LEDJAN PRIFTI: ATDHEDASHURIA E EDI RAMËS

Në intervistën dhënë Baton Haxhiut tek Zona e Debatit, kryeministri pa portofol, ndër te tjera u shpreh edhe për qëndrimin e tij në politikën e jashtme, në veçanti marrëdheniet me shtetet e rajonit. Këto marrëdhënie kanë 100 vjet që kushtëzohen, ndër të tjera, edhe nga çështja e Bashkimit, sepse s’ka si të jetë ndryshe përsa kohe që shteti shqiptar është i rrethuar nga shqiptarë.
Në pritje të portofolit e përgjegjësisë kryeministrore, Rama duhet të përgatitet të braktisë shumë nga bindjet personale kozmopolitike, sepse praktikimi i një politike rajonale të suksesshme kërkon një qasje realiste që është krejt ndryshe nga qasja idealisto-kozmopolitike (kjo funksionon në Skandinavi, por është marrëzi në Ballkan). Në opozitë, publicistikë apo mjediset akademike, mund të flasësh lirisht për si duhet të jetë Europa e Bota, por në pushtet duhet të veprosh brenda rendit ekzistues të gjërave.
Kështu në marrëdhëniet me Serbinë e Maqedoninë, të cilat kanë qeveri nacionaliste, një qasje idealisto-kozmopolite do të përkthehej në qasje nënshtrimi e braktisjeje të plotë të interesave kombëtare në Kosovë,Luginë e Iliridë. Përfitimi konkret në lidhje me Europën do të ishte zero, si ka qenë deri më sot, sepse sikundër dihet fare mirë, Serbisë luftënxitëse Europa po i hap ato dyer që Shqipërisë ideal-kozmopolite ia përplas gjithnjë në fytyrë prej 20 vjetësh.

Megjithatë duket se Rama, i vetëdijshëm për këto probleme, ka dalë me tezën e ‘atdhedashurisë’, e cila për nga vetë koncepti qëndron dialektikisht kundër kozmopolitizmit ( i cili nuk njeh atdheun, aq më pak dashurinë për të). Por Rama shpejton ( si para zgjedhjeve ashtu edhe në këtë intervistë) të vendosë pikat mbi i, se atdhedashuria në botëkuptimin e tij ka diferenca substanciale me nacionalizmin. Deri më sot, asnjë nga lukunia e analistëve të majtë, nuk e ka shpjeguar ende se ç’domethënie ka ky qëndrim i Ramës, nga një anë atdhetar, rrjedhimisht antikozmopolit, nga ana tjetër radikalisht antinacionalist. Aq më pak, Rama apo ndonjë politikan socialist nuk na ka shpjeguar se si do të përkthehej në politikën e jashtme kjo atdhetari, që Rama ka zgjedhur si kalë beteje.

Si nacionalist, më bëhet qejfi që kryeministri i ardhshëm, pavarësisht alergjisë nga nacionalizmi, të ndjekë politika atdhetariste, sepse çdo politikë atdhetariste është  për t’u mbështetur, pa mëdyshje e pa dyshime. Por, dikush, madje vetë Rama duhet të na shpjegoje sesi këto politika atdhetariste apo atdhedashuriste do të zbatohen në çështjet konkrete të politikës rajonale ,në radhë të parë, në Kosovë, Iliridë e Luginë. Nqs Rama ka zgjedhur për dallim mes atdhedashurisë dhe nacionalizmit, vetëm paragjykimin që barazon nacionalizmin me luftën, duke vlerësuar si atdhetariste gjithë politikat paqësore që doktrina i njeh si nacionaliste, atëherë një paragjykim më shumë, një më pak, nuk e zhbën perspektivën esencialisht pozitive në lidhje me çështjen kombëtare.

Por, a bën të jemi optimistë në lidhje me atdhedashurinë e Ramës ? Leximi që i bënë gazetat e portalet majtiste asaj interviste, duke e titulluar lajmin, Rama refuzon nacionalizmin, shtron dyshime. Janë ato gazeta që e kanë bërë qëllimisht lajmin të duket si triumf i kozmopolitizmit majtist, duke refuzuar qasjen atdhetariste apo qasja atdhetariste e Ramës është thjesht hi syve të 8 milion shqiptarëve dhe kryeredaktorët e dinë, kurse qytetarët e thjeshtë jo ? Dyshimi do të ngelet për shumë kohë derisa veprimet konkrete të na flasin me statusin e fakteve.

Në të vërtetë, Partia Socialiste ka shumë figura që do të na shpjegonin shumë mirë, si në televizion ashtu edhe në median e shkruar europianizmin, integrizmin, globalizmin, kozmopolitizmin, por deri më sot, po të heqim Pandeli Majkon, vështirë se ndokush brenda PS-së do të mund të na shpjegonte se si do të mund të konkretizohet politikisht atdhedashuria.

Propogandimi i atdhedashurisë është condicio sine qua non, që kryeministrit të Shqipërisë t’i njihet primati mes politikanëve të botës shqiptare, pra që pushtetarët shqiptarë në Kosovë e Maqedoni ta njohin formalisht si autoritetin më të lartë të kombit. Berisha me daljet e veta të tipit nacionalist e kishte të garantuar këtë primat formal, tashmë është radha e Ramës që t’i njihet. Thaçit të Prishtinës dhe Ahmetit të Shkupit, të dy ish-luftëtarë nuk mund t’u kërkosh njohjen e kurrfarë primati formal, nqs nuk bën ca retorikë patriotike. Shpresoj që atdhedashuria e Rames të mos jetë thjesht një gjetje për njohjen e nje primati formal mes gjelash shqiptarë, se kush është i pari i gjithë kombit. Nuk do të kishte banalizmin më të madh të atdhedashurise si koncept.

Një çelës tjetër leximi është atdhedashuria si dashuri për shtetin e Shqipërisë ose Shqipërine Londineze. Rëndom atdheu barazohet me shtetin, jo vetëm në botë por edhe ndër shqiptare. Natyrisht këtë barazim nuk mund ta gjejmë tek Rilindasit, psh Faik Konica nuk mund të përjashtonte nga Atdheu vendlindjen e tij, Konicën, vetëm pse ra nën pushtimin grek, por mund ta gjejmë rëndom tek ‘rilindasit’ socialistë. Dashuria për shtetin apo qoftë edhe dëshira për të rregulluar e forcuar shtetin është gjithnjë pozitive, natyrisht përsa kohe që forcimi i shtetit nuk bëhet në kurriz të Kosovës apo Iliridës. Forcimi i shtetit duke shitur interesat shqiptare në Ballkan ka qenë një rregull i pashkruar gjatë kohës së Zogut dhe Hoxhës, sepse në fakt ky forcim ka qenë thjesht nevojë për forcimin e pushteteve. Gjatë Berishës dhe Nanos, nuk ka pasur as forcim të shtetit, por zhbërje të tij, sepse ndryshe nga Zogu dhe Hoxha, forcimi i pushteteve personale lidhej me zhbërjen e shtetit përvecse me shitjen e interesave shqiptare në Ballkan.

Rrethanat rajonale pas zhbërjes së Jugosllavise dhe rritja demografike e shqiptarëve, ndryshuan për grekët e serbët edhe qëndrimin ndaj një shteti të fortë shqiptar. Ndërsa më parë, një shtet i stabilizuar shqiptar, nuk përfaqësonte rrezik për ta, pasi ishte i vogël përballë Jugosllavisë e Greqisë, pas zhbërjes së Jugosllavisë, çdo shtet i fortë dhe i stabilizuar shqiptar ishte i papranueshëm për sigurinë dhe epërsinë e tyre. Krejt ndryshe nga ç’mendohet në opinionin publik, një forcim i shtetit të Shqiperise rrit në mënyrë eksponenciale dhe të vetvetishme aftësinë e Shqipërisë për të përfaqësuar një armik të rrezikshëm për fqinjet. Një Shqipëri e pasur dhe e fortë, do të investonte për kulturën shqiptare në Maqedoni, Kosovë e Luginë, do t’u mundësonte sipërmarrësve të saj më shumë hapesira për investim në ato territore etj, kështu një ekspansion ekonomik e kulturor i Shqipërisë drejt trojeve shqiptare jashtë saj, do të shikohej me të drejtë nga elitat sllave, por edhe greke si rrezik. 

Nuk kemi të bëjmë me një çështje ideali kombëtar apo nacionalizmi, por me një çështje strukturore e gjeopolitike. Një Shqipëri e fortë dhe e pasur, nuk i shpëton dot fatit të saj si shtet që do kryejë ekspansion kulturor dhe ekonomik në Kosovë e Maqedoni, pra që do ushtrojë ”soft power” në hapësirën etnike në Ballkan. Top-channel si televizion mbarëkombëtar është një shembull i ekspansionit kulturor të shtetit shqiptar. Ndryshe nga ta zëmë hyrja e Rai-t në Shqipëri, që ishte fenomen i përkohshëm ekspansioni kulturor, depërtimi i TOP-it në trojet e tjera etnike është një kostante që ndikon në unitetin kulturor të kombit. Nga uniteti kulturor, tek uniteti ekonomik, rruga për tek uniteti politik i një kombi ështe e pashmangshme.

Prandaj, edhe nqs atdhedashuria e Ramës nuk është gjë tjetër veçse një dëshirë për të forcuar shtetin e Shqipërisë, përsëri kjo do të ndikojë në forcimin e pozitave mbarëshqiptare në Ballkan. Ngado që ta rrotullojmë një koncept si atdhedashuria, produkti final i jetësimit politik të tij do të jetë Bashkimi Kombëtar. Prandaj Rama le të turfullojë sa të doje kundër nacionalizmit, nqs atdhedashuria nuk është një koncept për t’u hedhur hi syve 8 milion shqiptarëve, por një shtyllë e qeverisjes së ardhshme, atëherë rruga e tij herët a vonë do të bashkohet me rrugën e nacionalistëve. Natyrisht, skepticizmi ndaj atdhedashurisë së tij është mëse legjitim dhe argumentet për atdhemohimin e tij mund të jenë të shumta, prandaj Rama duhet të argumentoje bindshëm  publikisht dhe të ndërmarrë hapa konkrete. Për një kryeministër që ka quajtur programin e vet Rilindje dhe propogandon atdhedashurinë, priten argumente të mirëfillta për politikat që do të ndjekë, jo shashka tymuese dhe hedhje klishesh e paragjykimesh ndaj nacionalizmit shqiptar.

GRID RROJI: MIDIS ZHURMËS DHE REALITETIT

Statisticieni i njohur amerikan Nejt Sillvër, i njohur për modelin e saktë parashikues të zgjedhjeve të 2008-ës dhe 2012-ës në SHBA, shtjellon në librin e vet “Sinjalet dhe Zhurma” një koncept që është i njohur për specialistët e fushës së tij: zhurmën statistikore të vendosur në kontrast me realitetin e prekshëm. Në këtë kuptim, zhurma është një interpretim i realitetit bazuar në supozime të cilat na japin përfundimin që dëshirojmë dhe i shërbejnë qëllimeve tona. Në të kundërt, një interpretim i saktë do të merrte parasysh jo vetëm ata faktorë të cilët na vijnë për mbarë por edhe ata që do të nxirrnin në përfundime të kundërta me ato që dëshirojmë.  Pa i hyrë vlerësimit teknik të argumentit të Sillvërit, edhe pse derimëtash modeli i praktikuar nga ai ka parashikuar saktë fituesit e 98 garave nga 100 për senatorë në shtete të ndryshme të SHBA-ve, mendoj se  krahasimi me zhurmën që po përftohet në mjedisin politik shqiptar pas zgjedhjeve është i vlefshëm. Me fjalë të tjera, argumentat që po ngrihen në media për shkaqet e rezultateve zgjedhore, e si pasojë të ardhmen e qeverisjes dhe opozitës janë tërësisht të bazuar në objektivat politike të palëve dhe aspak në realitetin që e prek populli shqiptar.

Në gjykimin tim, paria e Tiranës po vazhdon t’a përdorë edhe më furishëm zhurmën për të mjegulluar realitetin dhe për t’u dhënë shqiptarëve shpresë të rreme. Shkaqet e rotacionit nuk duhen kërkuar në kalkulime të elektoratit apo edhe në largpamësinë e popullit shqiptar, edhe pse në nivelin e përgjithshëm të analizës gjykimi i popullit nuk vihet në diskutim. Grupi i kriminelëve që janë zgjedhur në parlament nga radhët e “Rilindjes” nuk mund të përfaqësojë shpresën për një Shqipëri ndryshe. Në rastin më të mirë është një ogur i mirë për punësimin e disa militantëve të cilët kanë pritur për tetë vjet ndryshimin e pushtetit.

Më tej, fitorja e “Rilindjes” i detyrohet katërfishimit të votave të LSI-së, i cili siç e kemi thënë me kohë këtu tek Rrethi i Ferrit nuk mund të kishte ardhur pa marrëveshjen e ngjalave. Ngutja e shumë palëve për t’i cilësuar zgjedhjet si “ më të mirat e tranzicionit” është më tepër një tentativë për t’i mbyllur rrugën problemeve që në fillim se sa një votëbesim për nivelin e demokracisë.

Edhe ndryshimet e brendshme në PD nuk mund të gjykohen si ndryshim i kursit sepse dorëheqja e Berishës ishte e pjesshme dhe vetëm formale. E ashtuquajtura garë e brendshme nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të mbajtur në krye të partisë Berishën me anë të një kukulle, siç ishte rasti i Eduard Selamit apo Tritan Shehut gjatë mandatit të tij presidencial. Çështja e emrave që kandidojnë është e rëndësishme pra vetëm në këtë kontekst, për të gjykuar se cili nga qehajejt e Berishës do fitojë luftën e brendshme për të qenë zv. Kryetar i parë.

Pra, përdorimi i suksesshëm i zhurmës politike, e përkthyer në pseudo debate të brendshme, “diskutime” për poste në qeverisje apo edhe me farsa si zgjedhjet e brendshme në PD, janë pjesë e pandarë e mënyrës që përdor paria për të sunduar popullin. Ka disa shembuj të cilët e ilustrojnë teorinë e zhurmës së krijuar artificialisht për të mbuluar problemet dhe mungesën e ofertës për zgjidhjen e tyre.

Së pari, le të ndalemi tek qeverisësit e rinj. Megjithëse marrëveshja e ngjalave parashikonte në detaj pjesën më të madhe të ndarjes së plaçkës, makina propagandistike e “Rilindjes” ka ndezur motorrët. Popullit i paraqiten takime me ndërkombëtarë, intervista me operatorë politikë  ndërkombëtarë të famshëm të cilëve “Rama ua ngre telefonin”, ngritja e një komisioni ndërpartiak brendapërbrenda koalicionit për ndarjen e posteve në të gjitha nivelet, si dhe i thuren lavde “moralit” të bashkimit të së majtës. Mirëpo, realiteti është se “Rilindja” do përballet ndër të tjera me një ekonomi në reçesion, me papunësi të tejskajshme sidomos ndër të rinjtë, me një rikthim masiv të emigrantëve dhe një situatë financiare katastrofike. Asnjëri prej këtyre problemeve që prekin qytetarin nuk po diskutohet seriozisht por paria e ka përqëndruar median tek ndarja e tortës dhe aspekte të tjera pa interes për popullin. Pra në realitetin e parisë, çështja është se cili grup kriminal ndërmjet ortës së jeniçerëve, klanit të martallozëve apo grupit të frigoriferëve do të dalë më me qar nga proçesi i ndarjes së tortës.

Më tej, thirrjeve të Ramës se “nuk kam punë me Sandrin”  i është përgjigjur menjëherë TV Klani. Duke qenë se pronarët ndërtues të televizioneve të tjera kombëtare si Top Channel dhe Vizion Plus kanë kohë që presin me padurim ardhjen në pushtet të mbështetësve të tyre politikë, skena mediatike po shkon drejt një unifikimi pozicionesh në favor të ortave jeniçere, martalloze dhe bashibozuke të “Rilindasve”. Nuk duhet harruar se modeli i kontrollit të medias nëpërmjet dhënies së licencave njerëzve të afërt të pushtetit është “ideuar dhe zbatuar” së pari nga Ilir Meta, dhe më pas është përforcuar me ndihmën e shumë prej anëtarëve të kabinetit të Nanos që sot janë “Rilindas”,  duke filluar me televizionin Klan. Për Klanin vlen shprehja “çfarë do pushteti bën Klani, dhe çfarë i duhet Sandrit ja mundëson pushteti, pavarësisht ngjyrave”.

Një tjetër aspekt interesant është ndërrimi masiv i administratës, të cilin e shprehu haptaz në fushatë Pandeli Majko. Marrëveshja midis PS-së dhe LSI-së nuk i ka pikat nevralgjike tek ndarja e ministrive, siç po mundohen të na bindin mediat konformiste. Pika delikate është dhe do të mbetet ndarja e posteve të administratës në nivele të dyta, të treta dhe më tej sepse siç e dimë të gjithë tashmë “LSI-ja nuk të le në baltë”. Për t’a mbajtur këtë premtim  për 180 000 votues, ka gjasa që rreth 40 % e administratës t’i lihet në “patronazh” LSI-së, një dyfishim në krahasim me marrëveshjen me Berishën e cila i njihte asaj 20 % të “tapisë” së shtetit.  Nuk besoj se ka nevojë të ilustrohen “bëmat” e LSI-stave gjatë katërvjeçarit të flirtit qeverisës me Berishën.

Një tjetër shashkë zhurmëmadhe që ka hedhur Rilindja e Ramës, këtë herë në bashkëpunim me bandat e pushtetit që po ikën, është projekti TAP. Së pari, përveç ndonjë studimi të firmës që do e ndërtojë dhe shfrytëzojë e cila ka interes t’a ngrejë në qiell, nuk ka studime serioze që shqyrtojnë efektet reale të një gazsjellësi si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë gjeo-politik. Së dyti, eksperienca tregon se gazsjellës të ngjashëm kalojnë edhe nëpër vende historikisht të pazhvilluara dhe të paqëndrueshme politikisht përfshi edhe Afganistanin pa ndikuar në përmirësimin e gjendjes së popujve përkatës. Gjithashtu, nuk shpjegohet se si do t’a përmirësojë TAP-i, i cili kërkon disa vite të ndërtohet, gjendjen katastrofike të financave publike dhe si do t’a ndalë përkeqësimin e sistemit financiar. Më tej, në qoftë se shifrat e papunësisë të servirura në fushatë nga “Rilindja” janë një milion të papunë, duket tejet e vështirë që rreth 2000 vende pune të parashikuara nga projekti do t’a ndryshojë gjendjen dramatikisht. Pra, ajo që të gjithë së bashku po rreken të na e shesin si fitore historike për popullin shqiptar është veçse një përpjekje për të krijuar zhurmë bazuar në nevojën që ka sistemi për të legjitimuar vetveten. Me pak fjalë, TAP-i do t’i shërbejë parisë për të shuar monopolin e vet por jo domosdoshmërisht qytetarit.

Nga ana tjetër e spektrit të parisë, media është e fokusuar tek procesi zgjedhor në PD. Këtu zhurmën e krijojnë qarqet afër atij që këtu në Rrethin e Ferrit, në fshad.com dhe albanianpolitics.com e quajmë “Trusti i Gështenjave të Tropojës”, i cili identifikohet me Sali Berishën. Fjalimi i tij dorëheqës por jo i lamtumirës politike ishte një tregues i qartë se në PD po ndryshon forma por jo përmbajtja. Ky proçes është thjesht një larje e brendshme hesapesh ndërmjet klaneve të cilat mëtojnë të jenë më afër Berishës. Ajo që duket qartë është se grupi i “qëndrestarëve” të 97-ës e ka kryer funksionin e vet për Berishën, dhe si plaçkë e përdorur po eliminohet progresivisht në favor të klanit të familjes i kryesuar nga Lulzim Basha.  Dalja nga loja me bisht ndër shalë e Jozefina Topallit dhe grupit të saj, eliminimi i grupit të juristëve që kryesohej nga Ilir Rusmali, pengimi i kandidimit të Ridvan Bodes apo ndonjë pjesëtari tjetër të “qëndrestarëve” për postin e kryetarit tregon se hesapet janë mbyllur që pa filluar. Lulzim Basha do të jetë me gjasë kryetari i ri i PD-së dhe Sokol Olldashi do të shërbejë si kontorno duke garantuar kështu mbijetesën e tij politike nën regjimin e ri të Berishës në hije. Të gjithë të tjerët janë ose sharlatanë të stërkonsumuar ose shashka brenda shashkës për të amplifikuar efektin e zhurmës. Besoj se në përfundim të proçesit të gjithë do të bien dakord që e gjitha ishte “shumë zhurmë për asgjë”.

Në vend të përmbylljes, e gjithë përpjekja e parisë për të krijuar zhurmë vazhdon sistematikisht dhe pa ndërprerje. Mirëpo siç na mëson Sillvëri, modelet parashikuese nuk varen vetëm nga sasia e të dhënave që përdorin por edhe nga cilësia e presupozimeve që bëjnë modeluesit. Thënë thjesht, ndryshimi midis zhurmës dhe realitetit në rastin shqiptar përcaktohet nga përplasja e interesave të parisë me ato të qytetarëve. Paria kërkon me ngulm të na bindë se sistemi është legjitim, se ka zgjedhje brendapërbrenda tij, se njëra palë është e provuar dhe tjetra e paprovuar, se fajin e ka gjithmonë pala tjetër që e ka lënë gjendjen si mos më keq, apo edhe që demokracia është instaluar edhe brendapërbrenda partive. Për këtë përdoren fakte dhe shifra, krahasime dhe tabela, dhe një lumë “të dhënash” të cilat në dukje përbëjnë arsye të fortë për të besuar atë që servir paria.

Mirëpo për çdo shqiptar që ka sy e veshë kjo është një farsë e madhe sepse realiteti i përditshmë flet ndryshe. Ekspertët parashikojnë një vjeshtë e dimër të vështirë për ekonominë dhe në mungesë të zgjidhjeve reale parisë i duhet të krijojë realitete paralele, arsye të mosarsyes dhe zhurmë. Megjithë përpjekjet e mëdha për rritje të numrit të ministrive dhe spastrimin masiv që po vjen, administrata e ka të kufizuar numrin e të punësuarve. Torta e pushtetit është siç thotë Shenasi Rama “një kovë me vrima” e cila nuk mund t’i kënaqë të gjithë. Kësisoj, vjeshta do të n’a përballë me përkeqësimin e problemeve dhe me mungesën e zgjidhjeve nga ana e parisë.

Shqiptarët duhet t’a injorojnë zhurmën dhe t’i kërkojnë politikës zgjidhje për problemet që sa vijnë e shtohen. Ndryshe do të mbetemi në kufijtë e tifozllëkut i cili na çon drejt kriminalizimit të tejskajshëm dhe gjykimit jo realist.  Megjithë përpjekjet e mëdha për të zhurmuar realitetin nuk ka gjasë që kriza që po vjen të kalojë vetëm me propagandë. Në qoftë se kishim nevojë për një sprovë të parisë, vjeshta që po vjen do të na e ofrojë atë në gjithë dimensionin e mundshëm.

VALBONA KARANXHA: EVOLUCIONI PARTIAK DHE KULTURA QYTETARE

Partitë politike janë instrumenta nepërmjet të cilave masat preferojnë të venë në zbatim  politikat publike të shprehura paraprakisht në programin e vetë këtyre partive. Mendimtarët politik si Edmund Burke e kanë quajtur partinë politike një grup njerëzish të cilët promovojnë aktivitetin e tyre në ndihmë të kombit. Historikisht, partitë janë krijuar në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare duke mbrojtur, përkrahur interesa masash grupesh apo popujsh. Thomas Jeffersson është kredituar si udhëheqsi i parë i  cili ka krijuar partine me rrenjë dhe themele amerikane Demokratike–Republikane e cila shpërbëri atë  Federaliste. Ndersa në fushen nderkombetare, më vonë do të shohim që me përhapjen e teorise marksiste, partitë socialiste nderkombetare do të krijonin një baze të gjerë ose ndryshe të quajtur parti masash të bashkuara nga një ideologji. Në këtë rrjedhë, ky atikull synon të hedh dritë mbi disa probleme te krijimit dhe evoluimit partiak në Shqipërinë e 70 vjetëve të fundit.

Shqipëria dhe sistemi i saj një partiak

Tradita e varfër e tolerancës politike hyri në nje epoke të re mbas luftës së dytë botërore kur Partia Komuniste e Shqipërisë (PKSH) e cila u krijua nga komunistët shqiptarë dhe jugosllavë në 1941 arriti të eleminojë pluralizmin partiak menjehere në vitet e para të jetës së saj. Strategjia që ndoqi kreu i saj Enver Hoxha ishte eleminimi fizik i krereve të partive, përzenia e tyre jashtë vendit si edhe  nxjerrja jashtëligjit të partive si entitete politike. Por në të vërtetë, PKSH  e cila do të shndërohej në Partinë e Punës së Shqipërisë nuk bazohej tërësisht në teorinë e mirfilltë të Marksit apo bashkëpuntorit të tij Engels sepse Shqipëria nuk kishte asnjë lloj kushti historik dhe ekonomik për vënien në zbatim të kësaj teorie me thelb në Revolucionin Industrial.  Ndërsa teoria marksiste lindi si nevojë e shtresës së puntorisë në vendet e industrializuara të krijonte një sistem i cili do mund t’i mbronte nga shfrytëzimi i plutokracisë, Shqipëria as nuk e njihte fare zhvillimin kapilatist ose të ishte prekur nga revolucioni industrial i cili kishte përfunduar një shekull më herët se krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare. Pra Shqipëria dilte nga një sistem tërësisht fuedal. Perveç konceptit monist dhe tranzicionit në socializm (të marra nga marksismi) dhe kjo më tepër në terma teorike se sa në praktike, sistemi i Hoxhës ishte unik dhe diktaturë e mirfilltë.

Kështu që në kundërshtim me parimet e socializmit dhe komunizmit i cili mbeshtetej në një bashkim ndërkombëtar majtist, Enver Hoxha u vetizolua për të mbajtur pushtetin absolut.  Për me teper, Hoxha e ngushtoi kuptimin e mirfillt te fjalës “sociale” si baza e marksizmit dhe mori ate që ishte me negative nga kjo teori; kontrollin e qeverise mbi gjithçka duke e vendosur atë në nivele fanatike.  Ndërsa socializmi në Europën perëndimore është pak a shumë tradicional dhe është i ndërtuar në një farë ndjenje obligimi të qeverisë ndaj masave, gjë që shpjegon qartë sitemet sociale dhe shëndetsore në Europë, në Shqipëri sistemi njëpartiak i Hoxhës kërkonte të kishte dominim të plotë ne jëten e çdo pjestari të shoqërisë.

Krijimi i Partisë Socialiste (PS) dhe trashegimia majtiste.

Megjithëse PPSH ndryshoi emrin në PS sot e njëzet e dy vjet më parë, Fatos Nano, është ideatori dhe krijuesi i vërtetë i Partisë Socialiste Shqiptare. Megjithë peripecitë e tij gjate kohës së burgimit, Nanoja ishte “mëndja” e krijimit të PS, bazes së saj ideologjike, si trashguesja e reformuar e PPSH. Një nga arsyet që Nanoja reformoi PS ishte dëshira për ta integruar atë në të majtën perëndimore europiane. Nanoja ishte largpamës,  dhe mbi të gjitha si doktor i shkencave ekonomike dhe politike me njohuri te thella në teoritë e së majtës Nanoja reformoi PS me qëllim që kjo e fundit të mbetej forcë kryesore politike por me pamje krejt të re, me një ideologji të reformuar e cila mbi të tjera ishte heqja e termave marksiste nga statuti i partisë, mohimi i Vladimir Leninit, rehabilitimi i social-demokratit Karl Kautski si edhe perqafimi i Internacionales së Dytë. Partia Socialiste në teori ngelet parti internacionale e cila ndryshe quhet parti masash te bashkuara nga një ideologji. Në praktikë sot e kësaj dite lideri i ri i saj Edi Rama e ka kthyer në një parti interesash dhe klienteliste larg nga koncepti i saj social.

Largpamësia e Nanos qëndroi në faktin se ai nuk e largoi elektoratin e majtë nga Partia Socialiste, përkundrazi ai  e beri të ditur dhe të qartë që PS është pasardhsja e PPSH por versioni modern dhe perëndimor i saj. Sot 22 vjet me mbas, elektorati i konsoliduar socialist nuk eshte shpërndarë edhe pas largimit të Ilir Metës, përkundazi ai i ka qëndruar besnik PS. Në realitet, PS nuk ishte aspak faksion i PPSH, ajo ishte drejt për se drejti trashgimtarja e saj. Meqënëse faksion ka konotacion negativ sepse mund të thuhet që është një lloj rebelimi ndaj partis  mëmë, PS nuk e ka hedhur asnjëherë poshtë PPSH. Por, siç shprehen deputetë të saj, i janë larguar praktikave të gabuara që janë ndjekur në të kaluarën.

Nanoja pati rastin të vihet në provë dhe të ve në zbatimin programin e PS, provë të cilën Nanoja nuk mundi ta kalojë për arsye të implikimit të tij në korrupsion të lartë. Megjithëse Nanoja ishte reformator, ai ngeli në parametrat e teoricienit të majtë dhe nuk vuri në zbatim asnjë program substancial ne nivelin e politikave publike. Nanoja falimentoi si lidër i PS dhe i hapi rrugën korrupsionit i cili do të merrte përmasa galopante në vitet që vijuan. Ky mentalietet ishte krejt në kundërshtim me anën social-demokrate të programit të tij dhe shënoi një humbje te thellë në politikën e ardhme shqiptare.

Partia Demokratike Shqiptare

Shumë teori konspiracioni egzistojnë në lidhje me Partinë Demokratike Shqiptare. Një nga këto është krijimi i kësaj partie nga Ramiz Alia për të ligjëruar pluralizmin de jure, por jo de facto, në kuptimin që edhe kjo parti të ngelej vegla e tij. Në vazhdimësi sipas kësaj teorie presupozohet se Sali Berisha dhe Gramoz Pashko e shumë të tjerë ishin të dërguarit e Ramiz Alise dhe sabotuan partinë studentore duke e uzurpuar atë ashtu siç ishte planifikuar.

Mirëpo, me orientime apo pa orientime nga Ramiz Alia, PD u bë udheqja kryesore e popullsisë së djathtë apo demokratit shqiptar. Pra në thelb, si force politike, PD përfaqson një elektorat të gjërë dhe të konsoliduar me mendim të djathtë dhe kundërshtar i rrymës së majtë në shumë pika midis tyre ato që kan të bëjnë me lirinë personale, pronën e private mbi atë të përbashkët dhe tregun e lirë, pra parimet bazë të kapitalizmit.

Mbështetësit e PD me krijimin e saj varionin nga të gjitha shtresat. Simpatizantët e Partisë Demokratike ishin mjaft divers; këtu hynte puntori i thjeshtë shqiptar,  studentët dhe moshat relativisht të reja, pjesa e popullsisë e persekutuar nga rregjimi komunist, intelektual dhe akademik te të gjitha fushave, ish punonjës të administratave te rregjimit të mëparshem të cilët ishin të pakënaqur nga sistemi komunist ose nuk besonin në filozofinë e tij. Pra Partia Demokratike pranoi në rradhët e saj një larmi jo vetëm mendimi por edhe përfaqsimi.

Partia Demokratike kishte rrënjë të forta në veriun e vendit ndryshe nga ajo socialiste e cila kishte predominancë ne jug. Partia Demokratike e cila vetquhet force e djathtë kishte përpara një sfidë të jashtëzakonshme mbas krijimit të saj; të përfaqsonte me dinjitet popullsinë e djathtë shqiptare. Teorikisht, mendmi i djathtë ndahet në dy rryma, e para liberlizmi klasik ose (laissez-faire conservatism) dhe konservatizmi tradicional. Ajo që është e përbashkët për keto dy rryma është interesi personal, liria e individit, përkrahja e pronës private dhe indiferenca e qeverise apo kufizimi i saj në kontrollin e ekonomisë etj. Pyetja qëndron në cilën nga këto rryma bie Partia Demokratike shqiptare dhe si e vuri në zbatim ideologjinë e saj?

Po të shohim arritjet e PD menjëherë mbas pluralizmit, vërejmë se u kryen mjaft privatizime duke filluar me banesat. Mbas lejimit të ekonomisë së tregut të lirë e cila kishte përmasa mjaft modeste dhe nuk njihte tavan pa dyshim që spekullimet ishin të panumërueshme dhe krijuan shtrat në ekonominë e re shqiptare.

Por një nga falimentimet e PD në detyrën e saj për privatizimin e ekonomisë ishte politika e ndjekur në tetë vjeçarin e fundit  “atdheu privat”. Kjo politikë privatizimi  degjeneroi për shkak të korrupsionit masiv qeveritar. PD nuk i qëndroi politikës laissez-faire  aspak në termat e kapitalizmit të pastër, por “laissez-faire” ishte një neglizhim dhe mbyllje sysh ndaj afereve korruptive.

Partia Demokratike ka vite që është në krizë, morale dhe strukturale. Me  largimin e Berishës nga kreu i PD nuk hapet asnje mundësi për reformin të përgjithshëm të saj. Kandidaturat e paraqitura deri tani paralajmërojnë për vazhdimin e trashgimisë se Berishës dhe politikës së tij klanore, ndarese dhe përçarëse brënda saj. Demokratizimi i zgjedhjes  së kryetarit të ri është vëtëm një farsë pasi njerëz te cilët mund të kenë vlera nuk inkurajohen të hedhin kandidaturën dhe nuk shohin shanse fitimi. Partia Demokratike ka rreth 23 vjet në krye me  një udheheqës autokrat i cili e largoi nga fryma e saj e vërtetë demokratike dhe e ktheu në një parti familje, të njohurish , të afrëmish dhe atyre që ishin thjesht shërbëtorë të saj. Kjo është e papranueshme për një forcë politike me bazë demokratike.

Pa u ndalur shumë në zbatimin e politikave të PD, vlen të thuhet që sot kjo parti nuk mbështet në mënyrë të mirëfillt te djathten dhe demokratin Shqiptar. Gjatë 23 viteve të jetës së saj PD ka humbur mbështetje për shkak të politikës së gabuar që ka ndjekur. Për shëmbull, FRD lindi si një rebelim ndaj politikës së Berishës dhe mospajttueshmërisë me praktikat e tij. Por disfavori i FRD apo faksioneve te tjera është se atyre u mungon elektorati. FRD pavarësisht nga vlerat, muk mundi të terheq një pjesë dermuese të elektoratit të djathtë gje e cila rezultoi në  mosmarrjen të as edhe një mandati.  Ndërsa PD, e ruan elektoratin e saj me fanatizen dhe me praktikat e saj demagogjike.

PD ka humbur ndër vite gjithashtu edhe shumë anëtarë të saj të cilët kanë qenë pjesë vitale jo vetëm në kryesi por edhe ne strukturat vendore. Por megjithatë,  humbja e PD në keto zgjedhje ishte e thelle por jo fatale. Populli i dha përsëri rreth 55 mandate PD, gjë e cila tregon se demokrati i thjesht shqiptar është më se i konsoliduar këto 23 vjetët e fundit dhe kërkon një forcë politike që ta përfaqsoj denjësisht. Ajo që është karakteristike për demokratin e tjeshtë shqiptar është se nuk mund të kapërcejë dhe të votojë (përgjithsisht) për një përfaqsues të partise socialiste pa e vënë në diskutim faktorin meritokraci dhe e njëjta ndodh dhe me socialistin shqiptar i cili nuk voton për një përfaqsues të PD sado i denjë të jetë.

Dy forcat politike shqiptare: Drejt sistemit dypartiak

Të dyja këto parti si PS ashtu dhe PD janë një miks midis partive qeveritare dhe atyre elektorale në kuptimin që megjithëse zyrtarët e tyre janë të zgjedhur, ata përsëri janë të organizuar dhe janë në vartësi të strukturës së tyre lokale deri në atë kombëtare. Në ndryshim nga partitë e mirëfillta elektorale të cilat kontrollohet nga organizatat e jashtme apo lobet, PS dhe PD në dukshmëri nuk kontrollohen nga lobe të fuqishëm sepse ato financojnë pak a shumë me burimet e tyre të gjitha nevojat elektorale apo bazike partiake. Ajo që është veçori e partive Europiane është krijimi i koalicioneve ndërkombëtare, të dyja këto parti janë anëtare të koalicioneve përkatëse. PD i përket koalicionit të Partive te Popullit, ndërsa PS i perket Internacionales Socialiste.

Të dyja këto parti qeveritare/elektorale kanë ndarë elektoratin me anë të përçarjes së popullit dhe jo me anë te ideologjisë së tyre të vënë në praktik. Kjo vjen për arsye se paçka nga orientimi i majtë apo i djathtë, populli shqiptar ende nuk e kupton që ndryshimet duhet të jenë thelbësore midis tyre, por në të vërtetë ato nuk janë kur flasim per implementim programesh. Populli nuk e ka të qartë se  për çfarë është përgjegjëse qeveria dhe deri ku është limiti i saj. Ky frustrim shprehet menjëherë pas edhe incidenteve ordinere ku kërkohet doreheqja e x ose y qeveritari për paaftësi. Pra ka mungesë të theksuar edukimi civik, kulture qeveritare dhe partiake në të dy elektoratet.

Ky mentalitet i vartësisë në parti dhe qeveri për të zgjidhur problemet vjen si pasojë e pesdhjetë vjet diktature dhe besimit që njerzit kanë në qeveri si orientuese dhe  rregullatore e çdo problemi. Në fakt populli (në përgjithsi) nuk është i qartë për ndryshimet në praktikë të një force politike të djathtë apo të majtë dhe duke qenë se Shqipëria është ende në periudhë tranzicioni, nuk arrin të kuptojë pse një parti e djathtë në dukje vepron dhe propagandon si parti me bazë sociale.

Por në thelb, të dyja këto forca politike janë shumë larg së qeni përfaqsuese të denja të popullit shqiptar. Praktika ka treguar se të dyja keto forca kanë zbatuar një politikë administratash dhe klienteliste apo klanore. Të dy këto parti janë kapur fort nga individë autokratë dhe janë privatizuar në sensin e pastër të fjalës. E ardhmja e të dyjave ketyre partive nuk duket premtuese, por ka gjasa që Shqipëria të kthehet në sistem dy partiak, pasi impakti i partive të tjera nuk është domethënës. Në qoftëse një fenomen i tillë do ndodh atehere partitë e vogla mund të qëndrojnë më afër asaj që ka ngjashmeri rryme apo programi.

ORNELA MANJANI: THELLOHET KRIZA E BUXHETIT, MUNGOJNË 5. 5 MILIARDË LEKË

Gjysma e parë e vitit ka nxjerrë në pah krizën e thellë në të cilën është zhytur buxheti i shtetit. Deficiti është thelluar më tej gjatë muajit qershor, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e qeverisë edhe për të mangësinë e pagesës së pagave dhe pensioneve. Ministria e Financave ka publikuar shifrat e muajit Qershor ku të ardhurat nga administrata fiskale llogariten të jenë rreth 5,5 miliardë lekë më pak se planifikimi në fillim të vitit.

Sipas tabelës së Ministrisë së Financave mësohet se të ardhurat tatimore rezultojnë 3,1 miliardë lekë më pak se plani, ndërsa të ardhurat nga doganat janë 2,4 miliardë lekë më pak. Referuar të njëjtave të dhëna, të ardhurat llogariten të jenë 21,2 miliardë lekë, ndërkohë që në fillim të vitit ishin planifikuar në vlerën 30,3 miliardë lekë. Edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, përsëri niveli I mbledhjes së të ardhurave është në rënie. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë të ardhurat nga tatimet dhe doganat ishin në vlerën 23,8 miliard lekë, ose 2,6 miliardë më shumë se muaji Qershor i këtij viti. Deficitit buxhetor nga 3,9 miliardë që ishte planifikuar, ka shkuar në 5,5 miliardë lekë vetëm për muajin Qershor. Performanca jo e mirë në realizimin e të ardhurave, e ka shoqëruar administratën fiskale gjatë gjithë këtij viti. Në programimin vjetor të buxhetit të ardhurat janë llogaritur të jenë në vlerën 360,6 miliardë lekë, shpenzimet në 409,5 miliardë lekë dhe deficiti në vlerën 48,9 miliardë lekë.

Të ardhurat

Niveli i të ardhurave në arkën e shtetit shqiptar në pesë muajt e parë të viti 2013 është i njëjtë me atë të vitit 2008. Ekonomia, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ka qëndruar 5 vjet në vend. Në periudhën Janar- Maj të ardhurat në arkën e shtetit ishin rreth 125,2 miliardë lekë. Nga krahasimi i të dhënave, tabelës fiskale të vitit 2008 dhe saj të vitit 2013, rezulton se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, akciza dhe Tatim Fitimi janë në të njëjtat nivele. Ndërkohë, të ardhurat kanë shënuar rënie të ndjeshme që nga viti 2010 dhe deri në vitin 2013, ndërsa shpenzimet janë rritur me thuajse të njëjtat ritme. Kjo ka sjellë një rritje të pakontrolluar të deficitit buxhetor, i cili tashmë kërcënon financat publike. Të dhënat fiskale për 5 mujorin tregojnë një rritje të investimeve në dy vitet zgjedhor 2011 dhe 2013. Në 2011 investimet u rritën me 9,7% kundrejt vitit të mëparshëm, për të rënë një vit më pas në -13% dhe për tu rritur përsëri në 2013 me 36% ose me ritme gati 4 here më të larta edhe se viti 2011. Sipas të njëjtave të dhëna shpenzimet korrente ndjekin të njëjtën tendencë rritje. Ndërkaq, të ardhurat vazhdojnë rënien e tyre drastike kundrejt vitit të kaluar, ku si 5 mujor ranë me 7 miliard ose 5,7 % (ne kushtet e një inflacioni prej 2,4%, në terma reale të ardhurat kanë rënë 8% ). Sipas të dhënave të fundit fiskale, në 5 muaj u realizua 420 milionë dollarë deficit buxhetor ose në 5 muaj u realizua 90% e deficitit vjetor. Këto të dhëna vërtetojnë plotësisht tendencën e shfaqur qysh në 3 muajt e parë të vitit 2013, se ekonomia shqiptare ka hyrë në pikën e vdekjes.

 Borxhi

Borxhi publik ka prekur shifren 63 % te GDP-se. Qeveria pothuajse ka shfrytezuar te gjitha mundesite e huamarrjes ne tregun e brendshem. Te dhenat nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se, niveli i huamarrjes arrin për 4 muajt e parë në vlerën 22.8 miliardë lekë, nga 15 miliardë që ishte planifikuar për këtë periudhë, ose 7.7 miliardë lekë më shumë. Për gjithë vitin kufiri i huamarrjes së brendshme, i parashikuar në buxhetin e vitit 2013, është në vlerën 27.4 miliardë lekë, ndërkohë sipas përllogaritjeve, aktualisht kjo hua është konsumuar në 89.3 %. Po të krahasohen shifrat me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rezulton një rritje e huasë prej 10.7 miliardë lekë. Kjo lidhet dhe me faktin se jemi në një vit zgjedhor dhe investimet publike kanë njohur rritje të dukshme. Këto fonde kanë shkuar kryesisht për shlyerjen e kompanive qe kanë kryer punë publike, por edhe për investime në projekte të reja. Në vitin 2012 borxhi publik arriti në 827,9 miliardë lekë, ose rreth 61 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke shkelur kufirin ligjor të miratuar nga vetë qeveria. Shifrat janë bërë publike nga Ministria e Financave, ndërkohë që ekspertët dhe organet financiare botërore japin alarmin për rrezikun e borxhit. 2013-a do të rëndojë më tej detyrimet e shqiptarëve për shkak të borxheve të qeverisë. Në vitin 2013, stoku i borxhit është parashikuar të shkojë në rreth 895.7 miliardë lekë. (marre nga gazeta Shekulli)