Home » ANALISTE TE FTUAR » SAMI ZEKAJ: RËNIA E SHKODRËS NE ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT 2013

SAMI ZEKAJ: RËNIA E SHKODRËS NE ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT 2013

Kërkoi historinë Jozefina Topalli dhe e ashtu ndodhi. Pas 23 qershorit 2013 do të mbahet mend si lidershipi shkodran që i dorëzoi bastionin antikomunist të majtës. Memoria e këtij qyteti fisnik kujton edhe një dorëzim të ngjashëm pararendës, të ndodhur në vitin 1924, kur Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi bashkëpunuan me Fan Nolin, por ishte një e majtë që as vetë nuk e dinte se ishte e tillë. Atë që Enver Hoxha arriti me burgje, internime, pushkatime e fshirje tradite dhe memorie, udhëheqja e Topallit e arriti me konsensus kolektiv, duke e detyruar qytetin ta ndëshkojë PD-në. E natyrisht fituesi do të ishte antagonisti: jo aq për meritën, sepse 4 mandate kishte dhe po aq mori, se sa për rrjedhjen e votëbesimit tek aleatët e PS-së.

Rezultati flet vetë

E majta: 11.788 vota PS-ja ose 27,98 %, 5.620 vota LSI-ja ose 13,34 %, 690 vota Partia Mendimi i Djathtë Liberal, 645 vota Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë; e djathta: 17.225 vota PD-ja ose vetëm 40,88 %, 1.579 vota PR-ja, 920 vota FRD-ja. Këto janë partitë që kalojnë kufirin 1 % në Bashkinë Shkodër.

U votua etika?

Deputeti i vetëm i partisë Kristian Demokrate të Shqipërisë, Mark Frroku, është vëllai i Arben Frrokut të akuzuar për vrasjen e kryekomisar Arben Lamaj. Dyzetepesë vota më shumë ka marrë aleati i tij Mustafa Lici, kryetari i partisë Mendimi i Djathtë Liberal. Dihet që Lici, i cili ka qenë prej disa vitesh pjesë koalicionit të djathtë të Bashkisë Shkodër, është i ngujuar pasi familjes së tij i atribuohet vrasja e një “kolegu” nga top-lista e të fortëve të qytetit. I njëjti person e shiti ndërtesën e ngritur për partinë e vet në një lulishte publike të Shkodrës si studio televizive të TV1 Channel, media private e neo-deputetit të LSI-së, Agron Çela. Ky i fundit nuk është i ri në zaptimin e lulishteve publike: i vetmi hotel me pesë yje i Shkodrës, pronë e familjes, ngrihet mbi lulishten kryesore të qytetit, ndërkohë që, fjala bie, kryebashkiaku aktual, Lorenc Luka, nuk i kthen Myftinisë së Shkodrës as lulishten/pronën përreth xhamisë kryesore të qytetit, por, në të kundërt, ai dhe paraardhësit e tij gjejnë hapësira publike për të mbjellë, përballë xhamisë dhe në oborrin e saj, monumentet e Luigj Gurakuqit, Nënë Terezës dhe Pellumb Pellumbit. Mbetet mister se si do ta respektojë qytetarin një person i cili qytetarit i merr pronën e përbashkët. Nuk po komentojmë pastaj të shumëpërfolurin apo rilindësin Tom Doshi.

Atëherë, përse kjo rënie?

Faktorët janë kompleks. Një pjesë janë shpjegues të mundshëm në rang kombëtar, një pjesë janë specifik shkodran.

1. Së pari, arroganca e pushtetit dhe modeli autoritar. Mbase shkodranët mund t’ia “bëjnë hallall” Berishës këtë qasje, për karizmën e tij, por Topalli nuk përfaqësonte prej kohesh shkodranët ose të paktën përfaqësonte vetëm një pjesë të tyren, megjithëse edhe kjo është e diskutueshme pasi kryeparlamentarja nuk ka fituar as në zonën e vet. Duke imituar liderin Berisha, Topalli e shndërroi Parlamentin në oborr shtëpie, ku mund të sillej e të fliste sipas dëshirës. Ndërsa pushtetin lokal dhe qendror, të aplikuar në qytetin e Shkodrës, e kishte nën kontroll të padiskutueshëm. Siç u pa, gabohej rëndë. Topalli krijoi bindjen se Shkodra, qyteti i devotshëm i PD-së, ishte pronë e kësaj partie ose, më mirë, e llumit i cili u ngurtësua pa u turbulluar – përveçse, dhe pjesërisht, gjatë drejtimit të bashkisë nga Bahri Boriçi – për 23 vite.

Ajo përfaqëson/te disa rrathë përkatësie sociale në Shkodër. Këtë ia vë në dukje analisti dhe drejtori i Mapo-s, Artur Zheji, në një artikull të 2011, kur Topalli rrëshqiste drejt vetëkënaqësisë në debatin e shëmtuar me presidentin e republikës, Bamir Topi. Shkruante Zheji: «Jozefina është gege […] dhe e manifeston me mendjemadhësi legjitime krenarinë e saj, për këtë dialekt hyjnor, të persekutuar përdhunisht për 50 vjet. Kjo gjuhë e Skënderbeut, e Nënë Terezës, e Buzukut apo Marin Barletit […] e at Zef Pllumit, e Koliqit, e legjendës Gjergj Fishta». Fjalët e Zhejit janë replikë ndaj artikullit të Henri Çili ku ndër të tjera themeluesi i Mapo-s shkruante se Topalli «i brendashkruhet një politike lokale që lidhet me Shkodrën, Veriun, ish- të përndjekurit, katolikët apo  […] një familje e madhe shkodrane me traditë». Përtej faktit se në këtë analize-replike mes Zhejit dhe Çilit i pari – sidomos pas indulgjencës kishtare si pasojë e skeçit Llakaj-Bajko mbi Gjon Palin II – bën detyrën e gardianit e për rrjedhojë analiza duket oborrtare, duhen vëne re shtresat që përfaqëson/te Topalli. Duke hequr përfaqësimin e Shkodrës dhe Veriut në rang kombëtar, në një zonë më të ngushtë ngelet feja e saj, shkodraniteti dhe persekutimi. Madje për Zhejin gjuha e Topallit është vetëm katolike.

2. E këtu dalim tek arsyeja e dytë, që është tërësisht shkodrane: polarizimi fetar i qytetit. Çili kishte të drejtë kur e quante Topallin «anti-elektorale». E forcuar nga devocioni shkodran ndaj PD-së, Topalli harroi që Shkodra as nuk është pronë e një feje partiake e as e një feje hyjnore: duke frakturuar ekuilibrat me arrogancën e Topallit, PD-ja i fali Shkodrën të majtës.

3. Arsyeja e tretë, ose kalimi nga votuesi idealist i viteve ’90 dhe i fillim viteve 2000, përmes votuesit militant, deri tek degjenerimi me votuesin mercenar, lidhet ngusht me arsyen e dytë. Në Shkodrën e Jozefina Topallit, për të gjetur punë në administratën publike të kontrolluar nga pushteti lokal dhe qendror, erdhi një kohë që CV-ja e kandidatit, përveç parave (mercenarizmi), duhej të përmbante tre kushte: 1.injoranca, reale ose jo,  pasi vetëm kështu eprori mund të drejtojë i patrazuar; 2. të qenurit banorë të qytetit, por jo shkodranë, sepse i “huaji” vuan kompleksin e inferioritetit, është më i bindshëm dhe nuk ka një klan pas vetes; 3. feja, natyrisht e kryeparlamentares.

4. Arsyeja e katërt është hipokrizia deri në nivelet e talljes apo krijimi i imagjinatës publike me ‘sikur: sikur po punojmë, sikur kemi etikën e duhur, sikur kemi plane afatgjata, sikur po ndërtojmë infrastrukturën e domosdoshme sociale, sikur po investojmë për arsimin, e kështu me radhë.

Le të marrim dy shembuj. I pari lidhet me administratën publike, konkretisht me Drejtorinë Arsimore Rajonale të Shkodrës, e drejtuar prej vitesh nga Atrida Ferketi. Mbase bindja e opinionit mbarë qytetar që drejtoresha Ferketi shet vende pune në arsim me euro (5-7 mijë) është një legjendë metropolitane, por nuk na intereson fakti se sa opinioni i cili është në gjendje të drejtojë votën. Jo vetëm që lidershipi i PD-së në Shkodër nuk mori masa për ta mënjanuar këtë opinion, jo vetëm që e sfidoi votuesin me indiferencën ndaj korrupsionit në arsim, por e lejoi Ferketin të ndërtojë një pallat të shëmtuar në një rrugë pedonale, përkrah Muzeut Historik të Shkodrës (një shtëpi dykatëshe, tipike qytetare).

Edhe nëse duket ‘sikur’ po punojnë për kulturën me promovimin e zonave pedonale, në dekadën e fundit Shkodra e ka humbur plotësisht fizionominë e saj. Është shëmtuar nga pallatet asimetrike në të gjitha aspektet.

Mirëpo, kur elita drejtuese me rroga administrate ngre pallate, e kjo vazhdon për dy dekada, do të thotë që forca politike nga e cila buron kjo administratë e konsideron elektoratin e vet si turmë barngrënësish: pra, «çfarëdo të bëjmë ne, këta budallenjtë janë besnikë të partisë». Kjo është mënyrë e mirë për ta humbur votën.

Shembulli i dytë vjen nga ekuilibri i përfaqësimit social. Edhe këtu është përdorur metoda ‘sikur po i përfaqësojmë’. Topalli ishte e bindur se me koktejet tip Voltana Ademi, që vijonte teorikisht eksperiencën (bashkiake) e Artan Haxhit, dhe me qytetarët myslimanë “dem baba dem”, tip Astrit Bushati, kishte vendosur ekuilibrat. Persona të tillë, që populli i quan “pa tëmth”, kanë aftësi thjesht të kurojnë interesat personale, duke mos rrezikuar asnjëherë “filantropinë” e liderit, në këtë rast Topalli. Nga njëra, me këta “kolegë”, Topalli ka siguruar vazhdimësinë e patrazuar të lidershipit të saj në qarkun e Shkodrës, e nga ana tjetër ka krijuar iluzionin sikur përfaqësohet i tërë elektorati i PD-së së qytetit. Në teori përfaqësimi është realizuar, por në praktikë nuk është ndjerë, dhe, duke qenë se vota është fenomen praktik, pikërisht mosndjesia reale tek masa i ka barasvlerësuar zgjidhjet Bushati, Troshani, Ademi e Spahija me talljen ‘sikur’. Topalli ka pasur kohën dhe mjetet për ta nuhatur përfaqësimin tallës. Nëqoftëse nuk është në gjendje për kaq pak, nuk e kuptojmë çfarë i duhet PD-së.

5. Një arsye është mungesa e konkurrencës. Tetë vite pushtet qendror dhe dy dekada pushtet lokal, për më tepër kur postet në administratë janë transformuar në kolltukë privatë të dhënë me qera nga partia, detyrimisht kanë zbehur çdo iniciativë. Nuk është rastësi që fushata elektorale e PD-së në Shkodër ka qenë mjaft e zbehtë. Kjo parti vinte në zgjedhje e sigurt për fitoren, sepse pas dy dekadave mendonte që tashmë e kishte privatizuar pushtetin, që delegimi ishte teori e vlefshme vetëm për Perëndimin.

Mund të themi se Jozefina Topalli e humbi betejën elektorale në të gjitha frontet. Në një qytet ku e djathta është e shenjtë, ta detyrosh votuesin drejt alternativave të tjera nënkupton se udhëheqja, së paku, ka qenë katastrofike. Gjithashtu u dëshmua se ku të shpien personat e shtyrë në politikë, ata që postin nuk e fitojnë, por u jepet nga lart. Siç bie faji i dështimit të PD-së mbi Berishën, rënia e Shkodrës bie mbi të emëruarën Topalli. Nëse PD-ja kërkon demokraci, rinovim, shtysa për ardhje në pushtet, një nga figurat që duhet të kuptojë pensionimin e karrierës politike është Jozefina Topalli.