ALBIN KURTI: KOMBI DHE FEJA NDER SHQIPTARET

Shqiptarët nuk kanë tolerancë ndërfetare. Ndërtimi i tolerancës ndërfetare midis tyre bëhet veçse shkatërrim. Shqiptarët përherë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë bashkëpunim ndërfetar. Nëse për botën toleranca ndërfetare është vetë suksesi, ne gjithmonë ishim përtej kësaj e kishim më shumë se kaq. Për çështjen e religjionit dhe fesë, shqiptarët janë para botës, janë shembull që duhet ndjekur të tjerët.

Toleranca është durim i tjetrit, i qenies e i pranisë së tjetrit. Ajo nënkupton që ekzistojnë arsye për të mos toleruar dikë a diçka, por ja që po ndodh toleranca. Toleranca ngjan përkundër jotolerancës duke e etabluar pikërisht jotolerancën si parësore. Andaj, nga personi i toleruar pritet të jetë mirënjohës e falenderues që po tolerohet. Toleranca është vetëpërmbajtje, është mosveprim në kushtet kur veprimi do të ishte i dëmshëm. Bashkëpunimi është veprim në kushtet kur veprimi është i dobishëm.

Shqiptarët muslimanë, katolikë e ortodoksë nuk e kanë toleruar asnjëherë njëri-tjetrin sepse gjithnjë kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Ose, për të qenë më të saktë, nuk kishin si ta toleronin njëri-tjetrin sepse aty s’kishte tjetër. Të qenit shqiptar, pra kombi, konsiderohej vlerë përbashkësuese shoqërore e historike dhe rëndësi strategjike politike e ushtarake. Para pak ditëve, si në Detroit, po ashtu edhe në Worcester e në Boston e gjetëm flamurin kombëtar shqiptar: te Imam Shaip Gërguri, te Dom Fran Kolaj, si dhe te Imzot Nikon e Atë Liolini.

Në fund të shekullit XIX e përgjatë shekullit XX kështu mbijetuam. Të gjitha ngritjet e kryengritjet, rezistencat e luftërat çlirimtare u zhvilluan në emër të kombit e për hir të kombit. Hoxhallarë, priftërinj e klerikë të tjerë, besimtarë shqiptarë të të gjitha religjioneve e feve, bashkoheshin si shqiptarë. Njëkohësisht, edhe armiqtë e shqiptarëve nuk bënin shumë dallim se kush çfarë feje ishte kur i sulmonin shqiptarët. Armiqtë tonë ishin e janë armiq të kombit tonë. Dëshmorët e kombit i kemi të të gjitha feve në secilën luftë tonën çlirimtare.

Nga pikëpamja fetare, kombi shqiptar njëmend është heterogjen, por ai nuk është edhe aq i vetëdijshëm për atë heterogjenitet. Kjo vetëdije cytet prej jashtë, prej koncepteve, nocioneve e kategorive të importuara (kryesisht perëndimore). Ngjashëm sikurse që shqiptarët as për së afërmi nuk e quajnë e njohin veten e tyre për gegë e toskë sa e bëjnë këtë gjë politikanët e diplomatët, studiuesit e gazetarët e huaj. Ndarjet midis nesh nuk janë tonat.

Tema e fesë dhe e religjionit te shqiptarët nuk është aq e vetë shqiptarëve. Kohëve të fundit këtë temë dhe aspekte të saj po i sjellin në debatin publik gjithnjë e më shpesh qeveritarët kosovarë thua se duan të na e konfirmojnë që Qeveria e Kosovës nuk është e shqiptarëve. Medie të regjimit kohë pas kohë nxjerrin video inçizime të vjetra të klerikëve për të ndezur polemika që i sipërvendosen aktualitetit politik në shtetin e Kosovës që po dështon. Lansoje një temë fetare duke shfaqur video nga arkiva (kush e di edhe sa të tilla i mbajnë për t’i publikuar më vonë?) dhe askush s’do të flasë për një kohë për ratifikimin e marrëveshjes Thaçi-Daçiq,privatizimin e KEK-ut e të PTK-së, varfërinë e papunësinë në rritje. Mbase nuk ka se si të jetë ndryshe: tash kur Thaçi po merret vesh me Serbinë për ridimensionimin e shtetit të Kosovës nevojitet të krijohet përshtypja që armiku kryesor nuk vjen prej jashtë (Serbia) por nga brenda (islami). Dhe, kësisoj të normalizohet Serbia brenda Kosovës e të nxjerret islami jashtë, duke barazuar islamin tradicional që e kemi prej shekujsh me tendencat e pasluftës të bazuara në lexime e interpretime të tjera të Kuranit.

Në anën tjetër, posaçërisht gjatë këtyre dy viteve të fundit, Qeveria e Kosovës dhe analistët e regjimit e kanë humbur debatin me Lëvizjen VETËVENDOSJE! si për çështjet politike e kombëtare po ashtu edhe për ato sociale e ekonomike. Ata nuk kanë shpresë tjetër përveç religjionit. Kjo është karta e fundit që u ka mbetur. Duke e ditur heterogjenitetin brenda shqiptarëve që reflektohet edhe brenda subjekteve politike përfshirë këtu VETËVENDOSJE! -n, ata duan përçarje të alternativës ndaj saj për ta maskuar pafuqinë e vetë asaj. Meqenëse VETËVENDOSJE! doli të jetë kështjellë e pamposhtur në diskutimet për politikën e bashkimit kombëtar, zhvillimin ekonomik të bazuar në prodhim, dhe shtetin e së drejtës e atë social, le ta provojmë me religjionin thonë ata, sepse dihet që njerëzit mbajnë bindje e qëndrime personale të ndryshme. Ana tjetër e së njëjtës medale është që duke nxitur tensione ndërfetare e fetare të kërkojnë buxhet shtesë e vazhdim të kontratës për ShIK-un nga qarqe të caktuara amerikane: pa ShIK-un pa dyshim që PDK-ja jo vetëm se dobësohet, por me gjasë edhe zhduket fare.

Këto debate do të vazhdojnë sepse pushteti i ka mundësitë e fuqinë për nxitjen e përhapjen e tyre. Tash kur antagonizmat themelorë janë ato midis popullit shqiptar dhe Serbisë si dhe midis shumicës së varfër e të shpronësuar kundrejt privatizuesve të pasur, përmes një video sekuence të para tetë muajve por të shfaqur para disa ditëve, po përpiqen të na bindin që antagonizmi themelor e vendimtar na qenka ai midis burrit dhe gruas (sic.).

Morali nuk duhet kufizuar te religjioni e religjionet. Kosova është shtet sekular ku duhet të ketë liri të religjionit e të religjioneve pa dallim dhe ku çështjet e etikës konsistojnë te ndërgjegja e njeriut. Paralelisht me këtë, rrënjët e moralit të qytetarëve mund t’i gjejmë jashtë tyre: te gjendja sociale e materiale, te trajtimi që ua bën pushteti, te lloji i organizimit shtetëror. Në kohëra e në vende të ndryshme, në ekonomi e shtresa të ndryshme të popullsisë, nuk gjejmë morale të njëjta. Kështu, milionerët e skamnorët kanë gjykime etike fort të ndryshme ndërkaq prostitucioni është përgjithësisht skllavëri. Aty ku besojmë që kemi identifikuar shkaqet, më shpesh seç mendojmë, mund të kemi parë veçse pasojat.

Dallimi gjinor nuk bën të na e organizojë shoqërinë. Dhe, sa më shumë barazi, aq më pak dallime. Barazia shoqërore duhet ta përfshijë dhe ta nënkuptojë barazinë gjinore. Pa barazi, nuk ka dinjitet, por dominim e frikë, që do të thotë se nuk ka as liri. Barazia është vlerë: edhe pikënisje, edhe synim. Dinjiteti i grave e i burrave duhet të mbrohet e të respektohet njësoj.

Në vjeshtën e vitit 2008, pas krizës financiare me pasoja globale, në politikën botërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare kemi një rikthim të rolit të shtetit dhe kombit. Po nuk e kuptuam ne shqiptarët këtë gjë, do ta paguajnë shtrenjtë edhe brezat e ardhshëm. Shqiptarët janë një komb

i fuqishëm por me shtete të dobëta (të Kosovës e të Shqipërisë). Bashkimi kombëtar nuk e ka kuptimin e një kombi të ri të bashkuar por e një shteti të ri të bashkuar për kombin.

Përderisa kishte mirëqenie të përgjithshme, lulëzonin organizmat e mekanizmat ndërkombëtarë, mirëpo porsa u cenua ajo mirëqenie secili popull e komb iu kthye shtetit të vet dhe kozmopolitanizmi nisi t’ia lëshojë vendin sërish nacionalizmave. Natyrisht, problemi është që edhe ai kozmopolitanizëm i mëhershëm ishte prej së larti (apo, siç thoshte me një rast një filozof francez: kur ta dëgjosh fjalën kozmopolit dije që një perandori po zgjerohet), por edhe ky nacionalizëm është përgjithësisht reaksionar meqë organizohet rreth dallimit kombëtar e lakmisë e jo çlirimit kombëtar dhe barazisë.

Shqiptarët në Ballkan nuk duhet të lejojnë as të shfrytëzohen si bedem mbrojtës i ‘Evropës së krishterë’ përpara ‘depërtimit të islamit nga lindja’ dhe as të përdoren nga ‘islamistët ekstremistë’ kundër ‘perëndimit të krishterë’. Sepse, pikë së pari, këso figurash që përbëjnë imagjinatën e ndarjes lindje-perëndim të fetarizuar janë ato të doktrinës së mbrapshtë të përplasjes së civilizimeve. Përplasja e civilizimeve është orvatje për kulturalizmin e më pas edhe fetarizimin e kundërthënieve socio-ekonomike e gjeo-politike (duke i depolitizuar ato).

SAMI ZEKAJ: RËNIA E SHKODRËS NE ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT 2013

Kërkoi historinë Jozefina Topalli dhe e ashtu ndodhi. Pas 23 qershorit 2013 do të mbahet mend si lidershipi shkodran që i dorëzoi bastionin antikomunist të majtës. Memoria e këtij qyteti fisnik kujton edhe një dorëzim të ngjashëm pararendës, të ndodhur në vitin 1924, kur Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi bashkëpunuan me Fan Nolin, por ishte një e majtë që as vetë nuk e dinte se ishte e tillë. Atë që Enver Hoxha arriti me burgje, internime, pushkatime e fshirje tradite dhe memorie, udhëheqja e Topallit e arriti me konsensus kolektiv, duke e detyruar qytetin ta ndëshkojë PD-në. E natyrisht fituesi do të ishte antagonisti: jo aq për meritën, sepse 4 mandate kishte dhe po aq mori, se sa për rrjedhjen e votëbesimit tek aleatët e PS-së.

Rezultati flet vetë

E majta: 11.788 vota PS-ja ose 27,98 %, 5.620 vota LSI-ja ose 13,34 %, 690 vota Partia Mendimi i Djathtë Liberal, 645 vota Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë; e djathta: 17.225 vota PD-ja ose vetëm 40,88 %, 1.579 vota PR-ja, 920 vota FRD-ja. Këto janë partitë që kalojnë kufirin 1 % në Bashkinë Shkodër.

U votua etika?

Deputeti i vetëm i partisë Kristian Demokrate të Shqipërisë, Mark Frroku, është vëllai i Arben Frrokut të akuzuar për vrasjen e kryekomisar Arben Lamaj. Dyzetepesë vota më shumë ka marrë aleati i tij Mustafa Lici, kryetari i partisë Mendimi i Djathtë Liberal. Dihet që Lici, i cili ka qenë prej disa vitesh pjesë koalicionit të djathtë të Bashkisë Shkodër, është i ngujuar pasi familjes së tij i atribuohet vrasja e një “kolegu” nga top-lista e të fortëve të qytetit. I njëjti person e shiti ndërtesën e ngritur për partinë e vet në një lulishte publike të Shkodrës si studio televizive të TV1 Channel, media private e neo-deputetit të LSI-së, Agron Çela. Ky i fundit nuk është i ri në zaptimin e lulishteve publike: i vetmi hotel me pesë yje i Shkodrës, pronë e familjes, ngrihet mbi lulishten kryesore të qytetit, ndërkohë që, fjala bie, kryebashkiaku aktual, Lorenc Luka, nuk i kthen Myftinisë së Shkodrës as lulishten/pronën përreth xhamisë kryesore të qytetit, por, në të kundërt, ai dhe paraardhësit e tij gjejnë hapësira publike për të mbjellë, përballë xhamisë dhe në oborrin e saj, monumentet e Luigj Gurakuqit, Nënë Terezës dhe Pellumb Pellumbit. Mbetet mister se si do ta respektojë qytetarin një person i cili qytetarit i merr pronën e përbashkët. Nuk po komentojmë pastaj të shumëpërfolurin apo rilindësin Tom Doshi.

Atëherë, përse kjo rënie?

Faktorët janë kompleks. Një pjesë janë shpjegues të mundshëm në rang kombëtar, një pjesë janë specifik shkodran.

1. Së pari, arroganca e pushtetit dhe modeli autoritar. Mbase shkodranët mund t’ia “bëjnë hallall” Berishës këtë qasje, për karizmën e tij, por Topalli nuk përfaqësonte prej kohesh shkodranët ose të paktën përfaqësonte vetëm një pjesë të tyren, megjithëse edhe kjo është e diskutueshme pasi kryeparlamentarja nuk ka fituar as në zonën e vet. Duke imituar liderin Berisha, Topalli e shndërroi Parlamentin në oborr shtëpie, ku mund të sillej e të fliste sipas dëshirës. Ndërsa pushtetin lokal dhe qendror, të aplikuar në qytetin e Shkodrës, e kishte nën kontroll të padiskutueshëm. Siç u pa, gabohej rëndë. Topalli krijoi bindjen se Shkodra, qyteti i devotshëm i PD-së, ishte pronë e kësaj partie ose, më mirë, e llumit i cili u ngurtësua pa u turbulluar – përveçse, dhe pjesërisht, gjatë drejtimit të bashkisë nga Bahri Boriçi – për 23 vite.

Ajo përfaqëson/te disa rrathë përkatësie sociale në Shkodër. Këtë ia vë në dukje analisti dhe drejtori i Mapo-s, Artur Zheji, në një artikull të 2011, kur Topalli rrëshqiste drejt vetëkënaqësisë në debatin e shëmtuar me presidentin e republikës, Bamir Topi. Shkruante Zheji: «Jozefina është gege […] dhe e manifeston me mendjemadhësi legjitime krenarinë e saj, për këtë dialekt hyjnor, të persekutuar përdhunisht për 50 vjet. Kjo gjuhë e Skënderbeut, e Nënë Terezës, e Buzukut apo Marin Barletit […] e at Zef Pllumit, e Koliqit, e legjendës Gjergj Fishta». Fjalët e Zhejit janë replikë ndaj artikullit të Henri Çili ku ndër të tjera themeluesi i Mapo-s shkruante se Topalli «i brendashkruhet një politike lokale që lidhet me Shkodrën, Veriun, ish- të përndjekurit, katolikët apo  […] një familje e madhe shkodrane me traditë». Përtej faktit se në këtë analize-replike mes Zhejit dhe Çilit i pari – sidomos pas indulgjencës kishtare si pasojë e skeçit Llakaj-Bajko mbi Gjon Palin II – bën detyrën e gardianit e për rrjedhojë analiza duket oborrtare, duhen vëne re shtresat që përfaqëson/te Topalli. Duke hequr përfaqësimin e Shkodrës dhe Veriut në rang kombëtar, në një zonë më të ngushtë ngelet feja e saj, shkodraniteti dhe persekutimi. Madje për Zhejin gjuha e Topallit është vetëm katolike.

2. E këtu dalim tek arsyeja e dytë, që është tërësisht shkodrane: polarizimi fetar i qytetit. Çili kishte të drejtë kur e quante Topallin «anti-elektorale». E forcuar nga devocioni shkodran ndaj PD-së, Topalli harroi që Shkodra as nuk është pronë e një feje partiake e as e një feje hyjnore: duke frakturuar ekuilibrat me arrogancën e Topallit, PD-ja i fali Shkodrën të majtës.

3. Arsyeja e tretë, ose kalimi nga votuesi idealist i viteve ’90 dhe i fillim viteve 2000, përmes votuesit militant, deri tek degjenerimi me votuesin mercenar, lidhet ngusht me arsyen e dytë. Në Shkodrën e Jozefina Topallit, për të gjetur punë në administratën publike të kontrolluar nga pushteti lokal dhe qendror, erdhi një kohë që CV-ja e kandidatit, përveç parave (mercenarizmi), duhej të përmbante tre kushte: 1.injoranca, reale ose jo,  pasi vetëm kështu eprori mund të drejtojë i patrazuar; 2. të qenurit banorë të qytetit, por jo shkodranë, sepse i “huaji” vuan kompleksin e inferioritetit, është më i bindshëm dhe nuk ka një klan pas vetes; 3. feja, natyrisht e kryeparlamentares.

4. Arsyeja e katërt është hipokrizia deri në nivelet e talljes apo krijimi i imagjinatës publike me ‘sikur: sikur po punojmë, sikur kemi etikën e duhur, sikur kemi plane afatgjata, sikur po ndërtojmë infrastrukturën e domosdoshme sociale, sikur po investojmë për arsimin, e kështu me radhë.

Le të marrim dy shembuj. I pari lidhet me administratën publike, konkretisht me Drejtorinë Arsimore Rajonale të Shkodrës, e drejtuar prej vitesh nga Atrida Ferketi. Mbase bindja e opinionit mbarë qytetar që drejtoresha Ferketi shet vende pune në arsim me euro (5-7 mijë) është një legjendë metropolitane, por nuk na intereson fakti se sa opinioni i cili është në gjendje të drejtojë votën. Jo vetëm që lidershipi i PD-së në Shkodër nuk mori masa për ta mënjanuar këtë opinion, jo vetëm që e sfidoi votuesin me indiferencën ndaj korrupsionit në arsim, por e lejoi Ferketin të ndërtojë një pallat të shëmtuar në një rrugë pedonale, përkrah Muzeut Historik të Shkodrës (një shtëpi dykatëshe, tipike qytetare).

Edhe nëse duket ‘sikur’ po punojnë për kulturën me promovimin e zonave pedonale, në dekadën e fundit Shkodra e ka humbur plotësisht fizionominë e saj. Është shëmtuar nga pallatet asimetrike në të gjitha aspektet.

Mirëpo, kur elita drejtuese me rroga administrate ngre pallate, e kjo vazhdon për dy dekada, do të thotë që forca politike nga e cila buron kjo administratë e konsideron elektoratin e vet si turmë barngrënësish: pra, «çfarëdo të bëjmë ne, këta budallenjtë janë besnikë të partisë». Kjo është mënyrë e mirë për ta humbur votën.

Shembulli i dytë vjen nga ekuilibri i përfaqësimit social. Edhe këtu është përdorur metoda ‘sikur po i përfaqësojmë’. Topalli ishte e bindur se me koktejet tip Voltana Ademi, që vijonte teorikisht eksperiencën (bashkiake) e Artan Haxhit, dhe me qytetarët myslimanë “dem baba dem”, tip Astrit Bushati, kishte vendosur ekuilibrat. Persona të tillë, që populli i quan “pa tëmth”, kanë aftësi thjesht të kurojnë interesat personale, duke mos rrezikuar asnjëherë “filantropinë” e liderit, në këtë rast Topalli. Nga njëra, me këta “kolegë”, Topalli ka siguruar vazhdimësinë e patrazuar të lidershipit të saj në qarkun e Shkodrës, e nga ana tjetër ka krijuar iluzionin sikur përfaqësohet i tërë elektorati i PD-së së qytetit. Në teori përfaqësimi është realizuar, por në praktikë nuk është ndjerë, dhe, duke qenë se vota është fenomen praktik, pikërisht mosndjesia reale tek masa i ka barasvlerësuar zgjidhjet Bushati, Troshani, Ademi e Spahija me talljen ‘sikur’. Topalli ka pasur kohën dhe mjetet për ta nuhatur përfaqësimin tallës. Nëqoftëse nuk është në gjendje për kaq pak, nuk e kuptojmë çfarë i duhet PD-së.

5. Një arsye është mungesa e konkurrencës. Tetë vite pushtet qendror dhe dy dekada pushtet lokal, për më tepër kur postet në administratë janë transformuar në kolltukë privatë të dhënë me qera nga partia, detyrimisht kanë zbehur çdo iniciativë. Nuk është rastësi që fushata elektorale e PD-së në Shkodër ka qenë mjaft e zbehtë. Kjo parti vinte në zgjedhje e sigurt për fitoren, sepse pas dy dekadave mendonte që tashmë e kishte privatizuar pushtetin, që delegimi ishte teori e vlefshme vetëm për Perëndimin.

Mund të themi se Jozefina Topalli e humbi betejën elektorale në të gjitha frontet. Në një qytet ku e djathta është e shenjtë, ta detyrosh votuesin drejt alternativave të tjera nënkupton se udhëheqja, së paku, ka qenë katastrofike. Gjithashtu u dëshmua se ku të shpien personat e shtyrë në politikë, ata që postin nuk e fitojnë, por u jepet nga lart. Siç bie faji i dështimit të PD-së mbi Berishën, rënia e Shkodrës bie mbi të emëruarën Topalli. Nëse PD-ja kërkon demokraci, rinovim, shtysa për ardhje në pushtet, një nga figurat që duhet të kuptojë pensionimin e karrierës politike është Jozefina Topalli.