Home » ANALIZA » GRID RROJI: PA ASNJË DYZIM: NË VEND TË ARGUMENTIT PËRMBYLLËS

GRID RROJI: PA ASNJË DYZIM: NË VEND TË ARGUMENTIT PËRMBYLLËS

Në një postim në internet këto ditë një mik, megjithëse kishte shprehur më parë mbështetje për shkrimet pro votës me kryq, shprehte disa dyshime mbi pragmaticitetin e nismës, ose thënë popullorshe sa “me këmbë në tokë” mund të jetë një nismë e tillë në Shqipëri.

Është normale që me përfundimin e fushatës shumëkush ndjehet i pasigurtë në përzgjedhjet e veta, sidomos po të marrim parasysh sa e koklavitur është skena politike shqiptare dhe sa është munduar politika t’i ngatërrojë njerëzit e ndershëm si miku im. Unë mbetem i bindur se ndarja nga e keqja është një rrugë e cila kalon nga shkëputja nga të dyja palët e saj sido që mund t’a perceptojmë për arsye sentimentale ndonjërën prej tyre.

Disa nga kritikat miqësore të mikut tim përfshinin “arrogancën” e votëkryqtarëve e cila i vendos të gjithë pro ose kundër parisë, mungesën e realizmit politik të shëndoshë (duke bërë një diferencim me atë kriminal të Metës), si dhe mosvërtetësinë e barazimit midis Berishës dhe Ramës. Ky i fundit dukej se ishte argumenti bosht i shkrimit sepse pyetjeve nëse Berisha dhe Rama janë sjellë njëlloj në të dhjeta rastet e paraqitura miku im u përgjigjej se kishte diferencë, dhe në rastin e korrupsionit për Ramën thuhej “nuk e dimë”. Me pak fjalë, në mënyrë të tërthortë argumenti kërkonte që njerëzit të mbyllnin hundën dhe të votojnë “të paprovuarin”.

Duke qenë se kësaj fushate bombastike por edhe të turpshme po i vjen fundi, mendoj se është koha për të bërë një bilanc të fundit parazgjedhor të situatës. Sigurisht që argumentat që do përdor përfaqësojnë vetëm mendimin tim personal dhe jo domosdoshmërisht të të gjithë atyre që me aq pasion e mbështetën nismën “voto nderin, veri kryqin votës”. Për t’a thënë thjesht unë nuk besoj se opozita propozon një projekt ndryshimi apo ndërgjegjësimi, por thënë me fjalët e një mbështetësi të saj blogist “na ofron ndërrim fytyrash”. Ky ndërrim nuk premton asgjë të përkorë sidomos po të marrim parasysh se shumica e atyre që do qeverisin nuk e kanë për herë të parë pushtetin. Meqenëse pushteti i Berishës është tashmë i pavotueshëm nga të gjithë aspektet zgjedhja e vetme për të ruajtur nderin është vota me kryq.

Së pari, nuk ka arrogancë tek asnjëri nga propozuesit e votës me kryq. Këtë e tregon fakti që disa herë, ne kemi bërë thirrje që njerëzit e pakapur nga paria të shikojnë vërdallë e të gjejnë një forcë që mund t’i përfaqësojë, e vetëm nëse nuk e gjejnë ti venë kryqin votës.

Unë personalisht pata shpresë se ajo forcë do të ishte AK-ja. Shumëkush cektësisht e intepretoi këtë si dëshirë time për t’u kandiduar me këtë forcë, të shtyrë edhe nga qarqe të lidhura me qeverinë në Tiranë. E vërteta është ndryshe.

Aleanca Kuqezi përfaqësoi për një periudhë jo të shkurtër kohe shpresën se më në fund Shqipëria do t’i bashkohej kombeve të tjera të zhvilluara dhe do të kishte një parti e cila do të krijonte një sistem ndryshe, të bazuar në shtetin komb dhe ku të gjitha forcat të punonin brenda kufijve të përcaktuar nga shteti, për t’I shërbyer interesit kombëtar. Ndërsa një ide e tillë ishte utopi për shumëkënd, AK-ja arriti që t’a bëjë këtë jo vetëm të pranueshme por gjeti një entuziazëm të papritur. Në vazhdën e këtij entuziazmi, Forumi Shqiptaro Amerikan për Demokraci që unë drejtoj i bëri ftesë Kreshnik Spahiut për të shpalosur idetë e veta në NY.  Ky vendim, i shqyrtuar së bashku me të gjithë miqtë e tjerë drejtues të Forumit, u mor për të krijuar hapësirën e nevojshme që këto ide të përhapeshin. Së bashku me Universitetin NYU ku unë punoj, dhe drejtorin e programit të masterit Prof. Shenasi Rama, u mundësua që z.Spahiu të kryente një takim akademik.  Kjo ishte mundësia e artë e Spahiut për t’u faktorizuar si njeri e peshë në hapësirën ideologjike shqiptare. Mirëpo nga shumë anë, daljet e Spahiut në Nju Jork u kritikuan si të cekta, apo demagogji dylekëshe, ndërsa qershia mbi tortë ishte abuzimi me përkthimin e çertifikatës së nderit që mori nga lagjia e Manhatanit, gjë me të cilën ne si Forum nuk kishim asnjë lidhje. Më tej, vazhdimësia e veprimit politik të AK-së nuk le shije të mirë, edhe pse mbetet për t’u provuar vlera e saj reale në elektorat. Gjithsesi, unë nuk mund të gjej mjaft arsye për të votuar AK-në këtë herë. Në mungesë të një alternative tjetër, vota me kryq është e vetmja që shpreh protestën duke ruajtur nderin.

Së dyti, nisma duket si jo realiste nga pikëpamja e atyre të cilët si miku im “i kanë mbi shpinë përditë xhelatët e qeverisë aktuale”. Në fillim, nuk mendoj se zgjedha nën të cilën janë shqiptarët i përket vetëm qeverisë aktuale, por është një fenomen shumë më i zgjeruar në kohë. Një qeverisje të ngjashme ja kanë varur shqiptarëve socialistët nga 1997-2005. Ashtu si sot kapja e shtetit ishte totale. Në 2000-ën PS-ja kishte 85 deputetë(shumë nga të cilët kandidatë të sigurtë sot), kishte ligjëruar Dushkun, kishte kryetar të KQZ-së Celibashin (sot kandidat deputet i Rilindjes), terrorizonte opozitën si fizikisht me anë të Pjerin Ndreut(një tjetër kandidat rilindas) por edhe ideologjikisht duke financuar FDR-në e Genc Pollos(ky i fundit i rikthyer në vathën e Saliut).  Unë për vete shoh shumë analogji me tetë vjetët e kaluar dhe me rrugën e përshkuar nga palët e parisë. Në qoftë se Nano kishte Otranton dhe trafikun e femrave me gomone, Saliu ka Gërdecin dhe 21 Janarin. Lazaratin e kanë bashkë sepse asnjëri nuk ndërhyri në republikën autonome të Cannabis Sativas. Mirëpo Rama nuk ishte në Hënë gjatë këtyre viteve. Si aleat i ngushtë i Ilir Metës ai nuk u shpreh për cënimin e dhunshëm të zgjedhjeve të 2001 dhe 2003 ashtu siç bënë vëzhguesit ndërkombëtarë. Ai nuk u shpreh as për cënimin e standartit të zgjedhjeve të 2005-ës (kur formalisht kishte lënë Metën dhe ishte me Nanon) sepse përfitoi kryetarllëkun e Partisë Socialiste. Më tej, modeli i tij në Bashkinë e Tiranës ishte modeli i krimit ekonomik por edhe më tej. Të gjithë e njohin Tan Lepurin i cili sot ka ndërruar këmishë dhe është bërë blu. Sot Edi Rama ka në lista të paktën dhjetë njerëz me precedentë penalë që nuk marrin dot viza (për ironi një numër të ngjashëm ka edhe Saliu). Berisha ndan bashkëautorësinë me Ramën për degjenerimin e sistemit në autokraci oligarko hajnore pas ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës, gjë që u kërkua për të defaktorizuar Metën. Kjo dëshmon se Rama nuk kërkon standarte demokratike e zhvillim kombëtar, por kërkon të fitojë e t’a shfrytëzojë vetë pushtetin autokratik që i jep sistemi. Po ashtu, gjatë kësaj fushate, pa folur për Metëkoalicionin, Rama nuk ka propozuar asnjë ndryshim rrënjësor të sistemit po na ka sjellë të përkthyera broshurat e Toni Blerit me ngjyrë vjollcë.  Dhe duhet të mos harrojmë se Gërdecin e ka bashkë me Saliun, siç dëshmon rrahja e shpatullave në spital në krah të Erion Braçes në ditën e tragjedisë dhe tabulatet e telefonatave, të cilat shumë militantë i kanë fshirë tashmë nga kujtesa e tyre selektive. Kësisoj, argumenti i “të paprovuarit” nuk pi ujë.

Mirëpo, ka një argument të vlefshëm i cili na thotë se heqja e Saliut është e mira që mund të përftohet nga këto zgjedhje dhe të paktën në këtë këndvështrim rotacioni është një gjë e mirë. Kjo është në rastin më të mirë naivitet, dhe në rastin më të keq propagandë. Saliu vetëm se forcohet nga fitorja e ngushtë e Rametës që po përvijohet. Në rastin më të keq për të ai del në opozitë i fortë, duke sulmuar iksin e ypsilonin që “ja morrën zgjedhjet me hile” dhe vazhdon i qetë aktivitetin e vet si mbret i partisë së tij familjare. Dhe një fitore e PS-së me Tom Doshin, Paulin Sterkajn, Fidel Yllin dhe Anastas Angjelin nuk më jep shumë shpresë për ndryshim kursi. Raportet e korrupsionit të viteve 2001-05 dhe 2009-13 ngajsojnë si pika uji.

Sipas meje, paria është produkt i ndarjes së munguar me të kaluarën dhe mungesës së ideologjie kombëtare në politikën shqiptare gjatë këtyre 23 viteve, dhe jo pasojë vetëm e pranisë së Sali Berishës në politikë. Pa Saliun ka pari, pa parinë nuk ka Salizëm. Ndaj dhe mendoj se teoria e “heqjes së të keqes më të madhe” është pseudo-teori.

Së treti, krahasimi midis Ramës dhe Berishës nuk mund të bëhet në boshësi. Është e vërtetë që Berisha e ka dominuar sistemin këto 23 vjet duke kapur institucionet e kryer shumë veprime të tjera të dënueshme, por edhe Rama nuk ka qenë pa pushtet. Madje, Rama ka qenë ministër në pushtet kur Berisha sillej rrugëve të Europës me kaseta dhe nxirrte dyqind vetë në shesh për të mbajtur gjallë frymën e partisë. Sjellja e ardhshme e një politikani nuk mund të paragjykohet, por mund të gjykojmë nga ato që ka bërë në të kaluarën. Ndërsa nuk mund të ketë më dyshime mbi pushtetin kriminal të Berishës, Rama nuk ka lënë pas ndonjë gjurmë të mirë, e kësisoj nuk ka arsye t’i besojmë se do ndryshojë këtë herë. Koalicioni me Ilir Metën, listat me oligarkë dhe fushata e dobët që kreu nuk lenë vend për shumë shpresë. Megjithatë, e mirëkuptoj mikun tim që e kërkon me ngulm shpresën tek Edi Rama, çdokush e ka një mundësi teorike të ndërrojë rrugë. Unë mbetem i bindur për votën me kryq.

Në vend të përfundimit, dëshiroj të përmbledh përshtypjet e mia mbi këto zgjedhje. Fushata që po mbaron nuk i ka shtuar ndonjë vlerë përzgjedhjes zgjedhore të 23 Qershorit. Palët janë sjellë ashtu si pritej. Unë nuk ndjehem aspak i dyzuar në zgjedhjen time për t’i vënë kryqin votës. Përkundrazi jam më i bindur se kurrë se kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtur nderin.  Sali Berisha dhe Edi Rama, por edhe  kontrolluesit e tyre në hije nuk meritojnë në gjykimin tim asnjë gram besim. Ky sistem është vdekjeprurës për të ardhmen e shqiptarëve dhe duhen gjetur mënyra sa më demokratike për t’a zhbërë nga rrënjët dhe për të rivendosur vullnetin e popullit. Ndoshta kjo do të duhet të bëhemi më keq përpara se të bëhemi më mirë, po mua nuk më interesojnë shumë lojërat e brendshme të parisë. Ata në fund merren vesh me njëri tjetrin, faturën na e lenë ne. Përplasja që po përvijohet do të jetë fatura për shqiptarët edhe këtë herë.

Ndryshimi që kërkohet nuk është rotacion mes hajnash, por ndërgjegjësim kombëtar. Në lojë janë jo vetëm fatet e mbështetësve të disa partive dhe pasiguritë e atyre që urrejnë Saliun, por e ardhmja e shqiptarëve si popull. Ndaj edhe nuk kam asnjë dyshim se efekti i votës me kryq do ndjehet, në mos ditën e votimeve në javët dhe muajt në vazhdim. Paria e ndjen humbjen e legjitimitetit, na mbetet vetëm t’ja faktojmë atë me veprimin tonë. Shpresoj shumë që përplasja që po vjen të mbetet brenda kornizës demokratike.

Në fund, unë ndjehem i lirë dhe nuk kam qëllime personale përtej thënies të së vërtetës sipas gjykimit tim. Deri sa të më jepet mundësia do vazhdoj t’i shpreh mendimet e mia qartë dhe pa frikë, cilatdo qofshin pasojat. Politika ështe profesioni dhe pasioni im si studjues i saj, por nuk e kam aspak të nevojshme të merrem me politikë me çdo kusht. Unë do të mbështes çdo forcë politike që mund të lindë nga vota me kryq me kusht që të ketë për synim bazë dhe të patjetërsueshëm vendosjen e demokracisë, ndërtimin e shtetit komb, zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe ndarjen nga sistemi i parisë. Sepse unë nuk kam dyzime, do të votoj nderin dhe do t’i vendos kryq votës.

One thought on “GRID RROJI: PA ASNJË DYZIM: NË VEND TË ARGUMENTIT PËRMBYLLËS

  1. Pingback: Pa Asnjë Dyzim – Grid Rroji | instinkt

Comments are closed.