Home » ANALISTE TE FTUAR » ARTIAN GJATAJ: PARTIA E FORTË DHE PARTIA E SPORTEVE TË RËNDA

ARTIAN GJATAJ: PARTIA E FORTË DHE PARTIA E SPORTEVE TË RËNDA

E vërteta vjen në shumë mënyra, por asnjë formë nuk e nxjerr të vërtetën më lakuriq e nuk dhemb më shumë se sarkazma. E meqë cdo veprim politik, është politik sepse duhet me e përdredhë pak të vërtetën, sarkazma e parodizimi i politikës janë jo vetëm të mundshme por edhe të pranueshme. Në mos tjetër, duke e jetuar jetën politikisht, dhe duke u bartur pasojat e politikës, qytetari e kupton mirë sarkazmën.

Partia e Fortë

Njëra ndër format më efikase të protestës politike ndër shqiptarët po merr jetë në Kosovë duke u mbështetur pikërisht mbi këtë parim. Duke bërë parodinë e partive politike në Kosovë që janë të drejtuara e të komanduara nga individë me nam luftarak, disa të rinj si Visar Arifi, Ilir Bajri dhe Ylli Rugova, kanë themeluar Partinë e Fortë. Brenda pak ditësh, e përhapur si rrufe, kjo Partia e Fortë ka marrë rreth 7000 likes në Facebook.

Në një emision të drejtuar me cilësi nga Adriatik Kelmendi, Rubikon, http://ëëë.kohavision.net/video/rubikon/6264/, Kryetari Legjendar dhe nënkryetarët, ia arritën të ndërtojnë parodinë e sistemit politik të Kosovës. Kryetari quhet Kryetari Legjendar. Partia e Forte nuk ka anëtarësi; të gjithë janë nënkryetarë e nënkryetare dhe të gjithë janë të barabartë. Megjithatë Kryetari Legjendar është pak më i barabartë se të tjerët. Të veshur me pantallona të shkurtëra në mes e poshtë, e me veshje biznesi në mes e përpjetë (një gjetje më vete kjo) dhe duke arritur që me seriozitet të bëjnë parodizimin e sjelljes së partive politike në Kosovë, këta të rinj kanë arritur që të vënë në dukje shumë nga dukuritë që janë kaq të dhimbshme për të gjithë ne. Me një vetedije të lartë politike ata flasin me gjuhën e politikës, por vënë në dukje të gjithë korrupsionin shtetëror, dobësitë e partive politike, sjelljen e papranueshme të kryetarëve të partive që bëjnë vila nga 3 milionë euro në mes të Prishtinës, e me radhë. Mirëpo, kjo ka ngjitur shumë tek të rinjtë e Prishtinës, shumica dërmuese të papunë. Në një vend të varfër si Kosova, por ku ka një vetëdije të lartë kombëtare, sese tashmë Kosova është vatra e vërtetë e shqiptarizmit, të gjitha shmangjet nga normat bien në sy shpejt. E kështu Kryetari Legjendar dhe nënkryetarët e Partisë së Fortë, vene ne dukje dukurite negative si minimin e sistemit demokratik, mosrespektimin e shtetit, të interesit kombëtar, e me radhë. Cdo cështje politike kthehet në të kundërtën e vet. Në vend të mbrojtjes të të drejtave të grave, këta kanë bërë një komision për mbrojtjen e Burrave të Moshës së Mesme, ku burrat do të kenë të garantuar 30% të përfaqësimit në Kuvend e të tjera. Simboli i Partisë së Fortë është një shqiponjë dykrenore me muskuj të krijuar me ndihmën e steroidëve në vend të flatrave.

Cka mund të mësohet prej këtij rasti?

Gjetja është e vecantë dhe kërkon vlerësimin e duhur. Nga një anë, Partia e Fortë është një shprehje e qartë e nivelit të lartë të vetëdijes politike e qytetare ndër shqiptarët e Kosovës. Duhet nënvizuar se edhe pse përpjekja e tyre është që të ruajnë masën dhe të mos e tejkalojnë atë, prapë se prapë, vende vende del dallueshmëria midis fshatit dhe qytetit, midis atyre që bënë luftën dhe atyre që duan të jetojnë jetën e kështu me radhë. Duke i lënë mënjanë teprimet dhe aluzionet për individë të vecantë, e për të cilat ia vlen të diskutohet, sepse jo gjithherë janë të aplikueshme, ka katër gjëra që të bëjnë ti kushtosh vëmendje këtij fenomeni.

Së pari, shoqëria civile shqiptare në Kosovë ka një nivel shumë të lartë kombëtarizmi e vetëdije politike. Nuk mohohet lufta, por kundërshtohen teprimet që bëhen në emër të saj. Së dyti, modelet e sjelljes shoqërore që po vijnë nga Prishtina në Tiranë janë shumë më të avancuara, më qytetare, më të përkushtuara dhe shumë më efektive se sjelljet e OJQ e OJF të Tiranës. E jo vetëm kaq, ato janë edhe vullnetare, cka tregon se shkalla e preokupimit të njerëzve me politikën është e lartë. Së treti, shoqëria civile shqiptare në Prishtinë gjen mbështetje në popull dhe din se si ta kërkojë mbështetjen në popullin shqiptar. Mjafton të shihet sesi Partia e Fortë, po gjen mbështetje tek të rinjtë në forumet shoqërore, e më gjerë. Së katërti, pavarësisht parodizimit, vende-vende të tepruar, presioni që shoqëria shqiptare në Prishtinë iu bën politikës dhe politikanëve është shumë i lartë. Tkurrja e mbështetjes që po përjetohet nga strukturat politike që dolën nga Lufta e që po shfaqen si klienteliste e të korruptuara është shenjë e qartë se ndërsa respekti për Luftën do të ruhet, përpjekja e shqiptarëve është që të gjejnë normalitetin e munguar të jetesës së përditshme.

Parodia si realitet

Po në Tiranë? Realiteti është se në Tiranë sundon Partia e Sporteve të Rënda. Kuvendi është i mbushur me Mundës, Bodigardë, Peshëngritës, Basketbollistë, etj. Edhe Sali Berisha, për shembull, është notar i garave të gjata. Edhe pse me këmbë në tokë, ai rrin në ujë mbi dy orë e shtatë minuta. Ndoshta këtë verë nuk arrin me e thye rekordin personal sepse është në detyrë si kryeministër. Mirëpo reagimi i shoqërisë civile në Tiranë ndaj kësaj që po ndodh përditë është tejet i vakët dhe i dobët. Fragmentarizimi dhe atomizimi i shoqërisë civile janë të dukshme dhe paralizuese. Aftësia e aktivistëve apo e intelektualëve për tu lidhur me popullin shqiptar e për t’u bërë shprehës të ndjenjave të popullit të tyre është e papërfillshme. Prandaj në Tiranë sundon partia e Sporteve të rënda. Po qe se kush vendos të përdorë modelin e Partisë së Fortë në Tiranë, si fillim do të bëja një propozim: në simbolin e partisë nuk duhet të ketë më kokat e një shqiponje dykrenore, por një shtangë dhe në vend të flatrave duhet të ketë të palosura euro e dollarë që dalin nga shtanga. Sugjerimi i dytë do të ishte që sllogani i Partisë së Sporteve të Rënda të ishte “Ne vjedhim ma mirë se ju.” Sugjerimet e tjera do ja dërgoj Kryetarit Legjendar të Partisë së Sporteve të Rënda, të cilit edhe pse nuk e kemi zgjedhur ende, paraprakisht, dhe në emër të anëtarësisë së mundshme i propozoj të nderohet me medaljen “Azem Hajdari.”