Home » ANALIZA » PSE MERREM ME POLITIKË? SHTET-KOMBI, BESIMI DHE QËLLIMI IM

PSE MERREM ME POLITIKË? SHTET-KOMBI, BESIMI DHE QËLLIMI IM

(ne vend te nje replike)

Dje dikush kishte postuar një koment shumë të gjatë dhe që kërkonte përgjigje prej meje me shumë nerv. Vërejta që në komentin e tij ka shumë dyshime dhe shumë paqartësi në lidhje me mua e me qëndrimin tim politik. Nga një anë më bëri me qeshë. E para, si shtetas shqiptar unë jam një askushi në politikën e përditshme shqiptare. Më e shumta, jam një njeri si gjithkush tjetër. E dyta, në nivelin ideologjik në Tiranë, unë jam si delja e zezë, sepse them ato të vërteta që nuk iu pelqejnë shumë vetëve. Unë nuk jam politikan, nuk due me kenë në politikë nuk due me kenë në ‘tavë,’ nuk më intereson fare politika, përvecse si objekt studimi. E treta, si shqiptar në mërgim, politika më intereson vetëm si kombëtarist e si patriot që kërkon nderim e respekt duke u krenuar me kombin e vendin e vet, dicka që e kërkojmë e nuk e gjejmë tash një jetë.  Arsyeja, pra, është se unë jam emigrant, njeri që nuk ka më rrënjë në jetën e përditshme shqiptare përvec dashurisë për të afërmit e për kombin. Unë jam nga ata që nuk ka me u tretë kurrë në paqe, sepse, patetikisht me e thanë, jam i dënuem me u shue në toka të hueja pa mbrritë me jetue atë shoqëri që do të kasha dëshërue.  Por dhimbjen e ndarjes prej vendit tim e ndjej sa zgjohem e në fund të shpirtit e nuk më ndahet asnjëherë.

E pra, problem është se unë nuk due me u marrë me politikë, por sic ka thanë një njeri i mencur, po nuk u more ti me politikë, atëherë do të merret politika me ty. Politika të ndjek edhe në mërgim, edhe larg, edhe kur e urren e nuk don me u përzie në politikë. Sepse ajo që po ndodh në shtetin shqiptar ndikon shumë në mendësinë e gjendjen time shpirtërore. Ajo që ndodh përditë me kombin tim, më shkakton shumë dhimbje. Pikërisht kjo dhimbja nuk të len të qetë, sepse i njeh njerëzit, e njeh gjendjen dhe e din se cila është rruga e greminës ku po shtyhen shqiptarët. Unë nuk mundem me mbyllë një kapitull të jetës time e me thanë se atje ku nuk të duen mos rri, e atje ku nuk të dëgjojnë mos fol. Kështu kanë bërë shumë miq të mi dhe janë në paqe si njerëz, por mue më duken krejt bosh. Duke dashtë me u ba si dikush tjetër, janë ba një askush në shoqërinë ku jetojnë, njerëz pa identitet e pa vlera.

Mirëpo, unë kështu jam pre e kështu do ta mbyll jetën time. Shqiptar kam lindë, e shqiptar kam me vdekë, dhe nëse nuk mundem e nuk due me ndryshue, të paktën ti shërbej me aq sa mundem identitetit e kombit tem. Dikush duhet me thanë se jeni e se po shkoni në Rrethin e Ferrit e unë e miqtë e mi po e themi përditë këtë. Edhe ba mos me na dëgjue kush, ne po e themi të vërtetën njeherë, e për fat të keq, koha ka me na dhanë të drejtë.

Një arsye më tepër pse po hezitoj me iu përgjigjë është se nuk e njoh fare as njeriun, as të shkuarën e tij, as përgatitjen politike e as përkatësinë. Mirëpo, argumentet e tij janë njerëzore dhe meritojnë respekt ashtu si edhe kjo dhimbja e ime që s’më lent ë qetë. Si parim, nëse duhet të sillemi si shqiptarë e si njerëz, në se duam të ecim në rrugë të mbarë, duhet të respektojmë njëri-tjetrin, duke ia respektue mendimin. Ky zotnia ngren disa cështje delikate si rëndësia politike e shkuarës në politikë, hedh dyshime mbi qëllimet e mia si individ, mbi besimin tim dhe mbi platformën që na duhet për të ardhmen. Duke mos qënë politikan, mendova mos me u përgjigjë. Por, duke e besue të sinqertë e jo njërin nga ata zhurmuesit e shumtë të parisë, po i përgjigjem shkurt, me sa di, e me sa mundem në lidhje me pikëpyetjet dhe argumentet që ngren në komentin e tij.

Rëndësia e të Shkuarës në Politikën Shqiptare

Së pari, në lidhje me të shkuarën. E shkuara nuk duhet me na mbajte peng dhe e shkuara e jonë nuk eshte e tille qe na sjell gezim, asnjerit e askujt nder shqiptaret. Askujt nuk i sjell gezim e shkuara, sepse ajo qe ka kene nuk mundet me kene më përcaktuese e të ardhmes. Ajo bahet përcaktuese vetëm nëse ne e lejojmë atë të na sundojë. E vetmja e shkuar që nuk ke cka i ban, se nuk tjetërsohet dot, është identiteti që ke. Atë nuk e ndryshon dot.

Mirëpo, ajo qe ne si popull e kemi perjetue ka kene e hidhun dhe e deformueme gjatë gjithë këtyre dy shekujve të trazuem. Populli i jonë është i vogël por është një popull që ka shumë histori sepse ka shumë kalue në shumë travaja e mundime gjatë shekujve të kaluar dhe ma shpesh se duhet të keqen ia kemi ba vetes e njëri-tjetrit. Prandaj gjithkush qe ka mend, ose kerkon me e shmange te shkuaren ose me mesue prej saj. Po përsëritëm të njëjta gabime, do të gjendemi gjithnjë në të njëjtin qorrsokak. Do të sillemi rrotull. Asgja nuk ka me ndrushye, vetëm dhimbja ka me u shtue. A duhet me ua lanë këtë barrë brezave që po vijnë?

Prandaj ndarja me të shkuarën është fillimi i ri. Vazhdimi i mendësisë sunduese të së shkuarës, nevoja me gjetë shkaktarë për fatkeqësitë e kaluara është e dobishme sa kohë që njeriu si individ e një komb si shoqëri mëson nga pësimet dhe iu ruhet kurtheve. Ama, nëse ndjekja e qëllimeve të tilla bëhet qëllim në vetvete, atëherë ai komb është i destinuar që të dështojë. Kjo është rruga e të mirës dhe e të drejtës. E shkuara duhet të jetë burim mësimi për të ardhmen. Njeriu dështon edhe më keq. Ai individ që e mbrrin qëllimin që i ka vënë vetes përmes urrejtjes, mbasi e mbrrin atë qëlim është bosh. Vetëm e mira të jep arsyen me pasë shpresë e me ndërtue të ardhmen.

Nga ana e tyre politikanet kane rrugen e qellimet e tyre. Kur janë njerëz me mend e me ndjenja kombëtare ata i ikin ndasive që sjell e shkuara. Është e paevitueshme që gjithkush që kërkon shkaqe për sherr e ndasi do ti gjejë në të shkuarën e vet. Prandaj edhe është ligji dhe shteti që në mënyrë arbitrare të vendosë se cka është e drejtë, e ligjshme dhe e pranueshme në një kohë të caktuar. Mirëpo, në mendjen e njerëzve, e drejta e tjetrit është padrejtësi që të bahet.  Prandaj dashuria për tjetrin, elementet e domosdoshme të qytetërimit e zbusin këtë ndjesi dhe rrisin mirëkuptimin për të drejtën e tjetrit.

Politikanët tanë të parisë së Tiranës kanë dashur e duan qe e shkuara e dhimbshme me iu sherbye vetem atyre pa mbajte parasysh dhimbjen qe iu shkakton njerezve ngacmimi i plageve shpirtnore. Sepse gjithkush e kemi një histori të dhimbshme. Ata e dinë këtë prandaj i mobilizojne njerezit ne emer te se shkuares. Prandaj edhe po veprojnë ashtu edhe në këtë fushatë duke iu fryrë ndasive ideologjike, fetare, krahinore, kulturore e gjendjes ekonomike. Ja edhe në këtë fushatë merren me gjyshër, simbole, monumente, etj. Asgja që iu flet njerëzve dhe halleve të tyre. Asgja që ka të bëjë me të ardhmen e tyre. Asgja që me iu dhanë shpresë. Asgja që I bashkon dhe I bën të mendojnë si pjestarë të një bashkësie politike-ligjore, apo si shqiptarë, pjestarë të një kombi. Politikanët përdorin cdo gjë për t’i ndarë njerëzit. Ata përdorin pa fund rrena, mashtrime, e manipulime.

Une kerkoj me mesue prej te shkuares, mos me perserite gabimet dhe me ndihmue me ndertue nje te ardhme tjeter per këtë zotninë e për të gjithë të tjerët. Sepse unë nuk kam ndërmend me jetue prej politikës. Nuk kam ndërmend me u marrë me politikë. Nuk kam ndërmend me dalë e me ia kërkue kujt votën e besimin. Unë jam njeri i lirë, them atë që mendoj, e kam edukue veten me iu shërbye njerëzve, mendoj më të mirën që mundem për kombin tim, dhe nuk due askurrgjë prej askërkujt.

Qellimi im si Individ

Së dyti, ky zotnia ngren dyshime tek qëllimi im. Si edhe sapo e thashë, une nuk kam ndermend me u marre me politike ne shtetin shqiptar. Nuk me intereson politika. Nuk jam i prere per ate pune e per ate profesion.  Politika nuk me ka dhene asnje kenaqesi ne kete jete, pervec dhimbjeve te pashlyeshme, e fatkeqesive qe ua kam shkaktue njerezve te mi e qe shpesh nuk kam guxim as me ia thane vetvetes, sepse menjëherë më kujtohet fytyra e nanës teme të ndjerë.

Per ma teper jam ne nje moshe kur dua te mbyll jeten me nder, ne se kam mundesi e ne se ia arrij me ruejte veten e vlerat e mia në mërgim. Ne mos tjeter, cdo dite qe jetoj e shoh si nje mundesi me u permiresue, sepse ma shumë kërkon me kenë I pastër e ma shumë të bahen të dukshme gabimet e të metat që ke. Une ndoshta nuk mund te mbrrij te ndrroj gja ne kete jeten time, por perdite mund te behem njeri me i mire, me i ndershem, me i paster, me me respekt per te tjeret, nje prind i mire, nje i aferm i mire, nje shqiptar i mire. Ne se sillem keshtu, mua me mjafton ndjenja e te kenunit shqiptar, nuk me duhet as feja, as ideologjia e tjerakujt.   MË mjafrton respekti i njerezve sepse, në fund të fundit për këtë jetohet.

Megjithate, pa mendjemadhesi, por me shume modesti, me duhet me thane se une ndjej nje obligim moral ndaj popullit tim. Si njeri nder ata qe na u dha mundesia me kene instrumental ne momente historike edhe une duhet me e gjykue veten perdite për sjelljet e veprimet e mia në jetën publike. E në këto kushte, sherbimi me i madh qe mund te beje nje njeri si une eshte me thane te verteten. E verteta eshte ajo qe na duhet me se shumti. Dhe, ne mos mundsha me ba tjeter, do te them te verteten ashtu si e di dhe e kuptoj unë. Ndoshta nuk i zoti me e vra gjarpnin, port ë paktën mundem me të tregue që ai po fshihet mbas ferrës. Ky është edhe funksioni I së vërtetës.

Pse duhet me veprue kështu? Thënia e të vërtetës është një gjë jo e lehtë sepse iu bie ndesh njerëzve e interesave të shumta. Nganjeherë është më lehtë me jetue në mashtrim se me kenë njeri i lirë. Edhe unë pres që fjala që them të ketë një efekt për mirë, dhe ajo e ka një qëllim të qartë. Qellimi im eshte me mbeshtete daljen e nje grupi te ri te rinjsh qe te jene te motivuar nga ndjenja e sherbimit kombetar e të punojnë për shtet-kombin e shqiptarëve. Qellimi im eshte qe gjithcka kam, dijen, kohen, mundesite, t’i ve ne sherbim te ketij grupi, e se bashku me te tjere te ndihmojmë me ia ca rrugen ne politike, t’iu japim mbeshtetje e besueshmeri. T’i ndihmojme qe te rriten, t’i shmangen te keqes, te bejne me te miren qe munden per popullin e tyre. Sepse nje popull vdes kur rinia nuk mundet me u mbeshtete tek brezi para tyre.  Sepse një grup I tillë do të jetë shpresa për të gjithë shqiptarët.

Besimi im

Ky qellim i imi do te ishte dicka donkishoteske, nje marrezi, nje budallallek i pashembullt, nese une nuk do te kisha nje besim te patundur tek populli shqiptar dhe tek mundesite e ketij populli me u ba nje popull normal, i begatë, i sukseshëm, që jeton në harmoni shoqërore e në siguri si te gjithe popujt e tjere. Jane disa arsye qe me shtyjne me besue fuqimisht se ka shprese per shqiptaret.

Se pari, ne kemi shtetin tone. Se dyti, ne kemi kombin tone. Se treti, ne kemi gjuhen, vlerat, dhe traditat tona familjare, te katundit e te kombit tone, te vecanta, positive, te paperseritshme dhe tejet te dobishme per modernitetin. Se katerti, ne kemi fuqine me i ike se keqes ngado qe te na vije ajo. Se pesti, tashmë ne kemi dijen e funksionimit te shoqerive moderne. Se gjashti, ne kemi nje brez te ri qe po kerkon me force qe te gjeje vetveten ne shtet-kombin modern. Se shtati, megjithe rezistencat e forta, krijimi, konoslidimi, dhe lulezimi i shtet-kombit te shqiptareve, edhe sikur ai shtet te jete i rrudhun sa me s’bahet, eshte nje fakt i pashmangshem i politikes nderkombetare. Ky është besimi im si njeri e si shqiptar. Gjatë jetës time jo aq të gjatë nuk kam parë e gjetur asnjë arsye me më ba me ndrrue mendjen. Prandaj do të vzhdoj të punoj për këtë qëllim e me këtë besim sa të kem frymë.

Cka duhet bërë?

Këtë përgjigje e kam thënë disa herë dhe tashti, po e marr dhe po e vë këtu nga një shkrim tjetër. Ka ardhur koha për një fillim të ri. Nevoja për ndryshim është e pashmangshme dhe forcat e reja politike që do lindin, duhet të kuptojnë mirë se cilat janë rrugët e ndryshimit të vërtetë. Ndryshimi duhet mbështetur në vlerat e vërteta të një populli si shqiptarët, dhe në një projekt të ri modernizues, të balancuar, dhe të mbështetur në themelet e forta. këtë mund ta bëjmë vetëm duke ndërtuar një shoqëri që do të mbështetet në parimet e mëposhtme.

Së pari, në identitetin e padiskutueshëm të shtetit-komb. Së dyti, në një sistem politik demokratik, me një system zgjedhor proporcional por me shtërngesa të forta ligjore që nuk lejojnë tepritë në sjelljen e politikanëve e që nuk pengojnë qeverisjen e mirë. Së treti, në një administratë shtetërore të pakorruptueshme e të mbështetur në ligj me shtërngesa shembullore e drastike. Së katërti, në një ekonomi tregu të institucionalizuar ku i jepet përparësi prodhimit kombëtar dhe ku sukseset dhe arritjet e njerëzve më të zotë, ndihmojnë në rritjen e zhvillimin e njerëzve të mirë. Së pesti, në një politikë të jashtme të bazuar në interesin shtetëror-kombëtar.

Së gjashti, në luftën e pakompromis kundër krimit e kundër të keqes në çdo formë që të materializohet e keqja shoqërore brenda llojit. Së shtati, në krijimin e në kultivimin e vlerave të vërteta të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë shqiptarët e qytetarët me aq sa i kemi mundësitë e kushtet. Së teti, në kultivimin e vlerave të një shoqërie civile efektive që është baza dhe shtërngesa kryesore mbi të keqen, shoqërinë dhe strukturat institucionale. Së nënti, në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shërbimeve shoqërore si edukimi, shëndetësia, e mbrojtja e fëmijëve dhe e pensionistëve. Së dhjeti, ndërtimi i një sistemi përfaqësues politik që të funksionojë për zgjedhjen e udhëheqësive që do të mbahen nën kontrolle të forta nga shoqëria e nga strukturat administrative institucionale.

Çdo përpjekje për ndryshim, qoftë në formën e një programi politik, qoftë në formën e një pakete ndryshimesh ligjore, që nuk mban parasysh këto parime themelore, është e destinuar që të dështojë. Këto elemente janë pjesë e pandashme e çdo projekti për shërimin e përmirësimin e gjendjes. Këto janë edhe parimet që duhet të frymëzojnë një forcë politike të re. Kjo duhet të jetë një parti që punon për ndryshimin e sistemit dhe për zbatimin e një projekti i cili mban parasysh dhe punon për një rindërtim të menduar mirë të strukturave e të institucioneve shtetërore, për një afirmim të vlerave e të identitetit, për një përparësi të interesit shtetëror e kombëtar, dhe të vënies së interesave të bashkësisë mbi interesat personale të parisë. Kjo rrugë është rruga e ndërtimit të shtetit kombëtar, e stabilizimit të sistemit demokratik dhe e strukturave partiake. Kjo është rruga e vendosjes së një ekonomie tregu të institucionalizuar, e një administrate që zbaton ligjin, dhe e kultivimit të një shoqërie civile shekullare që kontribuon aktivisht në jetën publike. Kjo është rruga e zhvillimit dhe e të lulëzimit të vlerave morale që duhen për të kultivuar një shoqëri të shëndoshë, të begatë dhe bashkëkohore. Më në fund, por më e rëndësishmja, baza e suksesit për një tranzicion është njësimi kombëtar, formësimi i ndërgjegjes kombëtare, d.m.th. një identitet i përbashkët i shtetasve. Në rastin shqiptar, për shkak të natyrës specifike të problemit, tranzicioni shqiptar nuk mund të shihet i shkëputur nga çështja kombëtare shqiptare. Zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare është parakushti për suksesin e çdo reforme dhe zbatimin e çdo projekti që do t’i vendosë proceset në hullitë e duhura.

Një parti që i përmbush këto kushte dhe që ofron këtë program do të ishte një parti shpresëdhënëse dhe që meriton mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, e natyrisht edhe timen. Por, ata që marrin përsipër këtë detyrë, duhet të jenë të përgatitur që të përplasen me një pari që do të përdorë çdo mjet në dispozicionin e saj, edhe në format ekstreme të dhunës e të terrorizmit shtetëror e mafioz, për të ruajtur pushtetin politik, dhe kontrollin mbi ekonominë e mendësinë e popullit që sot e sundon.

A është e mundshme që të realizohet ky projekt?

Edhe pse duket se ka dalë e keqja mbi ujë, realiteti është shumë kompleks dhe shoqëria shqiptare nuk është as uniforme, e as e pajtuar me gjendjen. Mitingjet tregojnë një pamje të retushuar të sistemit. Kjo është pjesa e terrorizuar, dhe pjesa që i është shplarë truri, pjesa që dridhet për ukën e gojës, e për ndëshkimin që vjen nga paria. Përtej kesaj hipokrizie të pashoqe mitingashe, që lundron si plehnat në det mbi shoqërinë shqiptare, duke shkuar nga njëri shesh tek tjetri, gjendja është e ndryshme. Njerëzit e mirë janë aty.

Po cilat janë grupimet e shtresat shoqërore që janë të interesuara për këtë ndryshim? Duke folur kështu përgjithësisht, në shoqërinë shqiptare ka tre grupime të mëdha që tashmë janë konsoliduar e kristalizuar bukur qartë. Të tre këto grupe jetojnë jetë paralele dhe shpesh janë të izoluar nga njëri-tjetri. Këto shtresa janë paria e Tiranës, shtresa e mesme dhe profesionale, dhe vegjëlia urbane dhe katundare.

Mbështetja për sistemin është në nivele të ndryshme.  Paria, një pjesë shumë e vogël e shoqërisë, që bëhen a s’bëhen tre mijë vetë, e sheh këtë gjendje si të natyrshme dhe si botën më të mirë të mundshme. Ka mjaft nga pjestarët e parisë që sinqerisht besojnë se kjo shoqëri është shoqëria ideale, pikërisht ajo shoqëri që shpresohej se do të ndërtohej në vitin 1990 e mbas. Këta janë paria dhe pinjollët e tyre, dhe shtresa e zyrtarëve të lartë, e spekulatorëve monopolistë dhe e klientëve të spikatur të familjeve mafioze të parisë që u pasuruan shumë shpejt e me lehtësi duke bërë të 99-tat. Këta të flasin me sinqeritet mbi virtytet e kohës dhe mbi vlerat që ka kjo shoqëri. Por këta flasin nga maja e mullarit të tyre. Sepse gjithcka që kanë, këta e kanë marrë me një krim të pashembullt, me një mungesë skrupujsh që të frikëson, dhe me një urrejtje të thellë për popullin e vet. Vetëm një ligj i fortë e sjell në fije këtë pari. Mirëpo në këtë pikë ligjin e bëjnë vetë këta. Prandaj duhet ndryshimi.

Poshtë kësaj shtrese të ngushtë të parisë që kontrollon ekonominë, politikën, shtetin, kulturën, mjetet e komunikimit e vlerat, janë dy shtresat numerikisht massive që janë të ndara në grupe me bindje të papajtueshme dhe të paqartësuara si duhet. Me këta duhet punuar. Një numër i madh shqiptarësh e kanë pranuar gjendjen si normale dhe si të pashmangshme.  Në këtë grup cdo njeri e jeton jetën simbas rregullave të xhunglës së parisë, sepse nuk din tjetër dhe se ka rënë në grackën e parisë. Këtu hyjnë mjaft nga katundarët, të shpërngulurit, shtresat e vegjëlisë urbane si dhe ata që i janë bashkëngjitur sistemit për arsye pasurimi e arrivizmi si profesorët, mjekët, profesionistët, etj. Pra, këtu hyjnë edhe pjestarët e shtresës së mesme, kryesisht të inteligjencës, dhe me influencë direkte mbi popullin, pikërisht grupi nga ku duhet të fillojë ndryshimi I mendësisë sunduese. Këtu hyjnë edhe të mërguarit që mbetën në fund të shoqërive ku kishin emigruar, sepse këtë nivel ndyrësie e poshtërimi përjetuan për vite të tëra, dhe tashmë këtë e shohin si normalitet e si gjendjetë pashmangshme. Këtu hyjnë edhe një masë e madhe e të rinjve që nuk kanë njohur shoqëri të tjera dhe që ndjekin modelet e parisë, kanë rënë pre e prapagandës së saj, dhe e jetojnë jetën e tyre në këtë realitet absurd. Ky është grupimi më tragjik, sepse këta e dinë se ky është një realitet kriinal dhe absurd, por janë shumë të frikësuar e të terrorizuar që të veprojnë.  Këta bëhen veglat e parisë për nje kafshatë buke, edhe pse ajo bukë është e ngjyer në krimin e jetës së përditshme. Me këta duhet punuar fort e me kujdes, sepse duke u mbajtur mbas pronës së vogël, këta do të jenë të paralizuar. Mirëpo ajo pronë e mjerë mbas të cilës mbahen është një fije kashte që I mban peng të parisë më fort se zinxhiri I prangave.

Po ashtu, ka një pjesë shumë më të madhe të shoqërisë që e sheh këtë shoqëri dhe rregullat e saj të sjelljes si të papranueshme dhe jo si normale. Këta janë shumica e katundarëve shqiptarë, të urbanizuar ose jo, shumica e profesionistëve, e qytetarëve dhe e të rinjve të edukuar, apo të vetë-edukuar dhe masa e madhe cilësore e emigrantëve shqiptarë. Në shoqërinë shqiptare kjo shtresë po rritet me shpejtësi numerikisht dhe cilësisht. Kjo shtresë e e kupton jo vetëm se ky realitet është absurd, por edhe se ky realitet është kriminal, i qëllimtë dhe i stisur në atë mënyrë nga paria e Tiranës që të mos lejojë që të rebelohet kush. Ka shumë në mërgim që flasin. Ka shumë nga këta që jetojnë në shtetin shqiptar e nuk flasin. Por këta, që nuk e hapin gojën sepse kanë frikë, duhet që shpejt të bëjnë zgjidhjen se me kë do të jenë. Niveli i terrorizimit të shoqërisë shqiptare ka arritur në nivele të tilla sa që njerëzit nuk guxojnë as të mendojnë e jo më të flasin dhe frika është me e prekshme në këtë këtë grup se sa në cilindo grup tjetër.

Mirëpo, për këdo që hyn në politikë, ky është grupi i shtresës dhe i individëve me influencë lokale që mund e që duhet të bëjë ndryshimin. Këta janë ata që sot gjenden ndërmjet parisë sunduese dhe popullit. Këta e përcojnë ideologjinë, sjelljet, normat dhe vlerat e parisë në popull. Këta e ndjejnë dhembjen e shtypjen njëlloj si populli. E në të njëjtën kohë, këta janë grupi më i madh dhe më i ndjeshëm, grupi që mund të bëjë ndryshimin.

Cfarë mungon? Mungon ndërgjegjësimi i tyre si shtresë. Mungon ndërgjegjësimi lidhur me rrugën që duhet të ndiqet. Mungon organizmi dhe udhëheqja e duhur. Edhe këta, kanë rënë pre e propagandës së parisë që gjithcka e lidh me njerëzit, me individët e jo me ideologjinë. Por njerëzit janë gjithmonë të gabueshëm e me të meta. E megjithatë, nga këto shtresa të gjëra do të vijë ndryshimi që na duhet.

Katër janë problemet kryesore. Së pari është qartësimi ideologjik, dmth, shpjegimi me qetësi e me kujdes i të këqijave që n aka sjellë kjo gjendje dhe të mirat që do të vijnë nga një shtte-komb modern i ndërtuar mbi parimet e shprehura më lart. Së dyti, është ndërtimi I një udhëheqësie të përbërë nga të rinj të panjollusur që duan të jetojnë me nder, që duan të bëjnë mirë e që ndjehen shqiptarë. Kushdo që din duhet të vihet mbrapa djemve e vajzave të tilla dhe to mbështesë e timbrojë sepse këta do të jenë e ardhmja e do të bëjnë ndryshimin. Së treti, është ndërtimi I strukturave nga qendra e deri në familje. Me kujdes e me shumë vëmendje, duhet ndërtuar një strukturë shoqërore e re. Ashtu si një pemë e kalbur nxjerr filiza të rinj fhe e rilind veteveten, edhe ne si komb, duhet të mbështetemi tek të rinjtë e të rejat për të gjetur e për të rilindur vetveten. Së katërti, problemi kryesor është se si me ia nxjerrë frikën këtyre njerëzve, që pavarësisht se ku jetojnë, në fshat apo në qytet, kanë edukimin, ndjeshmërinë, dhe receptivitetin për të kërkuar ndryshimin.

Kush janë njerëzit që mudn e që duhet të bëjnë dicka të dobishme [ër të ardhmen e për veten e tyre? Këta janë zyrtarët e ish-zyrtarët e niveleve të ulta në atë e në këtë system, njerëzit që vijnë nga familje me tradita e me vlera, tregtarët e reshperët që duan të jetojnë me nder, mësuesit dhe mjekët e ndershëm, oficerët dhe policët e edukuar, njerëzit me bindje morale të qëndrueshme e që i praktikojnë në jetën e tyre, atdhetarët dhe patriotet, pasardhësit e familjeve patriotike dhe të gjithë ata që duan që të ketë një shtet-komb të shqiptarëve.

Cilat janë rrugët?

Zotëria kërkon me ditë se cilat janë rrugët e daljes nga kjo gjendje. Hapi I parë është që të ndahesh moralisht e me ndërgjegje nga paria, nga struktura e sistemi që kjo ka krijuar e që e mba gjith shoqërinë peng të meendësisë së Ferrit. Hapi i dytë është që të qartësosh mendjen, e të kuptosh se cila është rruga e zgjidhjes, që natyrshëm kalon nga parimet e rreshtuara më lart. Hapi i tretë është organizimi dhe kundërvënia ndaj parisë me të gjithë mjetet e mundshme në demokraci. E kështu do të ndrrojnë gjërat. Por hapo I parë është të bësh bojkot, të ndahesh me sistemin. Hidh Votën e Vardhë. Futi një vizë. Futi një XXXX të gjithëve. Kur të dalësh nga qendra e votimit do të ndjehesh njeri. Do të ndjehesh i lirë dhe me dinjitet. Dhe me lirinë tande fillon edhe liria dhe e ardhmja e të gjithëve ne.

Në vend të përmbylljes

Në përfundim, do t’i thoja këtij zotnisë se për me arritë dicka, duhet me besue në dicka. Qëllimet duhet të jenë të mbështetura në këto bindje që duhet të jenë më të forta se shkëmbi. Rruga kalon nga ndarja me sistemin. Kështu si është ndërtuar ky system I shërben parisë së Tiranës e vetëm parisë së Tiranës. Ai që është në një ishull në mes të tallazeve duhet me mbijetue vetëm duke besue se është në një shkëmb e jo. Une besoj se populli shqiptar eshte nje popull me vlera te jashtezakonshme. Une besoj se shqiptaret jane nje popull me nje shpirt te lire, krenar, me respekt per ata qe iu japin nder e dinjitet. Une besoj se shqiptaret jane nje popull qe e meriton që të kenë një qeveri të pakorruptueshme, politikanë të ndershëm, dhe një shtet-komb që të jetë i dobishëm për të gjithë e që të garantojë begatinë, sigurinë, mbrojtjen shoqërore e vlerat normale njerëzore.   Prandaj e shkuara me ndihmon mos me ba gabimet e të shkuarës, jo me luftue betejat e të ardhmes për me zgjidhë gabimet e të shkuarës. Qëllimi është gjithnjë që të mos përsëritet e keqja. E që të mos përsëritet e keqja, duhet të mendojmë me dashuri për tjetrin e për veten, të kemi besim tek vetja e tek shqiptari tjetër dhe të mendojmë e të sillemi si duhet, si shtetas e qytetarë të një shtet-kombi modern. Njeriu mund të zhgënjehet në gjithcka, por nuk mund të zhgënjehet tek nëna e vet. E pra, Nëna të vdes e të len jetim e Atdheu nuk të vdes edhe kur ta marrin, ta pushtojnë, ta dhunojnë e ta grabisin sic po ndodh me parinë e Tiranës. Kur të vdes Atdheu, atëherë njeriu vdes përditë e përditë nga pak e me shume dhimbje, sepse Atdheu jemi të gjithë bashkë e gjithsecili në vetminë e vet.

One thought on “PSE MERREM ME POLITIKË? SHTET-KOMBI, BESIMI DHE QËLLIMI IM

Comments are closed.