VALBONA KARANXHA: PARTITË KARIZMATIKE DHE PROÇESET DEMOKRATIKE BRËNDA TYRE

Partitë janë grupime njerëzish të cilët i bashkon një ideologji e caktuar. Ky mund të jetë një përcaktim bazik i partive politike. Partia siç e kam shpjeguar edhe më përpara është instrument me të cilin një grup politik vë në zbatim platformën e tij. Partitë si shumica e organizatave kanë një strukturë hierarkike. Ato i kanë rrënjët në njësitë lokale ose të vogla dhe strukturat e larta ngushtohen në numër por rriten në rëndësi. Në qëndër të  partisë është kryesia e saj më lidërshipin. Zakonisht, në një vend demokratik  njësitë e vogla organizative zgjedhin përfaqsuesit në rang kombëtar duke mbajtur në mëndje aftësitë e kandidatëve për të mbajtur post publik. Kjo ndodh në konventën e partisë apo mledhjen e saj dhe ky proçes i lë rradhën se kush do kryesojë qeverinë në rast se partia në fjalë fiton dhe percakton cilat do jenë politikat e saj publike në të ardhmen

Praktika ka treguar se njësitë e vogla partiake janë kyçe në jetën e një partie e cila mbështetet në parime demokratike. Partitë janë të ndryshme në formë dhe funksion. Partitë Europiane, sidomos ato të krijuara mbas Luftes së Dytë Botërore, njihen si parti te masave, pasi përfaqsojnë organizatat laburiste të cilat në Europë kanë baza socialiste. Gjithashtu, një lloj organizimi partiak janë partitë elektorale, si të cilat mund të karakterizohen partitë që operojnë në SHBA; Republikane dhe ajo Demokratike. Por në anën tjetër, në spekrin e partive politike janë edhe ato karizmatike. Pa u futur shumë në teori, këto parti janë njësi politike të cilat dominohen nga një lider i vetëm.

Të para në një kontekst, sistemi partiak në Shqipëri përbëhet nga shume parti midis të cilave dy dominojnë jetën politikën e vëndit, dhe pjesa tjetër nuk ka ndjeshmëri pothuajse fare në jetën politike, me përjashtim të zgjedhjeve të 2013 ku LSI hyri si forcë politike e tretë, por që popullariteti i saj është mjaft i mjergullt pasi akuzat dhe testet statistikore presupozojnë që kjo forcë politike ka blerë vota për të pjesmarrë në pushtet http://www.fshad.com/7/post/2013/07/july-01st-20132.html. Duke u ndalur vetëm tek dy forcat politike PD dhe PS vlen të përmëndet se të dyja funksionojnë në të njëjtat korniza të partive karizmatike.

Së pari,  megjithese flasim për dy procese të ndryshme në kontekstin e Shqipërisë të dyja keto parti nuk veprojnë në baza demokratike. Konventat e partive respektive te PD dhe PS të cilat u zhvilluan në mars te 2013 ishin larg asaj që duhet të ndodhin në konventë. Partia Socialiste prezantoi koalicionet ku kryetarët e tyre shprehën solidaritet për të arritur objektivin e largimit te Berishës nga pushteti. “Jemi një tren me 36 vagona që hecën përpara” siç u shpreh Skënder Gjinushi.  Ndërsa PD u fokusua në arritjet sidomos në dixhitalizimin e vëndit dhe politikat arsimore te cilat janë mjaft të debatueshme për politikën e padrejtë që ka ndjekur qeveria e Berishës në shpërndajen e fondeve. Megjithatë, në konventën e saj nuk u shpreh aspak ndërrim kursi apo startegjie, gjë e cila tregonte jo vetëm se sa e shkëputur nga realiteti ishte PD e kryesuar nga Berisha, por në të njëjtën kohë ajo  nuk kishte aritur të kuptonte se sa kapital kishte humbur në vite.

Në një pikpamje demokratike, asnjë nga këto parti nuk qëndroi afër popullit dhe bazave të saj. Strukurat e tyre janë aq “top-down” sa pothuajse është e e pamundur të konceptohet lidërship i pëërbashkët ose i ndarë. Në rastin më të afërt, listat me kandidatët për deputet u përpiluan nga vetë kryetarët e saj dhe nuk erdhën fare nga njësitë e vogla të cilat janë më afër popullit. Me një fjalë, populli as nuk pati impaktin me të vogël në përpilimin e tyre. Asnjë lloj procesi për propozimin e kandidatëve nuk u krye, përkundrazi ky lloj lidershipi autoritarian vendosi ata individë të cilët garantonin vazhueshmeri financiare të fushatës elektorale PS; dhe nga ana tjetër i garantonte një rreth të ngusht të besuarish në rradhët e PD për mbijetesën e saj.

Në fakt, partitë karizmatike janë të centralizuara dhe pushteti përqëndrohet në duart e një individi. Në Shqipëri, lideri ka pushtetin absolut në këto parti dhe drejton politikën. Ky lloj sistemi i jep fuqi të pakontestueshme vetëm një individi, pasi kryetari i partisë është kryetar i mazhorancës dhe rrjedhimisht bëhet kryeministër i vendit. Pra kjo mledhje pushteti  në duart e një individi paralajmëron për krijimin e një sistemi autoritarian.

Në kontrast, në një demokraci të konsoliduar si SHBA, dy partitë kryesore, ajo Demokratike dhe Republikane propozojnë kandidatët për përfaqsim si edhe atë për president, por ndryshe nga sistemi i dy partive shqiptare, kryetarët  apo drejtuesit e ketyre partive kanë funksion administrativ dhe jo lidërshipi. Domethëne, sekretari dhe kryetari i partise merret me përpilim platformash, mbledhje fondesh, dhe detyra të tjera administrative të cilat janë në përputhje më politikat që pritet të ndjek kjo parti në qoftëse vjen në pushtet. Propozimi i kandidatit për president vjen nga njësitë bazë dhe kjo ka shume rëndësi në proçesin demokratik.

Le t’i kthehemi rastit të PD, pa u futur në histori, mbi kontrollin absolut të Berishës mbi të, sot PD ndeshet me një proçes serioz i cili do të tregoj se ç’fare rruge do ndjek ajo në vitet e ardhshme. Berisha dha në mënyrë befasuese dorëheqjen pa i lënë kohë elektoratit të reflektonte. Sipas, Prof. Dr. Afrim Krasniqi, ky vendim mund të priste edhe për pak kohe, derisa të qartësoheshin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, dhe të analizoheshin faktorët që ndikuan në humbjen e saj.  Pra, aktualisht anëtarët e lodhur dhe militantët e PD do duhet jo vetëm të tresnin humbjen,  por edhe të ndeshen me një dilemë tjetër që mbase nuk janë të pregatitur ende për të. “Kandidatura të lira, dhe një anëtar një votë” ishte thirrja e Berishës për demokratizimin e zgjedhjes së kryetarit të ri.

Në parim ky proçes duket si demokratik dhe i lirë sepse vota është themeli i saj, por i parë nga afër edhe ky proçes është mjaft i kontrolluar nga Berisha për disa arsye. E para, Berisha nuk lejoi asnjë “të huaj” të kandidoj për këtë post dhe i quajti “gjela në maj të plehut të cilët duan të përçajnë partinë”. Deri diku i jap të drejtë, kush nuk është anëtar i PD dhe nuk ka paguar kuotat ose ka dhënë kontributin e tij nuk është gati të marr një ndërmarrje të tillë pavarësisht nga ngritja dhe vullneti i mire. Kjo është kërkesë bazike. Për të shkuar një hap më larg dhe tingëlluar më demokrat Berisha vijoi “Le të anëtarsohen njëhere dhe të shohim”, por të gjithë e dimë nëntekstin e kësaj. Këta individë, kushdo qofshin,  nuk do kenë shans t’i afrohen strukturave të larta të PD, aq me tepër të jenë lidërshipi i saj

Indikuesi i dyte i mungesës së proçesit demokratik është hedhja e kandidaturave të lira. Edhe ky duket shumë demokratik si proçes, por ka disa  kleçka. E para në garën për kryetar nuk paraqitet një set standartesh mbi të cilat kandidati kualifikohet. Standarte të cilat përpilohen në mënyrë demokratike nga vetë anëtarët e PD, dhe të cilat qartësojnë më mirë kandidaturën e çdo kujt, pa i lene vend hatërllëqeve. Këto standarte, në gjykimin tim, janë me demokratike se ftesa “le të futet kush të dojë dhe unë do përzgjedh”. E dyta, asnjë nga emërimet e kandidatëve  nuk erdhi nga njësitë lokale bazë, por u paraqitën vëtëm dy figura me shumë hije në të kaluarën e tyre dhe pa asnjë arritje substanciale. Këto figura janë njerëz të afërt të cilët kanë punuar për Berishën dhe janë miq familjar. Kritikat mbi Olldashin dhe Bashën kanë vërshuar edhe nga anëtarë ose ish-anëtarë të partisë demokratike.

Në vijim, gara midis Bashës dhe Olldashit  nuk lindi si pasojë e eleminimit të një grupi të gjerë kandidatësh të tjerë në sajë të standarteve të parapërcaktuara, por këto ishin dy kandidaturat e vetme. Opinioni publik u shpreh se individë të tjerë nuk u inkurajuan apo më qartë u ndaluan të konkurronin. E fundit, PD la komplet ne harresë diversitetin brënda saj duke mos inkurajuar faktorin femër të kandidojë, ose më mirë faktori femër nuk u përfill. Kjo tregon se proçesi i Berishës është paragjykues ndaj tyre dhe politika është dominacion mashkullor.

Në fund, fushata për kryetar te PD vazhdon midis dy kandidatëve të paramenduar dhe të përzgjedhur nga Berisha. Këtu tregohet që PD ka ndërmënd të ngelet parti karizmatike e përqëndruar në duart e një lideri i cili nuk i pret dot litarët e afeksionit me të. Nuk dihet se sa aftësi do ketë Olldashi apo Basha për të drejtuar partinë dhe vëndin, por bazuar në eksperienca të mëparshme do jetë mjaft e vështirë. Këta dy kandidatë jo vetëm që kanë një përgjegjsi kolosale përpara tyre por ashtu edhe përpara elektoratit demokrat  dhe në fund popullit në tërësi. A paralajmërojnë ndryshime në kursin e PD dhe menyrën se si ajo bën politikë? Në qoftëse jemi në gjëndje t’i përgjigjemi kësaj pyetje atëherë mund ta kuptojme drejt se ku do jetë PD në katër ose tetë vjetët e ardhshme.

AGRON TUFA: MBI STILIN SHPËTIMTAR TË FEVZIT

Personazhet e medias, bash ata aktorë që përndezin sfondin e “pushtetit të katërt” nuk janë prej shumë kohësh ndërmjetësues të së Vërtetës. S’kemi pse t’i idealizojmë. Në Shqipëri ata njihen prej gjithkujt, sidomos me faktorizimin absolut gjatë fushatave zgjedhore, kryesisht në sajë të shërbimeve me efikasitet të lartë që i bëjnë vetvetes, kompanive multimediatike të biznesit, i cili është i lidhur açik me dy partitë politike. Pa ua përmendur emrat të gjithëve (sepse më të njohurit njihen me gishtat e njërës dorë) mund të themi se të gjithë ata e kanë pasur kohën e bollshme të na bindin, që i vetmi rol i tyre është jenë “viagra” të pushteteve politike.

Kështu skema e mercenarizmit mediatik nuk ka ndryshuar fare në këto dy deceniet e fundit për këto kryepersonazhë, që e sundojnë median e ekranit dhe letrës; sipas kësaj skeme perfitimesh ata ndahen në dy palë: njëra e nxjerr “karburantin” e makinerisë së servilizmit nga pozita në pushtet, tjetra – nga opozita. Ka dhe një palë të tretë, e cila në sajë të stazhit të gjatë të përvojës e ka pasuruar skemën, duke e nxjerrë “karburantin” edhe nga pozita edhe nga opozita. Në këtë rast kemi të bëjmë me formatimin dhe promovimin e një tipologjie të re në peisazhin mediatik – atë të “Qerratait të madh”. Këtë piruetë striptize të mercenarizmit mediokratik sapo e shfaqi Blendi Fevziu.
Efekti i tij shkaktoi një zilepsje të admirueshme tek siamezët e mediave të tjera, ndaj në njërën prej të përditshmëve tona pamë të na shpjegonte se “si u prish me Berishën”.  Kështu karakitatura e Bruno Vespës e vërtiti elokuencën e shpjegimit duke e shpënë atë në një sferë krejtësisht mistike, mitomane e fatidike. Në një faqe gazetë të intervistës së tij, në stilin rrëshqitës e fërshëllyes të togut të bashktingëlloreve gjarpëruese  me “fvz”, tregon “mosmarrëveshjet” (apo keqkuptimet) që ka patur me Berishën e krerë të tjerë të PD-së. Në thelb të misticizmit të tij, Fevzi shpjegon se mosmarrëveshja ka natyrë “stili”; se, gjoja ai nuk ka pranuar të drejtonte “Taun Holl-in” e Berishës, njëlloj siç nuk ka pranuar ta bëj këtë më 2005 për Bashën, për shkak se, “nuk përputhej me stilin tim”. Që ka stil mercenarizmi, këtë nuk e vëmë në dyshim. Po ç’lidhje ka kjo me atë farë “stili” të Fevzit, që ose përzihet dhe flet vetë më shumë se të ftuarit e tij, ose ndërpret sipas interesit me tundje-shkundje krahësh e këmbësh, si polic trafiku, ose kërcënon me shkop apo firas përfare nga prania në studio, duke i lënë ta kapërthen e kacagjelon palët në debat? Të vetmin stil (nëse quahet stil) të Fevzit e kemi parë të shfaqet jo në parametra stilistikë të zhanrit, po në shërbimet e vyeshme ndaj palëve fitimtare, aq hapur, aq trashë e ulëritshëm, sa të bën me turp para ekranit. Stili i Fevzit nuk shfaqet në parametra të zhanrit. Ai është një komponente përtej zhanrit ku studioja e tij dhe ai kanë shërbyer si “zjarrfikëse” për problemet e shtruara. I famshëm Fevzi është bërë, si një ndër gazetarët që, ndryshe nga të tjerë mercenarë, nuk i refuzon shtrimet e çështjeve të nxehta në studion e tij. Por ndryshe edhe nga ata, që nuk hezitojnë, më të rrallë, t’i shtrojnë çështjet e problematikat e mprehta publike për diskutim, Fevzi, këto çështje të zjarrta i sjell në studio për t’i fikur, apo më saktë, për t’i çaktivizuar. Kështu përgjatë rradhës së pafundme të “Njëmijë e një netëve” të tij në studio, Fevzi është marrë profesionalisht me ç’aktivizimin dhe ç’minimin e çdo problemi të madh që e mundon shoqërinë tonë. Duke i rënë nga dera e pasme problemeve të mëdha, Fevzi e ka pranuar bujarisht ndezjen e debatit, por ama me të njëjtët alihoxhë e hoxhalinj i ka ç’aktivizuar në mënyrë të përsosur, duke ua heqë tejzat e zërit, pa e shterruar asesi asnjërën prej tyre. Natyra bizarre e kësaj intence thotë kështu: ekzistojnë problemet? Bujrëm në studion time! Aty do të fitoni… memecërinë e sigurtë! Dhe njëmend përftohet diç e mjegullt: çështjet e nxehta shtrohen, për ta u fol dhe këtu përfundon misioni. Dhe pikërisht nga mënyra se si hapet debati mbi problemet më ekzistenciale të shoqërisë, se si flitet dhe kush janë adeptët e përhershëm – kjo mbetet enigmë, deshifrimin e të cilës e ruan për vete Fevzi. Në këto kuvende studiosh personazhi kryesor është vetë Fevzi, ndërsa pala përtej ekranit, ajo që është e interesuar dëshpërimisht për t’u përfaqësuar, mbetet e përjashtuar, me gisht në gojë. Sepse Fevzi është një zjarrfikëse!
Në vitin 1998, në “opinionin” e Fevzit, në debatin midis Gramoz Ruçit dhe të ndjerit Azem Hajdari, mbaj mend një moment delikat, kur Fevzi nuk pranoi të vinte një kasetë që kishte sjellë me vete i ndjeri, me qëllim që shqiptarët të shihnin qartë se kush u printe turrmave të egërsuara vandale në Vlorë 1997. Këmbëngulja e Hajdarit dhe hezitimi i Fevzit morën fund nga zilja e telefonit fiks në studio, pas së cilës Fevzi refuzoi ta shfaqte kasetën. Aty kuptuam që Fevzi ka eprorë, para të cilëve s’pipëtin. Pamë gjithashtu që studioja e tij “Opinion”, si një anije me vela mori kursin majtas “pro pushtetit”, kurs të cilin e ndryshoi djathtas me një gjarpërim taktik të orëve të fundit me 2005 dhe vetëm në 2013, kur u pa se miljet e gjata ujore të së djathtës po ndeshnin në shkëmbinj nënujorë, e ndryshoi sërish timonin me një gjarpërim psikotaktik në stilin e tij, tashmë të regjur në përvojën e erës së pushtetit. Arsyet janë se “i ka pëlqyer Rilindja”, por më së shumti i pëlqen argumenti irracional, bestyt e profetik, sipas të cilit nënkuptohet – “ai lider që refuzon të vijë në studion time, e ka të humbur betejën politike”… A thua se studioja e tij na qenkësh një akuarium plot ujë jetëdhënës, apo rasat ku mund të gjejnë mjedisin e domosdoshëm për mbijetesë të të gjithë koranëve në rrezik. Fevzi i referohet studios së tij përvojëshumë, duke ndërmendur se, “…në 2005 Fatos Nano nuk erdhi në Opinion pasi e kishte konfirmuar; në 2009 po ashtu Edi Rama nuk pranoi të vinte; këtë vit Berisha refuzoi të vinte, pra s’është diëka e re”.
Ti, lexues kokëtrashë, a e kupton tani se ç’do të thotë të mos shkosh në studion e Fevzit?! Sepse studioja e tij nuk është thjesht Opinion, jo! Është shumë e më shumë! Është Medium përcaktuas për fatin e mëtejshëm politik për çdo lider! Në një medium të tillë, liderët që e kanë “kafshuar njëherë gjuhën”… vijnë dhe, ashtu, të penduar kridhen në ujërat mistike fevziane ku Fevzi nuk është gazetari! Absulotisht! Ai është ajo figura e falltarëve të moçëm në tempujt antikë, zçri i Fatit, Tiresia vetë në tempullin e Delfit, që parathotë të ardhmën në trajtë simbolesh; është bazilika antike e Jerusalemit  dhe ai, Fevzi koranor, është një shën Pagëzor që ep bekimin për bashkëudhëtarët ngadhënjyes në pushtetin e ri; është tempulli valëzor me energji besimi, prekja e të cilit i shëbëllen prekjes hyjnore të mureve të tempullit të Mekës! Lum kush merr dorë e bekim te Fevzi e mjerë kush i bie hasha Opinionit të tij!
Pushtetet do të ndërrohen. Ato janë nomadë: liderë nomadë, ministra nomodë, qeveri nomade, siç është në të vërtetë karakteri çdo pushteti. Vetëm një është i paluajtshëm në gjithë këtë stuhi ndryshimi, në këtë pantha rei: Fevzi i përjetshëm! Nëse media është “pushteti i katërt”, kjo gjë nuk vlen për Fevzin: ai është pushtet i Parë, pushtet mitik, porfetik e i përjetshëm. Është magu që ripërtërin vetveten në një rrethqarkullim të pandalshëm; fytyra e re e Janusit romak drejt së ardhmes, që lë prapa shpine kohën, historinë me epokat e saj, traditat dhe kulturat e saj që plaken pandreqshëm dhe të cilat, kanë të vetmet vlerë si relikte, të vetmen ekzistencë, qoftë dhe të vobegtë, vetëm nëse renditen në memuaret e Fevzit për t’u shitur në tirazhe marramendëse. Se vetë e vërteta flet drejt e nga buzët e Fevzit, apo jo? E ndjeni si fërshëllen ajo kur gjarpëron në narrativën e tij? Vetë e vërteta madje, sesi, ka kohë që ka marrë shembëlltyrën e Fevzit. Dhe aq shumë është shkrirë në këtë ngjashmëri, sa shumëkush vështirë e ka ta dallojë të vërtetën nga identifikimi i saj i plotë me vetë Fevzin. Mos është vetë e vërteta mishërim i plotë i Fevzit? Mos është Fevz? Fvz?
Kujt i kaluan të rrënqethura në shtat nga kjo dilemë? Nga kjo pandehmë?  Me siguri liderëve politikë… Po, po, atyre! Për një gjë duhet të jetë e qartë kjo specie supersticioze: nëse duan të bëjnë hajër, nëse ua kanda t’i mishërojnë ëndrrat dhe deliret e tyre, nëse ndjehen të dobët, impotentë në vullnetin e tyre për pushtet, ata do të gjejnë dermanin në ujërat e Fevzit: aty gjejnë ilaçin, balsamin, eliksirin, nektarin e ambrozin – viagrat e rritës politike, se vetëm prej aty bëhet kërcimi mbi hamshorin e pushtetit. Në mos jo, xeni mend!
Kaq pako gjë ma merr mendja se e kanë ngulitur mirë në kokë pretendentët për liderin e ri të PD-së këto ditë. Dhe atyre, nëse nuk e kanë kuptuar vetë, më vjen t’u them: a e patë more djema se ç’ndodhi me ata që i ranë hasha Fevzit?! Çfarë prisni more! Lerini more fushtat… fushatën…! S’e keni aty kismetin! Kismeti ka kohë që ju pret në studion e Fevzit! Aty madje (provoni të mos e merrni seriozisht!), e vetëm aty ju vjen kurorëzimi, spiralja e ngadaltë por e ëmbël e ngjitjes! Ngjitjes thashë?! Ç’ngjitje more! Inicimit! Te Fevzi, si san shpirtëror, mund të ketë vetëm inicim! Dhe duhet pritur në paradhomën e Fevzit, pa bëzajtur, plot besim, dikë bërë zap kalin e harbuar të mosdurimit deri në ditën e Madhe të marrjes së pushtetit, që siç dihet, kalon vetëm e vetëm përmes një rruge të njohur e të rrahur mirë: t’i përmbaheni besnikërisht stilit të hollë, fin, elegant e sidomos të padukshëm të Fevzit… Fvz…Fz.

(Botuar me se pari tek Gazeta START: http://www.gazetastart.com/index.php?p=hg&hid=13094)