Home » ANALIZA » VALBONA KARANXHA: NËNSHTRIMI I POPULLIT, KYÇI I TRIUMFIT TË PLUTOKRACISË

VALBONA KARANXHA: NËNSHTRIMI I POPULLIT, KYÇI I TRIUMFIT TË PLUTOKRACISË

Njeriu ka lindur dhe është i destinuar të jetë i lirë, të ketë lumturi, të ketë të drejtën e fjalës, shtypit, tubimit; të ketë lirinë e fesë, besimit shpirtëror, besimit politik; të krijoj organizata, mbledhje politike; të jetoj dhe të punoj në një vend me të drejta të barabarta dhe i njëjtë përpara ligjit.

Në qoftëse këto parime shkelen ateherë individi i nështrohet një grupi politik, fetar, kulti, juntë militare, diktature.  Të gjithë ato organizata, ose sisteme që praktikojnë nënshtrimin e masave për të sunduar, do të gjejnë të gjitha mënyrat  të shtypin ato  me anë të manipulimeve, forcës, violencës, neglizhencës, varfërisë, mungesës së shërbimeve sociale, ekonomike,  shanseve për të qënë i lirë dhe me të drejta të barabarta në shoqëri.

Atje ku mbaron ndjenja e moralit dhe e obligimit të një pushteti ndaj popullit të tij, aty fillon nënshtrimi dhe rrjedhimisht vuajtja e masave. Në krye të Shqipërisë për 23 vjet është këmbëkryqëzuar një klasë e cila ka në dorë pushtetin politik, ligjor, egzekutiv, legjistlativ. Kjo klasë është mjaft e pasur, dhe dukshmërisht funksionon në një sistem  pluralist. Në terma ekonomike, kjo klasë nuk mund të analizohet si klasë e pastër kapitaliste sepse ajo nuk prodhon, nuk shkëmben, nuk beson në shkëmbimin e të mirave materiale, por në grabitjen e tyre.

Sipas ligjeve të shpërndarjes së të mirave materiale, klasa e re plutokratike shqiptare nuk e ka venë kapitalin e mirëfillt në baze të prodhimit apo shërbimeve; në bazë të interesave mbi pronat e vjetra, mbi pasuritë e patundshme; kjo klasë ka para të vëna me anë te vjedhjes së pasurisë së popullit në 23 vjetët e fundit dhe i qarkullon ato me anë të trafikut ose aktiviteteve të paligjshme ku futen edhe shitja e pasurive të popullit ndaj bisnesmenëve, spekullatorëve si brënda ashtu dhe jashtë vendit. Shkurt, kjo klasë është një bandë, një grup njerzish të pasur e cila qeveris një popull prej tre milion duke i kufizuar mundësitë e tij të shkëputet nga ajo.

Në kundërshtim me ligjet bazë të kapitalizmit ku përfitimi që të konsiderohet i pastër vihet  me punë të ndershme minus vlerën a amortizimit, klasa shqiptare plutokratike vetëm mbledh, akumulon pasuri marramëndëse të vëna më mënyra të paligjshme, dhe nuk dedukton asgjë nga pasuria e vet. Paçka se interpretimet e ligjeve të shpërndarjes së pasurisë janë subjektive në këtë rast, është fakt që klasa plutokratike si pakicë ka akumuluar të mirat materiale të shumicës. Ligjet e ndryshimit të sistemit kërkojnë që pasuritë të rishpërndahen pasi ky urdhër është i padrejtë, i gabuar dhe jo-natyror (Bothman). Shoqëria shqiptare ka arritur në një pikë ku duhet të rivendos standarte të reja të drejtësisë shoqërore.

Plutokracia shqiptare qëndron në pushtet prej 23 vjetesh dhe është e grupuar në dy partitë kryesore të vëndit në të cilat aderojnë individë pa bindje politike, ideologjike. Këta individë i kanë dhënë formë legjistlacionit që ky i fundit t’i përgjigjet ambicieve të tyre për pushtet, famë dhe pasuri. Në fjalët e Presidentit Roosevelt, i cili shprehet “ Ligji grin të varfërin dhe i pasuri zotëron ligjin” shumë mund ta konsiderojnë pikpamje socialiste, por në të vërtetë kjo i referohet qëndrimit të Roosevelt-it ndaj klases financiare plutokratike për të cilën ai thekson, që këta nuk mund të sundojnë Amerikën.  Lufta ndaj kësaj klase mundësoi krijimin e shtresës së mesme amerikane. Por në rastin tonë, kjo klasë nuk ka vetëm fuqinë finaciare, ajo ka edhe fuqinë politike dhe  pushtetare e cila e bën sundimin e saj ultimat.

“Frika” e krijimit të një shtrese plutokratike është e lidhur drejt-për-së-drejti me natyrën e saj. Plutokracia nuk është gje tjetër veçse  një demagogji ose manipulim i demokracisë. Studjues të tjerë shkojnë më larg duke e konsideruar atë shfaqje të diktaturës (Niggle 1998). Krijimi i shtresës plutokratike shoqërohet me ndryshime të sistemit demokratik. Këto ndryshime përfshijnë polarizimin e shtresave të shoqërisë, krijim e një shtrese  zotëruese të shoqërisë për të cilën punojnë shtresat e mesme dhe të varfëra. Një nga ndryshimet që sjell krijimi i sistemit plutokratik është mohimi i të drejtave demokratike si keqtrajtimi i grupeve të vogla politike, lënia jashtë votimit të pjesëve të popullatës, shkelje të proçeseve zgjedhore, shkelje të te drejatve njerzore etj (Zafirovsky, 2009).

Të gjithë keto shembuj, këto parime ilustrojnë më së miri faktin se shoqëria shqiptare është ndarë në dy klasa: Një pakicë plutokratike e cila ka akumuluar padrejtësisht pasuritë e popullit ose pasuri të paligjshme; sundon dhe ka pushtetin politik. Klasa tjetër është populli, shumica e të cilit jeton me pagat më të ulta në rajon, për të mos përmendur pensionistët të cilët jetojnë më të ardhura poshtë kufirit të varfërisë.

Plutokracia shqiptare i ka kaluar të gjitha caqet e moralitetit, ndërgjegjes dhe dhimsurisë për popullin, nga konceptet baze të sistemit demokratik. Qëllimi i saj është të kthehet në klasë feudale ku populli është i trajtuar si “serf” dhe asgjë nuk është e tij.

Klasa plutokratike ka një fund, dhe ky fund është i paevitueshem. Gjatë historisë rastet e zëmërimit popullor kanë marrë përpara shumë klasa plutokratike edhe me të egra se kjo që kemi në krye në Shqipëri. Rënia e klasës plutokratike behet me anë te ristrukturimit të sisemit dhe të shoqërisë. Shoqëria shqiptare e ka të domosdoshme të  rindërtohet në mënyrë të tillë që përpara ligjit të gjithë të jenë të barabartë. Nuk kanë qënë të pakta rastet kur asetet financiare janë marrë nga klasat plutokratike dhe rishpërndarë popullit.

Në rastin tonë, ku klasa plutokratike ha popullin e saj është çështje kohe derisa masa qoftë e organizuar apo e pa-organizuar të marrë në dorë ndryshimin e sistemit. Kjo do ndodhë si pasojë e revoltës qytetare dhe mund të transformohet në anarki derisa një apo disa forca të reja politike të shfaqen dhe të drejtojnë popullin. Bazuar në experiencat e mëparshme shancet janë që kjo klasë putokratikë te kthehet në diktaturë ushtarake e cila do ruaj pushtetin me çdo forcë, sepse vullnetarisht leshimi pushtetit nuk ka ngjasa. Anarkia dhe trubullirat politike që parashikohen përpara mund dhe do të shkaktohen vetën nga kjo klasë e cila pa mëdyshje do jetë në mbrojtje më dhëmbë të pushtetit dhe të aseteve financiare.

Deri tani, asgjë nuk mund të parashikohet me saktësi sepse kjo klasë plutokratike ndërron ngjyrat dhe vihet në krye të çdo levizje pakënaqsie ashtu siç ndodhi me levizjen studentore, ashtu siç ndodhi me anarkinë e 97. Tradicionalisht, kjo klasë plutokratike e kap momentin dhe kthen çdo gjë në një rreth vicioz. Por, vetëm populli është ai që do largojë pushtetin e saj, dhe refuzoj drejtimin e saj. Është populli ai që duhet të mbrojë demokracinë duke mbrojtur veten. Në qoftëse shqiptarët nuk e realizojnë dot këtë, ateherë dalja nga rrethi vicioz do jetë e pamundur të paktën për një periudhë të pacaktuar shekullore ose shumëshekullore.

Referencat 

http://books.google.com/books?id=ECaRHJG7tPgC&

http://books.google.com/books?id=E4wUt7H7EIEC

http://books.google.com/books?id=9MpLAAAAYAAJ&

http://books.google.com/books?id=I2fiAAAAMAAJ