Home » ANALIZA » E PAZËVENDËSUESHME: IDEOLOGJIA KOMBËTARISTE NË POLITIKËN SHQIPTARE

E PAZËVENDËSUESHME: IDEOLOGJIA KOMBËTARISTE NË POLITIKËN SHQIPTARE

Shqiptarët gjenden në një udhëkryq me të vërtetë historik. Mirëpo udhëkryqi historik nuk e ka të shtruar e të dallueshme rrugën ku duhet të ecim. Kësaj here, për shkak të rrethanave specifike, atë rrugë duhet ta hapim vetë. Duke qënë se kombëtaristët e spikatur shqiptarë gjatë historisë sonë na kanë dhënë vlerat, dhe zgjidhjet në nivel parimor, e kemi një strukturë botëkuptimore që do të na orientojë në zgjedhjet që do të bëjmë. Megjithatë, gjendja ku jemi është e vecantë dhe kërkon që ta trajtojmë në përshtatje me specifikën e vet.

Prandaj, pyetja më e rëndësishme me të cilën përballemi të gjithë bashkë e gjithsecili më vete, sepse jemi në të njëjtin qorrsokak, është se cila është rruga që duhet të ndjekim? E keqja është se kemi hyrë në një rreth vicioz në të cilin kemi qënë edhe më përpara. Mirëpo, sjelljet që kemi bërë në rrethana të ngjashme do të na japin të njejtat rezultate e përfundime. E mira e kësaj të keqe të përkohëshme që po përjetojmë është se duke u sjellë në një rreth, nuk jemi asnjëherë shumë larg rrugës së duhur. Me mund e me përpjekje, mund të fillojmë të vihemi në rrugë të mbarë, si të gjithë kombet e popujt e tjerë.

Në mënyrë të pashmangshme, pra, debati për të ardhmen është ideologjik, sepse ideologjia apo botëkuptimi të tregon rrugën ku duhet ecur në të ardhmen, cka është e rëndëishme në të shkuarën dhe si të dalësh nga gjendja ku je i ngërthyer. Dhe problemi më i rrezikshëm në këtë pikë është se në debatin e rëndësishëm politik në shtetin shqiptar mungon ideologjia e duhur. Mungon ideologjia që duhet të japë zgjidhjen e duhur, dhe që do të ndihmonte në shërimin e gjendjes e në vënien në rrugën e drejtë e në shina të forta të historisë së shqiptarëve. Ideologjia e vetme që mbështetet në vullnetin e gjithë shqiptarëve, që iu shërben të gjithë shqiptarëve, dhe që është e domosdoshme dhe e pazëvëndësueshme sepse është e rrënjosur në atë që është e vecantë dhe e papërsëritshme në përkatësinë e tyre, është kombëtarizmi. Në këtë sprovë të shkurtër do të kisha dashur të cek e të trajtoj disa nga anët më të rëndësishme të këtij problemi të mprehtë, vecanërisht në shtetin shqiptar.

Kombëtarizmi në përplasjen ideologjike

Shqiptarët janë një nga popujt më kombëtaristë që mund të gjinden në faqe të dheut. Inisiativat e nismat e shumta në nivel qytetar, në emigracion apo në shtetin shqiptar, individuale apo kolektive, kulturore apo politike, të mbështetura në traditën apo në bashkëkohësinë, dëshmojnë për karakterin e theksuar kombëtarist të shqiptarëve. Megjithatë, trysnitë nën të cilat janë gjendur e gjinden shqiptarët, dhe braktisja që iu kanë bërë intelektualët e tyre, dhe presionet e fuqishme që vijnë nga sistemi ndërkombëtar duket se kanë krijuar carje të thella që vetëm po zgjerohen me kohën që kalon. Ndërsa shqiptarët kërkojnë një shtet-komb normal, paritë sunduese të tyre nuk ndjekin zgjidhje kombëtariste por kanë përqafuar e propagandojnë me një intensitet të madh ideologji që iu shërbejnë interesave të tyre të vecanta si grupe, si shtresa, si klane, dhe si struktura kriminale. Kjo shihet në katër nivele.

Në nivelin e politikës dhe të politikanëve, tashmë partitë politike shqiptare janë struktura me udhëheqje të konsoliduar, por pa një ideologji të mirëfilltë mbarëshqiptare, shtet-komb formuese e që iu shërben të gjithë shqiptarëve. Politikanët drejtues të shqiptarëve në Tiranës, Prishtinë e Shkup kanë përqafuar ideologji e sisteme vlerash që iu shërbejnë grupimeve të vecanta e shtresës së tyre. Shtresa e politikanëve shqiptarë, pavarësisht kontekstit ku e zhvillojnë aktivitetin tashmë po përvijohet qartë si oligarkike, kleptokratike, mafioze dhe kriminale. Tipike për këtë fenomen është paria e Tiranës, por, në drejtim të sjelljes ndaj shtetit dhe kombit, nuk bën shumë dallim as paria e Prishtinës apo e Shkupit. Nuk kanë rëndësi fjalët e slloganet që përdorin, rëndësi ka kuptimi që iu japin.

Së dyti, kjo shihet edhe në veprimtarinë e shtresës influente në nivel të shoqërisë që ka përqafuar ideologji qytetërimore apo që e mbështet sjelljen e vet në bindje fanatike fetare. Duke gjetur terren të favorshëm, edhe për shkak të diskreditimit të parisë, dhe të injorancës së saj të theksuar ideologjike, e të mungesës së vlerave të saj politike, aktivistë shoqërorë e struktura të caktuara autoritative në nivel të shoqërisë, janë gjallëruar dhe po mbushin hapësirën e lënë bosh. Mirëpo, ata po promovojnë me vetëdije ndasi të caktuara shoqërore që mund të politizohen shpejt e të bëhen shpërthyese e me efekte shkatërrimtare. Flaka dhe dinamiti duhet të rrinë larg njëra-tjetrës dhe shqiptarëve nuk iu shërbejnë ideologë që fusin fitilat e përcarjes e të vllavrasjes që po bëhet më e mundshme cdo ditë që kalon. Shkaku kryesor për këtë ecuri është se këto ndasi që po kultivohen me kujdes mbështeten në ideologji që iu shërbejnë grupimeve të vecanta e jo të gjithë shqiptarëve. Në një farë mënyrë këta veprimtarë e funksionarë strukturash në nivel të shoqërisë e të bashkësisë po kthehen në forca centrifugale që po i largojnë shqiptarët edhe më shumë nga njëri-tjetri.

Po ashtu, së treti, shtresa influente e parisë dytësore, intelektualët dhe profesionistët kanë bërë zgjedhje ideologjike që shpesh e influencojnë shoqërinë në drejtimin e gabuar dhe jo të duhur. Bindjet e tyre ideologjike, që iu shërbejnë grupimeve të vecanta të tyre, apo që janë të informuara nga ideologji universaliste e bindje që mund të jenë të vyeshme në kontekste të tjera, nuk iu shërbejnë të gjithë shqiptarëve. Mirë, këta kanë rënë rob të pasurimit, nuk dalin dot nga kornizat e të menduarit në të cilat janë stërvitur, dhe, më e keqja, po shfaqin një shkallë të habitshme oportunizmi e rezinjate të frikshme që i shmang nga përgjegjësia historike dhe që i ndan nga populli, pjesë integrale e të cilit janë, dhe shprehës të vullnetit të të cilit duhet të jenë. Të gjithë këta individë që shprehen në jetën publike, edhe pse në medium dhe në nivele të ndryshme, kanë sisteme të dallueshme vlerash e bindje ideologjike të ndryshme.

Së katërti, problem është acaruar jashtëzakonisht shumë për shkak se tashmë edhe masa e madhe e njerëzve që janë edukuar jashtë vendit, nuk flasin gjuhën kombëtariste e me ideologjinë kombëtariste. Të rritur në sisteme në të cilat njerëzit përgatiten për t’iu shërbyer shteteve e kombeve të caktuara, këta flasin me një gjuhë të sofistikuar por që nuk e shpreh vullnetin e popullit dhe nuk ngjet. Duke kërkuar me transplantue ideologji e sisteme ideologjike që janë të vyeshme në kontekste të tjera, por që nuk iu shërbejnë shqiptarëve, kjo shtresë e edukuar, që përndryshe do të ishte shumë e vyeshme po izolohet përditë e më shumë. C’është edhe më e keqja, kjo shtresë po konformohet dhe po shkrihet në strukturat e parisë së cilës i përket dhe të cilës po i shërben me bindje.

Mungesa e kombëtarizmit ideologjik

Mungesa  e kombëtarizmit në debatet e përditshme në shtyp e në media, por edhe në politikën e ditës,  nuk do të thotë se nuk ka nevojë për një ideologji të tillë apo se nuk ka një ligjërim të qartë kombëtarist. Arsyeja është se, edhe pse shqiptarët dhe politikanët e mendimtarët po merren intensivisht me personat, interesat dhe problematikën immediate mbaszgjedhore, konflikti ideologjik që ka të bëjë jo vetëm me gjendjen prezente por mbi të gjitha me të ardhmen afatgjatë, nuk ka shkuar kund. Më shumë se kurrë, sot ndjehet nevoja e ideologjisë dhe e diskutimit ideologjik. Gjatë dy-tre ditëve të fundit, një seri shkrimesh e shqiptimesh në shtypin e përditshëm e vënë në dukje qartësisht debatin ideologjik dhe praninë e përplasjes ideologjike. Dallimi është se në shtypin e në mediat e Tiranës mungon e vetmja ideologji që duhet të jetë e pranishme, dhe që është zgjidhja e vërtetë:  kombëtarizmi. Për shumë shkaqe, e ndër më kryesoret janë rrethanat tona specifike, e shkuara e jonë historike, përbërja e parisë, mendësia popullore, dhe trysnitë e shumta të jashtme, kombëtarizmi duket se ka qënë ideologjia e panevojshme e tranzicionit.

Asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës. Pavarësisht cektësisë së argumenteve, ekstremizmit, dogmatizmit dhe varfërisë konceptuale, debati që po zhvillohet në të të gjitha nivelet në shoqërinë shqiptare është thellësisht ideologjik. Ndeshja ideologjike është e dallueshme në të gjithë nivelet e organizimit shoqëror.  Argumentet që përdoren, edhe kur janë të pasistemuara apo të mbështetura në premise kontradiktore e përjashtuese, janë të hedhura me përsëritje të rregullt e me një intensitet që i bën të duken të pakontestueshme. Mirëpo në nivele të ndryshme shoqërore veprojnë ideologji të ndryshme. Megjithatë, për shkak të politizimit të pashmangshëm të ideologjive, që do të kalojnë shkallë-shkallë nga formësimi kulturor në ekstremin tjetër që është fanatizmi ideologjik,  përplasja ideologjike do të vije duke u intensifikuar shumë shpejt. Në fakt është e pranishme edhe tani, edhe në këtë fushatë zgjedhore.

Diskreditimi i përpjekjes gjatë zgjedhjeve të fundit për ta përdorur kombëtarizmin si bindje të masave dhe si ideologji, por në funksion të interesave të grupeve të caktuara dhe të individëve të vecantë nuk është diskreditim i ideologjisë. Në fakt, kjo që ndodhi gjatë zgjedhjeve të kaluara vë në dukje nevojën e jashtëzakonshme që ka shoqëria shqiptare për një ideologji të tillë. Sepse ideologjinë e bartin njerëzit dhe shpeshherë ajo pranohet përmes njerëzve, karizmës apo shembullit të tyre, e jo vetëm për shkak të vyeshmërisë së saj si botëkuptim e si system vlerash që iu shërben të gjithëve.

Në vend të përfundimit

Përplasja ideologjike që po materializohet në shtetin shqiptar është me rrezikshmëri të lartë sepse po kthehemi qëllimisht në kaosin totalitar e në ndasitë e manipuluara e të kultivuara të frikshme të fillimit të shtet-formimit. Këto ndasi e papajtueshmëri që mund të politizohen lehtësisht janë të përcaktuara nga katër faktorë: feja, interesat klasore, dallimet kulturore, dhe nga influenca e ideologjive universaliste. Ideologjia e vetme që mungon është kombëtarizmi. Mirëpo e vetmja ideologji që iu shërben të gjithë shqiptarëve është kombëtarizmi. Kështu që duhet përqëndrohemi edhe një herë në trajtimin e këtij problemi parësor ideologjik, politik dhe kulturor. Dhe prandaj kjo sprovë duhej të ishte edhe si një ftesë për një debat që duhet ta zhvillojmë, dhe sa më shpejt, aq më mirë.