Home » ANALIZA » MBI PËRPLASJEN PËR MONUMENTIN NË KAVAJË

MBI PËRPLASJEN PËR MONUMENTIN NË KAVAJË

Paria e Tiranës e ndjen shumë thellë se niveli i mosbesimit popullor në parinë dhe në sjelljen e saj politike ka arritur një shkallë edhe më të ulët se sa besohej. Mirëpo, pa besimin e njerëzve në rrugën e saj e në individët prijatarë të parisë, paria nuk mund të shpresojë që të ketë zgjedhje të sigurta.

Ajo që i ka munguar fushatës zgjedhore deri më tani ka qënë përplasja e hapur në nivelin më të thellë të identifikimit të grupeve, d.m.th., në atë ndarje fiktive ideologjike që paria e ka manipuluar kaq intensivisht gjatë këtyre 23 viteve.

Kjo është ndarja në komunistë-antikomunistë. Ka disa kohë që paria ka kërkuar shkaqe për të filluar këtë sherr. Mirëpo edhe pse i ka rënë rreth e rrotull, e ka kuptuar se tashmë ka një mur të madh ndarës midis të rinjve, që janë shumica e votuesve dhe pjesës tjetër të shoqërisë e vetë parisë. Gati 60% e popullatës në shtetin shqiptar nuk ia kanë idenë se cka ka qënë sistemi i mëparshëm. Ata që kanë jetuar në sistemin e mëparshëm e kanë kuptuar se e gjithë përplasje kjo ishte një lojë.

Prandaj edhe kjo që po ndodh në Kavajë është shumë domethënëse. Gjatë këtyre 20 viteve Kavaja ka qënë një bastion i Partisë Demokratike dhe i Sali Berishës. Aty kanë vënë kandidaturat rregullisht figurat më të spikatura të PD-së, Sali Berisha apo Azem Hajdari. Kavaja e numeronte veten si ‘demokratike’ dhe një kohë nuk guxonte të dilte kush si kundërshtar i PD-së apo Sali Berishës.

Mirëpo, në Kavajë ka dalë si figurë qëndrore politike, Elvis Rroshi. Njeri inteligjent, që nuk dihet se si i ka bërë paratë në Zvicër e tjerakund, që ka qënë në vëmendje të shumë strukturave policore brenda e jashtë, z. Rroshi ia ka arritur që të lidhë me një mijë fije masën e tregtarëve, të sipërmarrësve dhe të parisë lokale. Jo vetëm që z. Rroshi ia arriti që të bëhej kryetari i Bashkisë, por duke përdorur të ardhurat e veta të ndjeshme, dhe duke krijuar mundësi për pjestarët kryesorë të parisë lokale, ai tashmë e ka transformuar Kavajën në një bastion të PS-së.

Jo vetëm që ai ia ka arritur që të kthejë në mbështetës të vet shtresën e biznesit, por ai ia ka arritur që të kthejë në mbështetës të vet edhe një masë të qytetarëve të Kavajës.

Dalja e tij në këto zgjedhje, dhe deklarimi se do ta zhgulë “me paratë e veta” monumentin e ndërtuar nga PD dhe do ta sjellë me helikopter në Tiranë ngjalli një reagim jo të vogël. Eduard Selami dhe Arben Imami që të gjithë i paraqesin si drejtues të Lëvizjes Studentore, por që studentët nuk i njohin si të tillë, u ngritën kundër heqjes së monumentit. Tashti ka hyrë edhe në lojë Sali Berisha që i fryu flakës së përcarjes duke dalë e duke thënë se kush e prek monumentin do t’ia këpusin gishtat sepse ky është monumenti i demokracisë, etj etj. Tashmë ky problem u politicizua dhe si Berisha ashtu edhe kundershtarët e tij në nivelin local kanë nxjerrë maksimumin e përfitimit që kanë mundur të nxjerrin nga kjo përplasje.

Kjo gjithashtu tregon se fushata do të bëhet në nivelin lokal. Elvis Rroshi dhe ata që e mbështesin ndjehen aq të fortë, dhe kanë bindjen se zhgënjimi në Kavajë është aq i thellë sa të mund të shkojnë në këtë pikë. Po ashtu, shpejtësia me të cilin u turrën për të kundërshtuar sjelljen e tij tregoi se ndjeshmëria është e madhe. Arsyeja është se “Dy Gishtat” nuk janë thjesht një simbol i demokracisë. Ato janë kthyer në pronë private të Sali Berishës.  Prandaj edhe qendrimi domethënës i Lulzim Bashës, njeriut që është caktuar të drejtojë fushatën e PD-së në Kavajë nuk duhet të kalohet lehtë. Se ja doli e tha, “Lidhur me rrezimin e monumentit ne Kavaje, Basha u shpreh se Rilindja e Rames eshte revokim i sistemit komunist. “Rama, kur erdhi ketu ju tregoi ate qe ai eshte ne te vertet se do te thyeje dy gishtat e demokracise te cilat shkermoqen murin famekeq te Berlinit ne Shqiperi, duke treguar se “Rilindja” sipas Rames eshte rievokimi i bllokmeneve, pra sistemit komunist,” ME nje fjale edhe Basha po tenton te perdoroje ndarjen komuniste-antikomuniste.

Mirëpo në një nivel tjetër, kjo gjendje e kjo përplasje tregon se Kavaja është e humbur për PD-në. Zhgënjimi i thellë i kavajasve me tranzicionin dhe me mashtrimin sistematik që kanë pësuar gjatë këtyre 23 viteve do të shpërthente diku dhe po shpërthen tek ceshtja e monumentit. Dikur Kavaja e bëri të dërguarin e Ramiz Alisë të ecte mbi veprat e Enver Hoxhës. Tani, përmes njeriut që e drejton, Kavaja po e bën Sali Berishën që të pozicionohet edhe kundër vetë Kavajës.

Megjithatë, përtej përplasjes për monumentin duhet thënë se këtë herë Kavaja nuk është me qyteti i shpresës për vegjëlinë. Kavaja është një qytet që e ka humbur shpresën dhe që po mbështetet përditë e më shumë në forcat e errta të shoqërisë dhe në ata që duan ta përdorin sentimentin popullor për interesat e tyre personale dhe klanore materiale, ekonomike e politike. Prandaj edhe përplasja për monumentin eështë një simptomë më e thellë e gjendjes e jo vetë gjendja, sic e paraqesin palët e interesuara.