Home » ANALIZA » GRID RROJI: DEBATI MBI KOMBËTARIZMIN

GRID RROJI: DEBATI MBI KOMBËTARIZMIN

Debati i hapur tek Rrethi i Ferrit mbi vlerën dhe aktualitetin e ideologjisë kombëtariste është një debat i duhur dhe i munguar përgjithësisht në arenën publike shqiptare. Shpeshherë dëgjojmë një përkufizim të cunguar të kombëtarizmit kryesisht të lidhur me nocione të ushtrimit të dhunës ndaj pakicave apo fobive ndaj tyre. Mirëpo kombëtarizmi që kërkon ndërtimin e shtetit komb është një qasje e cila jo vetëm qëndron në thelb të zhvillimit të shtetit modern qysh nga shekulli i XVIII-të, por edhe një nga realitet i pakundërshtueshëm ndër shtetet europiane dhe fqinjët tanë në Ballkan. Në këtë kuptim, ndërtimi i një shteti komb të konsoliduar është jo vetëm nevojë imediate por domosdoshmëri historike për shqiptarët.

Ndaj, mendoj se ashtu siç e kanë shprehur edhe kolegë të tjerë tek Rrethi i Ferrit zhvillimi dhe përhapja e ideologjisë kombëtariste si dhe kërkesa për të ndërtuar një shtet komb modern është rruga e vetme drejt kapërcimit të problemeve të tranizicionit, të cilat më shumë se kurrë kërcënojnë sot shqiptarët.

Kombëtarizmi: Një përqasje teorike.

Kombëtarizmi është një ideologji që u ka shërbyer shumë kombeve për t’a organizuar shoqërinë rreth një shteti me bazë kombëtare. Shtete si Franca, Italia, Gjermania, Izraeli dhe Sllovenia për të përmendur vetëm disa, janë formëzuar në trajtën e tyre moderne bazuar tek kombëtarizmi.

Një nga studjuesit që shpjegon domosdoshmërinë e një zgjedhjeje të tillë është sociologu francez Emil Durkhajm. Ai e konsideron shoqërinë si një “qënie” e cila është e ndryshme nga shumatorja e individëve dhe e grupeve që e përbëjnë atë. Kjo “qënie e një tipi të ri” siç e përkufizonte ai shoqërinë, nuk ishte një nocion universal por kishte kufinj të mirëpërcaktuar nga klani, fisi, grupet profesionale, feja etj. Secila nga to ka personalitetin e vet, ndërgjegjen apo shpirtin përkatës, si dhe ligjin dhe moralitetin që më mirë i përshtaten. Duke qenë se shoqëria është burimi dhe gardiani i civilizimit, i dijes dhe eksperiencës së trashëguar ndër gjenerata, ajo përfaqëson njëfarë stabiliteti dhe vazhdimësie të cilën është e pamundur t’a gjejmë tek individë të veçantë. Këto principe të krijuara në kohë dhe të stabilizuara si të pandryshueshme krijojnë “ndërgjegjen kolektive” të grupit. Mirëpo, shoqëria më e fuqishme sipas Durkhajmit është “shoqëria politike”dhe “atdheu”.  Me të parën ai nënkupton shtetin ndërsa nocioni i dytë presupozon kombin (La Patrie). Thënë thjesht, për të ndërtuar një shoqëri politike të konsoliduar duhet krijuar një shtet komb i konsoliduar. Më tej, teoria e Durkhajmit ësht zhvilluar nga Van Den Berghe i cili shpjegon natyrën etnike të kombeve si dhe e gjen origjinën e miteve dhe historisë së përbashkët tek afrimiteti biologjik midis anëtarëve të kombit. Pra, edhe pse jo në mënyrë shprehimisht të drejtpërdrejtë, teoria sociologjike e Durkhajmit dhe shumë sociologëve të tjerë të modernitetit përkon me shpjegimet kombëtariste.

Ka dy lloje teorish politike që rrjedhin nga koncepti kombëtarist, kombëtarizmi etnik dhe ai qytetar (civik). Sipas filozofit modernist Ernest Gellner ajo çka e bën të veçantë kombëtarizmin është një ndryshim rrënjësor në mënyrën e zhvillimin të  bashkësisë. Kombi lidh njerëz të cilët kanë një histori, gjuhë, zakone dhe prejardhje të përbashkët dhe e organizon shoqërinë në bazë të një shteti i cili e merr legjitimitetin tek kombi. Shteti i ndërtuar në bazë të këtij legjitimiteti bëhet kësisoj autoriteti i vetëm politik me legjitimitetin e duhur për të forcuar dhe përparuar bashkësinë. Pra, për Gellnerin kriteri historik nuk është i rëndësishëm për sa kohë që ekziston vullneti për kombfromim. Mirëpo edhe Gellneri e pranon se prinicipi “një komb-një shtet” edhe pse i artikuluar relativisht vonë, ka rrënjë të thella në nënndërgjegjen e popujve.

Një shembull i suksesit të kombëtarizmit qytetar të propozuar të cituar më sipër janë SHBA-të të cilat nën udhëheqjen ideologjike të shtetarëve si Xhejms Medison krijuan një shtet-komb të bazuar në vlerat qytetare pa patur luksin e një historie të përbashkët kombëtare. Nën ndikimin e parimeve të revolucionit Francez, këta shtetarë krijuan një bashkësi të bazuar në vlerat e barazisë para ligjit, lirisë individuale dhe tejkalimit të shtresëzimit shoqëror aristokratik.

Një tjetër rrymë teorike është ajo që e bazon legjitimitetin e shtetit-komb jo vetëm tek vullneti aktual i një grupi por tek rrënjët e tij etno-historike të cilat mund të mos kenë qenë të shprehura qartë, por kanë ekzistuar në nënndërgjegjen e popullit. Anthoni Smith, një nga përfaqësuesit modernë të kombëtarizmit shprehet se kombëtarizmi është një ideologji e cila e ka origjinën tek “kujtesa historike, tradita,mitet, dhe simbolet e trashëgimisë etnike, të cilat përshkojnë jetën e kaluar të popullit”. Thënë thjesht, kombëtarizmi është një ideologji e cila ekziston në nënndërgjegjen e popullit. Historia, lidhjet e gjakut dhe tradita janë elementë kyç të cilat e përkufizojnë atë.

Në gjykimin tim, pikërsisht ky proçes ndërgjegjësimi ndodhi në Europën perëndimore në shekullin e 18të, por më vonë edhe gjatë proçesit të dekolonizimit të botës së tretë. Pra, kombëtarizmi e ka bazën e vet mbështetëse në dy aspekte të rëndësishme: afërsia etno-kulturore midis njerëzve të së njejtit gjak dhe traditë si dhe ristrukturimi i  strukturave shoqërore për t’a reflektuar këtë riorganizim shoqëror. Ndaj roli i shtetit në përmbushjen e aspiratave kombëtare është i pazëvendësueshëm. Vetëm një shtet i ndërtuar në shërbim të bashkësisë kombëtare, me rregulla që i përforcojnë lidhjet dhe jo ndasitë midis nëngrupeve, si dhe me sens të qartë të detyrës historike mund t’i përmbushë detyrimet ndaj kombit.

Kësisoj, kombëtarizmi shndërron edhe disa aspekte themelore te strukturës shoqërore duke krijuar një model të konsoliduar të një shoqërie me rregulla dhe moral të përcaktuar nga bashkësia. Legjitimiteti i modelit varet jo vetëm nga efektiviteti i tij por edhe nga përkatësia e përbashkët  e anëtarëve të saj dhe qëllimi i tyre i përbashkët. Pra, kombëtarizmi është një ideologji që çon drejt konsolidimit dhe zhvillimit modern të shoqërisë kundrejt copëzimit dhe dominimit të interesave më të vogla familjare, klanore apo të cilitdo grupi tjetër.

Më anë tjetër, kombëtarizmi nuk është karakteristikë vetëm e shteteve të Europës Perëndimore por ka luajtur dhe luan rol vendimtar në shumicën dërrmuese të shteteve kudo në botë. Kryeministri i parë Indian Xhauaharlal Nehru shprehej në mbledhjen e parë të Asamblesë kushtetuese të Indisë së pavarur se “ ne indianët shumë kohë më parë patëm një pikëpjekje me historinë, ka ardhur koha që ne t’i mbajmë zotimet dhe të vjelim frytet”.

Shqiptarët dhe kombëtarizmi.

Populli shqiptar është një nga popujt më të vjetër në Ballkan dhe Europë dhe ka një histori shumëshekullore. Megjithë luhatjet historike, periudhat nën diktatin e fuqive të huaja dhe shumë peripeci të tjera asnjë burim serioz nuk argumenton mosekzistencën e kombit shqiptar.

Rilindja Kombëtare është përpjekja e parë për të ndërtuar një shtet komb shqiptar. Megjithëse e vonuar në raport me fqinjët, Rilindja ishte mishërimi i një rindërgjegjësimi kombëtar dhe rrugëtregues ideologjik për veçantitë e kombëtarizmit shqiptar. Njëra nga veçantitë e kombëtarizmit shqiptar është realiteti i post Londrës i cili na shfaq një komb të ndarë në pesë pjesë. Rilindja përfaqëson edhe sot e kësaj dite aspiratën legjitime të shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre komb.

Mirëpo, rrjedha historike si dhe mungesa e vetëdijësimit të elitave politike shqiptare gjatë shekullit të njëzetë dhe në këtë fillimshekulli, ka sjellë mungesën e një vizioni të qartë dhe devijimin nga agjenda kombëtare. Mungesa e një udhëheqësie të vërtetë dhe vendosja e pushtetit personal dhe klanor mbi interesat kombëtare nga ana e kryesuesve të shtetit shqiptar të Londrës e ka shumëfishuar efektin negativ të këtij fenomeni. Nga Ahmet Zogu tek Edi Rama, duke kaluar nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, dhe Ilir Meta, Shqipëria londineze ka treguar se pushteti klanor ka mbizotëruar tek paria e Tiranës, duke e shpërfillur tërësisht interesin kombëtar. Më tej, tranzicioni mund të konsiderohet pa frikë si eksperiment i dështuar i ideologjive kundërshtare dhe i pseudo-ideologjive. Kozmopolitanizmi, europianizmi, dhe pseudo teoria e “bashkimit në Europën e Bashkuar” janë disa nga këto. Këto lëvizje ideologjike dhe propagandistike të parisë së Tiranës kanë sjellë topitje në popull dhe paqartësi të madhe tek intelektualët e rinj në Shqipëri.

Për këto arsye, megjithë korruptimin e elitave politike në Kosovë dhe Maqedoni, duket se boshti i kombëtarizmit shqiptar po zhvendoset nga Tirana drejt Prishtinës.

Mirëpo, megjithë përpjekjet titanike për t’a reduktuar kombëtarizmin shqiptar në relike historike, realiteti shqiptar ka treguar se ideologjia kombëtariste i ka rrënjët e thella. Mbështetja popullore që siguroi AK-ja, edhe pse e shpërdoruar keqazi nga sharlatanëria e udhëheqjes së saj, dëshmon se kombëtarizmi e ka burimin e fuqisë së vet ideologjike thellë në ndërgjegjen e popullit. Dhe kjo mund të fashitet përkohësisht nën trysninë e faktorëve të jashtëm por nuk zhbëhet. Zhbërja e kësaj ndërgjegje mund të realizohet vetëm nëpërmjet asimilimit, apo thënë ndryshe “vdekjes” së një populli. Ndonëse rreziqet që i kanosen shqiptarëve janë realisht të mëdha, nuk ka gjasa që kjo të ndodhë.

Një tjetër arsye shumë e rëndësishme e cila e bën ndërtimin e një shteti komb të konsoliduar shqiptar një domosdoshmëri është realiteti ndërkombëtar dhe rajonal. Mjedisi ndërkombëtar karakterizohet nga një konkurrencë e pandalshme midis shteteve, shumica dërrmuese e të cilave janë shtete kombëtare. Në këtë mjedis ku “i forti e ha të dobtin” forcimi dhe legjitimiteti i shtetit janë aspekte themelore për mbijetesën e tij. Kombëtarizmi parashikon një politikë të brendshme idealiste dhe një politikë të jashtme realiste në mënyrë që shteti të konsolidohet dhe kombi të forcojë pozitat. Duhet kuptuar pra se kjo nuk është zgjedhje por domosdoshmëri e cila rrjedh edhe nga natyra e sistemit ndërkombëtar.

Më tej, në nivel rajonal shqiptarët janë të rrethuar nga shtet-kombe të cilat jo vetëm që nuk e fshehin natyrën e tyre kombëtariste por operojnë përditë në bazë të parimeve të saj. Pra, mbijetesa e shqiptarëve si komb varet nga ndërgjegjësimi për domosdoshëmërinë e kombëtarizmit si busull orientuese për shqiptarët.

Në vend të përfundimit.

Kombëtarizmi është në gjykimin tim ideologjia e duhur dhe e pashmangshme për shqiptarët në qoftë se kërkojmë një Shqipëri të zhvilluar. Kombëtarizmi shqiptar i shekullit të njëzetë duhet të karakterizohet nga nevoja e ndërtimit të një shteti komb të konsoliduar, nevoja e reformimimt të politikës nga klanoro-mafjoze në një politikë me përmasa kombëtare, ruajtja dhe forcimi i aleancave strategjike të popullit shqiptar, sidomos me SHBA-të por edhe vendosja e interesave kombëtare mbi çdo aspekt tjetër të politikëbërjes.

Rilindja e popullit shqiptar nuk mund të kalojë nëpër kanalet e llumit të rotacionit të parisë së Tiranës. “Rilindja” e njërës palë të parisë së Tiranës nuk mund të përkojë me Rilindjen e shqiptarëve. Nga ana tjetër siç shprehej Shenasi Rama sot, llumit nuk mund t’i kundërvihet llumi. Dalja nga këllira ku na kanë futur palët e parisë presupozon një ndarje drastike me të kaluarën e parisë dhe një fillim të ri. Ndërsa Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kanë asnjë shans të garantojnë Rilindjen e shqiptarëve me anë të qeverisjes së ardhshme, Sali Berisha dhe cilido qehaja i tij që do kryesojë PD-në nuk kanë asnjë shans për të bërë opozitën që u nevojitet shqiptarëve.

Pra, fillimi i ri kalon domosdoshmërisht nga përqafimi i një ideologjie kombëtariste, të shqiptarëve, për shqiptarët e prej shqiptarëve. Fillimi i ri kalon nga opozita e fortë me regjimin që po vjen por edhe me pseudo-opozitarët që do e legjitimojnë atë me shpresën se do u vijë rradha prapë për në tavë. Fillimi i ri kërkon përqëndrimin e të gjitha energjive pozitive të shqiptarëve rreth domosdoshmërisë së ndërtimit të një shteti komb, të konsoliduar e të ndarë nga krimi, të panjollosur nga paria kriminale e Tiranës, dhe të pavarur nga interesat klanore të saj. Shteti komb që kërkohet duhet të garantojë zgjedhje të lira, liritë dhe të drejtat demokratike të të gjithë qytetarëve, barazinë para ligjit dhe drejtësinë por edhe të vendosë në qendër të vëmendjes interesat strategjike të kombit shqiptar.  Shteti komb duhet gjithashtu të ndihmojë në konsolidimin e shoqërisë duke ndihmuar shtresat në nevojë dhe duke i dhënë përparësi sektorëve strategjikë të mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik. Shteti komb duhet të vendosë objektiva të qartë dhe të kryejë një politikë të jashtme në mbrojtje të interesave kombëtare. Shteti komb që na duhet ysht krijimin e një shoqërie civile e cila të veprojë si garante e të drejtave të qytetarit kundrejt interesave të pushtetit. Një shtet komb i tillë nuk do të lejonte elitën t’a vendoste interesin personal mbi atë të bashkësisë kombëtare. Ndaj dhe diskutimi mbi kombëtarizmin është një aspekt fort i rëndësishëm në këtë periudhë tranzicioni.

________

Referenca:

Anthony Smith, Myths and Memories of a Nation, Oxford University Press, 1999.

Ernest Gellner, Do Nations Have Navels?, Nations and Nationalism, Vol.2, Issue 3, 2008.

M. Marion Mitchell, Emile Durkheim and the Philosophy of Nationalism, Political Science Quarterly, Vol.46, No.1 (March 1931), pg. 87-106.

Benjamin Zachariah, Nehru, Routledge London, 2004.

One thought on “GRID RROJI: DEBATI MBI KOMBËTARIZMIN

  1. Shtetet jane si organizmat, qe te rriten kane nevoje per me shume ushqim (energji). Energjia shteteve sot u vjen nga burimet fosile, kryesisht nafta, dhe nga toka bujqesore. Sot eshte nafta qe na mundeson te kemi turizem, media elektronike, media te shkruar, rruge, veshje, ilace, detergjente, kepuce etj. Nafta eshte burim i fundem, pritet qe se shpejti te filloje te pakesohet. Shqiperia ka rezerva nafte te njohura vetem per 29 vjet te tjera, kurse importet e naftes nga Lindja e Mesme shterojne brenda pak a shume po kaq kohe sipas disa analisteve. Pasojat po i ndjejme qe sot, kur zjarrfikesit ne Sarande nuk shkojne dot te shuajne nje zjarr se nuk kane karburant; policet ne Lezhe levizin me kembe se nuk kane karburant, fshataret ne disa zona punojne me parmende per te njejten aresye. Ky shtet-komb, i cili do te kete dyfishin e siperfaqes, do te kete nje administrate se ciles do ti duhet te vizitoje rregullisht cepat edhe me te larget sec jane sot. Me cfare? Pakesimi i karburantit dhe lendes se pare do te beje qe ekonomia te fragmentarizohet; turizmi, informatizimi, media e shtypur te cilat realizojne shkembimin kulturor te pakesohen, Kjo rritje e pavaresise ekonomike dhe kulturore te cdo cepi te Shqiperise nga pjeset e tjera te saj do te shfaqet edhe ne politike, me shperberjen e mundshme te shtetit. Shteti komb erdhi ne histori bashke me burimet fosile, ne shekullin e 19-te. Vetem nese realizohet revolucioni energjitik drejt energjive te rinovueshme, i cili duhet filluar tani, ka nje shans shume te dyshimte Shqiperia per tu bere shtet komb.

Comments are closed.