Home » FAKTE TE ZHVESHURA » VLADIMIR PUKA: ÇMIMI I KARBURANTIT U RRIT, KUR DUHET TË NDODHTE E KUNDËRTA

VLADIMIR PUKA: ÇMIMI I KARBURANTIT U RRIT, KUR DUHET TË NDODHTE E KUNDËRTA

Rënia e çmimeve të produkteve të naftës në bursat ndërkombëtare veçanërisht në Europë dhe pas janarit 2013, është pa ekuivokë shprehje e qartë e uljes së kërkesës, por dhe e parashikimeve për zgjatjen e recensionit në kohë. 898 USD/ton u kuotua benzina 95 RON 10 ppm në ditën e parë të muajit maj, sipas Platts European Marketscan High CIF Med Italy.

Referuar datës 18 shkurt 2013, kur çmimi i këtij produkti arriti 1149 USD/ton, i bie që çmimi i benzinës në bursën e Londrës të ketë rënë plot 251 USD/ton brenda 3 muajve, ndërkohë që çmimi i këtij produkti në tregun tonë të pakicës nuk ka lëvizur, madje është ngritur deri 13 lekë/ltr në një shumicë stacionesh pikërisht gjatë kësaj periudhe!

Benzina 95 RON është produkt importi, pra varet 100% nga kuotimi në bursë; kësisoj luhatjet reflektohen direkt në pompë në ndryshim nga karburanti Diezel, i cili deri në shkurt 2013, me prodhimin e lirë vendas, ndikoi të paktën në mbajtjen 169 lekë/ltr të këtij produkti në mbi 30% të pompave në tregun shqiptar…

Llogaritet se 251 USD/ton rënie në blerje japin 0.19 USD/ltr ose më shumë se 20 lekë/ltr ulje në koston e produktit IM7 (para zhdoganimit); pra ngarkesat gjatë këtij muaji blihen mesatarisht me rreth 20 lekë/ltr më pak, ashtu siç gjatë muajit prill janë blerë rreth 15 lekë/ltr më pak e po ashtu në muajin mars, me rreth 10 lekë/ltr më pak, krahasuar me mesin e shkurtit! Duke qenë se kursi i këmbimit USD/lek për 4 muajt e parë të vitit është luhatur mesatarisht prej 2.2 pikësh, duke qenë se 1 pikë shtrenjtim i USD jep 0.75 lekë/ltr rritje në blerjen e benzinës, korrektësisht rritja e kostos për këtë shkak në blerje është jo më shumë se 1.5-2 lekë/ltr, pra i papërfillshëm.

Pas një maksimumi prej 1041.25 USD/ton më 8 shkurt 2013, edhe Diezeli ULSD 10 ppm ra progresivisht deri 850 USD/ton më 17 prill, pra me 191.25 USD/ton rënie absolute; ndërkohë vazhdon të jetë prej 2 muajsh nën 900 USD/ton, por çmimi i produktit në pompa nuk ka lëvizur ose është rritur në një shumicë stacionesh deri 16 lekë/ltr pikërisht gjatë kësaj periudhe! Llogaritet se rënia mesatare në blerje është: për muajin maj 0.16 USD/ltr ose mbi 17 lekë/ltr, prill-9 lekë/ltr e mars-7 lekë/ltr më pak.

Aq evidente është rënia e çmimeve në bursë sa edhe dy buletinet e fundit të Prokurimeve Publike nr. 19 e 20 nuk publikuan si zakonisht çmimet e referencës ose ato dysheme për karburantet, ndoshta në përpjekje për të shmangur efektet te publiku… Fakti është se në atë të fundit të publikuar, nr. 18, çmimi dysheme i llogaritur për benzinën ishte 149.37 lekë/ltr, për Diezelin 155.71 lekë/ltr; diferencën me çmimin në pompë mund ta bëjë kushdo!

Për shkak të pandryshimit të çmimit fundor në pompë prej më se një viti nga 2-3 operatorët me fuqi të ndjeshme në treg dhe rritjes evidente nga njëri prej tyre, shteti ka marrë e vazhdon të marri të njëjtën TVSH për litër e pak më shumë (nga stacionet që rritën çmimin e benzinës); taksat e tarifat e tjera të aktivitetit pothuajse janë fikse. Në kushtet e rënies së konsumit, tkurrjes së ekonomisë, por dhe situatës parazgjedhore, organet shtetërore në një korrelacion “fitimprurës” me OFN-të po transferojnë efektet financiare të hershme dhe aktuale mbi konsumatorin; bazuar te sasitë e karburanteve të zhdoganuara pas muajit shkurt, ato llogariten në mbi 6 mln euro!

Pas rritjes rreth 10 lekë/ltr që çmimet pësuan në pjesën e dytë të vitit 2011, kryesisht për shkak të taksës së qarkullimit e rritjes së taksës së karbonit, grosistët vazhduan të mbajnë Diezelin 174-178 lekë/ltr (produkti vendas 164-169 lekë/ltr) e benzinën 176-180 lekë/ltr (174 lekë/ltr nga një OFN), megjithëse u kuotuan në rënie nën 1000 USD/ton më ulët në bursë. Pas luhatjeve ngritje-ulje mbi 350 USD/ton gjatë pjesës së parë të vitit 2012, çmimet kapën afërsisht nivelet aktuale: çmimi më i ulët i Diezelit 10 ppm është 177-179 lekë/ltr, por gjithmonë jashtë qytetit të Tiranës, në periferi dhe pranë burimit kryesor të furnizimit me shumicë – instalimeve bregdetare të Porto Romanos, pra akseve rrugore pranë qytetit të Durrësit; çmimi më i lartë është përgjithësisht kudo, por veçanërisht në qytetet larg Durrësit; 182-185, por dhe 189 lekë/ltr mund të hasësh në Tiranë e nëpër stacione shitjeje, disa pa tabela informuese për publikun (për arsye të tarifave “të kripura” që organet vendore shpesh pa kriter aplikojnë mbi to), në kundërshtim të plotë me Ligjin nr. 8450 të harruar tashmë nga amendimet e shumta.

Me pretendimin “historik” të zhvleftësimit të lekut në raport me USD, tregu i pakicës nuk e reflektoi më tendencën e bursave, por u mëshoi marzheve në përpjekje për të kompensuar rënien e shitjeve me to. Në mungesë të një autoriteti rregullator të pavarur që monitoron ecurinë e bën transparencën e çmimeve, të sasive e më tej të cilësisë, të dalat në buxhetet familjare do të vijojnë të rriten.

(Marre nga Gazeta SHQIP, 25 Maj, 2013)