EGLANTINA NASI: KONSUMI NE SHOQERINE SHQIPTARE: KAFE, CIGARE DHE BIRRE

Kafe, cigare, por edhe birre. Jane tre produkte nga te cilat duket se shqiptaret nuk heqin dot dore kollaj. Madje, ndaj te cileve duket se po e shtojne konsumin e tyre nga viti ne vit. Nje dukuri te tille e konfirmojne te dhenat me te fundit te publikuara nga Drejtoria e Pergjithshme e Doganave, per 5-mujorin e pare te ketij viti. Sipas te cilave, ne teresi te ardhurat e siguruara nga zhdoganimi i ketyre tre produkteve kryesore qe taksohen me akcize, kane shenuar rritje. Kjo edhe pse prej muajsh ka hyre ne fuqi ligji i ri i akcizave, i cili parashikonte uljen e tarifave per disa prej tyre. Konkretisht, te dhenat progresive te DPD-se, tregojne se ne total, ne fund te 5-mujorit 2013, rezultonin te zhdoganuara 3.126 ton kafe, nga 2.855 te tilla per te njejten periudhe respektive te nje viti me pare, apo 2.794 ne vitin 2011. Sikunder, rezultojne te zhdoganuara 9.138 ton birre, nje sasi e konsiderueshme kjo, edhe pse me pak renie krahasuar me vitin e kaluar, qe numeronte 10.448 ton. Apo 1.142 ton cigare sivjet, nga 1.299 per te njejten periudhe te vitit te kaluar. Sakaq, edhe nje tjeter produkt i rendesishem qe taksohet me akcize, ai i karburanteve, duhet thene se ka shenuar edhe sivjet nje ecuri te qendrueshme te importeve te tij nga jashte, duke u cilesuar keshtu si nje kategori e rendesishme e konsumit vendas. Perkatesisht, me plot 12.469 milione leke te ardhura qe i ka siguruar administrates doganore shqiptare per 5-mujorin e pare te ketij viti. Ndersa ne sasi, te dhenat e DPD-se referojne per plot 156.876 ton karburante te futura ne vend permes traut te doganes, sivjet, nga vetem 134.652 te tilla vjet apo 129.649 ne vitin pararendes, 2011.

12.723 Milione leke rezultuan ne teresine e tyre te ardhurat e siguruara per buxhetin e shtetit nga produktet e akcizes ne fund te majit 2013, nga vetem 7.409 te tilla nje vit me pare etj

3.126 Ton kafe ne total, rezultuan te zhdoganuara ne fund te 5-mujorit 2013, nga vetem 2.855 te tilla per te njejten periudhe respektive te nje viti me pare, apo 2.794 ne vitin 2011

9.138 Ton birre ne total, rezultuan te zhdoganuara ne fund te 5-mujorit 2013, nga 10.448 te tilla per te njejten periudhe respektive te nje viti me pare, duke folur gjithsesi per konsum

1.142 Ton cigare ne total, rezultuan te zhdoganuara ne fund te 5-mujorit 2013, nga 1.299 te tilla per te njejten periudhe respektive te nje viti me pare, duke folur gjithsesi per konsum

156.876 Ton karburante rezultojne te futura ne vend permes traut te doganes ne fund te 5-mujorit 2013, nga vetem 134,652 te tilla vjet apo 129,649 ne te njejten periudhe te vitit pararendes, 2011

LEDJAN PRIFTI: SHQIPTARËT APO SERBËT?

Problemi i statusit ndërkombëtar të Kosovës ka angazhuar gjithë diplomacitë e Fuqive të Mëdha prej 14 vjetësh dhe duket se do kalojnë edhe 14 të tjerë para se problemi të jetë në rrugën e zgjidhjes. Janë thënë e stërthënë shumë gjëra rreth kësaj çështjeje, i është ardhur rregullisht rrotull esencës së problemit, por nga ana shqiptare ka një kokëfortësi të çuditshme për të analizuar problemin në thellësinë e tij.

Esenca e problemit nuk është  pavarësia e Kosovës e statusi ndërkombëtar i saj, por në favor të cilit komb do të jetë status quo-ja e shek 21, të shqiptarëve apo serbëve. Në terma të tjerë më praktikë, cili komb do të zërë vendin e Jugosllavisë si fuqia më e madhe e Ballkanit Qendror. E theksoj kere sepse qendra është pika nevralgjike e çdo rajoni, kush dominon qendrën, influencon ndjeshëm rajonin.

Jetojmë në kohët e globalizmit e integrimit; duke folur kështu, e duke i pranuar si   percaktuese keto dy procese, anashkalohet rëndom esenca e problemit ne Ballkan. Mirëpo, pavaresisht perspektivave, globalizmi dhe integrimi europian nuk kanë eliminuar aspak raportet e fuqisë mes shteteve dhe as kanë eliminuar nevojën e ekuilibrave politiko-ushtarake për ruajtjen e status quo-ve në rajone të ndryshme të Europës dhe Botës. Përndryshe mund të thuhet me bindje të plotë e pa frikë kontestimi, se globalizmi dhe integrimi europian kanë efekte te kunderta nga ajo qe presupozohet prej proponenteve te tezes se bota nuk ka nevoje per kombe e shtet-kombe. Keshtu, integrimi europian dhe globalizimi kane favorizuar ringritjen e Gjermanisë në rolin që i takon, madje po bëhet realitet ëndrra e vjetër gjeopolitike e Gjermanisë, që njihet si ”Mitteleuropa”. Po ashtu tërheqja ruse nga Europa Lindore ndihmoi Grandeur-in e Francës duke shtuar influencën e saj në Lindje, pothuaj në nivelin e pas Luftes se Pare Boterore, kësaj radhe në bashkëpunim me Gjermaninë (asokohe me Anglinë).

Pra, globalizmi dhe integrimi europian janë përkthyer në realizimin e objektivave franko-gjermane, ”Grandeur” dhe ”Mitteleuropa”; ”Grandeur”-i që tregon ambicjet frënge dhe ”Mitteleuropa” nevojat industrialo-financiare për tregje të Gjermanisë.

Ku jemi ne? Prej 23 vjetësh shqiptarët e Shqipërisë shohin me instistim nga deti dhe jugu, kur në fakt e ardhmja e tyre gjendet në Ballkanin Qendror. BE-ja do të vijë në Shqipëri prej Ballkanit Qendror, pasi të integrohet Serbia e ndoshta edhe Maqedonia. Nuk ka asnje shans që Europa per shqiptaret të vijë nga deti dhe jugu, dhe për këtë duket se po binden ngadalë të gjithë ata që përdorin arsyen politike. Por e ardhmja e shqiptarëve gjendet në Ballkanin Qendror edhe sepse status quo-ja e re e Ballkanit për shek. 21, do të përcaktohet në pjesën qendrore të tij, posaçërisht në Kosovë e Maqedoni. Sado ta mbajmë vëmendjen larg zhvillimeve në këto dy shtete, janë ato dy shtete që na tërheqin si magnet sa here që shfaqen problem ne Ballkan.

Me shkëputjen e Maqedonisë në vitin 1992 dhe të Kosovës në 1999, Serbia humbi pothuaj gjithë territoret që pushtoi gjatë 2 luftërave ballkanike të 1912-1913-s dhe të konfirmuara pas L1B. Për të fituar hegjemoninë në Ballkan, Serbisë, pas dëbimit të Turqisë iu desh të luftonte kundër Bullgarisë (me kontribut modest të Greqisë). Kur krijoi Jugosllavinë, Serbia hipotekoi status quo-në, që e shihte si shteti më i fortë i Ballkanit. Me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe humbjen e Maqedonisë e Kosovës, Serbia jo vetëm humbi përfitimet territoriale, por edhe statusin e shtetit hegjemon. Mirëpo statusi si formë prestigji është diçka e vështirë si për t’u fituar ashtu edhe humbur. Edhe pse realiteti mund të dëshmojë rritjen apo rënien e tij, duhet të kalojë njëfarë kohë që njerëzit ta njohin si afatgjate rritjen apo rënien e statusit apo prestigjit.

Kështu Serbia, vërtet e humbi statusin e shtetit më të fortë gjatë viteve ’90, por vetëm këto vitet e fundit, kjo humbje po perceptohet si reale. Nëpërmjet mbajtjes peng të Kosovës, Serbia vetëm sa po vonon perceptimin e forces reale që zotëron. Humbja e hegjemonisë krijon një zbrazëti hegjemonie/influence (pushteti, fuqie, power) rajonale, e cila për nga vetë natyra e fuqisë nuk mund të jetë afatgjatë. Sot për sot, zbrazëtinë e kanë mbushur trupat ndërkombëtare dhe fuqizimi politik i faktorit shqiptar, i cili ka një shtet të dytë në Kosovë dhe është  shtetformues në Maqedoni.

Esenca e problemit është se çdo të ndodhë pasi trupat ndërkombëtare të largohen apo te vendosin te mbesin teresisht neutrale. A do të jetë faktori shqiptar që do të zëvendësojë paqësisht peshën ushtarako-politike të trupave ndërkombëtare apo Serbia do të mbajë një gjendje përherë të ndezur nëpërmjet serbëve të Kosovës dhe ndikimit politik në Maqedoni, në mënyrë që destabilizimi të mos lejojë konsolidimin e faktorit shqiptar

Elitat serbe në ndryshim nga ato shqiptare janë duke e parë problemin në thelbin e vet dhe me realizëm të frikshëm (realpolitik) po vendosin bazat e një Kosove të pastabilizueshme prej cdo lloj qeverie shqiptare, duke u krijuar serbëve të Kosovës, nëpërmjet negociatave, kushtet për të qenë një element i përhershëm destabilizimi, por edhe instrument influence politike. Serbët e kanë kuptuar fare mirë se Kosova është e humbur për ta, por ata po përpiqen që humbja e Kosovës të mos përkthehet edhe në humbjen e statusit të shtetit dominant  (hegemon apo me influence te madhe) në punët e Ballkanit, aq më tepër kur kjo humbje duket se shkon në favor të shqiptarëve. Kjo jo vetëm do të çonte dëm gjithë përpjekjet serbe të shekujve 19-20, por do të sillte dëme edhe në çështjen e tyre kombëtare. Për ta hyrja në Europë është diçka e natyrshme, por edhe njera nga alternativat. Ata do ta njohin edhe pavarësinë e Kosovës, por vetëm të një Kosove, të cilën janë në gjendje ta destabilizojne kur të duan, që të mos jetë një shtet që i shërben forcimit të faktorit shqiptar në Ballkan.

Elitat shqiptare nga ana e tyre, nuk kanë kurrfarë shqetësimi kombëtar, janë shndërruar pothuaj të gjitha në elita lokale, të cilat shohin ç’ndodh në oborret lokale, Shqipëri, Kosovë e Iliridë; nuk i shpetojnë dot vetëm formalisht çështjes kombëtare, pasi esencialisht e kanë braktisur që në momentin kur kanë përqafuar lokalizmin. Nuk ka kurrfarë risie historike në këtë fenomen, pasi historikisht elitat shqiptare kanë qenë lokaliste dhe mesa duket Rlindasit nuk arritën dot ta ndryshonin këtë karakter. Kjo pamundësi prodhon në mënyrë të pashmangshme realitete politike të dobëta, të cilat nuk janë në gjendje të shfrytëzojnë ndryshimet gjeopolitike, aq më pak t’i nxisin ato. Për elitat shqiptare integrimi europian është domosdoshëm si teori e praktikë vetëm sepse konfirmon pushtetet lokale, shumësinë e karrigeve parlamentare,  posteve qeveritare etj.

Megjithatë, pavarësisht pengesave serbe dhe të elitave lokaliste shqiptare, ndryshimi strukturor në raportet shqiptaro-serbe të fuqisë , i cili ka nisur që më shpërbërjen e Jugosllavisë, ka mundësuar në tërësi rritjen e ngadaltë e të vazhdueshme të faktorit shqiptar. Si shqiptarë nuk jemi në gjendje t’i nxisim ndryshimet gjeopolitike, sepse na mungojnë elitat kombëtare, por nuk ka pengesë në botë, që mund të na ndalojë dot përfitime sado të vogla nga ndryshimet pozitive ndaj shqiptarëve që kanë ndodhur në këto 20 vjetët e fundit. Nga këto ndryshime, shteti i Shqipërisë dikur i rrethuar nga një Jugosllavi e madhe dhe një Greqi në zhvilllim, përherë me ekzistencë të kërcënuar, tashmë ka si fqinj Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe një Greqi në krizë demografike, ekonomike e politike, e cila po merr konturet e një krize ekzistenciale.

Përqasja pasive e shtetit të Shqipërisë, nuk është diçka e re, e kushtëzuar prej integrimit europian, përkundrazi është një trashëgimi historike, e cila i gjen rrënjët e veta tek rryma sulltaniste gjatë Rilindjes. Sulltanistët e dikurshëm sot kanë veshur petkun e integrimsave, në kërkim të Sulltanit të ri europian, i cili u garanton pushtetet lokale. Eshtë e njëjta racë që riprodhohet vazhdimisht në trojet etnike, stimulon ‘pragmatizmin’ dhe ‘maskarallëkun’ qe mandej shiten si tipare esenciale te shqiptarëve, I perdor keto si burim legjitimiteti të brendshëm dhe mohon në praktikë ekzistencën e çështjes shqiptare, si burim legjitimiteti të jashtëm.

Një prej karakteristikave të kësaj skote sunduesish është se shet tek ”opinioni i masave” nje formë pseudorealizmi për realpolitikë. Sipas këtij pseudorealizmi ne jemi përherë të dobët, sepse nuk bëhemi dot, prandaj nuk duhet të kemi përqasje aktive në politikën e jashtme por të degjojmë vetëm të Madhin, Turqinë, Italinë, BS-në, Amerikën, Europën dhe nqs na japin ndonjë kockë duhet t’u jemi mirënjohës deri në sahanlëpirje. Në të vërtetë abetarja e realizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare nxit për qasje përherë aktive, sepse pasiviteti në ‘xhunglën botërore’ të realizmit nuk është gjë tjetër veçse ftesë për shfrytëzim. Ky pseudorealizëm korr përherë sukses ndër shqiptarë, për një fakt të thjeshtë, sepse në lidhje me politikën e jashtme nuk ka pasur e nuk ka një opinion publik, por vetëm opinion të masave. Opinioni publik nuk krijohet prej imponimit të mendimit nga lart, por nga përballja e mendimeve, ndërsa opinioni i masave nuk është gjë tjetër veçse produkt i propagandës së ideologjisë sunduese.

Për politikën e jashtme të Shqipërisë nuk ka asnjë debat të mirëfilltë (sepse nuk lejohet) që prodhon opinionin publik, por vetëm monolog të pseudorealistëve, të cilët si përfaqësues propagandistike të ideologjisë sunduese, krijojnë opinionin e masave. Pastaj, po të njëjtët dalin si partizanë të opinionit publik dhe demokracisë liberale, të cilës ata vetë i bëjnë atentat në çastin kur bëhen megafonë te elitave për bindjen e masave. Në të vërtetë ata as që e kuptojnë thelbin e aktivitetit të tyre si prijësa turmash, por pandehin se janë ajka intelektuale që prodhon opinionin publik.

Shqiptarët janë të keqinformuar, të manipuluar e të përqëndruar në politikat lokale të Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë dhe jane të privuar nga e drejta e prodhimit te opinionit publik. Meqë pretendojmë demokracinë liberale në radhë të parë për politikën rajonale duhet krijuar opinioni publik, i cili nuk duhet të jetë lokalist, por mbarëkombëtar dhe në bazë të atij opinioni publik duhet të veprojnë qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe përfaqësuesit shqiptarë në Maqedoni. Pa pasur një opinion publik mirëfilli mbarëkombëtar, i cili ushtron presion të vazhdueshëm, çështja kombëtare ka për të qenë në duar të elitave lokaliste dhe megafonëve propagandistike që ato elita paguajnë, me qëllim vazhdimin e sundimit të pseudorealizmit si orientim mbarëkombëtar ndaj politikës së jashtme, veçanërisht ndaj çështjes kombëtare.

Kjo pengesë e brendshme jo vetëm është e para që duhet kapërcyer, por edhe më e vështirë sesa pengesa serbe, pasi pengesën serbe e kapërcen vetiu raporti i ndryshuar i forcave në Ballkan, të cilit ata s’mund t’i bëjnë dot asgjë. Një bashkimi të Kosovës me Shqipërinë, ata nuk kanë kurrfarë force serioze që t’i kundërpërgjigjen. Nga përqasja pasive e Shqipërisë, jo vetëm  që serbet bëhen më të rrezikshëm për stabilitetin e Kosovës, por më të rrezikshëm edhe për vetë Shqipërinë, sepse çdo problem i shtetit të Kosovës me Serbinë do të prodhojë shqetësime serioze edhe në Shqipëri, e cila don apo s’don është e detyruar t’i garantojë Kosovës mbështetje maksimale në rast rreziku, kësaj radhe ndryshe nga 1998-1999, impenjimi do të jetë i drejtpërdrejtë. Pra, përqasja pasive e Shqipërisë, jo vetëm i lejon Serbisë të krjijojë ekuilibra të rinj në favor të saj dhe në dëmin e  shqiptarëve, por edhe shton rrezikun për vetë shtetin e Shqipërisë.

Në asnjë këndvështrim racional, përqasja pasive nuk prodhon pozitivitet për shqiptarët, por përbën humusin për defaktorizimin e vazhdueshëm, defaktorizim, i cili nesër mund të prodhojë rrezik konkret. Cdo rritje e faktorit shqiptar në Ballkan lidhet me përqasje aktive dhe çdo defaktorizim lidhet me përqasjen pasive, që i lë punët e shqiptarëve vetëm në duart e të huajve. Ka ardhur koha që shqiptarët të mos fshihen as pas gishtit e as pas Europes, por të marrin përgjegjësitë dhe rreziqet që vijnë nga të qenit komb i madh ballkanik, i krahasueshëm me serbët, grekët e bullgarët. Ky është imperativi i shekullit të 21.