Home » ANALISTE TE FTUAR » FADIL LEPAJA: LËKURA E TRETË E GJARPRIT

FADIL LEPAJA: LËKURA E TRETË E GJARPRIT

Qysh po lajmërojnë mediat, një këngëtare e njohur për faktin se shplohej më tepër se të tjerat, përsëri u mbulua! E kryeministri jo! Dorën në zemër, kohëve të fundit pak kush ishte zbuluar aq shumë sa këta të dy.

Derisa po spekulohet se këngëtarja është mbuluar vetëm për muajin e shenjët të ramazanit, kryeministri edhe këtë muaj po del lakuriq para njerëzve. Këtë lakuriq, luteni ta kuptoni gjithnjë në kuptimin politik të fjalës. Kështu, derisa e para shplohej fizikisht, kryeministri është shpluar krejtësisht politikisht. Kushdo mundet lirisht me e portretizue në formën e një tabloje politike, nudo!

Derisa në shtetin fqinjë kryeministri i ri tashmë është famoz për fotografitë e tij nudo, dhe shumçka tjetër, ky yni jo! Ky njihet për veshjen shik, dhe “modestinë” e tepruar politike.

Derisa këngëtarja vetëfotografohej me telefonin e saj modern, kryeministri i përdor kryesisht mediat e tij publiko/private. Mund të thuhet lirisht se, kryeministri ka bërë jetën e tijë politike nëpër shkujë. Tash pas marrëveshjes mund të përdorim edhe fjalën aq popullore “promajë”! Nuk është më jopatriotike! Pra, promajë në të gjitha anët rreth kryeministrit dhe ai ende po mbijeton politikisht! Ai po del lakuriq (gjithnjë në kuptimin politik të fjalës) para qytetarëve. Madje as nuk po e mbulon fytyrën me duar. S’ka më marre. Në politikë si duket marrja ka ‘dekë!

Ai nuk po mbulohet, fare! Po e mbulojnë! Baronesha erdhi prej Brukseli me ia mbulue këmbët me batanije. Edhe pse thonë se gjarpri nuk ka këmbë. Por, çka është e sigurtë, e sigurtë! Disa madje po shkojnë edhe më larg. Kundërshtarët po e theksojnë faktin se fundja edhe Nobeli pati fluturue tuj ba eksperimente me eksploziv.

Në fakt, marrëveshja dhe amnistia ishin një lloj eksplozivi politik, por kryeministri nuk fluturoi. Ai e hoqi edhe lëkurën e dytë! I konvertoi të gjitha meritat nacionale në merita ndërkombëtare. Konvertibile! U prish me të gjithë miqtë vendorë me të cilët krenohej! Nuk po i viziton as në burgje e as nëpër oda! Gjithsesi, ai, i di punët e veta! Unë nuk do ta fajësoja tepër. Se marrëveshja u bë, sepse kështu e kërkoi padroni! Edhe amnistia u bë me kërkesë nga e njëjta adresë. Kryeministri ishte më tepër lobist, zëdhënës!

Përndryshe populli u shqetësua. Rroni e Fisi fjetën përjashta 5-6 ditë para parlamenti. Edhe netët morën ftohtë. Madje ra edhe shi. Edhe nëpër shi po flejmë!Ne të tjerët e përcillnim situatën prej facebook-u. Me fara e kikirika! E bëmë llajk edhe flinë , e cila mori disa mijëra llajk-a, por për ironi, gjysma e saj mbeti pa ngrënë. Kështu po thotë Fisi në facebook! Flinë e porositur për protestues, nuk kishte kush me e hangër! Krizë! Ka rënë edhe industria e protestave!

Krejt pas kësaj melodrame, bataniet dhe banderolat u bartën në facebook. Hashimi shkoi në Bruksel. S’po mudet me ndejtë as një javë pa Ivicën. As pa baroneshën. Në raportimet rreth tyre gazetat ishin të pashpirta dhe të pacipa. Ka ecur teknologjia. Ka përqafime e përqafime! Sidomos në politikë!
Kryesorja, pas aprovimit të amnistisë, ministri i drejtësis na e hoqi gajlen kryesore. Nuk ka me u amnistue Xhabirri, premtoi! As Xhemaili dhe djemtë e Grabovcit!

Tash, diqysh krejt kjo po i bjen punë inati me Xhabirrin , Xhemailin dhe djemët e Ademit të cilët e patën rreh keq policinë e Kosovës! E qysh ka thonë ai i moqmi: “ e ke rreh një polic, e ke rreh krejt policinë” . Ani çka se e kanë rreh ? Mirë ja kanë ba! Pse me hy në polici kur nuk mundet me i dalë zot veti. Pastaj, ne presim me na dalë zot edhe neve, le më vetes ! Mirë ja kanë ba!

E opozitës po i dhimbset policia, edhe pse i ka rreh ata, madje goxha keq! Diqysh opozita po del gjithnjë e paknaqun. Me e rreh policia, keq! Me e rreh policinë, prap keq! Pshtjellim emocional!

Tash, krejt të amnistuarit, ministri edhe s’ka mujtë me i përmend me emër se janë shumë. Pastaj janë edhe biznesmen, politikan. Janë interesa, dhjetëra e mbase qindëra milionshe. Janë edhe njerëz që kanë përfitue nga kriza në veri, por s’janë përmendur poshtë e lartë nëpër media. Se ata nuk duan publicitet. Edhe unë po flas të vogël, për mos me e zgjue prokurorin dhe antikorrupsionin!

Nejse,luftë e madhe shkoi në media rreth këtij ligji dhe marveshjes në përgjithësi. Kryeministri, doli e i mori krejt meritat vet. Ai gjithnjë e paska pasë mirë. Sepse gjithnjë ka bërë kompromise. Madje u ankue për ndërrimin e roleve duke lënë të kuptohej se ai vetëm e ka kryer punën e krejt shtetit. Madje edhe të shoqërisë civile! Sepse OJQ-të, sipas tijë janë pa koncept të qartë dhe kanë rrëshqitur në nacionalizëm e ekstremizëm çka nuk përkon me filozofinë e sajë. Tash kur ndalesh me mendue kthjelltë, nuk është se nuk ka të drejtë. E ka vjedhë idenë e shoqërisë civile për bashkëpunim, kompromis social! Krejt ai i ka ba….vet! Pa e mbajtë, kërkush!

Krejt kjo sipas kryeministrit ka fillue me 25 korrik! Verë, vapë, monotoni, rënie e përgjithshme e interesimit për çështjen e Kosovës dhe pastaj hyn në skenë, ai, supermeni. Pa e majtë kërkush ai e mer një vendim me i ra veriut, ku pas një lufte heroike me mediat, kryeministri mezi i pat tërhequr viktimat e suksesit të tijë! I tërhoqi disa me helikopter të KFOR-it , e ca me të EULEX-it, kryesorja, me përjashtim të një polici që ra në fushën e ikjes, të gjithë patën shpëtuar shëndosh e mirë me ndonjë therrë këmbëve, e mbase edhe… aty, këtu.

Tash, tuta nuk është kategori e matshme, por…nejse!

Në krejt këtë tollovi, në këtë storie suksesi, po mendoja se si me i ra gumë traktorri e me e shlye ikjen masive të qytetarve nga parajsa e quajtun Kosovë. Kosova, ky produkt ndërkombëtarë dhe pak vendorë nuk po u pëlqen shumë vetave të cilët po paguajnë shuma të majme për me ikë ilegalisht prej këtu. Nuk po e përballojnë dot tërë këtë storie të suksesit. Krejt prej inati e kanë. Shumë prej tyre po përfundojnë në kampe në Hungari. Kjo po na e prishë imazhin e mirë që po e krijon kryeministri me kompromise dhe vetvendosje. Po vendosë vet. Çka po don po bon!

Qeveria ëstë alarmue , përndryshe. Po sillet si ide nëpër kuloare që edhe qeveria kishte me qenë mirë me kopijue vetvendosjen. Me dalë e me bllokue Merdaren. Me trupat e tyre me i ndalë autobuzët që po e zbrazin Kosovën. Jo se e kanë gajle, por është punë standardesh, kriteresh për liberalizim. Edhe me i mbulue (mos)sukseset e veta.

Nejse, këngëtarja jonë e famshme për vijat e trupit që i ekspozonte në rrjetet sociale, u mbulue, sërish! U mlue, u shplue , e pastaj …. u mlue. Kosova është vend i mundësive. N’dash mloju, në dash shploju…njejt! Me rëndësi me folë për ty! Me t’a ba like!
Ndoshata Fuadi nuk pajtohet me krejt këtë, por Albini po duket s’e ka problem. Qika i ka mbi 16 vjet. Në dashtë me u mbulue, OK! Në dashtë me u shplue, prapë OK! Për veti e ka! Është një rreth i mbyllur!