Home » ANALIZA » LEDJAN PRIFTI: ATDHEDASHURIA E EDI RAMËS

LEDJAN PRIFTI: ATDHEDASHURIA E EDI RAMËS

Në intervistën dhënë Baton Haxhiut tek Zona e Debatit, kryeministri pa portofol, ndër te tjera u shpreh edhe për qëndrimin e tij në politikën e jashtme, në veçanti marrëdheniet me shtetet e rajonit. Këto marrëdhënie kanë 100 vjet që kushtëzohen, ndër të tjera, edhe nga çështja e Bashkimit, sepse s’ka si të jetë ndryshe përsa kohe që shteti shqiptar është i rrethuar nga shqiptarë.
Në pritje të portofolit e përgjegjësisë kryeministrore, Rama duhet të përgatitet të braktisë shumë nga bindjet personale kozmopolitike, sepse praktikimi i një politike rajonale të suksesshme kërkon një qasje realiste që është krejt ndryshe nga qasja idealisto-kozmopolitike (kjo funksionon në Skandinavi, por është marrëzi në Ballkan). Në opozitë, publicistikë apo mjediset akademike, mund të flasësh lirisht për si duhet të jetë Europa e Bota, por në pushtet duhet të veprosh brenda rendit ekzistues të gjërave.
Kështu në marrëdhëniet me Serbinë e Maqedoninë, të cilat kanë qeveri nacionaliste, një qasje idealisto-kozmopolite do të përkthehej në qasje nënshtrimi e braktisjeje të plotë të interesave kombëtare në Kosovë,Luginë e Iliridë. Përfitimi konkret në lidhje me Europën do të ishte zero, si ka qenë deri më sot, sepse sikundër dihet fare mirë, Serbisë luftënxitëse Europa po i hap ato dyer që Shqipërisë ideal-kozmopolite ia përplas gjithnjë në fytyrë prej 20 vjetësh.

Megjithatë duket se Rama, i vetëdijshëm për këto probleme, ka dalë me tezën e ‘atdhedashurisë’, e cila për nga vetë koncepti qëndron dialektikisht kundër kozmopolitizmit ( i cili nuk njeh atdheun, aq më pak dashurinë për të). Por Rama shpejton ( si para zgjedhjeve ashtu edhe në këtë intervistë) të vendosë pikat mbi i, se atdhedashuria në botëkuptimin e tij ka diferenca substanciale me nacionalizmin. Deri më sot, asnjë nga lukunia e analistëve të majtë, nuk e ka shpjeguar ende se ç’domethënie ka ky qëndrim i Ramës, nga një anë atdhetar, rrjedhimisht antikozmopolit, nga ana tjetër radikalisht antinacionalist. Aq më pak, Rama apo ndonjë politikan socialist nuk na ka shpjeguar se si do të përkthehej në politikën e jashtme kjo atdhetari, që Rama ka zgjedhur si kalë beteje.

Si nacionalist, më bëhet qejfi që kryeministri i ardhshëm, pavarësisht alergjisë nga nacionalizmi, të ndjekë politika atdhetariste, sepse çdo politikë atdhetariste është  për t’u mbështetur, pa mëdyshje e pa dyshime. Por, dikush, madje vetë Rama duhet të na shpjegoje sesi këto politika atdhetariste apo atdhedashuriste do të zbatohen në çështjet konkrete të politikës rajonale ,në radhë të parë, në Kosovë, Iliridë e Luginë. Nqs Rama ka zgjedhur për dallim mes atdhedashurisë dhe nacionalizmit, vetëm paragjykimin që barazon nacionalizmin me luftën, duke vlerësuar si atdhetariste gjithë politikat paqësore që doktrina i njeh si nacionaliste, atëherë një paragjykim më shumë, një më pak, nuk e zhbën perspektivën esencialisht pozitive në lidhje me çështjen kombëtare.

Por, a bën të jemi optimistë në lidhje me atdhedashurinë e Ramës ? Leximi që i bënë gazetat e portalet majtiste asaj interviste, duke e titulluar lajmin, Rama refuzon nacionalizmin, shtron dyshime. Janë ato gazeta që e kanë bërë qëllimisht lajmin të duket si triumf i kozmopolitizmit majtist, duke refuzuar qasjen atdhetariste apo qasja atdhetariste e Ramës është thjesht hi syve të 8 milion shqiptarëve dhe kryeredaktorët e dinë, kurse qytetarët e thjeshtë jo ? Dyshimi do të ngelet për shumë kohë derisa veprimet konkrete të na flasin me statusin e fakteve.

Në të vërtetë, Partia Socialiste ka shumë figura që do të na shpjegonin shumë mirë, si në televizion ashtu edhe në median e shkruar europianizmin, integrizmin, globalizmin, kozmopolitizmin, por deri më sot, po të heqim Pandeli Majkon, vështirë se ndokush brenda PS-së do të mund të na shpjegonte se si do të mund të konkretizohet politikisht atdhedashuria.

Propogandimi i atdhedashurisë është condicio sine qua non, që kryeministrit të Shqipërisë t’i njihet primati mes politikanëve të botës shqiptare, pra që pushtetarët shqiptarë në Kosovë e Maqedoni ta njohin formalisht si autoritetin më të lartë të kombit. Berisha me daljet e veta të tipit nacionalist e kishte të garantuar këtë primat formal, tashmë është radha e Ramës që t’i njihet. Thaçit të Prishtinës dhe Ahmetit të Shkupit, të dy ish-luftëtarë nuk mund t’u kërkosh njohjen e kurrfarë primati formal, nqs nuk bën ca retorikë patriotike. Shpresoj që atdhedashuria e Rames të mos jetë thjesht një gjetje për njohjen e nje primati formal mes gjelash shqiptarë, se kush është i pari i gjithë kombit. Nuk do të kishte banalizmin më të madh të atdhedashurise si koncept.

Një çelës tjetër leximi është atdhedashuria si dashuri për shtetin e Shqipërisë ose Shqipërine Londineze. Rëndom atdheu barazohet me shtetin, jo vetëm në botë por edhe ndër shqiptare. Natyrisht këtë barazim nuk mund ta gjejmë tek Rilindasit, psh Faik Konica nuk mund të përjashtonte nga Atdheu vendlindjen e tij, Konicën, vetëm pse ra nën pushtimin grek, por mund ta gjejmë rëndom tek ‘rilindasit’ socialistë. Dashuria për shtetin apo qoftë edhe dëshira për të rregulluar e forcuar shtetin është gjithnjë pozitive, natyrisht përsa kohe që forcimi i shtetit nuk bëhet në kurriz të Kosovës apo Iliridës. Forcimi i shtetit duke shitur interesat shqiptare në Ballkan ka qenë një rregull i pashkruar gjatë kohës së Zogut dhe Hoxhës, sepse në fakt ky forcim ka qenë thjesht nevojë për forcimin e pushteteve. Gjatë Berishës dhe Nanos, nuk ka pasur as forcim të shtetit, por zhbërje të tij, sepse ndryshe nga Zogu dhe Hoxha, forcimi i pushteteve personale lidhej me zhbërjen e shtetit përvecse me shitjen e interesave shqiptare në Ballkan.

Rrethanat rajonale pas zhbërjes së Jugosllavise dhe rritja demografike e shqiptarëve, ndryshuan për grekët e serbët edhe qëndrimin ndaj një shteti të fortë shqiptar. Ndërsa më parë, një shtet i stabilizuar shqiptar, nuk përfaqësonte rrezik për ta, pasi ishte i vogël përballë Jugosllavisë e Greqisë, pas zhbërjes së Jugosllavisë, çdo shtet i fortë dhe i stabilizuar shqiptar ishte i papranueshëm për sigurinë dhe epërsinë e tyre. Krejt ndryshe nga ç’mendohet në opinionin publik, një forcim i shtetit të Shqiperise rrit në mënyrë eksponenciale dhe të vetvetishme aftësinë e Shqipërisë për të përfaqësuar një armik të rrezikshëm për fqinjet. Një Shqipëri e pasur dhe e fortë, do të investonte për kulturën shqiptare në Maqedoni, Kosovë e Luginë, do t’u mundësonte sipërmarrësve të saj më shumë hapesira për investim në ato territore etj, kështu një ekspansion ekonomik e kulturor i Shqipërisë drejt trojeve shqiptare jashtë saj, do të shikohej me të drejtë nga elitat sllave, por edhe greke si rrezik. 

Nuk kemi të bëjmë me një çështje ideali kombëtar apo nacionalizmi, por me një çështje strukturore e gjeopolitike. Një Shqipëri e fortë dhe e pasur, nuk i shpëton dot fatit të saj si shtet që do kryejë ekspansion kulturor dhe ekonomik në Kosovë e Maqedoni, pra që do ushtrojë ”soft power” në hapësirën etnike në Ballkan. Top-channel si televizion mbarëkombëtar është një shembull i ekspansionit kulturor të shtetit shqiptar. Ndryshe nga ta zëmë hyrja e Rai-t në Shqipëri, që ishte fenomen i përkohshëm ekspansioni kulturor, depërtimi i TOP-it në trojet e tjera etnike është një kostante që ndikon në unitetin kulturor të kombit. Nga uniteti kulturor, tek uniteti ekonomik, rruga për tek uniteti politik i një kombi ështe e pashmangshme.

Prandaj, edhe nqs atdhedashuria e Ramës nuk është gjë tjetër veçse një dëshirë për të forcuar shtetin e Shqipërisë, përsëri kjo do të ndikojë në forcimin e pozitave mbarëshqiptare në Ballkan. Ngado që ta rrotullojmë një koncept si atdhedashuria, produkti final i jetësimit politik të tij do të jetë Bashkimi Kombëtar. Prandaj Rama le të turfullojë sa të doje kundër nacionalizmit, nqs atdhedashuria nuk është një koncept për t’u hedhur hi syve 8 milion shqiptarëve, por një shtyllë e qeverisjes së ardhshme, atëherë rruga e tij herët a vonë do të bashkohet me rrugën e nacionalistëve. Natyrisht, skepticizmi ndaj atdhedashurisë së tij është mëse legjitim dhe argumentet për atdhemohimin e tij mund të jenë të shumta, prandaj Rama duhet të argumentoje bindshëm  publikisht dhe të ndërmarrë hapa konkrete. Për një kryeministër që ka quajtur programin e vet Rilindje dhe propogandon atdhedashurinë, priten argumente të mirëfillta për politikat që do të ndjekë, jo shashka tymuese dhe hedhje klishesh e paragjykimesh ndaj nacionalizmit shqiptar.