Home » ANALIZA » GRID RROJI: SARAMAGO, NGREHINA PROPAGANDISTIKE DHE VOTA ME KRYQ

GRID RROJI: SARAMAGO, NGREHINA PROPAGANDISTIKE DHE VOTA ME KRYQ

Siç e kisha parashikuar në një shkrim të mëparshëm (http://www.fshad.com/7/post/2013/06/jan-shqetsuar.html) në këto ditë të fundit të fushatës zgjedhore kemi hyrë në fazën e tretë të reagimit të palëve të parisë së Tiranës ndaj nismës së votës me kryq. Vetëm në dy tre ditët e fundit ka patur reagime në pothuaj të gjitha mediat nga Piro Misha, Çapajev Gjokutaj, Denar Biba, Edison Ypi, Skënder Demalia, Pëllumb Kulla, etj. pa përmendur faktin që kryebashkiaku “përherë i qeshur” demokrat i Tiranës ka bërë spot televiziv kundër bojkotit. Disa nga argumentat kanë qenë qesharakë, si për shembull “këta janë spiunët e Berishës”. Por, disa të tjerë janë rrekur t’a justifikojnë kundërshtinë e tyre me nismën, edhe pse shprehen dakort me premisat e saj. Nga të gjitha anët ndjehet një lloj frustracioni me suksesin e kësaj nisme, e cila me sa duket e ka goditur shumë më tepër se numerikisht parinë.  Thënë thjesht, vota me kryq përveç të tjerave, rrëzon ngrehinën ideologjike me të cilën paria i ka rrethuar shqiptarët. Duke i vënë kryqin votës,  shqiptarët dalin nga mendësia e burgut në të cilën preferon ti mbajë paria e Tiranës.

Argumentat për të votuar nderin dhe për t’i vënë kryq votës janë shtjelluar gjerë e gjatë në Rrethin e Ferrit dhe nuk dua t’i përsëris rishtaz. Por, duke marrë shkas nga një përsiatje e z. Gjokutaj mbi nobelistin Zhuze De Souza Saramago, në këtë shkrim dëshiroj të ndalem tek aspekti propagandistik i projektit sundues të parisë, për shkak se ai përbën një shtyllë qendrore të tij. Është pikërisht lëkundja e një pike qendrore si modeli ideologjik, i cili mendohej si i pathyeshëm duke marrë parasysh kontrollin e plotë mbi mjetet e shpërndarjes së informacionit,  që e ka shqetësuar parinë.

Në veçanti, argumenti kundër votës me kryq i z. Gjokutaj, një njeri i letrave dhe ish drejtor i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur të Xhorxh Sorosit, mbështetej në refuzimin e paralelit të bërë nga Fatos Lubonja midis Esesë mbi Kthjelltësinë e Saramagos dhe realitetit shqiptar.

Ndonëse nuk jam kritik letrar por vetëm dashamirës i letërsisë, e njoh veprën e Saramagos si dhe veprimtarinë e tij politike aq sa për të patur një tablo të qartë të botës së tij alegorike. Së pari, argumenti se realiteti i Saramagos është alegori letrare dhe si e tillë nuk mund të jetë i krahasueshëm me jetën reale është i dobët logjikisht. Është e ditur se shkrimtarët që kanë jetuar në sisteme autoritare e diktatoriale, si Saramago i cili u lind dhe u rrit nën një diktaturë fashiste, janë tejet të prirur t’a gjejnë shkrehjen e tyre shpirtërore tek alegoritë dhe mitologjia e të shkuarës apo bota fantastike e të ardhmes. Nuk besoj se z. Gjokutaj ka dashur të nënkuptojë se tek Kështjella e Kadaresë për shembull nuk gjinden elemente thelbësore të një Shqipërie ku “punohej, jetohej dhe mësohej si në rrethim”. Nga ky pikëvështrim, “Verbëria” dhe “Kthjelltësia” e Saramagos janë prototipe të një shoqërie e cila  sundohet jo vetëm nga forca e autokracisë, por edhe nga fuqia e propagandës shoqëruese. Propaganda ka rol kryesor në krijimin e mendësisë së burgut, e cila më pas garanton pranimin e realitetit si të pandryshueshëm. Këtu lind krahasimi me gjendjen aktuale të shqiptarëve të cilët jetojnë në një botë pa shtet të mirëfilltë, ku sundon krimi, ku i aftë është xhambazi dhe matrapazi dhe ku propaganda e parisë të thotë se ky është realiteti i pandryshueshëm. Pra, realiteti shqiptar thjesht ka shumë ngjashmëri me “alegorinë” e Saramagos.

Së dyti, “Eseja mbi Kthjelltësinë” i përket periudhës së “ekzilit” kur Saramagoja me vullnetin e vet ishte zhvendosur në ishujt Kanarie. Vetëekzili nga 92-shi deri në vdekjen e autorit, ishte një mënyrë proteste ndaj qeverisë për shkak të refuzimit të përfshirjes së veprës së tij “Bibla sipas Jezu Krishtit” në një konkurs letrar. Sipas burimeve mediatike të kohës, pas trysnisë së Vatikanit qeveria portugeze (asokohe e zgjedhur demokratikisht) e kishte hequr librin nga lista e kandidatëve duke e  konsideruar si blasfemi.

Pra, “Kthjelltësia” është e shkruar jo më nga një revolucionar Stalinist siç konsiderohej Saramagoja i viteve 70të, por nga një mendimtar tejet skeptik për kontrollin e hekurt të lirisë njerëzore në demokraci me anë të mjeteve propagandistike. Së bashku me Esenë mbi Verbërinë kjo vepër ngjan më tepër me një pozicionim filozofik që shkon përtej vlerave letrare. Sipas biografit dhe mikut të tij Antonio Zhoze Borges “qëllimi i Saramagos në këto romane është krijimi i një debati mirëfilli intelektual dhe racional mbi disa ideologji të cilat shoqëria i ka pranuar verbërisht” (Jose` Saramago: Da Cegueira a Lucidez, Zefiro 2010). Pra, Saramago nuk mjaftohet me kritikën ndaj diktatorit Salazar, i cili sundonte me dorë të hekurt Portugalinë fashiste, dhe as mjaftohet me kritikën ndaj fashizmit si sistem. Ai shkon edhe më thellë duke kritikuar mekanizmat që mundësojnë autoritarizmin dhe në veçanti rolin kyç të makinës propagandistike. Edhe këtu nuk është e vështirë të identifikohet paralelizmi me parinë e Tiranës, e cila ndjek një vijë të qartë e të përbashkët ideologjike që përshkohet nga urrejtja për shqiptarët dhe mitizimi i materiales deri në absurditet. Ashtu si në absurdin alegorik të Saramagos, paria e Tiranës kontrollon me shumë zell dhe përpikmëri mullirin ideologjik dhe prodhimet që dalin nga ai. Sigurisht që për hir të “pluralizmit të mendimit” herëpashere lejohen edhe opinione jashtë kornizës ideologjike, por këto etiketohen menjëherë si “naive”, “të parealizueshme” dhe “të dëmshme për zhvillimin demokratik”. Ironikisht këto janë pikërisht argumentet që po përdoren kundër votës me kryq. Ndaj edhe mendoj se në tërësi premisat që përcjell z. Gjokutaj nuk vlejnë për të zhvlerësuar votën me kryq.

Nisma e votës me kryq rrjedh nga një analizë shoqërore që identifikon një mur ideologjik shtrëngues të ndërtuar prej parisë. Muri shtrëngues jo vetëm i garanton asaj sundimin, por edhe po jam merr frymën qytetarit shqiptar duke i mohuar lirinë reale të shprehjes. Ky instrument bllokues ka garantuar që zgjidhjet e vetme të ofruara apo të konsideruara si të pranueshme të dalin nga zyrat përpunuese të propagandës së parisë apo hijet që i kontrollojnë ato. Në këtë këndvështrim, kanë ndryshuar ngjyrat e kostumeve të pushtetit por sistemi i kontrollit ka mbetur i njejtë. Ndaj edhe rotacioni i propaganduar me aq forcë nga pala e parisë që është në opozitë sot është thellësisht i pamjaftueshëm. Siç shprehej Shenasi Rama, rolet do të ndryshojnë pas zgjedhjeve dhe pushtetarët e kthyer në opozitarë do të flasin për autokraci, mungesë lirie dhe nevojë për rotacion, ndërsa Rilindësit vjollcë do të zgjohen befas ithtarë të vazhdimësisë së pushtetit.

Me anë të murit bllokues ideologjik, të cilin disa e quajnë “integrimi euro-atlantik” e disa të tjerë “zhvillim me faza i kapitalizmit”, paria i ka mbyllur të gjitha shtigjet e lirisë të cilat favorizojnë qarkullimin e elitave por edhe ndërtimin e një shteti në shërbim të kombit dhe qytetarëve. Shteti i konsoliduar nuk i shërben asnjërës palë sepse do t’i detyronte të modifikonin thellësisht sjelljen. Mirëpo, duke qenë se arsyeja e vetme pse ata kërkojnë pushtet është pasurimi në kurriz të shqiptarëve, me ndërtimin e shtetit atyre nuk u del llogaria. Ndaj edhe premtimet zgjedhore janë tashmë objekt barsaletash dhe kanë humbur çdo besueshmëri.

Për t’a thënë thjesht, sundimi dhjetëra vjeçar i parisë së Tiranës e ka themelin tek ngrehina e mbyllur ideologjike të cilën nuk kanë patur guximin t’a sfidojnë as intelektualët e dalë nga regjimi hoxhian, as media dhe as shoqëria civile. Me anë të këtij burgu ideologjik, paria ja ka dalë derimësot të kontrollojë të gjitha hullitë e shoqërisë duke e drejtuar atë drejt zvetënimit moral, cubërisë politike dhe kriminalizimit të tejskajshëm. Paria ja ka arritur të krijojë mendësinë e burgut nga i cili askush nuk pret që të dalë. Kjo është arsyeja pse krahasimi me botën oruelliane të Saramagos jo vetëm që është i përpiktë por edhe shumë aktual.

Mesazhi i parisë kundër votës me kryq me gjasë do të intensifikohet ndjeshëm në dyzet e tetë orët e ardhshme. Arsyeja është e thjeshtë. Vota me kryq mund të duket në planin e cekët si një nismë utopike dhe e parealizueshme. E vërteta që dëshmojnë reagimet e ethta të kanakarëve të parisë është se ajo rrezikon monopolin e tyre propagandistik, pa të cilin ngrehina e tyre sunduese nuk qëndron dot në këmbë. Ndaj edhe duhet votuar nderi, i duhet vënë kryq votës. Duhet një fillim i ri.

3 thoughts on “GRID RROJI: SARAMAGO, NGREHINA PROPAGANDISTIKE DHE VOTA ME KRYQ

  1. Pingback: Saramago, ngrehina propagandistike dhe vota me kryq – Grid Rroji | instinkt

Comments are closed.