Home » ANALISTE TE FTUAR » GRID RROJI: PARIA PËRBALLË VOTËS ME KRYQ

GRID RROJI: PARIA PËRBALLË VOTËS ME KRYQ

Një nga debatet e vërteta të kësaj fushate (e cila duhet thënë është përqëndruar tek hallet e klaneve të parisë e jo të popullit) është ai mbi dobinë e votës së bardhë, abstenimit me votë apo siç  dëshiroj ta quaj këtej e tutje “votës me kryq”. Megjithëse thirrjet për bojkotin e parisë kanë ekzistuar kaherë nga individë si Shenasi Rama, këtë herë debati duket se është shkaktuar nga masiviteti që po merr nisma. Në këtë shkrim dëshiroj  të nxjerr në pah varfërinë argumentuese dhe ideologjike të parisë kundër votës me kryq.

Së pari, fakti që paria e Tiranës nuk ka mundur t’a pengojë debatin të fitojë hapësirë nëpër mediat kryesore si dhe ka filluar të marrë pjesë në mënyrë aktive është tregues i qartë se:1) gjendja është vërtet në kufijtë e një katastrofe e cila po fshihet vetëm nga tamburët dhe efektet llamburitëse të fushatës miliona euroshe të parisë; dhe 2) paria e ka realisht frikë votën me kryq. Për shembull, megjithëse teza e bojkotit është hedhur në zgjedhje të mëparshme asnjëherë nuk ka patur kaq diskutim. Më parë, paria i kishte mbyllur të gjitha kanalet dhe kontrolli i gjithanshëm ja lejonte injorimin e tezave të tilla edhe pse i ndiqte ato me vëmendje të madhe. Ndërsa tani, paria e di se të gjitha shashkave të hedhura për fushatë u ka dalë boja dhe karakatina e saj ideologjike mbahet vetëm me premtime bombastike të cilat nuk i beson as vetë.

Së dyti, angazhimi në mënyrë të drejtpërdrejtë i disa eksponentëve me peshë të parisë apo delegimi nëpër kanale “serioze”të komunikimit, tregon se palëve ka filluar t’u rrëshkasë dheu nën këmbë dhe nuk besojnë më se e kanë gjendjen nën kontroll si më parë. Për shembull, në një debat televiziv Shinasi Ramës i kishin vënë përballë një zhurmues profesionist si Hervin Çuli, një politikane të regjur pjestare të parisë si Monika Kryemadhi dhe një studjuese shërbyese e njërit prej klaneve të parisë si Milva Ikonomi. Mirëpo, në debat e sipër nuk munguan ndërhyrjet “spontane” të pjesëtarëve të klaneve që janë aktualisht në qeveri si Neritan Sejamini, të cilët kërkonin me çdo kusht t’a delegjitimonin votën me nder. Pra, në përpjekjen për “t’ja hedhur edhe kësaj radhe se pastaj lum kush të rrojë”, palët e parisë janë bashkë kundër qytetarit.

Ka disa argumenta kundër votës me kryq të shtjelluara në shkrimet e opinionistëve rrogëtarë, të ekspertëve të shitur të cilët presin ndërrimin e qeverive për të kapur postin e radhës dhe disa eksponentëve politikë të parisë. Të gjithë e trajtojnë votën e bardhë si një utopi të pavlerë, të pambështetur  në realitetin shqiptar dhe ç’është më interesantja në favor të qeverisë aktuale. Logjika me të cilën arrihet në këto konkluzione është të paktën e mangët, por kjo nuk i pengon të gjithë të rreshtojnë një mori shembujsh dhe pyetjesh hipotetike të cilat në gjykimin e tyre e hedhin poshtë a priori nismën.

I pari ndër të gjithë argumentët-dhe nuk kishte se si të ishte ndryshe- është ai personal. Me pak fjalë, argumenti mund të përmblidhet kësisoj: “ epo tani meqë dikeni ta bëni më mirë ju këtë punë, pse kërkoni votë me kryq, hajdeni dhe bëjeni vetë”. Pra, të denoncuarit kthehen në denoncues dhe në të njejtën kohë kërkojnë të vendosin kush e ka të drejtën e të shprehurit në public.  Ky është argument që mund edhe të ngjisë në nivelin krejt fillestar, por një vëzhgim pak më i vëmendshëm logjik e hedh poshtë plotësisht. Mjafton të vërejmë se në oligarkinë hajnore shqiptare çdo hap institucional është ndërtuar në mënyrë që frenat e lojës dhe të rrugëdaljet që ofrohen të jenë gjithmonë dhe pa ndalim në duart e parisë. Kushdo që tenton të hyjë në lojë detyrohet të japi prova besnikërie të cilat e bëjnë të shantazhueshëm në të ardhmen.  Pra, loja është e trukuar qysh në fillim. Më tej, palët e parisë nuk përfaqësojnë boshte të ndryshme ideologjike por banda mafioze të motivuara tërësisht nga përfitimi personal. Ndërtimi i shtetit komb jo vetëm që nuk u intereson por dëmton interesat e tyre afatshkurtëra për pasurim të menjëhershëm. Kësisoj, kauza e rotacionit është si top volejbolli që palët ja kalojnë njëra tjetrës duke bërë kujdes të madh që të mos shënojnë pikë kundër palës tjetër. Ndeshja duhet të zhvillohet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Mirëpo këtij truku duket se i ka dalë boja plotësisht.

Një tjetër argument është “faji i popullit”. Për këta,  politika e llumit, fundërrinave dhe xhambazëve të pamoralshëm është pasqyrë e popullit që e “voton”. Mirëpo edhe ky argument çalon rëndshëm që në fillim sepse duke patur çelësat e lojës paria nuk lejon askënd me principe morale as t’i afrohet politikës. Pra, populli nuk ka patur zgjedhje tjetër deri më sot përveç klaneve të hajdutëve aktualë. Nga ana tjetër, palët kanë krijuar modelin e politikanit hajdut, pa shtyllë kurrizore e në shërbim të klanit përkatës pa kurrfarë ndjenje shërbimi publik. Ky model nuk ishte i paevitueshëm por shprehje e vullnetit të qartë të parisë për t’a zvetënuar skenën politike dhe për t’a sunduar më kollaj popullin. Përsëri nuk është problemi tek vullneti i popullit por tek ata që janë ngarkuar për t’a interpretuar atë. Duke qenë banda cubash e hajdutësh ordinerë dhe duke i pasur nën kontroll të gjitha veglat e politikës ata nuk kanë qenë të detyruar t’i binden vullnetit të popullit. Madje kur kanë mundur e kanë deformuar e zvetënuar atë për qejf sepse kjo jua lehtëson mekanizmin e sundimit.

Ndërsa dy të parët përqëndrohen tek shqiptarët, arsyetimi krahasues me botën është: “ po kështu e kanë filluar të gjithë”. Shpesh ky argument shoqërohet me shembuj nga Amerika e shekullit XIXtë dhe fillim shekullit XXtë.  Këtë argument e mbështesin zakonisht palët që janë në pushtet, dhe aktualisht është premisë e të gjithë analistëve pro qeverisë. Ndërsa shtrembëron keqazi faktet -Amerika e ka filluar demokracinë me Xhorxh Uashingtonin, Abraham Linkolnin e shtetarë të tjerë të cilët është mëkat të vendosen në të njejtën fjali me tanët-ajo që i mungon arsyetimit është koherenca logjike. Krahasimi ndërmjet Amerikës dhe Shqipërisë nuk qëndron në shumë anë. Për shembull, në se do t’a matnim procesin kushtetues me të njejtin kut, do të na duhej që kushtetutën e dyshes Godo-Imami t’a krahasonim me kushtetutën  Medison-Xheferson-Hamilton-Xhej. Nga ky pikëvështrim, por edhe në realitet ky lloj arsyetimi krahasues merr nota të dukshme qesharakërie.

Një argument jo vetëm në dukje më i sofistikuar është ai teorik i shtjelluar nga Bledar H. Prifti, i cili e trajton votën me kryq si votë pro qeverisë apo vota e zezë. Teoria na mëson-thotë kritiku teorik i votës së bardhë- se kjo mënyrë nuk funksionon sepse pengon procesin demokratik. Përkundrazi, sipas Priftit kjo është ajo që duan autokratët si Berisha për të mbajtur pushtetin.  Mirëpo edhe këtu kemi dy supozime që nuk qëndrojnë. Së pari, argumenti për  votën e bardhë nuk bën dallime mes palëve të parisë dhe është specifikisht kundër arsyetimit të së keqes më të vogël. Në qoftë se kemi mësuar gjë këto njëzetetre vjet është se asnjë dallim nuk ka midis palëve të parisë. Rotacioni në oligarkinë plutokratike të Tiranës shërben vetëm për të mbajtur ekuilibrat e brendshëm të parisë, por jo për interesat e qytetarit. Pra, nëse duam ndryshim të vërtetë duhet ndryshuar sistemi i vlerave jo hajdutët. Së dyti, përdorimi i teorisë në mënyrë të përciptë dhe shpeshherë edhe gjysmake ja ul vlerën bindëse tezës së votës se zezë. Injoranca nuk është argument. Vota e bardhë nuk përbën vetëm një akt proteste, por edhe një akt moral të detyrueshëm në kushtet ku sfera publike kontrollohet tërësisht nga oligarkia hajnore e Tiranës. Më tej, vota e bardhë nuk është qëllim në vetvete por është një hap i parë i domosdoshëm drejt një fillimi të ri shoqëror e politik. Fillimi i ri si transformim shumëplanësh do të ishte i mundshëm vetëm nëse bazohet në premisa morale. Teoricienët e “votës së zezë” shprehen se janë rehat me drobitjen morale që ka kapluar shoqërinë shqiptare. Ndaj dhe është e kuptueshme që ndalen tek rotacioni brenda llojit. Argumenti për votën me kryq shkon shumë përtej këtyre lojrave të brendshme të oligarkëve të Tiranës.

Një tjetër arsyetim që mundohet të shesë paria është ai i mosnjohjes së realitetit nga propozuesit e votës me kryq. Sipas disave ata që flasin për moral në politikën shqiptare nuk ja kanë idenë realitetit. Supozimi që bëhet nga këta është se populli shqiptar nuk e do dhe nuk e njeh moralin, ndaj edhe përpjekjet për të instaluar një shtet komb efektiv janë të destinuara të dështojnë. Mirëpo edhe këtu kemi një arsyetim të cekët e jo realist. Shqiptarët kudo që jetojnë nëpër botë sillen si qytetarë model në shumicën dërrmuese të rasteve, dinë të shfrytëzojnë liritë që u jep demokracia dhe në disa raste kanë arritur të bëhen politikanë të suksesshëm në vendet pritëse. Ata nuk vjedhin, nuk vendosin gjoba, nuk kanë lidhje me kriminelë e kartele mafioze. Kësisoj, problemi duket se nuk janë shqiptarët por sistemi politik që n’a ka imponuar paria.

Nuk mungojnë në këtë fushatë edhe tentativat për arsyetime kooptuese si për shembull, “nisma është e mirë por nuk është në kohën e duhur”, “vota e bardhë është naivitet apo braktisje e detyrimit për të votuar”, “ne jemi në fushatë mor vëlla e kta flasin për bojkot, të kryejmë zgjedhjet njëherë e pastaj flasim”, apo edhe “nisma është shumë e vlefshme dhe ne si parti kemi kohë që jemi pro këtij ndryshimi”. Këto lloj akrobacish shërbejnë si prita të fundit kundër mundësisë së depërtimit të argumentit anti-pari përtej mburojave tradicionale.

Mirëpo megjithë përpjekjen e madhe të palëve të parisë, me sa duket shqiptarët janë ndërgjegjësuar se nuk ka asnjë dallim midis palëve dhe kauza rotacionale e ngjalave të 1 Prillit është një fasadë e keqe për vazhdimësinë e oligarkisë.

Nisma për votën me kryq synon transformimin afatgjatë të shoqërisë shqiptare dhe ky lloj transformimi rrënjësor është i mundur vetëm kur bazohet në vlera morale të shëndosha të një shteti komb të konsoliduar.

Vota me kryq nuk është në shërbim të njërës apo tjetrës palë të parisë. Vota me kryq nuk është një tentativë naïve adoleshentësh. Mbi të gjitha, vota me kryq është fillimi i kundërvënies të së mirës ndaj të së keqes, morales ndaj imorales, nderit ndaj krimit, dhe shtetit komb ndaj matrapazëve të panginjshëm të parisë së Tiranës.

Vota me kryq është e vetmja alternativë për të ruajtur nderin duke i shërbyer kombit me anë të votës. Shqiptarët duket se janë ndërgjegjësuar se vota me kryq do t’a trondisë nga themelet regjimin oligarkik të parisë së Tiranës. Ndaj edhe shqetësimi që po përjeton paria është i justifikuar. Vota me kryq është fillimi i fundit të tyre, dhe ata e dinë këtë.  Asgjë nuk mund t’a ndalë vullnetin e popullit për një fillim të ri.