Home » ANALIZA » MBI KONCEPTIN E BËRTHAMËS SË KOMBIT SHQIPTAR

MBI KONCEPTIN E BËRTHAMËS SË KOMBIT SHQIPTAR

Këto ditë duke ndjekur me vëmendje shkrimet e kolegëve të Rrethi të Ferrit, ndër të tjerë Grid Rroji, Valbona Karanxha, Artian Gjataj dhe Ledjan Prifti, shihet qartë dhe bindshëm se ka një numër pozicionimesh të guximshme por njëkohësisht edhe realiste në lidhje me gjendjen e kombëtarizmit shqiptar. Ndër këto probleme që po diskutohen është edhe ai i qëndrës së kombit shqiptar. A kanë kombët bërthamë apo qendër? Si duhet konceptuar ajo? A kanë shqiptarët një bërthamë kombëtare? Ku gjindet ajo? Më së fundi, një pyetje tjetër është se a do të ketë influencë politike apo jo? Këmbanat bien për ata që duan me dëgjue dhe diskutimet bëhen me ata që dinë, prandaj kjo temë duhet trajtuar me vëmendjen që meriton.

Bërthama e Kombit

Cdo shtet-komb ka një sintezë sigurie e cila e ndihmon me zgjidhë problemet ekzistenciale dhe të identifikimit si komb në rregullin e një shteti të caktuar. Kjo sintezë sigurie ofron edhe sjelljet e pranueshme e të moralshme, praktikat e politikat që duhen ndjekur për të arritur objektivat që kombi dhe shteti i konsideron jetike. Njerëzit që i ndjekin me parësi këto praktika sjelljeje, që besojnë tek sinteza e sigurisë kombëtare, që identifikohen me shtet-kombin dhe që punojnë për të mirën e në shërbim të shtet-kombit janë bërthama e kombit. Këta janë kombëtaristë. Bërthama e kombit është pikërisht ky grup njerëzish që mund të vijnë nga rrugë e nga përvoja të ndryshme por që bëhen bashkë nga identiteti i përbashkët dhe lidhja ekzistenciale që kanë me shtet-kombin. Ky grup njerëzish që kërkon që të ndërtojë shtet-kombin në bazë të një botëkuptimi të caktuar, dhe që janë aktivistë e militantë politikë, janë bërthama e kombit, rreth të cilëve do të mblidhen për shumë arsye edhe të tjerët. Kjo po ndodh edhe me ne.

Disa dallime përkufizuese

Kombëtaristët shqiptarë nuk janë të lidhur ekskluzivisht për gjuhën që kanë folur e për gjakun që kanë trashëguar sa janë të lidhur për bindjet në shërbim të kombit e për lidhjen e tyre me shtetin. Me kenë kombëtarist është me kenë dicka krejt ndryshe prej origjinës thjesht etnike. Pra, mund të flasësh shqip, mund të jesh shtetas shqiptar, mund të kesh origjinat më të pastra që mundet me pasë dikush si shqiptar dhe prapë mund të mos jesh pjesë e kësaj bërthame kombëtare. Zerva ka qënë shqiptar, sic ka qënë Karagjergji apo Ballaban Pasha, sic kanë qënë edhe shumë të tjerë që në kohë kanë punuar me ngulm kundër vetë shqiptarëve. Ka shumë shqiptarë që janë bërë të famshëm në shërbim të kombeve, të shteteve e të ideve të huaja, mirëpo nuk janë kombëtaristë. Në fakt, ka shumë prej tyre që janë të huaj për kombëtarizmin shqiptar. Sepse kombëtarist e shqiptar është ai që kur i gjykohen veprimet, njeriu mund të thotë pa mëdyshje se i shërbenin shtet-kombit të shqiptarëve. Prandaj Adem Jashari është një hero kombëtar. Prandaj edhe zonja e Hasan Prishtinës, e cila ishte me origjinë hebreje është pjesë integrale e kombit shqiptar.

A Ekziston një Bërthamë Kombëtariste Ndër Shqiptarët?

Përgjgija e shkurtër është se ekziston. Mirëpo ajo ekziston në Kosovë e Iliridë. Pse? Po ja, përgjigja duke u mbështetur tek ky përkufizimi që ofrova është se në Kosovë e Maqedoni ekziston një sintezë sigurie e cila mbështetet fuqimisht tek sinteza e sigurisë së një shtet-kombi shqiptar. Të gjithë partitë politike shqiptare janë me orientim kombëtarist, Në qëndër të vëmendjes së mjaft prej tyre është shtet-kombi dhe politikat që propozojnë, e rruga që ndjekin, shpeshhere mund të duken absurde nga jashtë, por janë  në kohezion me sintezën e sigurisë kombëtariste shqiptare që e sheh shtet-kombin shqiptar si  të paevitueshëm, si të dëshërueshëm e si të pashmangshëm. Ndryshojne taktikat se si mund te zgjidhet si problem, por ne nivelin e diskursit politik, kjo sinteze e sigurise kombetariste nuk vihet shume ne diskutim.

Aq më shumë që ekziston një masë e konsiderueshme shqiptarësh që mbështesin platforma të tilla kombëtariste dhe që punojnë intensivisht për arritjen e këtyre objektivave. Këta nuk janë në Tiranë, por janë në Kosovë  në Iliridë. Prandaj edhe qendra e kombit është Kosova që ka shtet, por ka mbështetje shumë të fortë tek shqiptarët e Iliridës. Sepse kombëtarizmi është një ide që përqafohet nga njerëzit, bërthama e kombëtarizmit është atje ku ekziston një masë kritike njerëzish që jetojnë e punojnë për arritjen e objektivave që dalin nga sinteza e sigurisë kombëtariste.

NJë Paradoks Themelor

Paradokset janë të shumta dhe nuk besoj se duhet të analizohen të gjithë këtu. Megjithatë paradoksi kryesor këtu është fakti se shteti shqiptar është një shtet i krijuar për shqiptarët, mirëpo që nuk është në shërbim të shqiptarëve. Për arsye historike që të gjithë i dimë, dhe që ndoshta me kohë ia vlen që t’i diskutojmë, brenda shtetit shqiptar sundon mendësia e parisë që kërkon sundimin e shtetit për interesat e veta si shtresë dhe që e lufton me të gjithë mënyrat kombëtarizmin. Jashtë shtetit shqiptar, ekzistojnë pari sunduese por ekziston edhe nje elitë e zgjedhur që mbështetet në popull e në struktura të forta politike-shoqërore janë në shërbim të një sistemi vlerash dhe që punojnë për arritjen e qëllimeve politike që shtron sinteza kombëtariste e sigurisë së shqiptarëve.

Dilema Politike

Ky është paradoksi i vërtetë ekzistencial i shqiptarëve dhe prej tij buron edhe dilemma ekzistenciale politike e jona si shqiptarë. Ne jemi një komb, shtetin e të cilit e mbajnë peng një grusht banditësh që nuk kanë asnjë vlerë e që nuk na përkasin si komb, njëlloj si qelbi që duhet shtrydhur nga plaga. Prandaj edhe përplasja që duhet të ndodhë, e që është e pashmangshme sepse dështimi i parisë së Tiranës, të Prishtinës e të Shkupit janë të pashmangshëm, është midis këtyre dy botëkuptimeve të mbështetura në dy sinteza sigurie të papajtueshme njëra me tjetrën. Ose do të shtrydhim qelbin, parinë e Tiranës dhe të kryeqeteteve të tjera dhe të shërohemi e të bëhemi një shtet-komb normal, ose do të vazhdojë ky process gangrenizimi e qelbëzimi që mban si model pikërisht parinë e Tiranës. Pra, dilemma është hic më pak se historike dhe njerëzit që duan të bëjnë veprimin e duhur duhet të mendohen mirë se a duan të jenë pjesë e historisë së shqiptarëve apo pjesë e fatkeqësisë së tyre.