Home » ANALIZA » PASHMANGSHMËRIA E GJENDJES DHE ZGJEDHJA E VULLNETSHME

PASHMANGSHMËRIA E GJENDJES DHE ZGJEDHJA E VULLNETSHME

(marre nga libri Perrallat e Tranzicionit Shqiptar, 2012)

Njëri ndër objektivat kryesorë e të pandryshuar të parisë së Tiranës është që gjendja e krizës së thellë morale, shoqërore e të vlerave, në të cilën është mbërthyer shteti e kombi shqiptar, të pranohet si e pashmangshme nga populli shqiptar. Nga ana e saj, por edhe e instrumenteve intelektuale dhe mediatike të kontrolluara prej parisë, kjo gjendje paraqitet si e pashmangshme dhe e paevitueshme, si pasojë e drejtpërdrejtë e rrethanave historike.

Argumenti i tyre, i pandryshuar në thelb por i përsëritur në një mijë e një forma të ndryshme, është se ky ishte “fati” historik i shqiptarëve. Kjo ishte e vetmja rrugë, se nuk kishte mënyrë tjetër që gjërat të mund të shkonin ndryshe dhe se kjo ishte rruga më e mirë e mundshme. Meqë, gjithnjë sipas tyre, nuk kishte rrugë tjetër përveçse që të shkonim në drejtim të ndërtimit të kapitalizmit ekstrem siç paraqitej prej tyre, atëherë të gjitha pasojat që rrjedhin nga kjo përpjekje “për të ndërtuar” kapitalizmin, janë procese të natyrshme e të pashmangshme e duhet të trajtohen si të tilla. Për më tepër, theksohet se populli e bëri zgjidhjen vetë, prandaj duhet të mbyllë gojën e të punojë … për parinë.

Çudia është se një masë dërmuese e shoqërisë shqiptare e ka pranuar këtë argumentim të parisë, të përsëritur me njëmijë mënyra e pa kurrfarë ndërprerjeje, si plotësisht të vlefshëm e të pakontestueshëm. Konsensusi shoqëror është i gjerë. Katër grupimet me peshë në atë shoqëri, që dolën nga sistemi i mëparshëm, katundarët, shtresat e proletarizuara qytetase, inteligjencia dhe paria kanë arritur në këtë bindje e në përfundimin e përbashkët, se kjo rrugëzgjidhje e gjendje ishte e pashmangshme. Kjo bindje është përforcuar me një nivel rezinjate shoqërore, që duket sikur është mbisunduese. Kjo të shtyn që të mendosh për rrugën ku janë duke ecur shqiptarët. Meqë kjo nuk është rruga e duhur, duhet menduar edhe për mundësitë e daljes nga kjo gjendje.

Paria e ka pasur një ide shumë të qartë se si do të ishte e ardhmja. Ndërsa katundarët dhe shtresat e proletarizuara qytetase, nuk ia kanë pasur idenë se çfarë sistemi do të ndërtohej pas vitit 1991, inteligjencia e kishte një ide, ndonëse të turbullt, se si do të ishte e ardhmja. Mirëpo, ky vizion i inteligjencias për të ardhmen që duhej ndërtuar ishte i ushqyer nga sistemi i mëparshëm dhe i kishte rrënjët në interpretimin e kapitalizmit gjatë kohës së sistemit enverist. Premisa bazë e mendësisë së inteligjencias ishte se sistemi që do të ndërtohej do të ishte e kundërta e socializmit, ashtu si u paraqit gjatë sistemit enverist. Pra, ky sistem do të ishte një sistem kapitalist i tipit të Perëndimit të Largët, i monopoleve e karteleve të përshkruara nga Lenini në Imperializmi si faza më e lartë e kapitalizmit, ose në rastin më të mirë, një kapitalizëm si ai që përshkruhej nga Engelsi në Mançesterin e vitit 1844.

Të lidhur ngushtë me një mijë fije me parinë sunduese, pjesa më e spikatur e inteligjencias, intelektualët e kryeqytetit, ishin instrument me rëndësi dhe pjesë e parisë sunduese. Edhe në atë sistem, por veçanërisht fill mbas ndryshimit të rregullave të sistemit, këta synonin që ose të bëheshin pjesë e saj, ose t’i zinin vendin parisë në kontrollin e shtetit. Prandaj, e vetmja shtresë që ishte krejtësisht e qartë, e vetëdijshme për rrugën që po ndiqej, për pasojat që do të kishte shoqëria dhe për fatkeqësitë që do të sillte ecja në atë rrugë, ishte paria sunduese e Tiranës dhe aspirantët për t’u bërë pjesë e saj, “intelektualët e shquar” të kryeqytetit.

Grupimet më kryesore të kësaj shtrese sunduese ishin tre: paria e Bllokut (që ishte edukuar jashtë), profesorati universitar (ajo pjesë që kishte qenë jashtë e që i duhej të dinte se si funksionon sistemi) dhe zyrtarët e shtetit (që duhej të jepnin e të merrnin me botën e jashtme). Këta e kishin një ide të qartë se si funksiononte sistemi që do të vendosej, me të mirat ashtu edhe me të këqijat që do të sillte. Të bijtë e Enver Hoxhës, që kishin studjuar jashtë me vite, mjekët si Sali Berisha që kishin jetuar me vite në botën e huaj, diplomatët apo partiakët si Sofokli Lazri, juristët si Luan Omari apo ekonomistët si Gramoz Pashko e Fatos Nano, fizikanët si Rexhep Mejdani apo matematikanët si Skënder Gjinushi, apo drejtorët e Ndërmarrjes Fruta-Perime, të kthyer në shkrimtarë, si Sabri Godo, e dinin se si funksiononte bota e huaj. Ata që mendonin se kapitalizmi ishte ajo çka jepte RAI, nuk e njihnin gjendjen e nuk dinin si funksiononte bota e huaj. Ata që e besonin RAI-n nuk ishin nga ky grup.

Mirëpo, paradoksi është se realiteti, që të gjithë këto kishin parë në vendet ku kishin qenë në Perëndim, (shumica në Francë, Austri, Suedi, Gjermani, Itali, apo në Zvicër), nuk ishte realiteti i kapitalizmit ekstrem. Në të gjithë këto vende, që gjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë ishin e mbetën shtet-kombe të qëndrueshme, kishte sisteme shoqërore të konsoliduara, shtete të konsoliduara, ekonomi të institucionalizuara e me rradhë. Sistemet e sotme në të gjitha këto vende janë një evoluim i asaj që këto pjestarë të parisë e shumë të tjerë të brezit të mëvonshëm që identifikohen lehtë sepse më vonë dolën si lojtarë me peshë në lojën politike (Genc Pollot e tranzicionit), e kanë parë, e kanë njohur, dhe e kanë ditur që është gjendja reale e shoqërive perëndimore.

Askund, në asnjë vend ku kanë qenë këta individë të parisë, ku secili prej tyre ka kaluar vite jete jashtë vendit, nuk kanë parë një kapitalizëm ekstrem. Prandaj, pyetja që shtrohet këtu është e thjeshtë. Si është e mundur që kur dolën në krye të forcave politike dhe të strukturave shtetërore, apo edhe mbetën në prapaskenë duke mësuar nipat e mbesat, dhëndurët e bashkëfshatarët që të bëjnë politikë, të gjithë këta individë u sollën në mënyrë kriminale? Pse këta individë u turrën të ndërtonin një sistem shoqëror i cili nuk ekziston kurrkund përveçse në mendjen e disa ekstremistëve ideologjikë dhe në mendjen e parisë sunduese në shtetin shqiptar? Pse duhej që të bëhej e të luhej ky eksperiment me shqiptarët?

Përgjigja është e qartë. Çdo gjë që këta e bënë gjatë këtij tranzicioni e bënë mbrapsht, sepse kështu mendonin se do të përfitonin për veten e tyre. Privatizimi me rrënjë i çdo strukture ekonomike e mbrojtjeje shoqërore, shkatërrimi i fabrikave e ndërmarrjeve të ndërtuara me aq sakrifica nga i gjithë populli shqiptar e që ishin pronë e të gjithë popullit shqiptar, rrënimi i shtetit, rrënimi i identitetit, legjitimimi i krimit dhe i poshtërsisë, ngritja në moral e sjelljes së zvetënuar, piramidat, dhe korrupsioni i gjthanshëm, ishin karakteristika themelore të këtij projekti të parisë. Krimet e kryera nga paria e Tiranës, por me shtytjen e inkurajimin e saj janë të përbindshme e lista nuk ka fund. Kujt nuk i kujtohet “çeku i bardhë” i Gramoz Pashkos, thirrjet “kemi bukë vetëm për tre ditë,” të Ylli Bufit, “paratë e popullit janë të pastra” të Sali Berishës, bisedat e Fehmi Abdiut me Fatos Nanon në Rogner, bisedat e Edi Ramës me Mihal Delijorgjin, krimet e Fatmir Mediut, skandalet e pafund të të tjerëve, që për shtatë minuta u bënë milionerë e më radhë? Kujt nuk i kujtohet 1997-ta? Gërdeci? Kujt nuk i kujtohen përmbytjet e Shkodrës, një qytet që mbas përmbytjeve bën edhe karnival(!). Lista e skandaleve nuk ka fund.

Pikënisja e fillimit të gjykimit është se askund në Europën Qëndrore e Lindore nuk u krijua një gjendje kaq monstruoze, në ndjekje të qëllimeve të caktuara, të zbatuara me konseguencë e pa mëshirë, sa kjo që u krijua në shtetin shqiptar. E për këtë nuk ka se si t’iu vihet faji katundarëve apo shtresave të proletarizuara qytetase. Nuk mund t’iu vihet faji as hajnave, as rrugaçëve, as lumpenit të shoqërisë, që, me thënë të drejtën, nga fundi i viteve 1980-të, u shtuan si shumë. Lufta e sistemit enverist ishte që t’i mbante këto shtresa nën kontroll. Mjeti përmes të cilit sistemi synonte t’i kontrollonte ishte nga një anë dhuna e, nga ana tjetër, padija më e thellë. Synimi ishte që këto shtresa të mendonin ashtu si donte paria. Kur erdhi puna që të vepronin, shumë nga këta njerëz u shtynë dhe u motivuan nga urrejtja që kishin. Pavarësisht se veprimet e tyre individuale duken si të motivuara nga interesa të ngushta apo nga interesa personale, në një masë të konsiderueshme, edhe kur kanë prerë hardhitë, kanë mbyllur minierat, kanë vjedhur kapakët e pusetave, tullat e ndërmarrjeve e kanë shkulur dërrasat e bankave të shkollave, këta individë, të të gjithë shtresave, kanë bërë çka iu ka thënë paria e Tiranës hapur, ose përmes rrugaçëve politikë që u bënë instrumentet e parisë, pas Dhjetorit 1990.

Njerëzit i kanë parë dhe i kanë konsideruar këta pjestarë të parisë së Tiranës, pavarësisht nga partia në krye të cilës dolën, asgjë më pak se sa si shpëtimtarë. Kam bindjen se po të ishin treguar më me mend e të sinqertë njerëzit si Gramoz Pashko, Sali Berisha, Sabri Godo e të tjerët, njerëzit e thjeshtë do t’i kishin ndjekur deri në një cak pa hezitimin më të vogël. E ashtu do të ishin ruajtur minierat, vreshtat, fabrikat, uzinat, spitalet, dyqanet e me rradhë, sepse të gjitha këto ishin pasuria e popullit shqiptar e jo e dikujt tjetër.

Mirëpo, siç edhe shihet nga sjellja e tyre konseguente e mbas 1990-tës, këta pjestarë të parisë së Tiranës kishin objektiva të tjera. Ata e kanë ditur mirë se çfarë po bëjnë e se në çfarë rrugë po e fusin kombin e shtetin shqiptar. Ata i kanë marrë vendimet e tyre me një vetëdije të plotë. Ata duan që edhe sot, mbasi po shihet qartë se ky sistem që është krijuar prej tyre ka dështuar plotësisht, ta shesin krimin e tyre si arritje. Anjëri nga këto pjestarë të parisë nuk ka kërkuar falje, nuk ka pranuar gabime, nuk iu ka kërkuar ndjesë shqiptarëve. Mbrojtja më e fortë që këta kanë për sjelljen e tyre është argumenti i pashmangshmërisë së sistemit. Mirëpo ky sistem nuk ishte i pashmangshëm. Ai u vendos me qëllim e është pasojë e politikave konseguente të ndjekura nga paria, e rreshtuar në formacionet politike të dala nga PPSH, e të kontrolluara nga vetë paria e prijatarët kryesorë të saj.

Projekti i tyre afatgjatë ishte i qëllimtë dhe me objektiva të qarta. Synimi i tyre ishte ndërtimi i një kapitalizmi ekstrem, të mbështetur në mendësinë katundare të shumicës dërmuese të popullit shqiptar. Katundarët do të merrnin nga një copë tokë, shtresat e proletarizuara do të kishin një copë pronë të vogël apo dyqan, por monopolet e vërteta të kontrollit të ekonomisë dhe të shtetit do të ishin në duart e tyre. Me kohë, këta do të bëheshin sundimtarët e vërtetë, oligarkët e një sistemi që do të kishte një polarizim të frikshëm ekonomik, shoqëror e politik. Kur të ktheheshin armiqtë e tyre të Luftës së Dytë Botërore, bejlerët, agallarët dhe tregtarët e pasur, nuk do të gjenin asnjë pronë. Ata do të mbesnin pakica e përjetshme, pa forcë ekonomike, dhe kështu do të eleminoheshin si faktor politik. Kështu ata vetë, paria sunduese enveriste, do të mbesnin paria dhe do të integroheshin në borgjezinë ndërkombëtare.

Hedhja jashtë vendit e një million e gjysëm shqiptarëve në emigracion ishte një arritje, por edhe një pengesë e madhe për parinë në përmbushjen e planit të saj. Ishte një arritje e shënuar, sepse këta shqiptarë që dolën jashtë i hodhën të gjithë kursimet e jetës në shtetin shqiptar. Kështu, edhe pse pa të ardhme, ata i kontribuan planit të parisë, duke mbajtur gjallë ekonominë e vendit, që ende mbahet me remitancat e tyre. Por, po kjo masë e jashtëzakonshme e jetëve të sakrifikuara të shqiptarëve, edhe pse faktori kryesor që e mban ekonominë gjallë, është pengesë për planet e parisë. Duke çuar ndihmë të madhe financiare, por edhe duke i mbajtur familjet e tyre gjallë, me bukë e me të mira të tjera materiale, mërgimtarët nuk lejuan skllavërimin e thellë të familjeve të tyre.

Kjo ia prish planet parisë. Shqiptarët më parë vdesin duke pirë kafe e raki me alkool metilik me paratë që sjellin mërgimtarët, se sa të punojnë për parinë për 150 mijë lekë në muaj. Ai që vepron në këtë mënyrë kultivon me shumë kujdes e sistematikisht lidhjet familjare e farefisnore e nuk kontrollohet më lehtë prej parisë. Kjo gjendje mosvarësie e ka thelluar dasinë ndërmjet popullit e parisë dhe ia ka vështirësuar asaj punën. Edhe pse nuk vërehen qartë, strukturat e lidhjeve kulturore në nivel të shoqërisë kanë filluar që të evoluojnë në drejtime të tjera prej interesave të parisë. Paria i ka dashur njerëzit që të jenë të zhveshur nga vlerat, por jo që të jenë krejtësisht të zhveshur.

Mirëpo për sa kohë që askush nuk e konteston kontrollin e tyre oligarkik mbi shtetin, ekonominë, vlerat, e mbi çdo aspekt tjetër të jetës, paria llogarit se mundet që ta tolerojë e ta tejkalojë edhe këtë gjendje. Paria e di shumë mirë që, herët a vonë, mërgimtarët do të shkëputen përfundimisht e do t’i lënë të gjitha kursimet në shtetin shqiptar, në mos tjetër, për të ndjekur fëmijët e tyre. Ata që mbesin në shtetin shqiptar janë më të pazotët, ata që nuk kanë mundur që të ikin e prandaj është më e lehtë për t’i sunduar. Në mendësinë e parisë, skllavërimi i një shoqërie si shoqëria shqiptare, që tashmë është e zhveshur nga vlerat morale e qytetare, është vetëm çështje kohe.

Pse duhen thënë këto gjëra? Këto duhen thënë sepse vënë në dukje nivelin e vetëdijes së parisë dhe përgjegjësinë e saj dhe të inteligjencias që u integrua në të mbas vitit 1990. Në se katundarët e shtresat e proletarizuara qytetase e panë vendosjen e një sistemi kapitalist ekstremist si të pashmangshëm, paria e Tiranës dhe “intelektualët e shquar”, por edhe deri diku inteligjencia e shtresave profesioniste (inxhinierët, mjekët, etj.) e panë këtë ngrehinë kriminale si një sistem që iu shërbente më së miri interesave të tyre. Kështu që, shumica punuan me vetëdije e me ndërgjegje të plotë për vendosjen e një sistemi të tillë kriminal. Pak kush prej tyre u distancua nga kjo ndërmarrje kriminale. Ata që u distancuan nga kjo lojë u mënjanuan nga jeta politike. Por, shumica dërmuese ka përfituar prej këtij sistemi dhe, më e keqja, është se përfitimi ka kenë shumë i madh, i shpejtë dhe i lehtë. Këta profesionistë sot ndjekin interesin e vet të ngushtë dhe e shohin botën përmes kuletës së vet. Prandaj, tashmë, ky sistem iu duket legjitim dhe më i drejti i mundshëm.

Por, nga ana tjetër, edhe pse ka shenja rezistence të fortë shoqërore, paraliza morale e shoqërisë është e thellë dhe e jashtëzakonshme. Por, edhe një herë, duhet theksuar se heshtja sipërfaqësore nuk është aprovim. Duhen kuptuar edhe shkaqet e kësaj heshtjeje kolektive që nuk është gjithnjë e vetëdijshme, por që vjen si rezultat i presioneve të shumta politike, ekonomike dhe shoqërore, kryesisht nga paria dhe nga mjetet e saj të propagandës e të presionit të rrugës. Nuk është se njerëzit normalë, ata që janë përjashta strukturës së parisë, nuk e dinë se çka po ndodh. Mirëpo, as edhe një njeri nuk po guxon me e hedhë gurin e fajit mbi parinë. Edhe kur e hedhin, janë aq të përlyer sa që sjellja e tyre lehtësisht interpretohet si hakmarrje personale. Kështu që, argumentet e tyre, edhe kur janë të drejta, zhvlerësohen.

Arsyeja duhet kërkuar tek fakti se thuajse të gjithë pjestarët e shtresës së inteligjencias së kryeqytetit, ‘intelektualët e shquar,’ një pjesë e profesoratit universitar dhe ushtruesit e profesioneve, janë bërë pjesë e këtij krimi, sepse thuajse që të gjithë ose kanë përfituar shuma e pasuri përrallore për një kohë të shkurtër, ose jetojnë në një nivel të lakmueshëm prej këtij krimi. Kjo është jeta e tyre e përditshme, ata e kanë pranuar këtë sjellje si normale, e shumë prej tyre sot nuk shohin më rrugë të tjera.

Mbi të gjitha, ata e shohin të ardhmen e tyre financiare, ekonomike, e materiale të lidhur pazgjidhshmërisht me vazhdimësinë e këtij krimi. Nuk ka rëndësi nga vijnë paratë e kush i sjell. Profesori që jep mësim në tre universitete, ndërkohë që edhe as vetë nuk din se çfarë po jep mësim, inxhinjeri që ka firmën e ndërtimit që ndërton një pallat që nuk i reziston një kallëpi me dinamit, burokrati që ka blerë koncesionin për hidrocentralin e vogël të një katundi të humbur, nëpunësi që ka falsifikuar letrat në kadastër, shitësja që ka privatizuar dyqanin, mjeku që të lë të vdesësh sepse ka hapur klinikën private e kërkon që të shkosh në të, infermierja që nuk të bën gjilpërën pa lekë, katundari që i ka vjedhur tokën tjetrit, por që për të mbrojtur tokën e vet të vret pa mëshirë, analisti që paguhet mijëra euro në muaj për të thënë budallallëqe edhe pse e di mirë se sa pa lidhje po flet, kontrabandisti që shet drogën e Lazaratit e të gjysmës së zonave malore të vendit, trafikantët e femrave dhe miqtë e tyre që marrin rushfetet, vrasësit me pagesë që shohin se ka rënë çmimi nga konkurrenca, shitësit e makinave të vjedhura, importuesit e grurit të shplarë me lloj-lloj gjërash, të hekurit me radioaktivitet, të pulave që duhet të groposeshin, të ushqimeve e të mishit të prishur e shumë e shumë të tjerë si këta, të gjithë janë pjesë e këtij krimi shoqëror. Të gjithë e dinë çka po ndodh, të gjithë e dinë se çka po bën tjetri, dhe asnjëri nuk po flet. Prandaj, e gjithë shoqëria është e kriminalizuar fund e krye dhe gjithkush është pjesë e këtij krimi. E nuk duhej të ishte kështu. Kjo nuk ishte e paevitueshme. Por, ja që këta jemi dhe, në krahasim me shtetet normale, jemi me u pasë frikë.

Mirëpo, petku i pashmangshmërisë nuk e mbulon dot përgjegjësinë e thellë morale të parisë e të veglave të saj. Ajo që ka ndodhur në shtetin shqiptar është e përbindshme, sepse ky është një krim që është bërë me vetëdije të plotë, me ndërgjegje të plotë. Ky është një krim, që nuk mund të falet e që nuk mund të kalohet kaq lehtë e pa zhurmë, siç mendon dhe siç shpreson paria që të ndodhë. Gjithçka që ka ndodhur, është bërë me vetëdije të plotë. Edhe më keq, gjithçka që po ndodh edhe tash që u janë hapur sytë të gjithëve, po ndodh me vetëdije të plotë e pa pikë vrasjeje të ndërgjegjes. Edhe nëse atëherë nuk kanë ditur gjë, askush nuk mund ta thotë më një gjë të tillë. Sot po veprohet me ndërgjegje. Sot po ecet me ndërgjegje në rrugën e krimit.

Një krim, që bëhet me ndërgjegje të plotë, duhet dënuar pa hezitimin më të vogël. Në mos tjetër, duhet dënuar para historisë. Dhe ky krim, që është kryer gjatë këtyre 20 viteve, nuk duhet lënë të kalojë si kurrgja hiç. Nuk duhej të ndodhte kështu, nuk kishte pse të ndodhte kështu. Por, përgjegjësia për këtë krim të përbindshëm është e parisë sunduese, të organizuar në të gjitha partitë politike e në strukturat që ajo ka ngritur, për të përjetësuar këtë sistem që po lë pasoja, të cilat po përkeqësohen me shpejtësi marramendëse.