Home » ANALISTE TE FTUAR » AGRON TUFA: MBI STILIN SHPËTIMTAR TË FEVZIT

AGRON TUFA: MBI STILIN SHPËTIMTAR TË FEVZIT

Personazhet e medias, bash ata aktorë që përndezin sfondin e “pushtetit të katërt” nuk janë prej shumë kohësh ndërmjetësues të së Vërtetës. S’kemi pse t’i idealizojmë. Në Shqipëri ata njihen prej gjithkujt, sidomos me faktorizimin absolut gjatë fushatave zgjedhore, kryesisht në sajë të shërbimeve me efikasitet të lartë që i bëjnë vetvetes, kompanive multimediatike të biznesit, i cili është i lidhur açik me dy partitë politike. Pa ua përmendur emrat të gjithëve (sepse më të njohurit njihen me gishtat e njërës dorë) mund të themi se të gjithë ata e kanë pasur kohën e bollshme të na bindin, që i vetmi rol i tyre është jenë “viagra” të pushteteve politike.

Kështu skema e mercenarizmit mediatik nuk ka ndryshuar fare në këto dy deceniet e fundit për këto kryepersonazhë, që e sundojnë median e ekranit dhe letrës; sipas kësaj skeme perfitimesh ata ndahen në dy palë: njëra e nxjerr “karburantin” e makinerisë së servilizmit nga pozita në pushtet, tjetra – nga opozita. Ka dhe një palë të tretë, e cila në sajë të stazhit të gjatë të përvojës e ka pasuruar skemën, duke e nxjerrë “karburantin” edhe nga pozita edhe nga opozita. Në këtë rast kemi të bëjmë me formatimin dhe promovimin e një tipologjie të re në peisazhin mediatik – atë të “Qerratait të madh”. Këtë piruetë striptize të mercenarizmit mediokratik sapo e shfaqi Blendi Fevziu.
Efekti i tij shkaktoi një zilepsje të admirueshme tek siamezët e mediave të tjera, ndaj në njërën prej të përditshmëve tona pamë të na shpjegonte se “si u prish me Berishën”.  Kështu karakitatura e Bruno Vespës e vërtiti elokuencën e shpjegimit duke e shpënë atë në një sferë krejtësisht mistike, mitomane e fatidike. Në një faqe gazetë të intervistës së tij, në stilin rrëshqitës e fërshëllyes të togut të bashktingëlloreve gjarpëruese  me “fvz”, tregon “mosmarrëveshjet” (apo keqkuptimet) që ka patur me Berishën e krerë të tjerë të PD-së. Në thelb të misticizmit të tij, Fevzi shpjegon se mosmarrëveshja ka natyrë “stili”; se, gjoja ai nuk ka pranuar të drejtonte “Taun Holl-in” e Berishës, njëlloj siç nuk ka pranuar ta bëj këtë më 2005 për Bashën, për shkak se, “nuk përputhej me stilin tim”. Që ka stil mercenarizmi, këtë nuk e vëmë në dyshim. Po ç’lidhje ka kjo me atë farë “stili” të Fevzit, që ose përzihet dhe flet vetë më shumë se të ftuarit e tij, ose ndërpret sipas interesit me tundje-shkundje krahësh e këmbësh, si polic trafiku, ose kërcënon me shkop apo firas përfare nga prania në studio, duke i lënë ta kapërthen e kacagjelon palët në debat? Të vetmin stil (nëse quahet stil) të Fevzit e kemi parë të shfaqet jo në parametra stilistikë të zhanrit, po në shërbimet e vyeshme ndaj palëve fitimtare, aq hapur, aq trashë e ulëritshëm, sa të bën me turp para ekranit. Stili i Fevzit nuk shfaqet në parametra të zhanrit. Ai është një komponente përtej zhanrit ku studioja e tij dhe ai kanë shërbyer si “zjarrfikëse” për problemet e shtruara. I famshëm Fevzi është bërë, si një ndër gazetarët që, ndryshe nga të tjerë mercenarë, nuk i refuzon shtrimet e çështjeve të nxehta në studion e tij. Por ndryshe edhe nga ata, që nuk hezitojnë, më të rrallë, t’i shtrojnë çështjet e problematikat e mprehta publike për diskutim, Fevzi, këto çështje të zjarrta i sjell në studio për t’i fikur, apo më saktë, për t’i çaktivizuar. Kështu përgjatë rradhës së pafundme të “Njëmijë e një netëve” të tij në studio, Fevzi është marrë profesionalisht me ç’aktivizimin dhe ç’minimin e çdo problemi të madh që e mundon shoqërinë tonë. Duke i rënë nga dera e pasme problemeve të mëdha, Fevzi e ka pranuar bujarisht ndezjen e debatit, por ama me të njëjtët alihoxhë e hoxhalinj i ka ç’aktivizuar në mënyrë të përsosur, duke ua heqë tejzat e zërit, pa e shterruar asesi asnjërën prej tyre. Natyra bizarre e kësaj intence thotë kështu: ekzistojnë problemet? Bujrëm në studion time! Aty do të fitoni… memecërinë e sigurtë! Dhe njëmend përftohet diç e mjegullt: çështjet e nxehta shtrohen, për ta u fol dhe këtu përfundon misioni. Dhe pikërisht nga mënyra se si hapet debati mbi problemet më ekzistenciale të shoqërisë, se si flitet dhe kush janë adeptët e përhershëm – kjo mbetet enigmë, deshifrimin e të cilës e ruan për vete Fevzi. Në këto kuvende studiosh personazhi kryesor është vetë Fevzi, ndërsa pala përtej ekranit, ajo që është e interesuar dëshpërimisht për t’u përfaqësuar, mbetet e përjashtuar, me gisht në gojë. Sepse Fevzi është një zjarrfikëse!
Në vitin 1998, në “opinionin” e Fevzit, në debatin midis Gramoz Ruçit dhe të ndjerit Azem Hajdari, mbaj mend një moment delikat, kur Fevzi nuk pranoi të vinte një kasetë që kishte sjellë me vete i ndjeri, me qëllim që shqiptarët të shihnin qartë se kush u printe turrmave të egërsuara vandale në Vlorë 1997. Këmbëngulja e Hajdarit dhe hezitimi i Fevzit morën fund nga zilja e telefonit fiks në studio, pas së cilës Fevzi refuzoi ta shfaqte kasetën. Aty kuptuam që Fevzi ka eprorë, para të cilëve s’pipëtin. Pamë gjithashtu që studioja e tij “Opinion”, si një anije me vela mori kursin majtas “pro pushtetit”, kurs të cilin e ndryshoi djathtas me një gjarpërim taktik të orëve të fundit me 2005 dhe vetëm në 2013, kur u pa se miljet e gjata ujore të së djathtës po ndeshnin në shkëmbinj nënujorë, e ndryshoi sërish timonin me një gjarpërim psikotaktik në stilin e tij, tashmë të regjur në përvojën e erës së pushtetit. Arsyet janë se “i ka pëlqyer Rilindja”, por më së shumti i pëlqen argumenti irracional, bestyt e profetik, sipas të cilit nënkuptohet – “ai lider që refuzon të vijë në studion time, e ka të humbur betejën politike”… A thua se studioja e tij na qenkësh një akuarium plot ujë jetëdhënës, apo rasat ku mund të gjejnë mjedisin e domosdoshëm për mbijetesë të të gjithë koranëve në rrezik. Fevzi i referohet studios së tij përvojëshumë, duke ndërmendur se, “…në 2005 Fatos Nano nuk erdhi në Opinion pasi e kishte konfirmuar; në 2009 po ashtu Edi Rama nuk pranoi të vinte; këtë vit Berisha refuzoi të vinte, pra s’është diëka e re”.
Ti, lexues kokëtrashë, a e kupton tani se ç’do të thotë të mos shkosh në studion e Fevzit?! Sepse studioja e tij nuk është thjesht Opinion, jo! Është shumë e më shumë! Është Medium përcaktuas për fatin e mëtejshëm politik për çdo lider! Në një medium të tillë, liderët që e kanë “kafshuar njëherë gjuhën”… vijnë dhe, ashtu, të penduar kridhen në ujërat mistike fevziane ku Fevzi nuk është gazetari! Absulotisht! Ai është ajo figura e falltarëve të moçëm në tempujt antikë, zçri i Fatit, Tiresia vetë në tempullin e Delfit, që parathotë të ardhmën në trajtë simbolesh; është bazilika antike e Jerusalemit  dhe ai, Fevzi koranor, është një shën Pagëzor që ep bekimin për bashkëudhëtarët ngadhënjyes në pushtetin e ri; është tempulli valëzor me energji besimi, prekja e të cilit i shëbëllen prekjes hyjnore të mureve të tempullit të Mekës! Lum kush merr dorë e bekim te Fevzi e mjerë kush i bie hasha Opinionit të tij!
Pushtetet do të ndërrohen. Ato janë nomadë: liderë nomadë, ministra nomodë, qeveri nomade, siç është në të vërtetë karakteri çdo pushteti. Vetëm një është i paluajtshëm në gjithë këtë stuhi ndryshimi, në këtë pantha rei: Fevzi i përjetshëm! Nëse media është “pushteti i katërt”, kjo gjë nuk vlen për Fevzin: ai është pushtet i Parë, pushtet mitik, porfetik e i përjetshëm. Është magu që ripërtërin vetveten në një rrethqarkullim të pandalshëm; fytyra e re e Janusit romak drejt së ardhmes, që lë prapa shpine kohën, historinë me epokat e saj, traditat dhe kulturat e saj që plaken pandreqshëm dhe të cilat, kanë të vetmet vlerë si relikte, të vetmen ekzistencë, qoftë dhe të vobegtë, vetëm nëse renditen në memuaret e Fevzit për t’u shitur në tirazhe marramendëse. Se vetë e vërteta flet drejt e nga buzët e Fevzit, apo jo? E ndjeni si fërshëllen ajo kur gjarpëron në narrativën e tij? Vetë e vërteta madje, sesi, ka kohë që ka marrë shembëlltyrën e Fevzit. Dhe aq shumë është shkrirë në këtë ngjashmëri, sa shumëkush vështirë e ka ta dallojë të vërtetën nga identifikimi i saj i plotë me vetë Fevzin. Mos është vetë e vërteta mishërim i plotë i Fevzit? Mos është Fevz? Fvz?
Kujt i kaluan të rrënqethura në shtat nga kjo dilemë? Nga kjo pandehmë?  Me siguri liderëve politikë… Po, po, atyre! Për një gjë duhet të jetë e qartë kjo specie supersticioze: nëse duan të bëjnë hajër, nëse ua kanda t’i mishërojnë ëndrrat dhe deliret e tyre, nëse ndjehen të dobët, impotentë në vullnetin e tyre për pushtet, ata do të gjejnë dermanin në ujërat e Fevzit: aty gjejnë ilaçin, balsamin, eliksirin, nektarin e ambrozin – viagrat e rritës politike, se vetëm prej aty bëhet kërcimi mbi hamshorin e pushtetit. Në mos jo, xeni mend!
Kaq pako gjë ma merr mendja se e kanë ngulitur mirë në kokë pretendentët për liderin e ri të PD-së këto ditë. Dhe atyre, nëse nuk e kanë kuptuar vetë, më vjen t’u them: a e patë more djema se ç’ndodhi me ata që i ranë hasha Fevzit?! Çfarë prisni more! Lerini more fushtat… fushatën…! S’e keni aty kismetin! Kismeti ka kohë që ju pret në studion e Fevzit! Aty madje (provoni të mos e merrni seriozisht!), e vetëm aty ju vjen kurorëzimi, spiralja e ngadaltë por e ëmbël e ngjitjes! Ngjitjes thashë?! Ç’ngjitje more! Inicimit! Te Fevzi, si san shpirtëror, mund të ketë vetëm inicim! Dhe duhet pritur në paradhomën e Fevzit, pa bëzajtur, plot besim, dikë bërë zap kalin e harbuar të mosdurimit deri në ditën e Madhe të marrjes së pushtetit, që siç dihet, kalon vetëm e vetëm përmes një rruge të njohur e të rrahur mirë: t’i përmbaheni besnikërisht stilit të hollë, fin, elegant e sidomos të padukshëm të Fevzit… Fvz…Fz.

(Botuar me se pari tek Gazeta START: http://www.gazetastart.com/index.php?p=hg&hid=13094)

 

3 thoughts on “AGRON TUFA: MBI STILIN SHPËTIMTAR TË FEVZIT

  1. Shkrimi nuk e kalon nivelin, të cilin po përpiqet të kritikojë. Duke filluar qysh nga thirrorja “Fevzi”, që e përsërit pa pushim autori, që nuk duhej pastaj të habitej nëse dikush do e emëronte atë vetë “Tufëza”.
    Jo se z. Fevziu nuk le vend për kritikë: të gjithë aktorët e sherrit, që quhet pa të drejtë “polemikë”, nuk dinë më së pari të zgjedhin rrafshin e tyre etik: në këtë kurth, të hapur po vetë, ka rënë edhe shkruesi, i cili është po aq mercenar sa ç’nuk e kujton veten: mercenar, pasi nuk mundet të jetë i paanshëm.

  2. Po ta shohesh metamorfozen e fantomasit, sepse keshtu preferoj ti flas, edhe zeri i ka ndryshuar, me nje ngjirje te servilosur, pamja e jashtme eshte e nje zombi , asnje se pelqen ne popull kurse ne politike te gjithe e pelqejne sepse sic e ka thene mire autori. keta politikanet tane mbarojne me u eksitu me lavde te kurveosura ne televizione, dreka apo ahengje…….fakti qe kane sukses tregon qe politika e vjeter e 44 eshte edhe me e gjalle ne atdheun tone

Comments are closed.