Home » KUJTESE » ZBULOHEN MANIPULIMET GJATË HAPJES SË KUTIVE TË LEZHËS NË KQZ

ZBULOHEN MANIPULIMET GJATË HAPJES SË KUTIVE TË LEZHËS NË KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi dje kërkesën e Partisë Demokratike për hapjen e 10 kutive të qarkut të Lezhës, për të marrë provat me anë të të cilave kërkon të argumentojë manipulimin në këtë qark.

Hapja e 10 kutive të KZAZ-së Nr.13 nxori në pah se manipulimi kishte ndodhur më parë dhe në tryezën e grupeve të numërimit dhe më pas që kishte marrë “dorën e dytë” nga KZAZ-ja Nr. 13, e cila në KQZ dorëzoi fotokopjet e tabelave të rezultateve për 10 qendrat e votimit. KQZ i shpalli këto 10 tabela të pavlefshme, pasi kishin shenja manipulimi dhe rezultatin final e nxori nga sistemi elektronik, që sipas këtij institucioni ishte më i sigurt. Por në fakt, rezultoi e kundërta, pasi manipulimi ishte bërë edhe në tabelat e GNV-ve, të cilat faktonin shifra të ndryshme nga ato që u gjetën në kuti, shifra që i shtonin votat Partisë Socialiste dhe që ia hiqnin PD-së, LSI-së dhe PR, po ashtu dhe të “vegjëlve”. Pra, nga hapja e 10 kutive, vetëm dy qendra votimi rezultuan të kenë një rezultat identik me atë të sistemit elektronik të KQZ-së, me anë të të cilit administrata zgjedhore miratoi tabelën përfundimtare. Sipas rezultatit të miratuar nga KQZ, diferenca midis dy koalicioneve ishte 39 vota, por me gjetjen e manipulimit edhe në GNV ky rezultat thellohet në favor të koalicionit të djathtë. Por ky rezultat i ri nuk mund të pasqyrohet në tabelat përfundimtare, pasi një vendim i tillë kërkon 5 vota nga KQZ, që aktualisht është vetëm me katër. Këto prova të kërkuara nga PD mund të paraqiten në Kolegjin Zgjedhor dhe ky i fundit mund të marrë një vendim.

MANIPULIMI

Nga hapja e kutive në 10 QV-të e qarkut të Lezhës, rezultoi se 8 qendra votimi ishin të manipuluara dhe në sistemin elektronik pasqyronin shifra të tjera. Qendra e votimit Nr. 0764 i la të gjithë me “gojë hapur”, teksa rezultoi se Partia Socialiste kishte përvetësuar dhe votat e PDsë, PR-së dhe të aleates së saj, LSI-së. Krahasuar me sistemin elektronik, PS rezultonte sipas të dhënave të KQZ-së të kishte 149 vota. Mirëpo, nga hapja e kutive, rezultoi se në të vërtetë ishin vetëm 31 vota, nga 149 që u miratuan nga KQZ disa javë më parë. Në këtë tabelë që është plotësuar nga GNV-të e komunës së Ungrejit, rezultoi se totalit të PS-së i ishin shtuar dhe 29 vota të LSI. Pra, forca e drejtuar nga Ilir Meta sipas sistemit elektronik kishte 1 votë, por nga hapja e kutisë doli që ishin 30. “Gropa” në rezultat ishte bërë dhe për PD-në, që në elektronikë kishte vetëm 5 vota, ndërsa në kuti dolën 34 vota. Po ashtu të manipuluara rezultuan dhe shifrat e republikanëve, të cilët sipas elektronikës kishin 1 votë, ndërsa në kuti dolën plot 44 vota.

KRAHASIMI

Në 5 qendra votimi, nga 10 që u hapën në total, rezultoi se PS i ka tjetërsuar votat e aleates së saj kryesore, LSIsë. Në QV Nr. 0770, që ndodhet në Lezhë në komunën Ungrej dhe vendosjen në shkollën “Gjobardhaj”, rezultoi se Partia Socialiste, sipas rezultatit të miratuar nga KQZ, kishte 114 vota, por në këtë kuti votimi u gjetën vetëm 22 vota. Ndërsa PD-së nga sistemi elektronik i ishin lënë vetëm 28 vota, ndërsa nga kutia dolën 75 vota. Ajo që ra në sy, ishte tjetërsimi i votave të LSI-së, që në këtë QV kishte sipas elektronikës 28 vota, por në të vërtetë në kuti u gjetën 63 vota, që i ishin shtuar PS-së. Totalit të PS-së i ishin shtuar dhe 6 vota të PBDNJ-së, dhe 6 të PR-së, të cilat rezultonin me zero në rezultatin përfundimtar. Në qendrën e votimit nr. 0765, PS kishte sipas elektronikës 67 vota, por në kutinë e votimit dolën vetëm 39. Ndërsa PD në këtë QV doli se ka tjetërsuar votat e PR-së, pasi në elektronikë kishte 48 vota, ndërsa në kuti dolën vetëm 36. Ndryshimi nga GNV-të në këtë QV po në komunën e Ungrejit është bërë në bashkëpunim, pasi PS ka marrë votat e LSI, ndërsa PD ka marrë votat e PR. Pra, rezultoi se republikanëve në kuti iu gjetën 26 vota, ndërsa në sistemin elektronik ishin vetëm 19 të tilla. Ndërsa PS, në totalin e saj ka marrë dhe votat e LSI-së, që në sistemin elektronik kanë qenë vetëm 6 vota, ndërsa në kuti dolën 24 vota.

KQZ i jep provat PS, hapen kutitë e materialeve zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi dje kërkesën e Partisë Socialiste për hapjen e 6 kutive të materialeve zgjedhore, në të cilat u morën provat që PS kërkonte për të faktuar pretendimet e falsifikimit të zgjedhjeve në qarkun e Lezhës. Me katër vota pro, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi dje 6 kutitë e materialeve zgjedhore të zonës së Mamurrasit, që sipas të majtëve dyshohet se në ato është votuar nga persona të tretë, pasi banorët e saj ndodhen jashtë vendit. Për këto 6 qendra votimi nuk u prekën kutitë e votimit, pasi Partia Socialiste kërkoi të administrojë si provë vetëm materialet zgjedhore, pra listën e votuesve, procesverbalin e hapjes dhe mbylljes së kutive dhe librin e konstatimit të bërë nga komisionet e qendrave të votimit dhe procesverbalet e tyre. Vetëm në një qendër votimi nuk u gjet procesverbali mbylljes, ndërsa në një kuti të materialeve u zbulua se ajo ishte mbyllur nga KQV-ja vetëm me tri kode sigurie, nga 4 që duhen. Partia Socialiste kërkon që të shpallë të pavlefshëm rezultatin në tri qendra votimi në zonën e Laçit dhe në zonën e Mamurrasit, ku sipas tyre pjesëmarrja në votim është e dyshimtë, rreth 90.4 për qind, çka sipas ekspertëve të PS është alogjike. Dje, KQZ pranoi dhe ankimimin e PD-së për rinumërimin e 10 QV-ve të Lezhës, por për ato nuk mund të marrë një vendim përfundimtar pasi nuk ka kuorumin prej 5 votash.

QENDRAT E KOMUNËS KALLMET

Nga rezultati elektronik dhe ai i gjetur në kuti rezultuan vetëm dy kuti të pamanipuluara. Bëhet fjalë për QV-të 0708 dhe 0708/1, edhe pse në kuti rezultati u përputh me sistemin elektronik, këto dy qendra votimi ishin gjurma që hetoi administrata zgjedhore dhe që më pas zbuloi falsifikimin e rezultatit të Lezhës. Këto dy qendra kishin një shtim prej 100 votash në favor të PS-së dhe të hequra ndaj subjekteve të tjera. Po ashtu QV 0708/1 nga 229 votues, për partitë politike kishte të shpërndara vetëm 29 vota, çka krijoi dyshimin tek administrata zgjedhore që i shpalli të pavlefshme.

(Marre nga Panorama)