Home » ANALIZA » THIRRJA PËR BOJKOTIMIN E ZGJEDHJEVE: RIVLERËSIMI I NJË NISME QYTETARE – I

THIRRJA PËR BOJKOTIMIN E ZGJEDHJEVE: RIVLERËSIMI I NJË NISME QYTETARE – I

Ndryshe nga zgjedhjet kuvendore të viteve të mëparshme, në zgjedhjet kuvendore të vitit 2013, thirrja për bojkotimin e zgjedhjeve fitoi një masivizim të dukshëm e disi të papritur. Kësaj here, në mbështetje të thirrjes për bojkot, dhe të përpjekjes për delegjitimimin dhe mospranimin e sistemit doli një grup shumë cilësor e me emër të njohur analistësh, profesionistësh, dhe aktivistësh të shoqërisë civile. Duke filluar me inisiativën e tyre, në mënyrë sporadike, dhe duke qënë e pranishme në media, si në internet ashtu edhe në shtypin e përditshëm dhe në emisionet e ndryshme në radio apo në televizion, kjo nismë e njohur me shumë emra të ndryshëm si  “Vota e Bardhë”, “Anti” “Futi Vizë Votës,” Vëri Kryqin Votës” apo “Grise Votën” u bë njëra nga cështjet kryesore të fushatës.

Sic u evidentua nga deklarimet tejet të ashpra e shumë të shqetësuara të politikanëve kryesorë, që nga thirrjet e hapura të Sali Berishës, Edvin Ramës dhe Ilir Metës kundër bojkotimit, ky ishte një shqetësim jo i vogël për ta. Si edhe u pa nga përpjekjet intensive të aktivistëve politikë në terren, por edhe nga debatet e nxehta në shtyp dhe nga qëndrimet e marruna nga qytetarë me influence të një spektri të gjerë, inisiativa për bojkotimin e zgjedhjeve përbënte njërin nga shqetësimet më kryesore të politikës por edhe të politikanëve të Tiranës.

Me mbarimin e zgjedhjeve dhe me fitoren e koalicionit të drejtuar nga Edvin Rama dhe Ilir Meta, thirrja për bojkot u trajtua ex post facto si një thirrje absurde. Njerëz nga të gjitha shtresat dhe nivelet filluan të sulmojnë e të godasin thirrjen për bojkot dhe ata që e mbështetën si njerëz që nuk kuptojnë se cka ndodh në shtetin shqiptar.  Sepse u tha, “ju nuk dini se cka ndodh,” “nuk ja keni idenë gjendjes”, “shihni mbështetjen popullore”, “këta jemi ne,” “me ju jemi, por kësaj here le të heqim Berishën”, “ju flisni kot e më kot,” “po imitoni librat e trillanit Saramago”, “rrotacioni, rrotacioni”, “Kush nuk voton, nuk ka të drejtë të flaës”, “po nuk votove nuk ke të drejtë të kërkosh llogari”,   “le të marrin njerëzit thesin e miellit e mandej të bëjnë c’të duan”, “Unë dua Edi Ramën”, “unë do votoj Sali Berishën”, “hajde bëni politikë apo nuk ua mban e nuk jeni të zotët”, “nuk funksionon kjo tek ne”,  dhe me radhë. Edhe pse titujt, gradat shkencore dhe emri i atyre që flisnin ishin dhe janë me shumë peshë në Tiranë, argumente të tjera të këtij lloji e të këtij niveli, janë të përshtatshme për mësuesit e punës me dru e të letërsisë në zonat e thella. Aq e fortë ishte përpjekja kundër thirrjes për bojkot sa në kontekstin e politikës së Tiranës u duk dhe u paraqit se ishte krejtësisht e paarsyeshme, një marri politike, aventurë mediatike dhe nevojë e dikujt për tu dukur ndryshe apo që shfrynte mllefet e vjetra si ai që ka inate me vjehrrën e prandaj thyen pjatat e shtëpisë, cka i ndodh të paktën një herë në muaj njërit nga ata që e kundërshtuan thirrjen për bojkot.

Përtej aspektit të trajtimit naiv e thjesht utilitar të rezervuar nga paria e Tiranës, këtu shtrohen pesë pyetje që duan përgjigje. Së pari, kush ishin dhe nga vijnë njerëzit që bënë thirrje për bojkot? Së dyti, a ka një bazë teorike që e justifikon një qëndrim të tillë politik? Së treti, pse bojkoti ishte një problem kaq i madh për parinë e Tiranës? Së katërti, a ishte efektive kjo nismë qytetare? Së pesti, cka duhet bërë tani që mbaruan zgjedhjet? Në këtë shkrim do të mundohem që t’u jap përgjigje këtyre pyetjeve. Natyrsiht në këtë shkrim do të mundohem të flas kryesisht për vete dhe qëndrimin e kolegëve të mi të Blogut Rrethi i Ferrit. Mirëpo kjo temë ka një rëndësi të madhe për të ardhmen tonë dhe prandaj meriton vëmendje e një vazhdim të debatit edhe në të ardhmen.

Thirrja për Bojkot: Evoluimi I Një Nisme Qytetare

Në shtetin shqiptar ka paradokse politike dhe sjellje të shoqërisë civile që shpjegohen me manipulimin e kontrollin e individëve dhe të formacioneve të caktuara nga paria, nga segmente të interesuara të huaja, e nga struktura që kanë agjenda ideologjike e të tjera. Shembujt nuk mungonin edhe në këtë fushatë. Një ndër shembujt e spikatur ishte protesta e organizuar kundër Erdogan në Tiranë. Njerëz që nuk protestojnë se pijnë ujë të përzjerë me mbeturinat e gjirizeve, protestojnë pro e kundër kryeministrit të Turqisë.

Prandaj, Thirrja për Bojkot, kjo inisiativë qytetare që ishte krejtësisht e menduar, e filluar, e mbështetur dhe e organizuar nga shqiptarët në shtetin shqiptar e në mërgatën politike shqiptare në vende të ndryshme meriton vëmendje e rivlerësim të thelluar. Ia vlen të ndalem pak mbi bojkotin, dhe të flasi për individët e që e mbështetën si dhe për motivet e tyre e sistemet e bindjeve ideologjike.

Thirrja për bojkotim të zgjedhjeve është një nga format e protestës qytetare që mbështetet në refuzimin e shtetasit për të legjitimuar drejtuesit e shtetit duke i njohur si të tillë. Bojkoti përdoret më së shumti kur votuesit besojnë se sistemi zgjedhor nuk është demokratik dhe i drejtë, se votat nuk do të respektohen por do të vidhen, dhe se zgjedhjet janë farsa që organizohen dhe përdoren thjesht për të legjitimuar parinë sunduese. Atëherë votuesit e bojkotojnë sistemin dhe shprehin mospajtimin e tyre me gjendjen. Në shtetet ku votimi është i detyrueshëm, bojkotimi dënohet me gjobë e me burg.  Ka edhe një formë tjetër më të butë të thirrjes për bojkot që njihet si Vota e Bardhë. Njerëzit votojnë, por e bëjnë votën e tyre të pavlefshme sepse nuk gjejnë alternativa të pranueshme politike. Në rrugë e sipër ata shprehin edhe bindjet e tyre duke përdorur fletën e votimit si një letër në të cilën shkruajnë mendimet që kanë. Shpesh bëjnë edhe vizatime, karikatura, etj. Mesazhi është ai i mospajtimit me sistemin dhe me parinë sunduese.

Në parantezë, duhet thënë se gjatë periudhës së tranzicionit ka pasur bojkotim të ndjeshëm të zgjedhjeve. Mirëpo ky bojkotim ka ardhur si pasojë e sjelljes individuale. Në disa zgjedhje ka pasur bojkotim të organizuar të zgjedhjeve dhe rasti më i spikatur është tërheqja nga zgjedhjet e PS në vitin 1996. Mirëpo në nivelin e shoqërisë qytetare, bojkotimi i zgjedhjeve dhe kërkesa për mospranimin e sistemit apo të hedhjes poshtë të alternativave ka qënë më shumë një thirrje e hedhur në shkrime se sa një nismë që ka ngjitur në publikun e gjerë.

Mirëpo, në rastin e zgjedhjeve kuvendore të vitit 2013, gjendja ndryshoi cilësisht sepse pati disa inisiativa të tilla që erdhën në mënyrë të njëkohëshme dhe me prurje argumentative të dallueshme. Grupi i aktivistëve që fillimisht i mbështeti këto inisiativa ishte shumë heterogjen, jo i organizuar mirë, pa mbështetjen e duhur në organizatat e shoqërisë qytetare dhe me individë që kishin programe e bindje të ndryshme politike. Ajo që i bënte bashkë ishte kërkesa për t’u ndarë me sistemin politik ekzistues.

Ndër inisiatorët kryesorë të Thirrjes për bojkot e që kanë qënë tejet aktivë në blogun Rrethi i Ferrit, Grid Rroji e Valbona Karanxha janë respektivisht kryetar e nënkryetare të Forumit Shqiptaro-Amerikan për Demokraci, një organizatë që në këto vitet e fundit e ka lënë gjurmën e vet në jetën politike të bashkësisë shqiptaro-amerikane. Faqja e tyre është këtu: http://ëëë.fshad.com. Por, duhet thënë se të dy janë edhe doktorantë në politikë e në udhëheqësi. Ndër kontribuesit kryesorë e cilësorë në Rrethi i Ferrit, Ledjan Prifti ka mbaruar studimet në La Sapienza për shkenca politike dhe blogu i tij eshte ketu: http://hyllin.blogspot.com dhe Edlira Gushta, e cila është profesore e letërsisë dhe specialiste e medias shqiptare.

Në Tiranë inisiativa për Votën e Bardhë u hodh dhe u materializua nga një grup të rejash e të rinjsh të edukuar mirë, me interesa e me vetëdije qytetare. Ndër ta spikatën gazetari i njohur i fushës së ekonomisë i Shqip, Gjergj Erebara, Alida Karakushi, Alban Nelaj, Eljan Tanini, Armend Shanku, Adela Halo, Ervin Kaciu, e të tjerë që kërkoj ndjesë që nuk po ua përmend emrat. Por mjafton të shihen faqet e mëposhtme si http://bardhe.com apo http://albanianëorldcitizen.blogspot.com për të parë se këta aktivistë duken të bindur në qëndrimet e tyre.

Spikati këtu qëndrimi i vendosur i Sokol Shametit, gazetar dhe opinionist i njohur që megjithëse i informuar nga bindje marksiste, përmes blogut Demokracia Direkte dhe opinioneve në shtyp e ngriti fort kete ceshtje. Blogu dhe shkrimet gjenden ketu: http://ëëë.demokracidirekte.org.

Inisiativa mori shumë vëmendje në Tiranë kur asaj iu bashkëngjit edhe z. Fatos Lubonja. Lubonja është opinionist në një gazetë të përditshme si Panorama, komentator në emisionin më të neveritshëm politik, Opinion dhe botues i një reviste me pretenca intelektuale, Përpjekja. Blogu i Lubonjës është këtu:  http://perpjekja.blogspot.com. Duke qënë se Lubonja është aktiv në jetën politike dhe shoqërore në Tiranë, dhe gëzon një autoritet moral në rrethe të caktuara, vëmendja e parisë u përqëndrua tek shkrimi dhe tek argumenti i tij. Mirëpo, thirrja për bojkot u mbështet nga të rinj që deri vonë ishin aktivë edhe në radhët e partive politike. Ndër ta bëri shumë përshtypje shkrimi tejet professional i Arnold Grabockës tek Tirana Observer. Arnold Grabocka ka qënë në strukturat e FRESSH dhe ka dhënë dorëheqjen për bindjet e veta me 2 prill 2013.

Protesta që u organizua nga këta aktivistë me 21 Qershor 2013 në Parkun Rinia ishte simbolike por shumë domethënëse. NË një farë mënyre, ajo proteste tregoi se këta nuk pajtohen me sistemin, në mos që janë ndarë përfundimisht me parinë, por këtë do ta tregojë koha. Gjithsesi, të gjithë këta i ndajnë bindjet politike por i bashkon bindja se demokracia është forma e vetme që duhet të përdoret për të zgjidhur problemet që kemi. Semokracia ka rregulla, rregullat e ligji duhen respektuar, dhe po nuk pate alternative, njera nga alternativat është që të mos pajtohesh me sistemin dhe të mos ia japësh votën të keqes më të vogël. Mjafton te thuhet se faqja https://ëëë.facebook.com/votoaskend ka 27,294 pëlqime (like) dhe 967 kanë folur apo kanë diskutuar për këtë temë. Një faqe tjetër është https://ëëë.facebook.com/votobardhe. Një kërkim i shpejtë në Google me Vota e bardhë te nxjerr rreth 250,000 lidhje ne internet. Natyrisht që shumë prej tyre janë të lidhura me raste të tjera apo janë përsëritje, por nuk ka dyshim se tashmë kjo është një nismë e njohur dhe, më së pakti, edhe e diskutuar në rrethet e mirëinformuara dhe të interesuara shqiptare.

Këta janë të rinj me kurajë qytetare, dhe që e marrin seriozisht detyrën e qytetarit, si dhe të drejtat që kanë. Është e qartë se pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, rrugëve që kanë marrë në jetë, e të tjera, të gjithë kanë dëshirë që në shtetin shqiptar të funksionojë sistemi demokratik. Duke qënë fillimtarët e një nisme të tillë, rruga e tyre ishte shumë e vështirë.

Nga ana e vet, paria e Tiranës ua bëri edhe më të vështirë dhe synimi i të gjithë palëve ishte që të mos lejonte rritjen e kësaj kundërvënie. Natyrisht që paria ka arsye të forta pse sillet kështu. Argumentimi teorik për bojkotin dhe arsyet për kundërvënien e rreptë të parisë së Tiranës janë analizuar në pjesët e ardhshme. (Vijon)