Home » ANALIZA » SHTETI I PARISË APO SHTETI I KOMBIT SHQIPTAR

SHTETI I PARISË APO SHTETI I KOMBIT SHQIPTAR

Në njërin nga shkrimet e tij të fundit Dr. Artan Fuga ngren problemin e mprehtë të lidhjes së shtetit me kombin ndër shqiptarët. Edhe pse problemi ngrihet në një nivel bisedimor-tavolinor dhe diskutimi nuk e kalon atë nivel, për ata që iu kushtojnë vëmendje shkrimeve dhe argumenteve të tilla, cështja është shumë më e thellë, qëndrore në politikën shqiptare do të thoja. Kjo cështje jo vetëm që do të detyrojë politikanët në shtetin shqiptar që të pozicionohen dukshëm e pa ekuivoke, por do të shtyjë edhe vetë shqiptarët që të rivlerësojnë identitetin e tyre dhe lidhjen me shtet-kombin me të gjithë pasojat që do të ketë një rivlerësim i tillë.

Argumenti i Artan Fugës

Argumenti i Artan Fugës është i formuluar në shkrimin “Shteti po bëhet mbiterritorial – askush nuk e vëren!!!” të botuar në gazetën Standard.[1]  Fuga merr shkas nga një VKM I fundit që iu jep shqiptarëve jashtë territorit të shtetit shqiptar të drejtën e qytetarisë në shtetin shqiptar, përvec shqiptarëve të Kosovës, dhe që Fuga nuk e përmend por kryeministri e theksoi, edhe “10% të popullsisë greke me origjinë shqiptare.” Me të drejtë Fuga shpreh habinë që askush nuk po i kushton vëmendje një vendimi të tillë. Sepse, për Fugën, një vendim i tillë e transformon shtetin shqiptar nga një shtet territorial në një shtet të një lloji tjetër.

Fuga e sheh këtë VKM, që është e kthyeshme dhe ligjërisht mund të hidhet poshtë nga shumica sunduese që doli nga farsa demokratike e zgjedhjeve të 23 Qershorit, si dhe implikimet që ka nga tre këndvështrime të ndryshme. Së pari, e sheh nga të drejtat që kanë qytetarët dhe që shteti e ka detyrë që t’ua plotësojë. Së dyti e sheh nga detyrimet që kanë qytetarët ndaj shtetit. Së treti, Fuga e sheh nga implikimet që do të ketë në politikën e jashtme të shtetit shqiptar.

Duke i pasur shumicën e qytetarëve të vet jashtë territorit, shteti shqiptar do të duhet të marrë përsipër detyrimet që ka ndaj tyre si shtetas, dhe kjo do të krijojë probleme të shumta, simbas Fugës, juridike e ndërshtetërore. Kjo do të shtojë barrën e shërbimeve shoqërore, që duhet t’iu ofrohen edhe qytetarëve shqiptarë që jetojnë jo vetëm në Ballkan por edhe në botë. Fuga e sheh këtë VKM edhe në prizmin e integrimit europian dhe shprehet se nuk është I qartë “nëse kjo e shtyn marrjen e statusit apo e përshpejton [integrimin].” Mandej me një notë të pamohueshme sarkazme, Fuga vë në dukje se “Nëse, ta zëmë, do të kishim larg qoftë një katastrofë natyrore në ndonjë komunë shqiptare në Serbi, Evropa do t’i ndihmonte të dëmtuarit edhe si qytetarë serbë, edhe si qytetarë shqiptarë.” Duke parë aspektet e tjera të trajtesës, vihet re s për Fugën përbën shqetësim edhe ndryshimi i raporteve të bashkësive fetare, dhe raporti midis Toskëve e Gegëve. E veshur me një gjuhë të kodifikuar, por lehtësisht të kuptueshme për ata që e kanë ndjekur dhe e ndjekin me vëmendje lojën e parisë së Tiranës, Fuga shprehet, “Duhen bërë të gjitha statistikat tani e tutje, sa nga Veriu sa nga Jugu, sa burra sa gra, sa të krishterë sa myslimanë, sa gegë dhe sa toskë. Institutit të Statistikave do t’i hapen shumë punë. Po a kërkojmë punësim? Ja një front i mirë pune. Edhe statistikat e punësimit biles do të ndryshojnë.”

Megjithatë, mbas këtij ekskursioni argumentativ, Fuga tregon se ku flë lepuri me të vërtetë dhe cka e shqetëson atë dhe parinë e Tiranës, “Ndërkaq, në zgjedhjet e ardhshme, vota e qytetarëve të Shqipërisë, por që jetojnë denbabaden ta zëmë në Kumanovë, Medvegjë, Shkup, Ulqin etj., do të vendosë se si do të kompozohet Kuvendi i Shqipërisë, kush do të jetë Kryeministri në zgjedhjet e ardhshme etj., etj.” Pra, po ta përkthesh në shqipen timë katundare, kjo don me thanë se ky vendim I ndrron raportet dhe tani, shikoni se si do të na sundojnë këta të veriut që nuk janë nga tanët, etj. etj. Nuk ka rëndësi cka mendon Artan Fuga. Rëndësi ka cka përfaqëson Artan Fuga. Rëndësi ka që po të lexohet me kod, kjo që thotë Fuga është shetësuese. Në këtë pikë Artan Fuga përfaqëson mendësinë sunduese të parisë së Tiranës që e sheh shtetin shqiptar si një ciflig të vetin në të cilin, me e thanë shkurt e shqip, ata duhet të sundojnë e ne të tjerët të jemi skllevërit e tyre. Cdo ndryshim në përbërje të shtetit që e rrezikon sundimin e tyre është problem dhe sic do problem, duhet adresuar e zgjidhur.

Implikimet Immediate Politike

Përvec të tjerave, Fuga është i gabuar në një pikë të rëndësishme. Ai mendon se implikimet e pasojat e këtij VKM kanë kaluar pa u vënë re. Mirëpo, vetë vendimi u mor sepse Sali Berisha don të përdorojë kombëtarizmin. Jo pse Lulzim Basha apo Sokol Olldashi janë nacionalistë, përkundrazi. Por sepse Sali mendon një hap me larg se të gjithë. Meqë deri diku e hëngri sepse luajti jo mirë me kartën e nacionalizmit, tani po don ti shkojë deri në fund lojës e ta shfrytëzojë si duhet. Aq më shumë, kur shihet se ka një mbështetje të madhe për kombëtarizmin që ai mendon që ta kalërojë deri në zgjedhjet e ardhshme. Shtoji kësaj faktin se Edi Rama flet për ‘atdhedashuri’ d.m.th. dashuri për shtetin e jo për kombin apo për shtet-kombin. Shtoji këtu sharlatanizmin e atyre që morën flamurin e nacionalizmit në këto zgjedhje dhe që tani ata dhe mbështetësit e tyre gjenden në mes të rrugës. Saliu është dhelpër e vjetër. Dhe duke qënë se këto dy-tre muaj ai është njëlloj si gaforrja që ka hedhur korracën e vjetër dhe nuk e ka krijuar ende korracën e rë, po kërkon të maskohet me kombëtarizmin. Kur të veshë korracën e vet të natyrshme, Saliu do ta shkundë kombëtarizmin si ujku që e kishte lyer këmbën me miell. Por deri atëherë, cdo patericë që ndihmon mbijetesën e tij është e dobishme.

Implikimet afatgjata politike

Ballkani po shkon drejt ndërtimit të shteteve kombëtare. Duke qënë se shteti shqiptar deri më tani ka qënë një shtet shumëetnik, ku flitej shqip e ku sundonin të tjerë që nuk besonin në idenë kombëtare shqiptaret, ky VKM është I një rëndësie të vecantë. Pavarësisht arsyeve pse e bëri Saliu këtë, kjo don të thotë se jemi një hap përpara deklarimit të shtetit shqiptar si shtet-komb të shqiptarëve. Në mos tjetër, ky VKM do të detyrojë parinë e Tiranës dhe segmentet e saj që do të sundojnë që të tregojnë se në cilën anë janë me të vërtetë, në anën e shqiptarëve apo kundër tyre. Cdo përpjekje për ta shmangur, dobësuar, penguar, modifikuar apo shtrembëruara këtë VKM do të jetë guri i vërtetë i provës. Këtë do ta shohim në shumë aspekte. Në përpjekjen e vet për mbijetesë, Sali Berisha ka bërë një lëvizje që nuk i takonte, sepse po ta kishte me zemër e bënte shumë vite më parë, por që me të vërtetë i ka ndrruar kahun lojës. Sepse në një pikë e ka Fuga gabim. Ai mendon se shteti po bëhet mbi territorial. Ky koncept nuk ka kuptim. Shteti është dhe mbetet territorial dhe parimisht sovran. Mirëpo ajo që ndrron me këtë VKM është pronari i shtetit, kombi që e ka në pronësi. Kjo VKM  në një farë mënyre iu njeh shqiptarëve të drejtën që të kontrollojnë shtetin e tyre, që kështu paraqitet formalsht si shtet-komb i shqiptarëve. Në se do të bëhet apo jo, është cështje tjetër, por diku duhet ndryshuar rruga dhe ky është një ndryshim cilësor që nuk duhet nënvlerësuar. Për këtë pajtohem me Fugën, dhe ndryshe prej tij, po mendoj se si kaq shumë përpjekje 100 vjecare me i shmangë shqiptarët nga kontrolli mbi shtetin e tyre zhbahen thjesht nga dashuria e njerëzve për shtet-kombin e vet.