Home » ANALISTE TE FTUAR » ADEM GASHI: PËRNDEZJA: PËR LUBONJEN E TË TJERËT

ADEM GASHI: PËRNDEZJA: PËR LUBONJEN E TË TJERËT

Fjala që e vura si titull të këtij shënimi nuk është në fjalorët e shqipes. Unë e përdor dhe e kam përdorur (madje kujtoj se edhe e kam lexuar diku), pa pretenduar autorësinë e neologjizmës. Ndoshta jam nisur nga fakti se në Drenicë përdorej si krahinorizëm, mërdhezje, edhe para kodifikimit të rregullave të standardit, që në njëfarë dore përthekon kuptimin e një gjendjeje emocionale në shkallë vlimi, që reflekton tek autori, subjekti, me përskuqje fytyre e hakërrim shikimi. Kështu disi shpjegohej edhe në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe. Më duket se kozmopolitët, snobët dhe universalistët më me qejf e përdorin nocionin e huaj eksitim.

Dhe, tani që i dha shkëndijën kësaj përndezjeje Fatos Lubonja, u shfaqen dhe vetje të tjera: Ramush Haradinaj, dy Buzhalët (Prendi dhe Berati), Arben Idrizi, Ernest Luma, Shkëlzen Gashi, Shqiptar Oseku. U shfaqen dhe të tjerë, po unë këta i lexova. Dy të parët (Lubonjën dhe Haradinajn) i njoh, madje i njoh shumë mirë, por që nuk vetëkupton faktin se i kam edhe miq, sikundër i kam të tjerët që i zura ngoje.

Përkundër prirjes drejt simpatisë ndaj teoricienes kanadeze të postmodernizmit, znj. Linda Haçion, nuk ia dola ta mbaj nën kontroll indiferencën, po gjithsesi po neutralitetin.

Kam pasur kurajë të vlerësoj e nganjëherë edhe të mbështes shumë nga idetë, tezat, konceptet, opinionet e analizat e Lubonjes e të Idrizit. Ky fakt më jep të drejtë edhe të ligem kur ata shkelin në kallo.

S’ka shumë ditë që këtu në facebook kam prezantuar statusin: Shumëçka në këtë jetë edhe mund të falet, pos përbuzjes dhe talljes me Çlirimtarët! Dhe tjetrin: Një lutje për miqtë, shokët e dashamirësit: pranë nocioneve populli…, kombi…, atdheu… përdoreni shumësin e pronorit – YNË, në vend të IM, se mua nuk po më mbetet gjë!

Kam shumë respekt dhe njohuri për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, po aq sa edhe për Vlerat e rendit demokratik. Nuk bëj moral nëse them se E Drejta e mendimit ndryshe nuk përligj edhe Të Drejtën e veprimit ndryshe. Në plan të artit e të filozofisë, pra edhe të filozofisë politike, është detyrë e dorës së parë qëndrimi kritik si kredo e autorit, sikundër edhe deheroizimi e çmitizimi i vulgut, i folklorizmit e idolatrisë, por, vetëm kur kjo bëhet mbi bazë përngjasimi, shëmbëllimi e identifikimi me gjedhen e jetës shoqërore. Në çastin kur veten e vesh me aureolën e instrumentit të ligjit, me atributin e gjyqit dhe shqipton verdiktin: Vrasës!, je në terrenin e huaj, të përndezjes, përkatësisht të deliktit.

E di se, si Lubonja, po ashtu edhe Idrizi, e kanë të njohur Manualin e Luftëtarit të Dritës, Paolo Coelhos.

Një luftëtar i dritës, me një verdikt pafajësie, e zezë në të bardhë, të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, kthehet në shtëpi te fëmijët që janë rritur, pa asnjë faj, pa praninë e prindit për gjashtë a shtatë vite (mund të mos jem korrekt me shifrat e kohës). Dhe papritmas i del në pritë përndezja e të tjerëve: Ti nuk je ky që thuhet e ndihesh, po je ky që themi ne!

Me kodin religjioz këtu është një mëkat i madh; me kodin ligjor këtu është një delikt i madh; me kodin njerëzor këtu është një imoralitet i madh.

Duke qenë dhe një përndezje e madhe do të ishte më se normale që këta njerëz, për të qenë të mëdhenj, ta njihnin edhe institucionin e pendesës që do të rezultonte me ndjesë. Diçka shumë e nevojshme dhe, madje, e domosdoshme për shoqërinë tonë sot e këtu, sot e mot për kudo.