Home » ANALIZA » VALBONA KARANXHA: EVOLUCIONI PARTIAK DHE KULTURA QYTETARE

VALBONA KARANXHA: EVOLUCIONI PARTIAK DHE KULTURA QYTETARE

Partitë politike janë instrumenta nepërmjet të cilave masat preferojnë të venë në zbatim  politikat publike të shprehura paraprakisht në programin e vetë këtyre partive. Mendimtarët politik si Edmund Burke e kanë quajtur partinë politike një grup njerëzish të cilët promovojnë aktivitetin e tyre në ndihmë të kombit. Historikisht, partitë janë krijuar në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare duke mbrojtur, përkrahur interesa masash grupesh apo popujsh. Thomas Jeffersson është kredituar si udhëheqsi i parë i  cili ka krijuar partine me rrenjë dhe themele amerikane Demokratike–Republikane e cila shpërbëri atë  Federaliste. Ndersa në fushen nderkombetare, më vonë do të shohim që me përhapjen e teorise marksiste, partitë socialiste nderkombetare do të krijonin një baze të gjerë ose ndryshe të quajtur parti masash të bashkuara nga një ideologji. Në këtë rrjedhë, ky atikull synon të hedh dritë mbi disa probleme te krijimit dhe evoluimit partiak në Shqipërinë e 70 vjetëve të fundit.

Shqipëria dhe sistemi i saj një partiak

Tradita e varfër e tolerancës politike hyri në nje epoke të re mbas luftës së dytë botërore kur Partia Komuniste e Shqipërisë (PKSH) e cila u krijua nga komunistët shqiptarë dhe jugosllavë në 1941 arriti të eleminojë pluralizmin partiak menjehere në vitet e para të jetës së saj. Strategjia që ndoqi kreu i saj Enver Hoxha ishte eleminimi fizik i krereve të partive, përzenia e tyre jashtë vendit si edhe  nxjerrja jashtëligjit të partive si entitete politike. Por në të vërtetë, PKSH  e cila do të shndërohej në Partinë e Punës së Shqipërisë nuk bazohej tërësisht në teorinë e mirfilltë të Marksit apo bashkëpuntorit të tij Engels sepse Shqipëria nuk kishte asnjë lloj kushti historik dhe ekonomik për vënien në zbatim të kësaj teorie me thelb në Revolucionin Industrial.  Ndërsa teoria marksiste lindi si nevojë e shtresës së puntorisë në vendet e industrializuara të krijonte një sistem i cili do mund t’i mbronte nga shfrytëzimi i plutokracisë, Shqipëria as nuk e njihte fare zhvillimin kapilatist ose të ishte prekur nga revolucioni industrial i cili kishte përfunduar një shekull më herët se krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare. Pra Shqipëria dilte nga një sistem tërësisht fuedal. Perveç konceptit monist dhe tranzicionit në socializm (të marra nga marksismi) dhe kjo më tepër në terma teorike se sa në praktike, sistemi i Hoxhës ishte unik dhe diktaturë e mirfilltë.

Kështu që në kundërshtim me parimet e socializmit dhe komunizmit i cili mbeshtetej në një bashkim ndërkombëtar majtist, Enver Hoxha u vetizolua për të mbajtur pushtetin absolut.  Për me teper, Hoxha e ngushtoi kuptimin e mirfillt te fjalës “sociale” si baza e marksizmit dhe mori ate që ishte me negative nga kjo teori; kontrollin e qeverise mbi gjithçka duke e vendosur atë në nivele fanatike.  Ndërsa socializmi në Europën perëndimore është pak a shumë tradicional dhe është i ndërtuar në një farë ndjenje obligimi të qeverisë ndaj masave, gjë që shpjegon qartë sitemet sociale dhe shëndetsore në Europë, në Shqipëri sistemi njëpartiak i Hoxhës kërkonte të kishte dominim të plotë ne jëten e çdo pjestari të shoqërisë.

Krijimi i Partisë Socialiste (PS) dhe trashegimia majtiste.

Megjithëse PPSH ndryshoi emrin në PS sot e njëzet e dy vjet më parë, Fatos Nano, është ideatori dhe krijuesi i vërtetë i Partisë Socialiste Shqiptare. Megjithë peripecitë e tij gjate kohës së burgimit, Nanoja ishte “mëndja” e krijimit të PS, bazes së saj ideologjike, si trashguesja e reformuar e PPSH. Një nga arsyet që Nanoja reformoi PS ishte dëshira për ta integruar atë në të majtën perëndimore europiane. Nanoja ishte largpamës,  dhe mbi të gjitha si doktor i shkencave ekonomike dhe politike me njohuri te thella në teoritë e së majtës Nanoja reformoi PS me qëllim që kjo e fundit të mbetej forcë kryesore politike por me pamje krejt të re, me një ideologji të reformuar e cila mbi të tjera ishte heqja e termave marksiste nga statuti i partisë, mohimi i Vladimir Leninit, rehabilitimi i social-demokratit Karl Kautski si edhe perqafimi i Internacionales së Dytë. Partia Socialiste në teori ngelet parti internacionale e cila ndryshe quhet parti masash te bashkuara nga një ideologji. Në praktikë sot e kësaj dite lideri i ri i saj Edi Rama e ka kthyer në një parti interesash dhe klienteliste larg nga koncepti i saj social.

Largpamësia e Nanos qëndroi në faktin se ai nuk e largoi elektoratin e majtë nga Partia Socialiste, përkundrazi ai  e beri të ditur dhe të qartë që PS është pasardhsja e PPSH por versioni modern dhe perëndimor i saj. Sot 22 vjet me mbas, elektorati i konsoliduar socialist nuk eshte shpërndarë edhe pas largimit të Ilir Metës, përkundazi ai i ka qëndruar besnik PS. Në realitet, PS nuk ishte aspak faksion i PPSH, ajo ishte drejt për se drejti trashgimtarja e saj. Meqënëse faksion ka konotacion negativ sepse mund të thuhet që është një lloj rebelimi ndaj partis  mëmë, PS nuk e ka hedhur asnjëherë poshtë PPSH. Por, siç shprehen deputetë të saj, i janë larguar praktikave të gabuara që janë ndjekur në të kaluarën.

Nanoja pati rastin të vihet në provë dhe të ve në zbatimin programin e PS, provë të cilën Nanoja nuk mundi ta kalojë për arsye të implikimit të tij në korrupsion të lartë. Megjithëse Nanoja ishte reformator, ai ngeli në parametrat e teoricienit të majtë dhe nuk vuri në zbatim asnjë program substancial ne nivelin e politikave publike. Nanoja falimentoi si lidër i PS dhe i hapi rrugën korrupsionit i cili do të merrte përmasa galopante në vitet që vijuan. Ky mentalietet ishte krejt në kundërshtim me anën social-demokrate të programit të tij dhe shënoi një humbje te thellë në politikën e ardhme shqiptare.

Partia Demokratike Shqiptare

Shumë teori konspiracioni egzistojnë në lidhje me Partinë Demokratike Shqiptare. Një nga këto është krijimi i kësaj partie nga Ramiz Alia për të ligjëruar pluralizmin de jure, por jo de facto, në kuptimin që edhe kjo parti të ngelej vegla e tij. Në vazhdimësi sipas kësaj teorie presupozohet se Sali Berisha dhe Gramoz Pashko e shumë të tjerë ishin të dërguarit e Ramiz Alise dhe sabotuan partinë studentore duke e uzurpuar atë ashtu siç ishte planifikuar.

Mirëpo, me orientime apo pa orientime nga Ramiz Alia, PD u bë udheqja kryesore e popullsisë së djathtë apo demokratit shqiptar. Pra në thelb, si force politike, PD përfaqson një elektorat të gjërë dhe të konsoliduar me mendim të djathtë dhe kundërshtar i rrymës së majtë në shumë pika midis tyre ato që kan të bëjnë me lirinë personale, pronën e private mbi atë të përbashkët dhe tregun e lirë, pra parimet bazë të kapitalizmit.

Mbështetësit e PD me krijimin e saj varionin nga të gjitha shtresat. Simpatizantët e Partisë Demokratike ishin mjaft divers; këtu hynte puntori i thjeshtë shqiptar,  studentët dhe moshat relativisht të reja, pjesa e popullsisë e persekutuar nga rregjimi komunist, intelektual dhe akademik te të gjitha fushave, ish punonjës të administratave te rregjimit të mëparshem të cilët ishin të pakënaqur nga sistemi komunist ose nuk besonin në filozofinë e tij. Pra Partia Demokratike pranoi në rradhët e saj një larmi jo vetëm mendimi por edhe përfaqsimi.

Partia Demokratike kishte rrënjë të forta në veriun e vendit ndryshe nga ajo socialiste e cila kishte predominancë ne jug. Partia Demokratike e cila vetquhet force e djathtë kishte përpara një sfidë të jashtëzakonshme mbas krijimit të saj; të përfaqsonte me dinjitet popullsinë e djathtë shqiptare. Teorikisht, mendmi i djathtë ndahet në dy rryma, e para liberlizmi klasik ose (laissez-faire conservatism) dhe konservatizmi tradicional. Ajo që është e përbashkët për keto dy rryma është interesi personal, liria e individit, përkrahja e pronës private dhe indiferenca e qeverise apo kufizimi i saj në kontrollin e ekonomisë etj. Pyetja qëndron në cilën nga këto rryma bie Partia Demokratike shqiptare dhe si e vuri në zbatim ideologjinë e saj?

Po të shohim arritjet e PD menjëherë mbas pluralizmit, vërejmë se u kryen mjaft privatizime duke filluar me banesat. Mbas lejimit të ekonomisë së tregut të lirë e cila kishte përmasa mjaft modeste dhe nuk njihte tavan pa dyshim që spekullimet ishin të panumërueshme dhe krijuan shtrat në ekonominë e re shqiptare.

Por një nga falimentimet e PD në detyrën e saj për privatizimin e ekonomisë ishte politika e ndjekur në tetë vjeçarin e fundit  “atdheu privat”. Kjo politikë privatizimi  degjeneroi për shkak të korrupsionit masiv qeveritar. PD nuk i qëndroi politikës laissez-faire  aspak në termat e kapitalizmit të pastër, por “laissez-faire” ishte një neglizhim dhe mbyllje sysh ndaj afereve korruptive.

Partia Demokratike ka vite që është në krizë, morale dhe strukturale. Me  largimin e Berishës nga kreu i PD nuk hapet asnje mundësi për reformin të përgjithshëm të saj. Kandidaturat e paraqitura deri tani paralajmërojnë për vazhdimin e trashgimisë se Berishës dhe politikës së tij klanore, ndarese dhe përçarëse brënda saj. Demokratizimi i zgjedhjes  së kryetarit të ri është vëtëm një farsë pasi njerëz te cilët mund të kenë vlera nuk inkurajohen të hedhin kandidaturën dhe nuk shohin shanse fitimi. Partia Demokratike ka rreth 23 vjet në krye me  një udheheqës autokrat i cili e largoi nga fryma e saj e vërtetë demokratike dhe e ktheu në një parti familje, të njohurish , të afrëmish dhe atyre që ishin thjesht shërbëtorë të saj. Kjo është e papranueshme për një forcë politike me bazë demokratike.

Pa u ndalur shumë në zbatimin e politikave të PD, vlen të thuhet që sot kjo parti nuk mbështet në mënyrë të mirëfillt te djathten dhe demokratin Shqiptar. Gjatë 23 viteve të jetës së saj PD ka humbur mbështetje për shkak të politikës së gabuar që ka ndjekur. Për shëmbull, FRD lindi si një rebelim ndaj politikës së Berishës dhe mospajttueshmërisë me praktikat e tij. Por disfavori i FRD apo faksioneve te tjera është se atyre u mungon elektorati. FRD pavarësisht nga vlerat, muk mundi të terheq një pjesë dermuese të elektoratit të djathtë gje e cila rezultoi në  mosmarrjen të as edhe një mandati.  Ndërsa PD, e ruan elektoratin e saj me fanatizen dhe me praktikat e saj demagogjike.

PD ka humbur ndër vite gjithashtu edhe shumë anëtarë të saj të cilët kanë qenë pjesë vitale jo vetëm në kryesi por edhe ne strukturat vendore. Por megjithatë,  humbja e PD në keto zgjedhje ishte e thelle por jo fatale. Populli i dha përsëri rreth 55 mandate PD, gjë e cila tregon se demokrati i thjesht shqiptar është më se i konsoliduar këto 23 vjetët e fundit dhe kërkon një forcë politike që ta përfaqsoj denjësisht. Ajo që është karakteristike për demokratin e tjeshtë shqiptar është se nuk mund të kapërcejë dhe të votojë (përgjithsisht) për një përfaqsues të partise socialiste pa e vënë në diskutim faktorin meritokraci dhe e njëjta ndodh dhe me socialistin shqiptar i cili nuk voton për një përfaqsues të PD sado i denjë të jetë.

Dy forcat politike shqiptare: Drejt sistemit dypartiak

Të dyja këto parti si PS ashtu dhe PD janë një miks midis partive qeveritare dhe atyre elektorale në kuptimin që megjithëse zyrtarët e tyre janë të zgjedhur, ata përsëri janë të organizuar dhe janë në vartësi të strukturës së tyre lokale deri në atë kombëtare. Në ndryshim nga partitë e mirëfillta elektorale të cilat kontrollohet nga organizatat e jashtme apo lobet, PS dhe PD në dukshmëri nuk kontrollohen nga lobe të fuqishëm sepse ato financojnë pak a shumë me burimet e tyre të gjitha nevojat elektorale apo bazike partiake. Ajo që është veçori e partive Europiane është krijimi i koalicioneve ndërkombëtare, të dyja këto parti janë anëtare të koalicioneve përkatëse. PD i përket koalicionit të Partive te Popullit, ndërsa PS i perket Internacionales Socialiste.

Të dyja këto parti qeveritare/elektorale kanë ndarë elektoratin me anë të përçarjes së popullit dhe jo me anë te ideologjisë së tyre të vënë në praktik. Kjo vjen për arsye se paçka nga orientimi i majtë apo i djathtë, populli shqiptar ende nuk e kupton që ndryshimet duhet të jenë thelbësore midis tyre, por në të vërtetë ato nuk janë kur flasim per implementim programesh. Populli nuk e ka të qartë se  për çfarë është përgjegjëse qeveria dhe deri ku është limiti i saj. Ky frustrim shprehet menjëherë pas edhe incidenteve ordinere ku kërkohet doreheqja e x ose y qeveritari për paaftësi. Pra ka mungesë të theksuar edukimi civik, kulture qeveritare dhe partiake në të dy elektoratet.

Ky mentalitet i vartësisë në parti dhe qeveri për të zgjidhur problemet vjen si pasojë e pesdhjetë vjet diktature dhe besimit që njerzit kanë në qeveri si orientuese dhe  rregullatore e çdo problemi. Në fakt populli (në përgjithsi) nuk është i qartë për ndryshimet në praktikë të një force politike të djathtë apo të majtë dhe duke qenë se Shqipëria është ende në periudhë tranzicioni, nuk arrin të kuptojë pse një parti e djathtë në dukje vepron dhe propagandon si parti me bazë sociale.

Por në thelb, të dyja këto forca politike janë shumë larg së qeni përfaqsuese të denja të popullit shqiptar. Praktika ka treguar se të dyja keto forca kanë zbatuar një politikë administratash dhe klienteliste apo klanore. Të dy këto parti janë kapur fort nga individë autokratë dhe janë privatizuar në sensin e pastër të fjalës. E ardhmja e të dyjave ketyre partive nuk duket premtuese, por ka gjasa që Shqipëria të kthehet në sistem dy partiak, pasi impakti i partive të tjera nuk është domethënës. Në qoftëse një fenomen i tillë do ndodh atehere partitë e vogla mund të qëndrojnë më afër asaj që ka ngjashmeri rryme apo programi.