Home » ANALIZA » THIRRJA PËR BOJKOTIMIN E ZGJEDHJEVE: RIVLERËSIMI I NJË NISME QYTETARE – II

THIRRJA PËR BOJKOTIMIN E ZGJEDHJEVE: RIVLERËSIMI I NJË NISME QYTETARE – II

Baza Teorike e Thirrjes për Bojkot

Baza teorike e Thirrjes për Bojkot është shtjelluar në librin tim Përrallat e Tranzicionit Shqiptar. Argumenti që parashtrohet në libër është i thjeshtë dhe buron nga teoria e formuluar aty, por mbështetet edhe në teorinë elitariste të Harold Lassëell dhe në punimin e Murray Edelman, Përdorimet Simbolike të Politikës. Ky është themeli teorik dhe jo romani i Jose Saramago, sic spekulluan kalemxhinjte e llapaqenerisë mediatike të Tiranës.

Cili është argumenti? Argumenti është se ka dy lloje realitetesh në të cilat ekziston shoqëria shqiptare. Këto dy realitete janë të papajtueshme mirëpo bashkëjetojnë si uji i kripur me të emblin në një estuar. Cilat janë dhe si bashkëjetojnë këto realitete? Argumenti është se bashkëjetesa mundësohet nga shteti dhe nga procesi politik. Ajo që e bën të mundshme pranimin e kësaj gjendjeje si realitet është politika dhe procesi zgjedhor. Përmes procesit zgjedhor, njerëzit identifikohen me parinë, e pranojnë realitetin që iu imponohet nga shteti dhe paria si të pashmangshëm dhe vazhdojnë të jetojnë në një system që i skllavëron pa ndërprerje e pa shpresë.

Njëri realitet është realiteti i parisë. Ky realitet që paria e ka krijuar dhe i cili i shërben asaj e sheh botën dhe shoqërinë shqiptare duke përdorur metodologjinë marksiste dhe si të vendosur/gjendur në strukturën e kapitalizmit më të egër englesian. Në këtë realitet, paria e sheh veten si borgjezia dhe të tjerët janë proletariati dhe skllevërit e saj. Justifikimi ideologjik shkon një hap më larg. Këta janë thjesht shqiptarët ‘pisa’, një popull ‘pis’ që duhet shfrytëzuar, degjeneruar, zvetënuar, skllavëruar, përdhunuar e marrë nëpër këmbë sepse kështu vendoset e ndërtohet ‘kapitalizmi.’ Mirëpo kjo nuk thuhet sepse i bie ndesh realitetit në të cilin është shtërngue me jetue pjesa tjetër e shoqërisë.

Realiteti tjetër është realiteti i njerëzve që nuk kanë më as shpirt me jetue. Ky është realiteti i shumicës, i popullit ‘pis’ shqiptar, i atyre që kapen mbas pronës së vogël, me gur e llac, me tulla e me një dyqan, me një copë tokë, me një apartament, e me një ndërtesë, që hanë bukë e djathë, që dalin në klub e shkojnë në plazh dhe që shesin fëmijët e tyre jashtë shtetit për këtë jetë mjerane. Ky është realiteti i atyre emigrantëve që nuk kanë asgjë me tregue për vitet e pafund të poshtërimit, të vuejtjeve e të mundimit, ndoshta një shtëpi, një grusht me euro dhe plagët në shpirt që nuk ua fshin askush. Ky është realiteti në të cilin paria kërkon që ata me jetue. Dhe procesi i varfërimit moral, material, dhe mendor është intensifikuar me shpejtësi.

Po si mund të binden njerëzit që të jenë skllevër? Sepse shqiptarët nuk janë thjesht krah pune, ata janë edhe njerëz e, mbi të gjitha, shtetas. Njerëzit mbahen nën kontroll me dhunë e me kafshatën e gojës, e mbi të gjitha me mendësinë e tyre katundare, ndërsa shtetasit si votues është e vështirë të kontrollohen sepse ata votojnë dhe vota është burimi kryesor i legjitimitetit të parisë. Pa votën e popullit, fytyra e parisë del ajo që është në të vërtetë. Një bandë kriminale, mafioze, vrastare oligarkike që ka kryer krimin më të përbindshëm mbi shqiptarët, ua ka humbur shansin historik dhe që i ka skllavëruar ata përjetë duke i grabitur pasuritë e shtetit, të tyren dhe duke I vënë të punojnë për një copë bukë.

Mirëpo parisë i duhet vota e shqiptarëve. Politika dhe procesi zgjedhor e bën këtë të mundshme.  Dhe kjo bëhet përmes procesit të marrëzisë kolektive. Retorika politika ofron një realitet që nuk është, që nuk mundet me kenë, që nuk ekziston kurrkund. E megjithatë njerëzit janë të dëshëruar me gjetë kuptimin e jetës së tyre. Politika dhe lidhja me politikën ua jep atë kuptim të jetës.

Politika dhe politikanët i ndihmojnë me e interpretue në mënyrë logjike realitetin alogjik. Një fetar nuk del natën pa dritë sepse ka frikë se shkel xhindet. Dikush tjetër sheh në endërr djallin. Dikush kthehet nga rruga sepse ditën e martë ia pret rrugën një mace e zezë dhe pret të keqen. Mirëpo në mendjen e tyre kjo është logjike. Sepse atë mendësi ia përforcon bashkësia, autoritetet që njeh. E në rastin e politikës, për të arritur nivelin e mbështetjes që kërkon, paria

përdor simbolet që lidhen ose me gjendjen ose me emocionet. Prandaj nga jashtë, gjendja në shtetin shqiptar është një marrëzi kolektive. Njerëzit duan me besue dhe politikanët hedhin simbole referenciale apo të ngarkuara me kuptim. Prandaj në realiettin e marrëzisë kolektive shqiptare gjen xhevahire të rralla të budallallëkut politik. Politikanët flasin për rrugët, për gjatësinë e tyre nga Tropoja në Tokio. Të tjerët flasin për Rilindje por flamuri eshte lejla. Merren me monumentin e dy Gishtave, të Enver Hoxhës, të Ahmet Zogut, e me radhë. Të gjithë flasin për të ardhmen europiane, hyrjen e Shqipërisë në Europë kur Europa nuk na don e nuk përmbushim asnjë kusht. Flasim për Tunelin e Elbasanit, për përurime, shkohet me autobu në majë të një mali ku gjendet një minierë e rrënuar. Të gjithë flasin për të ardhmen e lumtur, begatinë, shkollat e reja, uljen e taksave, rritjen e rrogave, katundarët quhen fermerë, punësimin, kthimin e tokave të gjithëve, të pronave të gjithëve, mundësitë për emigrantët e kështu me radhë. Njerëzit presin nga politikanët që t’iu tregojnë të vërtetën. Duke e besuar, apo duke u shfaqur se e besojnë, ata bëhen pjesë e një realiteti që iu imponohet por nuk ka asnjë bazë në të vërtetën.

Kështu politika dhe përmes politikës paria e Tiranës iu mbush mendjen njerëzve se cfarë duan, si ta duan e cfarë të kërkojnë e të presin prej tyre. Sepse në nivelin material, ata i kanë marrë pasuritë, i kanë bërë llogaritë, janë milionerë dhe i kanë partitë e tyre të milionerëve. Politika është simbolike, për simbolet, dhe shërben për krijimin e realitetit ku duhet të funksionojnë në mënyrë logjike skllevërit e parisë. Në këtë marrëzi kolektive, dhe është kolektive sepse as paria nuk i shpëton mendësisë e sistemit ideologjik të cmendur që ka krijuar, nuk ka vend për objektivitet e arsyetim. Mitet bazë mbi të cilat mbështetet shoqëria, objektivat që i vë vetes, qëllimet e mënyra se si t’i arrijë këto qëllime janë të organizuara në mënyrë logjike, anipse themeli i argumenteve është një cmenduri totale.

Mirepo zgjedhjet shërbejnë kryesisht me i ba njerëzit e vegjëlisë me u dukë të plotëfuqishëm. Krijimi i bindjes se janë ata që vendosin është një process që mbështetet pikërisht në mitet, në simbolet dhe në zgjedhjet. Mirëpo zgjedhjet dhe politika janë të lidhura me shtetin dhe shteti është në qëndër të intërësave të cdo individi, ose si fuqi positive ose si kërcënim.  Në këtë mënyrë, duke I kthyer njerëzit, në dukje e në sipërfaqe, sikur janë ata që vendosin për shtetin, zgjedhjet bëhen me shumë se zgjedhje. Politika atëherë, simbolizon atë që njerëzit duan me besue për shtetin, mirëpo nuk ka të vërtetë këtu. Vegjëlia beson atë që don paria që ata duhet me besue. Prandaj për një muaj e gjysëm nuk patëm programe por numra. Thirrja e pafund ishte voto numrin 29, 44 apo edhe numrin magjik, 69. Tragjedia është se pikërisht në momentin kur duket se ata po bëjnë veprimin më racional të jetës së tyre, po zgjedhin ata që do të vendosin se kush do të jetë në krye të shtetit, vegjëlia vepron në mënyrën më irracionale, sepse i gjithë sistemi është i ndërtuar që të mbrojë interesat e parisë së Tiranës. Politika bahet tifozllëk, bahet një seri pamjesh, numrash, dy gishtash, fytyrash, flamujsh. Por ajo nuk ka substancë, nuk është reale. Nuk është as jeta që njerëzit jetojnë, as jeta që duhet me jetue. Politikanët bëhen qëndra e jetës së tyre dhe njerëzit identifikohen me ta. As Edi Rama, as Sali Berisha e as Ilir Meta nuk munden me kenë gabim për mbështetësit e tyre. Edhe kur ua fusin sa krahu, edhe kur sjellin Kac Islamin, apo vënë llumin e botës si deputetë, kur kapen duke vjedhur apo me kurva nuk janë gabim. Heronjët nuk munden me kenë gabim, sepse “lëre se ashtu ishte një punë.’

Gjithcka cka bajnë këta politikanë është e padiskutueshme, e drejtë dhe e duhur. Ky është niveli më i lartë i marrëzisë kolektive. Njerëzit nuk kanë më asnjë element të pavarur apo ideologjik me gjykue një sjellje të tillë. Të gjithë dështimet e tyre ia kalojnë palës tjetër, shteti bëhet objekt që duhet arritur me cdo kusht dhe njerëzit e arrijnë këtë përmes politikanëve që adhurojnë. Ky është edhe objektivi i mbajtjes në fushatë, pa ndërprerje, i shoqërisë shqiptare.

Ndërkohë realiteti i njerëzve nuk ka ndrrue aspak. Ata janë e do të jenë të papunë, ma të vërfër, ma të mjerë, ma të pambrojtur, ma të shfrytëzuar, ma të skllavënuem, ma të ndarë, ma të manipuluem. Por nuk ka rëndësi. Ashtu si dikush e jeton jetën si tifoz i Bajernit apo i Milanit, duke e ndjekur skuadrën e zemrës dy herë në javë me një satelit ashtu edhe dikush e jeton politikën. Mirëpo në të dy rastet, politika e vërtetë është në para. Pronari i satelitit, që ta blen votën 40 euro ti merr paratë ditë për ditë. Politikani që ta blen votën 40 euro, vjedh shtetin, e përmes shtetit ty, sepse shteti është I yti, dhe borxhi I shtetit është borxhi i jot, me thasë.

Kjo është edhe logjika pse duhej bojkotuar sistemi. Në shtetin shqiptar duhej të dilte dikush që të thonte se ky realitet është kriminal. Se ju jeni banda. Se nuk e pranojmë sundimin tuaj. Se ju mendoni për vete e jo për popullin. Se doni të na shfrytëzoni e se na urreni, na përbuzni, na trajtoni si kafshë, na përdhunoni e na shisni. Ju mund ta bëni këtë se unë nuk kam se cka iu bëj, por ama votën timë nuk ua jap ju. Sepse ju jeni llumi i botës, llumi i shoqërisë shqiptare, gjarpërinj ë e hyena, fatkeqësia kombëtare që na ka ra e nuk po dimë se si me iu heqë qafe. Por skllav me dëshirë nuk bëhem. Ky ishte edhe synimi i fushatës për bojkot.  Dikush duhet me e dhanë një shembull dhe është meritë që, edhe pse vijnë nga rrugë të ndryshme, këta të rinj e të reja e dhanë këtë shembull. Realiteti që ata shohin, edhe pse ende nuk duket se e interpretojnë si duhet, është realiteti me të cilin duhet të përballemi e gjejmë rrugën e zgjidhjes. Bojkotimi i zgjedhjeve ishte i domosdoshëm sepse zgjedhjet nuk ishin zgjidhja.  Prandaj edhe ata që i dolën kundër bojkotit ishin vegla të parisë, njerëz pa ndërgjëgje shoqërore, të përdorur e të shitur, e njerëz të mjerë që  nuk janë për tu mëshiruar sepse me ndergjegje e pamedyshje e shtyjne popullin shqiptar ne rrugen e skllaverimit.  (vijon)