë gjë.

Por, më e keqja është duke u verifikuar në gjendjen kritike të mungesës së shpresës dhe të besimit në të ardhmen. Niveli i moralit është në nivele shumë negative. Në shtetin shqiptar, paria nuk ka pikë ndjenje atdhedashurie e shërbimi publik. Kjo shihet nga indiferenca e saj e plotë për jetën njerëzore, sepse, në shtetin shqiptar, nuk ka mbrojtje për të varfërin, të pazotin e të vuajturin. Shteti është një instrument në duart e parisë, zyrtarët janë të korruptuar deri në palcë dhe njerëzit janë pajtuar me këtë gjendje. Kjo është gjendja tipike për një republikë bananesh, ku fatet e vendit i mbajnë në duart e tyre një grup i vogël familjesh, oligarkia e konsoliduar e parisë sunduese.

Pasurimi përmes politikës

Ashtu si në të gjitha republikat e bananeve, politika aktuale e shtyn shoqërinë që të bindet se, kush merret me politikë, do të bëhet i pasur. Të rinjtë po mësojnë mbrapshtinë e të vjetërve dhe e gjithë shoqëria po hyn në një rreth vicioz. Ky është një problem shumë i mprehtë e qëndror në lejimin dhe në kultivimin e vazhdimësisë së sjelljes kriminale. Ky problem është i lidhur më shumë probleme të tjera që i përmenda më lart, por që do të ketë efekte të jashtëzakonshme në moralin, por edhe në vlerat e shoqërisë në të ardhmen. Problemi është se në një shtet ku nuk ka ekonomi, politika bëhet ekonomi. Në një shtet normal, njerëzit merren me politikë, jo që të bëhen të pasur, por të fitojnë nder e respekt në shoqëri. Paratë dhe pasuria e vërtetë fitohen me punë, me profesionalizëm e me tregëti. Askush nuk e respekton më shumë ligjin, se sa ai që ka pasuri të vënë me nder. Prandaj, një shtet i fortë është mbrojtja më e mirë e të gjithëve, e të varfërit nga shtypja e shfrytëzimi, e të pasurit nga lakmia e vet, por edhe nga krimi ku të çon paraja.

Duke mos patur ekonomi të mirëfilltë prodhuese, si dhe duke pasur përballë një sistem politik oligarkik e klanor, në të cilin strukturat shtetërore janë të pafuqishme para parisë, atëherë vjedhja e thesarit të shtetit, shpërdorimi i pozitës apo i burimeve shtetërore, bëhen mjete e mënyra kryesore pasurimi. Në shtetin shqiptar, këto janë mënyra më e sigurtë dhe më e shpejtë e pasurimit. Kështu që, paria e Tiranës, si për të fituar pasurinë, por edhe për të ruajtur pasurinë e vet, kërkon që të mbajë, me çdo kusht, edhe kontrollin mbi sistemin politik. Prandaj, politika është gjithnjë në plan të parë.

Kështu, për shembull, Andis Harasani nuk hyn në politikë si njeri i pasur. Por, ai bëhet deputet i PS-së dhe Drejtor i Korporatës Energjitike Shqiptare dhe del nga politika me 28 milionë Euro pasuri, që më vonë thotë se i ka fituar në bursë. Po të ishte kaq i zoti, sa që me një grusht para, e me rrogën e deputetit e të drejtorit, ka bërë 28 milionë euro në katër vjet në bursë, të gjithë hedge funds në botë do t’i jepnin të paktën 500 milionë dollarë rrogë në vit që t’i mësonte se ku duhej të investonin paratë e tyre, që po i humbin duke i investuar me profesionistët e rrahur me vaj dhe me uthull. Po ashtu, Edi Rama ka vetëm 3,000 euro pasuri tash 10 vjet dhe nuk ka arritur të kursejë më shumë. Sali Berisha jeton në apartamentin, që ia ka blerë e bija me kursimet e punës me dieta që ka bërë jashtë vendit. Edhe akuzuesi i Ilir Metës, Dritan Prifti deklaroi dy milionë euro si pasuri të gruas, vetëm pas dy vjetëve punë si Ministër i Ekonomisë. Shteti shqiptar është i vetmi vend në botë ku deputeti deklaron si pronësi një çerek apartamenti, një gjysëm makine, një gjysëm dynymi tokë në majë të malit të humbur, që nuk gjendet në hartë, por që ia ka lënë gjyshi, si dhe pronë në një vend ku është tërhequr deti nga mbushjet e lumit. Në të njëjtën kohë, çdo drekë e darkë pi verë të shtrenjtë, drekon në restaurante luksoze, blen diamante të shtrenjta dhe bredh gjithë botën. Më e pakta që mund të thuhet është se këtu ka diçka që nuk shkon. Megjithatë, është e dukshme që shumë nga këto para vijnë në rrugë që janë jo të ndershme e jo të pastra.

Por, pjestarët e parisë nuk kanë rrugë tjetër. Ata do të vazhdojnë në rrugën e zvetënimit e të mashtrimit. Edhe më keq se aq. Natyra e sundimit oligarkik dikton që, duke vazhduar që të ecin në këtë rrugë, ata do të përfundojnë duke i zvetënuar edhe fëmijet e tyre. Çka është edhe më e keqja, ata po e bëjnë këtë me shumë dëshirë. Me folë me gjuhën figurative popullore, gjarpëri nuk ka pse shqetësohet që pjella e tij ka me helmatisë të tjerët. Mandej, çka lind nga gjarpëri, din vetëm me kafshue. Marrja me politikë e pinjollëve të parisë është e domodoshme, që të ruajnë fuqinë e klanit, të vjedhin nga thesari i shtetit, dhe të përjetësojnë këtë gjendje krimi, që iu shërben interesave të parisë. Dhe, me sa duket, paria është e vendosur që me ecë në këtë rrugë.

Problemet me mendimin se “kështu si ne, e kanë filluar që të gjithë.”

Një problem themelor me gjendjen është justifikimi i përdorur nga paria se kjo është rruga ku kanë kaluar edhe të tjerët. Ky është një argument që përdoret rëndom në biseda, në shtyp, në media dhe tashmë konsiderohet si e vërtetë e pakontestueshme. Nuk ka dyshim se ky argument, “kështu si ne kanë filluar të gjithë,” është pjesë e arsenalit ideologjik të parisë. Ata janë të gatshëm të përmendin menjëherë familjen Kennedy, Rockefellers e me rradhë. Sipas tyre, në fillimet e çdo cikli pasurimi, ka një krim. Ky krim, simbas parisë, është i domosdoshëm dhe i paevitueshëm. Prandaj, duhet t’i kuptojmë e t’i falim, që ata po e bëjnë këtë krim, se në fund të fundit, “kështu është jeta,” dhe se kështu është në të mirën e të gjithëve. Mirëpo, ky argument është tejet i gabuar dhe paraqitet si i vërtetë, vetëm sepse kështu i intereson parisë. Këtu ka shumë për të thënë, por gjithsesi, duhen theksuar të paktën tre gjëra.

E para, shtetet perendimore kanë patur e kanë struktura të fuqishme shoqërore e sisteme vlerash, që e kufizojnë shumë aftësinë e çdo parie ekonomike apo politike, por edhe të çdo individi, nuk ka rëndësi se sa i pasur është, për të luajtur me shtetin, sipas interesit të tij të ngushtë. Është e vërtetë që ka familje politike. Po ashtu, është e vërtetë edhe që shumë familje që kanë pasur sukses në biznes dhe e kanë të shkuarën familjare të dyshimtë. Mirëpo, me kohë, në sisteme të qëndrueshme, ideologjia del parësore dhe është, ose bëhet, kriteri në bazë të të cilit përzgjidhen e zgjidhen edhe politikanët.

E dyta, natyra e politikës është e tillë që, interesat e shtetit nuk janë gjithnjë të pajtueshme me interesat e klasës, apo të grupit që përfaqësohet në politikë. Edhe kur ka tejkalime apo shtrembërime, sistemi demokratik funksionon në një mënyrë të tillë që ose politikanët dalin jashtë loje, ose bëhen korrigjimet e nevojshme në legjislacion dhe në mënyra të tjera. Politikanët e vërtetë shtetarë, Ted Kennedy, me gjithë mangësitë e tyre, shpesh iu kanë rënë dhe iu bijnë ndesh interesave të veta të ngushta ekonomike, por edhe shtresës së tyre, për të mirën e shtetit.

Së treti, nuk ka fillim të mirëfilltë në politikë ndër ne. Problemi ynë është se nuk ka pasur asnjëherë ndërprerje drastike me të shkuarën. Politikanët tanë, më tepër ndrrojnë e më pas janë më tepër besnikë të vetvetes. Vetvetja e tyre e vërtetë janë ata, konviktorët e katundarët me valixhe druri, që nuk e ngopnin barkun me një rriskë buke, me shtatë lekë marmalatë molle ose fiku, dhe me çaj pa sheqer. Këta ishin ose u bënë që të gjithë anëtarë partie. Kur nuk ishin “të aktivizuar,” këta ishin të lidhur me një mijë fije me sistemin e me strukturat që e kthyen Tiranën nga një fshat otoman në një metropol krimi. Politika e sotme, dhe njerëzit që janë në lojën politike, vijnë nga kjo kategori. Të gjithë i kanë rrënjët në sistemin e mëparshëm. Të gjithë kanë të shkuar politike në shërbim të sistemit e të parisë sunduese. Këtu ke në politikë aktive ish-ministra si Gramoz Ruçi apo Skënder Gjinushi. Këtu ke në politikë kandidatë për kandidatë të Komitetit Qëndror të PPSH si Sali Berisha apo anëtarë të Komitetit Qëndror si Mehmet Elezi, për të mos folur për të tjerët të rangjeve më të ulta.

E keqja nuk janë njerëzit e thjeshtë apo edhe kategoria e këtyre drejtuesve dhe ish-shërbëtorëve të ndërgjegjshëm e të spikatur të sistemit të mëparshëm apo e pjestarëve të parisë. E keqja është se fillimi i vërtetë duhej të ishte një sistem i ri i cili t’i detyronte këto individë, por edhe të tjerët që iu shkojnë mbrapa, që të silleshin si duhet. Mënyra e re duhej të ishte një mënyrë të ndryshme prej asaj me të cilën këta ishin edukuar e formësuar. Ai sistem që duhej vendosur, nuk u vendos sepse nuk iu interesonte palëve të parisë dhe nuk ishte i imagjinueshëm prej këtyre individëve që dolën në krye të formacioneve politike të parisë gjatë tranzicionit. Prandaj, tashti, në vend të nji totalitarizmi kaotik kemi një kaos totalitar.

Mungesa e pranisë së shtetit funksional e të fuqishëm është një problem themelor i tranzicionit. Në çdo shtet tjetër, struktura shtetërore është aq e fuqishme sa që iu vë kufinjtë pasioneve njerëzore. Edhe në Tiranë, u shemb shteti dhe u vendos një strukturë e rindërtuar shtetërore. Por, tashmë, kjo ngrehinë institucionale ka vetëm emrin e shtetit. Struktura institucionale është e mangët, dhe e paaftë për të funksionuar si duhet. Ngrehina shtetërore i shërben vetëm parisë dhe paria sillet ashtu si din e si i intereson asaj me strukturën.

Ndër justifikimet e tjera, duhen përmendur edhe dy. Njëri është mendimi se “kemi nevoje për dinasti politike.” Tjetri është mendimi se “jo çdokush mund të bëhet politikan.” Këto janë, po ashtu, monedha propagandistike të hedhura në qarkullim nga paria. Së pari, të gjithë jemi katundarë. Çdo shqiptar, edhe këta që kemi mbi kokë, janë të gjithë katundarë e bir katundarësh, malokë të Jugut, të Veriut, të Lindjes (se në Perëndim kemi detin). Së dyti, të gjithë shqiptarët vijnë nga familje të mëdha e me emër. Gjithsecili shqiptar mundet të jetë dikushi dhe, kur vjen puna tek ruajtja e dinjitetit, sillet si mbret. Shqiptarët janë popull i vështirë të sundohen. Prandaj edhe ata që i sundojnë shqiptarët nuk munden të jenë mbretër. Por, në rastin më të mirë, mund të jenë vetëm bajraktarë, d.m.th., katundarë, thuajse të barabartë me katundarët e tjerë.

Për më tepër, në një vend të vogël e me një popull të vogël, politika që nuk mban parasysh interesat e të gjithëve, është e përcaktuar të shfrytëzojë dhe thellojë përçarjet në shoqëri. Kur politika synon të ruajë interesat e familjes, e të “dinastive” tona katundare e konviktore, ajo është e bazuar qartësisht në kundërvënien e një familjeje kundër shtetit. Politika e shqiptarëve, një popull i vogël, duhej të ishte e bazuar në interesin e shtetit kombëtar e jo të dinastive konviktore e jeniçere. Kriteri i përzgjedhjes duhej të ishte: “kush i shërben më mirë shtet-kombit e popullit të vet?”

Por, më e rëndësishmja, popujt kanë nevojë për bijtë e tyre më të mirë. Çdo dinasti përfundon me një humbës. Popujt duhet të kenë aftësinë dhe mekanizmin të përzgjedhin më të mirët e më të aftët, brez mbas brezi. Ata individë që mund t’i shërbenin më mirë popullit, ata duhej të ishin në krye të shtetit. Prandaj edhe demokracia, me të gjithë të metat e saj, si sistem politik, është një sistem i dëshërueshëm, sepse lejon këto prurje që politika aristokratike i përjashton që në parim.

Politika e familjeve “të mëdha” është një politikë ku vota shitet për një thes mielli dhe, me shitjen, humb të drejtën e vendimmarrjes, por edhe dinjitetin. Politika e vlerave dhe ajo shtetformuese, është një politikë ku një familje si Kennedy humb shumë nga ana financiare, por lufton të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes të të gjithë popullit të vet. Politika e vërtetë është mbrojtja e interesave të shtetit-komb. Kombi, prej natyrës së vet, është një strukturë shumë egalitare. Ai që iu shërben të gjithëve, duhet të dalë në krye të shtetit dhe atëherë ecet në rrugën e mbarë. Ai që i shërben më parë vetes e familjes së vet, e përdor shoqërinë edhe shtetin për vete e për familjen e vet.

Mungesa e ideologjive

Një nga problemet kyçe që krijon një ç’orientim të paparë, është mungesa e debatit të mirëfilltë ideologjik. Paria është shumë pragmatike. Paria nuk ka kurrfarë boshti ideologjik, vlerash apo botëkuptimi të qartë e koherent, të cilit mund të thuhet se i rrin besnike në vendimet që merr. Ky është një problem formimi, sepse në të shkuarën jo të largët, të gjithë këta duhej që të bënin çka thuhej. Si komunistë të vërtetë që ishin, për ta nuk kishte rëndësi çka thuhej, sa racionale ishte ajo që thuhej, apo sa e dëmshme ishte për popullin. Ajo që kishte rëndësi ishte kush e thoshte atë gjë dhe çfarë dënimi kishte nëse nuk zbatohej ai vendim. Prandaj, si me tufëzimin, ashtu edhe me qethjen e studentëve, me librat e ndaluar, me tallonat, me dënimin e njerëzve e me rradhë, këta individë bënin çfarë thoshte Partia. Sot, paria lufton që veprimet e saj të mos gjykohen nga shteti i së drejtës, që nuk e lënë të ndërtohet. Mbi të gjitha, ajo lufton që njerëzit të mos e gjykojnë sjelljen e saj, duke përdorur standarde të caktuara ideologjike.

Por edhe më shumë se kaq, kjo shmangie e debatit ideologjik nga ana e parisë është problem interesash dhe morali dhe bëhet me ndërgjegje. Parisë i interesonte një gjendje amullie politike e spekulative në sistemin ekonomik. Në këtë periudhë të turbullt spekulative ata synonin që të pasuroheshin e të ndërtonin një sistem kapitalist oligarkik. Në krye të sistemit e më të pasurit, do të ishin ata vetë. Mandej, do të vinin pasuesit e tyre, sipas shkallës e rendit në hierarkinë përkatëse. Kapitalizmi ekstremist ishte sistemi që iu shërbente më së miri. Kështu që, që të gjithë, deri edhe Servet Pëllumbi, ish-pedagogu i Marksizmit në Shkollën e Partisë, filozofi mendimtar i PS-së, u deklaruan për tregun e lirë, për globalizmin, për liberalizmin e kapitalizmin. Mirëpo, kjo ideologji ekstremiste, e mbështetur në parimin “njeriu për njeriun është ujk”, nuk aplikohet askund në botë. Gjithkund ka një ndërhyrje vendimtare të shtetit në ekonomi. Por, kjo mendësi iu shërbente atyre, dhe, pikërisht për këtë gjë, kjo mendësi u promovua prej tyre, edhe pse të gjithë ishin të vetëdijshëm për të kundërtën.

Kështu, nën mbulesën ideologjike të vendosjes së kapitalizmit ekstrem, ata lejuan ngritjen e pasurimin e përkohshem të hajnave e të gangsterëve, iu hodhën një krodhe pasurimi edhe zanatçinjve e tregtarëve të ndershëm, ndërsa vetë morën pjesën e luanit, monopolet kyçe. Tash, që është shterrë mundësia e pasurimit, ata do t’iu kthehen kundër mafias e hajnave që nuk punojnë për ta. Barrën fiskale të mbështetjes së buxhetit të shtetit, ata do t’ua hedhin zanatçinjve e tregtarëve të vegjël. Shteti punon e duhet të punojë për ta. Kjo është filozofia e tyre. Tash, që e ndjejnë se do të ketë krizë dhe probleme sociale, prijatarët e parisë vendosën që të rrisin policinë e shtetit edhe me 1,000 vetë të tjerë. Paria dhe prijatarët duan të ruajnë sistemin e tyre me çdo kusht.

Kjo më sjell tek pika e dytë, ajo e nevojës së ideologjisë. Shqiptarët, si të gjithë popujt e vegjël, kanë nevojë më shumë se kurrë që debatin për fatet e tyre ta shohin në terma ideologjike. Nuk mund të ketë politikë serioze pa një debat ideologjik e pa parti të mbështetura fort në një ideologji të caktuar e në mbrojtje të interesave të caktuara. Pavarësisht se gjithkush don me i veshë e me i mbrojtë interesat e veta me justifikime ideologjike, realiteti është se nuk punohet pa një ide të qartë të interesit kombëtar e shtetëror. Nuk mund të punohet pa një vizion të qartë se ku mund të shkohet. Vetëm një kuptim i qartë i ideologjisë, dhe i efekteve të vendimeve që merren, mund të ta bëjë të dukshme se në çfarë rruge po ecet e se çfarë mund të pritet po u ec në një rrugë të caktuar. Nevoja e ideologjisë është iminente dhe e pashmangshme. Ndryshe politika është thjesht ngatërresë midis personave e klaneve që i mbështesin.

Prandaj, kur vjen puna tek qeverisja, me e thënë përmbledhtas, vendi është i kapur nga një sistem oligarkik, tërësisht i kontrolluar nga paria, por edhe i vënë pa kushte në shërbim të parisë. Shteti funksionon si një strukture neopatrimoniale e bazuar në marrëdhënie klienteliste ku një grusht klanesh mafioze politike kontrollojnë politikën, median, ekonominë e vlerat thelbësore të shoqërisë. Qeverisja është e personalizuar nga Sali Berisha. Aktualisht, qeverisja bëhet me SMS, e me intervista të Blendi Fevziut, e të ndonjë tjetri. Partitë, dhe administrata shtetërore, janë vegla të verbëra të interesave të klaneve sunduese që i kanë ç’njerëzuar shërbyesit e tyre deri në palcë. Paria ia ka dalë të vendosë aq rregull sa iu duhet klaneve të saj për të vazhduar shfrytëzimin e vendit e skllavërimin e shqiptarëve. Shpërdorimi i burimeve njerëzore e materiale është një fenomen i gjithkundgjindshëm. Kundërshtarët e parisë eleminohen me njëmijë mënyra: ata ose margjinalizohen, ose blehen, ose ikin jashtë, ose shuhen. Lufta që zhvillohet është me krijue një njeri të zhveshur nga mendësia ideologjike. Padija është instrument sundimi i preferuar i parisë. Padija po shtohet nga ditë më ditë. Edhe më keq, shteti është në krizë të gjithanshme, por askush nuk do me e pranuar thellësinë e padijes rreth asaj që po ndodh në shtetin shqiptar.

Po ashtu, mungesa e kundërshtisë së hapur ndaj sistemit, ka krijuar përshtypjen e gabuar të legjitimitetit ideologjik dhe të hegjemonisë së parisë në atë nivel. Por, paria politike është pjesë e botës kriminale e mafioze dhe e siguron heshtjen e njerëzve, duke përdorur këto mjete. Vendi jeton në një terror psikologjik dhe mediatik. Kur shihet me qetësi, e përmes lenteve ideologjike, kjo është qeverisja që kanë shqiptarët.

Shqiptarët kanë një qeveri që nuk e meritojnë

Një argument tjetër i rëndësishëm në arsenalin argumentativ të parisë është argumenti se “çdo popull ka qeverinë që meriton.” Prandaj, edhe shqiptarët duhet të qepin gojën e t’i durojnë edhe këta, se pse “nuk gjejmë më të mirë.” Por, asnjë popull nuk e meriton qeverisjen e keqe. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë lloj qeverisje. Kjo thënie është një mënyrë për të justifikuar sundimin e parisë. Prandaj edhe përhapet me kaq zell nga instrumentet e saj mediatikë. Edhe më i humburi i shqiptarëve ka më shumë dinjitet se sa paria që e sundon vendin. Shqiptarët nuk e kanë qeverinë që meritojnë.

Problemi është diku tjetër. Problemi është se shqiptarët nuk e kanë vetëdijen se cila është rruga që duhet ndjekur. Prandaj, edhe duken sikur janë të dorëzuar para parisë. Por, mjafton të shihet se si sillen shqiptarët kur janë jashtë shtetit. Nuk ka qytetarë më shembullorë, punëtorë, e më të zotë se sa janë shqiptarët. Edhe në kushtet, kur sistemi në shtetin ku janë gjendur i ka diskriminuar, shqiptarët kanë qenë aq të zotë, sa që në dhjetë vjet, të mund ndërtojnë disa dhjetramijëra biznese të suksesshme. Nëse shteti shqiptar ia mbrrin të mbijetojë, arsyeja është pikërisht tek kontributi i këtyre miliona mërgimtarëve, që jetojnë si qytetarë të ndershëm në botë, por edhe i shqiptarëve që punojnë me nder në Shqipëri. Problemi është se ka dalë kashta mbi ujë, dhe se njerëzit janë të paqartë e të ç’orientuar ideologjikisht.

Nga ana e vet, paria kërkon që të gjithë të duken si ata vetë, të bëhen e të jenë pjesë e krimit të saj, dhe, mandej, fajin për dështimin e tyre t’ua lënë shqiptarëve. Por, duhet thënë se ka shumë shqiptarë që i mbështesin pa kushte dhe me vetëdije të plotë. Shumë nga këta nuk janë pjesë e asaj shtrese, të pasur e në gjendje, që u përmend në fillim të shkrimit. Shumë prej tyre janë nga shtresat e proletarizuara qytetase dhe katundare. Pyetja shtrohet, pse këta e mbështesin parinë? Përgjigja është pak e ndërlikuar. Por ia vlen që të ndalemi e ta shtjellojmë pak. Ajo lidhet me një sërë faktorësh kulturorë, psikologjikë dhe interesash.

Nga një anë, njerëzit që kanë kenë të dëshëruar për një copë bukë, e për një pronë, janë të lumtur. Ata që e kanë marrë pronën me forcë prej pronarit të ligjshëm e ndjejnë veten mirë në sistemin e parisë, sepse “kështu bëjnë të gjithë”. Ata që jetojnë në Tiranë ndjehen më mirë se në vendet e tyre. Ata që hanë bukë të bardhë gruri, nuk ka rëndësi se sa i modifikuar apo me radioaktivitet është gruri, ndjehen rehat dhe mirë. Ata që flenë në dyshekët e importuar, të mbushur jo më me kashtë e pleshta, por me para, ndjehen po ashtu relativisht mirë. Këtyre s’do t’u shihet kurrë untia. Këta e krahasojnë gjithçka me atë jetë që kanë pasur para vitit 1990. Prandaj këta do të jenë militantët e përjetshëm të partive respektive.

Nga ana tjetër, ata që kanë vrarë, vjedhur, trafikuar e grabitur, po ashtu e ndjejnë veten mirë. Shteti shqiptar është kthyer në parajsën e hajnave, të cubave, të trafikantëve dhe të gangsterëve të të gjithë partive. Ata që kanë qenë të dëshëruar për pushtet, sot janë në krye të shtetit, ku mbahen me të gjitha mjetet e mundshme, po ashtu ndjehen shumë mirë. Për këta njerëz ky vend është parajsa, jeta që ata kanë ëndërruar për vete. Këta e japin votën me sinqeritet të madh për partinë dhe udhëheqësin e tyre.

Mirëpo, një pjesë e mirë e shqiptarëve e japin votën duke zgjedhur të keqen më të vogël. Ata bëjnë kështu duke parë interesin e tyre të ngushtë, por jo duke e parë të keqen nga këndvështrimi i interesit kombëtar. Ata e shohin nga interesi i tyre i ngushtë e tejet personal, d.m.th, ata nuk shohin më larg se hunda e vet. Kush ma fut djalin në punë? Kush ma legalizon pallatin, garazhin, tokën që ia kam vjedhur, zaptuar komshisë? Kush nuk i mbledh taksat? Kështu dikush jep 20 për qind të vlerës së pallatit rushfet, kur mund të paguante 15 për qind në taksa. Dikush tjetër i jep 70 për qind të vlerës së taksës vjetore si rushfet policit tatimor, vit per vit. Dikush tjetër paguan gjashtë mijë euro për një vend pune si mësues. Duke zgjedhur të keqen më të vogël, gjithnjë nga këndvështrimi i ngushtë personal, njerëzit bëhen skllevër të bindur të parisë.

Paria i mban peng njerëzit për krimet e tyre të vogla. Mandej, paria i shtrydh dhe i përdoron me njëmijë mënyra të ndryshme dhe ashtu siç don vetë. Kështu, duke i mbajtur peng e jashtë ligjit, paria i bën të gjithë njerëzit pjesë të sistemit të saj të jashtëligjshëm. E vetmja mbrojtje që kanë njerëzit në këtë sistem mafioz, është që të lidhen me njërin klan të parisë. Po të ishin të gjithë të lidhur me shtetin, të mbronin shtetin dhe të paguanin detyrimet si qytetarë të rregullt, e kështu të kishin mbrojtjen e shtetit, paria e të gjithë niveleve nuk do të mund të funksiononte më. Ndrrimi i sjelljes do të çonte në ndrrimin e rregullave të lojës dhe në ndryshimin e sjelljes së parisë. Në se ligji bëhet kriteri përcaktues i sjelljes dhe sistemi i drejtësisë fillon e funksionon nën trysninë shoqërore, paria do ta ketë shumë më të vështirë sundimin e saj.

Por, edhe ky problem është i lidhur me mungesën e vizionit afatgjatë dhe të mbështetur në një ideologji të qartë. Edhe ky problem është i lidhur me mungesën e strukturave ideologjike, që do të gjykonin veprimet e gjithsecilit në bazë të vlerave të caktuara, në mënyrë të paanshme dhe jo në bazë të interesave të momentit. Edhe ky problem është i lidhur me mungesën e kulture qytetare e politike që i reziston presionit e trysnisë së gjithanshme të parisë. Kur lidhesh me shtetin, dhe kur shteti është në shërbim të të gjithëve, gjithsecili qytetar është i mbrojtur, intersat e tij duhet të mbrohen. Kur shoqëria do të gjendet në kundërvënie të hapur me sjelljen kriminale, atëherë edhe rrugët e parisë të korruptojnë e zvetënojnë shoqërinë, do të ngushtohen ndjeshëm. Atëherë i korruptuari, cubi, hajni, pavarësisht lidhjeve politike e fuqisë së momentit, ka frikë edhe hijen e vet.

E ardhmja vendoset nga veprimet e përditshme

Kështu si janë duke shkuar proceset, e ardhmja duket mjaft e zymtë. E ardhmja e shtetit shqiptar është e tillë që ose shteti do të vazhdojë të jetë një republikë bananesh e nivelit të Haitit, ose do të bëhet një parajsë mafioze e krimit si Napoli në një shtet europian. Në gjithsecilën rrugë që do të ecet, vendi do të jetë në një situatë delikate. Shoqëria do të jetë e trazuar, me ekuilibre të brishta shoqërore, me jetën politike dhe ekonomike të kontrolluar nga aleanca e parisë së Tiranës me familjet e konsoliduara mafioze. Askush nuk ka interes me e prishë këtë ekuilibër. Mundet që BE të shtyjë përpara edhe procesin e kandidimit, anipse nuk do të ketë pranim në nivelet e trumbetuara. Napoli e Palermo janë në Europë, pse të mos jenë edhe Tropoja, Tirana e Lazarati? Këto do të jenë sukseset që do t’iu serviren shqiptarëve si arritje të parisë e si fundi i tranzicionit. Mirëpo, askush nuk do të jetë i lumtur me këtë zgjidhje. Euforia e momenteve ka me kaluar dhe shqiptarët kanë me e kuptuar se asgjë thelbësore nuk ka ndryshuar. Fatet e vendit duhen kontrolluar prej tyre vetë e jo duke pritur anëtarësimin në BE. Por, gjithsesi, e ardhmja politike e vendit është duke u vendosur përditë. Paria po bën çka mundet me e kthye vendin në një çiflik feudal. Të huajt duan stabilitet. Mirëpo, edhe pse duket se ka stabilitet formal e pajtim me gjendjen, brenda shoqërisë ka kundërkorrente të fuqishme.

Nga një anë, është fuqizimi i grupeve që identifikohen me qytetërime e besime fetare përjashtuese të njëra-tjetrës. Fuqia e tyre është rritur ndjeshëm. Shteti e paria po mundohen me i kontrollue me shumë intensitet dhe nën maskën e luftës kundër terrorizmit po mundohet të ruajë kontrollin mbi disa prej tyre. Mirëpo, duket se shteti nuk po ka aq shumë sukses. Nga ana tjetër, është edhe forcimi i grupeve e familjeve kriminale, të cilat shteti as nuk i përmend e as nuk i prek, thjesht sepse paria është e lidhur simbiotikisht me to. Më në fund, është një ndryshim në vlera, por edhe në mendësi, që është i dukshëm veçanërisht tek brezi i ri. Ndryshimi ndihet pikërisht tek ata të rinj e të reja që nuk mbajnë mend se çka kenë sistemi totalitar, e që kanë vetëm një kujtim të turbullt të luftës civile të vitit 1997.

Në një drejtim, kjo është edhe luftë brezash. Lavjerrësi do të shkojë së shpejti në anën tjetër. Ashtu si unë dhe shokët e mi u ngritëm kundër prindërve tanë, ashtu edhe ky brez që sot janë të rinj, dhe ai brez që vjen pas tij, do të kthehen kundër prindërve të vet. Një pjesë e mirë, të paktën, do të synojnë që të gjejnë nder, respekt, siguri e dinjitet duke u identifikuar me popullin. Elementë të këtij brezi, si dhe përfaqësues të spikatur të tij, duket se kanë përqafuar vlera e sisteme ideologjike, që janë karakteristika të shteteve e të shoqërive moderne. Dëshmi e qartë për këtë është rritja e intensitetit të debateve ndërmjet marksistëve të rinj shqiptarë, të frymëzuar, në veçanti, nga Gramsci. Po ashtu, një rrymë për t’u përshëndetur, është edhe prania e liberalëve shqiptarë, të frymëzuar nga besimi se ekonomia e tregut është zgjidhja. Por, duhet theksuar se, tashmë, po ndjehet edhe zëri gjithnjë e më i fuqishëm i nacionalistëve të rinj, të cilët besojnë se zgjidhja është një shtet-komb në shërbim të shqiptarëve. Gjithnjë e më tepër, këto zëra përfaqësues të këtyre ideologjive kanë filluar të tërheqin vëmendjen e masës së shqiptarëve të edukuar kudo që janë. Debati ka filluar të marrë përmasën e nevojshme ideologjike dhe është i pranishëm si në shtyp, ashtu edhe në mediat e ndryshme, dhe, mbi të gjitha, në internet dhe rrjetet shoqërore.

Ne e dimë se çka ka ndodhur, por nuk e dimë se çka do të sjellë e ardhmja. Me dështimin e vazhdueshëm e përditë e më të qartë të parisë, si dhe të projektit të saj, me ndërtimin e një shteti oligarkik dhe të një ekonomie monopolesh në shërbim të klaneve të parisë, konflikti shoqëror do të intensifikohet. E ardhmja e vendit do të përcaktohet nga konflikti ndërmjet këtyre ideologjive e mbështetësve të tyre të bindur, që shpesh do të vijnë nga vetë bijtë e parisë. Pra, në mungesë të një përpjekjeje titanike nga faktorët e tjerë, për me e ndryshue gjendjen, e ardhmja e vendit, dhe zgjidhja që ka mbetur, është thuajse bardh-e-zi. Shteti shqiptar, ose do të mbetet një shtet kriminal, një shtet i dobët dhe neopatrimonial, tipik për botën e tretë, ose të bëhet një metropol kriminal, anipse në një shtet formalisht europian. Kështu si janë ndërtue raportet shoqërore, shteti mund të shkojë shumë lehtë në rrugën e Haitit. Por, në nuk ndrrohet rrugë, shteti mund të vazhdojë që të shkojë edhe në rrugën e Napolit. Por, nuk ka shpresë se mund të shkohet në ndonjë rrugë tjetër më të mirë. Shteti nuk ndërtohet me beton, por me njerëz. Kur njerëzit që e drejtojnë shtetin janë të shtrembër, siç është paria në shtetin shqiptar, as lesa nuk nuk mund të bëhet e jo më shteti.

GRID RROJI: SARAMAGO, NGREHINA PROPAGANDISTIKE DHE VOTA ME KRYQ

Siç e kisha parashikuar në një shkrim të mëparshëm (http://www.fshad.com/7/post/2013/06/jan-shqetsuar.html) në këto ditë të fundit të fushatës zgjedhore kemi hyrë në fazën e tretë të reagimit të palëve të parisë së Tiranës ndaj nismës së votës me kryq. Vetëm në dy tre ditët e fundit ka patur reagime në pothuaj të gjitha mediat nga Piro Misha, Çapajev Gjokutaj, Denar Biba, Edison Ypi, Skënder Demalia, Pëllumb Kulla, etj. pa përmendur faktin që kryebashkiaku “përherë i qeshur” demokrat i Tiranës ka bërë spot televiziv kundër bojkotit. Disa nga argumentat kanë qenë qesharakë, si për shembull “këta janë spiunët e Berishës”. Por, disa të tjerë janë rrekur t’a justifikojnë kundërshtinë e tyre me nismën, edhe pse shprehen dakort me premisat e saj. Nga të gjitha anët ndjehet një lloj frustracioni me suksesin e kësaj nisme, e cila me sa duket e ka goditur shumë më tepër se numerikisht parinë.  Thënë thjesht, vota me kryq përveç të tjerave, rrëzon ngrehinën ideologjike me të cilën paria i ka rrethuar shqiptarët. Duke i vënë kryqin votës,  shqiptarët dalin nga mendësia e burgut në të cilën preferon ti mbajë paria e Tiranës.

Argumentat për të votuar nderin dhe për t’i vënë kryq votës janë shtjelluar gjerë e gjatë në Rrethin e Ferrit dhe nuk dua t’i përsëris rishtaz. Por, duke marrë shkas nga një përsiatje e z. Gjokutaj mbi nobelistin Zhuze De Souza Saramago, në këtë shkrim dëshiroj të ndalem tek aspekti propagandistik i projektit sundues të parisë, për shkak se ai përbën një shtyllë qendrore të tij. Është pikërisht lëkundja e një pike qendrore si modeli ideologjik, i cili mendohej si i pathyeshëm duke marrë parasysh kontrollin e plotë mbi mjetet e shpërndarjes së informacionit,  që e ka shqetësuar parinë.

Në veçanti, argumenti kundër votës me kryq i z. Gjokutaj, një njeri i letrave dhe ish drejtor i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur të Xhorxh Sorosit, mbështetej në refuzimin e paralelit të bërë nga Fatos Lubonja midis Esesë mbi Kthjelltësinë e Saramagos dhe realitetit shqiptar.

Ndonëse nuk jam kritik letrar por vetëm dashamirës i letërsisë, e njoh veprën e Saramagos si dhe veprimtarinë e tij politike aq sa për të patur një tablo të qartë të botës së tij alegorike. Së pari, argumenti se realiteti i Saramagos është alegori letrare dhe si e tillë nuk mund të jetë i krahasueshëm me jetën reale është i dobët logjikisht. Është e ditur se shkrimtarët që kanë jetuar në sisteme autoritare e diktatoriale, si Saramago i cili u lind dhe u rrit nën një diktaturë fashiste, janë tejet të prirur t’a gjejnë shkrehjen e tyre shpirtërore tek alegoritë dhe mitologjia e të shkuarës apo bota fantastike e të ardhmes. Nuk besoj se z. Gjokutaj ka dashur të nënkuptojë se tek Kështjella e Kadaresë për shembull nuk gjinden elemente thelbësore të një Shqipërie ku “punohej, jetohej dhe mësohej si në rrethim”. Nga ky pikëvështrim, “Verbëria” dhe “Kthjelltësia” e Saramagos janë prototipe të një shoqërie e cila  sundohet jo vetëm nga forca e autokracisë, por edhe nga fuqia e propagandës shoqëruese. Propaganda ka rol kryesor në krijimin e mendësisë së burgut, e cila më pas garanton pranimin e realitetit si të pandryshueshëm. Këtu lind krahasimi me gjendjen aktuale të shqiptarëve të cilët jetojnë në një botë pa shtet të mirëfilltë, ku sundon krimi, ku i aftë është xhambazi dhe matrapazi dhe ku propaganda e parisë të thotë se ky është realiteti i pandryshueshëm. Pra, realiteti shqiptar thjesht ka shumë ngjashmëri me “alegorinë” e Saramagos.

Së dyti, “Eseja mbi Kthjelltësinë” i përket periudhës së “ekzilit” kur Saramagoja me vullnetin e vet ishte zhvendosur në ishujt Kanarie. Vetëekzili nga 92-shi deri në vdekjen e autorit, ishte një mënyrë proteste ndaj qeverisë për shkak të refuzimit të përfshirjes së veprës së tij “Bibla sipas Jezu Krishtit” në një konkurs letrar. Sipas burimeve mediatike të kohës, pas trysnisë së Vatikanit qeveria portugeze (asokohe e zgjedhur demokratikisht) e kishte hequr librin nga lista e kandidatëve duke e  konsideruar si blasfemi.

Pra, “Kthjelltësia” është e shkruar jo më nga një revolucionar Stalinist siç konsiderohej Saramagoja i viteve 70të, por nga një mendimtar tejet skeptik për kontrollin e hekurt të lirisë njerëzore në demokraci me anë të mjeteve propagandistike. Së bashku me Esenë mbi Verbërinë kjo vepër ngjan më tepër me një pozicionim filozofik që shkon përtej vlerave letrare. Sipas biografit dhe mikut të tij Antonio Zhoze Borges “qëllimi i Saramagos në këto romane është krijimi i një debati mirëfilli intelektual dhe racional mbi disa ideologji të cilat shoqëria i ka pranuar verbërisht” (Jose` Saramago: Da Cegueira a Lucidez, Zefiro 2010). Pra, Saramago nuk mjaftohet me kritikën ndaj diktatorit Salazar, i cili sundonte me dorë të hekurt Portugalinë fashiste, dhe as mjaftohet me kritikën ndaj fashizmit si sistem. Ai shkon edhe më thellë duke kritikuar mekanizmat që mundësojnë autoritarizmin dhe në veçanti rolin kyç të makinës propagandistike. Edhe këtu nuk është e vështirë të identifikohet paralelizmi me parinë e Tiranës, e cila ndjek një vijë të qartë e të përbashkët ideologjike që përshkohet nga urrejtja për shqiptarët dhe mitizimi i materiales deri në absurditet. Ashtu si në absurdin alegorik të Saramagos, paria e Tiranës kontrollon me shumë zell dhe përpikmëri mullirin ideologjik dhe prodhimet që dalin nga ai. Sigurisht që për hir të “pluralizmit të mendimit” herëpashere lejohen edhe opinione jashtë kornizës ideologjike, por këto etiketohen menjëherë si “naive”, “të parealizueshme” dhe “të dëmshme për zhvillimin demokratik”. Ironikisht këto janë pikërisht argumentet që po përdoren kundër votës me kryq. Ndaj edhe mendoj se në tërësi premisat që përcjell z. Gjokutaj nuk vlejnë për të zhvlerësuar votën me kryq.

Nisma e votës me kryq rrjedh nga një analizë shoqërore që identifikon një mur ideologjik shtrëngues të ndërtuar prej parisë. Muri shtrëngues jo vetëm i garanton asaj sundimin, por edhe po jam merr frymën qytetarit shqiptar duke i mohuar lirinë reale të shprehjes. Ky instrument bllokues ka garantuar që zgjidhjet e vetme të ofruara apo të konsideruara si të pranueshme të dalin nga zyrat përpunuese të propagandës së parisë apo hijet që i kontrollojnë ato. Në këtë këndvështrim, kanë ndryshuar ngjyrat e kostumeve të pushtetit por sistemi i kontrollit ka mbetur i njejtë. Ndaj edhe rotacioni i propaganduar me aq forcë nga pala e parisë që është në opozitë sot është thellësisht i pamjaftueshëm. Siç shprehej Shenasi Rama, rolet do të ndryshojnë pas zgjedhjeve dhe pushtetarët e kthyer në opozitarë do të flasin për autokraci, mungesë lirie dhe nevojë për rotacion, ndërsa Rilindësit vjollcë do të zgjohen befas ithtarë të vazhdimësisë së pushtetit.

Me anë të murit bllokues ideologjik, të cilin disa e quajnë “integrimi euro-atlantik” e disa të tjerë “zhvillim me faza i kapitalizmit”, paria i ka mbyllur të gjitha shtigjet e lirisë të cilat favorizojnë qarkullimin e elitave por edhe ndërtimin e një shteti në shërbim të kombit dhe qytetarëve. Shteti i konsoliduar nuk i shërben asnjërës palë sepse do t’i detyronte të modifikonin thellësisht sjelljen. Mirëpo, duke qenë se arsyeja e vetme pse ata kërkojnë pushtet është pasurimi në kurriz të shqiptarëve, me ndërtimin e shtetit atyre nuk u del llogaria. Ndaj edhe premtimet zgjedhore janë tashmë objekt barsaletash dhe kanë humbur çdo besueshmëri.

Për t’a thënë thjesht, sundimi dhjetëra vjeçar i parisë së Tiranës e ka themelin tek ngrehina e mbyllur ideologjike të cilën nuk kanë patur guximin t’a sfidojnë as intelektualët e dalë nga regjimi hoxhian, as media dhe as shoqëria civile. Me anë të këtij burgu ideologjik, paria ja ka dalë derimësot të kontrollojë të gjitha hullitë e shoqërisë duke e drejtuar atë drejt zvetënimit moral, cubërisë politike dhe kriminalizimit të tejskajshëm. Paria ja ka arritur të krijojë mendësinë e burgut nga i cili askush nuk pret që të dalë. Kjo është arsyeja pse krahasimi me botën oruelliane të Saramagos jo vetëm që është i përpiktë por edhe shumë aktual.

Mesazhi i parisë kundër votës me kryq me gjasë do të intensifikohet ndjeshëm në dyzet e tetë orët e ardhshme. Arsyeja është e thjeshtë. Vota me kryq mund të duket në planin e cekët si një nismë utopike dhe e parealizueshme. E vërteta që dëshmojnë reagimet e ethta të kanakarëve të parisë është se ajo rrezikon monopolin e tyre propagandistik, pa të cilin ngrehina e tyre sunduese nuk qëndron dot në këmbë. Ndaj edhe duhet votuar nderi, i duhet vënë kryq votës. Duhet një fillim i ri.

VALBONA KARANXHA: KONJEKTURAT DHE REALITETI NË POLITIKËN SHQIPTARE

Politika shqiptare ne sensin e aplikimit nuk është tjetër veçse një strukturë e bazuar në një koncept xhungle ku  e “mira e përbashkët” është zëvendësuar nga përplasjet e shumë rrymave politike, teorive dhe justifikimeve të pragmatizmit të shprehura këto në mënyrë analitike apo aplikative sipas standartit të gazetarisë dhe medias së vendit. Megjithëse herë pas here spikat ndonjë analizë e bazuar në realitet, në shifra dhe interpretime objektive, e përgjithshmja është se në këtë mori analizash, disa nga to jane shterpë ose ofrojnë një solucion të bazuar më tepër në opinion personal pa ndonjë bazim në shkencat përkatse.

Pa kërkuar gjelpërën në kashtë, shumë nga këto analiza janë kthyer në konjektura të cilat japin hamëndje se qysh dhe se si do t’i shkoj fati vendit. Këto hamendje kur parashrohen nga individë të cilët kanë si karierë penën, lexohen dhe interpetohen nga populli me qëllimin të cilat janë shkruar. I shërben apo jo ky qëllim çështjes imediate pak rëndësi ka. Ajo çka është e domosdoshme është që këto konjektura të interpretohen si të vërteta dhe rrugë të mundëshme.

Konjekturat mbi bojkotin dhe nullifikimi i tyre

Një nga këto keqinterpretime është çështja e bojkotimit të votimit. Deri tani kemi parë shumë variante interpretimi të bojkotit apo votës me kryq të cilat sipas konjukturave përkatësee arrijnë në një emrues të përbashkët: “Bojkoti do çoj vendin në anarki dhe në konflikt”. Arma më efikase për grupe të caktuara politike tani për tani janë konjekturat. Në një ambient si ai i politikës shqiptare, spekullimet janë standarti dhe normalja,  politika konjekturale dominon.

Kjo për disa arsye. Konjekturat shërbejnë për qëllime të pastra demagogjike –politike. Ato nuk kushtojnë shumë nga ana financiare, nuk janë të bazuara në të vertetë, ose në qoftëse janë të bazuara në informacion të vërtetë është vetëm një përqindje e vogël e saj e rrotulluar e perdredhur sipas interesave strategjike te grupeve politike. E treta, konjukturat ç’orientojnë masa të tëra në kohë të shkurtër.

Aktualisht, bojkoti si levizje përbën shqetësim për shumë grupe politike. E para, shqetësimi qëndron në faktin së  kercenohet hapur humbja e pushtetit dhe kontrollit, e dyta bojkoti  nuk njeh krahë, ai thjesht është mospajtueshmeri me të gjithë. Por ajo që njerzit duhet të kuptojnë është se bojkoti është forma më paqsore e refuzimit të bashkëpunimit me një qeveri. Bojkoti nuk është protestë violente, as revoltë me armë; ai është një sjellje njërzore e cila shpreh pakënaqsi. Është formë e refuzimit paqësor dhe mospajtim me kandidaturat.

Në lëvizjet politike të popujve, lider të kalibrit botëror të cilët u sakrifikuan për çështjen e popujve të tyre  kanë përdorur bojkotin si mjet për te arritur qëllimin final. Konkretisht, për Mahatma Gandhin bojkoti ndaj prodhimeve angleze ishte shprehje e protestës paqsore për mos-bashkpunim dhe largimin e Britanisë së Madhe nga India, largim i cili u bë pa vrasjen e as edhe një ushtari anglez. Ajo që Gandhi bëri ishte jo vetëm udheheqje e popullit drejt një fitore të përbashkët, por drejtimi i popullit  në një lëvizje shpirtëore të përbashkët. Udheheqës si Gandhi, njërëzmit rralle i vijnë, filozofinë e tij e vazhdoi në vitet 1960 Dr. Martin Luther King Jr i cili e përdori bojkotin e autobuzeve mbas keqtrajtimit të Roza Parks, si mjet për të sjellë të drejat e popullsisë me ngjyre në SH.B.A e konsideruar një minoritet pa të drejta humane të barabarta.

Kur diskutohet për figura të tilla që ndryshuan rrotën e historisë dhe përmbysën çdo paragjykim dhe konjekturë e cilat anashkalonte ose nënvelftësonte  aftësitë e tyre, është e vështirë të konceptosh lider shqiptar të bëjnë të njëjtën gjë. Këta lider ishin mjaft të kompletuar jo vetëm në anën e lidershipit politik shoqëror, por edhe atij shpirtëror. A do mund Shqipëria të gjej një lidër të këtij kalibri i cili do të udheheq jo vetëm politikisht popullin por edhe ta drejtoj shpirtërsht atë? Në këto momente nuk arrij të shoh një figure të till por kjo nuk do të thotë se nuk egziston.  Sot për sot Shqipëria nuk prodhon dot figura të tilla ende sepse kultura e mosbesimit nuk i lejon një lideri politik dhe shpirtëror të vij në krye të një force politike. Kjo ndodh për arsye  se populli është i përçare, nuk ka një vizion të përbashkët dhe forcat që e drejtojnë kanë qëllime përfitimi. Që një lider i tillë të dalë në krye të një grupi politik duhen përmbysur konjukturat të cilat ç’vleftësojnë çdo lloj lidërshipi të ri (gjë e  berë me qëllim) në arenën politike.

Qëllimi i konjekturave politike

Konjekturat kanë një objektiv. Meqënëse në kuptimin e pastër ato jane thjesht spekulime dhe konkluzione të bazuara në informacion të pamjaftueshëm, shërbejnë për qëllime demagogjie. Politika në Shqipëri është biznes i të papunësuarit, të punësuarit, atyre që ja kanë haberin dhe çuditërisht atyre që nuk ja kanë haberin. Ajo që është trend në Shqipëri është tendenca konjekturale mbi interpretimin e ngjarjeve, koncepteve, perceptimin e zhvillimeve dhe çdo gjë që ka të bëj më politikën e vendit, rajonale apo ndërkombëtare. Pra politika praktikohet  nga çdokush.

Por duke qënë se politika është “sport” agresiv, kushdo mund të përfundoj në zënie apo debat si pasojë e mungesës së kulturës demokratike, dhe tolerancës. Gjithashtu, krijimi i konjukturave si pasoje e interesave të ngushta partiake ka të bëj me nje ndjellje mosbesimi në popull për çdo levizje pozitive politike.

Kur flasim për aplikimin e praktikave demoktatike, tashmë demokracia në Shqipëri ka marrë tendenca të kunderta më qëllimin e saj. Këto tendenca kanë lejuar krijimin e shumë grupeve politike të cilat janë kthyer në vegla propagandistike për partitë përkatse dhe si të tilla krijojnë konjekturat e tyre për të larguar vëmëndjen nga e vërteta.

Në Shqipëri nuk egziston ideaja e të folurit “korrekt” politikisht. Megjithëse,  nuk e përgjithsoj sepse kam hasur analist ose politolog të cilët janë korrekt dhe flasin ose analizojnë nëpërmjet të dhenave dhe fakteve. Por zakonisht nëpër debate politike, fryma konjekturale mbizoteron debatin dhe merr ngjyrat e forcës përkatse, d.m.th në një moçal spekullimesh, çdo sektor i politikës së vëndit interpretohet sipas menyrës dhe standartit të ­çdo rryme e cila ka interes imediat në kapjen e çdo gjëje si dominion. Për shëmbull, politika e privatizimit të vëndit e kritikuar nga  krahu i opozitës, nuk është gjë tjetër veçse një politikë konjukturale e opozitës me qëllim që të kontrolloj ekonominë. Praktika ka treguar që opozita jo me larg se tetë vjet ka qenë një nga krahët më të korruptuar dhe çfarëdo rruge të propozoj  si demagogji e pastër për të marrë pushtetin  nuk ka besueshmeri apo integritet, aq më teper kur pjestar të saj aderojnë ende në rradhet e saj për kandidate deputet.

 Dëmi i politikës konjekturale në Shqipëri

Politika konjekturale është shkatërruese për fatet e popullit, sepse ofron rrugëzgjidhje në përfitimin e grupeve të caktuara politike te cilat kontollojnë strategjikisht popullin. Parashtrimi i rrugëzgjidhjeve në të cilat nga dy të këqija zgjidh më të voglën i shërben lustrimit dhe lëmimit nga jashtë të një diçkajë që është e kalbur nga brënda. Politika konjekturale nuk ofron popullit rrugë të vërteta për kalimin nga kriza politike, financiare, ekonomike shoqërore sepse kjo politikë luhet jo vetëm nga krerët politik por edhe nga forcat që ata kontrollojnë. Konjekturat deformojnë konceptin demokratik dhe çojnë në kontrollin e një minoriteti politik ndaj shumicës, dhe si pasoje ne despotismin e saj ndaj popullit.